Speciale
Sabile Keçmezi- Basha: Kosova në trajtimin e organizatave e grupeve ilegale në Shqipëri (1945-1948)
E merkure, 03.02.2010, 10:00 PM
Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha
Fillet e pakënaqësisë tek shqiptaret
Që nga themelimi, Partia Komuniste Shqiptare (PKSH)
kishte për qëllim dhe synim kryesor ardhjen e saj në pushtet. Dhe siç dihej, me
28 Nëntor 1944 në Tiranë hyri Qeveria Demokratike. Në këtë periudhë populli
ishte optimist dhe në mënyrë solemne priti luftëtarët e lirisë. Por, zhgënjimi
ndodhi qysh në ditët e para të “lirisë”, se vendi iu nënshtrua një terrori të
egër, filluan vrasjet e ndjekjet me gjyq e pa gjyq, u mbushën listat me të
gjitha kategoritë e njerëzve nga më të thjeshtit deri tek brilantet e kulturës
shqiptare, mjafton të kishin mendime të ndryshme nga ato të komunistëve[1],
dhe arrestoheshin pa pardon.
Sigurisht, kishte diferenca politike
në zhvillimin historik për të cilën flasim. Megjithatë, partitë komuniste në të
gjitha vendet e botës, kishin si qëllim
të shkatërronin kundërshtarët ose konkurrentët politik, ideologjik,
shpirtërorë, real ose potencial njëherë e përgjithmonë. Doktrina kërkonte që
për të eliminuar përfundimisht kundërshtarët, ata për këtë qëllim, iu ishte e
lejushme të përdorshin të gjitha mënyrat më të efektshme që shërbenin për ti arritur qëllimet, që nga
dënimi me vdekje, ekzekutimi dhe burgimet për një kohë të gjatë deri në
emigracionin e detyruar drejt perëndimit, procedurë më pak mizore, por që
dobësonte forcat rezistence ndaj komunistëve dhe që përgjithësisht kanë qenë
nënvlerësuar në analizën historike të shumë vendeve komuniste[2]
nga e cila nuk u kursye as Shqipëria.
Shqiptarët në të dy anët e murit të
ndarjes, por sidomos nga ana e përtejme (në Kosovë, shënim i SK-B), kanë
zhvilluar një luftë të vendosur për shembjen e tij, për të siguruar një jetë të
lirë në shtetin e bashkuar kombëtar[3],
por të gjitha aspiratat dhe kërkesat e drejta të tyre përfunduan kështu siç
përfunduan. Duhet shtuar se rrethet patriotike shqiptare nuk u pajtuan dhe nuk
mund të pajtoheshin me ata kufij politik shtetëror, që u vendosën nga Fuqitë e
Mëdha evropiane...[4]
Ndërsa, forcat e djathta, si në
Shqipëri, Kosovë e gjetkë, qëllim parësor kishin bashkimin
e të gjitha tokave shqiptare në një shtet demokratik shqiptar sipas shembullit
të Evropës Perëndimore dhe SHBA-ve. Në
këtë suazë atdhetarët demokrat të Shqipërisë kishin objektiv shembjen e
regjimit komunist dhe krijimin e Shqipërisë Demokratike, të parapëlqyer e të
projektuar nga ideologët e Rilindjes sonë Kombëtare[5],
këto synime edhe ishin ato kundërshti tragjike që do të manifestohen tek
populli i ynë në vitet e pasluftës.
Për të eliminuar çdo formë të kundërshtimit ndaj vendosjes së diktaturës, u zhvilluan një numër i madh procesesh gjyqësore politike, ku u dënuan shumë intelektual e politikan demokratë të cilët konsideroheshin si një rrezik permanent për të[6]. Pjesa më e madhe e të dënuarve ishin nacionalistë, aktivistë politikë të cilët ishin të përfshirë në mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe që mbronin me çdo kusht kufijtë etnik të saj, dhe shumica prej tyre luftonin për një sistem pluralistë e demokratik në vend dhe mbronin vlerat e demokracisë perëndimore.
Menjëherë pas çlirimit, kur mendohej se Shqipëria kishte
marr të mbarën, në sfondin politikë të saj u dukën edhe shenjat e para të
eliminimit të organizatave dhe grupeve që shprehnin mos kënaqësi me komunistët
që kishin rrëmbyer pushtetin. Kjo pakënaqësi u shtua edhe më me forcë kur u pa
qartë se Partia Komuniste në fakt ishte kundër grupeve apo organizatave
opozitare, kur ajo çdo mendim të kundërt me atë të sajin e etiketonte si
armiqësor, tradhtar, antipopullor etj. Andaj, ajo historia ishte e gjatë, e
dhembshme dhe edhe tani fletë me fakte të argumentuara. Mbas zgjedhjeve të 2
dhjetorit 1945, Partia Komuniste në Shqipëri nuk lejoi asnjë organizatë apo
parti opozitare që të zhvilloi aktivitetin e vet partiak, por përkundrazi mori
masa dhe një nga një i eliminoi nga skena politike. Ajo me anën e rrjetit të
sigurimit të shtetit survejonte çdo mendim opozitar dhe mbartësit e tij i dërgonte
në gjyqe për të dhënë llogari si armiq e tradhtar[7].
Pakënaqësia tek popullata shqiptare shtohej dita më ditë, duke përfshirë tërë
territorin e Shqipërisë. Popullata e pakënaqur duke e parë se në çfarë kahe
shkonte Shqipëria, filluan në mënyrë të organizuar të shprehnin mospajtimin dhe
pakënaqësinë e tyre. Gjatë kësaj periudhe u formuan dhe vepruan organizata të
ndryshme opozitare të cilat më vonë kaluan në ilegalitet të thellë, që nga
organet e shtetit u njekën, u zbuluan dhe u arrestuan në të shumtën e rasteve
anëtarët e tyre.
Por, ndodhte shpesh se grupet armiqësore krijoheshin edhe sipas situatave dhe sipas urdhrave që vinin nga Seksioni i Sigurimit. Ja se çfarë shkruan Pjetër Arbënori (ish i dënuar politik), për Seksionin e Sigurimit: Në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit bënte pjesë edhe Seksioni i Sigurimit i cili merrej me informacionin, me biografin, me spiunazhin, me klasifikimin e armiqve, me arrestimet dhe me hetimet e fshehta. Ky seksion ishte një organizëm sekret, një përbetim për të ruajtur përjetësisht pushtetin komunist në Shqipëri... Në vitin 1948 Sigurimi i Shtetit u nda nga organizatat bazë të partisë, por nuk e humbi bashkëpunimin me të”[8]. Për të vazhduar më tej se: Sigurimi i shtetit kishte celulat e veta në lagje, fshatra, ndërmarrje, institucione, reparte ushtarake. Organizatat bazë të partisë ishin të lidhura ngushtë me sigurimin dhe çfarëdo që do të ndodhte në teren të një organizate bazë partiake i raportohej ose njoftoheshin punëtorët e sigurimit për veprim. Rregull ishte që çdo njeri do të shkruante autobiografinë çdo vit me të gjitha hollësitë, sidomos me gjërat e dyshimta. Faza e parë ishte kritika, pastaj demaskimi, në fund heqja e triskës së Frontit me ceremoni. Në vendin e punës goditja kishte shkallëzime të tjera: ulja në kategori, kalimi me punë në prodhim, shkurtim kuadri, kalim me punë në kantiere te largëta prodhimi, shkuarja në bazë në vendlindje ose në Malësi, pushim nga puna. Por, mbas vitit 1950 u vu në përdorim edhe “Libri i shtëpisë”, sipas shembullit sovjetik, me të cilën ishe i detyruar të shënoje çdo njeri që të vinte në shtëpi qoftë për të fjetur edhe një natë. Fillimisht duhej ta regjistroje mysafirin në zyrën e Këshillit, të shënojë kush ka ardhur, çfarë lidhje ke me te, nga ka ardhur, përse ka ardhur, sa do të qëndrojë, çfarë numri dokumenti ka dhe të blejë edhe pullën edhe t’ia ngjiste faqes së librit[9]. Për të proklamuar një organizatë armiqësore nuk mungonin as akuzat false, siç ndodhi me klerin fetar. Me të madhe torturoheshin dhe përfshiheshin në shumë organizata ilegale edhe tregtarët që me anën e torturës iu nxirrnin fjalë kundër shtetit dhe sistemit e pastaj atyre iu uzurpohej e tërë pasuria. Gjatë viteve të para të pas luftës së Dytë Botërore u organizuan dhe u zbuluan shumë grupe e organizata siç ishin: Grupe oficerësh të Zogut, grupe intelektualësh e shkrimtarësh të shumtë, Grupi i deputetëve, grupi tekniko-intelektual i shkollës së Fullcit, Grupi i Maliqit, Fronti i Rezistencës etj. Ndërsa të sajuar nga sigurimi Gjyqi i Koqi Xoxës, Vaske Kolecit, Vangje Mitrojorgjit, Bedri Spahiut, Tuk Jakovës, Gjyqi i Teme Sejkos, Liri Belishovës. Gjyqi i kinezëve siç quhej procesi gjyqësor i Abdyl Këllezi, Koço Theododhosi, Beqir Ballukut, Hito Cako, Petrit Dume, Memet Shehut[10] e shumë të tjerëve
Tradhtia e madhe
Aneksimi i Kosovës në Serbin Federale shënon manovrimin
sllavo- nacionalist dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej
kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe për kundër sakrificave të mëdha në luftën
antifashiste nuk përfituan nga rasti në përmbushjen e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata
pas legalizimit të ri-okupimit në Kuvendin e Prizrenit (1945), u detyruan të
ndiqnin një politikë më ndryshe dhe më të pranuar në kohë e hapësirë[11].
Por, lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk pushoi, natyrisht
me forma të reja, të imponuar nga situata e krijuar.
Ato forca dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë
kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të
organizuar, legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për
bashkimin e tokave shqiptare. Shi për këtë, ishte e natyrshme që të bëhej një organizim i atillë, sepse ku
ka okupim dhe robëri, lind edhe rezistenca e qëndresa e popullatës.
Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi
një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, dhe likuidoheshin
patriotët dhe intelektualët e paktë. Në Drenicë dhe në shumë vende të tjera të
Kosovës bëhej gjenocid i vërtet. Edhe pse ishte e pushtuar Kosova, ajo edhe më
tej trajtohej si zonë e rrezikshme dhe e pasigurt për shkak se banohej me një
popullsi shumicë jo sllave, e shtypur dhe e diskriminuar[12].
Andaj edhe ekzistonte frika tek okupuesi.
Me ketë gjendje të imponuar, ku “liria” dhe “barazia” e
popullit shqiptar ishin shndërruar në robëri nga një pakicë kombëtare –serbët
dhe malazezet, kuptohet se populli shqiptarë- liridashës nuk ishte i kënaqur.
Meqë popullata shqiptare që jetonte përgjatë kufirit me shtetin amë, edhe
zyrtarisht ishin shpallur si element i pabesueshëm[13],
për këtë arsye edhe filloi një fushatë e paparë ndaj tyre. Ata me të madhe ndiqeshin,
burgoseshin, torturoheshin, detyroheshin të shpërnguleshin, madje edhe
vriteshin dhe askush nuk merrej në përgjegjësi. Fundja, të gjitha masakrat, që ua bënë shqiptarëve, ishin të
zyrtarizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Naçertania “ e
Garashaninit, elaboratet e I. Andriqit, I. Vukotiqit, elaboratet I, II të Vasa
Çubrilloviqit, të cilat vazhduan të
zbatohen me përpikëri nga politike serbe.
Viti 1945, vlen të cekët se tek popullata shqiptare do të
kujtohet si viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës, sepse u pushkatuan
mijëra veta, shumë u zhdukën pa gjurmë, mbi 30 mijë u futën në burgje dhe u
vendosën në kampe, qindra mijëra morën botën në sy ( si në Turqi e vende të
tjera), e shumë të tjerë u vranë e u likuiduan pa gjurmë jashtë Kosovës[14]
. Të gjitha këto që u cekën më lartë u bënë nën maskën e njëfarë
“Vëllazërim-bashkimi” që quhej atëherë.
Kuvendi i Prizrenit
(8-10 qershor 1945), nuk ishte as i para e as i fundit i cili solli
vendime që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi
federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga Kuvendi i Prizrenit
pushtetarët jugosllav kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”
Andaj, pas përfundimit të LDB-së, sikurse në Kosovë dhe viset e tjera të banuara me shqiptar nën ish- Jugosllavi, njashtu edhe tek popullata shqiptare në shtetin shqiptarë në Shqipëri ngelën të pakënaqur dhe të mllefosur për copëtimin e trojeve shqiptare nga ana e Fuqive të Mëdha dhe nga vet udhëheqësit komunist shqiptar. Si revansh i kësaj situate të krijuar, dhe të pakënaqur me këtë situatë, shumë organizata e grupe ilegale- opozitare në Shqipëri, filluan që në programet e tyre politike të futnin edhe Kosovën si çështje, që kërkonte zgjidhje të shpejt. Ndërsa, intelektualët e shquar filluan hapur të shprehnin pakënaqësinë e tyre me mbetjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën tutelën e ish- Jugosllavisë.
Formimi i organizatës ilegale “Bashkimi Demokratik Shqiptar”
Por, para se të analizojmë programet e tyre politike të
organizatave ilegale, do të ndalemi në formimin dhe aktivitetin e vetë organizatave
që vepruan legalisht e më vonë ilegalisht në vend. Njëra ndër organizatat më të
njohura ilegale në Shqipëri, dhe që zgjoi kërshërinë dhe interesimin më të madh
tek opinioni i gjerë pa dyshim ishte organizata ilegale “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, që u formua me bashkimin e tri
partive të mëhershme që kishin veprua të pavarura njëra me tjetrën..
Nga pikëpamja numerike, këto grupime fillimisht ishin të
vogla por që në kuadrin e tyre vepronin atdhetar të shquar, që kryesisht ishin
shkolluar dhe mbaruar fakultetet në shtetet perëndimore. Pas bashkimit të
këtyre tri organizatave që kishte ndodhur diku nga fundi i qershorit 1945. Ato
arritën që të formonin edhe “Komitetin
nacional iniciator”, i cili do të drejtonte e do të koordinonte veprimtarin
ilegale të këtyre grupeve opozitare, do të shtonte radhët me anëtarë të rinj
jashtë Frontit, të cilët ishin të pakënaqur nga ligjet dhe reformat ekonomike e
politike që ndërmerrte qeveria e re shqiptare. Në korrik, ky komitet, sipas të
dhënave që na i ofron aktakuza e prokurorit u shndërrua në “Komitet Qendror Provizor”[15].
Ku më vonë, ky komitet mbajti disa takime që u vendos për punën dhe aktivitetin
e mëtejshëm të saj në rrethana të reja politike dhe u sollën shumë vendime që
kishin rëndësi jetike për organizatën.
Pas një periudhe të gjatë të veprimtarisë së organizatës,
por, po ashtu edhe të përcjelljes nga
organet e sigurimit, në janar dhe në fillim të shkurtit të vitit 1946, anëtarët
e organizatës u kapën një nga një dhe u arrestuan, duke i torturuar deri në
paskajshmëri vetëm e vetëm që të pranonin ekzistencën e organizatës dhe të
pranonin aktivitetin e tyre kundër shtetit dhe kundër partisë në pushtet. Nga
torturat fizike e psikike, të arrestuarit ishin të detyruar që të pranonin e të
nënshkruanin akuzat që në vendin e tyre
i kishin përpiluar më herët vetë hetuesit.
Procesi gjyqësor
i anëtarëve të organizatës “Bashkimit Demokratik Shqiptar”
Atë ditë të ngrohtë vere, e në Tiranë, verat din me qenë shumë të nxehta, e sidomos në sallat ku mbahen gjykimet me karakter politik, ku para trupit gjykues të Tiranës, përpara prokurorit Nevza Haznedarit, në bankën e zezë u ulën patriotët, dhe intelektualët më të devotshëm të asaj kohe. Në listën e të akuzuarve ishin: 1. Sami Qeribashi (61 vjeç), tregtar nga Gjirokastra, dënohet me pushkatim. 2. Xhahit Koka (40), Ellasone ( Larisa, Greqi), ekonomist i mbaruar në Bukursht, dënohet me pushkatim 3. Hivzi Gole (36 vjeç), kishte mbaruar fakultetin juridik në Paris, dënohet me vdekje- pushkatim. 4. Qenan Dibra, (36 vjeç). Dibër e Madhe, kishte të mbaruar jurisprudencën në Paris. U dënua me pushkatim. 5. Tut Mahmut Meniku (41), Tiranë, ushtarak, u dënua me pushkatim 6. Telat Drini, (37), Dibër e Madhe, nëpunës poste, dënohet me pushkatim. 7. Mehmet Ali Beshiri, (42 ), Tiranë, kishte mbaruar shkollën tregtare në Austri. Dënohet me pushkatim. 8. Ali Kavaja, (36), Kavajë, kishte të mbaruar shkollën teknike te Fulcit me sukses të shkëlqyeshëm, dënohet me vdekje. 9. Shaban Balla (42), Krujë, gjeometër. Dënohet me vdekje- pushkatim. 10. Jorgji Çoka, profesor (38), Tiranë, tregtar. Dënohet me vdekje- pushkatim. Pas tyre në listën e gjatë të të dënuarve vinin personat që ishin të dënuar me burg të përjetshëm (101 vjet, ata ishin: 11. Gjergj Kokoshi (42), Shkodër. Kishte doktoruar në Paris, letërsinë. Dënohet me 30 vjet burg, vdes në burgun e Burrelit. 12. Suat Asllani (43 vjeç), avokat nga Libohova. Studimet i kishte mbaruar në San Demetrio Korone dhe në Napoli të Italisë, dënohet me 15 vjet burg. 13. Musine Kokallari (28 vjeçe), e lindur në Adana të Turqisë, doktoron në Romë për letërsi. Dënohet me 30 vjet burg. 14. Anesti Orollogai (49 vjeç), Korçë. Dënohet me 25 vjet burg. 15. Kolë Rodhe (63 vjeç), Korçë. Dënohet me 30 vjet burg[18].
Me burgim të përjetshëm në këtë proces gjyqësor u dënuan
këta persona: 16. Lluka Bibi,(46 vjeç), jurist nga Përmeti, 17. Anton
Dukagjini, 54 vjeç , pensionist nga Puka, 18. Enver Hasa, 27 vjeç, ish- oficer
nga Dibra, 19. Abdullah Muça, 30 vjeç, inxhinier nga Tirana.[19]
Të dënuarit me 30 vjet burg ishin: 20. Nefail Shikuli, 30
vjet, ish- oficer nga Dibra, 21. Qemal Biçaku, 26 vjeç, tregtar nga Elbasani,
22. Reiz Hasho, 22 vjeç student nga Gjirokastra.[20]
Me nga 25 vjet burg u dënua vetëm 23. Myrteza Beli, 44
vjeç nëpunës nga Korça. Ndërsa me nga 20 vjet u dënuan: 24. Hasan Kalaja, 36
vjeç, shegert nga Kruja, 25. Stefan Bumçi, 33 vjeç ish- oficer nga Shkodra, 26.
Vahid Vërdalli, 60 vjeç bujk nga Korça dhe 27. Haki Gjinishi, 53 vjeç, financier
nga Peqini.
U dënuan me 10 vjet burg: 28. Haki Karahoda, 34 vjeç, punëtor nga Elbasani, 29. Pali Terova, 37 vjeç, nëpunës nga Korça, 30. Niko Beça, 33 vjeç, tregtar nga Tirana, 31. Musa Dizdari, 33 vjeç, profesor nga Shkodra, 32. Llazar Papapostoli, 31 vjeç, nëpunës nga Bilishti. Me 5 vjet burg u dënua 33. Semiramise Verlaci, 62 vjeç, shtëpiake nga Elbasani. Ndërsa me 1 vjet burg u dënuan: 34. Pjerin Shala, 26 vjeç, ish- oficer nga Shkodra, 35. Nesim Starova, 39 vjeç, nëpunës nga Pogradeci. Dhe vetëm dy persona u shpallën të pafajshëm: 36. Xhevat Miluka, 38 vjeç, ish- oficer nga Dibra dhe 37 Taqo Ruqi, 42 vjeç, ish, oficer nga Kolonja.[21]
Telat Drini:
E kam kritikuar qeverinë se la mënjan çështjen e Kosovës
Në mesin e të dënuarve me vdekje-pushkatim ishte edhe
Telat Drini i cili ishte i lindur në Dibër të Madhe më 1909, punonte si nëpunës
poste në Tiranë. Por, me kohë ra në kontakt me intelektual nacionalist si me
Qenan Dibrën, Hivzi Golën e të tjerë, dhe pas një kohe të aktivitetit
arrestohet dhe dënohet me pushkatim. Në deklaratën e vetë dhënë para publikut
që ishte në sallë, ai përgjigjet se: “ “Unë Konferencën e Pezës e kam parë me
sy të mirë. Edhe pushtetin demokratik në fillim e pashë me sy të mirë, por
pastaj e kam kritikuar pse në qeveri ishin njerëz të paaftë dhe lanë mënjanë
çështjen e Kosovës. Kam kritikuar lidhjet me Bashkimin Sovjetik e Jugosllavin
dhe kam dëshiruar që Shqipëria të lidhet me Perëndimin, Amerikën e Anglinë”.
Për të vazhduar më tej se “ Vendosëm me shokë të grupit të bënim një
demonstratë më 28 nëntor kundra veprimeve antipopullore të qeverisë siç ishte
lidhja me Jugosllavinë dhe lënia asaj
Kosovën...”[22]
Ndërsa i dënuari tjetër Xhahit Koka, që në listën e të akuzuarve ishte i dyti
me radhë, menjëherë pas Sami Qeribashit. Ai ishte i lindur në Ellasone, në
Larisa të Greqisë më 1906. Kishte mbaruar Fakultetin e shkencave
politiko-ekonomike në Bukuresht. I takonte Lëvizjes së Legalitetit. Arrestohet
në janar të vitit 1946 dhe dënohet me vdekje –pushkatim. Në pyetjen e hetuesit se
: Cili jeni ju? Ai do të përgjigjet: “Jam shqiptar, nacionalist e demokrat.
Jam për Shqipërinë e lirë, etnike e pa sllavë” para publikut të “zgjedhur”
do të përgjigjej Xhahit Koka. Në procesverbalin e datës 11 mars, 1946, merret
në pyetje atdhetari Xhahit Koka, i cili deklaron se: “Kam bërë mbledhje në
mullirin e Hajrullah Muçës së bashku me Qenan Dibrën, ku kemi shtruar çështjen
e sigurimit të Kosovës dhe të Çamërisë, njohjes së partive opozitare,
referendumit popullor lidhur me regjimin dhe memorandumit për aleatët lidhur me
njohjen e opozitës...”[23].
Sipas procesverbalit, Xhahit Koka dëshmon se pas bashkimit të tri partive, si
të Legalitetit, Social-demokrates dhe indipendentit, ata vendosin që të
shkruajnë një memorandum që do iu dërgohet anglo-amerikanëve. Në këtë
memorandum do të përfshihen katër pika kryesore të cilat do të ishin si:
1. Njoftimi i koalicionit të krijuar,
2. Kthimi i kufijve etnik,
3. Reforma shoqërore-ekonomike dhe nën
4. do të përfshihej çështja e regjimit me referendum
etj...’ dëshmon vet Xhahit Koka që, gjykata e përdor si dëshmi të vetme që
argumenton “fajin” e tij, në të vërtet dëshmon pafajin e tij, ngase i hedhë poshtë
të gjitha akuzat e pa baza që i veshën atij dhe grupit të tij.
Sipas deklaratës së Gjergj Kokoshit të dhënë në hetuesi
thuhej se “Lidhur me hartimin e programit ngjalli debat çështja nëse në program
do të përfshihej edhe kërkesa për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pra
problemi i Shqipërisë Etnike me kufijtë e viteve 1913. Kjo çështje kishte
dilema se nuk duhej të përfshihej në program, ngase mendonte Gjergj Kokoshi
duhet lënë mënjan, njëherë për një herë, sepse Jugosllavia, si shtet aleat,
përbënte garanci mbrojtjeje për Veriun në kohën kur Shqipëria kërcënohej në Jug
nga Greqia dhe vihej në pikëpyetje tërësia territoriale”[24].
Mirëpo, ai nuk gjeti përkrahjen e shumicës. Andaj, çështja e Kosovës u fut në
programin politik të organizatës.
Mirëpo, sipas disa shënimeve që na i ofron historiani Demir Dyrmishi thuhej se “Krahas këtij programi organizata kishte dhe një variant tjetër programi që nuk ua paraqiti misioneve të huaja, i cili binte ndesh si me politikën e shtetit shqiptar, që ishte i orientuar nga lindja, ashtu edhe me atë të qeverive aleate, që nuk ishin për ndryshim kufijsh në Ballkan. Programi i pashpallur përmbante veç atyre që shtjelluam edhe zgjidhjen e problemit të Kosovës me anën e një plebishiti, ose sipas Konferencës së Paqes, mbajtjen e një fuqie të armatosur sa për sigurimin publik, zbatimin e të gjitha reformave...”[25]. Edhe pse sipas të gjitha konferencave ndërkombëtare që ishin mbajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova i plotësonte kushtet që të jetë e bashkuar me Shqipërinë, megjithatë ajo ngeli jashtë saj, si gjithmonë Fuqitë e Mëdha lozën lojën e tyre pa rregulla vetëm e vetëm që të mbronin zonat e tyre të interesit. Bile në shumë shënime dhe procesverbale të gjykatës thuhej se fjala e fundit para ekzekutimit të ilegalëve të dënuar, në pjesën më të madhe ishte: “Rroftë Shqipëria me Kosovën”
Ali Kavaja: Rroft Shqipëria me Kosovën
Ali Kavaja u dënua me grupin e organizatës ilegale
“Bashkimi demokratik shqiptar”, në këtë proces gjyqësor, ai akuzohej se ka
bashkëpunuar me Sami Qeribashin dhe Qenan Dibrën, dhe se ka dashur të organizoj
kryengritje për shkatërrimin e sistemit popullor. Arrestohet në fillim të
janarit të vitit 1946. Me 18 janar prokurori i Gjykatës Ushtarake Nevzat
Haznedari e paraqet për gjykim duke e akuzuar me akuzat më të rënda që
ekzistonin.
Gjykatësi për të gjitha këto akuza e dënoi me vdekje-pushkatim. Kur i shqiptuan dënimin ishte në moshën 36 vjeçare dhe vinte nga një familje me tradita patriotike nga Kavaja, ku vazhdimisht mendohej se të vdesësh për atdhe, atë të gjithë e kishim hak. Gjatë procesit të ekzekutimit, që u krye me 3 korrik 1946, Ali Kavaja me 9 shokë të tjerë, fjalën e fundit që e kishin thënë ishte: “Rroftë Shqipëria me Kosovën, Vdekjen e kemi hak”, që të dhjetit kishin rënë nga plumbat në një gropë të madhe që edhe sot nuk dihet se ku.
Disidentja e pare shqiptare- Musine Kokalari
Vala e gjyqeve të inskenuara në Shqipëri kishte filluar
menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe u
organizuan shumë procese gjyqësore[26],
ku në bankën e të akuzuarve u ulën intelektual të shumtë, dhe kryesisht, ishin
ata, që ishin të pakënaqur me sistemin e ri komunist, dhe që nuk ishin të
kënaqur që vendi i tyre ngeli në lindje. Edhe pse, armata e të pakënaqurve
ishte tejet e madhe, pushtetarët megjithatë nuk ndërmorën asgjë për të ndryshua
gjendjen.
Fillimisht, ata, filluan fshehurazi që të shprehnin
pakënaqësitë e tyre, për të kaluar më vonë në formimin e grupeve e organizatave
të para ilegale. Në këtë mënyrë, do të lindin
bërthamat e para të opozitës shqiptare,
në jetën politike. Në fillim ishte “Fronti i Rezistencës”, e më vonë fillojnë
të lindin edhe organizata te tjera ilegale. Në skenën politike shqiptare dalin
intelektualët e shquar që nuk ishin të kënaqur me rrjedhat politike, pastaj
vijnë e marrin hov edhe patriotet nacionalist që ishin të shumtë në tokën
shqiptare, dhe në ndërkohë filluan të bashkëpunonin ngushtë me
social-demokratet, që në vete kishin përfshirë emra të rinj e të nderuar si:
Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokallari[27]
e shumë të tjerë.
Në radhët e opozitës shqiptare të pasluftës nuk mungonin
as emrat e njohur të cilët kishin marr pjesë dhe e përkrahnin me besnikëri
Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, e ata nuk ishin të pakët. Dëshpërimi nga ana e
udhëheqësve komunist që kishte pasua menjëherë pas lufte i detyroi ata që të
tërhiqeshin dhe të merrnin qëndrim të
kundërt. Me kohë u vërejt se nuk u respektuan qëndrimet e Mukjes dhe të Bujanit[28].
Andaj, çdo qëndrim i mëtejshëm në këto pozita për atdhetarët që donin një
Shqipëri të bashkuar e demokratike ishte fyese për ta....................................2
Demokratet, duke e parë nevojën, se vetëm si të bashkuar,
do të lëviznin diç nga zeroja që e kishte kapluar Shqipërinë, filluan të
vepronin duke shpresuar se një ditë do ia arrinin qëllimit. Një i dënuar
politik, do të dëshmonte para hetuesve, duke thënë se: “ Në verën e vitit 1945
kam hyrë në lidhje me grupet e tjera antikomuniste të kryesuara nga Sami
Qeribashi e Qenan Dibra dhe kemi hartuar memorandumin që do t’iu dërgohej
misioneve ushtarake aleate të akredituara në Tiranë, e që ishte miratuar në
mbledhjen e 6 nëntorit...”[29],
kështu do të deklaronte Musineja gjatë hetuesisë. Në memorandumin e hartuar nga
tri partitë antikomuniste, ishte edhe një kërkesë që tek hetuesit kishte
ngritur reagime të papara. Fjala ishte për kthimin e kufijve etnik të
Shqipërisë. Ngase në hetuesi Telat Drini kishte deklaruar se “ne jemi takuar me
Qenan Dibrën, ku kemi shtruar çështjen e sigurimit të Kosovës dhe të
Çamërisë...[30]”.
Që në atë mbledhje pa dyshim ishte pika kryesore e referimit të anëtarëve të
organizatës.
Në vjeshtë e vitit 1945, në shtëpinë e Ali Kavajës këto
tri grupe do të bashkohen në një organizatë. Grupimet që u bashkuan ishin: “Partia Social-Demokrate”, që kryesohej
nga profesoresha Musine Kokallari, “Partia
e Legalitetit” (zogiste), që kryesohej nga avokati Qenan Dibra dhe “Fronti i Rezistencës” (indipendent),
që e udhëhiqte avokati Sami Qeribashi, duke formuar një organizatë më të madhe,
më të fortë e më të fuqishme antikomuniste që e quajtën “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, i cili kishte degë në shumë rrethe.
Me formimin e kësaj organizate, intelektualët e shumtë filluan të frymonin më
lehtë dhe në të aderuan një numër i madh i patriotëve të pa angazhuar gjerë më
atëherë në partitë politike[31],
duke pasur shpresën se me punën e tyre do të ndikonin në jetën politike të
vendit.
Pas një aktiviteti të lakmueshëm dhe kur u mendua se organizatës e sapo formuar iu dha e mbara, organet e hetuesisë i ranë në gjurmë veprimtarisë së saj dhe filluan të zbuloheshin anëtarët e saj. Në vitet e para të pasluftës në Shqipëri ishte vu si të thuash një “rregull” i pa shkruar nga organet e hetuesisë. Çdo gjë dhe çdo veprim që nuk i shkonte përshtat organeve të pushtetit, survejohej me besnikëri nga njerëzit e tij. Dhe ishte krejt e natyrshme që një organizatë aq e madhe dhe aq aktive siç ishte “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, që të mos bie në sy. Në janar të vitit 1946 anëtarët e organizatës ilegale shqiptare një nga një u zbuluan, dhe një nga një u arrestuan, dhe numri i tyre arriti në 37 veta. (Koinçidenc e çuditshme. Po ashtu, në Kosovë, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në të njëjtin vit, para trupit gjykues dalin 37 veta të organizatës patriotike atdhetare të NDSH-së. Një dënohet me vdekje- pushkatim, ndërsa të tjerëve iu shqiptohen shumë vite burgu që i mbajnë në burgjet famëkeqe anë e kënd ish-Jugosllavisë).
Kush ishte Musine Kokalari
Në mesin e të arrestuarve ndodhej edhe patriotja e
shquar, poetja e mirëfilltë dhe doktoria e parë e shkencave filologjike,
kryetarja e parë e partisë Social-Demokrate- Musine Kokalari. Ajo ishte e
lindur në Gjirokastër, më 1917 në një familje intelektualësh. Vëllai i saj,
Hamiti, ishte njëri nga përkthyesit tanë më të mirë dhe autori i librit
shkencor “Kosova- djep i shqiptarizmës (1943)[32].
Banonte në Tiranë. Ishte vajzë e vetme e juristit të shquar nga Gjirokastra.
Shkollën e mesme e kishte mbaruar në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Për ti
vazhduar studimet e larta për letërsi në Universitetin e Romës. Më 28 nëntor të
vitit 1941 merr titullin doktorë e shkencave të letërsisë po në këtë
universitet dhe në të njëjtën kohë i ofrojnë vend pune.
Në vitin 1943 s’bashku me Skënder Muçon krijon partinë e
re social-demokrate që llogaritej se
ishte fraksion i dal nga Balli Kombëtar. Nga organet e shtetit zbulohet dhe
arrestohet me 12 nëntor 1944, mbahet 17 ditë në arrest dhe lirohet ngase vetëm
4 ditë më herët, i pushkatohen pa gjyq dy vëllezërit e saj Muntazi dhe Vesimi,
që me dhjetë persona të tjerë përfundojnë në një varr të përbashkët, aty mbrapa
hotel Bristolit. Më 1945, Mysines i ofrojnë që të bëhet anëtare e Lidhjes së
Shkrimtarëve të Shqipërisë, por ajo e revoltuar me vrasjen e dy vëllezërve dhe
me shumë padrejtësi të tjera, refuzon. Nga dokumentet që i kam hulumtuar në
Arkivin Qendror të Shqipërisë[33]
kam hasur në korrespodencën e saj me vëllezërit e saj dhe nga ato shihet se sa
Mysineja ka qenë e lidhur me vëllezërit e vet dhe sa rëndë e ka ndjerë humbjen
e tyre. Dhe pas kësaj, organet hetuese edhe më tepër shtuan përcjelljen ndaj
saj. Dhe nuk vonoi shumë, ajo me 23 janar 1946 arrestohet dhe në procesin gjyqësor
të mbajtur me 17 qershor 1946 nga prokurori dënohet me 30 vjet burg, ndërsa nga
gjykatësi me 20 vjet. Dhe sipas dokumenteve thuhej se, tërë jetën që e bëri në
Shqipërinë komuniste, e bëri në pranga dhe në internime. Lirohet nga burgu më
1961 dhe internohet përjetësisht në Rrëshen të Mirditës[34].
Punon punëtore krahu në fermë, në ndërtim, duke e ruajtur e përgjuar nga
sigurimi deri sa dhe u sëmur nga kanceri.
Vlen të përmendim se Musine Kokalari veç që merrej me politikë, ajo më herët por edhe më vonë u morr me krijime letrare. Qysh si nxënëse e shkollës fillore, ajo filloi të merrej me krijimtari dhe kishte botuar shumë skica e tregime letrare. Shkrimet e saja u çmuan lart nga qarqet krijuese. Më 1941, kishte botuar për herë të parë vëllimthin “Siç më thotë nënua plakë”, që më vonë kjo përmbledhje e shkrimeve të ndryshme i siguroi vendin meritor të një shkrimtareje të talentuar. Këtë sukses të saj më vonë e konfirmojnë edhe dy vëllimet e reja siç ishin : “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta”, më 1944. Kritikët letrar vlerësonin se ajo ishte pa dyshim shkrimtarja femër më e talentuar e letërsisë shqiptare.
Angazhimi opozitar i Musines
Edhe pse merrej me letërsi, ajo në asnjë moment nuk la
anash aktivitetin politik dhe luftën e saj për një Shqipëri demokratike
pro-perëndimore. Më 1943, ajo kishte formuar Partin Social-Demokrate në
Shqipëri. Më vonë mu ky aktivitet i dendur politik i saj, i kishte sjellë edhe
pasoja të pa imagjinueshme. Sipas shkrimeve të shumta që u bënë për të, thuhej
se me 1944, për Musine Kokalarin mbyllet edhe cikli i parë dhe i vetmi i jetës
së lumtur. Nga ky vit, kur ajo ishte në kulmin e krijimtarisë dhe në kohën kur
lëvizja e rezistencës ishte në hovin më të madh, po nga këtu fillon golgota
tragjike e jetës së saj. Ndaj saj nis një persekutim mizor dhe një torturë
tepër e zgjatur jetësore. Ajo grua finoke e tepër e brishtë, mbajti 16 vjet
burg të rëndë nëpër kazamatet shqiptare. Pastaj 20 vjet qëndroi në internim që
do të thotë se qëndroi deri në ditët e fundit të jetës.
Të cekim se gjatë procesit gjyqësor, deri sa Musine
Kokalari iu përgjigjët pyetjeve që i bënte prokurori dikush nga të porositurit
që e ndiqnin procesin, thirri me të madhe: “Me vdekje në litar”. Kryetari i
trupit gjykues, Frederik Nosi, i krekosur se e mposhti Mysinen, i drejtohej
asaj: “ E dëgjon e pandehur se ç’thotë populli për ty? Dhe ajo me guxim e
largpamësi iu përgjigj: “ Një ditë do të thonë edhe për ju, zoti gjykatës”[35]
Trim Gjata me të drejt konstaton: “Asnjë femër nuk është përndjekur, tek ne më egërsisht e më gjatë se ajo- Musine Kokalari. Ajo qëndroi krenare dhe kurrë nuk u përkul dhe nuk pranoi propozimet dinake që të kërkonte “lehtësime”[36]. Nga sa u tha më lartë mund të shihet se Musineja vërtet ishte një martire e kauzës së demokracisë dhe e pluralizmit politik. Por, njëkohësisht ishte edhe luftëtare e pa epur, absolutisht e pa manipulueshme nga monizmi që mbretëronte atëherë. Me një fjalë, ajo ishte një karakter i çeliktë prej femre. Që të fitonte bukën e gojës iu desh të punonte punët më të rënda duke filluar nga ato bujqësoret, në ndërtimtari dhe si punëtore krahu. Shumë shkrime të saja edhe sot nuk dihet se ku kanë tretur dhe se ku ndodhen, apo ndoshta janë zhdukur nga “kujdestarët” e sistemit tërësisht. Por, vlen të citohet vetëm kjo që është e marrë nga ditari i saj i nxjerr nga burgu, ku shkruan: “Njoha kulturën demokratike, tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare, gjyqin special, 16 vjet burg e 20 vjet internim, punën e punëtorit në bujqësi e ndërtim, vetmin e vetë-kërkuar, shoqërinë e rastit në burg, ndryshimet tërmet për konsolidimin e diktaturës dhe kam 38 vjet që kam harruar çdo të thotë familje...”[37]. Nga këta pak rreshta shihej se sa shumë asaj i mungonte familja, të afërmit dhe të gjithë ata që e kishin dashur dikur, e tani vizitat në ato burgje sa kalonte koha ato edhe më shumë tkurreshin.
Përcjellja e saj e fundit- në një kamion me zhavorr të mbushur
Pas shumë peripecive të jetës së mundimshme prej burgu në
burg, prej internimi në internim, prej fshati në fshat, ajo nuk mundi të
duronte më... Më 13 gusht të vitit 1983, mbylli sytë përgjithmonë, duke shkuar
nga kjo botë për të mos par kurrë se, ëndrra e saj dhe e shumë gjeneratave
ngeli e pa realizuar. Autoritetet shtetërore e varrosën pa pranin e miqve. E
varrosën dy-tre veta, duke e ngarkuar në një kamion zhavorri. Dhe kjo ishte
fyerja e fundit që iu bë asaj. Musineja tërë jetën bëri luftë të paepur, vetëm
e vetëm që të ndryshojë diçka, e ajo diçka ishte shumë e rëndësishme për
Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, tërë ajo ishte e kot. Ata u munduan t’ia
thyenin shpirtin, dinjitetin dhe krenarin, por, kurrë nuk ia dolën. Ajo mbeti
në kujtesën e njerëzve, krenare dhe atdhetare që edhe sot e ruajnë me krenari
në kujtesa gjenerata e gjenerata.
Organizimi i procesit gjyqësor i
ashtuquajtur “Gjyqi special”
Bahri
Omari ishte i lindur në Gjirokastër, më
1900. Shkollën e mesme dhe fakultetin i kishte mbarua në Stamboll. Gjatë vitit
1912, me ngulm i kishte luftuar bandat vorio-epirote që donin të rrëmbenin
jugun e Shqipërisë. Pas emigrimit në SHBA, gjatë vitit 1915-1919 drejton
gazetën që botohej atë kohë në Amerikë “Dielli” të Shoqërisë “Vatra” të
Bostonit. Pas kthimit nga emigrimi (1920), ai në Shqipëri kryen detyra të
rëndësishme për atdheun. Më 1944 ishte ministër i punëve të jashtme në Qeverinë
e Rexhep Mitrovicës. Arrestohet në nëntor 1944. Ekzekutohet me 14 prill 1945.
Në bazë të dokumenteve dhe të dhënave me të cilat disponojmë mund te themi lirisht se nuk kishte organizatë ilegale apo individ që vepronte ilegalisht në Shqipëri dhe në programet e tyre politike, që të mos ta venin si çështje primare çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Sidomos, duhet përmendur se aksent i posaçëm, zakonisht ishte Kosova që padrejtësisht ngeli edhe pas Luftës së Dytë Botërore nën kthetrat e Serbisë.
Reshit Merliku: Nuk ka frymëmarrje të Shqipërisë pa Kosovën
Bile në procesin gjyqësor të “Gjyqit special”, në mesin e
shumë të dënuarve ishte edhe Reshit Merliku, i lindur më 1912, në një familje
patriotike nga Kruja dhe i shkolluar ishte jashtë vendit. Ishte njohes i mire i
disa gjuhëve të huaja dhe nacionalist i përbetuar, sidomos nacionalizma e tij
erdhi ne shprehje pas mbledhjes së Mukjes. Në këtë proces gjykata e denoi me
vdekje. Gjate hulumtimeve kam hasur ne nji shkrim ku thuhej se postulat jetësor
e kishte shprehjen se “Nuk ka frymëmarrje
të Shqipërisë pa Kosovën”.
Nga ky proces gjyqësor u lëshua edhe ky “vendim”, ku në mes tjerash thuhej se “Në emër të popullit shqiptar. Gjykata speciale e Tiranës e përbërë prej: 1. Koçi Xoxe- kryetar- gjeneral leitnant, 2. Halim Budo-anëtarë- gjyqtar, 3. Gaqo Floqi- anëtarë- gjyqtar, 4. Hysni Kapo- anëtarë-kolonel, 5. Beqir Balluku- anëtarë, nënkolonel, 6. Doktor Medar Shtylla- anëtarë, 7. Faik Shehu- anëtarë, nënkolonel, 8. Bilbil Klosi- anëtarë, major, dhe Prokuror- gjeneral major Bedri Spahiu.: shpallin këtë vendim, në të cilën numërohen emrat e 60 vetave të dënuar me dënime tmerruese.
Kolonel Sylejman Vuçitërna
Në mesin e të dënuarve, në këtë proces gjyqësor, për të
cilin më kishte rënë edhe më herët të lexoja e dëgjoja për kolonelin e
devotshëm nga Kosova, Sylejman Vuçitërnën, dhe sa e sa herë kisha menduar se
për këtë figurë të ndritur kombëtare duhet shkruar që mos ta mbuloi pluhuri i
harresës. Bindjen time e sforcoi edhe më
shumë një takim i rastësishëm që pata në vitin që e lëmë pas (2005), me një
grup kosovarësh në Tiranë. Ata, me rrëfimet e tyre lidhur me sakrificën dhe
vetëmohimin e Sylejman Vuçitërnës, dhe duke u kthyer edhe një herë në të kaluarën,
me një farë mënyre më inspiruan që të kërkoja të dhënat e nevojshme për të, dhe
të bëja së paku një shkrim, që opinionit të gjerë të iu bëjë më të njohur dhe
më të afërt këtë personalitet të shquar e të lavdishëm të kombit. Dhe derisa
bisedonim për vuajtjet dhe mundimet që kishte përjetuar koloneli, në fytyrat e
bashkëvendësve tanë vëreja dhembjen dhe pikëllimin për humbjen e madhe që
kishte pasur populli i ynë. Me të drejt, mu kujtua një e thënë nga poeti
disident Visar Zhiti se “ka një çast që dhembja e tjetrit bëhet njëlloj si e
jotja”[39]
e kjo mu duk se ngjante edhe me ata por edhe me mua kur flisnin për torturat që
kishte përjetuar koloneli vet.
Në kohën kur Partia Komuniste në tokat shqiptare po
lëshonte shtat, ishin djemtë e saj, që kryesisht ishin shkolluar në shtetet e
perëndimit, që u munduan të bënin rezistencë dhe ti ndalnin hovin asaj për të
mos depërtuar në tokat shqiptare. Edhe ata, komunistët që vepronin në Shqipëri,
e ndjenin se komunizmi për shqiptarët ishte “trup i huaj“ për ndërgjegjen e
mentalitetin shqiptar dhe e dinin se urrehej nga shumë prej tyre. Nën petkun e
një humanizmi dhe solidariteti universal
më 1945[40],
erdhi në pushtet duke eliminuar nga rruga atdhetarët më të devotshëm.
Po, me këtë shkas, u organizua dhe u mbajt me 1 mars
1945, procesi më i madh gjyqësor në
Shqipëri, i quajtur “Gjyqi special”, ku para trupit gjykues dolën hiq më pakë se
gjashtëdhjetë (60) veta, ( që të gjithë shqiptarë nga vende të ndryshme të
Shqipërisë etnike). Ata, pjesa më e zgjedhur, më e arsimuar e më e përgatitur,
u pushkatuan, vuajti në mundime të papara e të padëgjuar, në tortura të
papërshkrueshme në burgjet e kampet e shfarosjes, shumë prej tyre humbën jetën
ndër torturat më barbare e, edhe më shumë, u vranë dhe u pushkatuan pa u
zbuluar kurrë as vendi i eshtrave të shenjta.
Do të kalojnë vite e vite, shqiptarët si në shtetin amë,
po ashtu edhe jashtë saj do të vuajnë gjatë për tradhtinë që iu bë nga sistemet
komuniste. Të gjithë ata shqiptar: ushtarak, profesor, intelektual të
profesioneve të ndryshme, gjatë tërë jetës së tyre dhanë prova të
pakrahasueshme trimërie dhe burrërie, bese e guximi, por mjerisht për ti
ruajtur ato iu desh të përvijojë riga gjaku në gjithë historinë e saj.
Patriotët shqiptarë që ishin shkolluar në perëndim gjatë gjithë kohës shpirtin,
mendjen dhe zemrën e patën gjithnjë në Evropë, por zilia, smira dhe urrejtja e
ankoruan vazhdimisht në Lindje[41]
që duel shekullor ishte vazhdimisht fati i saj.
Procesi gjyqësor i quajtur “Gjyqi special” u mbajt në Tiranë, në sallën e ish- kinemasë “Kosova”, dhe si çdo kund në vendet ish- komuniste, ato u organizonin nën diktatin e partisë. Për të marrë pjesë në gjykatore, u ftonin njerëzit e caktuar, dhe të gjithëve iu caktonin rolet për gjykatore. Dikush e kishte për detyrë për të thirrur parulla siç ishin të njohura “tradhtarët duhet vrarë”, “banda të mallkuara të popullit”, “ Të gjithë në litarë”,e shumë të tjera. Bile në këtë proces gjyqësor, sipas disa të dhënave thuhej se, në sallën e kinemasë kishte nxënë vend edhe vetë Enver Hoxha.
Të dhëna biografike të Sylejman Vuçitërnës
Në mesin e të dënuarve me nga tridhjetë vjet burg, ishte
edhe kolonel Sylejman Vuçitërna, nga fshati Verbovc, komuna e Vushtrrisë.
Atdhetari i devotshëm u lind me 11 shtator 1898, në një familje ku për traditë
kishin atdhetarin dhe luftërat e pa ndërprera për liri të vendit. Edhe pse
vinte nga familja e Kastratëve, ai gjatë tërë jetës mbajti mbiemrin e qytezës-
Vuçitërna (tani Vushtrri). Sylejman Vuçitërna shkollën fillore e mbaroi në
vendlindje, në gjuhën turke, pasi se në atë kohë shkolla shqipe ende nuk kishte
në atë pjesë të Kosovës, por në shkollimin e tij ndikim të dukshëm pati babai i
tij i cili ishte imam i fshatit, dhe vëllai i tij më i madh -Rexhepi, dhe po ashtu
edhe vëllai i tij më i vogël- Isufi, (që
të dy ishin hoxhallarë të diplomuar).
Forcat serbe duke e vërejtur angazhimin e tij, vëllait të
vogël- Isufin, marinë një fushatë ndaj tij, të cilin pas një kohe e nxënë dhe e
groposin të gjallë, dhe në ndërkohë si shenjë hakmarrjeje për luftërat e tyre që
bënin kundër Serbisë iu djegin tri herë kullën, por edhe pas saj dashurin për
atdheun dhe lirin nuk arrijnë ta shuajnë në këtë anë të Kosovës.
Vlen të thuhej se babai i Sylejmanit ishte një atdhetar i
shquar, dhe merrte pjesë aktive në Lëvizjen Kaçake, gjë që ndikoi që në moshë
të re, si gjashtëmbëdhjetë vjeçar, Sylejmani ti ndërpresë mësimet dhe t’iu
bashkohet qetave kaçake. Edhe pse në moshë të re, me të madhe angazhohet për
nënshkrimin e një peticioni që kishte për shqyrtim rishikimin e kufijve të Shqipërisë,
ku më parë nënshkrimet e tyre i kishin vu Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe
shumë atdhetar të tjerë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, bashkëluftëtarët e
vejnë në ballë- komandant të Çetës së Vërbovcit, e cila në kuadrin e vetë
përfshinte mbi 400 burra- luftëtar. Në këtë çetë merrnin pjesë luftëtar të
dalluar nga rrethi i Mitrovicës, Vushtrrisë, Drenicës dhe vende të tjera të
Kosovës.
Aktiviteti dhe luftërat kaçake në atë pjesë të Kosovës
kishin marr hov, dhe shovinizmi serbomadh e kishte vërejtur këtë, sidomos
angazhimin, organizimin dhe vrullin e Sylejmanit të cilat binin në sy dhe i
futnin frikën okupuesit, andaj
hakmarrja dhe urrejtja ndaj tij ishin të pa evitueshme. Në mungesë të
luftëtarit ( thoshin se ai ishte i pa kapshëm nga bandat serbe), atë e dënuan
me vdekje. Edhe pse ishte i dënuar me vdekje, patriotin ky dënim aspak nuk e
trembi, por përkundrazi u mobilizua dhe u angazhua që edhe më tepër luftëtar të
çështjes kombëtare të ofrojë rreth vetes, por qëndrimi i tij dhe veprimtaria në
rajonin e Vushtrrisë ishte me plotë pasoja, andaj u detyrua që të lëshojë
Kosovën e tij të dashur dhe të kërkojë strehim në Shqipërinë- Nënë. Më 1922, në
mes rafalëve të plumbave, kalon me not liqenin e Shkodrës, për të jetuar në
Shqipëri deri më 1941.
Atdhetari Sylejman Vuçitërna, veç që luftonte për lirin,
ishte edhe dashamirë i arsimit, andaj duke përfituar nga një bursë shtetërore
prej kontingjentit të nxënësve kosovarë, që paguheshin nga Hasan Prishtina
ai regjistrohej në Shkollën Normale të
Elbasanit të cilën e mbaron me sukses më 1929. Pas mbarimit të Normales, u
vendos në Tiranë përkohësisht ku dhe u
martua me Faika Spatharën[42]
( me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të
njohur nga Skrapari, kolonel Mustafa Spathara, i cili ishte i diplomuar në
Akademinë Turke “Erqani Hark”. Për të vijuar më vonë mësimet në Shkollën
Ushtarake në Itali, në Akademinë Ushtarake të Torinos, të cilën e mbaroi me
rezultate të larta në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e këmbësorisë. Më vonë
kthehet në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë
Kombëtare. Një vit më vonë fitoi të drejtën e një specializimi njëvjeçar për në
Gratz të Austrisë për degën e prapavijës, të cilën e mbaroi në qershorin e
vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi emërohet në prapavijat e Ushtrisë
Kombëtare Shqiptare dhe më pas pedagog në Shkollën Mbretërore të oficerëve në
Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939.
Pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar (XX), figura e Sylejman Vuçitërnës sa vije e bëhej më e afërt për bashkëkombësit e tij. Me hapjen e arkivave në Shqipëri, edhe një tis i hollë drite dukej në horizont për të njohur dhe mësuar për figurën emblematike të tij. Emri i Sylejman Vuçitërnës u përmend në shumë libra dhe nga shumë shkencëtar. Dr. Elmas Leci, në librin e tij “Eliminimi i lidershipit ushtarak”, botuar me 2002 në Tiranë, në mes tjerash për figurën e atdhetarit shkruan apo citon Dashnor Kaloçin, publicistë i njohur nga Tirana se “Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sylejman Vuçitërnën, që ndodhej në shtëpinë e tij ( sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike “Zogu i Zi”” duke e justifikuar marrjen e tij para familjes gjëja se po e marrin “vetëm sa për tu sqaruar në komandë”. Dhe pas këtij “sqarimi”, atdhetari Sylejman Vuçitërna nuk i shpëtoi dot gjyqit ushtarak, torturave të vazhdueshme në hetuesi, më vonë burgut, internimit e pastaj vdekjes në kënetën e Vloqishtit[43].
Aktiviteti luftarak i kolonel Vuçitërnës
Koloneli Vuçitërna gjerë në fund të jetës së vet ngeli
luftëtar i denjë për rezistencën dhe kauzën për bashkimin e tokave shqiptare në
një shtet të përbashkët- Shqipërinë. Atdhetarizma e Vuçitërnës gjatë tërë jetës
ishte e gjërë nga përmbajtja dhe shumë e thellë për nga forma. Duke filluar që
nga qetat kaçake dhe pas mbarimit të akademisë ushtarake në Itali e Austri,
(edhe pse i kishin ofruar vende pune aty ku kishte mbaruar shkollimin), ai
përsëri kishte zgjedhur Shqipërinë. Rënkimi i atdheut e përcillte çdo kund.
Kishte parandjenjë se do të lëndohet rëndë trungu i Shqipërisë. Më 1935
inkuadrohet në prapavijë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas emërohet
pedagog në Shkollën Mbretërore të Oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri
në prillin e vitit 1939.
Më 1939, duke e parë situatën e tensionuar në Ballkan,
dhe duke e ndjerë rrezikun që po i kanosej Kosovës, ai me 7 prill të të njëjtit
vit e lëshon Shqipërinë dhe vendos që të kthehej në Kosovë. Më 1941, angazhohet
me forcat tjera nacionaliste që kishin vendosur që ti dalin zot Kosovës së
robëruar. Krahas detyrës ushtarake që kryente, ai pa hezituar aspak i bashkohet
Komitetit Mbrojtja e Kosovës. Duke e parë angazhimin e tij të madh, atë e
emërojnë komandant të Komandës së Mbrojtjes së kufijve verilindor të
Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi, Serbia e deri në krahinën e Llapit dhe
përfundonin atje në kufirin me Bullgarinë. Këtë detyrë mjaftë me përgjegjësi,
të rëndësishme dhe shumë të rrezikshme e kreu deri në vitin 1944, kur edhe mori
titullin e kolonelit[44].
Fill pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme kolonel Sylejman Vuçitërna, përsëri
kthehej në Tiranë, me besimin se nga atje, më tepër do të kontribuojë për
çështjen e Kosovës, dhe asnjëherë nuk i kishte shkuar ndër mëndë se me 14 nëntor ( 1944), do të gdhihej në një
qeli të ftohët të burgut të Tiranës.
Profesorin dhe drejtorin e Shkollës Ushtarake të
Mbrojtjes në Tiranë, me 1 mars 1945, në procesin gjyqësor “Gjyqi special”, Sylejman Vuçitërnën e dënojnë me 30 vjet burg edhe pse prokurori
kishte kërkua që ai të dënohet me burg të përjetshëm.
Absurd mbi absurdet, në seancën e fundit gjyqësore (
gjithsejtë kishte 31 seanca gjyqësore), prokurori deklaronte se kosovari
Sylejman Vuçitërna “Nuk ka përgjegjësi
të madhe se s’ka vrarë e prerë njeri...”, megjithatë ai u dënua me 30 vjet
burg sikur të ishte kriminel e tradhtar i përbetuar i popullit të vetë. Dhe s’kishte si të ishte ndryshe, njëherë i
kishte shpëtuar vdekjes, që e kishin dënuar serbet në Serbi, tani gjyqi i
Tiranës i shqiptonte dënimin pothuajse me vdekje, ngase rrallë ndodhte që një i
dënuar me aq vite burg sa ishte Sylejman Vuçitërna të dal i gjallë nga atje.
Koloneli, asnjëherë nuk e pati të vështir dënimin që i
shqiptuan, se vazhdimisht në zemrën e tij të madhe gjeti forcë që ti arsyetonte
ata. Por, kurrë nuk mundi të gjente arsye se pse ata që e njihnin biografin e
tij të bujshme patriotike, e quajtën “armik i popullit”
Pas torturave nga më çnjerëzoret në hetuesi dhe vuajtjeve
nga më mizoret të punës së rëndë fizike në kampin ç’farosesh e famëkeq të
Vloçishtit ( ish-këneta e Maliqit), në Korçë, ai u detyrua të priste me bel
gishtat e këmbës dhe të mbaronte tragjikisht nga hemorragjia në atë kamp varr.
Me 15 tetor 1948, duke e dërguar gjëja se për ndihmë mjekësore, por në të njëjtën
kohë duke e futur në listat e gjata të atyre që s’u dihet ende varri, madje,
madje duke mos figuruar as edhe në listat e të vdekurve.
Pas likuidimit, familja e tij u internua dhe u torturua
nga organet e sigurimit, u ndjek nga Tirana dhe shumë të afërt të tyre nuk
kishin guximin ti futnin në shtëpitë e tyre, dhe kjo ishte e arsyeshme, ngase
menjëherë pasonin ndëshkimet. Ky lloj terrori zgjati me vite deri sa u bë përmbysja e sistemit komuniste.
Edhe pse kanë kaluar dekada e dekada, emri i kolonel Sylejman Vuçitërnës, e sfidoi kohën, i rezistoi harresës historike dhe tani vjen si ushtimë e piskamë që tregon se ç’far idealesh madhështore, ç’far zemrash të dëlira, ç’far atdhetar e patriot të mëdhenj u dënuan dhe u vranë në bankat e ndyra të gjyqeve komuniste, pa hequr kurrë dorë nga qëllimet e tyre të shenjta, që një ditë ta shohin të lirë atdheun e tyre- Shqipërinë etnike.
Formimi i organizatës ilegale “Bashkimi- Shqiptar” (1945)
Për popullin e vogël shqiptar numri i atyre që ranë fli
nga LDB, qe shumë i madh. Por, fati thuajse luante me ne, kështu që edhe më
vonë numri i të vrarëve e të zhdukurve sa vije e shtohej edhe pas vitit 1945. Pas
këtij viti mortaja vdekjeprurëse, në
këto vite pasonte nga proceset e ndryshme e të shumta politike që u organizonin
për individ, për anëtar të grupeve e anëtar të organizatave ilegale që vepronin
në vend. Por në vitet e pas luftës (1944), pushtetarët komunist qëllim kishin
si ti zhduknin intelektualët, por në shënjestër kishin vu me të madhe klerin
fetar, ngase ata ende predikonin dhe anonin nga sistemet properëndimore dhe
qëllim kishin sistemin shumë partiak në Shqipëri.
Organizata “Bashkimi- shqiptar”, llogaritej si njëra ndër
organizatat e para antikomuniste në Shqipëri. U formua menjëherë pas çlirimit,
dhe se nga organet shtetërore u trajtua si një organizatë fetare që kishte për
qëllim të përmbyste komunizmin dhe të merrte pushtetin.
Themeluesit
e saj ishin kryesisht priftërinj nga qyteti i Shkodres dhe nxënësit e Seminarit jezuit e Françeskan
në krye me Paderë Giovani Fausti ishte nga Breshia (Itali), rektor i Seminarit
Papnor, paderë Daniel Dajani, nga Blinishti i Zadrimës, profesor e më vonë
rektor i Seminarit Papnor të Jezuitve. Drejtonte revistën “Lajmëtari”, paderë
Gjon Shllaku,profesor në Seminarin Papnor dhe drejtues i revistës “Hylli i
dritës”.
Në vjeshtën e vitit 1945, pas daljes së ligjit mbi zgjedhjet për në Asamblenë Kushtetuese, i cili lejonte krijimin e grupeve opozitare, brenda apo jashtë Frontit Demokratik, filluan të lëviznin elementet e grupeve të mësipërme, të organizohen që të dalin si grupe apo organizatë opozitare jashtë Frontit. Veprimtaria e tyre politike u rrit mjaft nga gjysma e nëntorit të vitit 1945. Gjatë kësaj periudhe u bënë takime individuale e në grupe brenda e jashtë Seminarit Jezuit për të caktuar platformën politike dhe programin e organizatës “Bashkimi-shqiptarë”, e cila u formua pas shkrirjes së dy grupeve: atij të “Bashkimit-shqiptar” dhe “Demokristian”[45]. Themelues të organizatës “Demokristiane” ishin: Pjetër Berisha, Mark Lulashi, Nino Kurti, Paulin Pali, Mark Shllaku, Andre Pettrekiq, Luigj Shoshi, Qerim Sadiku, Myfit Bushati e Frano Mirakaj. Në krahasim me organizatën “Bashkimi-shqiptar” që kishte karakter thjesht fetar, organizata “Demokristiane”, në gjirin e saj përfshinte edhe persona që kishin fenë myslimane.
Programi i organizatës ilegale “Bashkimi –shqiptarë”
Me bashkimin e këtyre dy organizatave, ata në një
mbledhje të fshehtë, hartuan edhe programin
e saj të përbërë prej pesë pikave kryesore të cilat ishin:
1. Me shlirue Shqipnin nga bisha komuniste,
2. Bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim partinash
që kështu populli shqiptar të fitojë të drejtat e veta,
3. Organizata nuk do të merret me interesa personale, por
të të gjithë popullit.
4. Organizata donë burrni fjalët dhe trima deri në
vdekje.
5. Në organizatë duhet të merret pjesë serioze se ata që
guxojnë me tradhetue dënohen me vdekje[46].
Vlen të përmendet se kjo organizatë, veç aktivitetit që bënte në Shkodër e rrethin, ajo kishte zhvilluar një aktivitet të dendur edhe me grupe e individë që kishin lidhje të ngushta me rezistencën shqiptare që vepronte në Kosovë. Duke e ditur aktivitetin e madh që zhvillonin Pashuk e Pal Bibë Mirakaj me ilegalen në Kosovë dhe me profesor Ymer Berishën, ata kishin vu kontakte me ta, dhe sipas shënimeve arkivore shihej se këta dy patriot me kërkesën e tyre ishin anëtarësuar në këtë organizatë.
Arrestimi i anëtarëve të organizatës “Bashkimi-shqiptarë”
Anëtarët e organizatës me 27 nëntor 1945, arrestohen dhe mbi 39 persona hidhen në burg. Me 28 janar 1946, në Gjyqin Ushtarak të Shkodrës, para trupit gjykues dalin anëtarët e organizatës ilegale “Bashkimi-shqiptar”, në kinema “Rozafa” organizohet procesi i madh gjyqësor, që shumicën prej tyre e përbënin priftërinjtë. Nga ky grup: 8 veta dënohen me vdekje- pushkatim. Ata ishin: 1. Padër Gjovani Fausti, Padër Daniel Dajani, Padër Gjon Shllaku, Gjergj Bicaj, Gjelash Lulashi, Qerim Sadiku, Mark Quni dhe Frano Mirakaj, të cilët me 4 mars 1946 u ekzekutuan. Shtatë veta nga ata dënohen me burgim të përjetshëm, 6 veta me nga 30 vjet burg, 2 veta me nga 20 vjet, 3 veta me nga 15 vjet burg, 3 veta me nga 10 vjet burg, 3 veta me nga 5 vjet burg,dhe 5 veta u dënuan me nga 2 vjet burg. Të gjithë këta të akuzuar akuzoheshin se kanë bërë vepra penale: kanë dashur me përmbys regjimin komunist, kanë përgatitur komplote me anglo-amerikanet për ndërhyrje nga ajri, dhe kanë kërkuar një Shqipëri etnike etj. Por, në pyetjen e prokurorit Aranit Çelës, se keni kërkuar dhe keni shkruar për një Shqipëri Etnike, At Dajani (43 vjeçar), që kishte mbaruar studimet e letërsisë, filozofisë dhe të teologjisë në Torino të Italisë, në këtë proces dënohet me vdekje- pushkatim, i përgjigjet prokurorit: “ Në vitin 1944 librin për Shqipërin Etnike e kemi shtyp ne dhe ai ishte nji studim historik, gjykatësi më tepër për vete se sa për të tjerët e pyet; “A ishte koha në vitin 1944 që ju me shokë të kërkoni Shqipërin Etnike?, Ai ishte nji studim historik i gjatë për tu paraqit në Konferencën e Paqës”. Dhe absurd mbi absurde, tani nga vet prokurori na del se populli i Kosovës me vetë dashje paska zgjedhur që të qëndroi me Serbinë, kur ai përgjigjet se: “ Në Kartën e Atlantikut[47] është vendosur që çdo popull është i lirë të vendosë për fatet e tij dhe në këtë rast populli i Kosovës ka vendos vetë për fatin e vet, por këta kanë deshtë me na futë në luftë me Jugosllavinë” përgjigjet prokurori. Ja pra ku qëndron thelbi i shqetësimit, ai merakosej se do të prishej miqësia shqiptaro-jugosllave, e jo mbetja e Kosovës nën kthetrat e okupuesit, dhe mjerisht koha ka dëshmuar të kundërtën që u tha në procesin gjyqësor. Kosova ende vazhdon të derdhë gjak...[48]. Këtë që e kishte thënë Atë Dajani, e thoshin edhe shumë dokumente me rëndësi të veçantë historike, që kishin vërtetuar se Kosova dhe populli shqiptar ka të drejtë të vendos për fatin e vet. Të tilla ishin Deklarata e Moskës[49], Deklarata e Teheranit[50], letra e Titos[51], si dhe qëndrimet e Konferencës së Bujanit[52] e shumë të tjera.
Qerim Sadiku: Nuk është e drejt që ti takojë Jugosllavisë, deri sa është e jona
Sipas dosjes së të dënuarit Qerim Sadikut, në mes tjerash
thuhej se ata kishin pranuar se kishin bisedua për një Shqipëri Etnike. Fundja,
kjo organizatë edhe në Programin e vet politik, nën pikën 2. e kishte parapa që
Shqipëria të shtrihej dhe të përfshinte të gjithë shqiptaret pa dallim feje dhe
ideologjie. Shqipëria Etnike, sipas ilegales shqiptare që vepronte në Shqipëri
zakonisht nënkuptonte Shqipërinë bashku me Kosovën dhe Çamërinë në Jug. Andaj
ishte krejt e natyrshme një reagim i tillë i ilegales kur i dënuari Qerim
Sadiku reagon para trupit gjykues duke thënë se “ Nuk është e drejtë që ti
takojë Jugosllavisë (është fjala për Kosovën, shënim i S K-B), deri sa është e
jona”[53].
Gjatë tërë kohës së procesit gjyqësor, ata nuk e mohuan veprimtarin e tyre
patriotike, por pohuan se kanë veprua me ndërgjegje të pastër për një ardhmëri
demokratike për të gjithë shqiptarët.
Fjalët e fundit të të ekzekutuarve, para eskadronit të vdekjes, ata pohuan se po vdisnin të pafajshëm vetëm e vetëm se kishin kërkua liri të besimit fetar dhe një Shqipëri Etnike, ku do të përfshihej edhe Kosova si pjesë e Shqipërisë e banuar në shumicë absolute nga populli shqiptar[54].
Formimi i organizatës ilegale “Nacional-Demokratike” apo “Grupi i deputetëve”
Proceset gjyqësore ndaj atdhetarëve në Shqipërinë e re e
të “çliruar”, vazhdojnë edhe pas vitit 1946. Procesi gjyqësor që bëri bujë dhe
pati jehonën më të madhe në çarqet kombëtare dhe ndërkombëtare ishte procesi
“Gjyqi i deputetëve” ose i anëtarëve të organizatës “Nacional-Demokratike”. Kjo
organizatë atdhetare u formua në shkurt të vitit 1945, në një shtëpi të një
lagjeje të Tiranës. Por, gjatë procesit gjyqësor, anëtarët e kësaj organizate u
quajtën ndryshe edhe si procesi gjyqësor i “Grupit të deputetëve” ngase shumica
e tyre ishin deputet të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Procesi gjyqësor u organizua nga Këshilli i
Gjykatës së Lartë Ushtarake, dhe u mbajt
me 27 shtator 1947, në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Në bankën e të akuzuarve
u ulën 24 intelektual nacionalist, për të cilët do të epen dënimet: 3 veta do
të vareshin, 13 veta do të pushkatoheshin, 9 veta u dënuan me burgim të
përjetshëm dhe për të tjerët do të shqiptoheshin dënime maramandëse burgu.
Të dënuarit me vdekje, pasi kishin shkrua kërkesën për
falje, megjithatë Presidiumi i Kuvendit Popullor iu refuzoi kërkesat për faljen
e jetës, më 10 dhjetor të vitit 1947 ata u ekzekutuan. Nënkryetari i Frontit
Demokratik dhe tregtari Shefqet Beja, inxhinieri Sulo Klosi dhe inxhinieri Riza
Alizoti u ekzekutuan me varje, kurse Beqir Çela, Selaudin Toto, Enver Sazani,
Salim Kokalari, Pertef Karagjozi, sheh Ibrahim Karbunara, Abdyl Kokoshi, Irfan
Majuni, Tofik Deliallisi, Agathokli Xhitomi e Hysen Shehu, u dënuan me
pushkatim[55].
Shefqet Beja gjatë procedurës në hetuesi u morë në pyetje dhe kishte dhënë 37
deklarata prej 3-21 korrik 1947, një pjesë e tyre ishte edhe me nga 20 rreshta
ose kishte deklarata që kishte vetëm dy fjalë, dhe herë-herë nuk kuptoheshin
fare se çfarë ka dashur me thënë i akuzuari. Sipas një studiuesi –Luan Xhafës,
thuhej se: Janë deklarata ose fjalë të marra në kllapi e të firmosura pasi i ka
dal kllapia. Për këtë dëshmon edhe dëshmia e vetë të akuzuarit kur thotë para
trupit gjykues se : Këtë deklaratë e kam bërë unë vetë me dorën time, por nuk
janë të vërteta, thoshte ai. Ato janë të sugjeruara mbasi kur e kam bërë atë
unë nuk kam qenë në gjendje normale[56].
Nga kjo e dhënë vijmë në përfundim se ndaj të burgosurve janë përdorur metoda
shtazarake, sa i burgosuri nuk ka qenë në gjendje të kuptojë se çka po firmosë.
Mirëpo, sipas dokumentacionit që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme
të Shqipërisë thuhej se gjykata iu
shqiptoi dënimet 19 personave: 7 prej tyre i dënoi me vdekje, 6 me privim të
përjetshëm lirie, 4 veta me nga 20 vjet burg dhe 2 veta me nga 15 vjet burg. Të
dënuarit me vdekje ishin : Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi,
Syrja Selfo, Hilmi Hysi, Hasan Reçi[57]
Në procesverbalin e ekzekutimit do të shkruante Josif
Pashko, në cilësinë e prokurorit; ”Sot, me datën 10.10.1947, ora 3 para dite,
unë Josif Pashko, i ngarkuar me cilësinë e prokurorit, i shoqëruar dhe nga
ndihmësit Harito Nashi e doktor major Ibrahim Dervishi, shkuam në burg dhe
mbarëm në dorëzim të pandehurit e dënuar me vdekje: Shefqet Beja, Riza Alizoti,
Sulo Klosi, Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara,
Hysen Shehu, Agathokli Xhitomi, Abdyl Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela,
Mehmet Prishtina, Paolo Sagioti, Tefik Deljallisi e Pertef Karagjozi dhe mbasi
u siguruam për identitetin e tyre, të
shoqëruar edhe nga rojet shkuam në vendin e caktuam për ekzekutimin e tyre”.
Sipas këtij procesverbali, thuhej se të gjithë këta persona të lartpërmendur u
ekzekutuan me vendimin e Gjykatës së Naltë nr. 187, datë 27.9.1947.
Në mesin e të ekzekutuarve ndodhej edhe Mehmet Prishtina,
që sapo i kishte mbushur 22 vjeç. Ishte djalë i patriotit Jahja Prishtinës, që
ishte themelues i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe nip i kryetarit
të këtij komiteti, patrioti Rexhep Kadri Prishtina.
Në
proceset gjyqësore politike, në bankën e të akuzuarve do të ulën shumë patriot
shqiptar që vinin nga trevat shqiptare që kishin ngelur jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në procesin e klerikëve shkodran ndodhej poashtu edhe At Pal Dodaj- 66 vjeçar. Ai, ishte i lindur në Janjevë, (Kosovë), dhe ishte diplomuar për teologji e filozofi në Firence. Ishte diplomat dhe profesor filozofie. Bashkëpunëtor i revistës “Hylli i dritës” dhe “Osservatore Romano”. Në këtë proces dënohet me vdekje- pushkatim, më vonë ky dënim do ti kthehej në burg të përjetshëm. Vdes pas pak vitesh si pasoje e torturave ç’njerëzore.
Safet Butka, një jetë e tërë në shërbim të atdheut
Safet Butka ishte një histori e dhembshme e historisë
kombëtare, por në të njëjtën kohë ishte edhe krenaria e kombit ton. U lind me
1902 në një familje të njohur atdhetarësh dhe vinte nga familja e e Aliçkajve
të Butkës. Mësimet e para i kishte marr në Korçë, ndërsa të mesmen dhe të
lartën i kishte mbarua në Linz e Gracë të Austrisë duke u diplomua në degën
Pedagogji- filozofi[58].
Pas një aktiviteti të pasur patriotik, Safet Butka arrestohet dhe qëndron dy
vite (1940-1942), në internim në
Ventotene të Italisë, s’bashku me Selman Rizën, Vasil Andonin, Abaz Ermenjin e
të tjerë.
Pas dy viteve kthehej në atdhe. Emërohet profesor në
gjimnazin e Prishtinës (Kosovë), që për të, si për çdo patriot shqiptar, Kosova
ishte plagë, ideal dhe ëndërr. Ai e shikonte fatin e Kosovës të lidhur pa zgjidhmërisht
me atë të Shqipërisë së lirë dhe demokratike, ndaj krijoji menjëherë, në shkurt
të vitit 1942, një nga çetat e para kryengritëse antifashiste në Jug.[59]
Lirshëm mund të thuhej se Safet Butka tërë jetën ia kushtoi Shqipërisë dhe viseve tjera të
robëruara shqiptare siç ishte Kosovës dhe Çamëria të robëruar. Me këmbëngulje
luftoi kundër fashizmit dhe komunizmit. Ai u angazhua për një Shqipëri dhe për bashkimin
e trojeve të copëtuara padrejtësisht nga shovinistet fqinjë dhe fuqitë e mëdha.
Safet Butka, e vërtet se jetoi shkurt por për Shqipërinë punoi shumë. Në një
dokument që dëshmon për arrestimin e Safetit shkruan Koçi Xoxe: “Ne e nxirrem
përpara popullit si përçarës e si tradhtar dhe si të tillë do ta zhduknim nga
faqja e dheut. Por, megjithatë, ai e kuptoi hakun e vetes dhe sa të na harxhonte
një plumb, i hodhi vetë trutë në erë...”[60].
Kjo është e “vërteta” për vdekjen e Safet Butkës? Duhet të besohet vallë. ( Po
të njëjtën gjë e dëshmonin udbashët në Kosovë edhe për rastin e ngjashëm me
rastin e likuidimit të Mulla Idriz Gjilanit, ku organet zyrtare trumbetonin
gjëja se Mulla Idrizi e kishte djegur veten me një bidon benzinë, mendojmë si
në rastin e parë po ashtu edhe në të dytin është e pabesueshme. Bile, kështu
dëshmonin njerëzit më kompetent për vdekjen e tyre.
Në një dokument tjetër kam hasur që Koqi Xoxe dëshmonte
në gjyq për urdhëratë që kishte dhënë për përdorimin e mjeteve torturuese të
cilat do të përdoreshin vetëm e vetëm për të ardhur deri te e “vërteta”. Ai
thoshte: Unë kam dhënë urdhër tu pakësohen ushqimet, uji dhe rrobat deri në
torturën e vdekjes. Për Veriun, ne shkurt 1945 i kam dhënë urdhër Vaske Kolecit
qe të vriste pa gjyq...”[61]
torturat që bënte mbi të burgosurit politik
Por, një gjë është shumë e qartë se Patrioti Safet Butka
deri në fund të jetës mbeti një misionar i bashkimit të trojeve shqiptare. Të
dhënat e shumta dëshmojnë se shpesh ndodhte që miqve dhe luftëtarëve të tij shpesh
iu kujtonte se “Puna është se ne shqiponjën e kemi pasur në flamurë që nga koha
e Skënderbeut ndërsa drapri, çekani dhe ylli na erdhi së largu prej Rusie”,
duke predikuar bashkimin e shqiptarëve kudo që ndodhën si: në Shqipëri, Kosovë
e Çamëri, siç do të thoshte Mithat Frashëri tek gazeta “Flamuri” më 1944[62].
Dhe krejt në fund për Safet Butkën do të thoshim se tërë jeta e tij ishte luftë
dhe përpjekje për ti bashkuar tokat shqiptare dhe për ti mbrojtur nga komunizmi
se për të ishte një ideologji e huaj e ardhur nga sllavët.
Edhe pas vitit 1948, proceset
gjyqësore vazhdojnë. Edhe më tej, njerëzit vriten e burgosën për hir, ta zëmë,
të demokracisë e të miqësive të ndryshme siç ishin: shqiptaro-jugosllave, shqiptaro-sovjetike,
shqiptaro-kineze e kështu me radhë.
Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha
Prof. Dr. Tefik Basha
Një vepër e anatemuar historiko-demografike
Prof. Ibrahim Kelmendi “Një
shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, Preshevë 2006
Ditë më pare, nga një grup intelektualësh dhe dashamirë të jetës dhe veprës së patriotit të shquar Ibrahim Kelmendit nga Presheva, morën nismën që të grumbullonin, seleksiononin dhe sistemonin të gjitha punimet e atdhetarit-shkencëtar siç thuhet në parathënie, i cili gjatë një kohe relativisht të gjatë i kishte shkruar dhe publikuar në revista e gazeta të kohës që dilnin në gjuhën shqipe nga veprimtarët shqiptar që vepronin në shoqata e grupime jashtë atdheut. Numri i atyre shkrimeve të botuara në shtypin e kohës ishte relativisht i madh, por gjerë më tani askush nuk kishte bërë mundin që të bënte një gjë të tillë për ti risistemuar në një publikim të veçantë.
Po të shikohet historikisht, emri i
Ibrahim Kelmendit gjerë vonë ka qenë i anatemuar nga pushteti jugosllav, ngase
edhe pse jetonte jashtë vendit, pushtetarët i kishin frikën nga rrezatimi i tij që kishte tek popullata
shqiptare në përgjithësi.
Kush
ishte Ibrahim Kelmendi
Autori i librit “Një
shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, Ibrahim Kelmendi vinte nga një familje
me tradita patriotike e intelektuale i lindur në Preshevë më 16.04. 1916. Babai
i Ibrahimit- Sylejman Kelmendi ishte juristi e intelektuali i parë në anën e Karadakut,
që kishte mbarua Fakultetin Juridik në Universitetin e Stambollit. Pas mbarimit
të fakultetit, ai u kthye në vendlindje ku më vonë ushtroi profesionin e
avokaturës. Mirëpo, situata politike sa vije e keqësohej dhe më 1916 ai
detyrohej që përsëri të shpërngulej dhe të marrë rrugën e kurbetit për në
Turqi. Pas tre muajve të largimit të tij, në Preshevë u lind djali- Ibrahim
Kelmendi i cili nuk pati fat që ta njihte babain
sepse, siç dihet në rrethana të
pa njohura, pas tri viteve ai kishte vdekur në Turqi.
Profesor Ibrahimi, u edukua dhe u rrit nën kujdesin e
madh të nënës, që ishte një grua fisnike dhe nën kujdesin e vëllezërve më të moshuar.
Sa ishte babai gjallë, shpesh e kishte porositur gruan që fëmijët pa dallim
gjinie ti angazhohej për shkollimin e tyre. Andaj, ishte krejt e natyrshme që vogëlushi
preshevar të vazhdonte shkollimin. Shkollën fillore e mbaroi në Preshevë,
shkollën e mesme-Medresenë e Madhe e në
Shkup, dhe filloi që të studionte historinë në Fakultetin Filozofik po në këtë
qytet. Vitin e parë e kreu në këtë fakultet, ndërsa vitin e dytë e të tretë i
kreu në Universitetin e Beogradit. Për të përfunduar dhe diplomuar zgjodhi
qytetin italian- Perugjen. Mirëpo, Lufta e Dytë Botërore kishte përfshirë
Evropën, dhe, ai përsëri u detyrua që të
lëvizë dhe kësaj here u kthye në Zagreb, ku do të diplomoi më 25 qershor të
vitit 1942, dhe mori titullin e profesorit të historisë.
Pas emërimit të tij si profesor në gjimnazin e Prishtinës
“Sami Frashri”, me të madhe do të angazhohet në jetën politike të kohës. Ishte anëtar
shumë aktivë i Komitetit të Intelektualëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe njëherë
kryente detyrën e këshilltarit të Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare
dhe ishte anëtarë i përkushtuar i NDSH-së. Në fillim të shtatorit të vitit
1944, ai u kthye në Preshevë dhe u angazhua për organizimin e mbrojtjes së
territoreve shqiptare që rrezikoheshin nga forcat komuniste serbo-sllave.
Në mbarim të luftës sëbashku me shumë patriotë të tjerë qe i
detyruar që të largohej nga vendi më 15.11.1945 dhe të shkonte për Greqi, Më
vonë, pas shumë peripecive në vende të ndryshme të Evropës, u vendos në
Australi. Nuk pati pasardhës. Vdiq më 24 janar 1979 në Melburn të Australisë
Krijimtaria publicistiko-shkencore
Duke e lexuar veprën e Ibrahim
Kelmendit, që në fillim bie në sy se të gjitha shkrimet e tij janë të botuara
në gazeta e revista të kohës që botoheshin jashtë vendit siç ishin : “Albania”
botohej nga shqiptarët që jetonin në Itali- Romë, “Besa”, në Stamboll, “Rinia
kosovare në botën e lirë”, në New York, dhe në vende të tjera. Pasi jetoi gjatë në metropolet botërore, ai atë
kohë e shfrytëzoi për hulumtime të mirëfillta shkencore që bëri me një
entuziazëm të pashoq në arkiva e biblioteka të ndryshme. Duke i studiuar mirë
të gjitha punimet që janë të përfshira në këtë libër, të befason këndshëm
shfrytëzimi i literaturës së bollshme e relevante të shfrytëzuar kryesisht nga gjuhët
e huaja. Dukshëm me një kureshtje shfrytëzon literaturën e okupuesit (serbe),
vetëm e vetëm që ta njoh më mirë filozofinë dhe qëllimet e tyre. Në shkrimet e
tija të lë përshtypje qasja e tij objektive për problemet që shtjellon. Na bënë
përshtypje punimi “Serbët si njerëz e si popull”, f. 194. Ku në mes tjerash ai
thotë për ata (serbet) “ Si turmë ata nuk
dinë me arsyetua. U mungon arti me i çmua mendimet dhe drejtimet. Mundë të
shkojnë pas një prijësi të çmendun ma lehtë se sa mbas tjetrit që këshillon
matuni dhe gjykim”. Në këtë përfundim autori vie në bazë të shumë të
dhënave historike që dëshmojnë këtë të vërtet, e sidomos vlen të përmendën
luftërat e fundit që i nisi Serbia në ish shtetin jugosllav, si me Sllovenin,
Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe me Kosovën. Për të vazhduar më vonë “se ata( serbet), vuajnë prej megalomanisë. U
pëlqen me qenë të parët ose me pasua një të famshëm”. Autori për të qenë më
i bindshëm për këtë të dhënë citon historianin serb, Desimir Toshiqin “Srpski
nacionalni problemi”, Paris,
Ndarja e librit
Përgatitësit e kësaj monografie, librin
e ndajnë në: Parathënie, Shënime biografike, katër kapituj dhe e pasurojnë me shumë
fotografi që e bëjnë edhe më të plotë jetën dhe veprën e autorit.
Në kreun e parë “Përbamja etnike dhe historike e Kosovës”, përbëhet prej pesë
punimeve shkencore që kryesisht janë të botuara në revistën “Albania”, në
Vëllimin e parë, me 28 dhjetor 1962, që delte në Romë. Në këtë shkrimë, në
shumë faqe trajton përbërjen etnike dhe historike të shqiptarëve në Kosovë.
Qysh në fillim të punimit, autori na dëften se çfarë nënkuptojmë me emrin
Kosovë duke shtuar se: “na kuptojmë të
gjitha krahinat shqiptare që sundon Jugosllavia. Këto janë: Krahina e Kosovës,
Dukagjinit, pjesë të Republikës së Malit të Zi dhe Maqedoninë Perëndimore”. Me
një fjalë, autori konkludon se kur thua Kosovë, nënkupton edhe shqiptarët e
Malit të Zi dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Ndërsa historikisht qysh nga
viti 1912, thotë autori: Kosova ishte me
90% me popullsi shqiptare, dhe vetëm me 10% me popullsi sllave. Fuqitë e Mëdha
vendosën ndryshe dhe ajo ra në duart e okupatorit serb”.
Në këtë punim na sjell dëshmi të
bollshme se si populli shqiptar nëpër vite rezistoi dhe luftoi për të ruajtur tersin
e vet territoriale qysh nga Lufta e Parë Ballkanike e gjerë te fundi i Luftës
së Dytë botërore. Duke e parë rezistencën
dhe qëndresën e shqiptarëve, pushteti i Beogradit ndjente rrezikun permanent
nga ata, dhe për të dobësuar këtë qëndresë, ajo popullin shqiptarë të Kosovës e
copëtoi në katër administrata” pohon autori. Autori pohon se për të shkruar
këtë shkrim më tepër e kanë shtyrë mosnjohja e problemit të shqiptare nga
qarqet ndërkombëtare. Për ti bindur ata, ai në pika të shkurtra bënë prezantimin e mendimeve të shkencëtarëve
të huaj se çfarë mendojnë për shqiptarët dhe Kosovën. Duke cituar shumë vepra
të tyre na paraqet mendimet e Bernard Newmanit, Antun Majerit, Strabonit,
Joklit, Stadtmuellerit e shumë të tjerëve.
Ndërsa në punimin “Sllavët në tokë shqiptare”, autori e
fillon me citimin e shkencëtarit të njohur W. Peacock, i cili thotë se :Në mes shqiptarit dhe sllavit, ka një
urrejtje dhe një gjakderdhje shekullore. Shqiptari sllavin e quan njeri që i ka
marrë vendin edhe vjedhës. Sllavi te shqiptari sheh një njeri që të prish punë,
i cili, megjithëse nganjëherë asht mundun, gjithnji ka kundërshtuar me u nënshtrua,
dhe tue qenë mjeshtër ma i mirë i penës, shqiptarinë e pa fjalë gjithnjë e ka
paraqit si hajdut dhe plaçkitës të katundeve sllave. Por, simbas historisë, çizma
është në tjetër këmbë”, përfundon Peacock për tokat shqiptare. Në mënyrë të
argumentuar me shifra e fakte prezanton luftërat serbe vetëm e vetëm që të
përvetësoj tokat e huaja. Ata kështu kanë bërë gjatë historisë edhe me
maqedonët, bullgarët dhe me shumë popuj të tjerë, komenton autori.
Eksodet shqiptare paraqiten në punimin “Migrimet shqiptare dhe serbe”. Është
kënaqësi të lexosh një punim të tillë i cili ka një mori të dhënash që i ka
vjelë me shumë kujdes nga arkivat e shumtë të vendeve të ndryshme. Në të
përfshihen, lëvizjet e popullsisë në Ballkan, qysh nga koha e ilirëve, e vjen
deri tek përfundimi i LDB e më vonë në ish-Jugosllavi. Për të përfunduar këtë
kapitull me shkrimin “Kosova dhe të
drejtat historike”, duke analizuar shkencërisht të drejtën e shqiptarëve
dhe serbëve mbi të drejtën mbi Kosovën dhe normalisht në mënyrë të argumentuar,
bindshëm dëshmon se të drejtat shqiptare mbi Kosovën janë të trefishta: Etnike :mbasi shumica absolute e popullatës
së saj përbëhet prej shqiptarëve, Historike: mbasi kontinuiteti shqiptar i saj
kurrë nuk asht ndërpre, Sentimentale: mbasi shqiptarët, kanë pas lufta fituese
dhe të humbuna në katër anët e saja, si kundra otomanëve ashtu kundra serbëve
dhe invaduesve të tjerë”, thotë autori.
“Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”
Kapitulli i dytë i librit dhe vetë
libri titullohej në bazë të punimit “Një
shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, që më herët ishte botua në revistën
“Besa”, të Stambollit, në numrin 59-60 dhe 61 më 1958. Në pika të shkurtra na prezanton
Preshevën si në aspektin historik, gjeografik dhe në atë demografik. Në punimin
“Duro kur nuk mundesh me luftue dhe
lufto kur nuk mundesh me durue”, në pika të shkurtra paraqet statistikat e
popullatës në Preshevë dhe rrethin duke shtuar se :”Sipas regjistrimit të mbas luftës së popullatës, qyteti i Preshevës
kishte 11.000 banorë (Chambers’s Lex). Nga ky numër 75% ende janë shqiptarë”
, pohon Prof. Ibrahim Kelmendi duke shtuar se “kohëve të fundi shumë familje kanë emigruar për në Turqi. Katundet e
Moravicës që ndodhën në veri të hekurudhës, 90% janë shqiptarë dhe ato të anës
tjetër të hekurudhës janë të përzieme, por në shumicë janë shqiptare e serbet
janë në pakicë”, pohonte ai. Edhe pse gjatë luftës u premtua se ata që do
të marrin pjesë në luftë kundër nazizmit, do të kenë të drejtën e
vetëvendosjes, megjithatë Presheva ngeli nën administrimin e Serbisë.
Kosova në luftë
Për zhvillimet dhe angazhimet e Kosovës në luftërat për
pavarësi dhe çlirim kombëtar, Kelmendi të tëra këto i përfshin në kapitullin e
tretë, “Kosova në luftë”. Këtë
kapitull e hap punimi “Veprimtaria e
shqiptarëve të Kosovës prej shtatorit 1944 deri në mbarim të vjetit 1955”, që
është i botuar në revistën “Besa” të Stambollit në numrin 81-82 më 1960. Sipas
shkrimit të profesorit thuhej se: “Jeta e
shqiptarëve në Jugosllavinë e parë kishte këtë pamje: shqiptarët kryejshin
shërbimin ushtarak, paguejshin taksa të rënda, u paguejshin ryshfete nëpunësve,
policëve dhe gjindarmëve serbë, bajshin punë angarie për shtetin, baheshin çifçinj
në tokat e tyre që iu grabiteshin serbët, dhe prej këtyre shkaqeve tjera
shtrëngoheshin me emigrue në Turqi. Dhe mbi të gjitha kishin të drejt me e
quejt veten “mysliman”, dhe shton autori se “kurrë nuk guxojm me harrue se shqiptarët kishin vetëm dy të drejta 1.
me shkurtue dru dhe me i fshi rrugët e Beogradit”. Dhe krejt ishte e
natyrshme se në këto kushte të pa kushte dhe nën këto presione, ata të kishin
vetëm një dëshirë për krijesën artificiale, dhe të kishin vetëm një urat “Shkatërrimin”
e saj thoshte autori. Veç këtij shkrimi autori ka botuar edhe këto punime siç
janë: “Lufta heroike e shqiptarëve të
Preshevës”, “Një thermopile e
trishtueshme, Një komb që mbron me gjak plëng e liri”, “Epope që nderojnë
historinë e kombit, luftë kundër tre armiqve aleatë:bullgarëve,serbëve dhe
partizanëve shqiptar”, “Luftë lirie kombëtare”, “Kosova ripushtohet” e
shumë punime të tjera me interes për historianët dhe për të tjerët.
Shqyrtime politike dhe mesazhi i
librit
Në
pjesën e katërt dhe të fundit, që është e titulluar “Shqyrtime politike”, autori bënë fjalë për situatën politike në
Kosovë duke filluar që nga nëntori i vitit 1944 deri më nëntorin e vitit 1956.
Pastaj fillon me një analizë tjetër prej nëntorit të vitit 1956- nëntor 1968,
dhe demaskimin e deformimeve të politikës së Rankoviqit janë të përfshira në
punimin “Tetë vjet “kryengritje”
kulturore (1968-1976), e botuar në revistën “Rinia Kosovare në botën e
lirë” të cilën e nxirrnin shqiptarët që jetonin në New York, më 1976. Dhe,
krejt në fund autori na prezantohet me punimin “Popujt janë krijue me qenë të lirë”. Punimi i profesorit të
nderuar me një mënyrë i ngjan edhe amanetit që më në fund gjeti rrugën e duhur
për të depërtuar në mendjet tona, duke na porositur se “rruga më e mirë dhe më fatlume për zgjidhjen e problemeve kombëtare të
popullit të Kosovës, është plebishiti, se karakteristikat e popujve janë pasojë
e një zhvillimi të gjatë, në kondita historike dhe gjeografike të ndryshme,
duke shtuar se “popujt, të mëdhenjë ose të vegjël, janë individualitete të
veçanta dhe çdo njani prej tyne ka nji cipë vend që quhet atdhe. Vetëm në atdhe
të lirë ata e ndien veten të relaksuem dhe gjejnë mundësi me u zhvillue
moralisht, intelektualisht, politikisht dhe ekonomikisht”. Andaj liria dhe
mëvetësia janë të domosdoshme për çdo popull dhe për çdo individ, përfundon
autori.
[1] F e m i S u f a j, Historia e burgjeve në Shqipëri gjatë shekullit XX, Tiranë
[2]C o u r t o i s-W e r t h-P a n n e-P a c z
k o w s k i-B a r t o s e k-M a r g o l i n, Libri i Zi i Komunizmit,
krime-terror-shtypje, Tiranë,
[3] Dr. T h o m a M u r z a k u, Kosova dhe çështja e çlirimit
dhe e bashkimit kombëtar në vitet 1913-1918 (Çështja e Kosovës- një problem
historik dhe aktual, punime të botuara nga simpoziumi I mbajtur në Tiranë më
15-16 prill 1993), Tiranë
[4] Prof. dr. M u i n Ç a m i, Shqiptarët për problemin e Kosovës në
mbarim të Luftës I Botërore ((Çështja e Kosovës- një problem historik dhe aktual,
punime të botuara nga simpoziumi I mbajtur në Tiranë më 15-16 prill 1993),
Tiranë
[5] Prof. Dr. R a m i z A b d y l i,
Lëvizja kombëtare shqiptare në Maqedoni 1945-1990 (E djathta shqiptare në
mbrojtje të Shqipërisë Etnike- (3)), Prizren- Shkodër,
[6] Vlerësimi i nevojave dhe memorizimi,
Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Tiranë
[7]Dr. D e m i r D y r m i s h i, Veprimtaria e bandave dhe e
organizatave opozitare ilegale në Shqipëri (1944-1948), Tiranë,
[8] P j e t ë r A r b n o r i, Ja fytyra e diktaturës brenda
qelive të burgut, f. 2 (Shkodra. Net…)
[9] P j e t ë r A r b ë n o r i, Ja fytyra e diktaturës
Brenda qelive të burgut, f. 2
[10] Po aty,
f. 5 (Shkodra. Net.)
[11] Dr. S a b i l e K e ç m e z i-B a s h a, Reagimi i forcave
nacionaliste ndaj vendimeve të Konferencës së Prizrenit më 1945 ( fejton), gazeta “Zëri”, 27-29 tetor
2005, ( Bota sot), (fejton), 8-12 nëntor 2005
[12] Dr. F e h m i A g a n
i, Demokracia, Kombi, Vetëvendosja,
Pejë
[13] Dr. S a b i l e K e ç m
e z i-B a s h a, Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë 1945-1966, Prishtinë
[14] M u h a m e t M j e k u, Lufta e Drenicës, Prishtinë
[15] Dr. D e m i r D y r m i s h i, Veprimtaria e bandave dhe e
organizatave opozitare ilegale në Shqipëri (1944-1948), Tiranë,
[16] P j e t ë r A r b ë n o r i, Deklaratë mbi metodat dhe
llojet e tortures, f.4
[17] Po aty.
[18] AMPB, Fondi Dosjet gjyqësore, viti 1946,
dos. 1081/5, f. 30-40.
[19] Po aty.
[20] Dr. D e m i r D y r m i s h i, Krijimi i organizatës
opozitare ilegale “Bashkimi-demokratik” dhe veprimtaria e saj në vitin 1945,
Studime historike”, 1997, nr. 1-4, Tiranë
[21] Po aty.
[22] C o u r t o i s-W e r t h-P a n n e-P a c
z k o w s k i-B a r t o s e k-M a r g o l i n, Libri i Zi i Komunizmit
(krime-terror-shtypje), Tiranë, 2000.
[23] Procesverbal nga marrja në pyetje të
Xhahit Kokës me 11 mars 1946.
[24] Deklaratë e Gjergj Kokoshit dhënë në hetuesi, 1945.
[25] Dr. D e m i r D y r m i s h i, vepër e cituar… f.187
[26] G e o r g e s H e r m a n H o d o s, Inskenimet (Proceset politike dhe
spastrimet staliniste në Evropën Lindore 1948 1956), Tiranë,
[27] Dr. P j e t ë r P e p a, Dosja e diktaturës, Tiranë
[28] E l m a s L e c i, Eliminimi i lidershipit ushtarak,
Tiranë
[29] Deklaratë e Musine Kokalarit dhënë në
hetuesi, 1946. AQSH. Dos. 1080/2, f. 224.
[30] Deklaratë e Telat Drinit dhënë në hetuesi
më 1946
[31] Dr. P j e t ë r P e p a, Dosja e diktaturës, Tiranë. f. 77.
1995
[32] T r i m G j a t a, Musine Kokalari (1917-1983), Bota
shqiptare, nr. 1. 1993, Tiranë
[33] A. Q. SH. Fondi 437, dosja 81 .
(Korrespodencë e Musine Kokalarit)
[34] J o s i f Z e g a l i, Rrëfime nga burgu I diktaturës
komuniste, Tiranë
[35] C o u r t o i s-W
e r t h-P a n n e-P a c z k o w s k i-B a r t o s e k-M a r g o l i n, Libri i
Zi i Komunizmit (krime-terror-shtypje), Tiranë
[36] T r i m G j a t a, “Bota shqiptare” nr. 2. Tiranë
1992.
[37] J o s i f Z e g a
l i, vepër e cituar. Me gjerësisht, Mysine Kokalari , Përmbledhje e ditarit…
[38] Më gjerësisht, Libri i Zi i Komunizmit (krime-
terror-shtypje), Tiranë
[39] Dr. P j e t ë r P e p a,
Dosja e diktaturës, Tiranë
[40] G e o r g e s H e r m a n H o d o s, Inskenimet (proceset politike dhe
spastrimet staliniste në Evropën Lindore 1948-1956, Tiranë
[41] Monografi “Qemal Draqini, Era”, Shkodër
[42] B a r d h y l V u ç i t ë r n a, Sylejman Vuçitërne (Martir i demokracisë),
Viktimë e sllavokomunizmit, Mokra
[43] E l m a s
L e c i, Eliminimi i lidershipit ushtarak, Tiranë,
[44]Vepër e citur: Monografi: Sylejman
Vuçitërna... f. 320
[45] Dr. D e m i r D y r m i s h i, Veprimtaria e bandave dhe
organizatave opozitare ilegale në Shqipëri (1944-1945), Tiranë,
[46] AMPB, Fondi Dosjet gjyqësore, dos.
[47] Karta e Atlantikut, u nënshkrua ndërmjet V. Çerçilit dhe F. D. Ruzveltit. Në
këtë dokument të rëndësishëm në mes tjerash thuhet “kthimi i të drejtave
sovrane dhe të vetë administrimit atyre
popujve , të cilëve u janë marrë ato dhe respektimi I të drejtave të të gjithë
popujve , që të zgjedhin formën e vet të qeverisjes ( 14 gusht 1941)
[48] C o u r t o i s-W e r t h-P a n n e-P a c
z k o w s k i-B a r t o s e k-M a r g o l i n, Libri i Zi i Komunizmit
(krime-terror-shtypje), Tiranë 2000. Më gjerësisht: Pjeter Pepa, Dosja e diktaturës, f. 54.
[49] Deklarata e Moskës u miratua në tetor
1943 , e cila kërkonte të “zbatohej bashkëpunimi më i ngushtë në udhëheqjen e
luftës dhe në të gjitha çështjet, të cilat kanë të bëjnë me kapitullimin dhe çarmatimin e shteteve armike.
[50] Deklarata e Teheranit, u soll me 1 tetor
1943, u nënshkrua ndërmjet Ruzveltit,
Çerçillit dhe Stalinit. Kjo deklaratë garantonte se të gjithë popujve aleatë në Luftën Antifashiste do t’u njihet e
drejta për të rregulluar marrëdhëniet e veta “sipas aspiratave të tyre të ndryshme dhe sipas ndërgjegjes së
tyre vetanake”
[51] Letra e Titos u botua në dhjetor të vitit
1942, në gazetën “Proleter”, me titull “Çështja kombëtare në Jugosllavi në
dritën e Luftës Nacionalçlirimtare”. Në mes tjerash në lidhje me çështjen e
shqiptarëve thuhej se “Çështja e
Maqedonisë, çështja e Kosovës e Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e
Kroacisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnjës e Hercegovinës do të zgjidhet
lehtë ashtu siç dëshirojnë të gjithë, sepse do ta zgjidhë populli, kurse
këtë të drejtë e fiton çdo popull, me
pushkë në dorë, në këtë luftën e sotme Nacionalçlirimtare”
[52] Rezoluta e Bujanit, u miratua me 31
dhjetor 1943 dhe me 1 e 2 janar 1944, në fshatin Bunjaj të Malësisë së Gjakovës. Në Mbledhjen
Themeluese të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës e Dukagjinit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë
49 delegatë ( 43 shqiptarë, 6 serbë e malazezë). Përveç Rezolutës që është një
dokument me një rendësi të madhe historike, u soll edhe Proklamata e Kryesisë
së KNÇ-së së Kosovës, në të cilën thuhet se “Liria e juaj, qëndron në luftën
tuaj, sepse vetëm lufta e armatosur, e përbashkët kundër okupuesit dhe
ndihmësve të tij është rruga me të cilën sigurohet liria dhe e drejta për
vetëvendosje dhe shkëputje”. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe udhëheqësja e re
prej 9 vetave ( 7 shqiptarë, 2 serbë e malazezë).
[53] Dosja e Qerim Sadikut, f .53.
[54] Dr. D e m i r D y r m
i s h i, vepër e cituar, 170. Veprimtaria ilegale e organizatës
“Nacional-demokratike”, “Grupi i deputetëve” (shkurt 1946-1947), Studime
historike”, 1996, nr. 1-4.
[55] Me gjerësisht gazeta “Bashkimi”, 10 tetor
1947. Tiranë
[56] L u a n X h a f a, Shqipëria, ( Libri i Zi i Komunizmit… ),
Tiranë
[57] AMPM, Fondi Dosjet gjyqësore, viti 1947,
dos.
[58] E u g e n S h e h u,
Piedestalet qe thrrasin,
[59] P j e t ë r P e p a, Dosja e diktaturës, f. 289
[60] Nga trakti i Komitetit Qarkor të Partisë
Komuniste për Korçën”, shtator 1943
[61] www.shkoder.net/.htm, 11/28/2006
[62] E u g e n
S h e h u, Piedestale që thërrasin. Tiranë