Speciale
Sabile Keçmezi- Basha: Hasan Alia - Remniku: me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare
E premte, 19.02.2010, 10:00 PM
Nga Prof. dr.
Sabile Keçmezi- Basha
sabile_basha@hotmail.com
Pas
një veprimtarie të bujshme patriotike të NDSH-së, dhe pas një përcjelljeje të
gjatë e të gjithë anshme të organeve të ndjekjes, ilegalja shqiptare duke e
parë se veprimtaria e mëtejshme në kushte të reja ishte e vështirësuar, krerët
e saj filluan që të kenë si opsion edhe
propozimin të dal nga një pjesë e krerëve atdhetar për largimin e saj nga
Kosova. Propozimi i një grupi për largimin e tyre nga vendi, krijoi si të themi
edhe një lloj përçarje në mes të ilegales në Kongresin e Pestë të saj në malet
e Blinajës. Dihej se në të dolën dy propozime, njëra ishte që të vazhdohet me
veprimtari ilegale, duke qëndruar në vend, ndërsa tjetra ishte që të dilet
jashtë vendit nëpër mes kanaleve të ndryshme dhe nga atje të organizoheshin dhe
në momentin më të përshtatshëm të kthehen në vend duke përmbysur pushtetin e
sapo instaluar komunist dhe të shpallin bashkimin kombëtar.
Refuzimi i Hasan Alisë për largim nga Kosova
Patrioti i Anamoravës Hasan Ali- Remniku, i takonte
grupit të parë, i cili me një grup shokësh, edhe pse e dinte se rreziqet ishin
të mëdha, ai me këmbëngulje ishte për qëndrim të mëtejshëm në Kosovë dhe
asnjëherë gjatë jetës së tij nuk u luhat dhe nuk vuri në dilemë largimin e tij nga
Kosova. Ai ishte i prerë në qëndrimet e veta. Kosova dhe popullata e pa
mbrojtur shqiptare kishte nevojë për të, sikurse edhe ai për ata, dhe ishte
shumë i vendosur për të vazhduar luftën e nisur deri në fund për lirimin e
atdheut.
Hasan Ali- Remniku, ishte shokë e mik i Hysen Tërpezës, por ishte edhe mik i Bacës Ramiz Cërnicës. Edhe pse e kishte lutur e përgjëruar Hysen Terpeza për të iu bashkangjitur atij për largimin në Greqi, ai kishte qenë këmbëngulës, dhe i kishte thënë “ Unë kur dola në male isha betua se do të luftoi pushtuesit, dhunuesit, hajnat, vrastarët, njerëzit e ligj të çdo lloji ngjyre e rase- veçmas shkaun. Edhe nëse më shkon forca, unë nuk do të dorëzohem i gjallë por do të qëndroi me çka kam dhe sa të mundem e nëse vritem le të jetë edhe ashtu, që me gjakun tim ujitet atdheu shqiptar që aq shumë e desha. Juve miq, shokë e luftëtar shpirtra të Shqipërisë Etnike që deri dje ishit roje e atdheut iu qoftë udhë e mbarë e unë do të qëndroi edhe ca kohë në Kosovë. Ju jap fjalën se edhe unë pasi që do ti kryej do punë- porosi e amanete do të dalë në Shqipëri e do të kthehem në Kosovë...”[1], këto edhe ishin fjalët e fundit që i tha shokut të vet të idealit Hysen Tërpezës.
Formimi i Komiteti të NDSH-së në Remnik
Sipas disa të dhënave që na i ofron në “Autobiografin” e vet, veprimtari i shquar i ONDSH-së – Shemë Dajkoci, në mes tjerash, për organizimin dhe veprimtarin e ONDSH-së në Anamoravë, në mes tjerave shkruante se: “Në fshatin Bresalc kryetar ka qenë Hajrullah Hoxha, i cili ka organizuar në Verbicë, në Zhegoc dhe në Ponesh...”[2], komitete të NDSH-es, por, më tej, askund në shkrimin e tij nuk hasim ndonjë të dhënë plotësuese lidhur me veprimtarin e ONDSH-së, në fshatin Remnik. Por, në bazë të disa të dhënave të më vonshme, që i gjejmë në fejtonin e Jovan Bullaiqit, në gazetën “Rilindja” që ishte i botuar me titull “Prita në Bistricë”, me 16 qershor 1965. Sipas tij, del se Hasan Remniku qysh herët, menjëherë pas vitit 1945, kishte filluar të merrej me veprimtari atdhetare ilegale. Vazhdimisht sipas Bullaiqit, por që më vonë e hasim edhe tek libri i Muhamet Pirrakut “Mulla Idriz Gjilani...”, Prishtinë, 1995, vërtetohej e dhëna se, me propozimin e Hasan Remnikut, formohet organizata e NDSH-es në Gjilan (1949), me programin e saj luftarak, e quajtur “Zogiste”. Organizata quhej me këtë emër, por në bazë të të dhënave që kemi arritur ti sigurojmë, ajo ishte degë e NDSH-së dhe kishte të njëjtin program të saj.
Duke përcjellë rrjedhën e ngjarjeve, dhe më vonë, pas
zbulimit të ONDSH-së në Gjilan, më 1949, sipas të dhënave, në muajin tetor, të
vitit 1949, në fshatin Remnik formohet dega e NDSH-së, me anëtarët: Mustafë
Kokën nga fshati Kokaj të Gjilanit dhe Arif Sylën nga fshati Remnik, të cilët
kishin për qëllim që në kuadër të saj të përfshinin të gjitha fshatrat e
Anamoravës së Epërme. Arif Syla ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Hasan Remnikut
dhe me te vazhdimisht mbante lidhje, sa që në fund aq shumë kishte fitua
besimin e këtij të parit, sa e caktoi që të jetë edhe korrier i tij. Arif Syla,
edhe më herët kishte rënë në kontakt me anëtarët e NDSH-es. Qysh nga viti 1945,
mbante lidhje me ta, e cila gjë vazhdoi edhe në vitet e më vonshme. Pas vitit
1949, me formimin e degës së NDSH-së, në Remnik, ai i mbante lidhjet në mes të KQ të NDSH-së në
Shkup, me Gajur Beun dhe Hasan Remnikut.
Pas zbulimit dhe arrestimit të anëtarëve
të degës së NDSH-së që vepronte në Gjilan, të cilët në procesin gjyqësor, me
12-16 nëntor 1949, u dënuan me vite të mëdha burgu. Nga kjo datë, dega e
NDSH-së, e Remnikut filloi të veproj në mënyrë të pavarur, dhe barrën kryesore
e morën: Hasan Remniku, Mustafë Koka dhe Arif Syla. Pas një takimi që patën në
fund të nëntorit, Hasan Remniku u zgjodh udhëheqës kryesor ushtarak, Mustafë
Koka u emërua si udhëheqës ideologjik dhe njëherit kryente punët e sekretarit
të organizatës. Ndërsa Arif Syla u
caktua arkëtar i saj.
Organizata e NDSH-es, në fshatin Remnik, me kalimin e
muajve, filloi të shtoi edhe veprimtarin e saj. Numri i anëtarëve shtohej për
ditë e më tepër, ndërsa i simpatizantëve ishte edhe më i madh në tërë rajonin e
Anamoravës së Epërme. Anëtarët rregullisht paguanin anëtarësinë dhe gjatë
veprimtarisë së tyre ishin shumë konspirativ.
Vlen të përmendet pagesa e anëtarësisë
në kushtet tejet të vështira të organizatë: Pasi se të hollat anëtarët nuk
guxonin ti dorëzonin vet, por, për çështje sigurie, ata kishin aplikua një
formë tjetër të pagesës, që ishte shumë më e sigurt, megjithëse edhe kjo punë
ishte me shumë rreziqe. Anëtarët e organizatës më herët në mes veti merreshin
vesh për ndonjë vend më të sigurt dhe më të fshehur në mal për ti lënë parët e
anëtarësisë. Aty, në mënyrë të fshehtë, anëtarët dhe simpatizantët në mënyrë të
organizuar lenin parat dhe në ditën e caktuar, arkëtari shkonte dhe i merrte të
hollat që iu shërbenin për nevojat e organizatës.
Më 1950, në Kosovë fillon të
aplikohet aksioni për heqjen e ferexhesë. Ndaj këtij aksioni reagon ashpër Arif
Syla. Nga pozita që mbante, sjellja e tij ishte e pa tolerueshëm. Andaj, për
një sjellje të tillë, ai arrestohej nga organet hetuese. Mirëpo, organet e
sigurimit, duke hetuar se ai diçka po fshihte, pastaj diçka kishte folur pa dashje,
dhe se tërthorazi kishte zbuluar se e njihte Hasan Remnikun dhe se ishte anëtar
i një organizate ilegale. Ai me dinakëri lirohej nga burgu, por vazhdimisht
duke e përcjell organet hetuese, dhe për tu mos hetuar përcjellja, ata përsëri
e emërojnë si referent për arsim në fshatin Remnik. Pas një kohe , kur
“qetësohen” shpirtrat e hetuesisë e të përcjelljes, anëtarët e degës së NDSH-së
që vepronte në Remnik, takohen përsëri. Qëllimi ishte që të likuidohen dy
policët që e kishin keqtrajtuar Sylë Arifin, në burg. Megjithatë, anëtarët e
tjerë nuk u pajtuan me këtë propozim, ngase konstatuan se nuk ishte momenti i
duhur për këtë aksion.
Më 1948, marrëdhëniet ndërmjet
Shqipërisë dhe ish- Jugosllavisë (gjatë kohës së Informbyrosë), kishin mbërritur
pikën e vlimit. Në Kosovë, gjatë asaj periudhe kalonin shumë persona të
dyshimtë për pushtetin jugosllav, e sidomos ata që vinin në Kosovë nga
Shqipëria. Kështu ndodhi edhe me oficerin e Shërbimit Informativ të Shqipërisë
Skender Kosovën, që si udhëheqës i një treshe kishte kalua në Kosovë dhe ishte
likuidua nga organet e e sigurimit jugosllav.
Për këtë vrasje të Skender Kosovës,
nga organet e Shërbimit Informativ të Shqipërisë, erdhi një letër për Mustafë
Kokën, që në mënyrë urgjente kërkohej, sa më parë të vriten dy oficer të
UDB-es, që dega e NDSH-së konsideronte se ishin më të rrezikshmit për popullin
shqiptar. Nga ana e grupit, për likuidim u propozuan që të vriten oficerët e
UDB-es, Xhafer Lila dhe Vojisllav Taliqi- Voja. Për likuidimin e tyre u
caktua anëtari i degës së NDSH-es,
Mustafë Koka, të cilën në mesë të natës së 5/6 qershorit 1951, e kreu me sukses
detyrën e marr.
Pas vrasjes së dy oficerëve të UDB-së, organet e ndjekjes shtuan edhe më tepër ndjekjen ndaj tyre. Fshatarët e Anamoravës me dhunë i detyronin të tregonin se kah dhe ku ndodhej grupi i Hasan Alis. Filluan forca të mëdha të ndjekjes të dilnin në teren dhe të organizonin prita të shumta.
Kush ishte Hasan Alia-Remniku
Familja
e Hasan Alis, në fshatin Remnik kishte ardhur aty kah viti 1913, sipas disa të
dhënave, ai në atë kohë kishte vetëm tri vjet. Hasani kishte lindur më 1910 në
një familje mesatarisht të kamur fshatare. Shumë shpejt familja e tij në fshatin
e ri, kishin krijuar miqësi dhe u pritën ngrohtësisht nga vendasit. Me sjelljen
e tyre të fisme, fshatarët asnjëherë nuk i ndan nga gëzimet dhe as nga
hidhërimet e tyre. Me kalimin e viteve familja e Hasan Alis, filloi të njihej
me mbiemrin e fshatit, që më vonë në shumë dosje të UDB-es e gjejmë me mbiemrin
Hasan Remniku. Babai i tij, Ali Ramë Çollaku, nga ai Hasan Alia kishte
trashëguar trimërinë e guximin ndërsa, nga nëna Zelë, kishte trashëguar ndjeshmërinë
dhe dashurin ndaj skamnorëve. Hasan
Ribniku, fshatar në gjendje mesatare ekonomike nga Ribniku, komuna e Cërnicës[3]
shkruante në dosjen e tij. Mirëpo, gjatë hulumtimeve, në shumë vende na del se
Hasan Remniku ishte një lloj Robin Hudi shqiptar, kur shihte se depot e
pushtetit ishin të mbushura me mall e veshmbathje, ndërsa në anën tjetër
popullata shqiptare vuante për një kothere bukë apo për një palë opinga, ai e
ndjente veten keq dhe në një mënyrë ishte i detyruar që ti merrte ato nga
magazinat dhe t’iu shpërndante popullatës shqiptare. Ai nuk mundi asnjëherë të
duronte padrejtësinë, sidomos nga komshit e vet që i kishte serbë.
Ishte i martuar me Naziren nga Lubishta, dhe në jetën martesore u linden tre fëmijë: Naziren, Nurien dhe Aliun (1942).
Gjatë kohës së okupimit punoi si
policë në komunën e Parteshit. Mirëpo, pas përfundimit të luftës, Hasan Alin-
Remnikun e gjejmë në anët e ndryshme të Anamoravës, duke punuar për të mirën e
kombit të vet. Shpesh e hasim duke i ndërruar strehimet dhe jatakët, duke ndërruar
terrenet dhe shpellat ku fshihej. Ai ishte i vetëdijshëm dhe kishte dëgjuar nga
informatorët, se UDB-eja po kërkonte me pishë një njeri që do ta zbulonte me
tradhti Hasan Remnikun. Andaj, për çdo lëvizje ai ishte vigjilent në takimet
dhe në jatakët e tij. Arif Sherif
Selmanin nga Remniku e kishte caktuar korrier, ai ishte një djalë i ri,
trim dhe shumë i besueshëm. Nga ky edhe vinin informatat se kah sillej ushtria
dhe policia jugosllave, dhe se çfarë çmimi kishin vu për kapjen e tij.
Në një takim me Hasan Remnikun ai në
një farë dore kishte marr edhe detyrat konkrete nga ai të cilat ishin:
1. Ta informojë rregullisht mbi
qarkullimin e ushtrisë e të milicisë dhe të interesohet se cilët njerëz i
kërkonin ata.
2. Të mbanin evidencën e njerëzve që janë bashkëpunëtor
aktivë të pushtetit të sotshëm, t’i dërgojë listën e tyre në mënyrë që këta
njerëz në momentin përkatës të likuidohen.
3. Të marri vesh se cilët njerëz janë të pakënaqur me
rendin e tashëm shoqëror, në mënyrë që me kohë dhe sistematikisht t’i rekrutojë
për veti.
4. Ta informojë për situatën në magazinat e shitoret e kooperativave, në mënyrë që me rastin e plaçkitjeve të mos hasin në befasi, etj.
Dora e djathtë e Hasanit- mësuesi Mustafë Koka
Mustafë Rushiti- Koka, ishte i lindur më 1926, në fshatin Inatovc, të rrethit të Gjilanit. Babai i tij ishte një fshatar i pasur që asnjëherë nuk ishte pajtuar me copëtimin e tokave shqiptare. Nga urrejtja e madhe që kishte ndaj pushtuesit, ai menjëherë pas mbarimit të LDB-së, kishte formua një grup që luftonin kundër sistemit të sapo instaluar në vend. Më 1947, ai arrestohej dhe dënohej me 20 vjet burg. Në burg, së bashku me babin ishin të dënuar edhe vëllezërit e tij, që u cilësuan si armiq të popullit dhe të shtetit.
Mustafa, si djalë i ri, fillimisht nuk tregoi ndonjë
interesim të veçantë për politik, por kah fundi i luftës, iu bashkëngjit
brigadës partizane të Shqipërisë dhe bashkë me ta shkoi në Shqipëri, ku qëndroi
deri më 1947. Gjatë kohës sa qëndroi atje, ai ndoqi mësimet në Shkollën
Normale, e në të njëjtën kohë kreu edhe kursin ushtarak- informativ.
Pas kthimit në atdhe, ai u propozua nga komuna, për të
vazhdua shkollimin në kursin pedagogjik në Prizren. Derisa vazhdonte mësimet,
organet e sigurimit, filluan ta përcillnin hapa pas hapi. Për Hasan Remnikun,
mësuesi i devotshëm kishte dëgjua shumë fjalë dhe për veprimtarin e tij
patriotike kishte marr informata edhe gjatë qëndrimit sa ishte në Shqipëri. Dëshirë
e kahershme e tij ishte që të takohej me të. Njoftimin në mes këtyre dyve e
bëri Sylë Arifi, që në atë kohë kryente detyrën e sekretarit të Këshillit të
Vendit. Me detyrën që kryente Sylë Arifi, kishte mundësin që mësuesit të ri ti
siguronte një vend të ri pune, që mundësisht të ishte sa më afër Hasan Remnikut,
që për qëllim kishte të bëhej lidhja dhe kontakti sa më i shpejt me KQ të
NDSH-së në Shkup.
Pas një kohe të shkurtër, Mustafë Rushiti- Koka, kaloi me
detyrë në shkollën e fshatit- Remnik. Po në këtë kohë filluan edhe takimet e
shpeshta e më të shpeshta me Hasan Remnikun. Me kalimin e tij në fshatin
Remnik, mësuesi kërkoi të takohej edhe me Agush Hetemin nga Bresalci, që me te
njihej që më herët.
Agush Hetemi para lufte kishte qenë bujk, gjatë lufte
kishte bashkëpunua me forcat nacionaliste. Më 1943, kishte marr pjesë në Ponesh
e Livoq të Poshtëm kundër forcave partizane. Më 1949, bashkë me Ramadan Ramadanin
prej Gjilani kishte formuar organizatën ilegale “Zogisti”, që kishte për qëllim
rrëzimin e sistemit ekzistues shoqëror. Por, në bazë të të dhënave del se kjo
organizatë nuk ishte tjetër gjë, por ONDSH, që vepronte në kushte më të
vështira dhe konspiracioni ishte edhe më i thellë.
Me ndihmën e Sylë Arifit, Mustafë Koka, Hasan Remniku dhe
Agush Hetemi u takuan në vendin e quajtur “Gumnisht”. Biseda në mes të takuerve
nuk zgjati shumë por, në atë takim paraqitën planin konkret për veprimtari të
mëtejshme. Aty u vendos që në mënyrë sa më urgjente të fillohet me likuidimin e
aktivistëve të njohur të pushtetit në këtë anë. Si raste primare ishin të
gjithë aktivistet dhe oficerët e UDB-es që punonin në këtë anë. Qëndrimi u mor
që në rend të parë duhej me u likuidua sekretari i këshillit popullor i vendit
në Malishevë. U propozua po ashtu që të fillohet me prerjen e menjëhershme të
telave të telefonit dhe shtyllave të tyre në rrugën që lidhte
Gjilanin-Bujanocin dhe Kamenicën.
Menjëherë pas këtij takimi, plani i propozuar i grupit filloi
të realizohej. Në rrugën Gjilan –Bujanoc u prenë telat e telefonit, ndërsa 13
ditë më vonë u vra sekretari i Këshillit Popullor të Vendit në Malishevë, Petar
Markoviqi. Pas aksionit, Agush Hetemi tentoi të arratisej dhe ti bashkohej
Hasan Remnikut në mal, por, forcat e UDB-es, e arrestuan.
Jeta e
kaçakut nuk ishte e lehtë për Hasan Remnikun, e aq më tepër qëndrimi larg
fëmijëve e mundonte së tepërmi. Disa herë nga Arifi (korrieri), kishte kërkua
që disi t’ia sillte djalin e vetëm tek ai për ta par. Ai pa hezituar herën e
parë i solli djalin –Aliun , 12 vjeç, ku u takuan në vendin e quajtur “”Qeremide”,
dhe kishte ndodhur edhe një takim tjetër pas dy viteve, në vendin e quajtur
“Bostanishte”, atëherë kur edhe u bënin përgatitjet për ikjen e tij për në
Shqipëri më 1952. Arif Sylën e kishte të besuarin e tij, andaj jo rastësisht
kur ishte arrestuar nuk kishte pranua asgjë edhe pse torturat ishin tepër të
mëdha për djaloshin e ri nga Remniku.
Në procesin gjyqësor, të grupit të jatakëve, në bazë të
aktgjykimit nr. K-23/51, thuhej se ai “kishte pranua se diku rreth Shëngjergjit
të vitit 1951, ishte takua me Hasan Remnikun, ku me këtë rast ai e kishte
porositur që ta ftonte mësuesin e fshatit Mustafë Reshitin, për tu takua në
vendin e quajtur “Zheden”, aty diku mbi fshat. Pas kryerjes së porosisë, Arifi
bashku me mësuesin takohen me Hasanin dhe marrin pjesë që të dy në takim,
takimi zgjat mbi dy orë. Me këtë rast bëhet edhe kontakti i parë i mësuesit me
të arratisurit. Pas vrasjes së dy oficerëve të UDB-es, të cilën e kryen
mësuesi, ai iu bashkohet atyre në mal. Me të akuzuarit, Hasan Remniku shumë
herë ishte takuar në vendet e ndryshme të fshatrave për rreth. Sipas një
deklarate të dhënë në UDB-en e Vitisë me 31 tetor 1951, aty thuhej se ata ishin
takuar edhe në vendet e quajtur “Qeremica” dhe “Tërshevina”[4].
Në procesin gjyqësor, sipas aktgjykimit K- 23/51, Gjykata
e Qarkut në Gjilan i shqipton dënimin prej 4 viteve burg të rëndë.
Popullata e Karadakut, duke i ditur qëllimet e atdhetarit
Hasan Remnikut, filluan në mënyrë të fshehët ti ofrohen atij dhe ta përkrahin
në realizimin e idealeve të larta. Dihej se pas “mbarimit” të luftës, shumë
shqiptar pushteti i ri i kishte burgosur, dhe i kishte dërgua për të vuajtur
dënimin në kazamatet serbe. Në mesin e tyre ndodheshin edhe familjarët e
mësuesit të njohur – Mustafë Kokës. Duke e ditur biografin e familjes së
mësuesit, organet e UDB-es, kishin marr përsipër që disi ta survejonin mësuesin
dhe ti bënin grackën për ta arrestuar. Ai, me kohë e kishte hetuar përcjelljen
e tyre, kështu që me ndihmën e korrierit të Hasan Remnikut, kërkon që të
takohej me të. Pas takimit që pati me Hasanin në varrezat e kolonëve të
Remnikut, në vendin e quajtur Zheden. Mësuesi hallëmadhë pasi se i tregoi
arsyet e tij për të hyrë në grupin e tij, Hasan Remniku i dëshiron mirëseardhje
në radhët e qetës, që më vonë e vërejmë se bëhen shokë të pandashëm, sa edhe
vdekja në fund nuk mundi ti ndaj.
Në një dosje të UDB-es, e gjejmë se Mustafë Koka më 6 qershor 1951, në banesën e tij kishte vrarë dy policët e pushtetit Vojon dhe Xhaferin, gjë që kjo ndikoi të përshpejtohej dalja e tij në mal dhe ti bashkëngjitet qetës së Hasan Remnikut.
Me të marr vesh organet e ndjekjes se edhe mësuesi iu kishte bashkangjitur Hasan Remnikut, forcat e rendit dhe ushtria jugosllave intensifikojnë edhe më tepër ndjekjet ndaj tyre. Kurse organet e UDB-es, marrin masa të duhura, duke liruar shumë shqiptar nga burgu, duke i kushtëzuar që në një mënyrë të zbulonin dhe të hedhin në prit ballistin e fundit të Anamoravës.
Grupit të Hasan Alis, ndërkohë i bashkëngjitet edhe
anëtari i NDSH-së, Agush Hetem Muharremi. Agush Hetemi ishte një atdhetar i
devotshëm, i cili ishte angazhuar në radhët e LNDSH-së, por pasi arrestohet,
Gjykata e Qarkut në Gjilan atij i shqiptoi dënimin me vdekje- pushkatim. Pasi
se nga lart ishte marr urdhri që Hasan Alia të zihet i gjallë o i vdekur, me
një shpejtësi marramendëse, bëhen planet për të keqpërdorur miqësinë që kishte
Agushi me Hasan Remnikun. Agush Hetemit, gjykata më vonë, sipas kërkesës së
UDB-es, i fal dënimin, prej vdekjes- pushkatim, i caktojnë dënimin prej 20
vjetësh burg. Duke menduar se në këtë mënyrë, atë, do ta bindin që të bashkëpunojnë
me ta. Më vonë, sipas disa të dhënave, Agush Mehmeti arratisej nga burgu duke
iu bashkua grupit të Hasan Alis-Remnikut. Pas arratisjes së tij, UDB-eja edhe
për këtë shpall një shpërblim të lart në të holla për të gjithë ata që din dhe
e nxënë Agush Mehmetin.
Sipas dosjeve të shumta të jatakëve që dalin para gjyqit
dhe dënohen me vite të shumta burgu, numri i tyre për strehimin e Hasan
Remnikut në tërë territorin e Anamoravës ishte tejet i madh. Ai pa frikë
strehohej si në Remnik, Lubishtë, Smirë, Livoq i Epër e i Ultë, Ponesh e
fshatra të tjera për rreth[5].
Më me ëndje Hasan Remniku e vizitonte fshatin Livoç,
ngase aty ndodhej miku i tij i idealit, Daut Kepa. Me të marr vesh se Hasani
kishte vendos për arratisje nga Kosova për në Shqipëri, Dauti i siguron një
person për ta përcjell jashtë vendi. Personi i besueshëm ishte Sylë Vraniqi,
nga fshati Vraniq i Therandës (Suharekë), që mori për sipër rrugëtimin prej
Vraniqi deri në kufi.
Hasan Alia, duke e par se rrethi i lëvizjes sa vije po ngushtohej, dhe se shumë miq e dashamirë të patriotit po vinin familjet dhe jetën e tyre në rrezik, sbashku me grupin vendos që të arratiseshin për Shqipëri.
Zbulimi i tërthorët i Hasan Remnikut me shokë
Edhe pse konspiracioni ishte në çdo nivel, megjithatë organet e UDB-es, me rastin e arrestimit të Arif Sylës (korrieri i Hasanit), për shkaqe krejt të tjera, ngase ai kishte reaguar me rastin e heqjes së çarçafit të grave, por në hetuesi, ai kishte folur edhe diçka, që për organet e UDB-es ishte me shumë rëndësi. Ai tërthorazi kishte folur se si e njihte Hasan Remnikun, dhe se merrte pjesë në një organizatë ilegale. Mjaftonte kjo për hetuesit, që më vonë ta përcillnin në çdo hap. Me qëllime të caktuara atë e lirojnë nga burgu, por jo edhe nga përcjellja e vazhdueshme. Më vonë, në grupin e Hasan Remnikut, sipas të dhënave që i jep Mazllum Nimani, në fejtonin e Jovan Bullaiqit, në grup i hedhin tre persona, tre ish të burgosur politik[6], me detyrë që ta vrisnin ose likuidojnë Hasan Remniukun. I tërë ky aksion përfundoi pa sukses. Megjithatë, organet hetuese të Jugosllavisë nuk heqin dorë nga përcjellja e atdhetarit, më vonë në organizatën e tij i hedhin edhe tre oficer të sigurimit. Sipas të dhënave që i ofron Jovan Bullaiq ata ishin: Tahir Sokoli nga viset e Gjakovës, komandim i milicisë në Bresalc, Rexhep Xhiha nga Gjakova, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ismail Ramë Zenuni nga Smolica e Gjakovës, i cili në atë kohë ishte Shef i Milicisë të Rrethit të Kamenicës. Megjithëse kontaktet donin të ishin të shpeshta, Hasan Remniku gjatë tërë kohës tregonte një kujdes të pashoq dhe esesi nuk iu epte as shansin më të vogël që ata të përfitonin besnikërinë e tij.
Likuidimi i Hasan Remnikut me shokë
Rrugëtimin për të kaluar kufirin,
Hasan Remniku e nisë me 6 tetor 1951, për ta përfunduar në mes të natës së 9/10
tetorit në “Pritën në Bistricë”. Në grup merrnin pjesë: Hasan Remniku, Mustafë
Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatëzën, dhe Agush Mehmeti me gruan Qibrie
Misin Alidemen. Ata ishin të përgatitur mirë, ngase më herët kishin qepur rroba
të policisë për burrat, ndërsa për gratë kishin sigurua pantolla, për hir që të
lëviznin më lehtë gjatë rrugëtimit. Ushqimin e kishin sigurua me bollëk, andaj
çdo gjë ishte e gatshme për nisje. Sipas Jovan Bullaiqit, për Arif Sylën kjo
ishte dita më e dhembshme në jetën e tij. Kur kërkoi nga Hasan Remniku që të
përshëndetën, Hasani reagoi ashpër duke i thënë se ai vetëm po i përcillte
shokët, se ai do të kthehej përsëri në Kosovë. Kjo nuk ishte e vërtetë, por
ishte një taktik për të humbur gjurmë dhe për të krijuar huti tek personat që e
kishin marr përsipër që ta përcillnin. Rruga ishte e mundimshme dhe me plotë
rreziqe, grupi i nisur për rrugë, natën ecte ndërsa ditën u fshihte në male për
të vazhduar rrugën në natën tjetër. Organet e ndjekjes Hasanin e cilësonin se
ishte shumë dinak dhe shumë i kujdesshëm “ai kujdesej për çdo gjë”[7].
Sbashku me lëvizjet e grupit, në anën tjetër sipas dosjeve të UDB-es, lëviznin
dhe bënin përgatitjet e fundit edhe organet e ndjekjes. Grupi vazhdimisht
shoqërohej nga përcjellësi i tyre që e kishte marr përsipër që ta “hidhte
përtej kufirit”. Pas dy dite rrugëtimi, ata kishin arritur në malet e Kabashit
dhe pritnin lidhjen tjetër që do i përcjell, që Hasanit ia prezantuan si njeri
nga Zhuri me emrin Ragip, dhe që ishte njohës i mirë i këtij terreni. Hasani
çdo gjë e merrte me dyshim dhe për ti bindur personat e panjohur, iu thoshte se
edhe ai e njehte shumë mirë këtë terren. Për çdo rast sigurie, Hasani,
përcjellësit e vet i kishte vu para dhe nën kërcënimin e automatikut ecnin në
drejtim të kufirit dhe pa dijen e tyre, ecnin në drejtim të “Pritës në
Bistricë”, që i kishin organizua ushtarët dhe policët e shumtë që ishin shpërndarë
në formë harku pran lumit. Afërsia në kufi krijonte një ndjenjë shqetësimi dhe
gëzimi tek grupi i Hasan Remnikut, ndërsa tek ushtarët ishte ankth i vërtet
prania e Hasan Remnikut. Pas kalimit të lumit të ftohët nga grupi, në fushë u ndizen
dritat e shumta të kamionëve të ushtrisë, kërcitën rafalët e shumta,
përcjellësit e tyre u zhdukën në strehimoret e përgatitura më herët, ndërsa të shtrirë
pran njëri tjetrit ngelën Hasan Remniku me shokët.
Pas kësaj ngjarjeje kobzezë, ushtarët e policët festuan gjatë dhe me mburrje organizuan në Prizren, Ferizaj e Gjilan një ekspozitë të tmerrit, duke i detyruar fshatarët që ti vizitonin të vrarët, që i kishin shtrirë në llucën e rrugëve, për t’iu futur tmerrin qytetarëve shqiptar. Ashtu në heshtje, kokë ulur fshatarët i përcollën duke iu bërë nderimet e fundit bijve më të dashur të kombit vet.
Dilemat për helmim apo vrasje të Hasan Remnikut me grupin
Në shumë shkrime që janë botuar gjerë më tani thuhej se
Hasan Remnikun me shokë, më parë e kishin helmuar e më vonë e kanë bartur në “Pritën
e Bistricës”, dhe e kishin inskenuar likuidimin e tij nga forcat e policisë dhe
të ushtrisë jugosllave. Shtrohet pyetja si ndodhi, pra që Hasan Remniku me
shokë të helmohet mu nga një familje që e kishte futur në konak, kur dihej se ata
me ditë të tëra ishin përgatitur me ushqime të bollshme. Ndërsa, nga ana e
organeve të ndjekjes do të kishte qenë më lehtë ti likuidonin për rrugë, se sa
të helmuar ti bartin në “Pritën e Bistricës”. Organizimi dhe likuidimi i tyre
në “Pritën e Bistricës”, mu kjo dëshmon se sa frikë i kishte pushteti Hasan
Remnikut me shokë. Andaj edhe pasojnë përgatitjet e shumta dhe të kujdesshme
nga ana e organeve të ndjekjes që të angazhonin për likuidimin e këtij atdhetari
të shquar të kombit udbashët dhe spiunët më të mirë.
Do të ndalesha vetëm në disa të
dhëna të cilat vetvetiu demantojnë të dhënën se Hasan Remniku me shokë është
helmuar diku në një fshat shqiptar.
E para, do të thosha se është pak e
pa besueshme për helmimin, ngase Hasan Remniku vet i kishte angazhuar njerëzit
më të besueshëm të tij për organizimin e largimit të tij nga vendi, dhe vet
kishte bërë propozimin dhe e kishte verifikuar sa e sa herë trajektoren e
rrugëtimit. Më dukej absurde, që një kalibër i Hasan Remnikut, ashtu, pa
asnjëfarë kontrolle të bie pre e një gracke aq të thjeshtë, sa të helmohej nga
ushqimi, kur dihej nga të dhënat që kemi, se ai edhe gjatë ngrënies së shujtave
të rëndomta të ditës, nuk kishte lejuar asnjëherë që të gjithë shokët e grupit
të ushqeheshin për njëherë, (se gjatë asaj periudhe, në biseda me shokë, ishte
bërë i përditshëm informimi për helmimet e ndryshme që kurdiseshin ndaj
personaliteteve të shquara të kombit), andaj kujdesi i Hasan Remnikut nga
helmimet ishte shumë më i shtuar se rëndomtë.
E dyta, mundohem gjatë që të gjejë
një të vetmen arsye, se çfarë e detyroi sekretarin e UDB-es, Mazllum Nimanin që
të jap këto të dhëna Jovan Bullaiqit, për fejtonin që u botua në gazetën e
përditshme shqiptare “Rilindja”, në 22 vazhdime, të titulluar “Prita në
Bistricë”, kur gjykojë se shumë më të lehtë e ka pasur të rrëfente, se Hasan
Remniku, u helmua me ushqim, ngase në një mënyrë do të hiqte fajin nga organet
e ndjekjes dhe se në këtë mënyrë, do të ishte edhe më e rëndësishme, që organet
e ndjekjes do ta zbehnin figurën e tij prej trimi dhe patrioti. Dhe për Hasan
Remnikun, tek popullata do të krijohej një bindje krejt tjetër, e jo, siç
ndodhi më vonë kur populli i thurte këngë për heroizmat e tij.
E treta, e dhëna që prezantohet në
fejton, se në prit u likuiduan pesë veta, dhe dëshmitë e vet udbashve që gjatë
tërë kohës ishin në përcjellje të tyre, dhe dëshmitë e personave të tjerë, që
në një mënyrë apo tjetër ishin të kyçur në ndjekje të Hasan Remnikut, bindshëm
vërtetojnë për vigjilencën e atdhetarit që është pak e besueshme që ai me
shokët të bie pre e një darke të kurdisur.
E katërta, vetë dilemat e Hasan
Remnikut në mes trilemës: të arratiset jashtë Kosovës, të tërhiqet në një
ilegalitet të thellë me strehim shumë konspirativ, apo të dali në luftë ku
ballë përballë me armikun dhe të bie heroikisht, ai për asnjërën prej këtyre
nuk kishte vendosur me tamam. Megjithatë, jam e bindur se nuk do të kishte
fshatar shqiptar që do të guxonte të merrte një mision të tillë, që të helmonte
grupin e Hasan Remnikut, ngase atdhetari dhe miqtë e tij kishin familje që
ishin të njohura për trimëri dhe për hakmarrje, dhe në këtë aspekt ishin të pa kompromis.
E pesta, Hasan Remniku ishte i
vetëdijshëm se në vitet e pas luftës (1945-1951), ishin vrarë e likuiduar,
arrestuar e burgosur shumica e krerëve të NDSH-es. Gati-gati ishte asgjësuar e
tërë rezistenca e armatosur në Kosovën Lindore, andaj ishte i vetëdijshëm Hasan
Remniku se tani për tani ishte pak e besueshme që kishte kushte për veprimtari
e organizim të ri ilegal. ??????
E gjashta, dihet se pushteti kishte organizuar dhe
krijuar një situatë shumë të tendosur në këto anë, që bënte të pamundshme
çfarëdo aktiviteti ilegal-politik. Për këtë dëshmon edhe organizimi dhe
përgatitja e nivelit të lart policor e ushtarak nga ana e shtetit, si dhe
angazhimi i gjatë i përcjelljes së tij nga persona të ndryshëm, përgatitja e
pritës nga ana e organeve përkatëse, vërtetojnë se patrioti u likuidua në
pritë, ngase frika nga ai ishte tepër e madhe, ndërsa për dilemat se ai ka
mundur të helmohej me ushqim, mendojë se e tërë kjo, ishte kafshatë që nuk mund
të kapërdihej për fshatarët pa marr parasysh se çfarë masa kishin marr për të
dhe çfarë iu kishin ofrua fshatarëve.
E shtata, dihej se pushteti lëvizjes së Hasan Remnikut me
shokë kaherë i kishte rënë në gjurmë dhe vazhdimisht ishte nën përcjelljen e
tyre. Hasan Remnikut dita ditës i ngushtohej rrethi, andaj edhe do të ishte iluzore
se po të mos kishte marr këtë rrugë, ndoshta ai nuk do të kapej. Çdo gjë ishte
e vonë, për atdhetarin ngase në këto vite të turbullta çdo shtegdalje ishte e
mbyllur, ngase edhe e tërë Kosova ishte në një okupim të hekurt.
E teta, Hasan Remniku me shokë, u likuidua në “Pritën në
Bistricë”, por kjo mund të ndodhte gjithandej Kosovës, ngase e tërë kjo ishte si
rrjedhojë e një grumbulli rrethanash që shkonin në dëm të lëvizjes.
Dhe krejt në fund, mund të themi, se Hasan Remniku me shokë, me guximin dhe luftën e pa kompromis që zhvilloi nëpër vite, i trandi në mënyrë të furishme organet e ndjekjes që vepronin në Kosovë por edhe të ish- Jugosllavisë. Andaj lufta me okupatorin, i siguroi edhe një vdekje prej heroi ashtu edhe siç iu kishte hije patriotëve.
Proceset e gjata gjyqësore ndaj shqiptarëve, pas likuidimit të Hasan Remnikut me shokë
Pas likuidimit të grupit të atdhetarëve të Hasan Alis
Remnikut me shokë, nga ana e policisë dhe ushtrisë jugosllave, udbashët nuk u
kënaqen me aq. Pas kësaj ngjarjeje të dhembshme e tragjike për popullin
shqiptar, nga ana e pushtetarëve pasuan masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre
që e njohën ose patën kontakte bashkëpunimi me të. Popullata e Anamoravës pas
ngjarjes që tronditi këtë anë, ditët pas kësaj i kalonte në ankth. Pa
paralajmërim filluan arrestimet e njerëzve në çdo kohë dhe në çdo fshat të
kësaj ane.
Sipas disa të dhënave që janë marr nga Arkivi i Kosovës,
mund të themi se për një kohë shumë të shkurtër u arrestuan mbi 41 veta, të
cilët akuzoheshin se kishin strehua, ndihmua dhe mbrojtur Hasan Remnikun. Ata
më vonë dolën para gjykatësve, për të cilët u organizuan shumë procese të
montuara e të gjata gjyqësore. Ndaj tyre, gjykatësit serbomëdhenj shqiptonin
dënime drakonike, duke filluar nga 1 deri në 101 vjet burg. Ndërsa ndaj disave
që shprehnin revoltën e pakënaqësinë
hapur ndaj sistemit dhe ri-okupimit jugosllav, dënoheshin edhe me
vdekje- pushkatim. Llogaritej se atyre, sipas statistikave që kemi, por edhe
sipas disa të dhënave, tërë këtyre personave iu shqiptuan mbi 618 vjet e 2 muaj
burg të rëndë, dhe tre veta u pushkatuan: 1. Qazim Ismaili, 2. Veli Ibrahim
Ymeri dhe 3. Ajdin Ali Shabani
Personat që u dënuan me shumë vite burg ishin:
1. Arif Sherif Selmani, bujk, (1932), Bresalc, 4 vjet
burg
2. Arif Sylejman
Çollaku, Remnik, u dënua me 101 vjet burg
3. Ajdin Ali
Shabani,me vdekje - pushkatim
4. Azem
Kadria, 101 vjet burg
5. Baki Ali Aliu, bujk, (1901), Remnik, 7 vjet burg
6. Baki Maloku, Remnik, 7 vjet burg
7. Qazim
Ismaili, me vdekje- pushkatim
8. Daut Jakupi-Kepa, bujk, (1891), Livoqi i Epërm, 7 vjet
burg
9. Destan Muharremi, bujk, (1920), Lybishtë, 4 vjet burg
10. Elez Kadri Elezi, 8 vjet burg
11. Fetah Xhelë Haradinaj, 13 vjet burg
12. Hajdar Hajdini, bujk, (1911), Gumnisht, 3 vjet burg
13. Hajdin Ali Godeni, 101 vjet burg
14. Hamdi Hajrush Hajdari, bujk, (120), Remnik, 1,6 vjet
burg
15. Haqif Uka, 8 vjet burg
16. Ibush Hetem Bresalci, 7 vjet burg
17. Isak Hazir Smaka, 1 vit burg
18. Ismail Deli Muja, Bresalc, bujk, (1911), Bresalcë, 7
vjet burg
19. Ismail Qorrolli, bujk, (1906), Bresalcë, 3 vjet burg
20. Jahja Selim Halimi, bujk,(1906), Remnik, 1 vit burg
21. Kadri Uruqi, 20 vjet burg
22. Latif Hetem Haziri, bujk, (1923), Bresalcë, 7,6 vjet burg
23. Mehmet Imer Çallaku, 4 vjet burg
24. Murat Limon Abazi, 8 vjet burg
25. Mustafë Rahimi, bujk, (1918), Lybishtë, 4 vjet burg
26. Namon Beqir Qorrolli, bujk, (1911), Bresalc, 3 vjet
burg
27. Ramadan Hoxha, Cërnicë, 20 vjet burg
28. Ramiz Fazli Misini, bujk, (1917), Remnik, 9 vjet burg
29. Sabedin Uka, 8 vjet burg
30. Sadik Vranoci, bujk, (1921), Cërrnicë, 3 vjet burg
31. Sahit Abaz Rexha, bujk, (1914), Bresalc, 3 vjet burg
32. Sali Ferizi,i falet dënimi
33. Sejdi Selim Halimi, bujk,(1908), Remnik, 1,6 vjet
burg
34. Selim Ali
Godeni, 101 vjet burg
35. Selman Ramë Selimi, Bresalcë, lirohet dhe shumë të
tjerë që merren në pyetje, torturohen dhe lirohen pa pikë të fajit.
36. Selman Sherif Selimi, 2,6 vjet burg
37. Sylë
Fazlia, 15 vjet burg
38. Shaip Hajdin Dauti, Livoq i Poshtëm, 8 vjet burg
39. Shefket Mustafë Bunjaku, rrobaqepës, (1919), Gjilan,
4 vjet burg
40. Shukri Hajriz Hajrizi, bujk, (1920), Goden, 5 vjet
burg
41. Sylejman Ymer Çallaku,
42. Xhavit Qerim, bujk, (1914), Remnik, 4,6 vjet burg
43. Xhymshit Bilinica, 4 vjet burg
44. Veli
Ibrahim Ymeri, me vdekje -pushkatim
[1] Hysen H. Terziu, Gjenocidi serb
1912-1956, Prishtinë
[2] Shemë Dajkoci, “Autobiografia”, f. 2
(dorshkrim)
[3] Sinan Hasani, Kosova, të vërtetat dhe
mashtrimet, Prishtinë
[4] Procesi gjyqësor I Arif Sherifit, K- 23/51, Gjykata e Qarkut , Gjilan
[5] Hysen H. Terziu, Gjenocidi serb
1912-1956, Prishtinë
[6] Jovan
Bullaiq, Prita në Bistricë (fejton), 10.IV.1965, gazeta “Rilindja”
[7] Jovan Bullaiqi, Prita në Bistricë, vazhdimi XVIII, Rilindja 26 prill 1965.