Speciale
Teuta Shala: Këndvështrimi i Milan Shuflajt për historinë e Shqipërisë dhe bregdetin e saj
E diele, 21.02.2010, 10:59 PM
KËNDVESHTRIMI I MILAN SHUFLAJT PËR HISTORINË E SHQIPËRISË DHE
BREGDETIN E SAJ
Interesimin për njohjen dhe studimin e
historisë shqiptare studiuesi Milan Shuflaj e shfaqi që në fillim të karrierës
së tij shkencore. Që nga koha kur ishte duke e përgatitur studimin “Akte
private dalmatine”, hasi në burime lidhur me të kaluarën e shqiptarëve në kohën
e mesme. Në historiografinë e atëhershme kjo periudhë e historisë ishte
trajtuar dhe ndriçuar shumë pak prandaj ishte temë që zgjoi interesimin e madh
te gjeneratës së re të shkencëtarëve, nder ta ishte edhe Shuflaj.[1]
Duke qenë i pasionuar për historinë e popullit tonë ai arriti që për një periudhë relativisht të shkurtër të botoi dhe të lë në dorëshkrim punime dhe monografi të shumta shkencore, në të cilat me fakte dhe analiza argumenton prejardhjen ilire të shqiptarëve si dhe mbron bindshëm se ata janë autokton në viset ku edhe sot banojnë.
Kontributi i Milan Shuflajt për mesjetën shqiptare
Në vargun e studiuesve të huaj që u morën
me historinë e popullit tonë, padyshim se
Milan Shuflaj përbën një hallkë të rëndësishme për kontributin e tij
prej një studiuesi dhe shkencëtari të mirëfilltë dhënë në trajtimin dhe ndriçimin e saktë dhe korrekt
të problemeve të shumta nga lëmi i historisë mesjetare shqiptare. Në kuadër të
historisë mesjetare shqiptare Milan
Shuflaj ka treguar interesim të madh edhe për bregdetin e Shqipërisë.
Duke hulumtuar historinë e popullit kroat
në mënyrë të veçantë periudhën historike të bregut lindor të Adriatikut
ndërmjet shekullit XI dhe XII, Milan Shuflaj në të njëjtën kohë arriti që të
hulumtoi edhe historinë e Shqipërisë
dhe të bregdetit të saj. [2]
Në opusin e tij të gjerë shkencor, Shuflaj na ofron të
dhëna të bollshme për historinë e
bregdetit të Shqipërisë konkretisht të qyteteve bregdetare si: Durrësit,
Lezhës, Shkodrës, Drishtit, Vlorës, Tivarit dhe Ulqinit, duke na pasqyruar një
tablo të plot mbi to si në rrafshin politikë, ashtu edhe në atë ekonomik, juridik,
fetar, kulturor etj, të dhëna të cilat për nga vlera dhe rëndësia janë të
veçanta ngase janë të bazuara në fakte
dhe të argumentuara me dokumente të shumta arkivore të grumbulluara nga arkivat
e atyre vendeve me të cilat në njëfarë mënyre është e lidhur një pjesë e
historisë së qyteteve në fjalë.
Duke marr parasysh faktin se qytetet
bregdetare shqiptare për shkak të rëndësisë
që kishin, gjatë mesjetës shpesh
here ishin cak i sulmeve të njëpasnjëshme të pushtuesve të ndryshëm, andaj
edhe Shuflaj në veprat e tij i kushton
kujdes dhe vëmendje sfidave me të cilat
u përballën këto qytete si pasoj e këtyre sulmeve, duke filluar që nga dyndjet
e popujve[3],
e deri të rënia nën sundimin turk.
Shuflaj vë në dukje se si pasojë e
dyndjeve të popujve shumë qytete u zvogëluan apo edhe u shkatërruan, por në
ndërkohë linden dhe u zhvilluan edhe qytete të reja mesjetare në mesin e të
cilave ai përmendë edhe
Drivastiumin(Drishtin) dhe Antivarin(Tivarin).[4]
Për më tepër, veprat e Shuflajt, në mënyrë të veçantë na japin të dhëna të
bollshme për synimet dhe përpjekjet sidomos të Republikës së Venedikut për të
futur nën sundimin e vetë bregdetin shqiptar[5].
Nga vetë përmbajtja e dokumenteve të botuara në kuadër të këtyre veprave shohim
se Republika e Venedikut, e cila që prej kohesh kishte si synim pushtimin e
bregdetit shqiptar, duke filluar që nga fundi i shekullit XIV, filloi që të fus
nënë sundimin e saj njërin pas tjetrit qytetet si: Durrësin(1392)[6],
Lezhën(1393)[7],
Shkodrën dhe Drishtin(1396)[8], ndërsa më 1405 në duart e tyre kalojnë Ulqini
dhe Tivari.[9]
Të
dhënat që na ofron Shuflaj tregojnë se gjatë kohës sa këto qytete ishin nën
sundimin e Republikës së Venedikut, kjo e fundit nuk kishte një sundim të qetë në to. Krahas
turqve të cilët që nga fundi i shekullit të XIV, si destinacion të tyre kishin
Shqipërinë, Venediku u ndesh edhe më përpjekjet e feudalëve vendas për çlirimin
e qyteteve bregdetare shqiptare, më këtë
rast Shuflaj veçon feudalët Balshaj. Sipas tij i fundit nga Balshajt, Balsha
III, deri në vitin 1421 bëri luftë kryesisht kundër venedikasve.[10] Edhe përkundër faktit se nuk patën një sundim
të qetë, venedikasit i mbajtën këto qytete për një kohë të gjatë.
Në
rrafshin ekonomik siç shihet edhe nga vetë përmbajtja e veprave të tij, një
pjesë e mirë e tyre ngërthejnë në vete të dhëna mjaft të rëndësishme sidomos
mbi marrëdhëniet tregtare që qytete si: Durrësi, Lezha, Shkodra, Drishti,Tivari
dhe Ulqini zhvilluan me disa vende e më
theks të veçantë flasin për tregtinë me tregtarët raguzan si dhe me ata
venedikas.
Në trajtimin e çështjes së tregtisë e
cila u zhvillua në qytetet e lartpërmendura, Milan Shuflajt i takon merita për
trajtimin korrekt dhe objektiv që i bënë kësaj veprimtarie që u zhvillua në
qytetet bregdetare shqiptare gjatë mesjetës. Po
ashtu ai flet edhe për karakterin e kësaj tregtie, duke potencuar se
këto qytete krijonin vatra të tregtisë ndërkombëtare, sidomos rol të
rëndësishëm në këtë aspekt luanin tregjet, nga i cili në mesjetë më i njohuri
ka qenë ai i Shirgjit në Bunë[11]
thekson ai.
Është e njohur se qytetet e bregdetit
shqiptar me një pozitë gjeografike shumë të favorshme, gjatë mesjetës
ishin qendra mjaft të rëndësishme ekonomike, duke kontribuar si
në eksportin ashtu edhe në importin e artikujve të cilët kishin rendësi të
veçantë për kohën.
Nga të dhënat e veprave të tij e
veçanërisht nga dokumentet e botuara në kuadër të veprës Akte dhe diploma nder
artikujt që më se shumti u tregtuan në
atë kohë përmenden kripa dhe drithërat.
Kripa si pjesë e domosdoshme e ushqimit
ishte nder artikujt me të rëndësishmit dhe më të kërkuarit, prandaj si e tillë
luajti rol të rëndësishëm jo vetëm në
eksportin por në tregtinë e bregdetit
shqiptar në përgjithësi. Nga dokumentet në fjalë vërehet se nder qytetet
bregdetare në të cilat më së shumti është bërë shitja e këtij artikulli ishin
Durrësi dhe Vlora.[12]
Sa i përket tregtisë së drithërave
gjithnjë duke iu referuar këtyre dokumenteve dëshmohet qartë se në mesjetë,
Shqipëria kultivonte drithëra të
ndryshme si: grurë, elb, thekër, mel, tërshërë etj. Në mesin e artikujve të
shumtë që u eksportuan nga qytetet bregdetare shqiptare përmendet edhe mishi,
kështu tregtarët venedikas më 1394 e eksportonin këtë artikull nga Durrësi për në Venedik.[13]
Përveç artikujve të lartpërmendur, në
qytetet bregdetare shqiptare tregtoheshin edhe artikuj te tjerë, si p .sh. vaj
dhe peshku. Në disa dokumente përmendet se gjatë vitit 1372 qyteti i Tivarit
shet vaj[14],
ndërsa në një dokument të vitit 1397 përmendet se kryeipeshkvi i Tivarit dërgon
peshk për në Romë.[15]
Në vazhdën e të dhënave për qytetet
bregdetare shqiptare vlen të theksohet se shkrimet e Shuflajt ngërthejnë në
vete të dhëna me rëndësi edhe për parimet, rregullat si dhe normat me anë të të
cilave zhvillohej dhe rregullohej jeta e qyteteve bregdetare shqiptare. Ai na
ofron një pasqyrim të plotë për statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale
të Drishtit, më të cilat rregullohej dhe organizohej jeta e brendshme e
këtij qyteti.[16]
Nga vetë përmbajtja e këtij statuti vihet
në pah se me anë të tij rregulloheshin aspekte të ndryshme nga jeta e brendshme
e qytetit të Drishtit, duke filluar që nga rregullimi i titujve dhe gradave
brenda kishës, pastaj raportet me kishën. Po ashtu, në këtë statut kujdes dhe
vëmendje e veçantë iu kushtohet edhe ndëshkimeve që bëheshin me rastin e shkeljeve të ndryshme e në
veçanti me përhapjen e sekreteve, pastaj jepen të dhëna edhe për dënimet për të
gjithë ata që dalin vjedhës dhe mashtrues, ne raport me ligjet a rregullat e vendosura nga kisha[17].
Ky statut ka vlerë dhe rëndësi të veçantë jo vetëm për rregullimin e mënyrës së
qeverisjes së kishës por edhe për të njohur dhe studiuar të drejtën zakonore në Shqipëri konkretisht në
qytetin e Drishtit në vitet e
gjashtëdhjeta të shekullit të XV, pra në periudhën për të cilën bënë fjalë ky
statut.
Shikuar realisht, nga sa u tha më lartë
rezulton se botimi i këtij statuti nën përkujdesjen e Shuflajt, paraqet një
kontribut të rëndësishëm dhe është mjaftë domethënës ngase e begaton historinë
e këtij qyteti mesjetar.
Shkrimet e Shuflajt për historiografinë
mesjetare shqiptare kanë rëndësi të veçantë, ngase e pasurojnë fondin e
literaturës nga periudha në fjalë. Veprat e tij kushtuar problemeve të
rëndësishme që e karakterizojnë mesjetën shqiptare, me plot të drejt mund ti
konsiderojmë si vepra kapitale dhe unikale për historinë dhe historianët.
Këndvështrimi i tij për Shqipërinë dhe historinë e shqiptarëve dhe së fundi shkuarja e tij në Shqipëri nuk u pan me sy të mirë nga Beogradi, andaj në shkurtin e vitit 1931, pak kohë pas kthimit nga Shqipëria, organizohet edhe vrasja e tij.
Qëndrimi i Milan Shuflajt në Shqipëri
Rreth vizitës së tij në një artikull të
gazetës “Arbënia” me datën 16 janar 1931, në rubrikën “Lajme të Shkurtra” thuhej:
“Gjendet në kryeqytet Z. Profesor Shuflaj, i Zagrebit. Zotëria e ti ka botuar
tre volume dokumente, historike të Shqipërisë dhe ka për të botuar të katërtin
volum. Këtu ka ardhur për t’u marr veshë me Qeverinë mbi mënyrën e mbledhjes së
dokumenteve e të botimit të volumit.
Bisedimi që pati me Z-in Hil Mosi, ministër i arsimit, u përfundua me
një dakord mbi të gjitha pikat”[18].
Ndërsa në gazetën “Vullneti i Popullit”
me datën 25 Janar 1931 në artikullin “Profesori Milan Sufflay dhe histori e
Shqipëris”, Lumo Skendo vizitën e Shuflajt në Shqipëri e komenton në këtë
mënyrë: ”Në kryeqytet të vogël tënë patëm fatin të shohim pesë ditë fytyrën
interesante të profesorit Shuflaj dhe të dëgjojmë fjalët e tij simpatike. Kjo
qe për neve një zijafet intelektual që mjerisht nuk e gëzojmë shpesh.”[19]
Më tej ai flet për punën shkencore të Milan Shuflajt rreth
historisë së Shqipërisë, duke vënë në
dukje se në këta dymbdhjet vjet të fundit miku ynë veç “Qytetet dhe katundet në
mesjetë në Shqipëri“, ka shkruar e botuar disa broshura dhe artikuj gjithë mbi
Shqipërinë. Cilësia më e çmueshme e këtij historiani është specializimi i tij
në ngjarjet e Shqipërisë, prandaj do të ishte një dëm i madh që kjo dituri dhe
ajo prieri aq e madhe të mbeteshin pa
fitime për neve,[20]
thekson ai. Duke folur për veprat e Shuflajt,
Lumo Skendo në mënyrë të veçantë ndalet tek vepra: “Acta et diplomata
res Albaniae mediae Aetalis ilustratia”, duke potencuar se përveç volumit të
parë dhe të dytë të cilat përfshinin periudhën kohore 344-1406, Shuflaj mendon
se dokumentet duhet të formojnë gjashtë volume duke vajtur gjer në vitin 1536.
Volumi i gjashtë do të mbarohet me zaptimin e Shqipërisë prej turqve.
Lumo Skendo vë në dukje se mbledhja e
dokumenteve ose me një fjalë studimet mbi historinë e Shqipërisë duhet të jenë
një punë me vazhdim e të mos pritet dhe të pushoi. Më tej ai shton se këtë mendim dhe këto ide i kishte dhe i
sugjeronte profesori Shuflaj. Por edhe përkundër këtyre mendimeve dhe
përpjekjeve, Milan Shuflaj nuk arriti që
të përfundonte punën e nisur për botimin e
Akta Albania, madje koha nuk i premtoi që ai të botonte as vëllimin e
tretë të cilin pothuajse e kishte gati për botim, ngase me 19 shkurt të vitit
1931, pikërisht 79 vjet më parë në mënyrë shumë të egër e të pamëshirshme Milan Shuflaj vritet.
[1] Zekaria Cana, Millan Shuflaj-lavrues
i historisë shqiptare, në Rilindja 18.IV.1968, Prishtinë
[2] Mag.Jur. Darko Sagrak, Roli i
Dr. Milan Shuflajt në lidhshmërinë e historisë kroate dhe shqiptare,
(Kumtesë e paraqitur në Simpoziumin për Milan Shuflajn organizuar nga Instituti
i Historisë-Prishtinë, më 9.11.2009, Prishtinë), f.1.
[3] Milan Shuflaj, Histori e shqiptarëve të veriut, Nositi, Prishtinë
[4] Po aty.
[5] L. Tholloczy- C. Jericek- E. Sufflay, Acta et diplomata res Albaniae mediae
aetatis illustrantia, vol. II,Vindobonae 1913-1918, ribotim në Prishtinë nga Ekskluzive 2002, në më shumë vende. (Më tej:
Acta Alb.).
[6] Acta Alb., II/480.
[7] Acta Alb., II/501.
[8] Acta Alb., II/555.
[9] Millan Shuflaj, Histori...,f.
55.
[10] Po aty.
[11] Millan Shuflaj, Histori...,f.46.
[12] Acta Alb., I-II, në me shumë vende.
[13] Acta Alb. II/521.
[14] Acta Alb. II/302.
[15] Acta Alb. II/580.
[16] Viktor Novak - Emilian Shuflaj, Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të
kishës katedrale të Drishtit, në:
Gjurmime
albanologjike, seria e shkencave historike, nr.1 1971.
[17] Po aty, f.74.
[18] Arbënia, 16.01.1931,Tiranë.
[19] Lumo Skendo, Profesori Milan Sufflay dhe histori e Shqipëris,në Vullneti i
Popullit, 25.01.1931, Tiranë.
[20] Po aty.