Kulturë
Bedri Tahiri: Shotë Galica në letërsinë shqiptare
E marte, 09.03.2010, 10:42 PM
Kumtesë
SHOTË GALICA NË LETËRSINË SHQIPTARE
Këtu keni
lindur, këtu të rroni me mish e
me shpirt, qoftë dhe
me dhimbje!
(M. Kuteli)
Nga Bedri TAHIRI
Historia jonë
është përplot data dhe ngjarje, në të cilat, krahas burrave, morën pjesë edhe
gratë shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e
atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura, por dilnin
maleve, përkrah vëllait, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë dhe
pavarësinë e vendit. Pjesëmarrja e tyre në beteja tregon se luftërat
tona ishin të drejta dhe çlirimtare. Këtë e vërteton edhe thënia e Sami
Frashërit: “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho
në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e
padurueshme”.
Në mesin e gjithë atyre grave e
vajzave shqiptare, që bën emër në histori, qëndron si një kurorë lavdie NUSJA E
MALEVE, Heroina e Popullit, amazonja shqiptare, Qerime Halil Radisheva, e
skalitur në faqet e historisë me emrin SHOTË GALICA (1895 - 1927).
Shota u lind më 1895 në Radishevën heroike. Vajzën topolake,
te vetmen motër midis gjashtë vëllezërve, e pagëzuan Qerime, por nga dashuria e
thërrisnin SHOTË. Ky emër përkëdhelës dalëngadalë do ta zëvendësojë emrin e saj
të vërtetë dhe do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në altarin e
pavdekësisë.
Më 1912,
Azemi e Shota fejohen. Mirëpo koha rrodhi ndryshe. Trimi po vuante në burgjet e
Serbisë, ndërsa Vasha po e përgatiste pajën e nusërisë. Dhe, një ditë u thyen
dyert e burgjeve, u vranë rojat, u kapiten malet dhe, sakaq, Trimi u gjend në
Radishevë. Ishte fundi i vitit 1915. Shota, shpejt e shpejt, u bë gati, lidhi
gërshetat, e vuri plisin e bardhë në kokë dhe e futi nagantin në brez. Trimi
dhe Vasha, hipur mbi kuaj e të përcjellë nga bashkëluftëtarët vajtën në Galicë
e prej andej në male.
Dalja e Shotës në mal, e veshur si burrë, kishte rëndësi
të dyfishtë: e luftonte armikun, që ua kishte marrë lirinë dhe, në anën tjetër,
i luftonte zakonet prapanike, të cilat femrën shqiptare e kishin robëruar
dyfish
Krahas luftës me armë, Shota e
çmonte edhe luftën me penë. Ajo thoshte: “Shtylla
e kombit është shkolla në gjuhën e nanës”. Shoqërohej shumë me Igballe
Prishtinën dhe librat që ua sillte Hasani nga mërgimi i shpërndanin në popull.
Edhe vetë sa ishe në “Zonën Neutrale të Junikut” e kishte mësuar shkrim-leximin
nga mësuesi patriot Nimon Ferizi.
Shotë Galica nuk iu nda burrit deri në vdekje. Pas
varrosjes së tij në thellësinë e shpellës “Çuku
që kërcet” (73 m), Çetën do ta kryesoj Shota, e cila zhvilloi edhe disa
beteja fitimtare.
Pas betejës së fundit në Llaushë, në
vjeshtën e vitit 1926, ku edhe plagoset rëndë, ajo me disa fëmijë të shokëve të
vrarë, niset për në Shqipëri. Në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven
të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Plaga e rëndë, mërzia për Kosovën e
robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të
zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se
iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Mezi e siguronte kafshatën
e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes edhe
pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit, Allçin.
Më 10 korrik 1927, në moshën
32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë
heroina shqiptare Shotë Galica. Varrimi i saj në Fushë- Krujë, nuk u bë në
heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit
erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme.
Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia
ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË
E POPULLIT.
As në Kosovën martire kujtimi për këtë heroinë nuk u shua
kurrë. Por, edhe sot e kësaj dite, urimi më i dashur që u bëhet vajzave
kosovare është t’u thuash “U BËFSH SI SHOTË GALICA!”
Francezët e pagëzuan “Zhan d’Arka shqiptare” që më 1920
kur e panë foton e saj në fonotekën e Kel Marubit në Shkodër.
*
* *
Heroina Shotë Galica mbetet simbol i qëndresës së femrës shqiptare
për të gjitha kohët. Ajo, me trimërinë e saj, frymëzoi dhe cyti të gjitha
mendjet krijuese. Kështu, për të u thurën
këngë, u skalitën lapidarë, u hartuan
poezi, u shkruan tregime, romane
e drama.
Meqë
tema është e gjerë dhe, fillimisht më takonte t’i them ca fjalë për
jetën dhe veprimtarinë e saj luftarake, punimi më doli i gjatë, por, me qëllim
që t’u lë hapësirë referuesve të tjerë, do të lexoj shkurt.
Si përherë, përmendoren e parë dhe
më të bukurën ia bëri krijuesi popullor me vargjet e tij brilante. “Ajo
pasqyrohet këtu, ndër të tjera, me vlera
kulminante të së bukures dhe të së moralshmes kombëtare historike”(Dr.
Ilaz Metaj: Shotë Galica- Heroinë e Kombit, Prishtinë, 2003, f. 246).
Kënga thotë:
N’Drenicë lindi nji trimëreshë,
E ka lind nana me armë ngjeshë,
N’kapuç t’bardhë e n’tirq të zi
Boll e bukur me pa me sy.
Që ditën kur ajo bashkohet me
Azemin, lidhje kjo që simbolizon unitetin dhe bashkimin kombëtar të të dy
gjinive në luftë për çlirim kombëtar, krijuesi popullor e cilëson si bashkim të
dy luanëve, duke e quajtur Nuse të luftës, emër ky që do ta
përcjell deri në amshim:
Mëngjes i bardhë, në të ague
Nuse Shota n’luftë ka shkue.
Hoqi unaza e jelek,
Ngjeshi gjerdanin me fishekë.
Mbete ti Nuse e
Luftës.
Trimëria dhe heroizmi i saj pasqyrohet në shumë këngë,
por pa u thelluar në to, nuk mund ta kapërcejmë atë që flet për vrasjen e
naçallnikut të Mitrovicës, më 1921, kur ia
numëron plumbat në ballë:
Naçallnik, he fytyrzi
Boll ke dalë
shpi për shpi
Boll me gra
ke ba mahi
Ke vra fëmi
tuj pi n’gji
Tash po sheh
grua me sy
e djeg veten
të vret ty.
Rreptë po qet
Shota allti
Duken n’tokë
e ka shtri.
Kjo heroinë del edhe me emra
të tjerë, si: Kreshnike, Dada
Shotë, Burrë mbi burra etj.
* * *
Edhe poetët e poeteshat tona ia
kushtuan vargjet më të bukura kësaj heroine. Në to, Shotë Galica, del luftëtare
e paepur, që here- herë ua kalonte edhe burrave. Pena e tyre nuk është lodhur
shumë për bukurinë e saj fizike, por më tepër për atë shpirtërore, luftarake e
kombëtare. “Fytyra e gruas zbehet dhe zhbëhet para portretit të
bashkëluftëtares”- konstaton Sala Ahmeti (Shotë
Galica- Heroinë e Kombit, Prishtinë, 2003, f. 101).
Epitetit Nuse e luftës që ia dha këngëtari popullor nuk kanë mundur t’i
largohen as poetët. Kështu, Dritë
Azemi-Kelmendi, shkruan:
A
e mban mend Qyqavicë plakë?
Nusen e Maleve mbi kalë
A të kujtohet moj
Galicë?
Nusja trime në Drenicë…
Ndërkaq poeti Zeqir Gërvalla do të
thotë:
Azemi - sokol
djali
Burrë me Besë e Trimëri
Shota - Nuse
Mali
Rreze mbi Arbëri
Përafërsisht kështu shkruan
edhe poeti Agim Gjakova :
Shotë, ata s’të kishin pa
As vajzë,
as nuse
As grua, as
burrë.
Të panë
me pushkë.
Edhe atdhetari, Abdyl
Krasniqi, shprehet kështu:
Kush ta bëri dasmën malit?
Azem Bejta pika e djalit!
Kush ta dhuroi xhamadanin?
Kush ta dha jataganin?
Azem Bejta ai shkëmb mali!
Poeti tjetër, Nuhi
Potoku, përmes këtyre dy figurave kombëtare personifikon bashkimin e
trojeve tona dhe në fund edhe katandisjen e heroinës në mjerim marramendës:
Gjëmë kanë malet nuk hesht Drenica,
I ka bashkuar
çetat Azem Galica
Herë bëhet
Kosovë herë Arbëri
Nuse bëhet Shota në secilën shtëpi
Ç’të mori shpella Nuse Shotë Galica
Gjithë
nusërinë ta përtëriu Drenica
Po ajo plagë pa bukë
pa ujë
Gjëmë e madhe jotja doli në Fushë- Krujë
Se Shota nuk ishte hyjnore, por një trimëreshë e lindur
në trojet tona të nëpërkëmbura nga barbarët, tregojnë edhe vargjet e Vasil
KOÇIT:
S’ke
lindur nga përrallat, nga legjendat
as nga hyjnitë mitologjike,
të lindën hallet, vuajtjet, brengat
dhe koha jote e
madhe epike
Miëpo,
Azemi dhe Shota ishin unikat, të papërsëritshëm apo siç thotë Hasan Hasani “Ishin dy Shqiponja që
njëherë i ka shkrepur rrufeja”. Ose siç shkruan poeti tjetër, Rustem Bajraktari:
Azem Bejta
me sytë flakë
Dhe ti shqiponjë
prej fisi
Me komitët
trima skofiarë
Prore ishit
tmerri i armikut
Kjo trimëreshë sypatrembur nuk
do të gjejë prehje as në pavdekësi, sepse Atdheu i saj ende vuan, i ndarë e i
copëtuar, andaj Jakup Ceraja thotë:
Me
fis e pa fis
Në derë të historisë
E re për Londër
Pa krah për Paris
Shotë amazonja
Hartë e Arbërisë.
Nisur nga kjo, Edi
Shkuriu konstaton:“Ende duhet të ecim bashkë Shotë“. Dhe, ashtu ngjau.
Vashat tona luftëtare të UÇK-së, si Xhevë Krasniqi- Lladrovci, Fatime Hetemi, Luljetë
Shala, Antigonë Fazliu etj. përtërinë amanetin e saj, andaj poeti durrsak, Baftiar Nanaj konstaton se ”Shotë
Galica qenka gjallë”. Apo “ajo kishte lindur për ta mposhtur harrimin”, siç
shkruan Qibrije Demiri.
* * *
Kjo figurë madhore e kombit zë vend të rëndësishëm edhe
në prozën tonë tregimtare e romaneske. Kësaj radhe jemi ndalur të dy tregimet e
Shefqet Tiganit: “Plisat e bardhë”
dhe “Pushkët e Galicës” dhe të
tregimi “Nusja e Maleve dhe Trimi” të Adem Gashit. Nga ky
i fundit shkëpusim përshëndetjet e plakut galicas kur i thotë:
“Mirë së na
erdhe, o Nusja e Trimit, por ne do të të thërrasim NUSJA E MALEVE, se ti qenke
burrë e shkuar burrit. Këto male do ta ruajnë hijeshinë tënde, se ti ua fale
nusërinë atyre”.
Në to, edhe pse me temë historike, nuk dominon
faktografia historike, por artistikja dhe përgjithësimi i ngjarjeve reale të
kohës. Duhet cekur se të tregimi “Pushkët e Galicës” na del edhe një heroinë
tjetër, Sherife Galica, nëna e Azem
Galicës, e cila, kur rrethohet në kullë vetëm me Shotën luftojnë dhe qëndrojnë
derisa u shkojnë në ndihmë galicasit.
Ndërkaq, në botën romaneske jam fokusuar tek romanet: „Shota dhe Azem Galica“ të Ajet Haxhiut,
„Prijësja e komitëve“ të Sylejman
Krasniqit, „Shote Galica“ të Mehmet
Kajtazit dhe „Nusja e Maleve“ të
Riza Greiçevcit.
Me përjashtim të veprës së parë, ku dominon faktografia
historike, në tri të fundit, Shota është si strumbullar rreth të cilës krijohen
subjekte, tabllo e karaktere që pasqyrojnë artistikisht atë periudhë të artë
historike. Kryesore, ajo kudo del simbol i heroizmit dhe atdhedashurisë, ajo
është lavdia e gruas shqiptare, ajo është vetë Kosova në rrugën e saj
luftarake.“Ajo na del si mishërim i vlerave morale pozitive, prandaj edhe
përfaqëson konstitucionin shpirtëror të shqiptares“(Fazli Hajrizi: Shotë Galica-
Heroinë e Kombit, Prishtinë, 2003, f.222).
Gjatë përgatitjes së kësaj teme iu kemi referuar edhe dy
dramave; „Gurët e Kreshanës“ të Loni
Papës dhe „Gërsheti i Luftërave“ të
Avni Mulës, tek të cilat dominon imagjinata krijuese dhe trilli letrar, ku edhe
vetë Shota e Azemi dalin me emra të tjera, megjithëse fare lehtë nënkuptohet
historia reale.
Në të përfunduar, kërkoj falje nga të gjithë ato pena që
kanë skalitur ndonjë varg për Shotë Galicën e që, në mungesë informacioni, nuk
i kam përmendur kësaj radhe.
Ju faleminderit për vëmendje!