Speciale
Hajrush Idrizi: Bllaca nuk guxon të harrohet as nga popullata por as nga institucionet e shtetit
E marte, 19.01.2010, 09:58 PM
Hajrush Idrizi
BLLACA NUK GUXON TË HARROHET AS NGA POPULLATA POR AS NGA INSTITUCIONET E SHTETIT (KY QË ËSHTË)
(shkëputje nga ditari)
Kapitulli i katërt
HYRJA NË BLLACË
Dhe, siç u thash, me ngadalë i afrohemi Fushës së Bllacës. Aty, në hyrje të fushës, presin një numër i madh gazetarësh, fotoreporterësh dhe kameramanë nga mbarë bota.
Para meje ecë xha Sabriu me të shoqen, e cila e mban për të mos u rrëzuar. Sabriu dhe e shoqja e tij janë shumë “atraktivë” për njerëzit me objektiva. E rrethojnë nga të gjitha anët dhe e kapin në të gjitha profilet. Unë me të shoqen dhe dy djemtë shkojmë pas tyre. Sigurisht se edhe unë po i plotësoj disa kushte për ta. Pas meje vjen Aliu me plakëne paraliziur të ngarkuar në shpinë. Ajo është tepër e papërshtatshme për bartje. Pas Aliut, Asdrenin e hendikepuar e bartin dy veta në një batanije. Kameramanët bëjnë yrysh para dhe pas meje. Shumë shpesh objektivat e aparateve më kapin edhe mua.
Duke e pare këtë shfaqje trishtuese, fillova ta humbas drejtpeshimin. Bahesha herë në të djathtë e herë në të majtë. Gruaja më hetoi dhe më mbajti për të mos u përplasur për toke. M ’u afruan edhe dy djemtë. M ’a dhanë një shishe ujë për t’u këndellur. Desha ta pi një pikë, por dora nuk mundi ta gjejë gojën. Uji m ’u derdh në fyt, trupit teposhtë. Në këtë çast bëhem shumë “simpatik” për fotoreporterë e kameramanë. U bëra “mall për biznes(!)” Më rrethuan në të gjitha anët. Filluan të më kapin në të gjitha profilet. Mu bë sikur m’i drejtuan tytat e automatikëve, sikur më vrasin. Ua bëj me dorë që të largohen. Përkundrazi, edhe më shumë m ’ë “sulmojnë”. Edhe gruaja nisi të “aktrojë” para tyre. Djemtë, Enveri dhe Ylberi m’ u lutën që edhe unë të qëndrojë-durojë sikurse të tjerët se, përndryshe do të bëhet edhe më keq. Lutjet e tyre janë tepër serioze, bile edhe kërcënuese. Obligohem si babë, si prindër , si kryefamiljar ta përballoj traumën që përjetova.
I binda djemtë edhe gruan se asgjë nuk kam, se krejtësisht jam në rregull, e, lodhja që sapo e ndjeva është pasojë e pagjumësisë . Fëmijët kur m’ ë dëgjuan duke folur e sidomos kur panë se po eci drejtë, pa u luhatur, paksa u qetësuan.
Kjo “trullosje” duket se qe e mirëseardhur për mua. Për momentin isha i zënë me vetveten. Kalova nëpër atë turmë njerëzish pa i vërejtur fare. Se, sikur t’i kisha parë siç i pashë më vonë, të shtrirë në të dy anët e hekurudhës, arave, livadheve , shpatit buzë kaçubave, vështirë se do të kisha qëndruar. Do të isha plandosur për toke e ndoshta kurrë nuk do te isha ngritur më në këmbët e mia.
Ecim teposhtë hekurudhës. Tash pa njerëzit me aparate. Ata ngelën te “porta” për të kapur sa më shumë gjah. Zbresim në fund të turmës, përball ushtarëve maqedonë. Na ndalin dhe na urdhërojnë të zëmë vend. Detyrohemi të veprojmë sipas urdhrave të tyre. Zëmë një vend të mbushur përplot manaferra. Është paksa më i ngritur, buzë hekurudhës dhe një përroske që derdhet në Lepenc.Dalëngadalë tubohen shumica e fqinjëve të mi. Ulemi për tu çlodhur.
Ora është dy pasdite. Në ndërkohë mësojmë se për tu larguar nga ky vend as që bëhet fjalë. Takojmë njerëz , të cilët paskan kaluar këtu nga dy e edhe tri net .
Paraprakisht u dashka të merren do farë nënshkrimesh nga maqedonët në një tendë e pastaj të dilet. Marrja e nënshkrimeve qenka e pamundur për gjithë ata njerëz. Kuptojmë se edhe ne do të kalojmë net të tëra në atë vend.
Hapësira ku ndodhemi ngushtohet prej çasti në çast. Në këto rrethana, medoemos duhet të ndërmarrim diçka. Djemtë por edhe ne menjëherë i përvishemi punës. Disa pastrojmë manaferrat,disa të tjerë shkuan për të tubuar dru krane,rremba e cunga për të ndezur zjarre, sepse, shihej, nata do të jetë shumë e ftohtë.
Pranë meje, Alberti provon një telefon celular për të biseduar me vëllezërit e tij në Francë. S’mundet me hy në lidhje. E lus ta sjell numrin 9941413106573* helbete mos e marr lidhjen me Sevdinë në Zvicër. Pa përtesë Alberti sjell numrin e dhënë dhe:
-Fol bac, e kapi,- më tha dhe ma lëshoi telefonin në dorë.
“Alo!”-them.
“Mirëdita buq!”,-klithi Sevdija matanë telit , e cila përnjëherë ma njohu zërin.-“O Zot!, edhe njëherë ua ndjeva zain! Gjallë qenkeni,a?!- dhe ia plasi vajit me zë të lartë, atje në Zvicër.
“Po bija ime të gjithë jemi mirë. Shpëtuam. E kemi kaluar kufirin. Jemi në Maqedoni. Tani jemi të sigurt përpos Muharremit i cili para…”
“Buq, buq,-ma ndërpreu fjalën,- Muharremi asht në Gostivar. Ishte vendos tek nji familje. Shënoje numrin e telefonit: 003897021586,* thirre!.
Për çudi, m’ u ndërpre lidhja.
“S`ka gajle-i thash vetës. Asgjë më shumë nuk më duhet në këto çaste. Po minutë e hairit paska qenë!”
I njoftova djemtë dhe gruan me lajmin që sapo e mora.
Po shumë u gëzuan!
Ora është shtatëmbëdhjetë. Tanimë kishim pastruar pak hapësirë nga manaferrat. Vendosemi në të. Tash kjo na duket si pronë e jona. Djemtë kanë sjell dru me bollëk. Ndezim katër zjarre. Ngrohemi. Interesant,tash po ndihemi shumë më të sigurt se sa në shtëpitë tona. Dimë se serbët nuk kanë mundësinë të na bezdisin këtu. Hamë edhe bukë që kishim marrë nga shtëpitë.
Bie muzgu. Një zhurmë traktorësh u ndie sipër nesh. Një grup djemsh
(shqiptarë )nga Bllaca, katundet rreth Shkupit por edhe nga Shkupi ishin mobilizuar. Kishin mbushur disa traktorë me ushqim dhe filluan ta shpërndajnë anekënd kampit. Shpërndanin gjitha të mirat: bukë, tambël,ujë mineral, lëngje pemësh, konserva, mjete për higjienë e gjësende tjera. Kishin sjell edhe një rrotull najloni dhe ca batanije. Djemtë e lagjes përfituan rastin, grabitën një sasi najloni dhe pesë batanija. Me të shpejtë ndërtuan një kasolle të vogël , shtruan batanijet dhe disa rroba të trasha, kështu ua siguruan fëmijëve të shumtë dhe të sëmurëve një strehë të thjesht.
Burrat, djemtë , gratë dhe vashat qëndrojmë rreth zjarreve. Tanimë kemi filluar t’a kalojmë një natë shumë-shumë të gjatë dhe të ftohtë. Madje sikur të ishte vetëm kjo natë,po, pale se sa net të tilla?!
----------------------
* Numrat e telefonave janë të saktë .
PA DITAR
Këtu, në Fushën e Bllacës nuk po kam mundësi ta mbajë ditarin rregullisht. Jo pse më mungojnë mjetet, se, fletoren dhe lapsin e Albanës ja ku i kam, por, po u them të drejtën, kam humbur edhe në kohë e edhe në hapësirë. Kjo dukuri , të gjithëve në këtë fushë, na ka përfshirë sikurse ndonjë epidemi e rrezikshme.
Moti, nëpër ndeja me pleq, me plaka më ka pas rënë të dëgjoj lloj-lloj rrëfimesh, tregimesh ose edhe përrallash të nryshme. Shumë sosh edhe i kam lexuar nëpër libra apo edhe në gazeta . Disave (çudirave, ë?) u kam besuar, disa i kam pranuar me një dozë dyshimi, kurse disa të tjera i kam hedhur si të pamundshme, të pavërteta, i kam cilësuar si trillime të njerëzve me inteligjencë dhe fantazi tepër të zhvilluar.
Sot, këtu në këtë fushë, shumë prej çudirave po i vërej, po i shoh, po i përjetoj konkretisht. Madje madje, po shoh çudira që kurrë s’i kam dëgjuar e as lexuar, por, as fantazia e njeriut me intelegjncë të zhvilluar nuk i ka kapur(!).
Këto pra, çudirat më kanë preokupuar, më kanë pushtuar dhe do të mundohem t’ ju “zbavit” me disa sosh.
TË HUMBUR NË KOHË DHE HAPËSIRË
I P A R I
Vështroj turmën e njerëzve. Më duken sikurse buburrecat në grumbull. Lëvizin, vetëm lëvizin. Shkojnë lart -poshtë, poshtë –lart. Sa shumë janë! Me siguri më shumë se njëqind mijë.
Ulem pranë zjarrit dhe dredh një cigare duhan. Aty, pranë meje kalon një mjekrosh. Zbriti teposhtë drejt Lepencit dhe prapë u kthye përpjetë. Ndaloi para meje dhe më shikon dogri në sy. Në dorë ka 20dm. M’i ofron:
-Ju lutem, ma jepni një pako cigare!
-S’kam për Zotin,-i them.
-Po, duhan po shitëkit (!), thash mos shitni edhe cigare,-ma priti
-Jo-jo, nuk shesim asnjërën, por nëse doni, ja, merre kutinë e dridheni një cigare,- dhe ia zgjata kutinë.
-Jo. Dridhmani ju se unë nuk di të dredh , - më tha.
Duke ia dredhur cigaren e vështroj me keqardhje. Burrë i pashëm, i plotë, bukur shtatlartë, aty rreth të pesëdhjetave,flet rrjedhshëm dhe shumë pastër. Ka mjekër të lëshuar, besa i paska edhe hije. - “Mund të jetë… mund të jetë mjek, inxhinier, mund të jetë piktor, shkrimtar, mund të jetë artist, mund të jetè edhe akademik pse jo”-mendova. Ia drodha cigaren dhe ia dhashë.
E ndezi menjëherë. Aty, në prush e ndezi. Nisi ta thithë tymin përpike.
Po shumë e thithi!
M’ u falënderua disa herë por nuk u largua. E kuptova se e do edhe një. Ia drodha të dytën dhe prapë ia dhashë. Edhe këtë e thithi me shumë kënaqësi. S’e lëshoi, bre, fije tymi t’i shkojë huq.
-O burra, fare nuk po u marr vesh. Unë dua të blej cigare me para, kurse ju më jepni falas. Pse bëni kështu?!-pyeti.
Unë nuk u përmbajta. Sytë m’ u mbushën me lot dhe me të shpejtë ktheva kokën drejtë një kaçube .
-Ç ’keni ?- më pyeti i shqetësuar mjekroshi.
-Asgjë. Tymi i zjarrit më hyri në sy , për atë më dolën lotët.
-Ëhë,- bëri dhe shkoi dikah.
I D Y T I
Hapim një konservë dhe ulemi për të ngrënë drekë. Pranë nesh kalon Bashkimi, djalë i mikut tim. S’na sheh fare.
-Bashkim!,- e thërras
-O, mirëdita baci Hajrush!
-Mirëdita! S’na vërejte, ë?-e pyeta.
-O, edhe ti dada Shukë qenke!. Sa mirë!
-Po, Bashkim. Edhe djemtë i kemi këtu,-i foli e shoqja e cila Bashkimin e ka djalë mixhe.
-Bash mirë. Ejani të hymë Brenda(!),ani pse s’është aga këtu, bën edhe pa të.
-? ! ? !
E shoqja m’i zgurdulloi sytë me habi të plotë.
-Bashkim, ulu të hamë pakëz bukë,-i them për ta qetësuar nëse mundem.
-Po valla se moti s’kam hangër.
Ulet. Han një bukë pa prishë dhe dy konserva peshku. Piu edhe ujë.
-Uh, tash me pas një cigare!
-Po Bashkim, merre kutinë , dridh e pi sa të duash,-i thash.
-Jaaa tybe, haber s’kam. Dridhmi ti!
Edhe Bashkimit detyrohem t’i dredh duhan.
Ndezi cigare pas cigare. Katër radhazi.
-Baci Hajrë, më doket se krejt kam hup. Ni natë e qafa njanin se m’ u dok sikur daja Jupë. “ Hajt bre djalë se tybe as nuk të njoh e as nuk më njeh”-ma bani. Për Zotin mirë e kish pasë. S’ishte daja . Masanej m’ u kujtue qi daja Jupë ka dekë moti. Ni ditë tjetër, në njëfarë fushe, deshta me qafë ni grue se m’ u dok sikur nana Shehide. “Ik more hajvan! Kur t’u bana nanë?”- m,ë bërtiti. Kur foli, në za e hetova qi s’ishte nana. Diqysh më ka hi ni tutë e madhe. Hiq nuk jam mirë,- më tha.
-Bashkim, kurrgjë nuk keni, mirë jeni, po ku i ke familjen, gruan dhe djalin?-e pyeta.
-Aa, për ta mos më vet. Krejt kanë hecë, kanë shkue dikah . Ku? veç Një Zot e di. Qe tri ditë fill unë jam në shpi (!). Shyqyr qi erdhët ju sonte. Ma kini hjekë edhe tutën.
-! ! !
E shoh se është tepër i lodhur dhe fare i humbur.
-Bashkim, eja me motrën, bjer e fli pak se po më doket po të merr gjumi,- i tha e shoqja.
-Po valla, dy sytë m’ u kanë mshelë,- i tha të shoqes.
Shukrija gjeti një batanije dhe një gëzof të trashë, ia shtroi skaj një kaçube afër nesh dhe e vuri në gjumë.
Gjatë tërë natës, herë unë, herë e shoqja por edhe djemtë e përcillnim është apo nuk është gjallë.
I T R E T I
Mesditë.
Buzë varreve të Bllacës bisedoj me një fqinj timin. Bisedonim pikërisht për këto varre që janë para nesh. Tash, më shumë po flasim për njerëzit ( e gjallë) mbi to. ( Për këto varreza do të flas më vonë.)
Aty, ngatë një varri shoh Nazizmin duke biseduar me dy djem. Biseda zhvillohej me zë shumë të lart. M’ u dashtë të ndërhyj menjëherë. Lash fqiun dhe u afrohem :
-Nazim!- e thërras.
-O, tungjatjeta dajë! Bash mirë u bë që u zatetëm se kesh kah rrihna me këta djem.
-Pse, s’po mudeni me da Bllacën, ë?- i them pak si me shaka.
-Jo, por unë i veta dishka e këta po bajnë hajgare me mue.
-Ani Nazim, edhe hajgarja kaniherë hahet, po ku e ke familjen,-e pyes për ta qetësuar.
-Haliden (gruaja e Nazimit) e kanë marrë para tri ditësh, se ti e di , ajo ishte në dializë, e kanë çue dikah, kurse nana edhe vajza, Egzona, më kanë hupë(!).
-Si ore “ më kanë hupë?!”
-Thash, para tri ditësh e morën Haliden. Unë bashkë me te shkova teri te qajo çadra me kryq të kuq. Aty u vonova koxha si shumë, e, kur u ktheva te veni ku i pata lanë, s’i gjeta.
-Ku i pate lanë?!
-Poshtë, qatje te Lepenci. More dajë, po tutna mos kanë ra në Lepenc se! Hiq, bash hiq s’po di shka me ba. Bile nana u kanë edhe e smutë, çika e vogël, pesë vjet ma. Jaa, mos vet për mue!.
-Po halli?-e pyeta pa dashje.
-S’e di de, të thash se s’e di! Tash po munohna me gjet konsullatën e Maqedonisë (!) nashta ata m’ nimojnë .
-Çfarë konsullate more Nazim zeza?!-bërtita.
-E, edhe ti dajë sikur ata djemtë, hajgare po ban. Ani dajë, ani. Dajo, vetëm ata të konsullatës mujnë me ma gjet Egzonën dhe nanën, por e kam harrue venin e saj. Lum daja, mos e di se ku asht konsullata?
-Jo Nazim, jo. Këtu s’ ka konsullatë. Këtu i thonë Bllacë, more vesh?!
-Mirë dajë, mirë. Mos piskat! S’e di pse t’ veta se!, -më tha dhe u nis kah kordoni i policisë. -Qetash e gjajë unë ,- foli me vete.
Unë pashë se sa është sahati, siç thotë populli, dhe pa u hamendur u nisa drejtë tendës me kryq të kuq, e cila shërben si ambulance. Desha të shkoj tek ajo por policët e shumtë nuk më lejuan as të afrohem ngatë saj. Prita bukur gjatë duke shikuar tendën. Dikur, nga tenda doli një mantilbardh. Shpërtheu turmën dhe nisi të zbres drejtë varrezave. Me të shpejtë dola para tij. Mjeku menjëherë vërejti shqetësimin tim:
-Fol o burrë, ç’ hall keni?-më tha.
-Ju lutem zotëri mjek! Para tri ditësh ka humbur një plakë e sëmurë dhe invalide bashkë me një çupëzë pesë vjeçe. Vallë, mos janë në atë tendën e juaj?
-Jo. Në tendë s’ka njeri. Të gjithë ata që janë paraqitur aty, ua kemi dhënë ndihmën e duhur ndërsa rastet e rënda i kemi përcjellë për në Shkup. Ma jepni emrin e plakës!
-Po,- i them- Sylbije Shabani quhet.
Mjeku vajti në tendë dhe s’vonoi shumë u kthye tek unë:
-Po. Sylbije Shabani është transferuar në Shkup. Besoj se jeni të kënaqur.
-Të faleminderit shumë- shumë!
-Me nder qofshi! Edhe unë jam i të njëjtit gjak. Sot o kurrë,- më tha mjeku dhe u fut nëpër kaçuba për të hulumtuar të sëmurët tanimë të shumtë.
I K A T Ë R T I
Agim i ftohtë prilli.
Edhe njëherë dolëm në mëngjes ,ama jo të gjithë, sepse, edhe gjatë natës që lamë pas, vdiqën disa. Këto vdekje po na tmerrojnë të gjithëve ngase nuk e kemi të qartë përse po vdesin: Janë vdekje të natyrshme apo, vallë, mos është përhapur ndonjë epidemi e po i merr këta njerëz . Kjo e dyta është më afër mëndësh. Se, hapësira ku gjendemi kundërmon sikurse të jetë e mbushur me cofëtina (mërsina) kafshësh të ngordhura.
Të huajt: gazetarët, fotoreporterët,kameramanët ose mjekët, tanimë nuk po futen në mesin tonë pa maska goje. Sigurisht se po u zihet fryma, pastaj, druajnë edhe nga ndonjë virus vdekjeprurës. Nuk kanë faj,jo.
E,ne jemi këtu, në këtë flliçëhane, krejtësisht të pambrojtur.Qelbemi edhe ne.
Jemi bërë tamam qelbësira. Po për Zotin!
Nuk po flas më shumë sepse kam filluar të frikësohem edhe nga fjalët e mia.
Hodha pak llomishta në zjarr, i rrotullova djemtë (sipër të cilëve shihej bryma e bardh) që po flinin rreth zjarrit dhe u nisa drejtë varreve për t’i vizituar disa fqinj. Buzë varreve takova Qemail Ratkocerin . Në dorë kishte një peshqir, një kravatë dhe një kuti rroje.
-Hajro,( shpesh kështu më quan), dua të rruhem por s’po kam pasqyrë, mos ke mundësinë të ma gjesh një?-më pyeti.
-Po,-i them, dhe menjëherë u nisa drejt zjarrit, tek Nerxhivanja , një vajzë e vyer,e cila e mbante një pasqyrë xhepi.
Duke ma dhënë pasqyrën qeshi.
-Pse po qeshë?!-e pyeta i befasuar.
-Edhe në Bllacë e paska ndërmend të rruhet!. Kështu bajnë burrat. I lumtë!-e uroi bacë Qemailin. - E ju, jeni ba sikur iriqë, po na tutni edhe neve. Marre duhet me ju ardhë !,-u bërtiti disa burrave që po tymoseshin rreth zjarrit. Vanën e kuptova pse qeshi, ama, tërthorazi edhe mua më qortoi, se, edhe prej meje tutej. Lash Vanën duke pastruar hapësirën rreth zjarrit. S’u vonova, shkova tek baca Qemail i cili kishte filluar të dridhej sikurse të ishte i prekur nga paraliza. M’ u dhimb tepër shumë.
-Baca Qemail, po ti nuk je edhe aq i parruar. Shikoji njerëzit rreth teje, të gjithë janë më të parruar se ti, lere këtë punë krejt,-iu luta sinqerisht.
-Jo Hajro, ta dish një gjë:Që kur i kam rënë brisk fytyrës, mund të ketë më shumë se 50 vite, rregullisht jam rruar një ditë po e një ditë jo. Pastaj, sot, patjetër më duhet të shkoj(!) në Gjilan, sepse, është një ngatërresë shumë e ndërlikuar, e, nëse nuk ndërmarrim diçka urgjentisht, mund të përfundojë edhe me ndonjë vrasje. E, unë, si kryetar i Këshillit të Pajtimit, nuk mund të dal para njerëzve si harrubet,-më tha.
Fjalët :” ...sot, patjetër më duhet të shkoj në Gjilan ” por edhe disa të tjera më tronditën tepër shumë. Pashë se paska humbur orientimin edhe në kohë edhe në hapësirë.
Vuri pasqyrën në një gurë buzë përrockës dhe filloi të laget për t’u rruar. Sapo e vuri brushën në fytyrë, tak, u ndal dhe më shikoi drejtë në sy.
-Hajro, tash po të shoh. Për Zotin paskam qenë në gjumë, fjetur në këmbë.
Merre me mend, qe një javë nuk kam fjetur fare. Tash po e di se ku jam. More Hajrë, e kam ditur se pas vdekjes do të dalim në Ditën e Gjykimit, po, ama, se do të dalim për së gjalli këtë nuk kam mundur ta imagjinoj asnjëherë. Shiko,bash Ditë Gjykimi! .
-Rruaju baca Qemë se ke filluar të mërdhish,- i thash për ta larguar nga këto fjalë tepër trishtuese.
U rrua,pastroi fytyrën , mori kravatën ngjyrë blu dhe u përpoq për ta vënë por nuk mundi.
-Vërma, se nuk po më punuakan duart!,-më urdhëroi.
Kapa kravatën dhe ia vura me kujdes .Veshi edhe setrën me një gëzof të trashë .
Po bukur i rri kravata!
-Baca Qemail, edhe në Bllacë me kravatë ,ë?- e ngacmova.
-Dëgjo mirë Hajro! Dyzet vjet kam punuar me nxënës. Të betohem se kurrnjëherë, ama bash asnjëherë nuk kam dalë para nxënësve pa te. Kravata është shoku më i ngushtë në jetën time. Po të them edhe diçka :Pa kravatë më duket se jam lakuriq ose (po më vjen turp të them) cullak. E, sa për atë pjesën tjetër ”...edhe në Bllacë me kravatë”, më bëhet sikur më ngacmove. Ani, mirë bëre. Unë edhe nga pamje por edhe nga shpirti jam optimist . Hajro,
ne askujt asgjë s’ i kemi bërë. Ne padrejtësisht jemi dëbuar nga vatrat tona. Drejtësia herëdo-kurdo do të triumfojë. Ne p a t j e t ë r do të dalim fitues . Kjo është kështu dhe ndryshe s’ bëhet. Prandaj, unë edhe në këtë plehane do të mbaj kravatë, madje jo vetëm këtu, kudo që do të shkojë ajo do të më shoqërojë gjer në vdekje. Besoj se më kuptuat,ë?-m’ u përgjigj.
-Të lumtë baca Qemail!
U ndamë. Ai u fut në një kaçube manaferrash ku kishte familjen, ndërsa unë eca drejtë varreve, tek fqinjët, duke menduar për njeriun e vetëm me kravatë në këtë pisëhane.
TË GJALLËT U MARRIN LAKMI TË VDEKURVE (!)
Këtu , në këtë fushë, paska pasur edhe varreza. Ato janë po aty ku ishin. Tash, ato nuk janë ashtu sikurse ishin. Të vdekurit që preheshin në qetësinë e amshimit, tani janë të trazuar nga vëllezërit e tyre të gjallë. Në këto momente dramatike, të gjallët duken më të pashpirt se sa të vdekurit. Po e përsëris: më të pashpirt se të vdekurit(!)
Ju, këtë thënie kurrnjëherë nuk keni pasur rastin ta dëgjoni. Po unë, ku e mora, si guxova të them diçka të tillë?
Thjesht, shumë thjesht:Jam në vendin e ngjarjes, në varret e Bllacës për të cilat u pata premtuar se do të flas më vonë. Sot, këto varreza janë të “okupuara” nga shqiptarët e Kosovës. Disa varre qenkan të rrethuara me rrethojë betoni, disa me pllaka mermeri, e disa të tjera, më të moçme,paskan vetëm dy gurë, njërin te koka e tjetrin te këmbët. Tash, të gjitha janë kthyer në banesa. Po e them edhe njëherë: Varret janë shndërruar në b a n e s a (!) . Si?! -do të pyesni me habi. Prapë po u them: tepër thjesht :
Nga një dru mbi gurët e varreve, qofshin të vjetra ose te reja, nga një copë najloni mbi dru , ndërsa brenda në varre, nën najlon -familjet. Po pasha Perëndinë! Aty hanë,aty pinë, aty luajnë, aty bisedojnë, aty qeshin, aty qajnë, aty bëjnë zhurmë, aty flenë, aty edhe pshurrin (fëmijët ). -“ Axha Hajrë, u kënaqëm”,- m ’ë thonë.
Këta që janë mbi varre u marrin lakmi atyre që janë nën ta(në dhe). Këta që janë mbi varre ua kanë zili atyre atje poshtë, sepse ata janë të qetë, pa brenga, pa halle e telashe. Këta ua kanë shtruar zullumin atyre në amshim, ua kanë zënë edhe atë trohë vend e po i trazojnë pa fije mëshire, nuk po i lënë të prehen në qetësi .
Mua nuk më mbetet gjë tjetër, përveç, në emër të këtyre “zullumqarëve” t’u kërkoj falje:
O ju të vdekur, keni mëshirë e mos i mallkoni këta hallexhinj që po u trembin.
Ta dini mirë e mirë se asnjëri s’kemi ardhur këtu për vikend. Serbijanët me dhunë na kanë dëbuar nga vatrat tona. Tani jemi këtu, në hisen t’ uaj, ku edhe po u bezdisim. Hapësira ku jemi të ngujuar është tepër e ngushtë, e vogël e nuk po na nxë të gjithëve.
Këtu është shkaku i bezdisjes s’ uaj, o ju të vdekur, këtu!
Zot, ke mëshirë e na i fal gjynahet të dy palëve!
Amin!
PUSHTIMI I KOLONËS
Natë e ftohtë prilli.
Ngjitem përpjetë drejtë kolonës së njerëzve, të cilët janë radhitur para një tende për t’i marrë do farë nënshkrimesh famoze . Pa këto nënshkrime nuk po lejohet dalja nga Bllaca. Kolona është shumë e gjatë edhe e gjerë. Aty ka burra, djem , vasha, gra e besa edhe të moshuar. Kolona nuk lëviz fare sepse është natë, e natën nuk punohet. Rreth saj qëndrojnë policë të shumtë të cilët gjoja se e mbajnë rendin.
Diku në kolonë është edhe djali im, Ylberi, që akoma s’i ka mbushur gjashtëmbëdhjetë vjet. Edhe ai po pret për ta marrë “vizën”. Sa shumë është lodhur! Qe pesëmbëdhjetë orë që rrinë aty!. Më duhet t’ia bëj disi: T’i sjell diçka për të ngrënë ose ta ndërroj. Më shumë më pëlqen kjo e dyta por s’di se si.
Me kujdes shpërtheva turmën nën kolonë, se, turma dhe kolona janë të ndara nga policët. I afrohem kordonit të policisë.
-Prapa!-më bërtiti një polic.
-Ju lutem zotëri,- i them,-kam një djalë, atje në rresht, duke pritur qe pesëmbëdhjetë orë, a ka mundësi ta zëvendësoj se është lodhur tepër shumë?
Për çudi, polici më priti mirë.
-Bën,- tha,- por a mund ta gjeni në atë grumbull njerëzish?
-Po. Ja ku është, e shoh,- e gënjeva policin.
-Ec!,- më urdhëroi.
U nisa. Disa policë m ’u turrën, por polici që më lëshoi u maur vesh me ta dhe nuk më penguan. Eci përbri kolonës për ta gjetur Ylberin. Nuk mundem. Ai më kishte parë lehtë, meqë hapësira në mes të kolonës dhe turmës që ishte nën kolonë ishte e ndriçuar dhe e kontrolluar nga policët. Vetëm unë lëvizja atypari.
Papritmas, Ylberi doli para meje.
-He buq, çka ka?!- më pyeti i befasuar.
-Jo, kurrgjë s’ka por erdha të të ndërroj ty. Ti, shko poshtë, ha, pusho kurse unë po hy në rresht dhe po pres.
Po mirë i erdhi!
Menjëherë zbriti në drejtim të familjes ndërsa unë u futa në vend të tij.
Qëndrimi në rresht qenka tepër i mundimshëm. Herë pas herë ulemi por edhe çohemi në këmbë. Të ftohtin nuk e ndjejmë fare. Po e ngrohim shoqi shoin. Jemi të ngjeshur njëri me tjetrin aq shumë sa që po ndiej edhe zagushi. Zbardhë edhe dita. Bëhet ora tetë, nëntë. Puna në tendë nuk fillon se s’fillon. Marrim vesh se sot nuk do të punohet fare, sepse katër prilli na qenka njëfarë feste në Maqedoni.
Po, S’punojnë herifat, s’punojnë! Se, mos po u dhimbsemi, ë?!
Turma revoltohet pa masë. Të gjithë kërkojnë që të punohet.
Rreth orës njëmbëdhjetë, nëpunësit u futën në tendë,madje u duk sikur ia nisën të punojnë, por tepër-tepër ngadalë. Kolonën nisi ta kaplojë nervoza. Ajo ngjishej, trashej por edhe zgjatej. Herë-herë luhatej e tëra. Në disa raste me minuta të tërë nuk më preknin këmbët në tokë. Habitesha edhe vet: Në vend se ti afrohemsha tendës, gjithnjë largohesha nga ajo, sikur unë të shkoja prapa. Në një moment u luhat tenda. Turma duke u shtyer , desh e nxori atë nga vendi. Nëpunësit e ndërprenë punën, s’punojnë. Masa nxitet,hidhërohet, humb durimin. Edhe policët e humbin kontrollin. Shkaktohet rrëmujë e rrezikshme. Policët fillojnë ta përdorin edhe forcën, u mëshojnë njerëzve me shufra gome bukur shumë. Disi, situata vihet nën kontroll. Në ndërkohë vijnë përforcime të reja policësh. Nga sjellja e tyre dukej se nuk kanë ardhur për të mirë.
Njëri nga policët e sapoardhur nisi të flasë përmes një megafoni. Shqip fliste.Kërkoi nga njerëzit që t’ a mbajnë rendin, të presin të qetë, të mos shtyhen me njëri tjetrin se përndryshe “do të mrizoni këtu me ditë të tëra”. Turma sikur e kuptoi rrezikun, u qetësua bukur mirë. Edhe puna në tendë filloi, ama shumë-shumë ngadalë. Nuk merrej vesh punohej apo jo, se, ne nuk lëviznim nga vendi asnjë hap.
Rreth orës tre nëpunësit e ndërprenë punën gjoja se paska mbaruar orari i punës.
Masa nuk pajtohet. Situata nisi të keqësohej. Kolona fillon të “fryhet”.Ajo luhatet si një trup i tërë. Policët vihen në gatishmëri të plotë. Me të shpejtë të gjithë policët aktivizohen. Jepet edhe urdhri për sulm.
Fillon sulmi mbi kolonë.
Pa fije faji u mëshojnë njerëzve ku munden, në shpinë, në krah, vitheve, në kokë. Sjellin më zi se në shtazë. Para meje, njërit i mëshojnë furishëm rrëzë veshit. Ky, i lënduar rendë, humbë durimin, shkëputet nga turma dhe si vetëtima i vërsulet policit që sapo i ra. Dhe, me dy goditje të forta, polici u plandos për toke pa frymë. Komentatorët e boksit do të thonin “shkoi në botën e ëndrrave”. Një tjetër polic i vërsulet njeriut me vesh të lënduar, por edhe ky e pësoi sikurse kolegu i parë, u shtri në tokë gjerë e gjatë. Turren tre -katër policë të tjerë dhe, natyrisht se e mposhtin “begallcin” (të ikurin) e rrezikshëm që nuk di se si quhej e as nga na ishte. Një gjë e di: ishte i shkathët dhe i guximshëm. I lumtë!
Të gjithë policët çarten. Fillojnë ofensivën e dytë. E sulmojnë tërë kolonën pa dallim moshe apo gjinie. Sulmet janë tepër brutale. Njerëzit i kap paniku. Tentojnë të largohen të gjithë përnjëherë. Kjo ishte e pamundur. Luhatet kolona si mur kalaje. Rrëzohet e tërë kolona, shembet sikurse mur dige. Shkelin njerëzit në njerëz. Bërtasin, thërrasin, gjëmojnë,mallkojnë. Policët nuk e ndalin sulmin. Edhe për së rëni u bien. Disi, çohen. Çohem edhe unë. Shumë prej tyre janë edhe të lënduar. Marrim arratinë teposhtë Fushës së Bllacës .
Kolona, që nuk di se sa ditë e net ishte aty, tanimë nuk është. E pushtuan forcat speciale të Maqedonisë. Nuk ka më kolonë për të marrë nënshkrime. Ngelën disa batanija të ngjeshura, këpucë të lëna nga të ikurit, tenda e demoluar dhe policë të çaraveshur.
Tashti e kuptova pohimin e një të dituri, emri i të cilit nuk po më kujtohet në këto çaste, kur pat thënë: “ Më e vështirë është të shpëtosh se sa të luftosh”. Po për Zotin, bash kështu na qenka, topi s’e luan.
Diqysh zbrita tek familja dhe fqinjët . Tani vërtetë po habitem: Si është e mundur t’i kem të gjitha gjymtyrët e pathyera në atë rrëmujë që askush asnjëherë nuk e ka parë as në ëndërr?!
P S:
Krejt kjo luftë në mes të policisë dhe kolonës është përcjellë drejtpërdrejt nga shumë gazetarë, fotoreporterë e kameramanë nga tërë bota. Edhe ata pësuan diçka të ngjashme sikurse ne. U rrethuan nga forcat speciale të Maqedonisë, u hodhën në asfalt dhe u dëbuan në drejtim të Shkupit.
Pale se si do t’i njoftojnë kompanitë e tyre. Besoj se në favorin tonë,besoj.
SI NË KOHËN E GURIT
Njerëzit qenkan më të fortë se sa elefantët.
“Ç’ filozofi?!,- do të thoni.-Njerëzit kanë qenë, janë dhe do të jenë përherë më të fortë se elefantët.”
Pakëz durim, ju lutem!
Më ka rënë të shoh filma arsimorë se si turma e elefantëve me zurlën e tyre të fuqishme dhe me forcën prej elefanti shkatërronin dhe shkretëronin botën bimore në ambientin ku silleshin. -“Po,- thosha,- elefantë janë,e kanë forcën. Duhet të mbijetojnë disi. Pastaj edhe film është. E hijeshojnë kamerat dhe regjisorët”.
E, se unë do të jem pjesëmarrës në një shkatërrim dhe shkretërim edhe më të tmerrshëm se sa të elefantëve, këtë nuk kam pasur aftësi e as inteligjencë ta fantazojë kurrnjëherë.
Më shumë se njëqindmijë frymë jemi të ngujuar në këtë “karantinë” nga të katër anët: Nga veriu soldateska serbe, nga perëndimi pengesë natyrore lumi Lepenc, nga jugu ushtria maqedone dhe telat me gjemba ndërsa nga ana lindore kordoni i policisë speciale të Maqedonisë.
Jemi nën qiellin e hapur, pa strehë, në baltë, në shi. Vegla për punë (sëpata, kazma e lopata) nuk kemi. Të dorëzohemi nuk bën assesi. Patjetër na duhet të mbijetojmë disi. Të vetmet vegla për punë kemi këmbët dhe duart. Si në Kohën e Gurit .Tash këto duhet ti vemi në veprim. Po. I turremi natyrës. E sulmojmë nga të gjitha anët. Tubojmë rremba, degë e krane. Thyejmë gardhiçe e shkulim hunj, mbledhim ashkla e cunga. Ndërtojmë kasolle, kallim edhe zjarre. Na duhen sepse fëmijët e shumtë, neve na shikojnë. Ata duhet ti
shpëtojmë nga shiu e të ftohtit e madh.
Shumë shpejtë e pastrojmë hapësirën. Nisim sulmin e dytë: U sulemi pemëve, mollëve e dardhave, kajsive e pjeshkave, kumbullave e arrave , murrizave e kulumbrive, kaçave e manaferrave. U katrrisemi shelqeve edhe plepave, bash sikurse majmunë. Edhe ato i mposhtim. Pak nga pak, filiz pas filizi, rremb pas rrembi, degë pas dege që të gjitha i zhveshim. Të gjitha i shndërrojmë në hi e pluhur. Vetëm për shtatë ditë, Fushën e Bllacës e shndërruam në shkretëtirë. Ajo ngeli pa botën e saj bimore që e kishte ruajtur me shekuj. Edhe arave e livadheve ua prishëm mexhet. Lamë vetëm tokën e ngjeshur që po kundërmon erë shurre e muti.
Fusha e Bllacës kurrë, ama bash kurrë nuk pati kaq shumë zullumqarë.
Sigurisht se elefantët nuk do të kishin kaq fuçi shkatërruese.
Pale se sa do të dergjet kjo tokë, pale!
KUR PARAJA S ’ BËN PARA (!)
Ulem buzë hekurudhës dhe vështroj lumin Lepenc. Uji shkon teposhtë rrëmbyeshëm, lirshëm dhe pa u penguar nga askush. I marr lakmi:
“E Lepenc-Lepenc, i lumi ti!. Shkon drejtë cakut tënd pa hasur në asnjë pengesë”.-flas me veten time.
Interesant, jam tepër i mërzitur. Po tutna se do të vdes këtu në këtë kosh . E, bash tani nuk po më vdiset . Dëshira ime është të marr vesh se çka do të ndodh me neve këtu, por jo vetëm këtu, në përgjithësi, çka do të bëhet me neve shqiptarëve, çka do të bëhet me Kosovën. Kjo po më brengosë tepër shumë. Se, vdekjes normale nuk i frikësohem asnjëherë. Të gjithë njerëzit kanë për të vdekur e unë jam njëri prej tyre.
“O Zot i Mëshirshëm, m’a shto forcën!”- i lutem të Madhit.
Këtu afër meje janë ushtarët maqedonë. Një ushtar erdhi drejtë meje, m’u afrua fare pranë, dhe:
-Tungjatjeta plak!,- më përshëndeti.
-Tungjat djalosh!,-ia ktheva.
-Si po kaloni këtu?-më pyeti.
-Nuk di se si po kalojmë djalosh, nuk di të të tregoj,-i them.
-Nga Maqedonia jeni?!- pyeti i befasuar.
-Jo çun, jo. Nga Ferizaj jam, kosovar.
-Po e flisnit maqedonishten bukur, si kështu?- më tha.
-Paj kam pas punuar një kohë në Dojranin e Vjetër, dhe ja, atje pata mësuar pak sa për të biseduar.
-Në Dojran?! Po unë jam pikërisht nga Dojrani i Vjetër,-ma priti ushtari.
Dhe, si të them, na pëlqeu muhabeti bash mirë. Biseduam bukur gjatë me te. E, në bazë të bisedës, po e shoh se ushtari është i bindur se ne kemi ikur nga bombat e NATO-s.
Tashti, qëllimi im është për ta bindur ushtarin se ne, e tërë ajo popullatë që është para syve të tij , me dhunë të serbëve jemi dëbuar nga Kosova. Më bëhet se ka filluar t’u besoj fjalëve të mia. Me kujdes më përcillte ama ruhej nga ushtarët e sidomos nga eprorët e vet. Nuk foli gjë. U nda duke më përshëndetur me një ditë të mire.
Një bashkëvendës imi më kishte parë duke biseduar me ushtarin.
-More, shumë e zgjate muhabetin me atë ushtar, çfarë biseduat?
-Ee, dolëm si të njohshëm me të,- u mahita.
-Pse s’i the të na nxjerrë nga ky xhehenem?
-Po s’mundet bre vëlla,- i ktheva
-Mundet, mundet. Me pare. Paret e çojnë Lepencin përpjetë, merr vesh ti! Ofroj atij pare, sa të dojë, dhjetë mijë, njëzet e edhe tridhjetë mijë marka(!).Ja ku i kam. Edhe për ty paguaj. Vetëm të dalim nga ky ferr. Jeta e familjeve është në pyetje, hej! Thuaj, mos e le pa i thënë!,- më urdhëroi bashkëqytetari im.
Asnjëherë në jetën time nuk jam futur në këso çullesh. S’di si me i hyrë kësaj pune. Por, “…jeta e familjeve është në pyetje, hej!” më reprizohet. Tash më thotë mëndja ta bëj një gjë të tillë. “Sa ta shoh ushtarin do t’i them u bë ç’ u bë. Njëmend nuk durohet kështu. Pastaj mua s’ më kushton gjë. Paratë janë të këtij, se sa për mua, për njëqind marka do të ngeli këtu për gjithmonë ”,-mendova.
-Ani,do t,i them nesër nëse e shoh ushtarin,- i thash bashkëqytetarit tim.
Të nesërmen dola tek caku im, helbete, mos po e shoh ushtarin. Erdhi sikur të ishim marrë vesh që dje. Më përshëndeti me ngrohtësi.
-Si e kaluat natën, fjetët apo hiq?- më pyeti menjëherë.
-Jo or djalë, si të flemë! E patë, gjatë tërë natës ra shi. As ulë s’jemi. Mbaruam çuno, mbaruam. Pastaj edhe ushtarët t’ uaj s’na lanë të qetë. Tërë natën shtienin me armë sikurse “ata” atje lart. Na u frikësuan fëmijët, u trembëm edhe ne.
-Po, kam dëgjuar se ka pasur të shtëna,-ma priti ushtari,-por ato ishin të domosdoshme, sepse një grup njerëzish paskan tentuar të ikin gjatë natës, prandaj ushtria detyrimisht ka gjuajtur mbi ta për t’i zmbrapsur. Se, merreni me mend,nëse fillojnë të ikin njerëzit grupe- grupe nga ky vend, do të bëhej sikur të shpërthente ndonjë digë, e as Shkupi nuk do të mund të ju ndalë,-foli ushtari si me keqardhje.
Tashti humba shpresën e planit që kisha sajuar.
-Po halli ynë?- e pyeta paksa i frikësuar.
-Mirë do të bëhet, mirë,- tha.
-Kur?!
-Edhe pak ditë, me siguri,- u përgjigj.
-Më frik, më frik!-i them.
-Si po mendoni “më frik?”,-pyeti .
U hamenda t’ia them troç apo të mos i them fare. Vendosa për variantin e parë.
-Me para djalosh, me para,- thash trup e shkurt.
-Si?!- m’i hapi sytë ushtari.
-Dëgjo! (Nie sme devet dushi)- Ne jemi nëntë shpirta . Do t’ju paguajmë sa të doni, deri në tridhjetë mijë marka gjermane. Kuptuat? Jeta e njerëzve është në pyetje çuno! Paraja s’ është gjë. Ajo fitohet ndërsa jeta e njeriut nuk blihet as me paratë e krejt botës. Na e bëni të mundur të ikim…,
-Stop!-bërtiti,-Kjo punë nuk mund të bëhet as me miliona marka! Dini ju sa ushtari është këtu, sa postblloku?! Paj as vremçi nuk mund të përbirohet pa u diktuar e lere më nëntë veta!-tha bukur i nevrikosur dhe vijoi-Paratë ruani! Ato mund t’ ju bëjnë para ndonjë ditë tjetër, sot paraja nuk u bën para!, -bërtiti dhe u largua pa u përshëndetur.
Bashkëvendësi im po priste epilogun e bisedës. Ia tregova fjalët e mia dhe të ushtarit pikë për pike.
-T ’pshurrsha në to!,-i ra xhepit të pasmë bukur të fryrë me dojç marka.
-Jo!,- ia prita.- Mos i lag se na duhen . I kallim e me flakën e tyre ua ngrohim duart fëmijëve! ! !
NJË BEFASI E KËNDSHME
Dita e sotme është dukshëm më e ngrohtë se sa ditët që lamë pas. Shoh, rreth zjarreve nuk ka njerëz. Bashkë me Sokolin ulemi skaj hekurudhës. Vështrojmë njerëzit duke shëtitur nëpër pregjë të rrugës së hekurt sikurse në korzo. Ecin poshtë e lart vetëm sa për ta kaluar kohën. Matanë hekurudhës është lumi Lepenc.
-E more Sokol, po mirë do të kishte qenë sikur të ishim ujë Lepenci. Kishim ecur drejtë cakut tonë pa u penguar nga askush. Neve na ndalën. Ndoshta edhe do të ecim po ku do të shkojmë se?- i them.
-More, u bë diçka!,- m ’a ndërpreu fjalën Sokoli.-Mos paska rënë dikush në lumë ?!
Çohemi në këmbë për të parë më mirë.
“Po, njeri është”, … “Jo- jo, nuk është njeri”! “Po- po, njeri i gjallë është! Po kërkon ndihmë”. “Njeri, njeri qenka por i vdekur!”,- thonin njerëzit kush si ua merrte mendja.
Po. Lepenci e paska rrëmbyer një njeri dhe e bartë teposhtë si një leckë. Afrohet gati drejtë nesh. Deshëm të afrohemi afër lumit por ushtarët na zmbrapsën me urdhër të prerë. Lepenci e çon si kungull. Vala e ujit e sjell përballë ushtrisë. Një grup ushtarësh janë buzë lumit. E shohin. Njëri nga ushtarët, pa u hamendur hedh armën në tokë dhe gjuhet në lumë . Vala e rrëmbyeshme e përlau ushtarin. Ai nuk epej. I afrohet viktimës, e kap. Një valë tjetër i fundos që të dy. Një tjetër ushtar vepron sikurse i pari. Hedhet në ujë dhe ia ngjet kolegut të vet. Ushtari i parë nuk e lëshon viktimën. Luftojnë me stihinë e ujit. Shohim një dramë të vërtetë. Ata nuk dorëzohen. Ngadhënjejnë. Tok me viktimën dalin në breg të lumit. Ushtarët nuk hutohen. E kthejnë njeriun me kokë teposhtë, e shkundin. E kthejnë së mbari dhe e lëshojnë në këmbë. Viktima ecë! Po për Zotin, ecë gati se normal!.
Tubohemi me dhjetëra njerëz dhe dëshirojmë të afrohemi sa më afër për ta parë njeriun e rilindur por ushtarët na kërcënohen. Ushtarit të parë i rrjedh gjak nga krahu, sigurisht se është prerë në ndonjë hekurishte aty në lumë. Ia lidhën krahun dhe bashkë me viktimën u nisën përrpjetë për në aksin rrugor, sigurisht në ndonjë ordinancë mjekësore.
-Burra,- u them të pranishmëve,- ne duhet ta përshëndesim këtë gjest human,këtë gjest njerzor të ushtarëve. Mënyra e vetme është të duartrokasim të gjithë.
Duartrokitëm fort dhe gjatë.
Eprorët por edhe ushtarët duken bukur të disponuar. Edhe ata duartrokitën bashkë me ne.
Më në fund, ja, pamë edhe një befasi shumë të këndshme.
Bota ka shumë nevojë për befasi të tilla,për duartrokitje humane, ka nevojë.
PS:
Njeriu që shpëtoi nga vdekja e sigurt, thanë se ishte nga Prishtina. Ishte një djalë rreth të pesëmbëdhjetave, i cili paska rënë në lumë duke dashur t’i pastrojë sytë. Për te nuk di më shumë.
KU ËSHTË BLLACA ?
Po e shoh të arsyeshme t’i them disa fjalë për Bllacën.
Bllaca është katund ngatë Hanit të Elezit. Shtrihet në kodra, në anën lindore të lumit Lepenc. Momentalisht është i ndarë. Disa shtëpi kanë ngelur në territorin e Kosovës e disa të tjera kanë “shkuar” me Maqedoninë.
Poshtë fshatit është ndërtuar vendkalimi kufitar Maqedoni – Kosovë me krejt infrastrukturën e nevojshme. Nën këtë vendkalim kufitar, në anën e poshtme të aksit rrugor Elez Han- Shkup, shtrihen disa ara e livadhe, të cilat kufizohen nga veriu me vijën kufitare Maqedoni- Kosovë, nga ana perëndimore me lumin Lepenc, nga jugu me një përroskë të vogël dhe nga ana e lindjes me magjistralen Shkup-Kosovë. Kjo hapësirë e vogël quhet Fusha e Bllacës. Ose kjo fush mund të quhet edhe shportë hedhurinash në të cilën ne shqiptarët, tash të askujt, jemi të hedhur në të.
Kjo fushë, tash frik është bërë e njohur. Se, Bllaca kurrë nuk do të njihej si fshat por as si vendkalim kufitar. Bllacës i doli zani dhe nami mu në këto ditë prilli të vitit 1999. Ky vend mu në këto ditë prilli të vitit 1999 është në fokus të mediave elektronike botërore.
Kjo fushë, në këto ditë prilli është shndërruar në ferr, ose “poligon” (unë e pagëzova kështu) ku demonstrohet ferri vet.
Provat bëhen me shqiptarët e Kosovës. Ata (shqiptarët) janë future në sandviç, në mes kullës e çekiçit, si thonë,-(serbëve nga ana e siperme dhe maqedonëve nga ana e poshtme ). Provohen (shqiptarët) sa janë të qëndrueshëm nën qiellin e hapur, në shi e pse jo edhe në bore; si reagojnë në situate kaotike; si sillen në “karantinë” (ma merr mendja se karantina s’ka brirë) ose në shpoten e hedhurinave; sa janë të orientuar në hapësirë por edhe në kohë; sa janë imun ndaj etjes,urisë, pagjumësisë, ndaj pisllëkut; çfarë virusesh po përhapen; çfarë epidemi po i përlan këto krijesa në këso rrethanash të pazakonshme,abnormale; sa prej tyre po i përballojnë kësaj prove e sa jo, pse po vdesin njerëzit, cilët janë shkaktarët e këtyre vdekjeve; sa, sa, sa e si, si dhe si?!
Dhe, ç ’është më interesante, e tërë kjo katrahurë, i tërë ky “eksperiment” po vëzhgohet-përcillet drejtpërdrejt nga ekspertë të ndryshëm . Këtu, në këtë fushë janë të përqendruara objektivat e shumë kamerave televizive nga i gjithë rruzulli tokësor. Ato (kamerat) me besnikëri të plotë gjirojnë por edhe transmetojnë pamje tmerruese, trishtuese dhe shokuese në çdo skutë të botës.
Bota, me sa po duket, u befasua me “rezultatin e provave në poligon”. Madje ato (provat,ë?) dolën tepër të “suksesshme”.
Dikush, i porositur nga Vet Zoti, dha urdhër:
-Të ndërpritet “eksperimenti” aty- për aty, pa asnjë kusht!
-Pamjet e tilla janë të papërballueshme për botën e civilizuar.
-Të mos ua prishim qetësinë familjeve në botë!
-Të mos ua ndalim rriten fëmijëve të botës!
Kjo është Fusha e Bllacës.
Se, mos po u duket pak, ë?!
Komentoni
Artikuj te tjere
Qazim Namani: Migrimet e para hebreje në Gadishullin Ballkanik (I)
Nuridin Ahmeti: Shqiptarët në jetën politike e shoqërore në Afrikë
Sabile Keçmezi- Basha: Profesor Ymer Berisha dhe Organizata Politike Ilegale Patriotike Shqiptare ''Besa Kombëtare'' në Kosovë
Kujtim Mateli: Shqipëria e jugut në shekujt XV-XVI dhe Mazhani me famë në histori
Avzi Mustafa: Akademik Olivera Jashar - Nasteva - 10 - vjet e mertisur dhe e harruar
Qazim Namani & Behxhet Dibrani: Gërmime klandestine në fshatin Gumnishtë (komuna e Vushtrrisë)
Sabile Keçmezi- Basha: Zanafilla e shtypit shqiptar
Bukurosh Z. Dylgjeri: Pse quhemi “Shqiptarë”?
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XVI)
Valon Kurtishi: Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XV)
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV)
Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990
Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve
Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII)
Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar
Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin...
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII)
Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII)