E shtune, 27.04.2024, 10:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Eshref Ymeri: Nuk mund të hesht!

E marte, 09.03.2010, 10:47 PM


Nuk mund të hesht!

 Nga Prof. dr. Eshref Ymeri 

       Titullin e këtij artikulli e kam huazuar nga shkrimtari i madh rus Lev Nikollajeviç Tolstoji (1828-1910). Pas shtypjes së egër të Revolucionit rus të vitit 1905, carizmi vazhdonte të bënte kërdinë kundër popullit të pambrojtur. Ekspeditat e posaçme ndëshkimore mbillnin terror të egër kudo që u shkelte këmba. Dënimet me vdekje dhe gjithfarë masakrash të tjera qenë shndërruar në një dukuri masive. Në ato kushte, shkrimtari i madh doli para publikut rus me pamfletin e tij të famshëm me titull “Nuk mund të hesht” (Nje mogu mollçat), të botuar në vitin 1908. Ndërsa unë nuk mund të hesht kundër  një tjetër masakre që, ç’është e vërteta, nuk është e shoqëruar me “derdhje gjaku”, por nuk është më pak e rrezikshme në realitetin shqiptar të ditëve tona. Sot, gjithandej, po vihet re një “ndotje” revoltuese e gjuhës shqipe me gjithfarë fjalësh të huaja, krejtësisht të panevojshme për leksikun e saj boll të pasur.  Prandaj jam i detyruar të ngre zërin në faqet e shtypit, sepse, në kushtet e tanishme të integrimit dhe të globalizimit, gjuhës shqipe po i kanoset një “ndotje” e gjëmshme nga trysnia e fjalëve të huaja. Dhe me të vërtetë. Sot vendin tonë e ka pllakosur një “modë” e shëmtuar që vihet re në radhët e politikanëve, të gazetarëve, të paraqitësve të programeve të ndryshme në radiotelevizione apo nëpër salla koncertesh, të cilët jo rrallë i largohen fjalës shqipe në një mënyrë të pabesueshme! Druajtja nga fjala e pastër e gjuhës shqipe këtë “takëm mileti” e bën me të vërtetë qesharak, aq më tepër që “moda” e fjalëve të huaja herë-herë bën që ai të shndërrohet edhe në objekt humori. Kështu, në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të vitit 2005, një politikan i njohur i një partie politike me peshë, i cili “në fshat ka lënë dhitë dhe në Tiranë është bërë zabit i politikës së madhe”, fjalën objeksion (nga frëngjishtja dhe anglishtja objection, nga italishtja obiezióne) e përdorte në kuptimin cak, objektiv (partia jonë do të arrijë objeksionet (!!!) që i ka vënë vetes), paçka se kuptimi leksikor i kësaj fjale të huaj është kundërshtim, mospranim, mospëlqim, vërejtje. Kurse vitin e kaluar, në njërën nga të përditshmet e Tiranës, lexova një artikull me titull “Problemet me recensionin” (Gazeta “Ndryshe”, 17 prill 2009, f. 11). Aty për aty, mendova se në këtë mes do të kishim të bënim me ndonjë vlerësim kritik të ndonjë vepre artistike, aq më tepër kur u bënë tashmë gati njëzet vjet që në mjediset e letrave shqipe s’po ndihet fare “zëri” i kritikës letrare për veprat e krijuesve tanë që dalin nga shtypi si simitet nga furra, përjashtuar veprën shkencore të zotit Fatmir Terziu, me titull "Kritika ndryshe. Pjesa e parë. Vëzhgime në brendësi të prozës e poezisë shqiptare" (Shtëpia Botuese "Arbëria. Tiranë 2008-2009). Por kur fillova ta lexoj artikullin në fjalë, e kuptova menjëherë se kisha të bëja jo me analizë kritike të ndonjë vepre letrare, por me një artikull që u kushtohej problemeve të krizës ekonomike që sot ka pllakosur mbarë globin. Megjithatë, mendova se në drejtshkrimin e fjalës  recension, që është një term letrar, ndoshta kishte shpëtuar, pa dashje, një gabim ortografik, pra, ishte shtuar një n e panevojshme. Por, gjatë leximit të artikullit, vura re se n-ja e panevojshme hasej edhe në tre raste të tjera të përdorimit të kësaj fjale. Pra, në këtë mes, kisha të bëja me një gabim ortografik që ishte bërë me vetëdije. Autori i shkrimit, duke rendur pas përdorimit të fjalëve të huaja (në rastin konkret - pas fjalës recesion - nga anglishtja dhe   frëngjishtja recession, nga italishtja recessióne, që do të thotë“krizë, rënie ekonomike”), në vend të një termi të huaj ekonomik, u ka propozuar lezuesve të gazetës një term letrar, ç’ka i ka bërë këta të fundit të vënë buzën në gaz. Meqenëse që në titullin e artikullit në fjalë hasa në një gabim “fort të lezetshëm”, vendosa ta lexoja me kujdes deri në fund, duke qenë i bindur se në të do të zbuloja edhe gjëra të tjera jo më pak “mbresëlënëse”. Këtu më poshtë po citoj, shkronjë për shkronjë  sipas gazetës (me të gjitha gabimet ortografike dhe sintaksore), ca pjesë të shkëputura dhe lexuesit le të gjykojnë vetë për nivelin "shkencor" të gjuhës shqipe në artikullin në fjalë: “Qeveria e Gjermanisë do të ndihmojë. Kanzelarin Merkel nuk do të jetë “Misis No”…Në masat ekonomike është ruajtur mbrojtja e pronës private…Me masat e mara është bërë ndryshimi i sistemit organizativ dhe të kritereve e masës së shpërndarjes…Ndihma shtetërore dhe pjesëmarrja e shtetit në sipërmarrje kërkohet të jetë e studiuar dhe me qëllimet e përmirësimet të gjendjes…Prandaj me të drejtë nuk mund të lejohet shpërndarja socialiste e të ardhurave buxhetore dhe përvetësimi kapitalist nga sipërmarrësit i fitimeve nga prodhimi, përvetësimi me anë të bonitetit, të rrogave dhe shpërblimeve suplementare në shuma fantastike për këshillat drejtuese të konzerneve etj…Shteti mbron sa ka mundësi dhe shton kontrollin për të garantuar të mbrojtur interesat e përgjithshme…Kjo shkaktoi pakënaqësi në Qeveri, pasi plani i mëparshëm doli i pa studiuar dhe u refuzuar ndihma…Problem me rëndësi ka dalë natyrshëm masat kundër proteksionizmit nacional…Nga ana tjetër…nga Bashkimi Evropian mbrohet ideja se zgjerimi u ka patur ndikim pozitiv për vendet evropiane dhe të gjithë botën…Polizimi i njëanshëm po kalon gradualisht në polarizim më të gjerë kontinantal…Të dy vendet kanë mundësi që bashkërisht të zgjidhin reagimet e pozicionuara të njëanshme…Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës do të ketë edhe ketë një politikë më konkrete për zgjerimin e Bashkimit Evropian”.

Pikërisht për këtë “takëm mileti”  që kaq shumë është “i dashuruar” pas fjalëve të huaja dhe që me gjuhën shqipe sillet si t’ia dojë “mideja”, pa respektuar kurrfarë normash të  sintaksës së saj, Konica thotë: “Po sot shoh një turmë t’errët prej analfabetësh me diplomë që po i sulen shqipes dhe duan t’i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të gjorët kujtojnë që gjuha është si një copë dru pa shpirt; nuk dinë që është një gjë jo vetëm e gjallë po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë tronditet, vuan dhe humbet forcën bashkë me bukurinë” (Vepra, vëll. 1, f.187).  

       “Droja” që ndiejnë nga fjala shqipe këta njerëz të sojit kozmopolit, nuk e di pse më kujton një ngjarje në dukje për të qeshur, por që në të vërtetë ishte për të vënë kujën! Ishte gjysma e parë e viteve ‘60-të. Asokohe isha student. Banoja në konvikt. Përballë godinës sonë banonin studentë të fakulteteve të inxhinierisë. Mes tyre ishte edhe një student nga një rreth jo fort i zhvilluar i vendit. Familjen e kishte diku në një fshat të atij rrethi. Një ditë nga ditët, i ati i tij vjen në Tiranë dhe ngjitet deri në konvikt për ta takuar. Studenti që kryente shërbimin e rojës niset me vrap për në katin e katërt për ta njoftuar se i kishte ardhur i ati. Por “qyqari” djalë, në vend që të zbriste turravrap për t’u çmallur me babain, bashkë me studentin që e njoftoi, doli në dritaren e mesores së katit të katërt, hodhi sytë poshtë, pa të atin të veshur keq, “si fshatar” dhe, si e ndjeu veten “ngushtë” nga paraqitja e prindit të vet, i tha shokut të tij student: Ai nuk është babai im!” Atij “djalkë-ziut” na i ardhkësh turp nga ajo veshja “fshatarake” e të atit që e kishte rritur, ushqyer e edukuar derisa e kishte sjellë në universitet për t’u bërë njeri me gramë. Pikërisht të tillë janë edhe këta “levantinët” konicianë të gjuhës shqipe në ditët tona! Pikërisht si ai biçim studenti më duken të gjithë ata që “e pëlyrin” me fjalë të huaja shqipen tonë të bukur, e cila ka një “dhurëti natyrore”, siç thotë zoti Mehmet Elezi, a thua se të dërguar nga Hyjnia, për një vetëpasurim të jashtëzakonshëm. Fatkeqësisht, politikanët tanë, ata që duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përdorimin e fjalës shqipe, se, domosdo, me mënyrën e të folurit të tyre, tërthorazi, ndikojnë edhe mbi të tjerët, e kanë mbytur “fjalorin” e vet me “evropianizma”, a thua se integrimi dhe globalizimi synuakan t’i shuajnë tiparet dalluese të çdo kombi evropian. Harrojnë këta “lum” politikanë se globalizëm dhe integrim do të thotë afrim edhe më i dukshëm mes shteteve të ndryshme, në kuadrin e një bashkësie të tillë shtetesh, siç është Bashkimi Evropian, por në këtë mes nuk kemi të bëjmë aspak me shkrirje kombesh. Me sa duket,ish-kryepolitikani Nano ishte për shuarjen e tipareve dalluese mes kombeve, kur, në fjalimet e tij, përdorte fjali të tilla si kjo që po ua bëj të njohur lexuesve më poshtë: “Rezulton konkluzivisht potent suporti gjeneral progresiv që maxhoranca po adopton për të promovuar kredibilitetin panunionist evropian”. Ky “xhevahir” i rrallë i Nanos është nxjerrë nga gazeta “Rimëkëmbja”, 14 janar 2003, f. 3. Ja, ky është shembulli më i shëmtuar i një ish-kryeshtetari shqiptar me vetëdije kombëtare të diskutueshme, që tregon se si mund të zvetënohet gjuha shqipe deri në këtë farë feje!

       Kam vënë re se presidenti i vendit, zoti Bamir Topi, në takime të ndryshme me personalitete të huaja apo me gazetarë vendas, i ka shumë për zemër ca fjalë të huaja, si support, apo performance, ndërkohë që në vend të tyre mund të përdoren fare mirë fjalët e bukura të shqipes, përkitazi mbështetje, përkrahje, ndihmë dhe (në varësi të kontekstit) zbatim, kryerje (e detyrës); mbajtje (e fjalës, e premtimit); veprim, vepër e jashtëzakonshme; formë sportive; shfaqje (e një pjese teatrale), ekzekutim (i një pjese muzikore), koncert. Në një konferencë shtypi të vitit 2008, kryeministri, zoti Sali Berisha, duke shprehur shqetësimin për tabelat e shitoreve të Tiranës, tha se në to duhet të prevalojë (nga italishtja prevalére apo nga frëngjishtja prévaloir) gjuha shqipe, në vend që të thoshte duhet të mbizotërojë gjuha shqipe.

       Një rol të rëndësishëm për nxjerrjen në pah të pasurisë së pamatë leksikore të gjuhës shqipe dhe për ruajtjen e pastërtisë së saj nga trysnia e fjalëve të huaja, luajnë fjalorët dygjuhësh (gjuhë e huaj-shqip). Ballafaqimi më i sukseshëm i gjuhës shqipe me gjuhë të huaja është vënë re, së pari, në fjalorin gjermanisht-shqip, të hartuar nga prof.dr. Ali Dhrimo dhe prof.dr. Hamlet Bezhani. Ky fjalor, në dy vëllime, është botur në Gjermani në vitin 1996 dhe përmban 82 mijë fjalë. Variantin pak më të shkurtuar të këtij fjalori, tani vonë, prof.dr. Ali Dhrimo e ka botuar në Shtëpinë Botuese EDFA. Së dyti, fjalori anglisht-shqip, me autor zotin Pavli Qesku, është botuar në vitin 2002, po në Shtëpinë Botuse EDFA dhe përmban 120 mijë fjalë. Edhe fjalorët e prof. Dhrimos, edhe fjalori i zotit Qesku shërbejnë si një model i shkëlqyer i ruajtjes së pastërtisë së gjuhës shqipe nga ndikimet e fjalëve të huaja. Në përzgjedhjen e barasvlerësve të shqipes, ata, me një pasion dhe durim të jashtëzakonshëm, kanë “gërmuar” me të gjitha energjitë e tyre në “minierën” e pasur të gjuhës shqipe.

Mendoj se shqetësimet për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe, e cila  nuk ka nevojë për “fjalë-tërfurca” apo “fjalë-këmbalka” të huaja, siç e karakterizon këtë lloj fjalësh zoti Mehmet Elezi,  duhet të tërheqin vëmendjen e botës akademike dhe të mbarë dijetarëve që merren me lëvrimin e saj. Masat e ngutshme që prof. Mehmet Elezi (ai vërtet nuk e gëzon zyrtarisht titullin shkencor “profesor”, por me botimin e “Fjalorit të Gjuhës Shqipe, rreth 41 000 fjalë që nuk gjenden në FGJSSH”, të sprovës “Gjuha shqipe në bunker” dhe të sa e sa artikujve të tjerë shkencorë, ai e meriton plotësisht titullin “profesor”)   propozon për ta bërë mbrojtjen e saj sa më të dukshme (shih f.149 të sprovës së lartpërmendur, Enti Botues Poligrafik “Gjergj Fishta”, Tiranë 2005. Aty është botuar edhe Fjalori i tij në vitin 2007), duhet të vënë në  lëvizje qeverinë dhe parlamentin për të ndërtuar një politikë gjuhësore me kërkesa të mirëpërcaktuara, në mënyrë që njerëzit të kenë detyrime ligjore për respektimin e tyre.

       Këtu dëshiroj të prek sadopak edhe një tjetër çështje që lidhet drejtpërdrejt me pasurimin e fjalorëve të gjuhës së sotme shqipe. Arkivi i leksikut të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë është pasuruar gjatë disa dhjetëvjeçarëve, me punën e përbashkët të mbarë dijetarëve të tij, jo vetëm përmes qëmtimit të fjalëve nga librat dhe shtypi i kohës, por edhe nga vjeljet e ekspeditave gjuhësore në terren, ku është ndier edhe ndihma e vyer e sa e sa mësuesve të gjuhës shqipe dhe e bashkëpunëtorëve të tjerë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Po sot ç’po bëhet? Asgjë për skedimin e leksikut të ri! As që mund të diskutohet më për organizimin e ekspeditave gjuhësore. Ky problem nuk përbën më kurrfarë shqetësimi për qeveritë shqiptare as në periferinë e interesimeve të tyre. Po a do të vazhdojë gjatë kjo situatë skandaloze? Hajde ta mendosh po të duash organizimin e ekspeditave gjuhësore për vjeljen e pasurisë leksikore të shqipes me atë tre-katërpërqindshin e buxhetit të shtetit tonë për arsimin dhe shkencën! Po a duhet të vazhdojmë të rrimë shpërfillës ndaj shqipes sonë të bukur, e cila, si një xeheror i pasur me flori, me kalimin e viteve sa vjen e pasurohet me një shpejtësi mahnitëse? Pasurimi i shqipes pasqyron ndryshimet në përbërjen dhe në tiparet e sendeve dhe të dukurive të botës që na rrethon, në veprimtarinë shoqërore të individit dhe në aktivitetin e ndërgjegjes së tij. Prof.Çabej thotë: “Si çdo gjuhë tjetër, edhe shqipja ka krijuar në mënyrë spontane, për nevojat e reja, përherë fjalë të reja, sidomos nga burime vetjake, dhe ajo vazhdon në këtë rrugë, duke pasuruar kështu përherë visarin e leksikut të saj” (Studime gjuhësore, vëll.1, Prishtinë 1976, f.8).

       Skedimi dhe studimi i fjalëve dhe i shprehjeve të reja luan një rol të rëndësishëm në rrafshin historiko-shoqëror, njohës, kulturor e gjuhësor. Studimi i strukturës dhe i funksionit të tyre ndihmon për trajtimin e shumë problemeve konkrete të leksikologjisë, të gramatikës dhe të stilistikës. Skedimi sistematik i leksikut të ri ka shumë rëndësi sidomos për gjuhëtarët e rinj se ky shërben si material kryesor për studimin e rrugëve të zhvillimit të gjuhës, e lidhjeve të saj me shoqërinë, për studimin e fjalëformimit. Regjistrimi i kohëpaskohshëm i fjalëve dhe i shprehjeve të reja përbën tablonë reale të leksikut të shqipes në periudha të caktuara të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, ku mund të vihen re tendenca negative dhe pozitive të fjalëformimit.

       Ideja për regjistrimin dhe shpjegimin e fjalëve të reja shtrohet në një mënyrë urdhëruese sidomos në periudhat e kthesave të shënuara historike në jetën e çdo populli. Me këtë rast, Prof. Çabej nënvizon: “Për historinë dhe për diktimin e burimit të një fjale besojmë se nuk është pa rëndësi të dihet nëse kjo  është e mbarë gjuhës apo ka karakter dialektor, nëse i përket një treve më të hapët apo është e një përdorimi fare lokal” (Gjurmime etimologjike të reja në fushë të shqipes. Studime filologjike, 1974, 3, f.8).

       Po për ne vallë çfarë do të thonë brezat e gjuhëtarëve të rinj që do të vijnë pas gjysmë ose një shekulli të tërë, kur do të vërejnë se pas kthesës së madhe që u shënua në historinë e popullit tonë në fillim të viteve ‘90-të të shek. XX, nuk është regjistruar asgjë e re në skedarët e leksikut të shqipes? Se skedimi i fjalëve të reja pikërisht gjatë këtyre kthesave historike në jetën e një populli ka edhe rëndësi jashtëgjuhësore. Të dhënat gjuhësore mund të shfrytëzohen edhe për studimin e proceseve historike. Engelsi theksonte pamjaftueshmërinë e metodës së studimit të këtyre proceseve kur mungonin të dhënat e plota për faktet gjuhësore. Ai thotë: “Elementet e organizimit shoqëror që u përdorën për herë të parë, kanë qenë të lidhura në një mënyrë të pashmangshme me prodhimin dhe me mënyrat e sigurimit të mjeteve të jetesës. Është plotësisht e natyrshme që një gjë e tillë të vërtetohet nga zhvillimi i gjuhës” (Marks K., Engels F. Vepra, botim i dytë rusisht, vëll.36, f.256-257).

       Mendoj dhe propozoj që organet e shtypit ta mbajnë të çelur kohë pas kohe një rubrikë të posaçme për problemet e ruajtjes së pastërtisë së shqipes, për vetëpasurimin e pandalshëm dhe dinamikën e zhvillimit të saj, duke ftuar në faqet e veta specialistë të shquar të saj për të botuar artikuj apo për të dhënë intervista. Dhe të tillë specialistë, me grada dhe me tituj shkencorë, ne kemi me shumicë, që nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë e deri në departamentet e gjuhës shqipe të universiteteve të ndryshme. Veç kësaj, në këtë mes duhet të japin ndihmesën e vet edhe drejtuesit dhe kryeredaktorët e gazetave, si edhe përgjegjësit e programeve të radiotelevizioneve, të cilët duhet t’u kërkojnë pronarëve të tyre që në redaksitë përkatëse të punësohen specialistë të përgatitur të gjuhës shqipe, në mënyrë që të mos lejohen as trysnia e fjalëve të huaja, as struktura frazash, krejtësisht të huaja për natyrën e sintaksës së shqipes.


 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora