E enjte, 01.05.2025, 08:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Sabit Idrizi

E marte, 09.03.2010, 10:29 PM


Sabit IDRIZI
 
MA FSHEH BREGUN TJETËR
 
Drejt fundit
A një fillimi të ri
Po rrëshqet kështu varka ime
 
Po deti
Ç’ka me mua deti
Që po më përplas nëpër këto dallgë vigane
 
Ç’i bëra kësaj paanësie të kaltër
Që po ma fsheh kaq paturpësisht
Bregun tjetër
 
 
MIKUT TIM
(G. B.)
 
Në matematikën e bërjes së lirisë
Ishe formulë vetëflijimi
 
Pellg zhgënjimi tash në liri
- E morën “pronarët” me tapi...
 
 
IU MUNGON DIÇKA
 
Iu mungon diçka
Syve që shikojnë mëshirshëm
Kah pellgu i varfërisë sime
 
Mbase një stacion pranimi
Ku do të lexoheshin drejt
Mesazhet e dritës
 
 
KA...
 
Ka akullthyes
Që përditë hapin horizonte të reja
Oqeaneve e deteve të paanë
 
Ka edhe gurëthyes
Që përherë luftojnë me bjeshkët
Për t’i dhënë kuptim edhe shkëmbit
 
Por ka edhe zemërthyes
Që përnjëherë shkatërrojnë gjithçka
Brenda njeriut
 
 
MEDITIM NË VENDLINDJE
 
E dua veten
Relikt të përjetshëm kujtimi
Këtu në parzmën e kësaj kodrine
 
Ashtu të përëndërrt
Tek mat horizontet e fluturimit
Me krahë legjendash
 
Jo si tash
Ikarios të dalldisur të lartësive
Me çelës prej dylli
 
 
PESËDHJETË E PESË
 
Kam lindur në vitin ‘55
Plot 55 vjet – sivjet
Kur po përgatis një përmbledhje me 55 poezi
Për botimin e së cilës më duhet t’i skuq 55 herë sytë
E t’i marr 55 mijë ithata në cullë të barkut
Që këtij 55-shi t’i dal hakut
 
 
DHEMBJE
 
Po ai zog
Me po atë këngë
Në po atë degë
 
Paçka që dega tashmë ka filluar të thahet
Paçka që unë tashmë kam filluar të plakem
Ai cicëron 
 
E ti daç merre si etje për njomësi
E digju
Daç si mall për rini
E çmendu
 
Ai prapë – me këngën e tij
Ndjell nostalgji... 
 
 
GRISHJE PËR TAKIM
 
Dil e më prit
Atje diku tek stacioni i fundit i dashurisë
Ku prehet përjetësisht ëndrra e rrugëtimit
 
Merrmi me vete edhe kujtimet
E m’i ruaj nga syri i keq
Që t’mos më pëlcasin nga myku i harresës
 
Po nuk erdha në orën e caktuar
Nisu e m’kërko sërish
Nëpër dalldi motesh
 
 
ETHE KRIJUESE
 
Veten e shoh dhëndër
Jetën e shoh nuse
Kur m’rrokun përpara
Do ethe krijuese
 
Në kopshtin e fjalëve
Në nektar urtie
E ngjyej penën time
Me afsh dashurie
 
Dhe i thur do vargje
Krijoj poezi
Ngase shumë të dua
Të dua – njeri...
 
Veten e shoh dhëndër
Jetën e shoh nuse
Kur m’rrokun përpara
Do ethe krijuese
 
 
PRIVATIZIMI I ATDHEUT
 
Mbitokën e morën me çka ka
Tash ia kanë mësyrë nëntokës
Po mbetet vetëm edhe qielli
(Që, edhe ashtu, nuk është i yni)
 
E çka po na mbetet që ta quajmë atdhe
Që të jetojmë për të
E “të vdesim si me le”?!
 
 
NE
 
Ne jemi qenie humane –
Jemi njerëz
Ndaj i duam shumë edhe qengjat
Këto krijesa të mrekullueshme
 
Nga dashuria e madhe që kemi për ta
Ua hamë rritën
 
 
PLEQËRISHT
 
A do ta gjejmë diku kroin e flladit
Që t’i qetësojmë valët përvëluese
Kur t’na rrok malli i vetvetes
 
Kohë a do të kemi
Që t’i arnojmë ëndrrat e përgjumshme
Para se t’na bluajnë kokërr për kokërr
 
Në dasmën e harresës sonë
A do t’i kemi aq krushq
Sa t’i kapërcejmë edhe muret e legjendave
 
E nostalgjitë e kohëve të veta
A do t’i kullotë kush
Në livadhin e kujtimeve tona
 
 
EDHE NJË POROSI VETES
 
Të jesh përherë lajmëtar i dritës
Dhe natën ta vësh butësisht në gji
Me krejt pagjumësinë e moteve
 
Në thithë dashurie t’ia ushqesh
Mëngjeset e vonuara
Ëndrrat e gjymtuara
 
Kur të lindë dita
Të jesh i fundit
Që ia prek bardhësinë
 
 
ATDHE
 
Për ta fal ty pak dashuri
Në vete më duhet të mbjell pak dhembje
 
E për ta ndier dhembjen e plagës sate
Në vete më duhet të mbjell shumë dashuri
 
 
E DASHUR
 
Mos më prek më në nervin e atij kujtimi
Se mos po më shprushen sërish dhembjet e dalldisura
E s’di nga t’i jap udhë vetes
 
Përfundoje njëherë e përgjithmonë atë kapitull ëndrrash pirate
E dryjoje në arkën e valëve përvëluese të fundjetës
Që ta kemi si pikë të përbashkët referimi
Kur t’na rrok malli i vetvetes
 
 
GJAK MË KULLON KUJTESA
 
E vë dorën butësisht mbi glob
Dhe i përkëdhel përnjëherë miliarda ëndrra
 
Ashtu të brishta si vetë fundi i tyre
Ashtu të druajtura si vetë fillimi
Më rrëshqasin mes gishtërinjve
 
Unë gjunjëzohem përvuajtshëm përpara durimit
Përpara vetë pavdekësisë
Dhe i bekoj me fjalët më të përzgjedhura
 
Gjak më kullon kujtesa
Kur më shkëpusin prej tyre


(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx