E diele, 05.05.2024, 06:21 AM (GMT+1)

Speciale

Nexhmedin Spahiu: Lindja dhe gjymtimi i Republikës së Kosovës

E hene, 08.02.2010, 10:57 PM


Lindja dhe gjymtimi i Republikës së Kosovës?
 
Nga Prof. Dr. Nexhmedin Spahiu, publicist dhe analist
nspahiu@yahoo.com
 
Krahina vs Republika
 
Kur mësuesja ime në klasën e parë fillore na pat spjeguar se atdheu ynë është Jugosllavia e cila përbëhet nga 6 republika e 2 krahina pata bërë pyetjen përse 6 republika e 2 krahina e jo nga 8 republika apo 8 krahina. Atëherë nuk dija se cfarë është republika e cfarë krahina dhe cila nga këto ishte më e rëndësishme, por ky spjegim më dukej jo logjik. Kur mësueja na tha se vendi ku po jetonim ne quhej Krahina e Kosovës kjo s’më pat pëlqyer. Nëse kjo “Krahinë” do ishte më mirë se “Republikë” nuk më pëlqente që Kosova jonë të kishte dicka që nuk kishin 6 vendet e tjera, po nëse “Krahinë” do ishte më keq se “Republikë” atëherë s’do më pëlqente akoma më pak.
Mësuesja ime nuk ishte në gjendje t’më jepte përgjigjie në pyetjen time, por më premtoi se do ta pyeste burrin e vet që ishte politikan (atëherë kryetar i Komunës së Mitrovicës) dhe të nesërmën do t’më përgjigjej. Të nesërmën në vend të përgjigjies mora një qortim të ashpër: “Mos bëj më kurr pyetje të tilla! Nuk janë këto punë fëmijësh.” 
Në shtëpi pyeta gjyshin dhe ai më tha se Rebublikë dmth shtet kurse Krahinë d.m.th hajgare hesapi. E pse pra ne kemi mbetur krahinë?- e pyeta gjyshin. Sepse shkjetë na kanë mujtë në luftë e kanë ba si kanë dashtë. Nga kjo kuptova se për t’u vërë gjërat në vend u dashka bërë edhe një luftë, dhe në atë luftë u dashkemi që të fitojmë ne dhe të mos bëjmë hile me të mundurin.
Që nga momenti kur në klasën e gjashtë fillore mësuam në histori se si është avansuar pozita kushtetuese e Kosovës më 1968 dhe se kryetari i Kuvendit të Kosovës Iliaz Kurteshi ka shpallur Kushtetutën e Kosovës, në mendje e kisha të fiksuar pamjen kur ndonjë politikan i Kosovës do të shpallte Kosovën republikë.
 
Demonstratat e vitit 1981
 
Isha në vitin e dytë gjimnaz kur shpërthyen demonstratat e vitit 1981 dhe për herë të parë po shihja që nuk isha i vetmi që kisha menduar për Kosovën Republikë. Por tani politikanët e Kosovës po e dënonin si armiqësore parollën “Kosova Republikë”. 
Në një nga këto tubime pyeta një ligjerues nga Komiteti: Përse “Kosova Republikë” na qenkësh parullë armiqësore?  Sepse këtë po e thonë armiqtë tanë- mora përgjigjie. Po cka ka kjo lidhje që kush e thotë?- ia ktheva. Më parë duhet të dijmë a është mirë apo nuk është mirë me qenë Kosova Republikë e pastaj me percaktu kush është mik e kush është armik- ia ktheva?  Komitetliu u përgjigj: Ne nuk mundemi me qenë Republikë se nuk kemi ende boll gjenerala, doktora, pilota, inxhiniera etj. E kur nuk I kemi këta s’ka cka na duhet republika- tha ai. 
Ky sqarim mu duk logjik, akoma më parë kur komitetlinjtë sërbë që e shoqëronin ngelën të habitur nga sqarimi i kolegut të tyre. 
Kjo përgjgjie më dha komitetliu më bëri të kuptoj se Republika nuk lypet por krijohet. Në mendjen time kjo përputhej me thënien e gjyshit tim: “shpija që nuk e ke maru vet ja që nuk ta ka lanë baba kurr nuk të ban rehat”. 
 
A mund të avancohej autonomia në Republikë?
 
Kur më 1987 u zgjodha kryetar i Konferencës Universitare të Rinisë së Kosovës mendoja se si udheheqës studentor mund të shprehë vullnetin e popullit dhe të sfidojë gjithë politikanët e Kosovës që po flisnin fjalë bajate dhe jo ato që donte populli. 
Sapo fillova mandatin pashë se problemi nuk qëndronte te politikanët e Kosovës po tek vet populli që ndryshe fliste nën zë e ndryshe vepronte. Madje vërejta se një pjesë e politikanëve ishin shumë më në nivel se sa i meritonte populli, një pjesë  cfarë vërtetë i meritonte populli i Kosovës dhe një pjesë që ishin poshtë cdo niveli. Ajo cfarë më bëntë përshtypje ishte fakti se nivelin e politikanëve nuk e përcaktonte kierarkia në shoqëri por thjeshtë rastësia. 
Gjithësesi kur i krahasoja me kolegët e tyre nga republikat tjera dhe nga krahina e Vojvodinës e shihja se politikanët tanë nuk ishin kurkund. Por ajo cfarë më lëndontë më së tepermi ishte momenti kur krahasoja nivelin organizativ studentor ku Kosova ishte në fund të pusit.
Fillova të ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim, por shtresa studentore nuk lëviste nga vendi. Që në Kryesinë e Konferencës Universitare haste sharrra në gozhdë. Profesori që merrej me rininë në Fakultetin Juridik, presidenti aktual Fatmir Sejdiu, më pati këshilluar që t’i marrë gjërat m; me ngadal; dhe të bashkërëndoj me faktorët kyç në Kryesi. Por ndryshimet që doja t’i bëja s’i qaste asnjëri. Fillova të përdorë një strategji tjetër. Të vejë në rend dite tema të përgjithësuara sa të marrë votat e Kryesisë dhe realizimin ta bëja si doja vetë. Por as kjo nuk ecte, sepse kryesitë studentore nëpër fakultete nuk i zbatonin urdhërat nga lart nga Kryesia e Konferencës Universitare. 
Po vëreja edhe një gjë tjetër. Aktivistët më të gatshëm për të shkuar drejt liberalizimit dhe organizimit të jetës studentore në Prishtinë dhe Kosovë në tërësi nuk ishin studentët shqiptarë po ata sërbë.
Çdo nismë paksa ma radikale kuptohej si joserioze nga studentët dhe profesorët shqiptarë. Kësisoji shumë aktivitete reformatore mund të kryheshin vetëm duke angazhuar aktivistët studentorë sërbë. Problemi ishte se ata bëheshin gjithnjë e më të pakët ngase Universiteti i Prishtinës tashmë vec konsiderohej si cerdhe e nacionalizmit shqiptar dhe kështu studentët serbë të Kosovës i bojkotonin aktivitetet studentore në UP.
 
Gazeta studentore “Bota e Re”
 
Kisha një gjë ku mund të mbështetësha. Gazeta studentore “Bota e Re” edhe para se unë të zgjedhesha kryetar i forumit organ i së cilës ishte kjo gazetë, kish qenë gazeta më e hapur dhe më liberale në Kosovë. Unë doja që “Bota e Re” t’ishte një lloj “Mlladine” (revistë simotër sllovene e njohur për shkrime liberale) por kur doja të flisja për këtë me kryeredaktorin Bardh Hamzën ai reagonte sikur unë të tentoja ta bëja të kundërtën. Duke u thirrur në atë se megjithëse vartës I imi ai ishte disa vite më i vjetër se unë, cdo tentim I imi që ta bëjë të kuptojë që ta shkelte gazin e liberalizimit të mëtutjeshëm nuk merrte kuptim. Bardhi shkoi ushtar dhe i motivuar nga një fjalim i guximshëm i Fadil Demakut anëtar i Kryesisë së Konferencës Krahinore të Rinisë së Kosovës, i pata propozuar Kryetarit të Rinisë së Kosovës, që ta lirojë Fadil Demakun nga detyra që unë ta zgjedhja
kryeredaktor të “Botës së Re”. Përgjigjia ishte menjiherë pozitive: “Po more qysh jo. Po ta dha me të dy duart se mos po ma zë vendin mua se du m’u zgjedhë edhe një mandat”. Me Fadilin ishte më lehtë por tani ishte vështirë t’i gjeje gazetarët që të bënin atë çfarë bënin gazetarët-studentë sllovenë. Madje edhe në mesin e tyre (Liri Loshi, Halil Matoshi, Dibran Osmani, Muharrem Mjeku etj.) kishte përpjekje për të ndjekur shembullin slloven, por këtu secili ishte shah n’vete dhe nuk mund të bëja ekip. Çfarëdo përpjekje për të krijuar ekip, kuptohej jo si tendecë për ta fuqizuar liberalizimin e gazetës po e kundërta. 
Sidoqoftë, jeta studentore, qoftë përmes kuizve, mbrëmjeve letrare, liberalizimit të gazetës dhe aktiviteteve tjera mori një formë gjallërie. Madje filluam edhe të interesoheshim për rigjallërimin e shoqërive të studentëve shqiptarë në Beograd e Zagreb, të mbylluar më 1981 ajo e Zagrebit kurse më 1986 e Beogradit nga kryetari I Komitetit të Qytetit të Beogradit Sllobodan Millosheviq. Titulli i një gazete të Beogradit ishte “Thirri Nexhmedini nga Prishtina” ku bëhej fjalë se unë si kryetar I Konferencës Universitare të Kosovës  kisha kërkuar me ultimatum që ja t’mundësohet  rihapja e Shoqërisë studentore shqiptare “Përpjekja” në Beograd ja do t’shkonim t’a merrnim pasurinë e saj në Beograd e ta sjellnim në Prishtinë.
Asokohe, kishte këshill koordinues të Konferencave Universitare në nivel të Serbisë (Beogradi, Nishi, Kragujevci, Novi Sadi e Prishtina) dhe Këshill Koordinues në nivel federativ. Ne dhe Novi Sadi  përfaqesoheshim në të dy nivelet. Kishte një tendencë të Beogradit që të krijohej një qëndrim unik në nivel të Sërbisë dhe të shkohej me tri vota unike në Federatë. Mirëpo ndodhte e kundërta, unë dhe kolegu i Novi Sadit luftonim që ky qendrim të jetë kompromis mes Kosovës, Vojvodinës dhe tri universiteteve të Serbisë, dhe kur shkonim në Këshillin Federativ përfaqësuesi i Sërbisë detyrohej të shkonte me qëndrim kompromisi kurse unë dhe kolegu i Novi Sadit përcjellnim qëndrimet tona nga baza, dhe kështu qëndrimi i Beogradit si qendrim i arritur me kompromis gjithnjë dështonte në nivel federativ, derisa më në fund mora një letër të vulosur e të nënshkruar ku shkruante se Këshilli  Republikan i Konferencave Univrersitare të Sërbisë, ka marrë vendim që mos t’më ftojë më në mbledhje dhe se sa u përket atyre Kosova mund ta konsideronte veten republikë. 
 
Përpjekja e Azem Vllasit
 
Në një nivel më të lartë, i pari i politikës kosovare të asaj kohe, Azem Vllasi, kishte bërë përpjekje që të pensiononte dy politikanë të moshuar kosovarë: Ali Shukriun dhe Kolë Shirokën. I ndodhur në Beograd në një mbledhje kur u mor vesh se çfarë më ka shkruar kolegu i Beogradit (se sa i përket atij Kosova mund ta konsideronte vetën republikë) dhe çfarë po përpiqej të bënte Azem Vallsi, një politikan slloven deklaroi se “nëse Vllasi arrin t’i zëvendësojë Alinë dhe Kolën me njerëz të rinj, atëherë Slloba (Millosheviqi, tashmë kryetar i Komitetit Repblikan të Sërbisë) le t’ia urojë Republikën Azem Vllasit ashtu si ia ka bërë Spahiut Goran Trivan.
Por kjo përpjekje e Azem Vllasit dështoi për shumë arsye, i kushtoi atij me burg dhe avancimi i autonomisë së Kosovës në Republikë mori fund si proces.
Për ironi, këtë paralajmërim ia pata dhënë Azem Vllasit më 1987. Pas një interviste time në Televizionin e Beogradit ku si kryetar i Konferencës Universitare po thoja se situata politike në Kosovë nuk po përmirësohet po përkeqësohet, të nesërmën në mengjez më thirri sekretarja e Rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe më tha se Azem Vllasi po të pret në zyrën e rektorit. Pasi e luti rektorin të na lërë vetëm, Azemi më qortoi për deklaratën time duke u përpjekur që t’më sqaronte se ku konciponte politika e Kosovës që ishte në frymën e Titos për dallim nga ajo e Beogradit që kishte shmangur nga kjo rrugë dhe kish marrë kursin nacionalist shovinist. Azemi u përpoq t’më bindëte se ne duhet ta paraqesim situatën të qetë derisa në federatë ta kuptojnë se Millosheviqi është shmangur nga rruga e Titos. Unë iu përgjigja që e kuptoj këtë politikë por nuk pajtohem se kjo politikë jep rezultatin
që ne dëshirojmë. I mora shembullin e njeriut ngucakeq që therrë vazhdimisht me gjilpërë kamarierin që bartë tabakun me gota. Politika jote - i thash t’parit të politikës së atëhershme kosovare- po konsiston në atë që për hirë të asaj që të mos thyhen gotat kamarieri të durojë therrjet e gjilpërave të ngucakeqit. Kjo -i thash- nuk jep rezultate sepse me kohën therrjet do të bëhen të padurushme dhe kamarierit do t’i thyhen gotat. Më e mira punë që do të mund të bënte kamarieri në këtë rast është t’ia përplasë fëtyrës ngucakeqit tabakun me gota. 
Duket se Azem Vllasi nuk e kuptoi apo nuk deshi ta kuptojë këshillën time. Tek e fundit ai kish ardhë për t’më këshilluar dhe jo për t’marrë këshillë nga unë.
Tani është shumë hipotetike të flitet se cfarë do të ndodhte sikur Azem Vllasi të përplasej publikisht me Millosheviqin që më 1987 (ndoshta edhe pë parë), pra që në momentin kur ai e kish hetuar se Millosheviqi “nuk ishte në rrugën e Titos”. Unë atëherë mendoja, por edhe tani, se kjo ishte politika e duhur për Kosovën. Sikur Azemi të sulmonte i pari e jo të mbrohej vazhdimisht besoj se do t’kish mobilizuar energjitë kosovare në drejtimin e duhur. Do t’kish pasë përkrahje më të fortë në federatë kur Millosheviqi ende s’kish marrë krahë, por edhe brenda në Kosovë do ta kish forcuar rejtingun e vet të cilin ia kishte zbehur propaganda enveriste e grupeve ilegale. Sipas mendimit tim të asaj kohe (e as tani s’kam ndërruar këtë bindje) Azemi po luante në terrenin ku i kishte punët më ligsht dhe po humbiste rastin të luante në terenin ku ishte më i fortë. Sidoqoftë, Azemi ishte arra më e fortë e politikës kosovare dhe ndoshta natyra e tij private prej babaxhani ia ka pamundesuar që të luante në teren si sulmues, për cka edhe përfundoi në burg. 
 
Vazhdimësia e politikës kosovare: Azem Vllasi - Ibrahim Rugova
 
Në rrethana të reja, trashigmtar i politikës defanzive së Azem Vllasit me plot kuptimin e fjalës u bë Ibrahim Rugova. Por, atë cka nuk e arriti Vllasi e arriti Rugova.
Rugova e shtyu përplasjen me Millosheviqin deri sa Millosheviqi u përplas me gjithë botën. Rugova as verbalisht nuk tha ndonjë fjalë të keqe për të. Madje, Perëndia deshi që edhe ballafaqimin e fundit me të (në Hagë) ta përfundojë me fjalë të buta kur Rugova i tha: “Rri këtu se mirë e ke. Këtë e ke merituar”. 
Megjithë këtë deri te liria e Kosovës nuk u arrit vetëm me strategjinë e mospërplasjes me Serbinë derisa ajo t’i thyente hundët me të tjerët. U desht që të zhvillohej një kryengritje e armatosur t’paktën sa për të provokuar intervenimin e NATO-s. 
Kritikat e mia Ibrahim Rugovës, kishin të bënin pikërisht me faktin se duke e shtyrë përplasjen me Serbinë me cdo kusht e deri në ekstrem, po i bënte kosovarët të harrojnë se lufta është e pashmangshme. Se lufta është e pashmangëshme këtë e ripotencoja në shkrimet e mia derisa ajo vërtetë filloi. 
Që në Maj 1992 pata shkruar se Beogradi do të bombardohet por kjo nuk do të thotë se automatikisht do Kosova të bëjë progres. Paralajmërova se qëllim i Beogradit është copëtimi i Kosovës. Cështë e vërteta, Rugova kurr nuk thoshte se nuk do të ketë luftë por perceptimi i opinionit ishte I tillë dhe kjo ishte vështirë për ta përmbysur. 
Kishte shumë individë e grupe që ishin përfshirë në lëvizjet ilegale dhe bëheshin gati për luftë, por për një kohë të gjatë isha i vetmi që këtë e thoja publikisht me emër e mbiemër tim jo me pseodonim. Paraqitjen e parë publike, se jo vetëm që do të ketë luftë por që edhe organizata e tij po përgaditej për këtë, e bëri Sejdi Veseli, zëdhënës i LKÇK-së  në verën e vitit 1996 në gazetën “Koha Jonë” në Tiranë. Rëndësia e kësaj paraqitjeje të LKÇK-së për mua mbeti ngjarje historike të cilën e tejkaloi vetëm sakrifikimi i Jasharajve në Prekaz. Është ironike që kjo vepër heroike e Sejdi Veselit nuk u përmend asnjëherë pas luftës edhe pse atëbotë për këtë punë u pat burgosur në Tiranë dhe nuk iu pat lejuar hyrja në Zvicër.
 
Lufta në Kosovë
 
Aksionet luftarake kishin nisur në Kosovë por duhej që dikush ta thonte publikisht se lufta në Kosovë tashmë ka filluar. Xhafer Shatri, ministër i atëhershëm i informacionit në Qeverinë Bukoshi, i ndodhur në mes të politikës zyrëtare të Rugovës, ministër i së cilit ishte, dhe aktiviteteve në rritje të LPK-së që po angazhohej për luftë, më fton në Zvicër mua e Mero Bazen në Mars të vitit 1998 që të flisnim me bashkatdhetarët. Me gjasë, unë e Mero Baze ishim të vetmit që mund të thoshim publikisht se lufta në Kosovë tashmë ka filluar, se kush e ka ndërmend me kapë armën, le ta merr atë e kush ka ndërmend me ndihmu luftën, le të fillojë ta bëjë atë. 
Duke koinciduar me kohën e vrasjes së Jasharajve në Prekaz, mesazhi im dhe i Mero Bazes në këto tubimeve me bashkëatdhetarë në Cyrih, Lozanë e Gjenevë (i moderonte Mustafë Xhemajli), ishte që lufta duhej të zgjerohej në tërë Kosovën e të mos përseritet gabimi i kryengritjes së Shaban Polluzhës, të mbetet vetëm në Drenicë.
Pak kohë pas kthimit tonë nga Zvicra, kërsiti Gllogjani dhe tashmë u kuptua se lufta në Kosovë nuk kishte kthim mbrapa dhe se fitorja e sigurtë ishte në horizont..
Frikën se lufta nuk do të përfundojë ashtu si e prisja, e ndjeva tek kur u vra Bekim Berisha-Abeja dhe ministri Ahmet Krasniqi. 
Bisedimet e Rambujesë ishin zhgënjimi im i madh. Aty pashë se edhe kur lufta të përfundojë Kosova do të jetë larg shtetndërtimit se lidershipi kosovar nuk e ka ndërmend të pengojë tendencat sërbe për copëtimin e Kosovës.
 
Liria
 
Triumfin e luftës së Kosovës e shënoi në ekranin e CNN-it një personazh i panjohur për opinionin. Teksa tankset gjermane po futeshin në pikëkalimin e Morinit, një djalosh u shmang nga turma dhe u perpoq të thyente flamurin serb prej dritave te neonit. Bëri tri orvatje të pasuksesëshme dhe për herën e katërt hoqi bluzën nga trupi, lidhi nyje mangën e bluzës, futi një guri në të dhe e theu pllaken e neonit me ngjyrat e flamurit serb me tërë fuqinë që kishte. 
i ndodhur në një konferencë ndërkombëtare në Budapest, ku merrnin pjesë përfaqësues nga mbarë bota po e shikonim CNN-in. Në momentin kur djaloshi I rreckosur thyu flamurin serb prej neoni, gjithë përfaqësuesit sërbë e proserbë në atë konferencë ia shpërthyen vajit. Ishte gëzimi më I madh në jetën time. Mu kujtua gjyshi im që në ato momente ishte refugjat në Durrës dhe arsyetimi i tij kur unë kisha qenë në klasën e parë fillore se pse Kosova nuk ishte republikë. 
Gjatë luftës e pata vizituar gjyshin në Durrës dhe i pikëlluar nga vrasja e axhës tim më tha se si duket prap do ta humbim luftën. i thash po tani e gjithë bota po na ndihmon. Më tha: a është Inglizi (Anglia) me ne. i thash: Po. E atëherë e paskemi fitu luftën. 
Gjyshi i im e priti lirinë dhe kthimin në Kosovë po jo edhe pavarësinë e Kosovës.
 
Çmimi i gabimeve
 
Vendosa të kthehem në Mitrovicë dhe jo në Prishtinë sepse mendoja se proceset që do ta përcaktojnë fatin e Kosovës do të zhvillohen në Mitrovicë dhe jo në Prishtinë. Në fakt, proceset për fatin e Kosovës u zhvilluan edhe në Prishtinë por Mitrovica ishte përcaktuese. Prishtina mund të ndihmonte por e bëri të kundërtën.
Apelet e mia që që pavarësia e Kosovës nuk guxon të shpallet pa u integruar veriu i Kosovës, apelet se cfarë duhet të bëhet që të integrohet veriu i Kosovës, cfarë të bëhet para se të shpallet pavarësia e Kosovës etj etj shkuan në vesh të shurdhër.
Puna e shtetndërtimit u kompromitua aq shumë sa dikur fillova të dyshoj nëse vërtetë do të kemi përkrahjen e miqëve tanë për pavarësinë e Kosovës. Klasa politike e dëshmoi se nuk meritonte të konsiderohej klasë politike e një vendi të pavarur as edhe pas 8 viteve protektorat. Dhe tani cështja qëndronte krejtësisht në mëshirën e miqëve tanë. 
 
Shpallja e pavarësisë së Kosovës vs përseritja e historisë
 
Ardhja e Presidentit George W. Bush në Tiranë pikërisht me 10 Qershor (2007), ditën që duhej të konsiderohej ditë kombëtare e Kosovës për arsye historike (1878, 1999) ishte shumë domëthënëse për mua. Bushi ose do të na bënte përhair pavarësinë ose do të na e thoshte në një mënyrë apo tjetër se humbëm rastin historik. Si një i akuzuar që prêt verdiktin e gjykatësit se do të lirohet i pafajshëm apo do të dënohet me vdekje po e dëgjoja Presidentin Bush me stresin më të madh në jetën time. Bushi e tha fjalën magjike: “Enough is enough, Kosova will be independent”.  Kjo ishte dita e dytë më e lumtur në jetën time. 
Dita kur do të shpallej pavarësia tashmë vec ishte një datë e parëndësishme, një gjë që do të bëhej këtë muaj apo atë muaj por që do të ndodhte gjithësesi, më mirë thënë një gjë që tashmë vec kishte ndodhur de-fakto por që pritej formalizimi i saj.
Dhe shpallja formale e pavarësisë së Kosovës ndodhi. Ishte një manifestim që më ngjalli neveri. Ky manifestim shfaqi gjithë treguesit se akoma nuk ishim të gatshëm për të qenë të pavaruar. Ishte meritë e Amerikanëve që hutuan Beogradin për të reaguar pikërisht në atë mënyrë që I lëverdiste Kosovës. Përndryshe, Beogradi i kishte në dorë të gjitha mundësitë për të krijuar nga manifestimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një shfaqje komike. Më tepër se sa një akt shtetëror, manifestimi i shpalljes së pavarësisë ishte një “reality show” ku aktorët imitonin Vlorën e vitit 1912, Ismail Qemalin dhe delegatët e 28 Nëntorit 1912 sipas stilit të regjisorëve të kohës së Enver Hoxhës. 
Një ditë më mbas, Veriu i Kosovës që deri më atëherë kish qenë në kontroll të zbehtë të UNMIK-ut e Prishtinës ra plotësisht nën kontroll të Beogradit.
Ajo cfarë më 17.02.2008 dukej imitim në formë, me 18.02.2008 u bë përseritje e historisë së Shqipërisë. Republika e Kosovës lindi e gjymtë. Do të duhen përpjekje mbinjerëzore për të riparuar gjymtësinë e fituar që me lindje.
 
Tregimi i sërishëm i gjyshit
 
Sërish ndonjë nxënës kurreshtar i klasës së parë fillore do pyes mësuesen e vet për punën e republikave të Atdheut. Dhe nëse gjyshi I tij do të jetë njeri I urtë si gjyshi im, nuk  do të thotë atë cfarë më pat thënë gjyshi im se “shkjetë na kanë mundur në luftë e kanë bërë si kanë dashtë”, por do t’I thotë: “gjithë bota na ndihmoi që ta fitojmë luftën,  e fituam atë, por …..”.


(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora