E diele, 28.04.2024, 11:26 AM (GMT+1)

Speciale

Shevki Sh. Voca: Marsi muaji i përkujtimit të shkollës së parë shqipe dhe të ditës së mësuesit

E shtune, 20.03.2010, 02:29 PM


MARSI MUAJI I PËRKUJTIMIT TË  SHKOLLËS SË PARË SHQIPE DHE TË DITËS SË MËUESIT

Nga SHEVKI SH. VOCA

     Figura e mësuesit nderohet dhe adhurohet që nga kohët e lashta të kohës Antike greke. Aleksandri i Madh thoshte se më shumë kamë obligime ndaj Aristotelit, të cilin e kishte pas mësues, se sa ndaj, prindit të vetë Filipit. Edhe i Dërguari i fundit i Zotit, Muhamadi a. s. i jepte rëndësi të madhe arsimit. Ai kishte zakon që robërit e luftës të cilët dininë shkrim dhe lexim t’i lirojë, po qe se ata i mësojnë nga dhjet vet me shkrua dhe lexua. Ndërsa shkrimtari i madh Viktor Hygo arsimin e vlerësonte deri në shkallën më të lartë kur thoshte: “Mësuesi bënë njeriun.”
   Shqiptarët asnjëherë gjatë historisë nuk e patën për zakon që të nënshtrohen, poshtërohen, dhunohen, e punë tjera antinjerëzore me çka armiqtë e ndryshëm gjatë pushtimit të tyre mjaft u munduan, çakë edhe ti fshijnë tërësisht nga sipërfaqja e dheut, por si të tillë dhe me aq forca sa kishin ata gjithmonë luftuan me armë apo pa të për mbrojtjen e identitetit të vet. Aty nga gjysma e  shek. XIX qëndresa e paepur e popullit tonë mori një karakter të ri. Idetë e rilindësve tanë shqiptar se pa gjuhë të shkruar dhe pa kulturë një komb nuk mund të çlirohej dhe as që mund të ecën përpara, filluan me të madhe të përhapen dhe të pranohen nga masat e gjera të popullit. Në këto kushte mjaft të vështira deshi Zoti që nga gjiri i popullit shqiptar dolën një varg atdhetarësh të flaktë që iu përveshën punës për përhapjen e arsimit shqip në popull dhe për krijimin e shkollave në gjuhën amtare. Prej tyre më së shumti u dalluan: Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Zef Jubani, De Rada, vëllezërit Naim e Sami Frashri, motrat Qiriazi, Hamdi Ohri, Hoxhë Said Najdeni, Murat Toptani etj. Dhe në këtë mënyrë duke iu kushtuar një vend të posaçëm gjuhës amtare, që ishte mjeti më i rëndësishëm për zhvillimin e vetëdijes dhe të kulturës kombëtare, ata në gjuhën shqipe shihnin armën më të fuqishme që e shquante dhe e kishte ruajtur kombin tonë. Humbja e gjuhës për ta ishte e barabartë me humbjen e kombit. Por nga ana e forcave reaksionare që nuk ishin të pakët, kjo iniciativë e rilindëseve të dalluar dhe guximtar nuk pritej mirë. Ata propagandonin se po qe se hapen shkollat në gjuhën shqipe dhe fillon mësimi me tekste të tilla, atëherë duhet ditur se ato shkolla kanë për qëllim që shqiptarët mysliman t’i bëjnë kaurë e të krishterë masonë. Ndërsa patrioti, atdhetari dhe intelektuali Said Najdeni i njohur si Hoxhë Vogli thoshte: “Nëse shqiptari e pranon alfabetin latin nuk bënë kurrfarë mëkati, sepse mund të mbetet përsëri besimtar i devotshëm.” 
   Mbas përpjekjeve, sakrificave dhe mundimeve të shumta u arit që për një kohë të shndrit drita e diturisë edhe në gjuhën shqipe, pasi që në këtë kohë e sidomos pas Reformave të Tanzimatit, Perandoria Osmane premtoi lejimin e hapjeve të shkollave për të gjithë të huajt, me çrrastë më së shumti pati shkolla greke, dhe bullgare. Ndërkaq që kjo sikur nuk vlente edhe aq për shqiptarët, të cilët arsimoheshin nëpër medrese dhe shkolla tjera të larta në gjuhën turke, dhe në shkollat greke në gjuhën greqishte. Sipas informatave që i kemi thuhet se në Berat, Durrës, dhe Korçë në vitin 1879 kishte 125 shkolla fillore greke dhe 1 shkollë të mesme, ndërsa në Janinë dhe në Jugun e Shqipërisë më 1882 kishte 643 shkolla greke për djem me 736 mësues, 22 për vajza me 40 mësues, dhe në katër vilajetet shqiptare (Manastir, Janinë, Kosovë, Shkodër), kishte 1187 shkolla turke, prej tyre 1125 ishin fillore, 57 gjysmë të mesme, 5 të mesme të plota, 1000 shkolla greke dhe 300  bullgare. 
   Ndonëse në fillim rilindësit si Konstantin Kristoforidhi në Elbasan dhe Hasan Tahsini në Berat, jepnin fshehurazi gjuhë shqipe në shkollat greke dhe turke. Po ashtu me anë të abetares së Naum Veqilharxhit, Jani Vretoja dhe Spiro Dino mësuan shkrimin shqip. Në anën tjetër edhe Koto Hoxhi një atdhetar i shquar për veprimtarin e tij kombëtare, në shkollën e Qestoratit të Gjirokastrës, u ngjallte fshehurazi nxënësve të tij dashurinë për atdheun, shkollën dhe gjuhën amtare-midis të cilëve ishin edhe patriotët e ardhshëm si Pandeli Sotiri për të cilin do të bëjmë fjalë poshtë më shumë dhe Petro Nini Luarasi.
    Mësimi në gjuhën amtare shqipe edhe pse punohej fshehurazi mori një hov të madh. Kështu që në Elbasan, Dibër, Prizren, Pejë, Gjakovë etj., që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, u hapën kudo nëpër shtëpitë dhe dyqanet e qytetarëve shkolla të fshehta ku mësohej gjuha shqipe. (Lexo: një rast shumë identikë me atë të viteve 90-ta, të shek. XX  në Kosovë, shënim i autorit). Sidomos nga të gjitha vendet veçohej Elbasani ku punonte patrioti rilindës K. Kristoforidhi, dhe në të cilën mjaft dyqane, shtëpi dhe magazina ishin kthyer në fole të fshehta ku mësohej shkrimi dhe leximi në gjuhën shqipe. Rreth viti 1890 magazina e mallrave prapa dyqanit të bojaxhiut Losh Papamihali ishte shndërruar në një mësonjëtore të fshehtë. Aty Kristoforidhi mblidhte një numër qytetarësh të besuar si Ali Çaushin, Alush Saraçin Emin Haxhiademin etj., të cilëve u mësonte shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe, kurse këta ua mësonin të tjerëve e kështu me radhë. 
    Pas Lidhjes së Prizrenit, mësimi i gjuhës shqipe, megjithëse në forma ende ilegale u përhap edhe në qendra të tjera të vendit, si në Dibër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Çamëri etj. Fjalët e fuqishme dhe shumë ndikuese të Sami Frashrit bënë jehonë mjaftë të madhe: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja.” Një veprimtari të gjallë patriotike në fushën e arsimit kombëtar në krahinat e Dibrës Gostivarit, Starovës, Elbasanit, Tiranës, Krujës, Matit etj., zhvillonte edhe Dervish Hima (Ibrahim Naxhi). Më vonë në vitin 1897 për shkak aktivitetit të tij të madh në fushën e arsimit kombëtar Hima u detyrua më në fund të largohej nga Shqipëria, duke vazhduar veprimtarin e tij jashtë atdheut në Rumani, Bullgari dhe vend tjera.
  Naim Frashri i cili punonte në Ministrinë e Arsimit të Portës shtroi kërkesën tek personat kompetent-zyrtar të lartë duke kërkuar që edhe shqiptarëve tu lejohet të hapin shkollat shqipe. Leja u lëshua më 1887, por vetëm për fëmijët shqiptar ortodoks. Mirëpo krahas kësaj me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, aty mësonin edhe shqiptarët e besimit islam. Shkolla filloi punën me 7 mars 1887, në një objekt e cila ishte shtëpia apo prona e Diamand Tërpos. Drejtor i parë i saj u zgjodh aktivisti dhe punëtori i pa lodhur për arsimin në gjuhën shqipe Pandeli Sotiri, i cili njëherë ishte edhe mësuesi i par i kësaj shkolle. Kjo shkollë në fillim punën e nisi me 35 nxënës. Hapja e shkollës me mësim në gjuhën shqipe shënoi një ngjarje dhe fitore të madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Pra me një fjalë kjo shkollë pati fizionomi kombëtare. Shkolla kishte një klasë përgatitore dhe katër klasë të rregullta. Mësimi jepej falas. Aty mbaheshin lëndët: shkrim dhe këndim, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, mësimi natyror, etj. Ndërsa më vonë filluan të mësohen edhe gjuhë të huaja, si turqishtja, frëngjishtja, dhe greqishtja. Mësonjëtorja e Parë e gjuhës shqipe në Korçë funksionoj vetëm për 15 vjet.

   DISA FJALË PËR PANDELI SOTIRI. (1843-1891)

   Lindi në fshatin Selckë të Gjirokastrës. Pas mbarimit të shkollës fillore në gjuhën greke ai vazhdoi shkollën normale greke në Qestorat.   Gjuhën amtare e mësoi nga patrioti i dëgjuar Koto Hoxhi. Studimet e mjekësisë i vazhdoi në Vjenë. Ishte drejtor dhe mësues në shkollën e parë kombëtare “Mësonjëtorja e Parë e Korçës”, drejtor i revistave “Dituria” dhe anëtar i Kryesisë së “ Shoqërisë së Stanbollit”. Me ndihmën e tij u formuan edhe degët në Bukuresht dhe Egjipt. Vdiq në rrethana misterioze në Stamboll. Disa të dhëna tregojnë në atë se bashkëshortja e tij e cila ishte greke, me ndihmën e disa pushtetarëve grek dhe të një prifti po ashtu grek e kishin helmua.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora