E shtune, 27.04.2024, 07:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Kurti: Libri poetik Mall

E enjte, 11.03.2010, 09:51 PM


© LUAN   KURTI
 
Libri poetik   MALL                                                                                                                


I VETMI ZOT.

Ti je si dielli zhuritës,
s’mund t’i bëj ballë tëndit zjarr,
të flas me zë pëshpëritës,
vështrim përgjëruar, ëndërrimtar.

Me vetullat e ngritura hark hëne,
me flokët e tua të artë,
kaq kohë gjurmoj buzën tënde,
si bleta nektarin për mjaltë.

Në ka në botë mirësi,
nga gjërat e rralla që dua,
një qiell pa fund, yjësi,
i vetmi zot je për mua!

          
PREMTIM

Ditëlindjen tënde festojmë,
tryezës se mbledhur këtë natë,
prej zotit qofsh e bekuar,
i lumtur kam qënë dhe me fat.

Dimrat, beharët që shkuan,
të tjerët që do të vijnë,
si breshër do na bien mbi supe,
si sumbulla vese do ndrijnë.

Të fortë e bën lidhjen tonë,
ndaj shihemi sy ndër sy,
dy zemra që rrahin njësoj,
si mishi me kockën të dy.

Mbi varkën e shpresës lundruam,
stuhisë e ngritëm lart velën,
unë dheu, ti lulja në saksi,
dhe vajzat dy gonxhe që çelën.

Më parë kurrë s’ke dëgjuar,
një tjetër premtim si ky:
në çastin e ndarjes do shkruaj,
të fundmen këngë për ty!
                 
          
KA ÇASTE

Ka çaste të rënda mërzie,
kur ndihesh i pambrojtur, jetim,
s’je ti që frymon por një hije,
që sillet përqark n’pikëllim.

I ligu mendim të sulet shigjetë,
gjithçka të duket e kotë,
hakrrohesh dhe thua ti vetë:
ç’dreqin kërkoj në këtë botë!

Kërkon që t’i japësh fund,
torturës që zemrën t’copton,
por prap diçka të lëkund,
dhe dorën ta ndal sa s’është vonë.

Dhe mbetesh si rob në qeli,
braktisur, harruar, i ngratë,
përpiqesh të çash një frëngji,
mes mjergullës dhe natës së gjatë.

Mbërritja e ditës çlirim,
cicërimat e zogjëve në korije,
të japin prap shpresë e gëzim,
të kthejnë buzëqeshje fëmije.

Dielli, ylberi, dashuria,
arsye të forta, të qarta,
një fllad të duket stuhia,
prush vatre, vullkanet e zjarrta.

Ai që gatoi brumin tonë,
prej frymës së tij na dha jetë,
na ngjit dhe prap na rrëzon,
siç bie prej pemës një fletë.

Nga hiçi sërish do bleroj
dhe bari, dhe gjethi i ri…
Filozofi e kësaj bote hiçe,
fillim edhe fund llahtari!

           
U KTHEVE

U ktheve pas një mungese të gjatë,
si zogjtë nga i largëti shtegëtim,
dhe zemra çamarrokja e ngratë,
portat t’i hapi pa vonim.

S’di se ç’të pruri në këto anë,
në këtë vend plot me kujtime,
ndoshta e mallit kambanë,
ëndrrat braktisur, a’ ca vegime.

Zot, ti që je i gjithëpushtetshëm,
që di se ç’vojtje ka qënë ajo për mua,
bëj të kuptoj se s’jam i dehjshëm,
pse veç saj, gjë tjetër s’dua.

Më mirë të digjem nga syri i zi,
të përvëlohem veç ta kem pran,
se larg saj s’pata kurrë qetësi,
për brengat, lotët, s’gjeta liman.

Pra eja vajzë në jetën time,
si fllad pranvere që të josh,
mos më qorto ti me vështrime,
se dashuria nuk njihka mosh!

     
VESHTROJ KUMBULLEN.

Vështroj kumbullën e tharë në oborr,
shiu me sqot e stërpik,
si një qënie e gjorë,
që ndot ka veten, edhe frik.

Asnjë gjethe, syth asnjë,
degët, kocka skeleti të mjerë;
O ç’trishtim kjo pranverë për të,
o ç’breng e tmerr!

Dikur mbushur gjelbërim,
plot lule të bardha të magjishme,
tani kryevarur, në dëshpërim,
si plakë e vjetër, e përzishme.

Dhe zogjtë s’ulen më mbi të,
foletë ngrenë tjetërkund,
si ka mbetur më asgjë,
ka mbërritur jeta mu në fund.

Ashtu dhe ti e dashur mike,
që më përbuze patëdrejt,
pishtarin e dashurisë ma fike
dhe thellë më ngule një shigjet:

Një ditë do thahesh si kjo kumbull,
freskia teje do mërgohet,
verbuar nga e lotit sumbull,
si në vegim do të kujtohet…

Ai që aq shumë të desh,
sa puthte tokën ku ti shkelje,
të adhuroi si perëndesh
dhe kurrë si fale përkëdhelje.

Do lutesh të të gjëndet pran,
çastit tragjik, të vështirë,
por zëri yt pa nishan,
do të përpihet në humbëtirë.


ATE NATE

Më quajte të marrë, të krisur,
kur guxova preka tënden dorë,
i pafuqi si i zalisur,
të të pushtoj e paskam zor.

Kudo mbretëronte errësirë,
kërcisnin takat mbi asfalt,
mes ankthesh, ndjenjash të përfshirë, 
qëndronim heshtur si murgjë të ngrat.

Nuk kishte sy që na vështronin,
as pëshpërima, as një trokitje,
sekondat zemrat numëronin,
s’duronin dot të rëndën pritje.

S’di në ja ndale vrullin lumit,
a’ lumi digën e përlau,
por në të thellin çast të gjumit,
një lutje buzësh seç më shkau.

Fajtor u ndjeva, i pafaj,
gjethe rënë pemës në furtunë;
O zog i artë, klitha në vaj,
të lutem, kthehu prap tek unë!


DASHURI HIJESH

Kur dielli do të mbytet,
thellësive blu të detit në perëndim,
atëherë do të kem mbërritur,
në të fundmin stacionin tim.

..Mëngjesit kur do të shpërthej,
sërish agu ngjyrë purpuri,
do jem për ty një hije e largët,
ulur përskaj një guri.

Për ty gjithmonë qesh djalë naiv,
me indiferencën, shpotinë më çmënde;
O kohë e humbur, barkë shpresash e mbytur,
jam ulur këtu, e pres hijen tënde!


ÇASTI I NDARJES

Po vjen i rëndë çasti i ndarjes,
po mbërrin e pamëshirshmja orë,
kur qiellit blu të zemrës sime,
do t’i shkëputesh si meteor!

Do jemi larg porsi dy male,
brigjesh të skajshme na vuri jeta,
do vyshken tonat petale,
nga pikëllimi, lotët e nxehta.

Por veç një gjë mos e harro,
si amanet që se tret dheu,
mikun e vjetër më mall kujto,
po mund ëndrrash prap kthehu.

Me sytë nga udha do të pres,
dhe në qoftë dimër apo verë,
s’do mundem kurrë i qetë të vdes,
aromën tënde pa ta ndjerë.

Po vjen i rëndë çasti i ndarjes,
po mbërrin e pamëshirshmja orë,
kur qiellit blu të zemrës sime,
do t’i shkëputesh si meteor!


SIMFONIA E DETIT DHE DIELLIT

Disku i kuq i diellit u shfaq në perëndim,
si një mburojë mbi detin plot vezullim,
dhe horizonti u përflak,
në qetësinë pa trazim.

Diçka dielli i pëshpëriti detit,
po miku i vjetër duket se dëgjoi,
u ul ngadalë pa përtuar,
në sofrën që deti ja shtroi.

Pastaj si pinë e kuvenduan,
ca këngë zemre që ua mësoi jeta,
të dehur e të dashuruar,
e kuvenduan plot të fshehta;

Deti bujar, diellit i tha,
jatak t’i shtronte atë natë.
.. Dakort o det vëlla,
veç mos më lër të fle gjatë.

Se kam shumë udhë për të bërë,
më presin të tjera kontinente,
zogj e pyje, njerëz të tërë,
të tjera dete dhe amanete.

S’jam turpëruar gjermë sot,
si nëna bijtë si ndaj,
zemrën vërtet e kam këtu,
por shpirtin tjetrit skaj…

Dhe pastaj muzgu ra,
drapëri i hënës ngjyrë flori,
deti në luspa peshqish u la
dhe valët morën melodi.

MISERPJEKSJA

Me kapele kashte lidhur në gush,
mes vapës së Korrikut këtu në bregdet,
misra po pjek në hi e në prush
dhe me zë të thellë, zë e thërret.

Plazhistët që enden bregut ngadal,
tek marrin rreze natyrës gjithë nge,
dhe deti i kaltër oshëtin me val,
dhe era një perde tymi pas ngre.

Pik, pik, fytyrës i kullojnë pareshtur,
currilat e djersës i lëbyrin sytë,
me pamje të mjerë, me pamje të heshtur,
një dhimbje, një brengë mes buzëve e mbyt.

Ka lënë në shtëpi tre vocërrak,
që presin në dark pak bukë të ngroht,
por sot kallinj ka shitur shumë pak
dhe sytë e gruas rrëmbushen me lot.

O zot, psherëtin zemërplasura nënë,
si do t’i rris soje fëmijët e mi!
Dhe sot do bien të mjerët pa ngrënë…
thëngjijt trazon me shkop nën hi.

Dhe prap zëri i saj gjer në muzg kumbon:
misra zotërinj të ëmbël, të ngrohtë!
Dielli tej mbi det, i kuq perëndon,
një zog me vaje diku po ia thotë.

Kur njerëzit ngren çadrat, asgjë s’pipëtin,
kapelen pas kryeve shtyn ngadal,
fshin ballin e nxirë me thesin mbi shpin,
dhe rrugën e kthimit e merr çal e çal.


UNE DHE ZOGU

Po bie mbrëmja, unë në dritare,
vështroj yjet qiellit si po mbin,
një zog fluturoi, i vogël fare,
me mallin tënd në buzë, cicërin.

Pa gjumë qëndrojmë, një emër pëshpërisim,
me zë të dridhur, gati me të qarë;
Zog, të mjerë e të brengosur jemi,
qysh ditën që atë e kemi parë!

Në mos ardhtë ajo prap tek ne,
s’do gjejmë prehje dhe as ngushëllime,
e rëndë rrojtja mbi këtë dhe,
një kup helmi plot trazime.

Në u takofshim ndonjëherë,
pas vitesh ndarjeje ku ta dish, 
do na jenë tharë lotët e mjerë,
dhe ndjenja shpirtrat s’do na grish.

Do jemi si gjethe harruar,
pemës së zhveshur, vjeshtës së art,
dhe gazi ynë do të jetë shuar,
do ndrij veç hëna atje lart.

Në heshtje do shkëmbejmë vështrime,
si dy të njohur rastësisht,
s’do ketë më falje, përgjërime,
dhe as premtime natyrisht. 

Plakur nga jeta, shpinakërrusur,
këmbët do heqim zvarrë, pa rregull,
pluhur do ngremë nga pas vetes,
dhe do humbasim si nëpër mjergull.


SKLLAV NEN  ZINXHIR

Vjeshta derdhte bronx të shkrir,
natyrës së ëmbël ledhatare,
nga pamja, hiret e tua përpir,
u ndeza hovesh djaloshare.

Porsi i burgosuri një burgu,
dënuar përjetë në të errët qëndron,
me lutje, përgjërima, devocion prej murgu,
në gjunjë ty të bie si ikon.

Po ti shfaqesh befas, atëherë kur se pres,
në zenit të dhimbjes, dëshpërimit tim,
shkrin akujt e zemrës me pishtar që ndez,
dhe jetës mi jep një tjetër kuptim.

Dhe kur mendoj, qëllimit ja mbërrita, 
derdhem drejt teje si shqiponjë me flatra,
si ylli i mëngjesit me të zbardhur drita,
qiellit mespërmes zhdukesh me të katra.

Djegur e zhuritur nga kristal i lotit,
që gurin do treste porsi llavë e shkrir,
të lus ty prap, kthehu o ëngjëll i zotit,
mos më lër braktisur si skllav nën zinxhir!


MALL

Ah, malli po më djeg,
s’ka për mua paqe, qetësi,
varka ëndrrave mbeti në breg,
pamëshirë mes dallgësh, në stuhi.

Një kufomë që sillet si tymnajë,
i ndarë jam trup edhe zemër,
çapet hedhe ngadalë, kuturu,
buzët pëshpërisin tëndin emër.

Jemi larg, oh sa larg e dashur,
ne na ndau koha mëkatare,
në ka zot i lutem t’na bashkoj,
ose s’ka ç’më duhet jeta fare!

Ose s’ka ç’më duhet jeta fare,
kështu qyq i mbetur mos më keq,
se minuti duket sa një orë,
edhe ora shkëmb i rëndë për dreq!

Ah’ malli po më djeg,
si një tokë pa ujë e zhuritur,
po më fiken yjet dalngadalë,
brengën time kurrë s’ke për ta ditur!


DIKUR
“Sipas rrëfimit të një mikeje”

Dikur e brishtë, e mitur,
flokët mbi supe gufuar,
një brengë, një plagë në zemër,
për vite, vite më ka munduar.

Në qytetin ku u linda,
ku ëndrrat, shpresat këngëzonin,
kur rrugës shkoja me tim atë, 
njerzit se si na vështronin.

I thoja vetes me zë të shpirtit,
me zë të ngjirur, mbytur me lot; 
Përse janë kaq të pashpirt,
ç’kanë me ne i madhi zot!

Im atë vërtet e ka një cen,
sëmundja, vitet e kanë rrëgjuar,
por qesh aq bukur, flet aq ëmbël,
nuk ka asgjë të krahasuar.

Se qesh aq bukur, flet aq ëmbël,
ka shpirt të gjerë porsi det, 
në heshtje tinës u betova,
të bëhesha mjeke në jet.

Të bëhesha mjeke në jetë, 
që ta shëroja baban,
ta shihnin pastaj të zilepsurit,
gojshthururit, fjalë shafran.

Por s’qe e thënë, vdekja e mori,
dhe plagët s’ja mjekova dot,
sa herë që vete tek varri i tij,
një fjalë më duket se ma thot.

E vogla ime Marije,
e shenjta, çapkënia, e rralla,
vërma dorën mbi mermer,
dhe shihe bij po s’u ngjalla.

Njerzit ti duash ashtu siç janë,
t’u qëndrosh pranë të kam mësuar,
se plot të vobektë të tjerë,
do kenë nevoj për ato duar.

.. Njerëzit se si na vështronin,
ende se kam harruar…
Dikur e brishtë, e mitur,
flokët mbi supe gufuar.

SHIH VAJZAT

Shih vajzat! U rritën e shkuan,
plot shend në fytyra, plot jetë,
qyqar unë pas porte kam mbetur,
me dorën e ngritur përpjetë.

Dhe pyesin sytë, pyet zemra,
meraku i bren pa derman,
ngre befas stuhira, erëra,
dhe dallgë pa fund, oqean.

Këto sqotat e jetës mizore, 
përplasen mbi gjokset e brisht,
dhe unë brënda muresh ngujuar,
s’u ndih në këtë çast të trisht.

S’u ndih dhe shfryj i munduar,
një lutje buzët e kanë: 
Zot mbroji nga errësira e natës,
nga cmira, ligësia shafran.

Zot mbroji, ndriçojua udhën,
kaliti me tëndin durim,
se fryma ime po shteret,
dhe thellë ndjej pikëllim.

Përrenj vërshojnë mendimet,
kësaj koke të vjetër rrangalle,
në rrugën e gjatë bijat shkuan,
kësaj bote mashtruese, plot halle.

Kësaj bote ku ëndrrat përkundëm,
O botë mëkatare bërë pis!
Të huaja mëshira dhe dhembja,
të dobtit përfund i gremis!

I çartur nga dëshpërimi,
Me kokën mes duarsh i heshtur,
një tjetër fat lus për bijat,
me buzët që dridhen pareshtur.

     
NE QIELL TE HAPUR

Nën ritme xhazi që s’ndalen fare,
kërcejmë këtë mbrëmje nën qiellin blu,
të heshtura e kureshtare,
na vështrojnë pishat nga diku.

Vajza e djem, të rinj e pleq,
pa dallim moshe apo gjinie,
vallen nën yje kushdo e heq,
dhe ndihet porsi zot shtëpie.

Dritat shumëngjyrëshe që rrotullohen,
krijojnë magji si në përrallë,
britmat gazmore me to bashkohen,
si melodia më e rrallë.

Kalojnë minutat edhe orët,
kalon mesnata pa u ndjer,
diku spirancën hedhin vaporët,
perden e saj një mjergull tjerr.

Duke vallëzuar në disko bar,
si miq, si shokë të gjithë së toku,
të pirë, në qejf, ëndërrimtar,
drita e agut seç na rroku.

Ah, them me vete i lumturuar,
sikur ksisoj të qe gjithë jeta, 
do rendja flutur krahëshkruar,
lule më lule, pemësh të blerta.

Nesër secili niset për larg,
atje ku kemi punë e shtëpi,
ku jeta pareshtur ngre dallg,
egërsisht sulet me lukuni.

Po le t’i lëm brengat mënjanë,
se nisi vallja përsëri,
hopa të hidhemi si ciganë,
dhe mbushni gotat me raki.

     
QASU E DASHUR
“ motive rome”

Qasu e dashur, shikomë në sy,
mos rri e drojtur, e turpëruar,
krenare jam vërtet për ty,
ndihem kaq shumë e lumturuar.

S’u linda shtretërish me pupla,
u linda çadrës me plastmas,
por si mike më priti fusha,
dhe val e lumit me hov, me gas.

Jeta e rreptë ka qënë me ty,
po ti s’u qave, s’u ankove,
me dajren, furkën, torbën në duar,
me djepin hedhur shpinës shkove.

E deshe diellin, hënën, yjet,
flladin, lulet, pemtë në korije,
zëri bilbil i çau shtigjet,
hej vallja rome, ç’të pati hije!

Si shtojzavalle e përrallës,
ç’ta shihte syri, ta bënte dora,
e zezë lëkura e fytyrës,
por zemra më e bardhë se bora!

 Qasu e dashur, shikom në sy,
si perëndesh të adhuroj,
krenare jam vërtet për ty,
 lejom o nënë të përqafoj!

     
PERPARA SE TE VDES

Përpara se të më çikin buzët e vdekjes,
me frymën e tyre të ngrirë,
veç emrin tënd do pëshpërisja, 
në agoni ethesh përpirë.

Do doja fort të përqafoja,
të ndjeja frymën plot aromë,
të fundmen gjë do ëndërroja,
portretin tënd të brisht, besomë!

Për sa fytyrat t’na rrahë dielli, 
sa kemi frymë në kraharor,
porsi dy yje të një qielli,
të një arushe si kuror…

Qofshim pafund të dashuruar,
nga zjarri ynë u djegtë bota!
Dhe vdekja ka për të kuptuar,
tallazet, gjëmat e kota.

              
PER DISA

Mos u qaj pareshtur siç bën një i lënë,
mos thuaj jam fatkeq, i papërfillur,
pse sot ca halle të paskan rënë 
dhe ndihesh i pazoti për t’i zgjidhur.

Ke një çerdhe tënden, grua e fëmijë,
çdo akoma tjetër që s’ndihesh rehat,
buzëqeshje, shpresë edhe ngrohtësi,
për ëndrrat e natës e paske një shtrat.

Çoje mëndjen pas tek disa të gjorë,
të vobektë, që jashtë i gjen thëllimi,
tundur, përkëdhelur nga asnjë dorë,
kund s’gjetën liman, fjalë ngushëllimi.

Sa prej tyre sot kanë rënë të pangrënë,
Të sëmurë që balli u digjet furrë,
aq shumë dhembje zemra u ka nxënë,
s’do të mund ta duronte dot asnjë gurë.

Dhe kur vdesin mbeten të harruar,
si qan kush të ngratët, s’derdhet asnjë lot,
vijnë e ikin jetës si thëngjij të shuar,
mbuluar nën hirin e vatrës së ftohtë.

Po të qe jeta një lëndinë e qetë,
pyll pa rënkime që s’përcjell jehonën,
do na dukej tmerr, nga mërzia det,
rrjet merimange që të merr firomën.

Mblidhe veten mik, mos u ligështo,
lëri psherëtimat, s’dilet me të lutur,
pse jeta ka diell, dallgë edhe stuhi,
ndaj është e bekuar, e shtrenjtë, e bukur.


HIQMU TUTJE

Pranë meje kaloje, zukasje pa pushim,
një ditë befas mu ule mbi petale,
puthjet e fjalët s’kishin mbarim,
mu duk, gjithë botën ma fale.

Si thithe nektarin deri në fund
dhe helmin zbrazur le përmbi mua,
fluturove lëndinës ku të mund,
me epshin përvëlonjës që s’tu shua.

Akoma vuaj edhe pikëllohem,
jo aq për faktin që s’je ti,
qortoj veten si munda të mashtrohem,
nga një bastard, snob e faqezi!

Por sidoqoftë diçka më ka shërbyer
dhe pabesia jote e mallkuar,
lirinë time që e kam të vyer,
me asgjë tjetër s’kisha për ta çmuar.

Pra hiqmu tutje vemje nga kujtesa,
siç hiqet reja qiellit në stuhi,
gonxheve të mia prap do t’u bjerë vesa,
dhe do t’i gëzoj sërish dielli i ri!

         
NISJA KENGES

Më sillet shpesh një vel mërzije,
vorbull e egër më vërtit,
si ashkël, gjethe përfund bie,
qielli përmbyset, shuhet çdo dritë.

Vetja më duket më i pafati,
jetim i mjerë, skllav në udhëkryq,
dhe belbëzoj, ofshaj i ngrati,
në hallin tim i mbetur qyq.

Gjithçka më duket e pavlerë,
dhe jeta kupë helmi përplot,
minutat, orët kjo kohë e nderë,
me pezm të saj i mbyt me lot.

Atëherë gjithë botën e urrej,
më duket armike, shtirake,
veten mes saj më se gjej,
veç hi i mbetur pas një flake.

Gjithë natën sillem si peshk në zall,
kërcet përvajshëm shtrati i vjetër,
ma di si mik ai çdo hall
dhe amanetet i di, patjetër.

Porsa agimi zbardh përjashta,
troket e para rreze dielli,
me vrull shtyj perdet e mëndafshta
dhe ndizem prush për së thelli.

Porsi e dashura plot hire,
më heq pas vetes ditë e re,
një zog i vogël nën blire,
sqepit me bar ngre një fole.

Ky jetën ngre, them i menduar,
dhe pse i brishtë nuk tutet fare;
Thirrë burrërinë i zhburrëruar
dhe nisja këngës lozonjare!

        
PRAP VETEM

Kur jeta më rridhte shtruar,
në shtratin e saj besnik,
papritur më pate trazuar
dhe joshur në tëndin çiflik.

Më bëre të ndjehem djalosh,
zemra t’më rrahë si dikur,
me sytë e tu gjelbërosh,
me pamjen magjike plot nur.

Shpresova aventurë të paparë,
që gjakun si prushi ta ndez,
dhe ëndrrash të çartura kam ngarë,
pareshtur ushqeva një shpres.

Tu qasa kaq pranë fantazish,
në rrugë, në sheshe gjithkund,
se syri yt më pat grish
dhe skllav më pat bërë më në fund.

Në çastin që dorën e zgjata,
lëndinës drejt lules së bukur,
e errët si pusi ra nata,
u trete, u zhduke si flutur.

I vetëm prap mbeta  në udhëkryq,
me sytë horizontit paanë,
braktisur, shpirtvrarë porsi qyq
dhe lotët të reshtur s’më kanë.

Dhjetë vjet në më pati rinuar, 
dashuria jote si flaka,
brengosur, pa fund hidhëruar,
tani sa për njëqind u plaka!


E NDJEJ QE S’ME DO

E ndje që s’më do aspak,
ma thotë këtë vështrimi yt,
me rrebesh fjalësh shuan çdo flak,
pelenash ndjenjat zë i mbyt.

Duke mos pasur ngushëllim,
përbuzjes tënde i kapitur,
vargjesh në letër gjej pakëz çfrim,
kërkoj përgjigjen për ta ditur.

Askush më thua, s’është sjellë me takt,
kaq shumë pas meje s’është dhënë
dhe vetë çuditem, por është fakt,
që dashuri me ty s’kam shtënë.

Dhe zë e qeshesh krejt shpenguar
dhe sytë të mbushen me lot,
nga pamja ime e hutuar,
si një mjeran, fare kot.

Tani që ulur jam e shkruaj,
ti ndoshta s’më kujton,
nuk di sa kohë për ty do vuaj
dhe plagën s’di kush ma shëron.

Për njërin helm, dhembje paskajshëm,
për tjetrin dashuria lojë;
Kush lotë derdhi të pafajshëm,
të njëjtin fat do të provojë!

       
AFERDIT DHE SHENMERI

Ndoshta diçka nga zjarri i brendshëm po humbasim
dhe thinjat përmbi kokat tona po pushojnë,
viteve të një tjetër moshe po trokasim,
hapat tanë zhurmshëm po kumbojnë.

Mos më shih të plakur, me mëshirë,
mjaft më fole me zë përgjëruar,
se parajsën me ty kam arrirë
dhe kam qënë kaq fortë i lumturuar.

Nuk trishtohem në ardhtë fundi i zi,
më kot fjalën “ tmerr” përmënde,
shtërngomë fort, ashtu siç di veç ti,
bëmë të ndjej aromën, frymën tënde.

Ti pareshtur porsi yll më ndrit,
oh, ky zjarri yt që kurrë s’u shua…
Nëse dje të quaja Afërdit,
Shën Mëri do jesh tash për mua!


SHPIRTI I SEMURE

Ndihem i vetmuar në këtë botë,
çdo gjë më duket e paformë, e ndotur,
asnjë tingull shpirtin s’ma prek dot,
veç kupës me pije, mesnatës i kotur.

Askund nuk shoh mirësi, mëshirë,
veç shtirje, fytyra që të kallin krupën,
të gjithë më hidhen fytas si vampirë,
ndaj të vetmen mike, quaj kupën.

Dhe dashuria ku kisha besuar, 
tash që kam nevojë s’po më ngroh aspak,
mospërfillja e saj keq më ka verbuar,
si një tymnaj që sillet, pa flak.

Një ditë s’është çudi, të më lërë ajo,
e lodhur nga sentimentalizmi im pa fre;
Një shpirt të sëmurë kush e do?!
Kush e  do një qiell plot me re?!

Po edhe në iktë s’do ta qortoj,
çdo njeri bën, ç’i duket e drejtë,
do përpiqem ndoshta ta harroj,
e të nis pse jo, një tjetër jetë.

Do të rroj shtëpizës murerënë,
varfërisë së ulur mu në qoshe,
misërniken mbrëmjeve duke ngrënë,
shoqëri ti bëj kësaj jete boshe.

Ashtu si rrëshqet hija mbi qivure,
që s’lë gjurmë mbi barin nga vesa vaditur,
do endem si murg nën të lartat mure,
fundin tim kobzi, në heshtje duke pritur.


SHPIRTI S’BEHET ZAP

Si mund t’i bëj ballë syve të kthjellët si larë me lot,
buzëqeshjes sate rrëzëllitëse plot shkëlqim?
Nëse këto të duken marrëzira, fjalë kot,
trurin e bëj zap, por jo shpirtin tim!

Si një Promete, Zeusin do mundja,
në fushë të betejës porsi rebel,
pa bekimin tënd, pa fjalën e besës,
nuk do i mbyll sytë, shpirti nuk më del.

Pra, në ke vendosur të më hedhësh jashtë,
portës së zemrës sate si rrobe të grisur,
tek pragu më gjen pa shtroje, pa kashtë,
do pres të më shfaqesh, quam djall, të krisur!

         
PROSTITUTA

Nevoja më çoi larg jo qejfi,
se halli mirë e dini, ku s’të fut,
ka kohë që me emër s’më thërrisni,
më quani me përbuzje “prostitut”.

Dikur kam qënë edhe unë porsi ju,
po ëndrrat, dëshirat më janë përvëluar,
më mungon gjithçka ku jam, këtu,
shes trup e nder për të jetuar.

Se nëna më rriti me mundime,
me gjak të trupit ditë për ditë,
ata që nëpërkëmbin jetën time,
mes jush krekosen rëndë, batakçinjtë.

E vuaj brengën, dramën, pa pushim,
po klithmën e kësaj zemre mbushur vrer,
e shpini ju hakmarrjen në lëndim
dhe lotët nuk ju prekën asnjëherë!

Në faqe gazetash me reklamë,
kopertinash revistash ngjyrë ylberi;
Tregëtarë skllevërish, merrni famë,
lakmia e fitimit kurrë s’ju shteri!

Në s’mund ta ndryshoni këtë botë mizore,
që ju vetë ndërtuat me kaq ngut;
Mos vrisni zemrat njerëzore!
..Apel kështu u bën një prostitut.

            
ME VRAVE

Më vrave me heshtjen, më gjakose,
më rëndë se me një plumb,
vorbujsh mërzie më fundose,
mi bëre ëndrrat shkrumb.

Si munde t’i japësh dënim mizor,
atij që të desh si i krisur?
Më mirë një thikë në kraharor,
se sa kështu, braktisur!

Ku vajtën fjalët plot shkëlqim:
Je yll i rrallë për mua!
Tash që je larg rrugës pa kthim,
ç’mendon me vete, ç’thua?

Me dhimbje ndarjen e pranoj,
se tjetër zgjidhje nuk më le,
por e kam vështirë ta besoj,
se fati im nuk qe.

Nuk di në do arrij vallë,
të dua kështu tjetër,
këto çaste ndihem trup i gjallë,
por një i gjallë i vdekur!


DITE ME SHI NE BREGDET

Qiell i vranët, ditë me shi,
pishat vështrojnë plot mister,
malli yt më djeg në gji,
një pjes të zemrës sime merr.

Si një pëlhurë të bardhë anijeje,
që rreh tufani papushim,
më çon në ishuj dashurie
dhe më pushton në përqafim.

Dhe unë si fëmijë çapkën,
pranoj çdo tek, çdo fantazi,
në gjunjë sa herë të kam rënë,
për ty jam lutur si hyjni.

Se je kujtimi më i bukur
dhe vijë drejt teje gjeraqin,
ashtu si rend tek ndonjë flutur,
që flatrat rreh përmbi lëndin. 

Qiell i vranët, ditë me shi,
pishat vështrojnë plot mister,
e ndjej se syri yt i zi,
prap në mëkate do më shtjer!

 
ZHGENJIM

I desha njerëzit me gjithë shpirt,
besova tek ata padyshuar,
shije të hidhur më lanë mjerisht
dhe diçka tjetër kam kuptuar.

Sinqeriteti përdhoset shpesh,
ty të përndjekin porsi negër,
atë që gjer dje të desh,
nesër e ke armik të egër!

Kështu ndodhi me ty sot,
dyshim kur hodhe papërtuar,
më the “ I shtirë”, pa asnjë lot,
me fjalët thikë, tehëverbuar.

Ç’na mbet tani për të kujtuar,
nga miqësia jonë e vjetër?
si tokë e djegur e harruar,
rreshta të fshirë përmbi letër.

  
MOS LUAJ ME FJALET

Me kaq miqësia mori fund,
më the një çast keqkuptimi,
po ta pranoj ndarjen nuk mund,
s’rroj dot me ngasjen e një dyshimi.

Në jetën time hyre si fllad,
dikur papritur, rastësisht,
gjelbërimin solle në mes dimrit,
dhe zogjtë, dhe gas natyrisht.

U ndjeva mirë pranë teje,
si kurrë më parë në jetën time,
nuk di për ty se çfarë ndjeje,
por dehur isha në ëndërrime.

Gjithçka mes nesh qe aq e çiltër,
e ngrohtë e dashur, njerëzore,
fjalët s’kaluam nëpër filtër,
hamëndjeve, epsheve djallëzore.

Nga miqësia, fjala jote e nderit,
shpresash mbushur, u bëra det,
ja rroka ngjyrat ylberit,
sojli, i shquar si poet.

Ta dish po ike më s’do shkruaj,
Në jetën time asnjë varg,
Imazhin tënd ëndrrash do gjuaj,
Me sytë nga rruga diku larg.

Je bërë ti pjesë e pandarë,
kësaj zemrës sime porsi gjaku,
pak kohë të shkoj pa të parë,
druaj se do më resht tiktaku.

Prandaj mos luaj ti me fjalët,
mos më braktis në këtë orë,
dënimin soje po e shpallët,
ngulma edhe thikën në kraharor.

Shpjermë në varr me ato duar,
mbulomë me dheun shafran
dhe asnjë shenjë për të treguar,
ç’ngjau mes natës së errët, katran.

Si princërit e Egjiptit mbetur në vegime,
që na flasin nga lashtësia,
do gjejnë dikur edhe mumjen time,
që e krijoi ëndrra, dashuria.

Kur arkivolin ta shpërthejnë,
do mbeten shtangur prej hutimit,
fytyra jote do shkëlqejë,
në sytë e mi si armë e krimit.


KJO MBREMJE S’ESHTE SI TE TJERAT

Kjo mbrëmje për mua s’është si të tjerat,
as hëna,as yjet kupës qiellore,
kaq qartë e shkoqur s’ja kam njohur vlerat,
kohës që ka rrjedhur për mua mizore.

Në dritare rri dhe mendoj për ty,
si i dehur jam nga çasti që pres,
do t’i ndesh prap ballin, ata sy,
 dridhem në ekstazë, kam frikë se mos vdes.

Nuk kam gjumë sonte, si një i dënuar,
pas vitesh të gjata mbyllur në qeli,
vjen më në fund ora e bekuar,
kur pas lë zinxhirët dhe del në liri.

Kur të zbardh agimi me dritë përpuri
dhe mjergulla e bardhë të jetë larguar,
tek vendi i vjetër mbi po atë rras guri,
do më gjesh të ulur si murg të rrëgjuar.

Se kuptoj ç’të shtyu të vish t’më takosh,
këtë zemër të mjer ta mbushësh me gas,
por dua ta dish, do më lumturosh,
s’do rri të qortoj, s’do rri të përflas.

Unë kurrë su martova, kështu qe e shkruar,
ti tjetër fat zgjodhe, një tjetër ashik,
në ta lyp nevoja, të pata premtuar,
trokit derës sime, ashtu si një mik.

Sa gjatë kam rrojtur me mallin në gji,
zemrës dënim të rreptë i dhashë në ndonjë rast,
turp e ndot më vjen ta kujtoj tani,
por jeta ja vleka, qoftë edhe për një çast.

Kjo botë virane qënka plot siklete,
por shpresa, besimi s’fiken asnjëherë,
ca fatin kërkojnë në të tjera dete
dhe për ta vuajn e treten të tjerë.

Me ç’duket prap në vorbull mbeta,
të mendimeve të mykura që kërkojnë shpagim,
por zemra mike, të thotë tungjatjeta,
pra mirardhsh shpirt në limanin tim!


IMAZH ENDRRE

Ti krejt papritur i trazove ,
ujërat e mia të fjetura, të qeta,
një shpirt të ri tek mua zgjove,
në rrjetën e pasionit, peshk i gjorë mbeta.

Rrëfimi rrjedh meje aq natyrshëm,
si loti faqeve shket nganjëherë,
megjithëse fatet tona të ndryshëm,
i lumtur ndihem dhe pse skllav i mjerë.

Në ëndërr të putha me sy e me buzë
dhe ndjeva tëndin parfum, ëmbëlsi,
nga zemërimi ti e ndezur shpuzë,
të lidhur më shpure larg në burg të zi.

Tani as dritën e diellit se shoh,
as yjet si dallojnë sytë e mi,
thellë brenda meje një shpresë më ngroh,
një lutje të bëj me përulësi.

Lërmë të pijë caz nga yti burim,
të shuaj etjen në buzët mastiç,
pastaj le të vdes pa breng, pa pendim,
degdisëm po deshe në ferr si një hiç!

   
PER MARREZINE ME FUND

Pranvera shkoi edhe për sivjet,
pas vjeshtës, dimri në portë troket,
s’do mbetet pemëve as syth, as flet,
pa zogjtë do duken murgjër të shkret.

Do mardhin rrugët, do ngrijë pas portash,
qielli i plumbtë përmbi çati,
do na godas me rrufe sqotash,
çdo gjurmë tënden, timen do fshij.

Se u tregove zëmërgurë,
ja mbylle shtigjet dashuris,
ditët që shkuan s’do kthehen kurrë
dhe s’do i dhimbsesh njerëzis.

Po le të vuajm fare pa shkak,
për marrëzinë që na pushtoi,
ta pimë me fund gotën farmak,
se ndoshta vdekja do t’na bashkoi!


Ç’E DO BUKURINE

Një lule e bukur kopshtit përrallor,
petale stolisur, plot ngjyra praruar,
…Dorë s’do më këpus, për buqetë kurorë!
Kështu vetvetes i qe betuar.

Mendim të lartë çapkënia kishte,
lirinë e vlerësonte të shtrenjtë përherë,
si soj kapriçioz luleje që ishte,
shkoi e u rras tinës në një ferrë.

Por ditët kaluan dhe mbeti e mjerë,
u lig, e u fishk pa parë rreze dielli,
dhe ferrës ju rënd, e nxor menjëherë,
në udhë të madhe, kur i nxirë ish’ qielli.

E rrahën shtërngatat, sqotat gjëmëtare,
vorbullave shkumëzuese mend u mbyt,
kuptoi se s’ish tjetër veçse vdekatare,
kërrkush se ndihmonte e s’ja hidhte sytë.

Ç’e do bukurinë, stoli pa vlerë,
syrit tim moj vash, bën bisht t’i shfaqesh;
..si gur diamanti i groposur thellë,
shpatesh të thepisur, skllav ndërmjet dy faqesh!

              
ANTRAKTIDE

Tek ty kisha ngecur si peshku në rrjetë,
sevdaja mendjen ma bëri ujem,
mendoja sëbashku ta çonim këtë jetë,
por ditët e lume mi ktheve verem.

Se kuptova kurrë ç’fshihte zemra jote,
qeshje pa shkak, grindeshe pa shkak;
mjaft të përgjërohesha, fiqirit më lojte,
zemra e pafajshme kaq shpesh mu përgjak.

Një ditë lidhjes tonë i erdhi fundi,
kujtimet për ty kanë zë të treten,
të thatat gjethe, vjeshta pemës shkundi,
o vajzë mëkatare, që deshe veç veten.

Në dorë e kishe t’më bëje të lumtur,
t’ma mbushje jetën me ëndrra plot dritë,
s’di se ç’djall në shpirt keqas të qe futur,
dymbëdhjetë muaj viti ishe Antraktidë!

 
HISTORIA E DY DJEMEVE

Dy djem të vegjël pak të hutuar,
në klas të dytë të dy,
paketat mbajnë në duar,
kapelat përmbi sy.

Vrapojnë në rrugë e nëpër bare,
klientëve që dëfrejnë,
t’u shesin sa më shumë cigare,
me zell u shërbejnë.

.. Paketa zotërinj të nderuar,
nga marka më e mirë!
Plot temena, të  papërtuar,
me zë plot ëmbëlsirë.

Dhe kur dikush zë i thërret,
të blej diçka kërkon,
gazi fytyrave u zbret,
zemrat u fërgëllojn.

Dhe rendin rrugës së pasosur,
qytetit skaj më skaj,
fytyrat djersitur, pluhurosur,
me shprehje të pafaj.

Monedhat njëri numëron, 
mes dhëmbësh belbëzon,
dhe semaforin me të kuqe,
aspak nuk e shikon.

Sapo vë këmbën mbi asfalt,
makina e rrëmben,
si gjethe vjeshte e vërtit lart,
nën rrota prap e kthen.

Dhe klithma e shokut në anën tjetër,
çan ajrin si shigjet,
dhe mbetet si refren i vjetër,
një kënge pa poet.

Kthehet vonë i dëshpëruar,
shtëpizës nën terr,
si zog i vogël i hutuar,
plagosur, krahëprer.

E di se sonte s’mund të flej,
s’do vër në goj ushqim,
lotë pa fund do rrëkëllej,
gjeri në agim.

U ndezën dritat në qytet,
njerëz, makina derdhen me rropam,
dhe zëri i hoxhës nga minaret,
fal lutjen për aksham…


SI MUND TA DI

Mos vallë është krim të dashurosh…
kush thotë se dashuria njihka kufi?
Këtë nuk mundesh që ta kuptosh,
apo bën gjoja, se di?!

Si mund ta di ç’ndodhi me mua,
pse desha ty e jo një tjetër?!
Dot nuk ta them dhe po të dua,
jo më me fjalë, por as me letër.

Sa gjëra s’dimë, mendja si rrok,
që veç i ndjejmë, s’kemi përgjigje,
në past thënë fati mos qofshim tok,
do mbesim larg porsi dy brigje.

Që veç uji i rreh me sqotë,
me shkulme shuplaksh zemërimi;
.. O ju të çmendur, sikur na thotë,
për ju s’është jeta, por harrimi!


LUTJE

Bukuria jote si kamë e mprehtë,
më ngulet thellë gjer në ije,
më digjet prush balli i nxehtë, 
s’gjej paqe natës që po bie.

Ndërsa minutat shkojnë e s’reshtin,
këmbana e dëshpërimit zë troket,
akrepat e zemrës, duket po heshtin,
kërkëllinë mbytur si kollë që nget.

Kërkon marrokja që t’i falet,
të lutet do, sa nuk është vonë,
xhelates që s’di të ndalet,
në gjunjë i bie porsi ikonë.

Gjersa s’ma shfaqe dashurin
dhe fati im kurrë nuk qe,
aty mbi varrin ku mugullin,
më hidh sëpaku një dorë dhe!

    
MBI SHKEMB TE DHIMBJES

Nëse mendon se jam fajtor,
për ç’ka s’të ecën mbar në jetë,
ma thuaj ballazi pa zor,
mos bluaj veten me pa të drejtë.

S’ma merrte mendja për asnjë çast,
kaq pak besim të më blatoje,
por ja, u desh vetëm një rast,
prej zemrës tënde t’më largoje.

Por gjithsesi jam fatlum
dhe humbja paska ngushëllim,
që vreri yt si dallgë me shkum,
s’më qorrollisi shtigjesh pa kthim.

Ca kohë kam qënë i mërzitur,
nuk mundem që ta fsheh,
por tash mbi shkëmb të dhimbjes sime,
jam ngritur si Ante!


S’DI SE Ç’KAM

Kam ftohtë, drithërimat s’kanë të sosur,
mërzia ka pllakosur, gur i rënd,
këtë çast më duket jam marrosur,
pëshpëris përeshtur emrin tënd.

Me lot të thekshëm, psherëtima,
si i përhumbur brengës pa kufi, 
përsillen vorbujfjalësh, oshëtima,
dhembjethikash shpojnë llahtari.

Ti ike larg në dhe të huaj,
unë këtu mbeta si jetim,
fjalë shfajësimi të lutem mos thuaj,
mos më trazo soje, prap me pikëllim.

Po t’më kishe dashur sado pak,
po të qeshë dhimbsur si njeri,
me helm të ndarjes s’do më hidhje lak,
bashkë do përballnim dallgë dhe stuhi.

Kam dhe s’di se ç’kam i shkreti,
dimri shirrëmbyer rrugët po i lag,
më kot kthimin tënd pres me sytë nga deti,
ëndrrat edhe shpresat, ngrinë heje në prag!


PARAJSA 

Një tis lotësh në sy të pashë,
ta lan vështrimin, i dhanë shkëlqim,
si brënda thellë një pusi rashë,
çdo zhurmë u shua në një grim.

Veç një mendim me vetëtiti,
ndriçoi çdo skutë të trurit tim, 
zjarri i buzëve më përzhëliti
dhe më shkaktoi drithërim.

Nga ëndërritja kur u zgjova,
ashtu si dallgës flakur diku;
ç’ishte parajsa e kuptova:
dy buzët mjaltë dhe sytë e tu!


JETO JETEN TENDE

Në qerthull të hamëndjeve, mbetur në hall,
si peshku në gjol, ngecur në rrjetë,
ditët më të bukura i shpie në djall,
shfryn e psherëtin, vetmuar, e shkretë.

Çdo gjë të duket e zezë, e pështirë,
besimi tretet si në muzg drita,
portreti statuj të kthehet i ngrirë,
dhe ndjenjat përgjak në të egrat prita.

Humb sensin e kohës, qëllimin në jetë,
mes ankthesh përfshirë, si dallgësh përmbytur,
ajo që gjer dje tu duk e lehtë,
mallkim i së nesërmes, nga djalli i cytur.

Pse erdha në botë, i thua vetvetes,
në vesh e në tru godet si çekan,
s’çlirohesh dot nga pezmi i urrejtjes
dhe lotët si breshër të sosur s’të kanë.

Kështu është gatuar kjo botë vrastare,
me dukje të shtira, hipokrizi pa fund,
të djeg, përvëlon me të fjalëve zjarre,
pastaj të përplas honesh ku të mund.

Dëgjoma në mundsh një këshillë miku,
me fjalët pa qibër, me zemër në dorë,
jeto jetën tënde me zjarr ashiku,
po gdhin ditë e re, s’të vjen më kjo orë!

           
POEZI E SHPIRTIT

Të dukem i vobektë, për të qarë hall,
pse kaq fort jam i turbulluar,
se fsheh aspak, s’mundem t’i bëj ball,
ndjenjës që zemrën ma ka përvëluar.

Mos kujto se kjo më ndodh përditë,
nga natyra jam ca i vetmuar,
ruaj brënda vetes mirësitë,
fisnikërinë, aq pak sot të çmuar.

Në s’më do dhe s’të hyj në sy,
mund ta thuash me gojën plot,
s’është e thënë që kur janë dy,
ti zhuris po i njëjti lot.

Po nëse brenga e dashurisë,
fle tek ty e mbyllur në kafaz,
jepi krahë ti, zogut të lirisë,
mos e plas të mbytur me maraz.

Ndoshta se kam mirë, po lajthitem,
siç ta përmënda, kjo s’më ndodh përditë,
nuk kam frikë aspak se po koritem,
poezin për ty e kam thellë në shpirt!


DASHURI A LOJE

Në thellësi të syrit tënd të zi shpesh kridhem,
vështroj aty si në pasqyrë, timin shëmbëllim,
si fëmijë belbacak zë e dridhem,
s’gjej fjalë të them, s’kam guxim.

Kur ti rri e heshtur, e zymtuar,
indifereënte i përgjigjesh shikimit tim,
jam gati të rri në gjunjë i përgjëruar,
të puth këmbë e duar pa përçmim.

Por sapo ti çelesh, buzëqesh,
siç ndërron pas dimrit stina në pranverë,
jam unë ai që maskën e vesh, 
largohem prej teje, bëhem erë.

Dhe prapë rri e mendoj për ty,
me të njëjtin mall të pashuar,
brenga e ndarjes fanitet në sy
dhe ylli i mëngjesit më gjen zgjuar.

Ç’dreq ndjenje është kjo, se kuptoj,
që më shtyn drejt teje me rrëmbim,
dashuria, shenjtëri apo lojë,
torturë të jetë, a’ adhurim?!

Egoizmit, marrëzisë i lëm pushtet,
shpirtrave tanë të brishtë u hapim plagë,
dashuria është e kthjellët porsi det,
shkatrrimtare janë të sajat dallgë.

Të vërtetat që vetëm vetes ja pohojmë,
na kthehen vargonj, mallkim në k’të jetë, 
si varre të hapur,  të çarash kullojnë,
foshnja që i lindim dhe i vrasim vetë!

       
XHELOZ U BERA

Xheloz padashur u bëra,
kur kuptova, s’qe fati im,
përgjakur ndjenjat të tëra,
u mbusha me vrerë, pikëllim.

Por veten e mblodha shpejt,
“ i marrë”, pëshpëriti një zë,
mbi të s’ke asnjë të drejtë,
premtime dhe puthje asgjë.

Pranova fajin në heshtje,
vështrimin e hoqa me vrik,
në zemër për ty s’kam urrejtje,
por s’mund të të jem më, as mik.

Vazhdo ti pra rrugën tënde,
uroj të gjesh lumturinë,
si breng këtë çast mu gjënde,
një thikë e ngulur në shpinë.

Unë s’munda të them sa të dua,
ngurrova, s’qesh i zoti, nuk di…
Por tjetri papritur u zgjua,
kurorën rrëmbeu ai.

Dhe gotën tani po bën toka,
me mikun e ri përkarshi,
të mundja të shkulja nga koka,
u zhduka rrebeshit nën shi.

Dalldisja si vera më kapi
dhe dita dalngadal po venitet,
portreti yt çap pas çapi,
si balta opingave, s’më shqitet.

  
TABLO E ZYMTE VJESHTE

Erë e ngrohtë vjeshte fryn mbi qytet, 
dielli shkëlqen qiellit blu,
mëngjesi duket kaq i qetë,
një këngë ndihet aty, këtu.

Në rrugë shkojnë njerëz e makina,
me gumëzhima, në kor si blet,
dyqane, pabe, çelur vitrina,
presin klientët porsi det.

Është ditë feste, ditë ramazani
dhe besimtarët shkojnë në xhami,
namazin falë myslymani,
mban agjërim në shtëpi.

Diku më tutje në trotuar,
dy vocërrak përmbys janë shtrir,
dhe sytë pa jetë nga lotët tharë,
hije trishtimi i kanë përpir.

Fëmijë pa shpresa, pa fëmini,
zogj rënë foles, krahëprer,
kërkojnë mëshirë me përvujtni,
kurrë s’njohën gas, kësaj jete vrer.

Por edhe mëshira paqe nuk sjell,
nga varfëria që s’ka të sosur,
si akull dimrit në një shpell,
çdo ndjenj bujare ka vulosur.

Ca gjethe era u shkund mbi krye,
vozisin flutura plot merak,
veç pema duket u mallëngjye
dhe vogëlushëve u shtroi jatak.

Kaluan orët, kaloi mesdita,
muzgu shtrin krahët, reshti rrëmuja,
dy vocërrakët mbetur tek sheshi,
të palëvizur porsi statuja.

LAMTUMIRE

Flllad i ngrohtë, ca re enden qiellit,
rrjeta merimangash të përhime,
zogjtë po këndojnë, kryet tundin pemët,
kërkojnë të zbulojnë brengën, dhimbjen time.

Larg atje pas maleve, detit të paskajshëm,
dielli tani perëndon përflakur,
i lodhur, drobitur dergjet i përvajshëm,
nga plagët e mia që kullojnë hapur.

Mbi kreshta dallgësh dëshpërimi,
mbërthyer mbeta si mbi maja heshtash,
tradhëtia më shpie në brigje harrimi,
flakur tutje gjolesh, si gjethet vjeshtash.

S’di se ç’na dënoj pranë e pranë të jemi,
të shihemi vëngër, i rëndë ky mallkim!
..Por tani është vonë, lamtumirë të themi,
Fatet, silueta në rrugët pa kthim.

          
POETI I VJETER

Në periferi shpesh e keni parë,
poetin e vjetër Baki,
me sy të pagjumë, të vrarë,
tek kafen i heshtur e pi.

Plot rrudha mendimi mbi ballë,
dy dhëmbë në gojë i kanë mbetur,
veç muza mikesh, e mban gjallë
dhe kthinëzën e thjeshtë ia ka gjetur.

Kostumin e zi të dalë boje,
ia strepsi, ia treti veriu,
por vargjet e ëmbla si hoje,
zili do t’ja kishte Sadiu.

Të thjeshtë, të urtë gjer në dhembje,
e preu natyra gjeniun,
poeti mike i ka 
dhe diellin, dhe erën, dhe shiun.

Shpesh thotë me të qeshur çapkëne,
se vargjet si kanë të sharë,
erë fushe kanë brënda, dritë hëne,
me fjalë të stolisura si ar.

Sekush mbi këtë botë të bekuar,
lë gjurmën e tij pa dyshim,
unë vargje për ju kam kënduar,
si pjesë të këtij shpirtit tim.

         
BEFAS VJEN TI

Retë e zemërimit shpesh mblidhen,
qiellin e zemrës ma pushtojnë,
kapërthehen, grinden si shtrigat,
me ndjenjat, në gjakun lodrojnë.
 
Dhe ndihem i mjerë, i pafat,
më duket bota e nxirë,
as dielli s’më ngroh atje lart
dhe hëna, dhe yjet janë fshirë.

Armiq më bëhen të tërë
dhe shpinën u kthej me furi,
asgjë pezmin tim s’mund ta nxërë,
një tmerr i pafund, lemeri.

Dhe mbyllem në kullën fildish,
të vetmisë sime marroke,
as zhurma e ditës s’më grish,
buzëqeshja e saj çamarroke.

Po ja, befas vjen ti,
e thjeshtë, plot nur e gazmend,
me fjalën e ëmbël magji,
më deh, më josh e më çmend.

Vallë ç’forcë, ç’mister fshehin ato sy,
buzëqeshja fjollë dëbore?
Hedh hapat që brenda të hyj,
magjepsem nga drita hyjnore.

Më kthen ti sërish tek jeta,
me duart rreth qafës pushtuar,
mëkon mjalt të ëmbël si bleta,
mbi plagët e shpirtit të shuar.

Nga hiri m tij mu në fund,
një lule të bukur stolis,
një tjetër ëndërr përkund,
kësaj dite të re që po nis.

           
DUA JETEN

Hiqem se s’të dua, hiqesh se s’më do,
po çdo gjurmë jo, s’mund ta fshijmë dot,
një tis kuqëlimi na i ndez fytyrat,
qerpikët dhe buzët ç’na dridhen, o zot!

Se nuk kemi fjalë dhe portat i mbyllim,
me akull të zërit, gjykimit mjeran,
pastaj për ç’ka ndjejmë vuajm gjithë jetën
dhe për brengat tona nuk gjejmë dot liman.

Është herezi të shkosh kundra rrjedhës,
lumit të nëndheshëm që thellë nesh buron,
ëndrrat të braktisësh në mëshirë të erës
dhe të mbetesh peng, skllav në Babilon.

Që qiellit të blujtë, mëndafsh shamie,
në natën verore që parajs përngjan,
me të tuat trille ta mbytësh anijen,
me hënë e me yje thellë në oqean.

Sepse dua jetën, lulet edhe pyllin,
i shkelmoj pa droje, nder edhe moral,
dua edhe vashën, të bukurën si ylli,
ndaj rend si i çartur dhe vrullin se ndal.


NJE DITE

Përpiqu trupin tënd të njohësh,
ta respektosh porsi një mik,
me teka, fjalë të mos e lodhësh,
në zemër të mos i ngulësh thik.

Virgjëria s’është mburojë, dihet,
dhe as kafaz i artë lirie,
portë pas së cilës fshihet,
një det pekulesh lumturie.

Me gjak, me eshtra e dëshira,
trupin tonë zoti e gatoi,
dhe joshjen, epshin, fshehtësira,
si llavë të nxehtë u dhuroi.

Që në kulm të dëshpërimit,
kur dallgët mal të na pushtojnë,
ti lëmë pas ahet e çfrimit,
të qeshim prap e të këndojmë.

Mëkati shpesh është i sinqertë,
virtyti - egoizëm, shtirja,
lakmohet dendur një pyll i blertë,
por brënda fshihen dhe egërsira.

Një ditë kur të jesh kthjelluar,
do ulërasësh me llahtari,
freskia, vitet do të kenë shkuar,
pendimi helm e burg i zi.

GJER KUR?

Përpëlitem shtratit merakosur,
kjo dhomë pa ty më ngjan varr,
s’gjen prehje shpirti i vrerosur,
ofshamat, brengat më kanë vrar.

Qielli që nxin horizontin,
dimri që fryn me thëllim,
rrufe, shkrepëtim ka lotin,
shiun majëgjilpërë qortim

Që dikur në moshë miturishte,
për mua kur digjeshe si flak,
një tjetër ndjenjë më grishte, 
s’më prekën lotët e tua aspak.

S’di gjer kur kështu do vuaj,
do endem nëpër botë pa gas;
Gabimin gjithkush do paguaj,
mallkimin e fatit ka pas!

       
FSHIJI LOTET

Tu përlotën sytë e bukur,
pamja rreth e mjergulluar,
por ti prap je si flutur,
hënë në qiellin e trazuar.

Sa do doja t’i thëthija, 
ato lotë qelibar,
verën, mjaltin do ta lija,
kupës gjithë veshur me ar.

Mbaji lotët mike ti,
mos dëgjo se ç’thotë dynjaja,
buzëqeshu përsëri,
si shkrep dielli përmbi maja.

Se kur ti je e gëzuar,
në mes dimrit me thëllim,
çelin lulet, kthehen zogjtë,
nga i largëti shtegëtim.

Sepse vetë i madhi zot,
të krijoi perëndesh,
ndaj fshiji ato lot,
zemrës time mbretëresh!

      
SI KRISHTI VUAJ

Sa herë që ha, sa herë që pi,
brënda në dhomë, a’ kur jam jashtë,
më shfaqesh para si hajmali,
rrëshqet mes gishtash, perde e mëndafshtë.

I ndarë dy pjesësh trup e zemër,
ndihem braktisur, kufom e shkret,
si një njeri i paemër,
një pyll i djegur, pa zogj, pa flet.

Si krishti vuaj, prej marrëzis,
pa asnjë faj, si djall, si xhind,
por edhe në vdeksha prej dashurisë,
një ditë prej saj prap do rilind!

                  
FLI

E di, tani ti po fle shkujdesur,
mesnatë e shurdhër, errësirë pa skaj,
ëndrrash mashtruese spirancën ke hedhur,
ndjehesh perëndi, ëngjëll e pafaj.

Oh këta sytë e tu, buza që më pat’ çmënd,
me heshtjen akull gëzimin ma bjerr,
vullkan zhuritës shpërthen shpirtit tënd,
fshin çdo gjë të bukur me fjalët zeherr.

Se për ty unë thjesht, do mbetesha mik,
s’mund të jem asgjë më shumë se kaq;
gjersa mbërriti puna sot në këtë pikë,
lërmë mendimin tim hapur të ta shfaq.

Të dua, se mohoj, gjithmonë të kam dashur,
këtë të vërtetë fort mirë e di,
nga paret ndoshta s’kam qënë kurrë i pasur,
por kam shpirt të butë, të ndjeshëm, flori.

Sa ëndrra, plane thurur kam për ty,
i jam lutur zotit, falur, përgjëruar,
heshtën përvëluar thellë ma ngul në sy
dhe prap provokove lotët e mallkuar.

Po ç’rëndësi kanë këto tani,
ç’ishte për tu prishur, u bë për dreq,
kjo zemër kësaj nate tretet si qiri,
vështron pas dritares, vuan edhe heq.

Orët po kalojnë, qielli ngjyrë gri,
zu të freskojë, mëngjesi afron,
rrebeshi trand tokën, ulërin stuhi,
bashkë me gjethe pemësh dhe dhembjet qëmton.

E di, tani ti po fle shkujdesur
dhe ndoshta qerpiku s’të dridhet asfare,
dua të harroj, si ëndërr të keqe,
ndaj fli, mos kij dert, fli o mëkatare!

            
PERJETESI

Balli i gjerë, flokët gufmuar,
që hijeshojnë kokën krenare
dhe sytë e mëdhenj shpesh të menduar,
buzët e trasha ku digjen zjarre…

Shtati i plotë si në bronx derdhur,
që fsheh sekrete, aromë shpërndan,
hapi i lehtë në të hedhur,
me ato naze porsi zanë…

Në kokë më ranë si alkoli
dhe jam bërë soje kaq pijanik,
veç pëshpëris, qaj, lumturohem,
Si ca pishtarë që ndez e fik.

Nuk di aspak si do më vejë halli,
në do ta tresë brengën që mbaj,
apo si qyq për së gjalli,
do endem mbytur në lot e vaj.

Porse një gjë e kam të qartë
dhe për këtë nuk kam dyshime,
gjithmonë do mbetesh pasion i zjarrtë,
ti helm e gas i zemrës sime!

             
SI NDODHI

Ç’histori qe kjo e jona,
                          ëndërr, a vegim?
Ku gabuam? Kush foli i pari?
Krenaria apo egoizmi nuk na lejoi
që gjërat t’i shihnim më qartë
dhe njëri tjetrit t’i shtrinim
                            të pajtimit dorë?
…Ç’arsye madhore, ç’motive,
                                 ç’gjasa na penguan?
Dhe më së fundi, a ka ndonjë element
që ta përligj shkatërrimin e lumturisë?!
… Sidoqoftë tani ti je larg, larg…
Vetëm me sytë e imagjinatës e shquaj
portretin tënd si prej qumështi,
si prej shkume, mes lotësh.
Më mungon aq shumë,
sa dot s’ta shpreh me fjalë.
Po të më shikoje këto çaste
                                 kaq të mjerë,
të përvuajtur, të tronditur,
me siguri do të qeshje,
do lumturoheshe
dhe me një ndjenjë triumfi femëror,
si në ekstaz do të thërrisje:
“ E pe, e pe! Më kot u mburre,
                                   u trimërove duke thënë,
se s’doje t’ja dije për mua,
se mund të gjeje një tjetër,
njëqind herë më të mirë,
                                    më të bukur se sa unë!
Tani bjeri kokës me grushta po deshe;
fati yt s’kam qënë,
e kurrë s’kam për të qënë,
                                    në jetë të jetëve!
… Akrepat e dashurisë ngrinë
si heje akulli në faqet e një shpelle, 
                                     dimrit të acartë.
Fusha mbeti memece,
                                 e shkretë;
Festa u prish…
Me sytë horizontit,
                            shoh diellin e përskuqur
si shpend i plagosur,
që grahmat e fundit të jetës po qet.
… Harrimi projektoi
                           hijet e trishta të muzgut.
Në zgrip të heshtjes,
                               dëshpërimit,
qëndroj i nemitur
                           në çastin e mbramë;
Karvanet e lotëve,
                       psherëtimave, ofshamave,
 zinxhirë të rëndë,
                           të ndryshkur mallkimi,
që pas duhet t’i tërheq
                      gjithë jetën time,
                                     me rropamë!
             
               
SINQERITET

Shamë më mirë,
                    thuam je i poshtër,
                                           i paburrëri;
Përbuzëm, urremë,
                           goditëm, premë,
por shprehu me fjalë.
Mos më lër në udhëkryqin
                             e heshtjes,
                                          vetmisë,
dhe aq lart vetullat,
                     si harqe shigjetash,
                                         Mos i ngri!
Rrëketë e zemërimit,
             që të shpërthejnë,
                                nga sytë kratere,
po më djegin në thellësi,
                                      po më cfilisin;
ma ftohën kurajon, 
                                shpresën,
si akull i trash mu në prag,
ku thyejn qafën 
                       gjithë ëndërrimet e mia.
Po qe se ke vendosur të hakmerresh,
të shpaguhesh,
për një fjalë të pafajshme,
                       një buzëqeshje,
                                             a një gjest,
dhe të më hedhësh nokaut
                                 në detin e harrimit,
Kënaqu!
              Ja ke arritur qëllimit!
… Jam i dërmuar,
                           i lodhur,
                                        i çarmatosur,
nga kjo luftë e stërgjatur,
                         e ftohtë,
                                       pa kuptim.
… Thirr me zë të lart,
                               triumfatore për të fundit herë:
 
FITOVA!

Qesh, nënqesh,
                        përqesh,
                                      pastaj shko po deshe.
Lërmë të vuaj në hallin tim!
… Vjeshta le të bëj punën e vet,
ta mbushi rrugën tonë
                        me gjethe të verdha zhgënjimi.
S’qaj aq për fatin tim;
                                      Ç’u bë më s’bëhet!
Zemra dhe pse e brishtë,
                                       e butë,
është gatuar të përballë,
                           hobet e urrejtjeve,
                                         disfatave kobëtare.
Por një pyetje
edhe sot e kësaj dite më mundon,
                          të qartë asfare se kam:
… Mike, kur u deshëm kaq shumë,
si ndodhi, që ne të dy,
                 Papritur, e marrëzisht u ndam?!

          
UNE DHE TI

Më kot përpiqesh të më fshihesh.
Ato vetulla,
               të ngritura si harqe ylberi,
sytë e mëdhenj
  me një shprehje në bebëza,
                                 akulli dhe vreri,
s’mund ta ndalin,
                     vrullin e zemrës,
                                      shtërngatë.
Në kuqëlimin e fytyrës
                        të shfaqet dëshira.
Ç’qënka kaq e shenjtë,
                                  e paprekshme,
që ti kërkon t’i qëndrosh besnike?
… Asgjë në këtë botë,
                           s’është absolute,
Dhe ne vetë,
                        jemi të vdekshëm!
Betimet,
              përgjërimet,
                                    mallkimet,
s’janë,
           veçse ca piketa të rreme,
hije të dridhshme,
             të shpirtit tonë bredharak.
Mendimet,
                ndryshojnë formë
                                      kaq shpesh,
sa vështirë,
                      t’ua dallosh imazhet!
Arsyeja,
                 grindet,
                               Me mosarsyen,
Me ndjenjën,
                       instiktin shtazarak.
Kjo,
       është kaq e vjetër,
                   kaq e trashëgueshme.
Unë dhe ti,
              si një varkë e çarë,
në mes të oqeanit me suferinë,
kryqëzuar,
               me hijet e natës
dhe me një mal
               pikëpyetjesh mbi shpinë!

         
KATAKLIZMO

Shihemi shpesh me njëri tjetrin.
Salutohemi në mëngjes,
salutohemi në drek,
salutohemi në mbrëmje.
Në heshtje 
            përgojohemi,
                        shahemi,
                                  urrehemi!
E keqja na ka lidhur
                          duar e këmbë!
Sëmundjet,
                     tufanet,
                                    tërmetet,
S’janë asgjë,
            përpara zbehjes,
                   venitjes së dashurisë!
Kataklizmoja botës,
                    Do t’i vij
                                nga vet njeriu!
Sa më lart ngjitemi,
aq më tepër 
                duket se humbasim
                                    Pesh e nder.
Këtë,
  vetëm një i marrë se kupton!
Kur të kemi mbërritur zenitin,
                              kufirin e ëndrrave,
ndoshta do të prekim
                              edhe fundin tonë!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora