Speciale
Sabile Keçmezi- Basha: Profesor Ymer Berisha dhe Organizata Politike Ilegale Patriotike Shqiptare ''Besa Kombëtare'' në Kosovë
E premte, 15.01.2010, 11:00 PM

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
sabile_basha@hotmail.com
Gjatë luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej duke u respektuar Deklarata e Moskës, Karta e Atlantikut, Deklarata e Teheranit dhe Letra e Titos e botuar në gazetën “Proleter” e shumë dokumente të tjera me rëndësi historike. Në Jugosllavin e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tersi territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë[1]. Që më vonë të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia.
Fill
pas Luftës së Dytë Botërore, në Kuvendin e Prizrenit ( 8-10 korrik 1945), Kosova
u shpall se “me dëshirën e vet popullsisë së saj, i bashkohej Serbisë Federale
në kuadër të Federatës Jugosllave”. Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë
të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të
strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e me vazhdimësi të
shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht
problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë
virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan[2].
E tërë kjo ndikoi që në Kosovë të formohen dhe të veprojnë shumë organizata
patriotike-politike shqiptare. Një ndër këto organizata që zhvilloi veprimtari
të dendur, që la gjurmë, e bëri jehon por që e tërë veprimtaria e saj ishte
afatshkurtër ishte organizata politike-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” e
udhëhequr nga patrioti dhe atdhetari i shquar profesor Ymer Berisha.
Organizata ilegale-patriotike
shqiptare “Besa Kombëtare”, që ishte e formuar kryekëput kundër ideologjisë
komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave shqiptare.
Sipas disa të dhënave që kam, thuhej se organizata u
formua në mars të vitit 1945, në fshatin
Llapçevë, në kuvendin e udhëheqësve të grupeve të armatosura të trekëndëshit
Klinë-Rahovec-Gjakovë. Kuvendi i Llapçevës pati një jehon të madhe, ku masat
patriotike shqiptare e argumentuan më së miri këtë me pjesëmarrjen e shumtë të
patriotëve në këtë takim, siç ishin: Ukë Sadiku, Ndue Përlleshi, Muharrem Bajraktari,
Alush Smajli etj. Përndryshe fillet e kësaj organizate sipas disa të dhënave i hasim edhe më herët, më 28 nëntor 1944.
atëherë kur prof. Ymer Berisha me disa nxënës të Normales “Sami bej Frashëri”
të Prishtinës organizojnë një mbledhje me fshatarët në Obri të Epërme. Në këtë
tubim të madh me fshatarët, jo vetëm që
u shënua dita historike e Flamurit dhe e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,
por u proklamua edhe formimi i
organizatës ilegale politike e ushtarake me emrin “Besa Kombëtare”, kryetar i
së cilës ishte zgjedhur prof. Ymer Berisha.[3]
Por, deri në mars të vitit 1945 shumë pak ose fare pak zhvilloi ndonjë
aktivitet në teren, ndërsa pas vitit 1945, në pjesën e dytë të vitit zhvillon
një aktivitet të dendur[4],
dhe luajti një rol të rëndësishëm në ilegalen shqiptare.
Në këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha
territoret shqiptare këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e
udhëhequr nga grupet e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori
e gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes
së Milladin Popoviqit ( 13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë që OZNA
haptas justifikoi terrorin dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Prijësit e
Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare të Frontit Nacional Shqiptar ,
të cilët i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në
grumbullimin dhe në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për
formimin e Ushtrisë Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët
synonin të bënin lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të shndërrohen
në një ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.
Prof. Ymer Berisha, edhe pse në kushte tejet të vështira,
zhvillonte një aktivitet të dendur në çdo pëllëmbë të Dukagjinit dhe në Kosovë
në tersi. Ai punonte me ngulm e vendosmëri që të bënte lidhjen e të gjithë
krerëve të rezistencës si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri. Këtij qëllimi ia
arriti me kontaktimin e Pashkë Bibë Mirakajt, i cili ishte njëri ndër
udhëheqësit më me ndikim në lëvizjen e rezistencës që zhvillohej në Shqipërinë
Veriore. Të njëjtat qëllime dhe dëshira për një unitet sa më të madh të
lëvizjes, i ushqente dhe i përkrahte edhe Pashkë Bibë Mirakaj, që ishte vëllai
i Kolë Bibë Mirakajt, i cili ishte ministër gjatë kohës së Italisë, dhe ndodhej
në mërgim në Itali. Që të dy, edhe prof. Ymer Berisha e edhe Pashkë Bibë
Mirakaj ishin të vetëdijshëm se pa një unitet të përbashkët të të gjithë ilegales
shqiptare nuk do të ketë Shqipëri Etnike. Në mars të vitit 1945, Pashkë Bibaj i
dërgon një letër profesorit, me të cilën kërkon të takohet me të. Korrieri duke
e dërguar letrën në rrugë e sipër bie në pritë, dy prej tyre vriten, por
megjithatë letra bie në duart e profesorit. Takimi ndërmjet tyre realizohet,
por me shumë vonesë ngase që pritej[5]
dhe çdo vonesë në takim ishte shumë e dëmshme për lëvizjen.
Pas takimit që pati prof. Ymer Berisha me Pashkë Bibën, më 20 korrik të vitit 1945, në fshatin Vogovë, afër Gjakovës, aktiviteti që u zhvillua më vonë nga anëtarët e lëvizjes ishte i pa mohueshëm. Pas kthimit nga takimi profesori u takua me mikun dhe shokun e idealit, Ukë Sadikun, që llogaritej se ishte njeriu më me ndikim në ilegalen kosovare. Po në këtë takim u morën vesh që ata të dy të përfaqësojnë grupet ilegale në tubimin, që u caktua të mbahet në shtator në vendin Mirëditë, në veri të Shqipërisë. Po aty u mor qëndrimi që të formojnë organizatën politike, respektivisht të riorganizojnë punën në organizatën ilegale-politike të NDSH-es. Pas kësaj mbledhjeje u dërguan korrierët, në çdo grup ilegal që t’i dërgojnë përfaqësuesit në takimin që do të mbahet në Dobërdol.
Kuvendi i Dobërdolit
Sipas vlerësimeve që vinin nga tereni, situata për
mbajtjen e Kuvendit të Dobërdolit ishte e volitshme. Në bisedë me Ukë Sadikun,
prof. Ymer Berisha takimin ndërmjet krerëve
të ilegales e kishte caktuar për muajin gusht të vitit 1945, në fshatin
Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales.
Në të merrnin pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe
përfaqësuesit prej Roxhaje dhe Pazarit të Ri gjithsejtë 158 veta[6].
Aty u takuan udhëheqësit siç ishin : Ukë
Sadiku, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli,Qazim
Bajraktari, Shaban Sadik- Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri ,
Adem Shala, Njazi Alishani, Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, Mulla
Ilazi, Biko Dresheviq ( i cili me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga
Sanxhaku ), dhe shumë të tjerë.
Përfaqësuesit nga rrethi i Vushtrrisë, Podujevës,
Mitrovicës, nuk merrnin pjesë për hir të situatës së vështirë, por profesori
ata i kishte njoftuar me kohë për detyrat dhe organizimin e punës së tubimit.
Përfaqësuesit nga Ferizaji, Gjilani,e Kaçaniku për arsyen objektive , e që
ishin objektive nuk kishin prezantuar në takim[7].
Kuvendi i Dobërdolit sipas dëshmive që kemi kishte zgjatur dy ditë. Gjatë tërë punës së
kuvendit, në kodër mbi Llugë afër Dardhës së Madhe siç e quanin vendasit, u
vendos flamuri me shqiponjën dykrenore dhjetë metra i gjatë, që e ruante roja e
nderit Alush Smajli i Llazicës.
Në mënyrë solemne Kuvendin e hapi Ukë Sadiku. Ai i
përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi prof. Ymer Berishën si iniciator ideor
të lëvizjes dhe krijues i organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për
situatën politike foli vetë profesori. Ai tha para të pranishmëve se “Situata
politike është shumë e rëndë dhe me ndihmën e aleatëve priten ndryshime të
mëdha, por theksoi se , ne duhet të jemi të gatshëm që në momentin e duhur të
marrim pushtetin”. U kërkua që edhe në terren të bëjmë mobilizimin e duhur të
masave, dhe të jenë të gatshëm për aksione konkrete. Kuvendi i Dobërdoli zgjati
dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte
Marie Shllaku, shkodrane. Gjatë tërë kohës tubimi ishte i siguruar shumë mirë,
sepse e ruanin luftëtarë të spikatur, njëherit edhe tërë fshati bënte roje, por
dalloheshin Smajl Hajdari, Halil Sadria, Zef Përlleshi, Martin Pjetri dhe
luftëtar të tjerë të Ukë Sadikut dhe Ndue Përlleshit[8].
Kuvendi pasi zgjodhi udhëheqësit ushtarak, mori vendim që të sulmohen njësitë e
“UNÇ” në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, ku ishin inkorporuar forcat çetnike
pas rehabilitimit të tyre. Kjo luftë ishte një goditje e rëndë për armikun. Në
këtë kuvend u mor edhe qëndrimi që të formohet organizata politiko-ushtarake,
patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, e cila do të udhëhiqet nga kryesia e
përbërë prej 12 vetave. Supozohet se në
Drenicë ishte hera e dytë që formohej kjo organizatë, por me pak ndryshime,
ngase atëherë quhej organizata e rinisë “Besa Kombëtare”[9],
dhe ishte e zyrtarizuar, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri.
Kuvendi zgjodhi
Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berisha u
caktua udhëheqës i sektorit politik. Të dy këta ishin anëtarë të rrethit të
ngushtë të Shtabit Udhëheqës të organizatës.
Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale
patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte edhe një garanci se grupet do të
aktivizohen dhe do të veprojnë edhe më tepër në teren sipas direktivave të
udhëheqësish qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e
sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos
udhëheqësve ushtarak edhe udhëheqësit politikë. Meqenëse Kosova dhe Dukagjini u
ndan në 12 sektorë dhe u emëruan 12
komandantë dhe po aq komisarë politikë për të pasur autoritet edhe më të madh
në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt
“12 këshilltarët”[10].
Pas kryerjes së kuvendit, grupet u larguan njëra pas tjetrës, pa pasur as më të
voglin problem. Të gjithë delegatët u shpërndan me përshtypjet më të mira, posaçërisht
ndjenin një simpati dhe një besim të madh ndaj profesor Ymer Berishës.
Për pjesëmarrjen në Kuvendin e Dobërdolit, për strehimin e kaçakëve dhe për përkrahjen e lëvizjes për çlirimin kombëtar dhe për një Shqipëri etnike, udhëheqësit e këtij kuvendi si dhe shumë veprimtar të kësaj ane u dënuan me burg shumëvjeçar. Iu plaçkitën dhe iu dogjën shtëpitë, u maltretuan familjet dhe bënë akte genocidale ndaj tyre. Represion shtazarakë përjetoi sidomos familja e Dan Pjetrit, në pronën e të cilit u mbajt Kuvendi. Po në këtë familje ishte e strehuar 6 muaj edhe Marie Shllaku.
Organizimi i organizatës
Organizata
politike-patriotike “Besa Kombëtare” gjatë veprimtarisë së vet arriti të ketë
një strukturë organizative, që i përshtatej kushteve dhe rrethanave në të cilat
vepronte. Përveç Shtabit Udhëheqës që ishte i përbërë prej 12 vetash, në
kuadrin e saj në mënyrë aktive vepronin edhe katër grupe:
1. Roja besnike,
që ishte një grup pranë Shtabit që kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurimin e
Shtabit të Organizatës me një besnikëri fanatike.
2. Urdhërdhënësit,
ata vepronin në kuadrin e shtabit dhe merreshin kryesisht me sjelljen dhe
përcjelljen e porosive, kryesisht vepronin për shtabin.
3. Atentatorët,
ishin grup në të cilën përfshiheshin personat specialë që ishin caktuar nga
vetë shtabi për të kryer ndonjë atentat në njerëz të caktuar të pushtetit apo
në ndonjë tradhtar të popullit që shtabi e shihte si të nevojshëm për likuidim.
Dhe grupi i fundit që vepronte në gjirin e organizatës ishte edhe
4. Dora pastruese
ose dorë-vrasësit, që kishin për detyrë të bëjnë likuidimin e personave,
kryesisht tradhtarëve, në mesin e të cilëve ishin bashkëpunëtorët e OZN-es. Ata
përcillnin tradhtarët dhe personat që bashkëpunonin me okupuesin, i dorëzonin
në shtab dhe sipas vendimit të shtabit i likuidonin.[11]
Qëndrimi ishte që këto grupe të vepronin
edhe në shtabet e sektorëve, që ishin të përfshirë në 16 rrethe.
Shkurtimisht do të jap prezantimin e udhëheqësve politikë
e ushtarak në rrethet e Kosovës.
Rrethi udhëheqësi
politikë udhëheqësi ushtarak
1. Prizren Nijazi Alishani Ali Riza, kapiten
2. Gjakova Mehmet
agë Rashkoci Demë Ali Pozhari
3. Rahoveci Alush
Ismaili Qazim Bajraktari
4. Peja Zef
Gjin Deda Ndue Përlleshi
5. Rugovë
Islam Tabaku Zhukë
Haxhia
6. Istog
Azem Shala
Feriz Bojaj
7. Drenicë
Mulla Ilazi
Sadik Lutani
8. Suharekë Sali
Rama Mehmet Sherifi
9. Sanxhak Sadik
Radovci Bik Dreshoviqi
10. Prishtinë
Ismail Gorani
Luan Gashi
11. Mitrovicë Ahmet Selaci
12. Vushtrri Ahmet Selaci
13. Podujevë Ahmet Selaci
14. Ferizaj Adem Gllavica
15. Gjilan Adem Gllavica
16. Kaçanik Adem Gllavica.
Sipas
të dhënave vërehet se gjashtë rrethet e fundit, në kuvend ku u bë përcaktimi i
përfaqësuesve, rrethi i Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës, Ferizajt, Gjilanit
dhe Kaçanikut nuk i kishin delegatët e vet, andaj caktimi i përfaqësuesve të
tyre u bë nga rrethet tjera që ishin prezent.
Vlen të cekët se puna që bëhej për këtë organizatë dhe në
këtë organizatë ishte tepër konspirative dhe çdo veprim ishte i matur. Për tërë
punën që bëhej në terren organet e OZN-es nuk kishin njohuri, ndonëse vijimisht
gjurmonin grupe të shumta dhe kishin një numër të madh spiunësh në terren, që i
kishin angazhuar për zbulimin e tyre. Edhe pse në disa shkrime thuhej se në
grupin e Ukë Sadikut, UDB-eja kishte njeriun e vet, ai disi ishte filtruar në
grup, por prapëseprapë personi spiun nuk
kishte guxim ti lajmohej qendrës. Kemi të dhëna se edhe pasi se ishte kryer
tubimi, OZNA kishte mbledhur informatat për grupet ilegale, kahet e shkuarjes
së tyre, njerëzit më aktiv etj.
Më 9 shtator 1945, organet e OZN-es në bashkëpunim me ushtrinë sulmojnë pjesën më
kryesore të organizatës, në fshatin Jashanicë, prej nga sulmi bartet në Siçevë
dhe në Drenicë. Në këto përleshje u vranë 28 ilegal, në mesin e tyre humbi
jetën edhe vëllai i patriotit të njohur- Ukë Sadikut, Shaban Sadiku, dhe Adem
Shala. U plagosën 4 veta nga grupi, ndërsa nga Brigada e Bokelit u vranë 14 veta.
Kuvendi i Mirëditës ishte caktuar që të mbahet në shtator, por për shkak të sulmeve që i bënë organet e OZN-es dhe brigadat e UNÇ_së, ata qenë të detyruar që takimi i Mirditës të mbahet pa prezencën e kosovarëve. Pas takimit të Mirëditës , prof. Ymer Berisha mori letër nga Muharrem Bajraktari, ku njoftohej për punën e Kuvendit dhe nga ai kërkonte që së bashku me Ukë Sadikun të takohen në Shqipëri për detajizime të punëve e detyrave që dolën nga aty. Kryetari i organizatës “Besa Kombëtare”, prof. Ymer Berisha, Ukë Sadiku në përcjellje të 12 luftëtarëve u nisën për në Shqipëri në takim me Muharrem Bajraktarin. Me ta shkuan edhe Qazim Bajraktari, Mehmet Aga, Demë Alia dhe Ndue Përlleshi. Megjithatë takimi nuk u bë[12] për shkak të një mosmarrëveshjeje të vogël për vendin e takimit.
Komitetet e “Besës Kombëtare” në
terren
Po në këtë qytet u formua edhe komiteti i rinisë i “Besës
Kombëtare”, që e përbënin dy mësues, Skender Rizaj dhe Engjëll Berisha dhe
nxënësit e gjimnazit si :Osman Basha, Shefqet Kelmendi, Kamber Pajaziti, dhe
Ramiz Kelmendi.
Komiteti i rrethit të Pejës së bashku me, Komitetin e
Rinisë së Pejës zhvillonin një bashkëpunim të ndërsjellë, dhe çdo aktivitet që
zhvillohej, bëhej në mënyrë të koordinuar.
Detyrat, që kishin prioritet, ishte ajo që sa më shumë të
rinj të përfshihen në radhët e organizatës. Lirisht mund të thuhet se kjo ishte
edhe një detyrë e përgjithshme që vlente për tërë organizatën. Të vinin sa më
tepër kontakte me masat e gjëra, dhe sa më shumë ti brumosnin me ndjenjën
patriotike ndaj atdheut, dhe të nxisnin urrejtjen ndaj okupatorit.
Me këto dy komitete lidhje të ngushta kishte edhe Kolë
Parubi, ku më vonë me kontaktet e shpeshta që kishte me Bernard Llupin dhe me
Marsel Vuçajn nxorën përfundimin se ishte më se e nevojshme të formonin
Komitetin e Ri Qendror, dhe pas një kohe, e tërë kjo u bë realitet. Përveç tre
të lartpërmendurve në komitetin e ri Qendror u caktua edhe Hajdar Planeja-
Maloku[13],
i cili u caktua për kryetar të komitetit, për anëtar u caktua Enver Sudi,
maturant nga Prishtina dhe Gjergj Bahtiri mësues nga Shkodra. Hajdar Planeja
qysh si i ri ik nga vendlindja ( Planejë, Gjonaj, Has), shkon në Shqipëri. Atje
mbaron shkollën e mesme dhe me bursën e Shtetit Shqiptar, studion dhe e mbaron Akademinë
Ushtarake në Itali. Pasi shërbeu një kohë si oficer në Shqipëri, në vitin 1941
u kthye në Kosovë dhe shërbeu si ushtarak- toger në Gostivar, kapiten në
Gjakovë dhe njëkohësisht bashkëpunoi
edhe me forcat antifashiste[14].
Më 1944, iu bashkëngjitë lëvizjes ilegale shqiptare, ku më 1946 u likuidua nga
okupatori sllav. Enver Sudi gjatë tërë kohës ishte mik i ngushtë i Haki Tahës
dhe mbante lidhje të vazhdueshme me të.
Si detyrë tjetër me prioritet e Komitetit të Ri Qendror ishte
fillimi i menjëhershëm i përgatitjeve për luftë të armatosur kundër okupuesit,
dhe të punohet sa më shumë në drejtimin e bashkimit të trojeve shqiptare. Për
tërë këtë edhe komiteti kishte për qëllim formimin e komiteteve të reja në
terren, si ato të rretheve pa ashtu edhe ato komunale. U mor qëndrimi që sa më
shpejt të aktivizohen sektorët si ai i financave, i propagandës dhe ai i
agjitacionit. Të bëhet grumbullimi i armëve si dhe materiali sanitar. U kërkua
që shërbimi i informimit të jetë shumë më aktiv.
Në nismë Komiteti Qendror ishte shumë aktiv, por me
largimin e Hajdar Planejës, aktiviteti u pakësua. Anëtarët e tjerë filluan të
bëhen më të kujdesshëm, meqenëse ata ishin vazhdimisht të përcjellë nga organet
e OZN-es, andaj një aktivitet i pakësuar ishte i natyrshëm dhe një kujdes më i
madh ishte më se i nevojshëm. Edhe pse në krahasim me aktivitetin e mëhershëm
të Komitetit të Ri Qendror vërehej ngecja. Komiteti i ri aktivitetin e vet e
orientoi në formimin e komiteteve të reja të rretheve dhe të komiteteve komunale, që ishte njëra
ndër detyrat parësore të saj. Në ndërkohë u formuan komitetet e rretheve në
Gjakovë, në Prizren, në Istog, në Drenicë. Në Pejë ishte i formuar komiteti më
herët. Komitetet e komunave u formuan në
Kievë të Rahovecit, në Has të Prizrenit, në Ponoshec, në rrethin e Gjakovës, në
Polac, në Glanasellë në rrethin e Drenicës, në Klinën e Poshtme dhe të Epërme
dhe në Runik.
Të gjitha komitetet kryenin detyrat që iu kishte caktuar
komiteti Qendror. Por, një aktivitet më të dendur e zhvillonte komiteti i
rrethit të Gjakovës. Ky rreth me punën e vet formoi edhe dy komitete rajonale.
Kryetar i komitetit të rrethit të Gjakovës ishte drejtori i shkollës Sylejman
Lleshi, anëtarë ishin: Zef Mekaj, profesor nga Shkodra, Skender Curri dhe
Mavrush Nura profesor nga Gjakova, Dula Hilmiu e Murteza Kryeziu mësues, Nusret
Zeka nga Shqipëria. Gati shumica e anëtarëve të këtij komiteti më parë i
takonin partisë së juristëve të Sylejman Rizës nga Gjakova [15].
Me një unitet të madh të gjithë këta anëtarë ia dolën të zhvillojnë një
aktivitet dhe të kryejnë punë shumë të frytshme në organizimin e organizatës.
Në komitetin e rrethit të Drenicës dhe të Skenderajt,
shfaqej një dukuri, e cila duhet të ceket, se në të dy komitetet, udhëheqësja e
tyre ishte e angazhuar në organet e pushtetit të ri jugosllav, por në
organizatën patriotike ilegale shqiptare “Besa Kombëtare”, që të gjithë ishin
aktivist të dalluar. Kryetari i komitetit të rrethit Hilmi Zariqi, në të njëjtën kohë ishte edhe
kryetar i Këshillit Popullor Krahinor dhe deputet i Kuvendit Popullor të
Serbisë, përndryshe me profesion ishte tregtar i suksesshëm. Anëtarë të
komitetit ishin edhe Ilaz Cungu, sekretar i komitetit të rrethit të PKJ-së,
Hysen Thaqi, shef i sektorit për punë të brendshme të këshillit popullor të
rrethit. Avdullah Rexhepi nga Vërbovci, nëpunës dhe Ibrahim Spahiu nxënës me
gjimnaz të mbaruar nga fshati Broçne[16].
Duke pasur parasysh përbërjen e anëtarëve të komitetit të
rrethit të organizatës “Besa Kombëtare”, në rrethin e Drenicës, del e dhëna se
të gjithë anëtarët e saj ishin në të vyejtën kohë edhe anëtarë të PKJ-së, dhe
në funksione të ndryshme të pushtetit.
Ata në këtë mënyrë luajtën një rol të
madh dhe patën një ndikim të pamohueshëm me plot sakrifica, ata ndikuan që
Qazim Sabiti, që ishte nëpunës i organeve të OZN-ës në Skenderaj, që të lajmërojë
organizatën për çdo aktivitet të mundshëm të organeve të pushtetit. Falë
aktivitetit të Qazim Sabitit, të gjithë anëtarët e organizatës ilegale
zhvillonin aktivitet pa fijen e drojës se do të zbulohen nga UDB-ashët. Ata
lëviznin të lirë në terren, takoheshin ndërmjet veti në pikë të ditës. Me
informata që sillte nga OZN-a, sektorit për informim i mundësoi që të depërtojë
në sekretet më të thella të OZN-es. Në këtë mënyrë u zbuluan të gjithë
bashkëpunëtorët e UDB-es. Bëhej me kohë njoftimi i pritave të shumta, që i
venin organet e pushtetit si dhe bëhej me kohë njoftimi i çdo lëvizjeje që
bënin njësitet ushtarake në terren. Qazim Sabiti me punën dhe aktivitetin e vet
të dendur që bëri për organizatën ilegale ndikoi që organizata të ketë një jetë
më të gjatë në rrethin e Drenicës. Bile, falë syçeltsisë së Qazimit shpëtoi nga
zënia e sigurt nga organet e OZN-ës Muharrem Bajraktari. Aso kohe Koloneli
Muharrem Bajraktari, vepronte e jetonte në Shqipërinë Veriore, në rrethin e
Lumës. Organet e Sigurimit i kishin rënë në gjurmë, dhe plani u përpunua deri
në detaje për zënien e tij. Në grupin e nxënies ishte caktuar edhe Qazim Sabiti,
ndonëse ishte caktuar edhe një grup tjetër për të shkuar në takim me te. Qazimi
s’iu atdhetar që ishte, çdo gjë po përcillte me kujdes, dhe çdo gjë zbuloi me
kohë. Informata e Qazimit në momentin e pikërishem ishte më e shpejt se veprimi
i UDB-ashëve. Ata në rrugë e sipër për në takim me Muharrem Bajraktarin, u
sulmuan nga forcat patriotike, dhe Muharrem Bajraktari i shpëtoi zënies së
sigurt nga UDB-eja.
Komitetet përveç formimit të tyre në Dukagjin, e në Drenicë, ato u formuan edhe në Kosovë. Në Prishtinë vepronte komiteti i rrethit, por pas një pune të frytshme, ata u zbuluan dhe u likuiduan.
Bashkëpunimi
i OPISH “Besa Kombëtare” dhe ONDSH-së
Me urdhrin e tij, Prof. Ymer Berisha erdhi në Kosovë si profesor i Gjimnazit “Sami Frashëri”. Qëllimi ishte që të përhapë sa më shumë idetë atdhetare për bashkimin e tokave shqiptare. Po ashtu prof. Ymer Berisha llogaritet si themelues edhe i organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Qëllimi i tërë kësaj ishte siç thoshte profesori, nëpër mes organizatave po bëhet masivizimi më i madh i shqiptarëve në frontet e rezistencës. “ONDSH-ja” ka qenë organizatë e formuar në prapavijë, ku edhe zhvillonte aktivitetin e saj. “Besa Kombëtare” kryesisht mbështetej në grupet e ilegales, dhe me ta bashkëpunonte ngushtë, edhe pse edhe kjo veprimtarinë e vet e mbështeste në formimin e komiteteve në prapavijë. Hasim , edhe këtë, ndërmjet këtyre dy organizatave që anëtarët e tyre të mbajnë mbledhje të përbashkëta, zgjidheshin në vende udhëheqëse në të dy organizatat. Rasti i Kongresit të Pestë të NDSH-es, ku si udhëheqës i saj u zgjodh prof. Ymer Berisha. Organizata “Besa Kombëtare”, vepronte kryesisht në territoret e Dukagjinit dhe përfshinte një pjesë të Kosovës. ONDSH-ja përfshinte një territor sa më të gjerë të Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore. Thënë me një fjalë dallimi ndërmjet këtyre dy organizatave nuk ka ekzistuar, veç se në emërtime të ndryshme. Andaj nuk ka qenë fare me rëndësi se cilës organizatë i ke takuar, veçse ku ke vepruar dhe se sa ke vepruar.
Dënimet drakonike ndaj të burgosurve politik
Pas zbulimeve të shumta që u bënë
ndaj anëtarëve të organizatave ilegale në Kosovë e në viset tjera të banuara me
shqiptarët në Jugosllavi, pasonin proceset e gjata gjyqësore dhe dënimet fort
të mëdha e drakonike që u shqiptonin anëtarëve të tyre. Ndërsa për dhunën e
torturat që u përdorën ndaj tyre në lokalet e hetuesisë, do të jetë një histori
e veçantë.
Fillimi i vitit 1946, në Kosovë fillon
me një valë të paparë ndjekjesh e arrestimesh. Hijet e zeza të UDB-ës e OZN-ës,
shpërndahen dhe trokasin shtëpi me shtëpi, zënë pritat. Fillojnë reprezaljet që
do të mbetën kujtimi më i hidhur në histori. Kosova jetonte natën e shën
Bartollomeut pas së cilës do të lindin shumë procese gjyqësore historike,
dëshmi e dhembshme e kohës nën robërinë Jugosllave.
Qershori i vitit 1946, mezi që
kishte ecur një vit i “Çlirimit” nga fashizmi. Në Prizrenin legjendar
përgatitej kontingjenti prej 27 vetave për të dalë në bankën e të
akuzuarve dhe në emër të popullit, në të
ashtuquajturin “gjyqin e popullit” të marrin dënimin. E duhet theksuar se pas
këtij kontingjenti, që kryesisht
përbëhej prej nxënësve e intelektualëve,
ku më vonë do të pasohet nga dhjetëra e qindra të tjerë, po ashtu shqiptar të shkolluar, e liridashës, që grupe-grupe do
t’i nënshtrohen “vëllazërim-bashkimit” jugosllav.
Procesi më i madh gjyqësor, dhe që
zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa dyshim është “Procesi i At
Bernard Llupit”, Kolë Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të
tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të prof. Ymer Berishës.
Marie Shllaku ishte bashkëpunëtore e
ngushtë e profesorit, me të doli në male, dhe kur u formua organizata
patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, në Kuvendin e Dobërdolit ajo mbajti
procesverbalin në tubim.
Procesi i lartpërmendur filloi me 29
qershor 1946 dhe përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që dot thotë se
zgjati gjithsej 13 ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror
publik i këtij procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte
Ali Shukriu. Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin
kryetari i trupit gjykues- Dragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla
dhe Selajdin Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të
akuzuarve ishin Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh
Golluboviq me të vetmin avokat edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu,
Vlladimir Znamenski nga Gjakova.
Me 29 qershor, Prizreni i bukur
kishte ditë zie. Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27
të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin vetëm pse kishin dashur vendin e tyre,
lirinë dhe një Shqipëri Etnike. Në një pyetje të një hetuesi drejtuar Marie
Shllakut, se qe sa kohë ke filluar të merresh me politikë, ajo iu kishte
përgjigjur “Po, që herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet
politikë dashuria e ime për atdheun, përpjekja ime qysh se di për vete për një
Shqipëri Etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe
Çamërinë”[19]
dhe ja pse u dënua me vdekje Marie Shllaku- Zhanë D’Arka shqiptare.
Para trupit të lartpërmendur gjykues
u dënuan 27 veta:
1. Marie M.
Shllaku, studente,(1922), Shkodër,13.07.1946. LP. neni3/1-2/2-4/2. (me pushkatim)
2. Bernard
Filip Llupi, frat, (1886), Shkodër, 13. 07. 1946. LP. neni 3/ 7-11. (me pushkatim)
3. Kolë
Tomë Parubi,profesor,(1905), Shkodër, 13.07.1946. LP. neni 3/1,2/1,4/1. (me
pushkatim)
4. Gjergj
M. Martini, mësues,(1917),Shkodër,13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.(me
pushkatim)
5. Marcel
L. Vuçaj, nëpunës, (1923), Prizren, 13.07.1946. LP. neni 3/ 1- 2/ 1- 4/1. (2 vjet burg)
6. Isa
Nexhat Çavolli, profesor,(1913), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. (12 vjet burg)
7. Masar
Hivzi Begolli, profesor, ( 1918 ), Pejë, 13. 07. 1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. (lirohet )
8. Hamzë
Niman Begolli, mësues, (1916), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. ( lirohet )
9. Muhamet
I.Vokshi, nxënës, ( 1928 ), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/ 1- 2/ 1- 4/1. (5 vjet burg )
10. Jusuf
Haxhiymeri, nxënës ( 1927 ), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. ( 1 vit burg )
11. Viktor
Mark Gashi, nxënës, (1929), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1-4/1. ( 1 vit burg )
12. Frano
Zef Çifllaku, nxënës (1928 ), Pejë,
13.07.1946. LP. neni 3/ 1,2/ 1,4/
1. ( 5 vjet burg)
13. Jak
Selë Krasniqi, nëpunës (1922), Ferizaj, 13.07.1946. LP. neni 3/ 1,2/
1,4/1. ( 5 vjet burg)
14. Osman
Bajram Basha, nxënës, (1931), Pejë,13.07.1946. LP. neni 3/1,2/1,4/1. (1 vit burg)
15. Skender
Eshref Rizaj, nxënës, (1929 ), Pejë,13.07.1946. LP. neni 3/1,2/1,4/1. (1 vit burg)
16. Engjëll
Fran Berisha, nxënës, (1929), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. (1 vit burg)
17. Shefqet
Rr.Kelmendi, nxënës,(1910), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. (1 vit burg)
18. Ramiz
J. Kelmendi, nxënës,(1930), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 1/1. (1 vit burg )
19. Kamber
O. Pajaziti, nxënës, (1929), Pejë, 13,07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. (1 vit burg )
20. Sebë T.
Mateja, nxënës, (1924), Prizren, 13.97.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. (5 vjet burg )
21. Jak
Tadej Shahini, mësues ( 1919 ), Gjinovc, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. ( lirohet )
22. Gita
Mjeda, punëtore (1928 ), Prizren, 13.
07. 1946. LP. neni 3/1-2/1- 4/1. ( lirohet )
23. Lucija
Gj. Lekaj, shtëpiake, (1923), Shkup, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1. ( lirohet )
24. Sebë
Petër Koliqi, furrtar, (1914), Prizren, 13. 07. 1946. LP. neni 11. (5 vjet burg)
25. Myftar
B. Bala, bujk, ( 1914 ), Debërdolan, 13. 07. 1946. LP. neni 3/7 , 11. (12 vjet burg)
26. Binak
Dema, ( 1871 ), Glloxhan, 13. 07. 1946.
LP. neni 11. ( 1 vit burg )
27. Gjergj
Deda, bujk ( 1918 ), Dobërdolan, ( Rahovec), 13. 07. 1946. LP. neni 1 ( 2
vjet burg )
Me 24
nëntor, në qytetin e Prizrenit, herët në mëngjes u pushkatuan katër martirët e
kombit: Marie Shllaku, At Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini.
Procesi gjyqësor i 27 vetave ose “Procesi i At Bernard Llupit” nuk ishte as i
pari e as i fundit për shqiptarët e Kosovës. Sikurse edhe në proceset e më
parme kundër shqiptarëve dominonte mosha e re, dhe të gjithë ishin
intelektualë,me shkolla të mesme dhe fakultete të mbaruara, kryesisht në perëndim.
Vrasja e
prof. Ymer Berishës
Profesor Ymer Berisha u lind më 1912 në Gjurgjevik të
Madh, fshat afër Klinës. Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit, shkollën
Normale e kreu në Elbasan. Fakultetin e Shkencave Natyrore, dega e Historisë-
Gjeografisë dhe Akademinë Ushtarake e kreu në Romë- Itali. Pas, kryerjes së
fakultetit, u kthye në Shqipëri, dhe punoi si mësues në shumë fshatra të
Shqipërisë Veriore. Më 1939, kur Italia e okupoi Shqipërinë, ai së bashku me xhaxhanë
e vet Sejdi Berishën, kaloi në Kosovë. Më vonë, në Prishtinë filloi të punojë
si profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” (1941-1944). Pas pushtimit të Kosovës
më 1944 u arratis në malet e Drenicës dhe nga aty organizoi rezistencën e
armatosur kundër pushtuesve të rinj[20].
Prof. Ymer Berisha konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës
politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare të Kosovës dhe
bashkimin e saj me Shqipërinë. Gjatë tërë jetës së vet ishte luftëtar i denjë
kundër fashizmit e komunizmit (të kësaj ideologjie sllave).
Ai luftonte për
Kosovës dhe për të gjitha trojet shqiptare, që ishin të copëtuara padrejtësisht
nga shovinistët fqinjë dhe fuqitë e mëdha. Rrezikun kryesor e shihte tek
shovinizmi serbomadh, që mbante Kosovën dhe aspiratat e saja nuk përfundonin me
aq. Të njëjtin rrezik e shihte edhe në jugun e Shqipërisë, nga shovinistët
grekë. Profesor Ymer Berisha njihte vetëm një ideologji, ajo ishte ideologjia
kombëtare shqiptare, idealet e së cilës gjetën mishërimin e vet në Mbledhjen e
Mukes dhe në vendimet historike të Bujanit.
Mendohet se iniciator dhe themelues i ONDSH-së ishte vet
ai, po më 1945, në Kuvendin e Dobërdolit formoi edhe organizatën tjetër ilegale
“Besa Kombëtare”. Në emër të kësaj organizate “Nga malet e lira të Dardanisë” i
shkruan shefit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjeneralit Hadson,
një letër me të cilën e njoftonte për terrorin sllavo-komunist mbi popullsinë
shqiptare në Kosovë, dhe duke kërkuar ndihmë e përkrahje nga aleatët
anglo-amerikanë. Si patriot që ishte, Ymer Berisha, do të angazhohet
drejtpërdrejt në proceset e Kosovës, duke mbajtur kontakte me masën e gjerë
shqiptare. Profesori i Gjurgjevikut, në vjeshtën e vitit 1944 do të vijë në
Drenicë dhe do të bisedojë me Shaban Polluzhën, Sadik Zenelin, Jusuf Gradicën
Rexhep Vojvodën dhe me shumë njerëz të
tjerë autoritarë të kësaj ane e të Artakollit për fatin e Kosovës. Në Drenicë, me
28 nëntor do të mbajë një tubim me fshatarët e kësaj ane dhe aty do të thotë “
Nuk ka besë më me serbë, prandaj duhet të organizohemi dhe të luftojmë deri në
bashkimin kombëtar”[21].
Si intelektual i formuar që ishte, ai ishte njohës i mirë i rrethanave politike
dhe qysh atëherë kishte shprehur dyshimin rreth realizimit të vendimeve të
konferencës së Bujanit. Duke i njohur mirë këto rrethana, ai bënte përpjekje të
vazhdueshme që shqiptarët në Drenicë, në Llapushë dhe në disa pjesë të
Dukagjinit t’i bind për t’iu kundërvënë politikës okupuese me të gjitha forcat,
madje së fundi edhe me kryengritje të armatosur.
Me fillimin e kryengritjes në Drenicë, Ymer Berisha do të
thoshte se suksesi i saj do të varet nga zgjerimi i saj në të gjitha anët e
Kosovës. Në Drenicë do të sjell armë dhe si deklaron Hajriz Domaneku, në Obri
kishte sjellë disa automatikë me të cilët luftuan deri sa u shua rezistenca e
Drenicës.[22]
Pasi shuhet lufta e Drenicës, profesori prej këtu kaloi në ilegalitet dhe kaloi
në anën e Prizrenit, Podrimes dhe Rahovecit. Më vonë angazhohet në unitetin e ilegales
shqiptare, dhe në territoret e Dukagjinit formoi komitetet e rajoneve, të
rretheve e të komunave, që kishin të vyejtën strukturë si në NDSH-e.
Më 22 tetor 1945, ai e informoi shefin e misionit
ushtarak anglez, gjeneralin e zënë ngoje për përfundimin e luftës së Drenicës
dhe për gjendjen në Kosovë. Por ky raport kishte rënë në duart e OZN-es, sepse
korrieri ishte bashkëpunëtor i tyre.[23]e
që nuk ishte hera e parë që një njeri i tillë ishte infiltruar në radhët e
lëvizjes. Profesori ishte i shqetësuar për situatën që mbretëronte pas aneksimit
të Kosovës Serbisë. Sepse për nga përmasat, qëllimet, metodat që përdoreshin,
propaganda që zhvillohej, dhuna që zbatohej mbi shqiptarët ishte e njëllojtë me
atë që ushtrohej dhe përdorej në vitet e sundimit të dinastisë mbretërore të
paraluftës. Përpara luftës shqiptarët ishin element destabilizues për
Jugosllavinë, ndërsa pas lufte ishin separatistë, e çka jo tjetër. Duke e
vërejtur pakënaqësinë e dëshirimin e popullit, Ymer Berisha vënë lidhje me të
gjitha organizatat ilegale, që vepronin në Kosovë dhe intensivisht punoi për të
bërë bashkimin e tyre. Sipas Gjon Serreqit, që i jep deklaratë hetuesit në
burg, thotë se “ Me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës kemi pasur
lidhje prej qershorit të vitit 1946, nëpër mjet të Rexhep Lushit, korrierit të
Hilmi Zariqit. Aksione të përbashkëta nuk kemi pasur. Ata kanë kryer aksione në
Dukagjin, kurse ne këtu. Ymer Berishën të gjithë ne e kemi nderuar si
organizatorin më të aftë. Ai na pat njoftuar se është i ndërlidhur me Muharrem
Bajraktarin me konsullin anglez në Tiranë, Hadsonin”, përfundon Gjoni para
organeve hetimore[24].
Këtë deklaratë ai e jep diku në orët e hershme të mëngjesit.
Ymer Berisha kishte lidhje të ngushta edhe me Ukë Sadikun
dhe me të gjithë krerët e shqiptarëve në ilegalitet. Pas një aktiviteti të
dendur në fshatrat e Gjakovës, dhe pas një konsultimi që pati me Ukë Sadikun,
atë, profesorin e njoftojnë se në malet e Lipovicës do të mbahet kongresi V i
ONDSH-së, dhe ai ishte i ftuar të marrë pjesë në të. Sipas të dhënave që i jep
Gojko Medenica, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i
rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë
jugosllave”, u vra në udhëtim e sipër për në Kongresin V të ONDSH-së, që mbahej
në Lipovicë[25].
Së bashku me përcjelljen bëjnë rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof.
Ymer Berisha vritet me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosën rëndë[26].
Së bashku me ta vritet edhe mësuesi Fehmi Kura.[27]
Vdekja e prof. Ymer Berishën dhe e bashkëluftëtarëve të
tij do të mbahet fshehur deri më 25 korrik 1946, kur do të mbahet Kongresi i
Lipovicës. Atëherë zbulohet korrieri i rrejshëm ( në të vërtet ishte spiun i
Spasoje Gjakoviqit), Rexhep Alush Carabregu, që një kohë të gjatë kishte
luajtur lojën e korrierit duke bartur letra nga Shtabi II( Organizata nr.2) në
Drenicë dhe “Besa Kombëtare” në Dukagjin. Nga trysnia që iu bë atij nga gjyqi popullor i kongresit
në Lipovicë, ai pranoi se Ymer Berisha me ndihmën e tij kishte rënë në grackë
dhe ishte likuiduar.[28]
Andaj gjyqi popullore e dënoi aty për aty me pushkatim edhe Rexhep Carabregun
aty afër, ku mbahej kongresi.
Kongresi i Lipovicës i filloi punimet më 25 korrik 1946,
dhe në këtë kongres u propozua që komandanti i përgjithshëm i ilegales
shqiptare u emërua prof. Ymer Berisha, në mungesën dhe në padijen për vrasjen e
tij për 15 ditë më parë. Pasi u zbulua likuidimi i Ymer Berishës nga ana e
UDB-es, shtypi i kohës bënte njoftimin e shkurtër se u vra ballisti,
antipopullori, antidemokratik Ymer Berisha, spiun gjerman, i cili ka qenë i shtyrë
dhe i përkrahur nga reaksioni i jashtëm, ka qenë udhëheqës kryesor politik i të
ashtuquajturës “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar” me të cilat ishin
bashkuar spiunët fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e
tjerë, të popullit shqiptar, të cilët ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë,
irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët
ishin në shërbim të reaksionit të huaj”.[29]
Pa fijen e turpit, shtypi i kohës i mëveshëte lloj-lloj epitetesh, duke filluar
nga ato më të çoroditurat e deri tek ato më fyeset për një patriot e atdhetar
siç ishte ai. Qëllimi i parë dhe i fundit i të gjithë këtyre të rënëve kishte
vetëm një emër dhe një synim që të gjitha trojet shqiptare të bashkoheshin në
një shtet etnik- Shqipërinë etnike.
Dilemat e
ilegales shqiptare
Me vrasjen e prof. Ymer Berishës, Lëvizja popullore për
Lirimin e Tokave Shqiptare, humbi strategun, ideologun, atdhetarin e trimin e
pakompromis për bashkimin e tokave shqiptare. Ukë Sadiku e Gjon Serreqi mbetën
pa këshilltarin e tyre. Kongresi i Lipovicës (V), u mbajt pa prezencën e tij.
Në kongres gjatë punës u shtruan shumë pyetje, shumë detyra dhe lindën shumë
dilema. Lëvizja u ndodhë para një udhëkryqi, ilegalen shqiptare e pritnin ditë
të vështira. Shumë grupe ilegale e jatakë të tyre u zbuluan, filluan gjithandej
Kosovës e Dukagjinit procese të gjata gjyqësore, anëtarët e tyre dënoheshin me
vite marramendëse burgimi, ata më autoritativë në popull i pushkatonin dhe i
ekspozonin në qytete të ndryshme. Njerëzit likuidoheshin dhe humbnin pa gjurmë.
Terrori antishqiptar u intensifikua në zonat kufitare,
për t’u shtrirë më vonë në tërë Kosovën. Përveç raporteve të rregullta serbe,
maqedonase e malazeze, një rol të veçantë në këtë drejtim e kishin organet e
“mbrojtjes popullore”. Organet e partisë e të pushtetit ekzistonin formalisht,
sepse ligjin e bënin repartet ushtarake. Shërbimi i OZN-ës përgatiste listat me
emra e mbiemra të njerëzve, që ishin më autoritativët te populli shqiptar, të
cilët për një kohë të shkurtër likuidoheshin, burgoseshin ose mbylleshin në
kampet e përqendrimit që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Edhe pse ishte krijuar
një situatë e rëndë, megjithatë, kërkesa u shqyrtua në shumë takime të ilegales, por në Kongresin
e Lipovicës, u arrit kulminacioni i dilemave, të qëndrohet në Kosovë apo të
dilet jashtë për një kohë të caktuar. Pikërisht në kongres lindën dy fraksionet
e lartpërmendura. Një pjesë e ilegales vendosi të shkojë jashtë vendit, me
qëllim që së paku të vazhdonin aktivitetin në një formë tjetër jashtë Kosovës
dhe të shpëtonin nga likuidimet dhe të
nxirrnin jashtë një potencial të konsiderueshëm njerëzish, të cilët për një
kohë do të ishin pre e “pushtetit popullor” jugosllav. Në këtë rrugë, më 28
nëntor 1945, u nis Batalioni I me Hysen Tërpezën në krye (Komandant i Shtabit
të Përgjithshëm), dhe grupi tjetër i ilegales i udhëhequr nga Adem Gllavica[30].Të
dy këto grupe që u nisën për të depërtuar në kufirin grek, që ishte krejt e
natyrshme, ngase Greqia ishte vendi më i përshtatshëm për qëndrim.
Derisa këto dy grupe tërhiqeshin para ushtrisë jugosllave
pjesa tjetër e ilegales që mbeti në Kosovë organizohej në grupe të armatosura
për të bërë rezistencë forcave sllave që ri robëronin Kosovën. Kjo rezistencë
udhëhiqej nga tri qendra kryesore: 1. Nga “Besa Kombëtare” në krye me prof.
Ymer Berishën, 2. Organizata NO-2 e udhëhequr nga Ajet Gërguri, dhe 3. Komiteti
Nacional Demokratik Shqiptar nga Halim Spahiu dhe Tahir Deda. Kërkesat për
largim nga Kosova do të shtrohen përsëri në Kongresin e Lipovicës nga ilegalja
e mbetur.
Gjysmë viti më vonë, në Kongres përveç shumë vendimeve të
rëndësishme që do të merren, do të dominoj[në edhe dy opsione kryesore: 1.
Qëndrimi në Kosovë, pa marrë parasysh rrethanat dhe kushtet, dhe opsioni 2.
mbështet zbarkimin e përkohshëm të komitetit në Shqipëri[31].
Pjesa e cila u përcaktua që të depërtonte në Shqipëri, në rrugë e sipër u
sulmua nga ushtria dhe organet e UDB-es dhe të OZN_es, një pjesë e madhe e
ilegales u likuidua. Pushteti Jugosllav pas kësaj humbjeje të madhe të
rezistencës trumbetonte zëshëm se në arrati, në vitin 1947, mbetën vetëm 33
persona[32].
Edhe pse thuhej kështu në këtë “Rekapitullim” të shtetit jugosllav, mund të
supozohet se simpatizantë e anëtarë të organizatave “Besa Kombëtare” e të
“ONDSH_së” kishte më tepër dhe se organet e ndjekjes asnjëherë nuk arritën ti zbulojnë dhe ti
asgjësojnë në tersi, ndaj edhe më tutje formohen komitetet e reja në tërë
trojet shqiptare në ish- Jugosllavi.
Nga kjo që u tha më lart mund të konkludojmë se populli
shqiptar i Kosovës në periudhën ndërmjet viteve 1945-1947 e këndej deri në
ditët e sotme bëri luftë të pandërprerë për mbrojtjen kombëtare. Sakrificat e
popullit shqiptar për të qëndruar i pa thyer në trojet e veta dhe për ruajtjen
e qenies kombëtare ishin të mëdha[33]
Korrespodenca
e OPSH “Besa Kombëtare” me personalitete të tjera të rezistencës shqiptare
Lëvizja e rezistencës shqiptare qysh prej ditëve të para
të formimit dhe veprimtarisë patriotike të tyre, mbante lidhje të ngushta
ndërmjet veti. Sidomos, baza për korrespondimin e tyre ishte përkatësia
kombëtare, ideologjia dhe tradita. Ato e ndihmonin njëra tjetrën dhe i
koordinonin aksionet e tyre politike ose ushtarake. Lidhjet kryesisht
mbaheshin me anë të njerëzve të
besueshëm, por në raste më të shpeshta
ato përcilleshin me gojë e në raste të rralla edhe me shkrim. Rastet që
mbaheshin me shkrim gjatë kalimit të kohës kanë pasur mundësi edhe të ruheshin,
e sidomos ato letra që kanë rënë në dorë të organeve shtetërore jugosllave.
Fatin e tillë e patën letrat, korrespondenca që ka pasur profesor Ymer Berisha
me Ahmet Selacin, Ukë Sadikun. Me këtë rast vlen për ti veçuar letrat e
profesorit që i këmbente me misionin anglez, respektivisht me gjeneralin
Hadson.
Këto lidhje që mbaheshin ndërmjet organizatës “Besa
Kombëtare”, dhe misionit anglez mbaheshin me sakrifica të mëdha, kryesisht ato
udhëhiqeshin përmes lidhjeve, përmes ambasadave, që ndodheshin në Shkup e në
Tiranë. Njoftimi me kohë për gjendjen aktuale dhe për terrorin që ushtronte
pushteti serb në trevat shqiptare kishte një rëndësi të madhe. Sado pak faktori
i jashtëm kishte një ndikim jo transparent në zbutjen e dhunës. Me 22 tetor
1945 prof. Ymer Berisha mbante një letër këmbim të dendur me gjeneralin anglez-
Hadsonin, në mes tjerash në një raport për situatën e rëndë politike në Kosovë
i shkruante:
Shkëlqesi,
Tërë populli
i Dardanisë Ilire, me zemër të thyer për shkak të terrorit dhe të plaçkitjes
nga ana e partizanëve, i dërgon me përulësi, nëpërmes shkëlqesisë suaj,
qeverisë angleze këtë ankesë...” Ushtria jonë nëpër male është e gatshme për
luftë. Me vete e ka me zemër e me shpirt tërë popullin. Por, fatkeqësisht, na
mungojnë armët dhe pajisjet. Prandaj me vetëdijen e të vuajturit, presim çdo
urdhër e ndihmë për ata që po vuajnë tash 11 muaj...”
Me këtë letër i bëhet me dije gjeneralit Hadson për
vrasjet dhe torturat që i kishte bërë pushteti “ demokratik e popullor”
jugosllav ndaj shqiptarëve menjëherë pas “çlirimit”, për masakrën e Tivarit, të
Dubrovnikut, për luftën e Drenicës, për vrasjet e 75 krerëve të saj, dhe për rënien
e 4 heronjve: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe togerin
Gani Agaj i Llaushës. Profesori e bënte me dije se mbi 4000 luftëtarë janë të
gatshëm për luftë, por vetëm presin ndihmën nga perëndimi, për të vazhduar më
vonë në letër:
“Ekselencë e
nderuar, shqiptarët me përulje u lutën fituesve anglo-amerikan që të
intervenojnë në Kosovë e ta ndalin terrorin partizan, në mënyrë që të mos
pranohen zgjedhjet nën shtypjen e armëve, sepse vetëm 2% me dëshirë votojnë për
bashkëjetesë në Jugosllavi”
Në letër më tutje vihet në pah se si ushtria serbe ka
mbytur 26.000 njerëz të pafajshëm, kanë djegur mbi 150 shtëpi, 6.000 familjeve
shqiptare u është grabitur tërë pasuria. U bë rikolonizimi i tokave shqiptare.
Nga populli me tradhti është bërë grumbullimi (mbledhja) e armëve. Meqenëse me
sukses u krye ky aksion, në vend të lirisë së premtuar, filluan të robëronin
atë, duke zbatuar mbi ta torturat e terror të paparë në historinë e popullit.
Pasi i mblodhën armët, i burgosën të gjithë krerët, bajraktarët dhe
personalitetet e njohura i hodhën në burgjet më të këqija, në të cilën shumë
prej tyre vdiqën nga uria...I merrnin natën nga burgu nga 10-15 veta dhe duke
luajtur me muzikë pas torturave të mëdha i vrisnin duke i rrahur e pushkatuar,
duke i therur, duke i vrarë, e në disa raste duke iu rënë me çekiç në kokë,
duke i u vënë nën thonj gjilpërat, duke u rënë brinjëve, duke ua prerë pjesët e
trupit derisa ata ende ishin gjallë...[34]
Raporti që i dërgohet gjeneralit Hadson ishte shumë më i gjatë. Ai përmbante më
tepër se 2500 fjalë. Këtë letër e nënshkruan profesor Ymer Berisha, si kryetar
i organizatës “Besa Kombëtare”, ndërsa si anëtarë të këshillit të organizatës
nënshkruajnë edhe Mulla Ilaz Broja, Hysen Bajraktari, Ndue Përlleshi, Feriz
Boja, Ndrec Lleshi, Mehmet Aga, Sokol Dini, Shaqë Gaca, Zeqir Lutani, Bardhec
Rogani, Jetullah Rrezalla dhe Zef Doda.
Përveç lidhjeve që mbaheshin me misionin anglez në
Tiranë, ato ishin më të shpeshta me grupet e brendshme, e personalitete të dalluara
kombëtare. Në një letër që i dërgon Ahmet Selacit, Berisha kërkonte që të dinte
se sa njerëz ka nën armë, po që se dilet në luftë.
Vëllait
Ahmet Selacit
Kosovë
Organizata jonë “Besa Kombëtare” është interesuar me
kohë të njohë të gjithë shqiptarët e mirë andej e këndej dhe ty të kam çmuar si
një patriot të vyeshëm dhe trim të rrallë për luftërat që ke bërë në Shalë të
Bajgorës kundër armiqve të kombit shqiptarë... Merru vesh me bashkëpunëtorët e
tu të tjerë dhe na njofto me shkrim sa luftëtarë, në rast lufte mund të dalin
me armë në dorë në qarkun dhe në komunën tënde, sepse këtë do ta dijë kuvendi i
parisë nga Shqipëri e Vjetër”
Kryetari i
organizatës
‘’Besa
Kombëtare”
Ymer Berisha
Lidhje të ngushta kryetari i organizatës “Besa Kombëtare”
mbante edhe me Pashkë Bibën dhe me emigrantët e tjerë shqiptarë në Bari të
Italisë. Por ajo që vlen të cekët për korrespodencën e profesorit janë edhe
lidhjet e tij me Muharrem Bajraktarin. Ndërsa ky i dyti kishte lidhje me shumë
oficerë anglezë që ishin pran shtabit kryesor të UNÇ_ të Shqipërisë [35]
Me 6
korrik 1946 në emër të Muharrem Bajraktarit, Ymer Berishës i shkruante Pashk
Bibë Mirakaj:
Komitetit
“Besa
Kombëtare”
Kosovë
Me 26 shtator 1945 morëm një letër
nga ju. Për mbledhjen në male me 3 nëntor, të cilën e ka kryesuar Muharrem
Bajraktari, ju ka shkruar ai personalisht... Situata ndërkombëtare,
shkurtimisht do të dukej kështu angloamerikanët pas fjalimit të Çerqillit të
mbajtur me 5 mars 1946 në Kolexhin e Fulttonit në Vashingtom, janë deklaruar
krejtësisht haptazi kundër Bashkimit Sovjetik, duke e njoftuar botën për
rrezikun komunist që po i kërcënohet... Peticionin që na keni dërguar ia kemi
përcjellë me kohë gjeneralit Hadson, por ai tash gjendet jashtë Shqipërisë,
sepse Anglia i ka ndërprerë të gjitha lidhjet me të ashtuquajturën qeveri e
Shqipërisë...
Rroftë
Shqipëria Etnike,
6 korrik 1946
Të fala të
përzemërta
P.B. Mirakaj[36]
Lidhjet
me organizatat tjera nuk i mbanin vetëm Ymer Berisha, të njëjtën mënyrë të
korrespondimit e mbante edhe Komiteti Qendror i ONDSH-së në Shkup, me konsullatën
angleze në këtë qytet. Halim Orana që ishte përfaqësues i Shoqatës së Shqiptarëve pran Shtetit të Pavarur Kroat. Ai mbante
lidhje të rregullta me kroatët dhe organizatën në Shkup. Po këto lidhje i
zhvillonin edhe Gjon Serreqi e Ajet Gërguri me Muharrem Bajraktarin.
Në të gjitha këto lidhje që u vunë, kishin një qëllim të përbashkët që të koordinojnë punët në terren, të organizojnë aksione të përbashkëta kundër okupuesit sllav, për zbarkimin e anglezëve në bregdetin e Shqipërisë, ose për tërheqjen eventuale nëpër Greqi e Shqipëri.
[1] Dr. Lefter Nasi, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë 1990, f.
409
[2] Akademik Gazmend Zajmi, Çështja e Kosovës një problem historik dhe
aktual ( Simpozium i mbajtur në Tiranë me 15-16 prill 1996, Tiranë 1996, f.
243.
[3] Radoshin Rajoviq, Autonomia e Kosovës,
Rilindja 1987, f. 341
[4] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në
Kosovë 1945-1947, Prishtinë 1998 f. 115
[5] Ljubomir Shotra, Neprijatelska delatnost organizacije Besa Kombëtare na Kosovu i
Metohiju, f. 9-13
[6] Branisllav Bozhoviq, Milorad Vaviq, Surova vremena na Kosovu i Metohiju,
Beograd 1991, f. 539
[7] Po aty
[8] Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Shqipëria e Marie Shllakut, Pejë 1995,
f. 9.
[9] Gojko Medenica, Nata e frorit ( Aksioni për zënien e komandantit të bandave balliste
për Kosovë e Metohi, Ukë Sadikut), Rilindja 25 shkurt 1965.
[10] Po aty
[11] Branisllav Bozhoviq, Milorad Vaviq, Surova vremena na Kosovu i Metohiju, Beograd
1991, f. 539.
[12] Rilindja,
27 shkurt 1965.
[13] Rajko Vidaçiq, Obraqun sa ballistima 1944-1945, Beograd 1990, f .65-66.
[14] Tahir Z. Berisha, Emrat që nuk harrohen, Prishtinë 1996, f. 389.
[15] A.V.I.I.
nj. K. 61, 23- 27.
[16] Po
aty, 12/ 1b -34b- 37
[17] Vasfi Samimi Visoka, Nëna Kosovë, Tiranë 1995, f. 39.
[18] Kolë Bibë Mirakaj gjatë Italisë fashiste , në Qeverinë Shqiptare deri në
vitin 1943 ishte ministër
[19] Nga deklarata e Marie Shllakut dhënë
hetusve në qershor 1946.
[20] Tahir Z. Berisha, Emrat që nuk harrohen, Prishtinë 1994, f. 206-207.
[21] Muhamet Mjeku, Lufta e Drenicës, Prishtinë 1991, f. 146.
[22] Po
aty, f. 147.
[23] Gojko Medenica, Nata e frorit ( Aksioni për zënien e komandantit të bandave balliste
për Kosovë e Metohi, Ukë Sadikut), Rilindja 25 shkurt 1965.
[24] Aktgjykimi
i Gjon Serreqit nr. 66/47
[25] Rilindja
1, mars 1965.
[26] Hasan Shala, Izet Hoti, Besa e gurit, Prishtinë 1996, f. 61.
[27] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Gjakovë
1991, f. 487.
[28] Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore
[29] Rilindja 1, mars
1965
[30] Dr. Daut Bislimi, Formacionet politiko- ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë
1997, f. 230.
[31] Po
aty, f. 231.
[32] Rekapitullimi
i UDB_es pas vitit 1947. Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Formimi dhe veprimtaria e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare,
Kosovë nr. 18-19, Prishtinë 1997, f. 171-181.
[33] Ahmet Qeriqi, Kongresi i
Lipovicës-ngjarje e rëndësishme e rezistencës popullore, Bujku 1996, 24
janar.
[34] Dr. Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë 1992, f. 55.
[35] Raporti
nga gjykimi i anëtarëve të ONDSH-së në Shkup, “Borba” 28-29 janar 1947.
[36] Sinan Hasani, Kosova të vërtetat e mashtrimet,
Prishtinë 1986, f. 140.