Kulturë
Baki Ymeri: Kosova u bë e njohur kur zoti e fshikullonte kuçedrën nga qielli
E enjte, 11.03.2010, 10:57 PM
KOSOVA U BË E NJOHUR KUR ZOTI E FSHIKULLONTE KUÇEDRËN NGA QIELLI
Nuk më intereson në do ta pranojnë komunistët rumunë pavarësinë e Kosovës apo të vërtetën se jemi të fisëruar, por diçka tjetër më intereson. Më intereson fakti se ne duhej ta pranonim tani e dymijë vjet më parë të vërtetën se kemi qenë fqinj, dhe se jemi farefis. Dhe sikur ta kishim njohur njëri-tjetrin tani e dymijë vjet më parë, ndoshta nuk do të kishim vuajtur kaq shumë. Unë e dua për çdo çast e për çdo ditë Shqipërinë: në agim, në mesditë e në mbrëmje. As Rumania dhe as Shqipëria nuk kanë para ta paguajnë këtë dashuri. Kjo dashuri, që zgjat dymijë vjet heshtjeje, na vë përmbi kapelën e Zotit, që shëmbëllen me Alpet Shqiptare. Pa këtë dashuri, as lumenjtë nuk mund të rrjedhin, as malet nuk mund të lartësohen, as hyjnitë nuk mund të mbijetojnë.
Nga Baki Ymeri
Kadareja më shtyri ta dua Shqipërinë dhe ta konsideroj si atdheun tim të dytë
Viktori debutoi në shtypin qëndror derisa ishte nxënës i klasës së X-të. Ka botuar mbi njëmijë artikuj, reportazhe, intervista, recensione, epigrame dhe poezi, në revista dhe të përditshme të ndryshme të Bukureshtit. Në vitin 1976 e fitoi Çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për prozë të shkurtë. Debutoi editorialisht në vitin 1978 me romanin Everest Turnu Mëgurele. Ka dorëzuar në shtyp edhe shtatë romane të tjera. I ka dërguar drurë dhe qumësht mendimtarit dhe teologut Stëniloaie, e ka përcjellë disa herë deri te porta e shtëpisë filozofin Constantin Noica, njërin nga mendimtarët më të mëdhenj të këtij vendi), ka marrë për çdo javë dorëshkrime nga Viktor Eftimiu, për ti redaktuar e botuar ato në suplimentin Fletë për mëndjen, zemrën dhe letërsinë, që delte para 20 vitesh në kuadrin e një gazete bukureshtare. Viktor Marin Basarabi ishte i vetmi që dinte të flasë për çdo gjë, çdokund dhe kurdoherë. Dukej i vogël për nga shtati dhe i madh për nga shpirti. I vogël ishte edhe Mihai Trimi, na thoshte, duke shtuar se e kishte shpirtin e madh sa qielli, porsi Skënderbeu. Admirimi i tij për shqiptarin më të njohur në botë, Ismail Kaderenë, ishte një admirim i thellë dhe i përzemërt: “Kadareja më shtyri ta dua Shqipërinë dhe ta konsideroj si atdheun tim të dytë.”

Malli ndaj vendlindjes është një përjetim përvëlimtar, që të bën të përjetshëm
Eminesku, sipas Viktor Marin Basarabit, kishte një simpati të veçantë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Kam një admirim të thellë ndaj Kadaresë, Gëtes dhe maleve të Shqipërisë. Nuk ekziston kulturë e madhe dhe kulturë e vogël, por kulturë e përfshirë në një gjuhë të qarkullimit të ngushtë dhe kulturë e përfshirë në një gjuhë të qarkullimit të gjerë. Kam përshtypjen se proza shqipe është më e madhe së proza franceze. Këtë e vërejmë te Kadareja dhe ata që janë duke na e dhënë përmes përkthimeve si një dhunti, për ta njohur Shqipërinë. E lexojmë, e admirojmë dhe përmes tij e njohim vitalitetin dhe besnikërinë e një populli trim, alpet shqiptare dhe shpirtin shqiptar. Mos vallë gjermanët kanë ndonjë engjëll më të madh seç e kemi ne Emineskun? Derisa Eminesku në moshën 33 vjeçare ishte i përsosur, Gëteja në atë moshë dinte vetëm të diskutojë nga diçka mbi biologjinë apo shkencat e natyrës. Admirimi i Emineskut ndaj gjuhës shqipe, të cilën e konsideronte si gjuha më fleksibile në botë, është një admirim që ma përkujton ishmikun tim të studimeve, Koço Nikën nga Korça.
Nuk e di në jeton apo s’jeton, por i di ende përmendësh vargjet që m’i mësonte ai në gjuhën e tij, e në të cilat e gjej substratin e gjuhës sime. Prej Koço Nikës, qysh në vitet 60-të, mësova pse malësorët tanë shkojnë disi përkulur. Pse? Ngase i mbajnë malet e atdheut në shpinë, mallin ndaj vendlindjes. Është ky një përmallim përvëlimtar, që të bën të përjetshëm. Dimë se keni shkruar një vjershë mbi gjuhën shqipe, i thoshim. Po, na përgjigjej, atë mund të jua them edhe në prozë: Më duket se shqipja ka në leksikun e saj një shpërndarje plastike më konkrete, më të ëmbël dhe më të afërt me gjuhën rumune. Prandaj nuk mjafton vetëm të themi se më pëlqen gjuha shqipe. Më loton shpirti pse s’e di këtë gjuhë, por jam i lumtur ngase e parandjej këtë gjuhë në gjuhën time. Nuk më intereson në do ta pranojnë komunistët rumunë pavarësinë e Kosovës apo të vërtetën se jemi të fisëruar, por diçka tjetër më intereson. Më intereson fakti se ne duhej ta pranonim tani e dymijë vjet më parë të vërtetën se kemi qenë fqinj, dhe se jemi farefis. Dhe sikur ta kishim njohur njëri-tjetrin tani e dymijë vjet më parë, ndoshta nuk do të kishim vuajtur kaq shumë.”
![]() |
Kosova eshte vatra antike e kombit shqiptar (Baki Ymeri,1999) |
Dini gjë për Kosovën? – e pyesnim zotin Basarab, për ta ndërlidhur gjuhësinë me dashurinë. “Nuk e dimë në e dinë shqiptarët se shumë më bukur do të tingëllonte në hartat e ardhshme të botës sintagma Dardania se sa Kosova. Dardania, Albania, Translivania, Kalifornia. Kujt t’u besosh më parë? Atyre që e përdor(n)in sintagmën Kosovo, duke shprehur nostalgji e pretendime ekspansioniste ndaj saj, apo shqiptarëve tanë, që u lindën atje, para lindjes së Krishtit. Sa herë që dëgjoj këtë fjalë me konotacione pansllaviste (kosis, kositje), metaforikisht më përkujtohet zona qëndrore e Dardanisë antike, ku takohen krejt të mirat dhe krejt të ligat e kësaj bote. Kosova për ne paraqet një oazë të vuajtjes, persekutimit, durimit, trimërisë dhe krenarisë. Ndjenja e tragjikës rrumbullaksohet mu atje ku lindin heronjtë, autoktonët e mendimtarët, atje ku vijnë barbarët për të na masakruar: në Dardani juve e në Besarabi neve. A s’e shihni se këtu vetëm një zanore zotëron këtë zonë të persekutuar me padrejtësi ata që e mashtronin botën me iluzione të humbura? Zanorja “o” e fjalës Kosovë, ma përkujton brohoritjen hyjnore “O Zot!”, por edhe kositësit që përmes shkurtimit të grurit, të barit apo të jonxhes, e tejkalojnë shëmbëlltyrën e vdekjes. Këtu ma merr mendja se fjalët tërheqin pas vetes një fat më të rëndë se sa petku i tyre fonetik. Ato bartin me vete një ngarkesë të ngatërruar. Njerëzit e kanë pagëzuar këtë vend kështu, që ta bëjnë më të zgjuar vdekjen që na kërcënohet.
Ndoshta ato kanë njëfarë kuptimi metaforik, të raporteve ndërmjet qenjes njerëzore dhe Zotit, meqë Kosova është vendi i pikëpjekjeve të tyre me Drurin hyjnor, pa marrë parasysh faktin se në çfarë forme na paraqitet ai: si lis ahu, breu apo selvie. Kjo pemë siç duket, e përbën boshtin e botës, me një shprehje disi më të
ëmbël: Fusha e Mjellmave. Jo më kot ka thënë analisti politik Dan Pavel: Fati i botës varet nga Kosova, kur Zoti e fshikullonte kuçedrën nga qielli (Ziua, 29 mars 1999)! Kosova e vajton Besarabinë! O Zot! Askush nuk e din se çfarë ndërgjegjeje e gjallë digjet në këto dy zona të persekutuara nga barbarët. Kosova s’është tjetër veçse Besarabi e Shqipërisë, e kafshuar nga dhëmbi i sëmurë i Qenit të kyçur në qelitë e Tribunalit.” Ç’është atdheu sipas jush? Si duhet të duhet kjo dhunti e Zotit? – e pyesnim këtë filoshqiptar të frymëzuar. “Ju e keni Terezën e shenjtë, ndërsa ne e kemi një ditë kombëtare të festërimit, kur i nxjerrim në shesh kostumet nacionale, flamujt dhe këngët, por nuk e kemi atë forcë të brendshme për t’i festuar të shenjtërit, heronjtë, dëshmorët e kombit, si një përhershmëri, si diçka që do të na bënte më të drejtë dhe më të mençur. Festërimet janë të herëpashershme, ndërsa atdheu është i çastëpërçastshëm. Unë e dua për çdo çast e për çdo ditë Shqipërinë: nga agimi në mesditë, dhe nga mesdita në mbrëmje. As Rumania dhe as Shqipëria nuk kanë para ta paguajnë këtë dashuri. Kjo dashuri, që zgjat dymijë vjet heshtjeje, na vë përmbi kapelën e Zotit, që shëmbëllen me Alpet Shqiptare. Pa këtë dashuri, as lumenjtë nuk mund të rrjedhin, as malet nuk mund të lartësohen, as hyjnitë nuk mund të mbijetojnë”.
![]() |
Armata de Eliberare a Kosovei (UCK) |
Komentoni
Artikuj te tjere
Mazllum Saneja: Poezi nga Ismail Kadare dhe piktura nga Jan M. Stuchly
Demir Krasniqi: Salih Shabani
Luan Kurti: Libri poetik Mall
Rrustem Hyseni: Ju kujtohet
Cikël poetik nga Luan Çipi
Përparim Hysi: Grimca malli
Eshref Ymeri: Nuk mund të hesht!
Bedri Tahiri: Shotë Galica në letërsinë shqiptare
Cikël poetik nga Sabit Idrizi
Shefqet Dibrani: Poezia e Sadik Krasniqit
Bilall Maliqi: Optimizmi për kohë më të mira
Cikël poetik nga Engjëll Koliqi
Milazim Kadriu: Vjersha me ndjenja depërtuese, artikulim i vlerave origjinale me mesazhe edukative
Pilo Zyba: Poezi nga Janis Ricos
Pashko Vasa: O moj Shqypni (Për ZSH: Agim Vuniqi)
Sami Islami: Plaku që na shpëtoi jetën
Albianë (Lulaj) Berisha: Dritës sime në maternitet
Sejdi Berisha: Baladë për këngën e gjelit
Përparim Hysi: Një ish-mësues për"Ditën e Mësuesit"
Gani Qarri : Urime 8 Marsi