Speciale
Sabile Keçmezi- Basha: Procesi ''model'' i gjykatës ushtarake në Mitrovicë, më 1945
E hene, 08.02.2010, 10:00 PM
PROCESI “MODEL” I GJYKATËS USHTARAKE NË MITROVICË, MË 1945
PROF . DR. SABILE KEÇMEZI- BASHA
Sabile_basha@hotmail.com
Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945), si gjithkund në Kosovë njashtu edhe në Mitrovicë, bandat kriminele serbe bënin kërdinë ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, se si qëllim suprem i tyre ishte realizimi i planit makabër i Vasa Qubrilloviqit dhe shumë të tjerëve, ku thoshin se koha më e përshtatshme për ti asgjësuar shqiptarët është periudha e luftës, kur askush për asgjë nuk di dhe askush për asgjë nuk jep ndonjë llogari për krim.
Gjykatat jugosllave donin eliminimin e atdhetarëve
Andaj, procesi gjyqësor, thënë ndryshe procesi jo gjyqësor, i cili u bë në formë të grumbullimit të njerëzve më të devotshëm dhe më atdhetar të Mitrovicës dhe rrethinës më tepër i ngjante një plojës së përgatitur më herët se sa një procesi të mirëfilltë gjyqësor. Duke e lexuar librin (kujtime ), të atdhetarit Ramadan Rexhës, “Kujtimet e mija”, hasa në shumë të dhëna lidhur me këtë, ku pjesëmarrës i këtij procesi ishte edhe vet autori i librit. Por, ajo që më shtyri që të shkruaja ishte më tepër e dhëna se, autori në libër thoshte se për këtë proces nuk ka asnjë të dhënë të dokumentuar dhe asnjë shënim në arkivat tona. E tërë ngjarja mu duk provokuese dhe në një mënyrë isha e dëshpëruar. Por, duke shfletuar disa të dhëna që i kisha grumbullua qysh më herët për librin “Të burgosurit politik shqiptar në Kosovë 1945-1990”, kisha hasur edhe në një dosje që flitet po për këtë proces . Në atë kohë, nuk isha ndalur gjatë për ta analizuar, por që tani isha shumë e bindur se do ta gjeja përsëri. Kureshtja mu shtua edhe më tepër kur gjeta edhe shumë të dhëna tjera biografike të vet të akuzuarve që në një mënyrë e ndjeja veten të obliguar që të hulumtoja edhe më tej që vetëm e vetëm e vërteta të dali në shesh. Dhe i tërë mundi nuk më shkoi kot ngase gjatë hulumtimit hasa në dokumentin e shumëkërkuar.
Procesi makabër gjyqësor i organizuar dhe i mbajtur në Mitrovicë, me gjasë ishte parapërgatitur shumë më herët. Ishin bërë planet si dhe sa veta do të arrestoheshin, kur dhe kush do të arrestohet, sa dhe si do të dënohen. U befasova kur në dosjen e tyre hasa hiq më pak se emrat e njëmbëdhjetë (11) vetave, të cilët në një mënyrë ishin ajka e atdhetarëve dhe e intelektualëve të rrethit dhe qytetit të Mitrovicës.
Në fleta të zbehura letre, hasa në 11 emra, që Gjykata e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë, kishte bërë vërtetimin e dënimeve që i kishte shqiptuar më herët Gjykata Ushtarake në Mitrovicë. Bile-bile për disa të akuzuar ndodhte edhe kjo, që rrallë herë ndodhte në gjykatat e tilla që në hierarkinë më të lart, të shtohet numri i viteve të dënimit me burg apo me vrasje- pushkatim. Gjykata e Lartë e Ushtrisë Jugosllave, në këtë rast jo vetëm që nuk zvogëloi dënimet por edhe tri vetave (që më herët ishin të dënuar me nga 20 vjet burg), kjo gjykatë, ato vendime i hodhi poshtë dhe iu shqiptoi dënimin me vdekje –pushkatim.
Në këtë shkrim, nuk do të lëshohesha në analiza të tjera të të “bëmave” të të akuzuarve, por do te ndalesha vetëm në disa të dhëna që na i ofron aktgjykimi i Gjykatës së Lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe vet pjesëmarrësi i këtij procesi gjyqësor, Ramadan Rexha. Në shumë të dhëna kam hasur se këtë proces ndryshe e quanin edhe si “proces model” të gjyqësisë që u aplikonte menjëherë pas përfundimit të LDB në Jugosllavi. Siç dihej këtij procesi i kishte paraprirë një gjykim i llojit të veçantë, të cilin e kishin organizuar më 18 maj 1945, në hotelin “Jadran” të Mitrovicës. Por, para se të fillonte procesi gjyqësor, në një mënyrë në Kosovë kishte filluar gjuetia në njerëzit atdhetar dhe ndaj të gjithë atyre në mënyrë të organizuar kishin filluar ndjekjet dhe arrestimet e tyre gjithë andej ku jetonin dhe frymonin shqiptarët. Ata i dënonin me gjyq e pa e të, në mënyrë të shpejt e të fshehtë duke i likuiduar si mundeshin, vetëm e vetëm që të shuanin aspirimin e tyre shekullor ndaj atdheut dhe lirisë.
Të arrestuarit e këtij procesi ishin njerëz të ditur dhe të pasur të kësaj ane. Të cilët kishin kontribuar dhe të cilët assesi nuk u pajtonin me situatën e krijuar të riokupimit të Kosovës. Ishin ata, të cilët asnjëherë nuk u pajtuan që Kosova të jetë vend i aneksuar nga Serbia e ish-Jugosllavia. Ishin të gjithë ata, që kishin orientime properëndimore, se ideologjia komuniste për të gjithë ata ishte e huaj dhe e papranueshme. Propagandonin, punonin dhe ishin me të madhe për një demokraci të mirëfilltë perëndimore, ndërsa Kosovën e shihnin vetëm si pjesë të pandashme me Shqipërinë, aty edhe ku e kishte vendin.
Procesi gjyqësor “model”
Në data të ndryshme të pranverës së vitit 1945, dymbëdhjetë veta u arrestuan në shtëpitë e tyre, në natën skëterrë, me tradhti duke i quajtur “armiq të popullit”, për arsye se kërkonin dhe luftonin për një Shqipëri Etnike. Për çështje siguria, arrestimin dhe dënimin e tyre e mori për sipër që ta kryente Gjykata Ushtarake e Mitrovicës. Procesin gjyqësor e përgatiti Gjykata Ushtarake në Mitrovicë me trupin gjykues në përbërje: Mirko Peroviq, major nga Bllaca, ishte caktuar për kryetar, Millosh Gjudoviq, gjykatës, (komandant i rajonit), Hasan Çerkezi, (kapiten) dhe porotnikët: Mustafë Xhabiri, Muharrem Alija, nga Mitrovica, ndërsa prokurori që përfaqësonte aktakuzën, ishte Vllada Popoviqi, major nga Gjilani, djali i Tomë Popoviqit, që ishte në zë për krimet dhe terrorin që kishte ushtrua ndaj shqiptarëve me qetat çetnike.
Për këtë proces gjyqësor që ishte i pa pranueshëm për shqiptarët, udhëheqësit ushtarak të APJ-së ishin përkujdesur që të jetë tejet spektakular, dhe që në masat e gjera popullore, të futët frikë e tmerr dhe të mbahej gjatë në kujtesën e tyre. Me kohë, qytetarët ishin njoftuar, (nëpër mes doboshit), për gjykimin e “kriminelve”. Masën e tubuar e njoftonin se në cilën ditë dhe në cilën orë do të filloj gjykimi, por se, në të mund të merrnin pjesë edhe të gjithë ata të cilët dinë diçka për krimet e personave që do dalin para gjyqit, thoshte tellalli i qytetit.
Në sallën e hotelit, ku ishte caktuar që të mbahej procesi gjyqësor, kryesisht kishin zënë vend ndër të parët, ata, që kishin për të thënë diçka kundër të akuzuarve, ose që ishin të angazhuar për të brohoritur në mënyrë të dirigjuar “Të gjithë në litarë”. Ndërsa, një turmë tjetër deri më atëherë e paparë serbësh, romësh, turqish e tek-tuk edhe ndonjë shqiptar, ishin grumbulluar para sallës së hotelit dhe pritnin me padurim fillimin e procesit. Më vonë, po kësaj mase të tubuar, iu kishte drejtuar Ali Shukrija, duke i quajtur të burgosurit “kriminel lufte dhe tradhtar të popullit”, duke shtuar se “ata që sot po përpiqeshin ta shkatërronin “vëllazërim-bashkimin” e popujve të Jugosllavisë, ende nuk janë të vetëdijshëm se sa i fortë është komunizmi dhe pushteti jugosllav, dhe mu për këtë, sot, ky popull dhe ky gjyq i popullit po i dënon dhe do ti dënojë...”, pas kësaj, masa “e ushtruar për britma” lëshon fyerjet e para kundër të akuzuarve që pritnin dënimet veç kaherë të caktuara.
Sipas Ramadan Rexhës “ora tetë të mëngjesit kishte filluar procesi gjyqësor, dhe masa e tubuar me të madhe kishte brohoritur: “Smrt-kolac-konopac”( “vdekje, në hu, në litar”). Nga të gjitha fshatrat për rreth e më larg, kishin ngarendur serbët që të shohin, se si pushteti “popullor”, po i dënon “armiqtë e popullit”.
Salla e hotelit ishte shumë e vogël për ti zënë të tërë ata, që kishin ardhur me urdhër të udbashve nga fshatrat e ndryshme për rreth, vetëm e vetëm që ta bënin këtë proces gjyqësor sa më “madhështor”.
Atdhetarët që u dënuan në këtë proces
Para trupit gjykuese, dolën njëri pas tjetrit të akuzuarit shqiptar, që të gjithë të prangosur në duar dhe këmbë, por, që të gjithë ishin krenar dhe të patrembur. Ishte elita e popullit të Mitrovicës e rrethinës, që dënohej pa fakte e argumente: 1. Ethem Ferati, nënprefekt i Mitrovicës, 2. Xhevdet Bajrami, 3. Osman Solidi, tregtar, 4. Tefik Bekteshi, adjutant i Pajazit Boletinit, 5. Musa Çollaku, tregtar, 6. Shaban Mustafa, kryetar i Bashkisë së Mitrovicës. 7. Ramadan Rexha, Komisar i Batalionit IV të Brigadës së Drenicës, 8. Abdyl Zhubi, shef i logjistikës së regjimentit të Kosovës, nga Mitrovica, 9. Nebih Hoda-Kuçi, udhëheqës financiar në nënprefekturën e Vushtrrisë nga Vushtrria, 10. Hamdi Gashi, nënprefekt i Nënprefekturës së Vushtrrisë nga Skenderaj, 11. Bahri Abdyrrahmani, tregtar nga Pazari i Ri, dhe 12. Todor Cvetkoviq, mjek i punëtorëve të Trepçës.
Me sa i kujtohet, njërit nga të akuzuarit e këtij procesi, Ramadan Rexhës, ai thotë se Prokurori ushtarak, majori Vlada Popoviqi, me një gjysmë letre të vetme në dorë, iu drejtohej të akuzuarve duke iu lexuar aktakuzën. Të pandehurit nuk patën as mundësin më të vogël që të reagonin apo të pajtohen me të. Trupi gjykues u tërhoq për tu kthye pas 15 minutash në sallë, dhe iu shqiptoi dënimet të akuzuarve. Në këtë proces gjyqësor katër veta u dënuan me vdekje pushkatim, dy veta me nga 20 vjet burg, tre veta me nga 15 vjet burg të rëndë dhe dy veta me nga 10 vjet burg. Ndërsa vetëm një u lirua që të mbrohet në liri.
Pa tjetër duhet përmendur se me këtë grup ishin arrestua edhe Idriz Rexha dhe atdhetari i njohur Bedri Gjinaj. Porse, për këta dy, udbashët, më herët ishin përkujdesur që ti nxirrnin nga birucat e burgut, dhe në mënyrën më misterioze ti likuidonin, e sot nuk dihet as për varret e tyre.
Sipas një dokumenti që e disponon Arkivi i Kosovës, të cilën e kishte lëshuar Gjykata e Lartë Ushtarake Jugosllave thuhej se disa të akuzuarve që iu kishte shqiptua dënimi, më herët me 20 vjet burg, ajo këtë dënim iu ngriti në dënimin me vdekje-pushkatim. Këtë e dëshmon edhe Ramadan Rexha, kur thotë se me 22 qershor 1945, në ora 15, kryetari i trupit gjykues, Mirko Peroviq bashkë me gardianin iu ofrua derës ku ishim vendosur të dënuarit prej 10-20 vjet burg, aty, ai e hap derën dhe na njoftoi se Gjykata e Lartë Ushtarake e Jugosllavisë, personave me dënime kohore siç ishte: Hamdi Gashi, Xhevdet Bajrami dhe Musa Çollaku iu shndërrohet në dënimin nga 20 vjet burg, me vdekje-pushkatim. Menjëherë gardianët, ata të tre i morën dhe i vendosën në qelit ku ishin shokët e tjerë që ishin të dënuar me vdekje. Ishin shtatë veta që prisnin vdekjen. Ishin shtatë veta që prisnin momentin më të trishtuar që të përshëndeteshin me familjet e tyre për të fundit herë. Ata, ishin të njoftuar se, që nesër do të kryhet ekzekutimi (23 qershor 1945), në ora 10 të ditës.
Është për tu habitur, se në këtë proces gjyqësor, nuk pati mbrojtës, nuk pati dëshmitar, nuk u mbajt procesi verbal. Nuk kishte edhe as një të vetmen provë që vërtetonte fajin e tyre. Mund të themi se sigurisht, edhe është e vërtet se të pandehurit ishin dënuar shumë më herët, ndoshta ende pa u zënë, ngase një fshatar dëshmonte më vonë, se varrezat e të akuzuarve ishin të hapura shumë ditë më herët se sa të mbahej procesi gjyqësor. Nga këto të dhëna, mund të konkludojmë se i tërë procesi gjyqësor ishte vetëm një lloj farse që më vonë u përcoll dhe u aplikua shumë shpesh në proceset gjyqësore që u organizonin ndaj shqiptarëve, e që më së shumti erdhi në shprehje pas vitit 1981, kur gjykatësit, dënimet i nxirrnin të gatshme nga sirtarët e tavolinave.
Ali Shukriut i pengonte veshja e të dënuarve si për dasmë
Në ato rrethana e kushte që u mbajt procesi gjyqësor për atdhetarët e Mitrovicës, për të lajmëruar familjaret, ishte tej mase e vështirë. Megjithatë, thuhej se, Ethem Prekazi ia kishte dhënë një unazë Osmanit të Shaban Çopës, dhe e e kishte porositur që të shkonte në shtëpinë e tij, dhe të lajmëronte babain- Arif Prekazin. Burrat, nuk do të ishin burra në zë poçes ligështohen para fatkeqësive, thoshte Arif Prekazi, i cili ishte një atdhetar dhe një burrë në zë, posa merë lajmin për dënimin e të birit me shokë. Ai, porosit 7 palë kostume të reja për ta, këpucë e plisa të bardh dhe iu sjell të gjithëve, sa që të nesërmen kur dalin për të hipur në kamion, i cili ishte sjell enkas për bartjen e tyre deri në vendin e ekzekutimit. Ali Shukriu befasohet nga veshja e tyre solemne, kur i shef, i mllefosur bërtet “Po ju a në dasmë po i qoni”. Ndërsa Rasim Çerkezi, një tjetër eksponent i pushtetit, njërit nga të burgosurit nga prapa ia heqë plisin dhe ia gjuan për tokë. Por, kur tenton t’ia marr edhe Tefik Bekteshit, ai e pështynë dhe e shtyn me tërë forcën që kishte, por një partizan që e përcillte kordonin e të dënuarve iu mblodhi të gjithëve plisat dhe iu shkeli para syve, duke u çjerrë sa mundke “ju jeni tradhtar”.
Edhe pse ishin të dënuar me vdekje, posa hipën në kamionë, nga ata ushtoi kënga për Kosovën dhe për Shqipërinë. Ethem Prekazi, njëri ndër më oratorët, iu drejtua masës së tubuar, duke iu thënë se “Ne, nuk jemi tradhtar, tradhtarët dhe kriminelët janë këta që vrasin e presin çdo gjë që është shqiptare”, duke e drejtuar gishtin nga UDB-ashët.
Udbashët u trazuan nga frika, urdhëruan që menjëherë të nisen kamionët. Kamionët dhembshëm morën rrugën në të majtë në lindje të qytetit, dhe pasi kaluan Urën e Sitnicës, u ndalën tek një bregore e vogël, afër varrezave të serbëve. Edhe sot kujtojnë fshatarët e Shupkovcit me dhembje, se si ata i rendojnë njërin pran tjetrin dhe i varin në shtyllat e përgatitura më herët, dhe që të shtatët i varin në litarë. Por, para se të binin në litarë, edhe njëherë si bubullimë u dëgjua thirrja e tyre “Rroftë Kosova, Rroftë Shqipëria...” dhe ranë në tokën-nënë për të cilën kishin flijuar edhe jetën. Krismat e pushkëve jo vetëm që thyen heshtjen e asaj dite qershori, por ata edhe njëherë bënë aktin më makabër ndaj atdhetarëve që nuk luftuan vetëm për vete por, për tërë shqiptarin.
Duke iu frikua se ndoshta ndonjëri nga ata, kishte ngelur gjallë, partizania Dara Neradoviq, të gjithëve iu shkrepi edhe nga një plumb, nga afër, në kokë, duke iu thënë: “Epo tani, këndoni për Kosovën”.
Gjykata e Lartë Ushtarake e Armatës Jugosllavisë shtonë dënimet
Do të elaboroja me pakë fjalë vendimin e Gjykatës së Lart Ushtarake të Armatës Jugosllave, i cili thoshte se “Këshilli pran Shtabit Gjeneral , e shikoi dhe e mori në shqyrtim lëndën e gjykatës ushtarake në Mitrovicë nga data e 18 majit 1945, lëndët me nr. 323, 314, 355, 372, 322, 270, 349, 377, 318, 316, 329 dhe 315/45, lëndën penale kundër të akuzuarve : Osman Ibrahimit, i quajtur “Solid”, tregtar nga Prishtina; Ethem Ferati, nënprefekt në Mitrovicë, përndryshe tregtar; Tefik Bekteshi, poruqnik në Mitrovicë, Todor Cvetkoviq, mjek Topolqan, Prilep, Hamit Gashi, freski naqellnik në Vushtrri, Abdyl Zhubi, kamerier nga Gjakova, Xhevdet Bajrami, komandim zhandarmerije në stacionin e Mitrovicës, Musa Qollaku, tregtar nga Novi Pazari, Ramadan Rexha, administrator nga Mitrovica,, Nebi Hoda, shef poreske urave në Suharek, Bahri Abdyrrahmani, tregtar nga Novi Pazari. Nga pjesa e aktgjykimit që ka të bëjë me këta persona:
1. I akuzuari Osman Ibrahimi, i quajtur “Solidi”,, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykatat ushtarake, si kriminel lufte dhe armik i popullit i është shqiptuar dënimi me vdekje- pushkatim , për tërë kohën me humbje të të drejtave morale dhe me konfiskimin e pasurisë, Gjykata e Lart Ushtarake ia vërtetoi dënimin në tërësi, si tërësisht të drejtë.
2. I akuzuari i dytë Ethem Ferati, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake për krime lufte dhe kundër popullit, ishte i dënuar me vdekje-pushkatim. Gjatë kohë me humbje të të drejtave morale dhe konfiskimin e pasurisë. Gjykata e Lartë Ushtarake në Mitrovicë ia vërteton dënimin me vdekje dhe mendon se është i drejt.
3. I akuzuari Tefik Bekteshi, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykatat Ushtarake dënohet si armik i popullit me vdekje-pushkatim dhe duke i humbur të gjitha të drejta morale dhe materiale për kohë të pacaktuar duke iu vërtetuar dënimi si meritor dhe drejt ndaj këtij të akuzuari.
4. I akuzuari i katërt, Todor Cvetkovski, i cili në bazë të nenit 13 e 14 iu shqiptua dënimi me vdekje-pushkatim në bazë të urdhëresës të gjykatave ushtarake, duke e cilësuar si armik të popullit dhe kriminel lufte. Gjykata në fjalë e miraton dënimin e dhënë për të akuzuarin dhe humbjen e të gjitha të drejtave morale e politike të tij.
5. I akuzuari Hamdi Gashi, i cili në bazë të nenit13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake,i shqiptohet dënimi me burg të përjetshëm dhe me humbjen e të gjitha të drejtave morale e materiale të tij. Sa i përket dënimit Gjykata e Lartë Ushtarake, dënimin e shqiptuar nga burgu i përjetshëm e ngrit në atë me vdekje- pushkatim.
Në këtë pjesë gjykata e Lartë Ushtarake, në arsyetimin përse vije deri te rritja e dënimit, arsyetohet gjëja se Hamdi Gashi ka bërë shumë më tepër krime duke i likuiduar dhe detyruar popullatën serbe që të shpërngulën nga Kosova.
6. I akuzuari Abdyl Zhubi, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës të Gjykatave Ushtarake për krime lufte dhe armiq të popullit, Abdyl Zhubit i shqiptoi dënimin prej 20 vitesh burg të rëndë dhe me humbje të drejtash morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 70%. Gjykata në fjalë e miratoi këtë dënim.
7. I akuzuari Xhevdet Bajrami, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake kundër armiqve të popullit dhe krimeve të luftës, të akuzuarit i shqipton dënimin prej 15 vitesh burg të rënd dhe 10 vite të humbjes së lirive morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 60%. Por Gjykata e Lart Ushtarake nuk pajtohet me këtë dënim andaj Xhevdet Bajramit i shqipton dënimin me vdekje-pushkatim dhe humbje të përjetshme të lirive morale e materiale të tij.
Për shqiptimin e këtij dënimi, Gjykata e Lartë Ushtarake jep këtë arsyetim gjëja se Xhevdeti vije nga Tirana me detyrë të caktuar për të organizuar xhandarmërinë kundër serbëve të kësaj ane. Xhevdet Bajrami akuzohej edhe për raportet e mira e miqësore që kishte me atdhetarin Ibrahim Lutfiun dhe Ali Dragën duke i përkrahur të gjitha organizatat ilegale që vepronin kundër “vëllazërim-bashkimit” dhe sistemit të sapo instaluar komunist në Jugosllavi.
8. I akuzuari Musa Qollaku, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake për armik të popullit dhe kriminel lufte. Atij iu shqiptua dënimi prej 15 vitesh burg, por këto argumente gjykata e Lart Ushtarake nuk i mori parasysh ngase dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë iu duk i vogël, andaj, ajo mori qëndrimin që Musa Qollakut ti shqiptoj dënimin shumë më të madh, prej 15 vitesh burg në atë me vdekje- pushkatim, ngase, arsyeton gjykatësi, se Ai ishte njeri shumë i rrezikshëm, që për nga rangu, radhitej menjëherë pas Xhafer Devës, Ibrahim Lutfiut dhe Ethem Feratit.
9. I akuzuari i nëntë, Ramadan Rexha, në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake për kriminel lufte dhe armiq të popullit, atij i shqiptojnë dënimin prej 15 vitesh burg të rëndë dhe me humbje të drejtave morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 60%. Këtë dënim, Gjykata e Lartë Ushtarake e miraton në tërësi.
10. I akuzuari Nebi Hoda, i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykatat Ushtarake, e dënon me 10 vite burg të rënd duke ia hequr për 5 vite të drejtat morale dhe konfiskimin e pasurisë deri në 60%, duke ia miratuar në tërësi këtë dënim edhe kjo gjykatë.
11. I akuzuari i 11, ishte Bahri Abdyrrahmani i cili në bazë të nenit 13 e 14 të Urdhëresës për Gjykata Ushtarake i shqipton dënimin prej 10 viteve burg të rëndë, dhe për 5 vite të humbjes së lirive morale dhe konfiskim të pasurisë deri në 60%. Gjykata në tërësi e miraton dënimin.
12. I akuzuari i fundit ishte Shaban Mustafa, të cilin gjykata të vetmin e liron nga aktakuza, si të pafajshëm.
Në fund të dokumenti shkruan se Kryetar i gjyqit (nënshkrimi i palexueshëm) edhe pse dokumenti i cili është i ruajtur në arkiv me sa kuptoi unë është origjinal. I vetmi nënshkrim në dokument është ai i sekretarit Aleksander Nedelkoviq (kështu disi), pasi se shkrimi është tejet i palexueshëm.
Komentoni
Artikuj te tjere
Ramiz Dërmaku: Shfletojmë historinë e bandave në Shqipëri
Nexhmedin Spahiu: Lindja dhe gjymtimi i Republikës së Kosovës
Qazim Namani: Kullat në fshatin Gumnishtë të Shalës
Krist Gjinaj: Mirdita në kohen e Ahmet Zogut
Qazim Namani & Xhafer Cakolli: Shtëpia e Asllan Cakollit në Krilevë të malësisë së Gallapit
Sabile Keçmezi- Basha: Kosova në trajtimin e organizatave e grupeve ilegale në Shqipëri (1945-1948)
Hilmi Saraçi: Iniciativa për identifikimin e vendit të varreses masive të luftëtarëve të ballit kombëtar
Avzi Mustafa: Mësimi i gjuhës maqedonse nga klasa e parë është problem politik
Krist Gjinaj: Kishat shqiptare ndër shekuj
Mehmetali Rexhepi: Relievit të rrëshqitshëm të lirisë
Qazim Namani: Hebrejt e Kosovës gjatë luftës së dytë botërore
Qazim Namani: Kulla e Murat Tahirit në Popovë
Fritz Radovani: 65 vjet ma parë...
Qazim Namani: Hebrejtë në Kosovë mes dy luftrave botërore
Qazim Namani & Behxhet Dibrani: Gjurmë të lashtësisë dhe toponimet në fshatin Gumnishtë të Shalës së Bajgorës
Qazim Namani: Varrezat e hebrenjve në Kosovë
Qazim Namani: Kontributi i hebrejëve në zhvillimin ekonomik, tregtar dhe kulturor
Tomë Mrijaj: Kujtimet e mia për Imzot Dr. Zef Oroshin tek varri i nacionalistit të flaktë Gjeneral Abas Kupi
Krist Gjinaj: Kur historia e flet të verteten!
Eshref Ymeri: “Enciklopedia” e urrejtjes greke