E diele, 28.04.2024, 12:57 PM (GMT+1)

Speciale

Mehmetali Rexhepi: Relievit të rrëshqitshëm të lirisë

E premte, 29.01.2010, 10:56 PM


Relievit të rrëshqitshëm të lirisë

Selatin Novosella: Një kronikë dyzetëepesëvjeçare

Nga Mehmetali Rexhepi

Dymijë e dhjeta shembëlltyrës sonë i solli vitin e gjashtëdhjetëepestë, dhe, pashkëputshëm me këta gjashtëdhjetëvjeçarë e gjysmë edhe dyzetepesë vjetorin e mësyerjeve, bëmave atdhetare dhe intelektuale të Selatin Novosellës. Është pikërisht “Flaka e Janarit” që do të duhej të ftonte këso shembëlltyrash e, t’ua shpërpushte zjarrin atdhetar pranë vatrës, bijëve të rënë e të gjallë, atyre që e ndezën dhe mbajtën të pashuar flakën e amshuar të lirisë. Duke ndezur këtë flakë u dogj edhe njomësia e tyre, u dogjën shumë bartës, shumë marathonomakë në breza. Njëri nga ata që nuk u dogj, por u përcëllua është Selatin Novosella. 
Selatin Novosella pati bekimin e fatit të kombit të tij, që edhe kur ndiqej t’i shkonte pas, t’iu dilte para ngritjeve dhe t’i kapërcente humbellat e rënieve, t’i përmbushte ngecjet me ecje, tutje një caku të padukshëm, bashkë me frymëmarrjen të thithte e të nxjerrte besimin… Në atmosferën e mosbesimit të tharë, lypsej të mbillej fara e besimit, pikësëpari te vetja, pastaj të pasonte lavrimi dhe kultivimi, qoftë në vetën e parë, për t’iu bërë edhe dikuj model, model i vetjeve tjera, që ta shporrnin frikën dhe inferioritetin… Ndaj me një përmbajtje të tillë ishte një nga caqet e  shënjeshtrës së lëvizshme, i shënjestruar nga përbindëshi UDB, por njëkohësisht edhe shënjestrues…
Cilët dhe çfarë ngërthyen shembëlltyrat e modeleve të identifikuara, porositë jetike të vargut të personazheve, që i lanë në dorë Selatin Novosellës penën t’ua zbërthente të njohurat dhe të panjohurat e bëmave? Mjafton t’i shfletojmë dhjetë vëllimet e deritashme të këtij veprimtari dhe autori. Në këto vëllime parakalojnë mësyerjet e atyre që do të bëhen modele tipike, autentike të mjediseve tona, bëmat e drejtëpërdrejta e të tërthorta të atdhedashësve, dëshmitë e ngjizjes së lëvizjes atdhetare nëpër një klimë specifike, të imponimeve globale ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore, në trojet e prera shqiptare në Federatën e Sllavëve të Jugut, mbizotëruar nga serbët.

* * *     
Selatin Novosella si djalosh, si burrë të joshë dhe të tërheq me një qetësi magnetike, me një drejtëpeshim njerëzor barazpeshues.Kursin e tij të politikës kombëtare e ngriti pikërisht në burimin dhe rrjedhat e rritës së lumit të saj. Andaj, çfarë është vija politike që kultivoi ai? Po t’i qasemi shkrimit të tij, nuk lodhemi nga paqartësia e kundrimit të ngjarjeve dhe dukurive, nga thjeshtësia dhe sinqeriteti i shtruarjes së tyre, nga gjithëpërfshirja e gamës, pa  ndërlikime finesash stilistike. Ai spikatë nga afria e relievit të karaktereve shfaqjet e situatave të imponuara dhe, përballjen kundërvënëse a nënshtruese të akëcilit personazh, të përgjuar për tu kapur nga darët e shtetit e të pushtetit policor, tejet mizor, racist e paragjykues, që kishte sistemuar kurdisjet e komploteve mbi dhe për shqiptarët. 
Në ecejaket e mjedisit tonë, Selatin Novosella u përshkua nga veçoria e dinjitetit, që ia parashtroi këtij vokacionin jetësor të prirjes së dy roleve: si personazh që merr dhe jep guxim e besim, përkëdhelje e goditje dhe, përshkon, përshkruan, brumos vetje, ngre ngjarje dhe shkruan, njëkohësisht përjeton drithërimat e daljes a të mosdaljes faqebardhë në  ndeshjet e orkestruara… Në të gjitha këto ruan  frymën e mendjes dhe të qëllimit të paravënë… Përmbyllja e çdo kapitulli sjell bilancin… Humbja e një beteje nuk e ndal dot pikëmësyerjen. Kësisoj, po përtrollitej mundësia e arritjes dialektike të së pamundshmes. 
Për të mos ikur asnjëherë nga vokacioni për bërjen e atdheut dhe zhbërjen e pushtimit, ai medoemos kap format dhe mënyrat e një diskursi të vetëdijësimit. Ai vetëdijësim papërfillshëm, pashmangshëm  përmes flijimit,  do të shpiente drejtë forcimit të tipareve morale të heroit, që lidh pashkëputshëm hallkat konspirative dhe gjysmë të hapura të organizimit dhe, shkrimi mbetet dëshmi sprovash, dhimbjesh të heshtura, që nuk i kap dot pena. Në këtë lëndë shkrimore, aty - këtu shkëlqejnë pikat e lotëve të ngazëllimeve të shkurta, zjarrmitë e shuara, sakrificat që do t’i ngushëllojë përtrollitja e konceptit çlirimtar.
Autori, organizator demostratash dhe shkrimesh të publicistikës politike, historike e fejtonistike, Selatin Novosella nuk mëtoi përzgjedhje negative të karaktereve, por nuk iu shmang lypjes së fisnikërisë. Aty ku nuk e gjeti fisnikërinë, nuk e trilloi atë. Mungesën e saj te timonierët e shpifur të fronit, nuk e lustroi si stoli të mbuluar me petka politese vezulluese, por e përkufizoi si shëmti. Mendja e guximshme stolisej me fisnikëri, ndërsa mendja e frikshme ndolli ogurin e zi, luhatjen, copëzimin, shtresëzimin frenues, amullinë. Mendja e shikimeve largpamëse e harroi vetveten, e shkriu atë me të tjerët, u identifikua për t’iu dhënë të tjerëve që të përdorej, të konsumohej dendur. Këto personazhe të mendjes së thellë e të gjerë, do të jenë madhështia e atëhershme dhe e përtashmes, ndonëse tragjedia shkrepi pikësëpari mbi ta. Pse mendësia shqiptare harron t’i falet kësaj madhështie dhe ngre idhuj të rremë gjindshmërie?  
Figurat e mendjes së pastër akademike nuk i munguan qëndresës sonë, por, vallë si u mënjanuan? Ndodhi sindromi i përçarjes, ndodhi e ndodhshmja e mendjes me veshje kameleoni, e mendjes së kurdisur në mendësinë fisnore feudale, e sistemuar në pritjen e ardhjes së pritjes…
Kursi “i ndejtjes” dhe shtresimi për përshpejtimin e ritmit të lëvizjes, u vunë në pozita antitetike, në një dyluftim për marrjen e drejtimit të turmave… A mund të lihej turma, në ethet e mishit për top, pa trurin e saj?!
Mediet në duar të gojtarisë demagogjike paqësojnë shtresimin që rriste vrullin… Një filozofi tejet e shtrirë e shpëtimit me paqësim po paralizonte turmën, filozofia e mosgoditjes së dhunës me dhunë: poqese të godet polici në njërën faqe, ktheja edhe faqen tjetër! Kjo nuk i gjasonte rezistencës gandiste, ngase asnjë idhtarë i saj nuk ishte shtrirë para tankut serb. A ishte kjo ndonjë mënyrë qëndrese? Assesi. Ishte vetëm ironia e një fiksioni mendor, fiksion me funksion çmobilizues që shkapërderdhte përqëndrimin popullor.

* * *          
                                                      
Me gjithë goditjet që pësonte, Lëvizja Çlirimtare vijoi misionin e saj parësor: t’i pajtonte mendjet me ngjyrime të majta e të djathta. Veshja e modës ideologjike brendinë e kishte tërësisht etnike. Radhëve të saj futen vetëpohues e vetëmohues, ndonjëri, si Rexhep Mala, unikat i burgjeve të hapura e të mbyllura, karaktere të papërsëritshme, me shpirt tërësisht flijues, me tipare krejtësisht njerëzore, të madhërishëm deri në lartësinë e admirimit, por edhe përfitues e plangprishës i tërë atij niveli moral… Burra të paepur e meshkuj meskin. 
Në kronikën mbi dyzetëepesëvjeçare publicistike të Selatin Novosellës pleksen: dëshmia e drejtëpërdrejtë dhe dokumenti, argumenti dhe kujtesa historike, përshkrimi i gjallë i të ndodhurës dhe konteksti shoqëror, të vjelat e tërthorta dhe ndjeshmëria, mbresat e zbutura me fjalor figurativ, emocional, tiparet etike dhe estetike, si dhe doza të kronikës gazetareske.
Politika e hapësirës kombëtare që e lavroi me plugun e trupit, të mendjes së çiltër e të penës, për Selatin Novosellën ka vetëm një kryefjalë, një kryetemë dhe një kryepërmasë.- Vetëvendosje për shqiptarët në trevat e copëzuara të ish Jugosllavisë së AVNOJ-it.
Brenda e jashtë kësaj kryefjale, kryeteme e kryepërmase, do t’i vendosë  dhe rreshtojë për parakalim vargun e aktorëve, duke e vështruar akëcilin aktor, sipas tipit dhe tipologjisë përfaqësuese ,të atillë e të këtillë, që nga vitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet, gjithkëndej “kompromisit“ të pavarësisë.
Nëpër këtë reliev karakteresh ngjitet,bie,lakohet,tkurret,përbirohet ideja simbolike dhe jetike e dykrerëshit të këputur shqiptar : Kadri Halimi, Sami Peja, Anton Çetta, Mark Krasniqi, Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli, Metush Krasniqi, Ramiz Hoxha, Ali Hadri, Gazmend Zajmi, Adem Demaçi, Xheladin Deda, Ali Sokoli, Fazli Grajçeci, Gonxhe Bojaxhiu - Nëna Terezë, Nexhmije Pagarusha, Hyrije Hana, Kadri Kusari, Ismail Dumoshi, Isa Demaj, Haxhi Bajraktari, Osman Dumoshi, Xheladin Rekaliu,Hasan Dërmaku,Sami Dërmaku, Adil Pireva,Kadri Osmani, Enver Hadri, Shaban Shala, Skender Kastrati, Mehmet Murtezani - Gega, Fatmir Salihu, Rexhep Mala, Murat Mehmeti, Nuhi Berisha, Isa Kastrati, Tahir e Nebih Meha, Sabri e Selatin Novosella, Xhafer Shatri, Mehmet Hajrizi, Jakup Krasniqi, Ukshin Hoti,Zijah e Shaban Shemsiu,Sami Kurteshi,Hasan Ramadani,  Hydajet Hyseni, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Abdullah Prapashtica, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Rexhep Elmazi, Halil Alidemaj, Fazli Veliu, Zeqir Gërvalla, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Ekrem Kryeziu, Mehmet Kraja, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Azem Syla, Fehmi e Xhevë Lladroci, Mujë Krasniqi, Berat Luzha, Arbën Xhaferi, Don Lush Gjergji, Gani Krasniqi, Ali Ahmeti, Fahri e Bahri Fazliu, Ilir Konusheci, Afrim Zhitia, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Mehë Uka, Adem Shehu, Agim Ramadani, Sali Çeku, Shkëlzen, Luan, Ramush e Daut Haradinaj, Tahir Sinani, Ismet Jashari - Kumanova, Bekim Berisha - Abeja, Fadil Demaku, Bedri Ahmeti, Indrit Cara, Skerdilajd B. Llagami, Adrian Krasniqi, Fatmir Humolli, Rrustem Mustafa - Remi, Mujdin Aliu, Rahim Beqiri - Roki, Fadil Nimani, Agim Çeku, Fatmir Limaj, Skyfter Arifi, Albin Kurti, Hashim Thaqi, Ahmet Isufi… Dhe qindra - mijëra ish të burgosur politikë,dëshmorë e invalidë të luftës, donatorë me logjistikën anonime unikate të nënës e gruas shqiptare, që ende u sillen vërdallë hijet e pengjeve, dhe, malli që i kallë ,tymin pa ua parë…

Periudhën dyzetëepesëvjeçare, pos me kërkimin e pikëpjekjet e idhtarëve konspirativ, gjetjen e një intuite krijuese, Selatin Novosella e përmbushi që nga formimi i celulave, hartime të shkresave e shumëzime traktesh, statute, programe politike ,deri te Lëvizja Revolucionare për 
Bashkimin e Shqiptarëve të Kosovës, në të njëmijëenëntëqindegjashtë-
 dhjetëekatrën(1964).
Këto dokumenta u përfshin të shkruara në librin e parë: 
1. “Kosova, 64”, botuar nga “Renesansa”, Prishtinë, më 1994, 
Këtu përvijohet pranvera e vjeshtës së dimëruar të gjashtëdhjetëetetës, në vëllimin 
2. “Kosova 68”, Renesansa, Prishtinë, më 1993;
3. “Kosova, 75” 
Në këtë libër shtjellohet goditja hakmarrëse e organeve të Sigurimit Shtetëror për forën madhore të Gjashtëdhjetëetetës, kapjen e sërishme të Adem Demaçit me një dyzinë idhtarësh politikë, në procesin e montuar mizorisht, kur villej logjika më çnjerëzore e torturave, mbi viktimat e shtrënguar me darë të vdekjes që do ta lakmonte jeta si shpëtim.
Është emblematik pohimi i strumbullarit të këtij procesi monstruoz:
“Jam viktimë. Po pa viktima s’ka asgjë. Jam pajtuar me këtë rol. Në anën tjetër, jam krenar që më kanë zgjedhur pikërisht mua që mund t’u përballoj të gjithave. Digjem ashtu si qiriri - dhe u bëj dritë të tjerëve.” Pohonte Adem Demaçi.
4. “Kalaja nga brenda”, Koha, Prishtinë, 1997
Shtresimi pacifist tashmë antipod i lëvizjes aktive, diktoi frenueshëm mbi energjinë e akumuluar në dekada, por vijëzimi distancues shpallte herezi për gueriljen si “sajesë e Serbisë”!
5. “Demaçi, metaforë lirie”, Interpress, Prishtinë, 2006
Vëllimi shpërfaq nyjëtimet e bashkëkohësve për prijatarin, Sizifin e Tantalin, Prometheun e Marathonomakun shqiptar, frymëzuesin e brezave, simbolin e qëndresës, një madhështi kombëtare e pleksur në thjeshtësi dhe, thjeshtësia e zbërthyer në madhështi. 
“Gati 28 vjet i ka kaluar Adem Demaçi në burgje për ç’shkak e krahasojnë me liderin jugafrikan Nelson Mendelën. Ky krahasim nuk më pëlqen, sepse është i padrejtë për Adem Demaçin. Nelson Mandela, megjithëse nën trysninë e dënimit me vdekje, ka bërë burgjet e Afrikës Jugore e kjo, megjithatë, domethënë në burgjet e anglezëve dhe holandezëve. Adem Demaçi, ndërkaq, ka bërë burg Serbie - burg serb dhe bolshevik! Adem Demaçi e ka një përparësi të madhe mbi të tjerët: ai flet edhe kur heshtë. Numri 28 i skalitur në ballin e tij flet më shumë se të gjitha vjershat dhe të gjitha librat që të tjerët mund të shkruajnë dhe më shumë se të gjitha fjalimet që të tjerët mund të mbajnë - flet si turp i përjetshëm për gjyqësinë serbe dhe si mburrje për popullin liridashës shqiptar”. Rexhep Qosja
6. “Rexhep Mala - Anteu i Lëvizjes Ilegale”, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2007
Ky libër monografie ende i pa rrumbullakuar, evokon përuruesin e gueriljes urbane, akullthyesin e mitit të pathyeshëm dhe sinonimin e tmerrit për UDB-në, bartësin unikat të qëndresës mes sadistëve serbë! 
7. “Demostratat e Gjashtëdhjetëetetës”, (Monografi) 
     Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2008
8. “Demostratat e Gjashtëdhjetëetetës,” 2, (Dokumente), Prishtinë, 2008
9. “Demostratat e Gjashtëdhjetëetetës,” 3, (Portrete), Prishtinë, 2008
Në këtë vëllim, të tretin e radhës, autori nderoi figurat që denjësuan Gjashtëdhjetëetetën deri në lartësinë e një malbrezi… Gjashtëdhjetëeteta do të jetë përthyese periudhash, pararendësja e Kryengritjes Çlirimtare… 
10. “Këshilli i Emergjencës, Logjistikë e UÇK-së”
     Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2008

* * *
        
Kjo qasje mëtoi një rrumbullakim përgjithësues, për një jetë të dendur dhe dramatike të veprimtarit të pjekur në devotshmërinë kombëtare. Selatin Novosella në 65 vjetorin e jetës tij, vjen i këndellur për t’ia shënuar edhe 45 vitet e rreshtimit të ngjeshur në misionin e shenjtë të bërjes së kombit komb, shpëtimit nga zhbërja e projektuar kaherë, mbi një shekull e gjysmë… 
Llupa e studiuesit të ardhshëm, gjakftohtë, brenda këtyre kopertinave do t’i qëmtojë sinorët e përzier të argumentave me emocionet… Dhe emocionet e bartësit të këtij tipi të shkrimit mund t’i izolojë a neutralizojë, por le të vjelë çka të dojë, sepse ka lëndë të mjaftueshme edhe për sedrën e  shkencëtarit, edhe për mbresën e papërmbajtur të personazhit të identifikuar në malbreza të relievit kombëtar.  



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Hebrejt e Kosovës gjatë luftës së dytë botërore Qazim Namani: Kulla e Murat Tahirit në Popovë Fritz Radovani: 65 vjet ma parë... Qazim Namani: Hebrejtë në Kosovë mes dy luftrave botërore Qazim Namani & Behxhet Dibrani: Gjurmë të lashtësisë dhe toponimet në fshatin Gumnishtë të Shalës së Bajgorës Qazim Namani: Varrezat e hebrenjve në Kosovë Qazim Namani: Kontributi i hebrejëve në zhvillimin ekonomik, tregtar dhe kulturor Tomë Mrijaj: Kujtimet e mia për Imzot Dr. Zef Oroshin tek varri i nacionalistit të flaktë Gjeneral Abas Kupi Krist Gjinaj: Kur historia e flet të verteten! Eshref Ymeri: “Enciklopedia” e urrejtjes greke Qazim Namani: Hebrejtë në Kosovë gjatë pushtimit osman Sabile Keçmezi- Basha: Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare Qazim Namani: Prania e hebrejëve para pushtimit osman të Kosovës Sabile Keçmezi- Basha: Anëtarët e lëvizjes atdhetare në shënjestër të UDB-së gjatë viteve 1945-1952 Hajrush Idrizi: Bllaca nuk guxon të harrohet as nga popullata por as nga institucionet e shtetit Urim Gjata: Pse e vrau veten nacionalisti, prof. Safet Butka Qazim Namani: Migrimet e para hebreje në Gadishullin Ballkanik (I) Nuridin Ahmeti: Shqiptarët në jetën politike e shoqërore në Afrikë Sabile Keçmezi- Basha: Profesor Ymer Berisha dhe Organizata Politike Ilegale Patriotike Shqiptare ''Besa Kombëtare'' në Kosovë Kujtim Mateli: Shqipëria e jugut në shekujt XV-XVI dhe Mazhani me famë në histori

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora