E shtune, 27.04.2024, 05:55 PM (GMT+1)

Speciale

Sabile Keçmezi- Basha: Organizimi dhe veprimtaria ilegale atdhetare edhe në repartet ushtarake jugosllave

E merkure, 17.03.2010, 12:00 AM


Organizimi dhe veprimtaria ilegale atdhetare edhe në repartet ushtarake jugosllave

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha

Populli shqiptarë veç që u organizua dhe veproi në organizata të ndryshme ilegale anë e kënd ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi, ata me një guxim të pashoq formuan grupe ilegale në burgje por edhe në Garnizonet e Ushtrisë ish-jugosllave. Andaj, edhe ishte krejt e natyrshme që shqiptarët veç që u dënonin në gjykatat civile, proceset gjyqësore u organizuan edhe në Gjykatat Ushtarake të ish-Jugosllavisë. Të pakët ishin shqiptarët që kishin poste udhëheqëse në ushtri, megjithatë ata dënoheshin edhe si ushtarak me grada të larta por edhe si ushtar të zakonshëm dhe si student të Akademisë Ushtarake. Ata të cilët i akuzonin në gjykatat ushtarake vlen të përmendet se iu shqiptonin vite shumë të larta burgimi, e arsyeja dihej... Nuk mund të harrohen dënimet e tmerrshme që iu shqiptuan shqiptarëve në gjykatat ushtarake gjatë viteve 1945-1949. Ndërsa në vitet e mëvonshme, pas viteve 1981, në Ushtrinë Jugosllave paraqitet dukuria tjetër që nuk është hiq më e tmerrshme se sa ajo e mëparshmja, kur ushtarët shqiptar filluan të na kthehen në arkivole, me pretekstin gjëja se “bënin vetëvrasje”, dukuri që rrallë-herë e has tek shqiptarët.
Duke hulumtuar për të dënuarit politik, në Ushtrinë Jugosllave, më kishte rënë në dorë një aktgjykim i rëndësishëm për një proces gjyqësor i një grupi prej nëntë (9) vetave, të ushtarakëve shqiptar që shërbenin në Sarajevë, Zagreb e Lubjanë. Të gjithë ata ishin arrestuar brenda muajve 31 tetori - 34 dhjetor 1985. Të gjithë këta burra, akuzoheshin në bazë të nenit 136, alineja 1 e 2, lidhur me nenin 114 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
Të akuzuarit të cilët dolën para Gjykatësve të Gjykatave të Ushtrisë  Jugosllave ishin:
1. Naim Maloku, kapiten në Postën Ushtarake 2480 në Lubjanë. I lindur në fshatin Llabjan (Pejë), më 17 shkurt 1958 nga babai Ramadan dhe nëna Miradije e lindur Nuredini. Në kohën kur u arrestua jetonte në Lubjanë. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Kishte të mbaruar shkollën fillore, shkollën e mesme teknike dhe Akademinë Ushtarake në kohëzgjatje prej pesë vitesh. Ndërsa në APJ, punonte nga 17 korriku 1981. Më herët nuk ishte i dënuar por as i dekoruar. Ishte arrestuar më 4 nëntori 1985.
Naim Maloku akuzohej se ishte anëtar i organizatës ilegale që vepronte në Kosovë por edhe jashtë vendit me qëllimin e vetëm që fillimisht të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi ti bashkohen Kosovës, pastaj ajo të shpallej Republik e më vonë të bashkohej me Shqipërinë. Ai akuzohej se gjatë periudhës sa kishte veprua në ilegalitet  kishte organizuar, vepruar dhe angazhuar shumë njerëz që të vepronin kundër sistemit okupues në Kosovë dhe angazhimin e tyre e kishin fokusuar që shqiptarët të kenë lirin dhe barazinë kombëtare deri në vetëvendosje dhe shkëputje nga Serbia dhe Jugosllavia.
Në aktakuzën që e kishte ngritur Prokuroria Ushtarake në Sarajevë në mes tjerash thuhej se (si zakonisht), se në ditën e pa caktuar (nuk dihej data e saktë), në fillim të vitit 1981, në Zagreb (Maloku), kishte sigurua gazetën “Liria” që njëherë ishte organ i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK). Në këtë numër, në shkrimin ku shkruante se Kosova është e okupuar nga bandat serbe, dhe liria e bashkimi me nënën Shqipëri mund të kryhej vetëm me luftë të armatosur. Në dokument thuhej edhe kjo se, pasi e lexon dhe e analizon mirë gazetën ai e merë përsipër që këtë gazet t’iu jap edhe Haki Fadilit dhe Demir Fadilit.
Ai pasi lexon këtë gazetë, edhe më tutje gjatë vitit 1981, shumë herë në lokalet e Akademisë, në biseda me Demir Fadilin, Haki Fadilin, Ramadan Gashin, Tahir Shefqetin, Agush Hasanin, Osman Rifatin, Shiqeri Spahiun, Shefki Abdullahin, Agim Perzhakun dhe Afrim Spahiun, iu kishte thënë se në mes shqiptarëve e serbëve ekzistonte një ndarje e madhe në Jugosllavi; Se shqiptarët gjatë tërë historisë kishin qenë të robëruar nga serbet dhe se serbet i kanë robëruar shqiptarët; Dhe se shqiptaret gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë dal në luftë vetëm e vetëm për tu bashkua me Shqipërinë, por deri te kjo nuk vjen për hir se Tito e kishte tradhtuar dhe nuk e kishte mbajtur fjalën që i kishte dhënë Enver Hoxhës; Shqiptarët asnjëherë që ngelën nën Jugosllavi nuk i pranuan vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it, për hir se asnjë shqiptar nuk kishte marr pjesë në atë mbledhje, por kishte theksuar se shpejt do të krijohen kushtet kur Kosova do ti bashkohej Shqipërisë; Edhe pas Luftës së Parë Botërore, po ashtu edhe pas LDB, ndaj shqiptarëve është bërë presion i dhunshëm për asimilim dhe shpërngulje të dhunshme nga trojet e veta; Gjatë tërë këtyre viteve është bërë eksploatimi i Kosovës, çka do të thotë se Kosova vazhdimisht i ka paguar të ardhura Serbisë dhe Federatës, ndërsa maqedonasit vazhdimisht kanë marr rrymë nga Kosova pa kurrfarë shpërblimi. Këtë gjendje të rëndë shqiptarët më nuk mund të durojnë veç që duhet ta ndryshojnë.
Pas shpërthimit të demonstratave në Kosovë, më 1981, me iniciativën e Naim Malokut ishin organizuar shumë mbledhje ilegale në lokalet e akademisë. Në këto mbledhje merrnin pjesë një numër i konsideruar ushtarësh e studentësh shqiptarë. Të pranishmëve iu kishte folur gjatë për padrejtësitë e pushtetit që i bënte ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë dhe në trojet tjera të banuara me shqiptarë. Duhet cekur se në rrethet ku frekuentonin shqiptarët Naim Maloku gëzonte një respekt dhe një besim të jashtëzakonshëm. Të rinjtë shqiptar në ushtarakun e ri jo vetëm që shihnin shokun e mikun e tyre, por shihnin atdhetarin e guxitshëm dhe luftëtarin e denjë të çështjes kombëtare. 
Në mbledhjet e grupit, shpesh u diskutonte se një rrugë për çlirim nga kjo robëri duhet gjetur dhe se me kaç nuk do të marr fund. Pas shpërthimit të Demonstratave studentore të vitit 1981, Naim Maloku iu thoshte të pranishmëve se  në Kosovë demonstratat do të përhapën në tërë vendin, duke përfshirë të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi dhe do të zgjasin deri atëherë, kur Kosova do të fitojë statusin e Republikës. Ai iu kishte thënë se organizator i demonstratave është populli i Kosovës dhe organizatat ilegale: “Fronti i kuq”, “OMLK”, dhe organizata “Kosova e lirë’”, në të cilat është bërë organizimi në formë të tresheve. Në një mbledhje tjetër me të pranishmit kishin diskutuar se shkaktarët kryesor të demonstratave është politika e shkombëtarizuese dhe okupuese që po udhëhiqet ndaj popullit shqiptarë në Kosovë. Parullën “Trepça punon- Beogradi ndërton”, i kishin bërë një elaborim të mirëfilltë shkencor dhe kishin konstatuar se ajo parullë ishte shumë e qëlluar dhe e drejtë, ngase vërtet Trepça punon dhe Beogradi ndërtohet. Të pranishmit në mbledhje kishin konstatuar se demonstratat janë të drejta dhe se vetëm në këtë mënyrë duhet vazhduar deri sa të plotësohen kërkesat e demonstruesve. Nga takimi që ishte organizuar me anëtarët e saj , ata i kishin dhënë përkrahje të fuqishme demonstratave dhe kishin konstatuar se nuk është shqiptar ai që nuk i përkrah demonstruesit. Në tubime me anëtarët e grupit, shpesh ishte diskutua edhe për fatin e intelektualëve dhe për fatin e tyre, ngase shumë nga ata ishin burgosur dhe ndodheshin nëpër burgjet jugosllave, ndërsa serbët e malazezët që ishin më pakicë, kishin zënë funksione të rëndësishme si në pushtet njashtu edhe në universitet; Situatës politike pas demonstratave nga të pranishmit iu kishte bë një analizë e thellë duke pohuar se policia serbe në demonstrata kishte vrarë me qindra shqiptar; Policia serbe ndaj demonstruesve paqësor kishte përdorur dhunën duke i rrahur vajzat shqiptare, duke i shqelmuar ato me shkelma në bark, duke iu kërcënuar se kurrë më nuk do të lindni shqiptarë të vegjël; Për mjetet e informimit kishte dal mendimi se ishin nën çdo nivel të detyrës. Ato jo vetëm që nuk informuan siç duhet por ato morën guximin sa edhe dezinformuan opinionin për situatën reale se çfarë po ndodhë në Kosovë. U morë qëndrimi që rregullisht të ndijohej Radio Tirana ngase vetëm ajo jep informata të sakta; Atdhetari Naim Maloku, gjatë kësaj kohe rregullisht dëgjonte Radio Tiranën dhe për çdo gjë i informonte anëtarët e grupit. Po ashtu anëtarët e grupit shpesh dëgjonin këngët patriotike siç ishin këngët për “Shote Galicën”, “Bajram Currin”,”Azem Bejtën”, “Micë Sokolin” etj.
Aktakuza Naim Malokun e ngarkonte edhe për organizimin e përcjelljes së ushtarëve e ushtarakëve me rastin e festave të një majit 1981, që i kishte organizua në lokalet e Akademisë Ushtarake, para se të shkonin në pushime, ai në mes tjerash ata i kishte porositur se poqese ndodhin demonstrata të reja, deri sa ata janë në Kosovë, duhet t’iu bashkëngjiten demonstruesve dhe të mos kthehen në njësitet e tyre ushtarake, dhe poqese ka nevojë të dalin edhe në mal le të dalin se ky është zëri i atdheut dhe zëri i lirisë. Pas daljes në mal, ata do të kenë në dispozicion  armatim të bollshëm, municion, automjete dhe ushtarët shqiptar, se të gjithë ushtarakët shqiptar në këtë rast duhet të qëndronin pran popullit të vet, se me qëndrimin e tyre në shkolla ushtarake po i shërbejnë okupatorit të tyre- serbëve.
Po ashtu aktakuza e ngarkonte se në muajin maj 1981, në dhomën e tij në Zagreb, kishte shkruar traktin, siç e quante aktakuza “Pamfleti”, me titull “ Ata (ato) ngelin në zemrat e popullit”. Në të kishte shkruar se “Më vitin 1981, do të mbushën dhjeta faqe historie të lavdishme të popullit shqiptar. Lulëkuqet e Kosovës këtë vit do të qelin në ngjyrën e kuqe, se rrënjët e tij janë ulur me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës krenare... Gjaku i juaj o trima të vitit 1981do të forcojë edhe më shumë zemrat tona...E vetmja gjë që mundëm të bëjë në këtë moment është kjo që po shkruaj dhe besën që po u jap se do të vazhdoi rrugën tuaj”. Këtë trakt iu kishte lexuar kolegëve të vet shqiptar, në garnizonin ushtarak të Zagrebit.

Formimi i grupit ilegal

Në muajin korrik, 1981, në konviktin e studentëve “Cvetno naselje”, në Zagreb, me rastin e përfundimit të shkollimit, me ftesën e studentit Zekë Gecaj, para të pranishmëve i kishte nderua demonstruesit e vrarë me fjalën “Lavdi juve”.
Pas leximit të revistës “Liria” të muajit mars 1981 në Zagreb, ai vepronte si anëtar i organizatës ilegale “OMLK”. S’bashku me Haki Fadilin kishte formua grupin ilegal duke anëtarësuar edhe Fadil Demirin, Hasan Agushin, Naser Zekën dhe Rifat Osmanin, me qëllim të angazhimit të tyre në luftën e pa kompromis që Kosova të shpallej Republikë. Pas formimit të grupit, anëtarët e saj kishin mbajtur mbledhje të shpeshta duke analizuar dhe trajtuar situatën politike në Kosovë dhe Jugosllavi, por ajo që ishte më e rëndësishmja ishte se ata morën përsipër që të formonin grupe të tjera të organizatës ilegale dhe morën masa të rrepta për mos zbulimin e tyre.

Mbledhja në lokalet e Akademisë Ushtarake në Zagreb

Në fillim të vitit 1982, në lokalet e Akademisë në Zagreb, me qëllim të formimit të grupeve ilegale dhe përforcimit të tyre, Jashar Xhaferi i kishte njoftuar të pranishmit me punën që ishte bërë në këtë drejtim. I kishte njoftuar se sa anëtarë të rinj kishin aderuar në organizatë, cilët student kishin dëgjuar Radio-Tiranën. Edhe në këtë mbledhje të gjithë të pranishmit kishin arsyetuar veprimet e demonstruesve dhe u përkrah kërkesa e tyre që Kosovës ti epet statusi i Republikës, dhe përsëri kishin nderuar të vrarët e demonstratave me një minutë heshtje.
Nga e tërë kjo që u tha më lart, Naim Malokun Gjykata Ushtarake e Sarajevës e akuzoi në bazë të nenit 136, alineja 1. të Ligjit Penal të SFRJ-së në lidhje me nenin 114 po të njëjtit ligj, që do të thoshte bashkim për veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe popullit. Andaj i shqiptoi dënimin prej 4 vjet e 5 muaj burg të rëndë.     

2. Xhefer Jashari ishte i akuzuari i dytë i këtij procesi. Ishte kapiten i klasit të parë në Postën ushtarake 3566 në Zagreb. Ishte i lindur në fshatin Koshutovë (Mitrovicë e Kosovës), më 8 shkurt 1954, nga babai Kamber dhe nëna Rabe e lindur Tahiraj. Gjatë kohës së arrestimit jetonte në Zagreb. Ishte i martuar dhe ishte baba i një fëmije. Edhe ky sikurse Naim Maloku kishte mbaruar në mënyrën më të rregullt shkollimin universitar duke përfunduar Akademinë Ushtarake në Zagreb dhe më pas kishte vijua studimet në shkallën e tretë, por nuk kishte arrit që të magjistronte. Në APJ, ndodhej që nga 14 korriku 1977. Ishte i dekoruar me dekoratën për merita ushtarake. Asnjëherë nuk kishte qenë i ndjekur penalisht deri më 4 nëntor 1985, kur u arrestua nga ana e organeve ndjekëse ushtarake.
Aktakuza e Prokurorisë Ushtarake në Sarajevë e ngarkonte se pas takimit që kishte pasur me Naim Malokun, Fadil Demirin e Haki Fadilin në Zagreb, në muajin shtator 1981, por edhe në vitet në vijim, ata vendosin që të formojnë një grupim ilegal të Organizatës Marksiste Leniniste të Kosovës, që për qëllim kishin organizimin e studentëve shqiptar në lëvizjen ilegale dhe informimin e drejt të tyre se çfarë po ndodhë në Kosovë dhe se si demonstruesit janë keq trajtuar nga ana e policisë. Dhe në çdo moment duke i përkrahur në kërkesën e drejtë që Kosova të ketë statusin e Republikës, por me kalimin e kohës dhe pas shpalljes Republikë ajo do të fitojë të drejtën që ti bashkëngjitet Shqipërisë. 
Me kalimin e kohës, në Sarajevë u formuan dhe vepruan edhe grupe të tjera ilegal ku vepronin edhe Shefqet Tahiri, Ramadan Gashi, Shiqeri Spahiu, Agim Përzhoku, Rifat Osmani, Hasan Agushi, Afrim Spahiu dhe Shefket Abdullahu. Ata kryesisht takoheshin në lokalet e Akademisë, në banesa dhe në vende të ndryshme kur u kthenin në Kosovë për pushime gjatë vitit 1981, 1982, 1983, 1984 por edhe në vitin 1985, deri sa dhe u zbuluan. 
Gjatë tërë veprimtarisë të këtyre grupeve, ata u takonin rregullisht, mbanin mbledhje ku trajtoheshin  probleme kruciale e të rëndësishme për grupet ilegale. Në to u merrnin qëndrime, këshilla e detyra për të cilat duhet të kryheshin me përpikëri.

Porosia e ilegales: shqiptarët që ndodhen jashtë Kosove të martohen vetëm me shqiptare

Sipas dokumentit thuhej se në një mbledhje ishte folur se si studentët shqiptar, e sidomos ata që janë në Akademitë Ushtarake duhet të mësojnë, të mbarojnë fakultetin, të punësohen në vende të rëndësishme në ushtri dhe nga aty të bëjnë ndikim në rrjedhat politike që Kosova të shpallej Republikë. Ndërsa, detyrë tjetër që për ilegalistët që vepronin në Zagreb ishte shumë e rëndësishme ishte e dhëna se tek-tuk studentët shqiptarë kishin filluar të krijonin familje me femra serbe, andaj në këtë mbledhje u sugjerua që është mirë që sa më pak që është e mundur të mos martohen me ato, ngase në një mënyrë ato martesa janë shumë të rrezikshme, se me kalimin e viteve vije deri te asimilimi dhe zbehja e dashurisë ndaj vendit, dhe nën dy, për hir të pastërtisë etnike duhet të kemi kujdes për martesa kryesisht me shqiptare.
Me rastin e mbajtjes së Kongresit të VIII të Partisë së Punës së Shqipërisë, në fund të vitit 1981, Xhafer Jashari në një takim me studentët Fadil Demirin, Shefqet Tahirin, Fadil Hakiun dhe Ramadan Gashin që i përkisnin këtij grupi, iu kishte thënë se ekziston dikush që kujdeset dhe mendon për ne dhe Kosovën e robëruar. Në Jugosllavi ekziston socializmi vetëm në letër dhe si nocion, se shteti kaherë është shndërruar në shtet kapitalist. Të pranishmit kishin konstatua se Shqipëria bënë mirë që përzihet në punët e brendshme të Jugosllavisë, ngase shqiptaret në Kosovë dhe në Jugosllavi po bëjnë jetë prej robi dhe nuk kanë kurrfarë të drejtash elementare në krahasim me popujt tjerë të saj.
Pasi se gjatë vitit 1983 kishte përfundua së lexuari librin “Titistët”, që e kishte huazuar nga studenti Fadil Demiri, në mbledhjen e radhës ishte debatuar për të, duke ardhur në përfundim se me anën e këtij libri, Enver Hoxha e kishte shkatërruar Titon, duke iu bërë të njohur opinionit ndërkombëtar të vërtetën për Jugosllavin dhe politikën e saj ndaj shqiptarëve, duke arsyetuar se Shqipëria kishte pas të drejt që nuk ka lejuar Ushtrinë Jugosllave që të futej në Shqipëri, se ajo, ka pasur për qëllim okupimin e saj. Janë të drejta vendimet e Konferencës së mbledhjes në Bunjaj që kërkojnë pas përfundimit të LDB, që Kosova ti bashkëngjitej Shqipërisë. Kishin diskutuar edhe për atdhetaret që në Kuvendin e Prizrenit (1945), kishin votuar kundër Kosovës që ti aneksohej Serbisë, por që të nesërmen kishin humbur çdo gjurmë ngase UDB-a jugosllave i kishte likuiduar. Me një fjalë Titoja e kishte tradhtuar Shqipërinë duke i shkëputur pjesën më të mirë të saj. Për situatën politike në vend u konstatua se nuk është fare e mire ngase sot e pësojnë shqiptaret, nesër sllovenet e më vonë kroatet e boshnjakët, kështu serbet në një të afërme do të dominojnë në Jugosllavi.

Takimi në Tetovë

Veç takimeve që u mbanin në Zagreb, Sarajevë e Lubjanë, ata takoheshin edhe në vendet prej nga vinin. Duhet cekur se gjatë viteve sa veproi grupimi i ushtarakëve të Zagrebit, veprimtarët e saj u takuan më 1983, në muajin  gushti, në Tetovë në një takim me Fadil Demirin, Shefqet Tahirin dhe Ramadan Gashin. Në këtë takim ishte diskutuar për situatën në Maqedoni dhe ishte thënë se shqiptaret në këtë republikë janë tej mase të shtypur dhe vazhdimisht bëhej asimilimi i tyre në mënyrë sistematike nga ana e pushtetit.
Me 4 maj 1985, në banesën e Xhafer Jasharit në Mitrovicë të Kosovës s’bashku me Fadil Demirin dhe një numri të konsideruar të fshatrave dhe të afërmve të tij, Xhafer Jashari të pranishmëve iu kishte folur për situatën politike në vend dhe në Shqipëri, duke iu thënë se situata tani për tani është shumë e nderë dhe pritej që në çdo moment të shpërthenin përsëri demonstratat, që patjetër duhet të përkraheshin nga ana e tyre.
Në fillim të muajit prill të vitit 1985, në shtëpinë e  Hysen Zeçirjahës në Ferizaj, mbahej edhe një tjetër takim, ku merret qëndrimi se si duhet të sillen shqiptaret në rast se dëgjojnë për ndonjë veprimtari ilegale. U morë edhe qëndrimi tjetër se edhe më tutje duhet të konsolidohen dhe të anëtarësojnë anëtarë të rinj në radhët e tyre. Të gjithë ata shqiptar që lajmërojnë organet e policisë për ndonjë aktivitet të ilegales duhet të trajtohen si tradhtar dhe të distancohen dhe denigrohen haptas nga ata. Dhe u morë qëndrimi që me rastin e pranimit të anëtarëve të rinj duhet pasur kujdes se kush po pranohet dhe sa janë të devotshëm për punën dhe  luftën atdhetare.
Në gjysmën e dytë të vitit 1983, libri “Titistët” dhe shtypi i ilegales siç ishte gazeta “Liria” dhe “Zëri i Kosovës” u lexoheshin me një frymë nga anëtarët e grupit. Në fillim të vitit 1984 në banesën e Bytyqit ishte lexuar gazeta ”Zëri i Kosovës” dhe ishte diskutuar për aktivitetin e organizatës, ndërsa studentëve dhe ushtarëve shqiptar iu kishte folur që sa janë në ushtri dhe në fakultet duhet shumë të punojnë dhe të nxënë sa më shumë njohuri ushtarake, se në të ardhmen Kosova do të ketë nevojë për ta.
Në procesin gjyqësor të ushtarakëve edhe ky u akuzua për veprimtari “armiqësore kundër shtetit dhe popullit”, dënimi iu shqiptua në bazë të nenit 136, alineja 1, dhe të nenit 114 të Ligjit Penal të RSFJ-së , duke e dënuar me 7 vite burg të rëndë.
3. I akuzuari i tretë ishte Fadil Hakiu, toger në P.U. 5659, në Gornji Millanovc, ishte i lindur më 15 shtator 1959, në fshatin Grebno (Ferizaj), nga babai Faik dhe nëna Feride e lindur Ismaili. Gjatë kohës kur u arrestua jetonte në Gornji Millanovc. Ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Kishte mbarua shkollën fillore, të mesmen dhe Akademinë Ushtarake. Në Armatën Jugosllave punonte që nga 13 marsi 1984. I pa dekoruar dhe i pa dënuar deri më 24 dhjetor 1985 kur edhe e arrestuan.
Fadil Hakiu, akuzohej se menjëherë pas ardhjes në Zagreb, në shtator të vitit 1978, menjëherë kishte filluar miqësinë me Naim Malokun, dhe në bisedë e sipër që të dy bien në ujdi se sistemi politik në Shqipëri është shumë herë më i mirë se sa ai që ishte në Jugosllavi. Po në të njëjtën kohë ata pajtohen dhe i japin mbështetje të plotë organizatave të zbuluara ilegale e sidomos i japin përkrahje Adem Demaqit, duke e quajtur hero i gjallë i kombit, për hir se me një trimëri të rrallë kishte luftuar për të drejtat e popullit shqiptar.
Në fund të vitit 1980, në fshatin Grebnik (Ferizaj), nga të afërmit e tij dhe nga mendimtarët e njëjtë si Berat Topalli dhe Samet Topalli, kishte marr për lexim revistën ilegale “Liria”, organ i organizatës ilegale “OMLK”. Duhet përmendur se anëtarët e kësaj organizate, revistën iu epnin për lexim vetëm personave tek të cilët kishin besim të madh dhe të cilët kishin po të njëjtin mendim.
Vitet e 80/81, ishin vite kur veprimtaria ilegale atdhetare në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish-Jugosllavi kishte marrë hov dhe bëheshin përgatitjet e fundit për organizimin e demonstratave.
Gjatë këtyre dy viteve me formimin e grupit ilegal, aktivitet të dendur zhvillonin Naim Maloku e Fadil Hakiu duke grumbulluar rreth vetes shumë simpatizant dhe veprimtar të çështjes shqiptare. Takime të rregullta mbanin edhe në Shoqatën e studentëve shqiptar “Shkëndija”. Qëndrimi i grupit ilegal që vepronte në Zagreb ishte i qartë, ngase mendohej se të gjitha trojet të banuara me shqiptar si në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, do të bashkoheshin me Kosovën e pastaj pasi të shpallej Kosova Republikë, si e tillë do ti bashkëngjitej Shqipërisë. Në shumë mbledhje ishte folur se në rast të shpërthimit të demonstratave, të gjithë ushtarët shqiptar dhe studentët që ndodheshin në Zagreb, duhet ti përgjigjen thirrjes së atdheut dhe me armë në dorë duhet të kthehen në Kosovë dhe t’iu bashkëngjiten demonstruesve.
Grupi ilegal i formuar më 1981, i kishte të gjitha karakteristikat e një organizate ilegale ngase vepronte sipas konditave të tyre. Grupi punonte në konspiracion të thellë dhe shumë anëtarë të saj mbanin edhe pseudonime. Disa nga ata kishin lexuar programin e organizatës ilegale “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”. Fadil Demiri pas një kohe anëtarësohej në këtë organizatë duke ofruar edhe ndihmën në të holla për nevoja të organizatës. Si anëtar i grupit ilegal nga gjysma e dytë e vitit 1981 deri në gjysmën e parë të vitit 1984, në marrëveshje me Naim Malokun ai udhëhiqte me grupin ilegal.
Me qëllim të avancimit dhe përforcimit të grupit ilegal dhe për realizimin e qëllimeve për të cilat ishte formuar grupi, në shumë raste në Zagreb dhe në Lubjanë e kishte informuar dhe kishte kërkua këshilla për punën e mëtutjeshme, e sidomos në aspektin e marrjes së masave për të penguar zbulimin e veprimtarisë së tyre ilegale. Po ashtu ndihmesë të madhe në këtë drejtim kishte marrë edhe nga shoku i ngushtë i idealit Xhafer Jasharit.
Edhe ky atdhetar akuzohej nga gjykata ushtarake në bazë të nenit 136, alineja 1 dhe nenit 114 të Ligjit Penal të RSFJ-së, duke i shqiptuar dënimin prej 4,5 vjet burg të rëndë.  
4. I dënuari i katërt ishte Fadil Demiri, student i Akademisë Ushtarake, në vitin e IV të Akademisë Ushtarake, pran PU 3566/1 A-30 Zagreb. Ishte i lindur me 25 nëntor 1962 në fshatin Suho Gërlo (Skenderaj), nga babai Halit dhe nëna Rahime e lindur Gashi. Në kohën kur u arrestua (4 nëntor 1985), ishte i pa martuar. Kishte të mbaruar shkollën fillore, shkollën e mesme ushtarake dhe 3 vite të Akademisë Ushtarake në Zagreb. Në APJ ndodhej që nga viti 1 shtatori 1978.
Edhe Fadil Demiri ishte anëtarë i grupit ilegal që u formua në fillim të vitit 1981. Ishte i rregullt në mbledhjet e grupit dhe me një entuziazëm të pashoq zhvillonte dhe angazhohej në propagandimin e ideve për shpalljen e Republikës së Kosovës. Veprimtari të bujshme atdhetare zhvillonte në mes të nxënësve të Shkollës ushtarake –Teknike në Zagreb, pastaj tek ushtarakët shqiptar, tek studentet që ndodheshin në Akademinë Ushtarake dhe tek studentet që studionin në Universitetin e Zagrebit. Po ashtu gjatë kohës kur vinte në Kosovë veprimtaria e tij ishte shumë aktive me bashkëfshatarët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës.
Në aktakuzë thuhej se Fadil Demiri, në gjysmën e dytë të vitit 1982, në lokalet e konviktit të studentëve “Ivo Llolla Ribar”, në Zagreb, bëhej anëtar i organizatës ilegale “Lëvizja e Shqiptarëve për Republikën Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi” në të cilën merrnin pjesë edhe Fehmi Lladrovci, Rahim Bytyqi, Hazir Tara, Hafir Shala, Tonë Marku, Xhelal Canziba, i cili në ilegale e kishte pseudonimin “Besniku” e më vonë edhe “Kujtim”. Pas angazhimit të tij në organizatë, ai ishte i rregullt në të gjitha mbledhjet e këtij grupi. Zakonisht në këto takime bëhej fjalë për situatën politike në vend porse kishte lindur nevoja e mbledhjes së anëtarësisë për nevoja emergjente të organizatës. Të hollat zakonisht u mblidhnin për qëllime të sigurimit të materialit propagandues si makina shkrimi, geshtëtner për shumëzimin e parullave dhe trakteve ilegale, për blerjen dhe sigurimin e banesave për mbajtjen e mbledhjeve, fshehjen e ilegalëve, blerjen e armëve, ndihmën për familjet e të burgosurve politik  nga Kosova, për angazhimin sa më të madh të anëtarëve në organizatë dhe sigurimin sa më të madh të literaturës e shtypit ilegal.
Pasi se Fadili ishte anëtarë i kësaj organizate, kishte marr përsipër dhe kishte formua një grup të ri të saj, në të cilën ishin anëtarësuar Ramadan Gashi dhe Tahir Hajdari  në fshatin Grebnik pran brigjeve të Drinit të Bardh. Me këtë rast kishin marr edhe pseudonimet dhe ishin informuar se për çfarë angazhohet dhe lufton organizata.
Veç tjerash, gjatë vitit 1984/85, anëtarët e grupit ishin organizuar dhe kishin marr iniciativa për pranimin e anëtarëve të rinj, e sidomos qëllimi ishte që në radhët e tyre të kishte sa më shumë ushtarak shqiptar, mu nga kjo kishte lindur edhe iniciativa që të hulumtohet terreni në Qendrën ushtarake të Rajllovcit dhe në garnizonet ushtarake të Zagrebit, Sarajevës dhe Lubjanës.
Gjatë muajit janar 1985, në Zagreb, Fadil Demiri bashku me Rahim Bytyqin kishin përkthyer “Udhëzimet për përdorimin e mjeteve eksploduese”, me qëllim të përgatitjes së anëtarëve të organizatës në rast nevoje që të dinin si ti përdorin dhe ti asgjësojnë ato.
Më 1985, në fshatin Rudnik, kishte formuar edhe një grup ilegal të organizatës, në të cilën merrnin pjesë Ramë Ramaj, Daut Murati dhe Halit Çitaku, të cilëve iu kishte tregua se qëllimi i organizatës është që të formohet Republika e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Më vonë punën e këtij grupi ia kishte besuar Elez Kamberit, i cili ishte angazhuar që grupi të punonte në ilegalitet të thellë, dhe ishte angazhuar që personat e rrezikuar për tu zbuluar ilegalisht të kalonin kufirin.
Më 1985, në gjysmën e dytë të muajit gusht, në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit, në fshatin Gladno Sello, komuna e Drenasit, ai ishte njoftuar nga Fehmiu se ishte formuar Komiteti Organizativ i organizatës ilegale “OMLK” për sektorin Kosovë e Maqedoni, për formimin e komiteteve  në komuna. Po ashtu kishte dal propozimi që të formohet Komiteti Rrethit për Skenderaj që do ta udhëheqëse Ramë Ramaj, Daut Murati dhe Hysen Xhemili, me të cilën rast ishte pajtuar edhe Fehmi Ladrovci. Me këtë rast ai iu kishte dhuruar “Udhëzimet” për formimin e kësaj organizate, “Udhëzimet” për formimin e komiteteve të rretheve, dhe “Pararojën “ që ishte fletushkë e kësaj organizate e cila shërbente për përdorim të brendshëm të saj.
Fadil Demiri me këtë rast Gjykata Ushtarake në Sarajevë e akuzonte në bazë të nenit 136, alineja 1 të Ligjit Penal të RSFJ-së në lidhje me nenin 114 të po këtij ligji. Dhe në bazë të kësaj i shqiptohet dënime me 5 vite burg të rëndë.  
5. Ramadan Gashi me pseudonimin “Dani” ishte Vodnik i klasit të parë në PU. 2709 në Sarajevë. Ishte i lindur në fshatin Grebenik (Klinë), më 3 shkurt 1963. Nga babai Bajram dhe nëna Zelfije e lindur Kastrati. Me banim të përhershëm në Sarajevë. Ishte i pamartuar. Kishte të mbaruar shkollën fillore dhe të mesmen ushtarake në Zagreb. Në APJ ndodhej që nga viti 15 korrik 1982. Ishte i pa dënuar deri më 31 tetor 1985.
Ramadan Gashi ishte anëtar i organizatës ilegale që e formuan ushtarakët shqiptar që nga mesi i vitit 1981. Gjatë tërë veprimtarisë së vet ilegale ishte i rregullt në mbledhjet e saja që u mbanin në Sarajevë, Zagreb e Kosovë ku merrnin pjesë një numër i konsideruar i anëtarëve. Në mbledhjet e ilegalës zakonisht u diskutonte për organizimin e grupeve të tjera dhe në vende të ndryshme ku jetonin ose punonin shqiptarët.
Më 1983, ai bëhej anëtar i organizatës ilegale “LSHSRJ”, me këtë rast mer edhe pseudonimin “Burimi”. Me këtë pseudonim kishte zhvilluar veprimtarin ilegale duke i anëtarësuar në radhët e organizatës edhe Isuf Muriqin, Ramadan Zogen, e Rifat Osmanin, të gjith ushtarak në garnizonet e Sarajevës. Si anëtarë i organizatës për nevoja të saja kishte dhënë donacion prej 1.500 dinarëve për blerjen e një pushke snajper. Pastaj nga Tahir Hajdari kishte kërkua dhe kishte siguruar listën e studentve shqiptar në Shkollën Teknike Ushtarake në Rajllovc. Më vonë këtë list e kishte dërguar në Kosovë, kryesisë së organizatës. Kishte fotokopjua “Statutin” e organizatës në 100 kopje në lokalet e “Jugobankës” në Sarajevë, nga të cilat 60 kopje ia kishte dhënë Rahim Bytyqit në Sarajevë, ndërsa 40 copë ia kishte dhënë Zymer Gashit në fshatin Grebnik, që të gjitha  kishin për qëllim shpërndarjen e tyre në popull.
Edhe këtë Gjykat Ushtarake e Sarajevës e akuzonte për veprimtari ilegale kundër shtetit dhe popullit nga neni 136, alineja 1 dhe lidhur me nenin 114 të Ligjit Penal të RFSJ-së, duke i shqiptuar dënimin prej 5 vitesh burg të rëndë.
6. Rahim Bytyqi, dhjetar në Postën Ushtarake 2539/2 në Ribnica. Ishte i lindur më 22 mars 1959, në Ferizaj, nga babai Murat dhe nëna Fatime e lindur Frangu, ku edhe është me banim të përhershëm. Ishte i pa martuar. Të mbaruar kishte shkollën fillore, të mesmen dhe ishte student i Shkollës së Lartë grafike në Zagreb (semestri i Pestë). Në APJ, ndodhej që nga 1 shkurti i vitit 1985. Në arrest ndodhej që nga 2 nëntori 1985.
Në fillim të vitit 1982, pasi se ishte njoftuar nga Fehmi Lladrovci për formimin e organizatës ilegale “lëvizja e shqiptarëve...”, ai anëtarësohej në të dhe gjatë tërë periudhës sa ishte në liri ai ishte shumë aktiv në kryerjen e detyrave të cilat ia caktonin shokët. Kishte marr pjesë në të gjitha mbledhjet që u organizoheshin si në konviktet e studentve”Ivo Llolla Ribar”, dhe “Cvetno naselje” në Zagreb, poashtu mbante lidhje të rregullta me ilegalen që vepronte në Kosovë. 
Nga marsi i vitit 1983, dhe deri në fillim të vitit 1985, ai me konsekuenc kishte udhëhequr me grupin për të cilën e kishte njoftuar Fehmi Lladrovci. Gjatë tërë veprimtarisë ilegali kishte përdorur pseudonimin “Korabi” e më vonë edhe “Rasimi”. Në çdo mbledhje Rahim Bytyqi kërkonte nga shokët që të analizonte aktivitetin e tyre në teren dhe detyrat e kryera që i kishin marr nga mbledhja e kaluar. Në mbledhjet e grupit u bënin njoftimet se çfar kishte ndodhë në lëvizje aktivitetet e saja, të arriturat dhe anëtarësimin e anëtarëve të rinjë. Në çdo mbledhja mbahej edhe procesverbali i cili ruhej me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Rahim Bytyqi si udhëheqës i grupit, në shumë raste kishte grumbulluar donacione për organizatën në vlerë prej 30.000 dinarëve. Veç kësaj, ai në Ferizaj diku kah gjysma e vitit 1983, kishte formuar grupin ilegal duke angazhuar Nexhat Xhoklin, Muzafer Likën, Ahmet Sokolin dhe Xhemil Ismanin të cil[t i kishte porositur që në të ardhmen si grup i ri që ishte, të formojnë grupe të reja, të pranojn anëtar të rinj, të paguajn antarësin dhe shumë detyra të tjera.
Në takimin që kishte pas me Shaban Shalen diku në fund të vitit 1983, kishin biseduar për mbajtjen e një kongresi të “Partisë së Luftës në Kosovë”, që për qëllim do të kenë përforcimin e lëvizjes ilegale    dhe nga ana e këtij si delegat i kongresit  është propozuar Xhafer Jashari.
Takimi në Negrovc

Në fund të tetorit të vitit 1984, me iniciativën e Shaban Shalës, në shtëpin e tij në fshatin Negroc, mbahet një mbledhje e rëndësishme e organizatës. Sipas aktgjykimit thuhej se ajo kishte zgjat nga mbrëmja deri në orët e hershme të mëngjesit. Në të kishin marr pjesë shumë anëtar të saj në mesin e të cilëve ishte edhe Fehmi Lladrovci, Hysen Idrizi, Tahir Tara i cili kishte ardhur enkas për këtë mbledhje nga një shtet perëndimor. Pas një analize të gjatë që i bëjn situatës politike në Kosovë dhe në vet organizatë, bashkarisht kishin ardhur në përfundim se duhet të merren masa për një vigjilenc më të madhe dhe një siguri të domosdoshme të vet anëtarëve dhe lëvizjes; Duhet marrur masa urgjente për të hulumtuar dhe për të gjetur dhe angazhuar sa më shumë persona të cilët janë të punësuar në organet e sigurimit; U mor qëndrimi që organizata të formojë policin e vet e cila do të shërbej për nevoja të lëvizjes dhe gjithashtu u mor qëndrimi që organizata të ketë dhe të zhvillojë veprimtarin botuese që me ndihmën e botimeve të ndryshme të njoftoi opinionin e gjerë si në vend ashtu edhe jasht për padrejtësit e shumta që po iu bëheshin shqiptarëve. Nga kjo mbledhje kishte dal edhe porosia për të gjithë veprimtarët ilegal se poqese arrestohen , në organet e hetuesisë të mos japin as një shok.
Rahim Bytyqin, Gjukata Ushtarake e Sarajevës e akuzonte për bashkim për veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit, në bazë të nenit 136, alineja 1, lidhur me nenin 114 të Ligjit Penal të RSFJ-së, duke i shqiptuar dënimin prej 5 viteve e 5 muaj burg të rëndë.  
7. Hysen Zeqirjahu, ushtar në PU. 4084 në Kumanovë. Është i arrestuar që nga 4 nëntori 1985. Ndërsa është i lindur më 22 shkurt 1958 në Vushtrri. Babi i tij quhej Ruzhdi dhe nëna Emine e lindur Ejupi. Hyseni kishte të mbaruar Fakultetin Teknik. Ishte i pa martuar. Ishte i punësuar në Obiliq. Në shërbimin ushtarak ndodhej që nga 4 shkurti 1985. U arrestua me 4 nëntor 1985.
Hysen Zeqirjaha, diku në fund të vitit 1982, në lokalet e Fakultetit Kimiko-Teknologjik të Mitrovicës së Kosovës, pasi se merr njoftimet e duhura nga Miran Demiri, lidhur me veprimtarin dhe aktivitetin e organizatës ilegale “LRSSHJ”, e cila si qëllim suprem kishte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare që ishin në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Kosovën dhe pas shpalljes së Kosovës Republikë, do të pasonte bashkimi me Shqipërin, ai e pranon propozimen dhe bëhej anëtar i saj.
Më lartë u përmend se detyrë primare e tyre ishte formimi dhe pranimi i anëtarëve të rinjë në organizat. Duke u nisur nga këto detyra, Hysen Zeqirjaha, në gjysmën e parë të vitit 1984, në banesën e tij në Vushtrri, në grupin ilegal pranon anëtarin e ri Luan Badivukun. Pas një kohe, në fshatin Stanovc pranon Bahtiar Haredinajn dhe Ferat Ibrahimin. Më vonë nëpër mes lidhjeve ilegale venë kontakte edhe me krerët e grupeve ilegale siç ishin: Fadil Demirin, Rahim Bytyqin, Fehmi Lladrovcin dhe Kamer Elezin.
Ndërsa në një takim që kishte pasur me Tahir Hajdarin në hotelin “Kristal” në Kumanovë, respektivisht derisa ishte në shërbimin ushtarak, ai si udhëheqës i grupit atij i kishte thënë se anëtarët e organizatës duhet të ishin shumë aktiv kudo që ndodhën e sidomos në ushtri, se këptu ka nevojë për një organizim edhe më të madh për hir se duhet mbrojtur ushtarët që janë veprimtar të ilegales, si dhe anëtarët e organizatës që zhvillojn veprimtari jasht vendit është mirë që të kthehen në vendet e tyre dhe aty të shtojnë aktivitetin kundër okupuesit si dhe duhet ndërmarr aksione të armatosura kundër tradhtarëve të popullit shqiptar. Sa ishte në Kumanovë, ai kishte pas kontakte dhe kishte biseduar me ushtarët për organizatën ilegale me Zemri Elezin, Naim Arifin dhe Naser Kadriun. Ky edhe ishte hapi i parë për të formuar grupin e ri ilegal.
Për të gjitha këto Gjykata Ushtarake në Sarajevë e akuzonte se kishte zhvilluar aktivitet ilegal me qëllim të shkatërrimit të vëllazërim-bashkimit në Jugosllavi dhe kundër sistemit kushtetues të saj. Akuzohej në bazë të neit 136, alineja 1 lidhur me nenin 114 të Ligjit Penal të Jugosllavis, duke i shqiptuar dënimin prej 5 vitesh e 9 muaj burg të rëndë. 
8. Xhemil Ismani, ushtar në PU 9084 në Mostar. Ishte i lindur më 25 mars 1958 në fshatin Radush (Shkup), nga babai Rrustem dhe nëna Xhevrije e lindur Bexheti. Me vendbanim të përhershëm në Ferizaj. Me profesion ishte arsimtar i gjuhës angleze. Kishte të mbaruar shkollën fillore, të mesmen dhe student i vitit të dytë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Në kohën kur u arrestua ishte i pa martuar. Gjerë në kohën kur organet e hetuesisë e arrestuan (2 nëntor 1985), ishte i pa dënuar.
Në organizatën ilegale të “LRSSHJ”, Xhemil Ismani u anëtarësua nëpër mes të Rahim Bytyqit në mars të vitit 1981. Xhemili pas demonstratave studentore të vitit 1981, plotësisht ishte pajtuar me kërkesat e studentve se Kosova duhet të ishte Republikë, se vetëm në këtë mënyrë ajo do të zhvillohej ekonomikisht dhe politikisht, nuk do të eksploatohet nga Jugosllavija dhe pas një kohe do të bashkohej me Shqipërin.
Gjatë veprimtarisë së vet, Xhemili kishte ardhur deri te të dhënat se në organizatën e “LRSSHJ”, më 1982 ishte bërë bashkimi i shumë organizatave ilegale, për të arritur qëllimin suprem të tyre, andaj ky me shokët e vet edhe pse kishte lexuar dhe analizuar statutet e organizatës ilegale “OMLK” dhe të “LRSSHJ”, ata kishin vendosur që të formonin grupin në kuadër të “Lëvizjes...”
Në bazë të këtij aktgjykimi, ai akuzohej se kishte bërë organizimin e grupit me një qëllim të vetëm ,për të shkatërruar vëllazërim-bashkimin dhe me dhunë për të ndryshuar sistemin kushtetues të Jugosllavisë.
Në Gjykatën Ushtarake në Sarajevë, iu shqiptua dënimi prej 5 viteve burg të rëndë. 
9. I akuzuari i fundit ishte Tahir Shefqeti, pitomac- vodnik i klasit të I në PU 3566. Vinte nga fshati Rekë (Mitrovica e Kosovës), dhe ishte i lindur me 1 maj 1960 nga babai Avdi dhe nëna Hamide e lindur Emini. Kishte të mbaruar shkollën fillore dhe shkollën e mesme teknike, ndërsa në kohën kur u arrestua ishte pitomac në vitin e pestë të Akademis Ushtarake në Zagreb. Ishte i pa martuar, i pa dënuar për ndonjë vepër penale. U arrestua me 4 nëntor 1985.
   I akuzuari i nëntë, Shefqet Tahiri, ishte anëtarë i grupit ilegal që nga fundi i vitit 1981. Këtë grup e udhëhiqte Haki Fadili, e në të merrte pjesë edhe Demir Fadili, Ramadan Gashi, Hasan Agushi, Rifat Osmani e të tjerë. Grupi i Haki Fadilit shumë herë ishte takuar dhe kishte mbajtur mbledhje ilegale në të cilat gjerësisht u diskutonte për situatën në Kosovë dhe për luftën e drejt që e bënte populli i Kosovës. Demonstratat e organizuara në Kosovë më 1981, dhe kërkesat e demonstruesve u përkraheshin unanimisht. Në çdo mbledhje u kërkua që anëtarët e grupit të jenë edhe më aktiv dhe të angazhohen për pranimin e anëtarëve të rinjë.
Shefqet Tahiri, në këtë proces gjyqësor nga Gjykata Ushtarake e Sarajevës iu shqiptua dënimi prej 3 vitesh burg të rënd, duke e akuzuar se kishte bërë vepër penalepolitike nga neni  136, alineja 2 lidhur me nenin 114 të Ligjit Penal të Jugosllavisë. 


(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora