E merkure, 11.12.2024, 02:41 AM (GMT)

Speciale

Fritz Radovani: Kush ishin ata... që i besuen komunistave...!?

E shtune, 20.02.2010, 09:59 PM


KUSH  ISHIN  ATA... QË  I  BESUEN  KOMUNISTAVE..!?

Nga Fritz RADOVANI

Ata ishin “qenjet” ma antinjerzore të globit dhe, jo, kenje njerzore! 
Me këto “qenje” komunistët kanë inaugurue në shekullin XX-të terrorin në masë! 
Partia komuniste ishte një parti e vetme në pushtet, totalitare që me diktaturë të pashoqe shtypi shoqninë civile, ku, nuk ekzistonte ma asgja tjetër, pëveç, shtypjes së përgjakshme, që asht vetëm robnim i mbarë një populli, i cili përdoret si kafsha për forcë pune dhe shfrytzohet deri në ekstrem për pasunimin përrallor të elitës drejtuese të shtetit dhe, vdekja e njeriut vjen si pasojë e robnimit, shkatrrimit mendor e fizik, të sëmundjeve dhe urisë përjetëshme. Populli asht i lidhun në pranga dhe i detyruem nga frika me e pranue robninë sëpse, siç, ka thanë edhe At Mëshkalla: “Ai asht i lidhun për kafshatën e bukës”. Drejtuesit e vendëve komuniste kanë idenë e tyne të pandryshueshme se i gjithë Populli asht vetëm një turmë që duhet mbytë në pellgun e frikës, me anë të arrestimëve, të zhdukjeve të mëshefta me gjyqe të mbylluna dhe të sajueme në labirintet e mnershme nga kope të hetuesve të sigurimit të ministrive të mbrendshme, që punojnë natë e ditë me metodat ma shtazore e barbare, tue torturue dhe vra pa asnjë provë mijra rob të burgosun vetëm për me ruejtë dhe me zgjatë jetën e qeverisjës së tyne me diktaturën komuniste. Shembull tipik i krejtë Lindjes evropjane ishte Republika Popullore Socialiste e Shqipnisë!
Kjo vegël terroriste e komunistëve quhej “Sigurimi i Shtetit” shqiptar, ku, asgja nuk ishte as shqiptare, as kanunore, as parimore, as njerzore, as edhe hakmarrëse mbasi asnjëherë Veriu nuk ka sundue Jugun, por as fetare, sëpse, deri në 1944 kur komunistët erdhën në pushtet, në Shqipni nuk janë njohtë as luftat, as përçarjet ndërmjet besimeve ndër Shqiptarë, dhe as përpjekje të tilla në mes të krahinave të ndryshme shqiptare, me përjashtim të Haxhi Qamilit, që nga Enver Hoxha u shpall “hero”. Me datën 29 nandor 1944, kur forcat partizane hyne në Shkoder, si u pritën nga Populli i Shkodres? Një pushkaliqe nuk u shkrep kundër tyne. E, pra, që orët e para të atij mëngjezi, Shkodra u quejt nga partizanët “qendra e reaksionarve”..! E, cili, kje veprimi i parë i “vëllezërve çlirimtarë”? – Besoj i kujtohet të gjithëve, dhunimi i Flamurit tonë kombëtar me yllin e kuq të komunizmit, vëndosja e tij në kompanjelin historik të Fretënve që në orën 4 të mëngjezit të datës 29 dhe, kontrolli i çdo skute, podrumi dhe tavani i të gjitha shtëpijave të Shkodres, gjoja në kërkim të “armiqve të popullit” dhe, rreshtimi i Atdhetarve përballë murit të Bashkisë së Shkodres, ku, partizani “hero” Arif Gjyli, po kërkonte me i dhanë “plumbin ballit” atyne “trathtarëve” ndërsa, “trimi” i çartun në tru nga shlivovica jugosllave, Qamil Gavoçi, mbas shprazjeve të para të brigadave të mbrojtjes së “popullit”, ua shkrepi edhe plumbin mbas koke Shaban Elezit, Dedë Shabanit, Kol Sokolit, Mark Pikolinit, Selim Qorrit dhe Xhemal Mlikës, ndërsa në hymje të Lezhës, fillojnë vrasjet me Dedë Cokun, ashtu si e donte partia komuniste e formueme nga “shokët tonë” jugosllav M. Popoviç e D. Mugosha, sherbëtorët serb të “druzhe” Titos, bashkë me dylmen e tyne Enver Hoxha të Gjirokastrës...randue xhepash nga napolonat ar të Aleatve, shpërblim për krimet, vrasjet dhe plaçkitjet që po kryenin mbi Atdhetarët e Popujve të vet. Nësa, Jugu u la me gjakun e “Ballit Kombëtar”, “Legalitetit” dhe qindra Luftëtarve të Lirisë kundër okupatorit, tash radhën e kishte Veriu, mbasi edhe ky pranoi me u ba streh e “armiqve të popullit” i instruktuem dhe i organizuem nga Kleri Katolik Shqiptar “reaksionar”, që “lidhej” me “agjentat” e Vatikanit të Romës... 
Malësia e Veriut, mbushi shpellat e Alpëve, mbasi Aleatët, megjithse komplet Shqipninë ua kishin dhanë Jugosllavisë dhe Rusisë, me anë të disa oficerë të lartë që qendronin në Shqipni, kishin krijue legjendën e një “zbarkimi” posa të rritët “gjethi i fikut”...me të cilën, i vune në tavolinën “sllavo – komuniste” për meze Titos dhe Stalinit, qindra e mijra koka Atdhetarësh Shqiptarë të premë në besë, të cilët, u shuen me fise të tana, tue i vra e therë, kufomat tue i tretë në proska, lumenjë, prroje, gremina e shpella, tue ua plaçkitë gjanë e gjallë dhe, tue i djegë shtëpi, kësolla, kulla sane dhe tue dëbue qindra e mijra gra e fëmijë që mujtën me shpëtue nga vrasjet, djegëjet e shfarosjet partizane në malët e Tepelenës, e në Jug, ku nuk kishte as ushqim për dallëndysha në muejt e pranverës. Të gjitha këta krime të kryeme në genocidin kundër popullsisë katolike të Malësive të Veriut të Shqipnisë, për fat ruhen edhe sot (flas për vitët 1998) në dokumentacionin e asaj kohë t’ Arkivit të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, pikërisht, në shkresat e radiogramet që komandantët partizan i kanë drejtue “shokut” komandant, gjeneral kolonel Enver Hoxhës, i cili, ua përcillte “shokve” të tij jugosllav, tue u krenue se, “sot zhdukëm...vramë Parinë...premë...dogjëm kullat dhe i morëm ...kaq e aq bagëti të trasha ...etj... por, së shpejti, nuk do të vonojmë dhe, do të shtrojmë edhe Malësinë.. juaj  ‘Hero i popujve të Jugosllavisë’ Gjen. Kol. E. Hoxha, që nga data 1 korrik 1946”. 
Komandantët e brigadave sulmuese terroriste Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Sheuqet Peçi, Rahman Perllaku, Koçi Xoxe etj. shpërndahen në Veri si qent ujq në kërkim të gjahut. “Brigadat e ndjekjes” nën të cilat, mbulohej “sigurimi i shtetit” ashtu si nën ate të “Frontit Demokratik” mëshefej partia komuniste, ishin krijue edhe në Shkoder, nga njëfarë spijuni me emnin Ndrekë Nallbani...një deng pa markë në shërbim të oficerëve jugosllav, që, aso kohe ishin vendosë në disa shtëpi të Shkodres, dhe kishin angazhue në shërbimin e tyne “sekret” mjaft djelm të rinjë, që të vërbuem nga karrierizmi kishin humbë tiparin thëmelor “kenjen” njeri dhe kishin kalue në “qenje” që, domethanë, “prirje me instinkte qeni të terbuem” ose “bishë e egër e sigurimit të shtetit”, që shërben me shkye njerëz, kafshë shtëpijake, shpend dhe, madje, edhe “bisha” të tjera me të cilat ushqehet bashkë me ta, që flejnë bashkë, gjuejnë të njajtin gjah, por... një natë veç, kur, i mbërthejnë thonjët në fyt njenitjetrit... Rreth kësaj ndërtesë që kje deri atë ditë shtëpia e Pjetër Çiurçisë, u shtuen mbrenda vitit edhe 25 shtëpi të tjera dhe në vitin 1946, në Shkoder kishte 26 hetuesi, burgje, podrume shfarosje, qindra dritare që përcillnin jashta këtyne shtëpive zanin dhe virrmat e mijra djelmëve e vajzave të reja shkodrane që, posa fillonte me u errë nata ushtonin në shtëpijat përreth, tue përhapë bashkë me dhimbje, frikë e terror në çdo truell ku kishte Shqiptar: “O me komunizmin e Titos e të Stalinit, ose i shkyem përsëgjalli tue vrritë rroftë gjeneral kolonel Enver Hoxha!...” Nëse, nuk besoni, shifni dosjet, se edhe këte do ta gjeni të shkrueme nga dora gjakatare e përbindshit Aranit Çela, për të cilën vepër besoj duhet të jenë dekorue edhe ky si të tjerët, nga trashigimtarët e Ramiz Alisë, me titullin “nderi i kombit”... 
Qendra e Sigurimit, shtëpia e Çiurçisë, podrumet e shtëpisë së Fasli Ademit, Rrojit dhe të Ulqinakut, derisa me 15 Nandor 1946, që u këthye në Burgun e Kishës, Kuvendi i Françeskanve, me legjendën e njohtun në pothuej të gjitha vendët e Lindjes apo, të ashtuquejtunat “demokraci popullore”, “për futje armësh nën Elterët e Kishave nga klerikët...”, gja të cilën, e kishte krye në të gjitha këta vende sigurimi komunist i atyne shtetëve me porosi të KGB-së sovjetike, tue fillue nga Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Çekosllovakia, Jugosllavia e deri në Malin e Zi, ku, vazhdonin hetimet, torturat e pushkatimet për me pranue se, me këto armë “këta vende kanë dashtë me pregatitë kryengritje të armatosuna kundër pushtetit komunist”. Pa kalue një muej nga trillimi i Shkodres, ku, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku e Zoj Thëmeli, të sjellun nga Tirana për këte qellim, kishin organizue grupin e të rinjve katolik me Pjerin Kçiren, Zef Bardhokun, Gjovalin Mazrrekun, Lin Çollakun, Nush Simonin, ku, nuk mungonin për me fillue hetimet edhe Lilo Zeneli, Zoji Shkurti, Hys Zaja, Fadil Paçrami, Hysni Ndoja, Nesti Kopali, Elez Mesi, Dul Rrjolli,  Dulaç Lekiqi, etj. “natën e 15 nandorit”, ku, si shohim të dokumentuem faktin se Pjerin Kçira, jo vetëm merr pjesë në arrestimin e klerikve tue fillue nga provinçiali At Mati Prennushi me shokë, por asht edhe Pergjegjës i Burgut të Kishës, një shpërblim “moral” i sigurimit për veprën e kryeme atë natë, pikërisht, në atë Elterë të Shna Ndout ku, Pjerini me shokë shkonte deri në nandorin e 1944 me lypë “bukën e Shna Ndout”, aty, kjo “qenje e flliqtë” shkon dhe vëndosë armë, revolvera e bombe...dhe, të nesërmen nana e tij e pacipë, plakë me brandavekë del tallall nëpër Shkoder: “A keni marrë vesht moj gra se, Shna Ndou i Fretenve kishte mëshef revolvera nën zhgun..!?”...At Konrrad Gjolaj, i pranishëm në Kuvendin Françeskan e përshkruen ngjarjen e natës së datës 15, kur sigurimi shpërthen dyert e Kuvendit, kështu: “...Na që ishim mbrenda Kuvendit, mbas datës 12 nandor ishim në arrest mbrenda Kuvendit dhe, nuk kishim të drejtë as me hy e, as me dalë. Për shpenzime lëvizte vetëm At Aleks Baqli dhe fra Zef Pllumbi...Kur na u mbyllëm në arrest, u pat kontrollue Kuvendi dhe nuk u gjet kurrgja, me përjashtim të armëve muzeale që i pat sjellë Mehmet Shehu mbasi u plaçkitën dhe, u kërkuen me kambëngulje nga Provinçiali At Matia, si vlera kombëtare, një prej të cilave e ruente At Çipriani te dhoma e Tij. Armët e gjetuna te stalla e derrave ishin të lanuna jashtë, mbasi ishin jashta përdorimi, të ndryshkuna prej shiut që binte mbi to...Lëvizjet e natës së xhakonit Ndoc Vasili, letër shkëmbimet me Tano Banushin dhe njerëz të tjerë të sigurimit, të denoncueme prej At Aleks Baqlit, që e ka pa dhe kapë në flagrancë me presh në dorë...kalimi nëpër mencën tonë, hymja në Kishë nga dera ngjitë me kompanjelin, tregojnë kjartë se kush i futi arkat e armëve në Kishë. 
Të gjitha këto dyer ishin të mbylluna. Kush i mbante çilsat? Kush ia dha çilsat sigurimit me u futë natën? Pse u zgjodh kalimi nëpër mencë?...
....Mbajtja e armëve prej nesh edhe në dhomën përsonale asht e ndalueme, pa dije t’eprorit. Sikur, armët të gjindeshin ndër dhomat e Fretënve të arrestuem, kjo do të ngarkonte me përgjegjësi vetëm ata. Po, kjo, a do të kënaqte ata që kishin sajue skenarin me qellim ma të rëndësishëm? Këtu nuk ishte ma fjala për katër ose pesë fretën, ishte fjala për TË GJITHË FRANÇESKANËT, dhe ajo, ma e randsishmja, NJOLLOSJA E KISHËS KATOLIKE ME ARMË, se armët nuk ishin në Kuvend, por “ishin” NËN LTER të Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit...Logjika mbështetët mbi faktin. Atëherë, pse armët na i futëm në Kishë dhe, jo, në fund të oborrit, apo tek stallat? Kush do të kontrollohej ma parë, Kisha apo stalla? Kompanjeli apo hatllat e Kuvendit, Lteri i Shna Ndout apo magazinat e ushqimeve? E, në fund të fundit, a nuk mujshim edhe na me ba shka po bante gjithë popullsia e Shkodres, me i tretë armët ndër pusat e zezë, kjoftë edhe të Kuvendit? A nuk mujshim me i vue para derës së Kuvendit në rrugë dhe, me bërtitë: ‘Kush i ka prue këto armë me na akuzue ne?’. Asnjë arësye nuk lejon me mendue se, po të kishim armë, na ato do ti futshim në Kishë, dhe do të pranojshim me na njollosë Kishën! 
Futja e ARMËVE NË KISHË ASHT BA VETËM NGA SIGURIMI I SHTETIT...
Françeskanët e Shqipnisë nuk kanë pasë kurr armë në kuvend dhe, as nuk kanë futë kurr armë ndër Kisha... Armët tona fitimtare janë KRYQI DHE UNGJILLI. Me ato kem fitue dhe do të fitojmë ndër shekuj. Kurr dyert e ferrit nuk kanë muejt me fitue!...
Edhe pse propaganda shfrenuese shpërtheu në të katër anët e vendit...për ‘fat të keq’ nuk i besoj kurrkush shpifjet e komunistave, se Populli e njifte ma mirë se ata Klerin e dalun prej votres së tij, dhe të mbajtun me bukën e tij. Pra, Ky Kler, nuk kishte si me e pre në besë Popullin e vet, atë Popull, që e mësoi dhe e drejtoi për kah Feja dhe liria e Atdheut.
Këte vepër të sigurimit nuk e besoi jo vetëm pjesa katolike e popullsisë por, as pjesa Myslimane dhe Ortodokse, mbasi për 50 vjet ishin vetëm individë spijun e servila të sigurimit, që ma vonë me shpifjet e tyne morën tituj e grada shkencore si: Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Bik Pepa, Hamid Beqja, Skender Drini, Tano Banushi, Hasan Smaja, Kol Jakova e sa të tjerë, që u bane paliaço të “popullit”, tue na sha ne.
Kur erdhi fundi, spijunët u kacafytën për një karrigë, se nuk ishin të kënaqun me gradat e marruna për poshtërsitë që kishin ba dhe, menduen se Enver Hoxha do ti nepte shpërblim ma të madh se aq, makare atyne që kishin futë armët në Kishë, dhe i kishin ndihmue me pushkatue sa Klerikë të pafajshëm. Shkruen letra anonime, hodhën edhe trakte mbrenda sigurimit, por harruen se kishin me pague borxhin. Menduen se kur i shërbyen sigurimit nuk ishin Katolik, por edhe mbasi kryen punën e vet me këta spijuj katila, ata nuk ishin Katolik. Ata ishin vetëm një grup kriminelash që nuk lanë gja pa ba mbi Kishën dhe Klerin, tue fillue prej Pjerin Kçirës...” (Nga At Konrrad Gjolaj OFM, libri “Çinarët” fq. 110, 111, 113. Botimi I, Shkoder 1996.) 
Populli i Shkodres kishte përballë të pranguem që toturohej gati dy vjet rresht Imzot Frano Gjinin, me detyrën e zv. Nuncit Apostolik të Vatikanit, edhe Ky i akuzuem për “futje armësh në Kishën e Oroshit”, vepër e kryeme nga krimineli i sigurimit Bardhok Biba; Provinçiali i Fretënve të Shqipnisë At Mati Prennushi, i dënuem edhe dy herë tjera me vdekje...; Rektori i Françenskanve At Çiprian Nika, luftar në kryengritjen antizogiste të 1926, në Dukagjin; Imzot Nikoll Dedën dhe At Pal Dodaj politikan; Famullitarin e Shkodres, Don Tom Laca, bashpuntor i Imz. Thaçit; At Donat Kurtin, Drejtor i gjimnazit fretenve “Illyricum” në Shkoder; At Frano Kirin, profesor dhe i quejtuni “kasaforta e Provincialit At M.Prennushi” nga sigurimi i shtetit..; At Gjon Karma SJ., zv Rektor i Jezuitve të Shkodres; Don Mark Hasi, sekretar i Argjipeshkvit Imz. G. Thaçi; dhe, deri tek fra Ndue Vila që mbante çilsat e Kishës dhe nuk i dorzoi përsëgjalli, të gjithë ishin të vëndosun me u pushkatue por, jo, me njollosë Kishën Katolike Shqiptare! 
Përballë tyne ishin “qenjet” e sigurimit të shtetit komunist: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Sheuqet Peçi, Zoji Themeli, Zoji Shkurti, Nesti Kopali, Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli, Ali Xhunga, Kasem Troshani, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Pjerin Kçira, Dilaver Sadikaj, Xheudet Miloti, Dulaç Lekiqi, Ahmet Suji, Elez Mesi, Namik Qemali, Aranit Çela, Misto Bllaci, Hulusi Hako, Vaskë Koleci, Kristo Themelko, Niko Ceta, Mustafa Iljazi, Nesti Kerenxhi, Siri Çarçani, Arif Gjyli, Isa Miloti, Hamdi Ulqinaku, Nevzat Haznedari, Gjon Prennushi, Asllan Lici, Xhemal Selimi e deri tek Karrabeci e Miniri i skuadrave të pushkatimit, të gjithë vetëm torturonin dhe punonin për me çue në plumb Klerikët e pafajshëm Katolik...
Jemi para një fakti: Kujt i besonte Populli i Shkodres në zhvillimin e ngjarjeve që kemi shpjegue për “futjen e armëve nën Elterin e Shna Ndout”, Klerit Katolik apo Sigurimit të shtetit? 
Atëherë e sot, Populli i Shkodres kurr nuk i ka besue kriminelave gjakatar të sigurimit!...
Asnjëherë njënit nga Figurat e Nderueme të Klerit Katolik Shqiptar, Populli i Shkodres, tue përfshi Katolik e Musliman  s’ i ka vue pikëpyetje nderit, sakrificës dhe qendresës Atdhetare e Fetare të Klerikve Françeskan të Shqipnisë e, këte, po deshët e gjeni në dosjet e Hafiz Ali Tarit (Kraja), Hafiz Dergutit, Hoxhë Xhemal Najpit, Hafiz Myftisë, Hafiz Ibrahim Dalliut e vazhdoni me lexue çka thotë: Muzafer Pipa, Qemal Draçini, Drita Kosturi, Agime Pipa, Frida Sadedini, Arshi Pipa, Adem Bazhdari, Ragip Meta, Elez Troshani, Fahri Rusi, Myfit Q. Bushati, Ahmet Kopliku, Xhevat Gjyrezi e deri tek Drita Sokoli, motra e Ibrahimit që, i tha spijunve Çiril Pistoli me shokë: “Turp për ju, se, as në Mesjetë, nuk janë pështy të burgosunit rrugëve si tashti!”... 
Paturpësisht, sot, si në shumë vepra të tjera të sigurimit të shtetit, ka “përpjekje”  për me riabilitue “ndonjë” nga këta spijun. Rruga e vetme asht me i çvarrosë në qytetët ku kanë ngordhë këta “qenje” dhe me i varrosë diku... në zallishta të Tiranës, pranë “kopështit zoologjik”, tue i vëndosë secilit tek koka një “drapën dhe çekan” si, simbol i veprës së tyne bolshevike, çekanin me të cilin kanë thye kafkat e njerzve dhe drapnin me të cilin kanë korrë kokat e intelektualve dhe Atdhetarve përmbi 65 vjet të veprimtarisë trathtare dhe terroriste të tyne në shërbim të “kolltukut” E. Hoxhës dhe, pasuesve të tij, Ramiz Alia me trashigimtarë...“sllavo –  komunist”...




(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora