E diele, 28.04.2024, 06:47 AM (GMT+1)

Speciale

Halit Bogaj: Ferri i Bllacës

E hene, 22.03.2010, 10:58 PM


FERRI I BLLACËS

 

Nga Halit Bogaj

 

Dukeqenëse se Serbia nuk u bind në Rambuje për t’i tërhequr forcat policore dhe ushtarake nga Kosova, filloi bombardimi ndaj makinerisë vrastare të saj.Në shenjë hakmarrjeje ndaj Aleancës më të fuqishme botërore, armiku ynë i pashpirtë na dëboi nga vatrat tona shekullore për në Shqipëri dhe Maqedoni. Pra krahas çasteve tona më të lumtura që i përjetonim ato ditë , populli ynë u sprovua me një gjenocid të ri dhe të pa parë askund në  Evropë pas Luftës së dytë botërore.Shqiptarët e Kosovës trajtoheshin në mënyrën më mizore dhe shtazarake nga ata që na sunduan qindra vjet.Erdhën ditët kur policia specale serbe/e cila përbëhej edhe nga njerëz të maskuar/ filloi t’i dëbonte qytetarët tanë edhe nga Prishtina dhe qytetet tjera të Kosovës. Trokisnin në  çdo derë për t’i shpërngulur banorët dhe nuk jepnin afat më tepër se 5 minuta!Erdhën edhe në rrugën time afër Tregut të gjelbërt, përkatësisht trokitën në shtëpinë time  që ta lëshoja sa më parë dhe të shkoja në drejtim të panjohur të cilin  as që mund ta imagjinoja!Disa thoshin se një masë mijra njerëzish do t’i dërgonin në Stadiumin e Prishtinës për t’i pushkatuar!Kishim dëgjuar fjalë dhe rrëfime rrënqethëse për disa të vrarë autoritativë në vendin tonë.Mjerisht fjalët që qarkullonin ishin të vërteta ngase ishin ekzekutuar: Bajram Kelmendi me dy bijt/në Prishtinë/, Latif Berisha dhe Agim Hajrizi/në Mitrovicë/ dhe Bardhyl Çaushi nga Gjakova/edhe ai me banim në  Prishtinë/.

 

Ditët dhe netët  e ankthit e bënin të veten dhe një javë pas fillimit të bombardimeve, edhe unë me familje dhe banorët e shumtë të lagjes sime u gjetëm në rrugën kryesore të kryeqendrës, pa e ditur fare se kah shkonte kolona e gjatë e njerëzve të mjerë dhe të pa shpresë.Me të dalur nga shtëpia në rrugë, një grua u rrëxua në kalldrëm me foshnjën e saj disamuajshme. Rrënqethjet dhe dhembjet tona për atë grua të pafat/refugjate nga Drenica/ ishin të shumta . Edhepse policët serbë ishin të egër në qëndrimet dhe veprimet e veta, njëri prej tyre gati qante nga hidhërimi për atë skenë të trishtueshme, duke na treguar se edhe ai kishte mëshirë personale dhe ishte i irituar nga shteti i tij që e kishte dërguar në Kosovë për të na i bërë të gjitha ato që na i bëri ai regjim kolonial.

 

Ne edhe mëtej e vazhdonim rrugën në një heshtje varri. Të gjithë ishim të mërzitur tej mase por s’kishim ç’të bënim në atë ditë të kobshme marasi të  vitit 1999 kur na dëbonim nga shtëpitë tona sikur të ishim kafshë!Për fat të keq realizohej edhe parashikimi i  Gligorivit për koridorin e tij.

 

Para se të niseshim dy djelmosha/edhe ata të martuar dhe me fëmijë/deshën të ndaleshin dhe të luftonin me një grumbull të madh serbësh të armatosur, kurse ata /Agroni dhe Sherifi/i kishin vetëm dy pushkë automatike të fshehura diku në shtëpitë e tyre.Unë nuk i lejova duke i bindur se një veprim i tillë i çmendur në atë moment do të ishte kontraproduktiv dhe një akt i përgjakshëm i cili do të shkaktonte shumë vrasje njerëzore në turmën e madhe që dëbohej me dhunë nga shtëpitë e veta. Siç vepronin rëndom serbët, do të pasonte një hakmarrje e papërshkruar ndaj civilëve, por për fat më dëgjuan dhe po të ishte ndryshe ata do të vriteshin edhe vetë.

 

U nisëm dhe e tejkaluam frikën kryesore- Stadiumin e Prishtinës, për të cilin qarkullonin fjalë dhe thashethëna të ndryshme se kinse atje ishin vrarë 5000 civilë!Frika, paniku dhe tmerri kishin hyrë në të gjitha zemrat njerëzore.E pamë se nuk kishte qenë e vërtetë.Pastaj u çliruam të gjithë: Pleq e të rinj dhe gra dhe fëmijë që merrnin një rrugë në shikim të parë, e pa kthim.

 

Në atë dimër të egër bënte acar i madh në shumë kuptime.Na dukej se ishte Dimri i vetmisë së madhe/i Kadaresë/edhepse bashkë me ne ishte mbarë bota demokratike që vazhdonte ta bombardonte Serbinë kryeneqe.

 

Njerëzit nga çdo anë të cilët e ndanin fatin e përbashkët mundoheshin t’i ndihmonin njëri tjetrit me çka kishin dhe kur ishte nevoja. Jerpej edhe ndihma e parë shëndetësore për ata që nuk mund të qëndronin.Mbretëronte një solidaritet i papërshkruar, por askush nuk e dinte se çka do të ndodhte qoftë vetëm disa hapa mëtej.Prisnim se ku do t’na dërgonin atë natë  dhe flisja me vetëveten Vallë a mos po na përsëritet historia me të gjitha zezonat e saj?!Mos po e përjetonim një shpërngulje masive edhe njëherë si atëherë në fund të shekullit 19 nga Serbia e brendshme kur u dëbuan qindra mijra njerëz nga fshatrat e tyre deri në afërsi të Nishit!Vallë mos na deportonin  edhe kësaj radhe si atëherë në Turqi për të mos u kthyer më kurrë nëpër fshatrat dhe qytetet tona të zbrazura ?!.Na sillej gjithçka në mend por edhe na mbante shpresa se me ne ishin ata që e mbronin rendin e ri botëror, duke mos i lënë hapësirë të gjërë fushëveprimi një diktatori të çmendur i  cili i kishte filluar tri luftra në Ballkan.

 

Të nesërmen na ngarkuan nëpër trena në drejtim të  Shkupit. Disa prej nesh i  mernin me autobusë për t’i shpërgulur për në Shqipëri, duke u bërë realitet ajo thënia çmendurake e çetnikut  Sheshel i cili thoshte’’Se ata që nuk e pranojnë shtetin serb duhet shpërngulur përtej Bjeshkëve të nemura’’.

 

Rruga ishte tepër e ngadalshme, duke na shkaktuar llahtare të reja gjatë udhëtimit tonë për atje ku na kishin nisur dhe nuk  e dinim si do të përfundonte jeta jonë aq e rrezikuar.Gjatë udhëtimit tonë në qytezën Lipjan kishin dalur disa ushtarë rezervistë për të na përcjellur duke buzëqeshur dhe duke na uruar rrugë të mbarë me ironinë e tyre skizofrenike.Duke arritur në Bllacë, në Kaçanik e kishin shtrirë një kufomë për ta tmerruar masën  dhe për të na treguar se edhe ne  na priste një fund i tillë.Me të arritur në Bllacë/gjatë një dite udhëtimi/ i shinim fushat e gjëra të mbushura përplot me shqiptarë nga Kosova. Kishin dalur vëllezërit tanë për të na pritur dhe për të na ushqyer me bukë dhe me zemra të hapura. Fytyrat e tyre të ngrysura ishin bërë të njejta me ato tonat.Edhe ata ndienin  dhembje të mëdha dhe të pafundme, duke e vajtuar fatin tonë të zi, i  cili na kishte kapluar gjatë atyre ditëve të ftohta të marsit.Unë me familjen time hoqa të zitë e ullirit gjersa dola’’Matanë bregut’’.Gjatë tentimeve të njëpasnjëshme për të dalur nçë Maqedoni, na zuri nata dhe po më duket se akoma po e dëgjoj policin maqedonas duke i thënë Agronit/nipit tim/ ‘’Se nuk krijohet për çdo ditë shteti’’. Edhe ai pra e dinte se gjatë atyre ditëve kishte filluar Lindja e shtetit të ri të Kosovës.

 

Arritëm në vendin e quajtur Debresh/3 kilometra larg Gostivarit/, me ç’rast dolën për të na pritur shumë njerëz dhe  për të na marrë në  shtëpitë e tyre.Atë natë fjetëm në xhami kurse të nesërmen u shpërndamë nëpër familjet e Debreshit. Mikpritja ishte vërtet madhështore. Na dukej se u çliruam por shumë pjesë të qenjeve tona kishin mbetur në Kosovën tonë të dashur.Çdo ditë na vinin lajme të ndryshme rreth vrasjeve që bëheshin ndaj atyre që kishin mbetur në Kosovë. Familja ime mori lajmin për vrasjen e Mentor Gashit nga fshati Llapushnik i cili ishte vrarë sikur Gavroshi nga romani’’ Të mjerët ‘’e Viktor Hygos.Ai ishte inkuadruar shumë i ri në UÇK, por një plumb ia kishte marrë jetën  duke u  sjellur ushqim luftëtarëve të lirisë sonë.Vrasja e tij ishte një dhembje shumë  e madhe, jo vetëm për farefisin, por edhe për të gjithë shqiptarët anekënd botës, ngase jeta e tij ishte shuar akoma pa filluar të jetohej si duhej! Mentori ynë i dashur kishte mbetur vulnetarisht atje, duke rënë ballëhapur  në altarin e lirisë së atdheut.

 

Ditët dhe netët kalonin në pritje. Çdo ditë e re sillte edhe bombardime të reja kundër Serbisë, por diktatori përpiqej të mos dorëzohej, duke shpresuaer se bota do të lodhej një ditë, për t’ia  dorëzuar atij sërish Kosovën .Ai kishte bërë plane krye në vete, por duke shpresuar akoma në shtetet që ishin kundër bombardimeve.

 

Bill Klinton,Toni Bler,  Medlin Ollbrajt, Xhejmi Shea, Joshka Fisher e thërrisnin kryekasapin  që t’i tërhiqte forcat e tij nga Kosova por ai akoma e vazhdonte avazin e mëparshëm, gjersa një ditë tek ai shkoi kolosi Marti Ahtisari me rusin Çernomirdin për t’i treguar atij se i është ‘’mbushir pusi’’dhe se Beogradi do të bëhej rrafsh me tokë nëse nuk  do ta pranonte kapitulimin.Më në fund diktatori i vocërr ballkanik e pa se çka do ta gjente së shpejti, ndaj e pranoi Marrëveshjen e famshme të Kumanovës.Nga sikleti dhe nga inati Serbia edhe këtë akt të turpshëm e quante’’Fitore’’, me ç’rast ushtarët  dhe policët  e saj i ngritnin tre gishtërinj tek tërhiqeshin nga Kosova për të shkuar në vendin e tyre në pa kthim të  sigurtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Idriz Zeqiraj: Profiteret politike po i dëmtojnë Jasharët Avzi Mustafa: Kush ishte Ali Bej Kërçova Daniel Gàzulli: Johann Thumann dhe spekullimet e sotme historike Shevki Sh. Voca: Marsi muaji i përkujtimit të shkollës së parë shqipe dhe të ditës së mësuesit Besnik R. Bardhi: Milloshevici në vitin 1990, helmoi foshnjet dhe rininë shqiptare në Kosovë Sabile Keçmezi- Basha: Organizimi dhe veprimtaria ilegale atdhetare edhe në repartet ushtarake jugosllave Broz Simoni: Shqipëria Etnike dhe padronët komunistë ateistë Qazim Namani: Urat e vjetra në Kosovë Sami Islami: Si hyri në histori 5 marsi I vitit 1998 dhe 24 marsi i vitit 1999? Sabile Keçmezi- Basha: Përpjekjet për balancë gjinor në dokumentet ndërkombëtare Nue Oroshi: Vetflijimet heroike të nacionalistëve mirditorë për të mos rënë të gjallë në duart e komunistëve Fritz Radovani: 8 Marsi në ''hanë''...! Avzi Mustafa: Gjuha shqipe në traditën e historisë së shkollave Frashër Demaj: Qëndrimi diplomacisë britanike ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Qazim Namani: Serbizimi i popullatës së Ballkanit gjatë shekujve XVIII – XX Teuta Shala: Këndvështrimi i Milan Shuflajt për historinë e Shqipërisë dhe bregdetin e saj Fritz Radovani: Kush ishin ata... që i besuen komunistave...!? Kujtim Mateli: Urat e miqësisë kanë në themel sinqeritetin dhe barazinë Sabile Keçmezi- Basha: Hasan Alia - Remniku: me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare Krist Gjinaj: Vrasja e Ded Gjo Lulit dhe e trimave tjerë!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora