E hene, 29.04.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Thanas L. Gjika: Kontrasti moral i shqiptarve në dy epoka si intrigë vepre

E diele, 07.03.2010, 08:38 PM


KONTRASTI  MORAL  I  SHQIPTARVE NE  DY EPOKA  SI  INTRIGE  VEPRE

(Mendime për romanin Rrugëtim me PsherëtimaM. Bungos, Tiranë, Geer, 2009)

Nga Thanas L. Gjika

            Makensen Bungo një ndër krijuesit tanë të rilindur mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, këto kohët e fundit u dha lexuesve një vepër të re romanore. Rrugëtim me Psherëtima është vepra e re rrëfimtare ku ngjarjet shtrihen në dy epoka në një qytet të zakonshëm të Shqipërisë, në Elbasan, vendlindjen e autorit.

Ashtu si vëllezërit Kostreci edhe Makensen Bungo është ndër ata intelektualë elbasanas, të cilët gjatë rregjimit komunist u dënuan për një fjalë goje dhe nuk u lejuan të botonin, por shpirti i tyre krijues i ndihmoi që ta përjetonin jetën si artistë dhe mbas vitit 1991 arritën t’i sendërtojnë mbresat e mendimet e tyre në vepra letrare. Tanimë janë të mirënjohura disa vepra të Bungos si romani Këneta e Vdekjes, poema Nëna Kosovare, monografia Abaz Kupi, dy vëllime me tregime, etj.

Jeta e tij plot vuajtje e ka nxitur këtë autor që në veprat e tij të mos jepet pas krijimit të subjekteve mbi bazë fantazie, por t’i ndërtojë subjektet e veprave të veta duke pasqyruar ngjarje të jetuara. Tipar dallues i krijimtarisë së këtij autori është demaskimi i moralit të njeriut të ri që u përpoq të krijonte partia shtet si një qenie robotike pa ndjenja njerëzore për sundimin e popullit shqiptar.

Në romanin Këneta e Vdekjes, vepra më të mirë e tij, Bungo përshkruan punën cfilitëse për tharrjen e kënetës së Maliqit, në kampin e Vlocishtit, duke krijuar dy grupe karakteresh njerëzore krejt të ndryshëm nga njëri tjetri. Nga njëra anë jepet grupi i të dënuarve që përbëhet nga atdhetarë, intelektualë, pasanikë, klerikë, etj të cilët me durimin, punën e rëndë, dashurinë njerëzore që manifestojnë, përfaqësojnë bijtë e denjë të popullit. Kurse nga ana tjetër jepet grupi i shërbëtorëve të rregjimit, që përbëhet nga rojet, policët e kapterët injorantë, të cilët për të siguruar karrierën e tyre rihnin, poshtëronin, torturonin dhe vdisnin pa shkak të burgosuriit, të cilët i konsideronin si qenie të tepërta, si armiq të pandreqshëm të Shqipërisë komuniste.

Në moshën tetëdhjet e tre vjecare, rast i rallë në letërsi, Bungo hartoi veprën e dytë të gjatë, romanin Rrugëtim me Psherëtima, ku përmes një rrëfimi të thjeshtë të jetës së heroit në dy epoka: në Elbasanin e viteve të Luftës së Parë Botërore dhe në Tiranën dhe Elbasanin e viteve të rregjimit komunist, zbulohet deformimi i madh moral që kanë pësuar shqiptarët, sidomos nëpunësit shtetërorë.

Shqiptarët e vitveve të Luftës së Parë Botërore edhe pse ishin në kohë lufte dhe të sapodalë nga sundimi disashekullor osman prej të cilit ishin detyruar që shumica e tyre të kishin ndërruar fenë e të parëve dhe të kishin marrë disa tipare të psikologjisë së këtij pushtuesi, përsëri ata kishin rruajtur tiparet e tyre të vecanta njerëzore që i dallonin si shqiptarë. Të tilla tipare ishin mikpritja, besa, guximi, bujaria, si dhe të menduarit e të shprehurit lirshëm. Këto tipare ata i manifestojnë në marrëdhëniet midis tyre dhe në marëdhënie me të huajt, ushtarët austrohungarezë. Në qendër të ngjarjeve të epokës së parë është qytetari elbasanas Ali Bundo, i cili në fakt është babai i rrëfimtarit; si dhe kapteri chek Nojman, sanitar i ushtrisë austro-hungareze. Këtij të huaji familja e Aliut i shpëtoi jetën duke e strehuar në shtëpinë e vet e duke i dhënë ndihmën mjekësore falas kundër tifos.

Në pjesën tjetër të veprës në qendër të vëmendjes autori ka vendosur nëpunësit shqiptarë të viteve të diktaturës komuniste, kuse Ali Bundon dhe gruan e mikut të tij chek e ka vendosur disi më anash. Qytetarët shqiptarë, sidomos zyrtarët e kësaj kohe nën presionin e dhunës partiake shtetërore, ishin prishur moralisht deri në atë shkallë sa që për të ruajtur postin zyrtar, sado i ulët që të ishte ky, serviloseshin, gënjenin, i bënin keq tjetrit, tregoheshin me dy fytyra, etj. Cdo fjalë e cdo veprim të tyre këta njerëz ia nënshtronin politikës së partisë shtet, pa pyetur se sa u kushtonte atyre vetë dhe të tjerëve ky nënshtrim. Zbatimi i rreptë i luftës së klasave, autocensura, servilizmi ndaj pushtetit, etj brenda dhjetë pesëmbëdhjetë vjetësh ia kishin dalë që në karakterin e nëpunësit shtetëror shqiptar të kishin zhdukur tiparet e burrënisë e të besës dhe t’i kishin zëvendësuar ato me frikën, nënshtrimin dhe servilizmin neveritës.

Kapteri Nojman mbas mbarimit të Luftë së Parë Botërore, në atdheun e tij, në Cekosllovaki, ishte lidhur me idetë komuniste dhe ishte bërë një ndër propagandistët më të rëndësishëm të tyre, madje ai ishte bërë dhe një poet e shkrimtar i mirënjohur. Ai kishte vdekur si një personalitet i vendit të vet në vitet e para të mbas Luftës së Dytë Botërore duke i lënë porosi gruas së vet, zonjës Bozhena, të vizitonte patjetër qytetin e Elbasanit në Shqipëri dhe të takonte e falenderonte zotin Ali Bundo dhe familjarët e tij për ndihmën e madhe që i patën dhënë.

Zonja Bozhena mundi të merrte vizën për të vizituar Shqipërinë mbas disa vjet përpjekjesh, kur ishte gati tetëdhjet vjet. Erdhi në një vend socialist, ku e sorollatën për shumë ditë duke e shpënë nëpër qytete, muze, ndërmarrje, kooperativa, ferma dhe në qytetin e Elbasanit. Shoqëruesit e ciceronët e bombarduan me ligjërata plot lavdërime për sukseset e socializmit në Shqipëri, për unitetin e pathyeshëm parti-popull, për aftësitë e jashtzakonshme të komandantit legjendar, etj etj. Mirëpo porosinë (amanetin) e burrit ajo nuk mundi ta kryente, sepse Ali Bundo na paskej qenë një person me biografi të prishur, një i shpronësuar, të cilit ia kishin burgosur djalin e vet për agjitacion e propagandë.

Takimi i zonjës Bozhena me Ali Bundon nuk u lejua sepse përbënte një shkelje të parimit të luftës së klasave, gjë që mund të sillte pasoja të rënda për karrierën e nëpunësve që u morrën me organizimin e vizitës së saj në Shqipëri. Gjatë dy ditëve që kjo vizitore shkoi në Elbasan, Ali Bondon e arrestuan pa shkak dhe e liruan pas largimit të saj, pa i dhënë asnjë sqarim, pa i kërkuar asnjë të falur…

Skenat ku përshkruhet improvizimi i ceremonisë së pritjes së zonjës Bozhena në Komitetin e Partisë së Elbasanit dhe në disa qendra të tjera të atij qyteti, jepen me humor të hollë dhe zbulojnë qartë idenë se socializmi shqiptar ishte një socializëm edhe më i keq se socializmi cek, ai ishte më fallco, më qesharak e më kriminal, thjesht ishte një sistem cnjerëzor. Shqipëria socialiste, ashtu si kishte humbur shumë miq të vjetër, e humbi dhe miqësinë e familjes Nojman, që e kishte krijuar gjatë kohëve të vështira të Luftës së Parë Botërore.

Duke i mbyllur këto shënime, urojmë autorin për pasurimin e letërsisë sonë me një subjek të goditur e me tension të brendshëm, ku shprehet qartë kontrasti moral i shqiptarëve që jetuan në dy epoka të ndryshme.    



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora