E enjte, 24.07.2025, 09:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Pashko Vasa: O moj Shqypni (Për ZSH: Agim Vuniqi)

E hene, 08.03.2010, 10:51 PM


O MOJ SHQYPNI
    
Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
kush të ka qit me krye n’hi?
Ti ke pas ken nji zoj e rand,
burrat e dheut të thirrshin nan.
Ke pas shum t’mira e shum begati.
Me varza t’bukura e me djelm t’ri
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
me arm të bardha e me pushk ltina,
me burra trima e me gra t’dlira
ti nder gjith shoqet ke ken ma e mira.
Kur krist pushka si me shkrep moti,
zogu i Shqyptarit gjithmonë i zoti
ka ken për luf e n’luft ka dekun
e dheun mprapa kurr s’i ka metun
kur ka lidh besën burri i Shqipnis,
i ka shti dridhën gjith Rumelis;
ndër lufta t’rrebta gjithkund ka ra,
me faqe t’bardh gjithmon asht da.
Por sot, Shqypni po m’thuaj, si je?
Po sikur lisi rrxue për dhe!
Shkon, bota sipri, me kamb e shklet,
e nji fjal t’ambël kurrkush s’ia flet.
Si mal me bor, si fush me lule
Ke pas ken veshun, sot, je me crrule,
e nuk t’ka metun as emen as bes,
vet e ke prishun për faqe t’zez.
Shqyptar, me vllazën jeni t’u vra,
ndër nji qind qeta jeni shpërnda;
sa thon kam fe, sa thon kam din;
njeni: jam turk, tjetri: latin;
do thon: jam grek, shkje disa tjerë,
por jeni vllazën t’gjith more t’mjer!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
për me ju da e me ju vorfnue.
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
me ju turpnue me grue eme motër,
e për sa pare qi do t’fitoni,
besën e t’parëve t’gjith e harroni,
bahemi rob e njerit t’huej,
qi nuk ka gjuhën as gjakun tuaj.
Kjani ju shpata e ju dyfeqe,
Shyptari u zu si zok ndër leqe!
Kjani ju trima bashk me ne,
se ra Shqypnia me faqe n’dhe,
e s’i ka mbetun as buk as mish,
as zjarm në votër as drit as pish,
as gjak në faqe as nder ndër shok,
por asht rrëxue e bamun trok!
Mblidhnju ju varza, mblidhnju ju gra,
me ata sy t’bukur q’dini me kja,
eni t’vajtojm Shqypnin e mjer,
ka met e vej si grue pa burr,
ka met si nan qi s’pat djal kurr!
Kujt i ban zemra me e lan me dek
Kët far trimneshe qi sot asht mek?
Kët nan të dashtun a do ta lam
Qi njeri i huej ta shklas me kamb?
Jo, jo! Kët marre askush s’e do,
kët faqe t’zez gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqipnija,
me pushk në dor le t’vdes trimnija!
Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
të gjithë si vllazën n’nji bes shtrengonju,
e mos shikjoni kisha e xhamija:
Feja e shqyptarit asht shqyptarija!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
gjithkund lshon dielli vap edhe rrezë,
asht tok e jona, t’part na e kann lan,
kush mos na e preki, se desim t’tanë!
Desim si burrat qi diqen motit
E mos turprohem përpara zotit.


(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx