E diele, 28.04.2024, 07:32 PM (GMT+1)

Mendime

Mërgim Korça: Qytetit të Korçës

E enjte, 04.03.2010, 10:59 PM


Limontía e  opinionit korçar si edhe  thika pas shpine ...

Qytetit të Korçës

Shkruar nga:  Mërgim Korça

Vetë mbiemri im, rrënjët e mia korçare, më detyrojnë të shkruaj.  
Do të doja të ulëríja, po nuk kam më zë.  Ç’më shtyn që t’ulëria ?   Indinjata, rebelimi shpirtëror, pafuqia  e ime !  E kush e çan kokën për to ?  
Megjithatë po ulem e së paku ... po shkruaj.  E bëj këtë me shpresën se kësisoji, në mos tjetër, më duket sikur e laj ndërgjegjen time duke mos qëndruar  i mpitë, i mefshët, miratues në heshtje para një krimi qytetar !
I lutem lexuesit të ketë durim e të ma falë edhe një përanësim e pastaj hyjmë drejt’e në temë.  Duke e patur fatin e madh t’a kem njohur, ndjekur si edhe të jem miqësuar për vite me radhë me mendimtarin e shquar të bektashizmës shqiptare, Baba Rexhebin, dua t’ua bëj me dije sa më shumë njerëzve një pohim të Tijin sa të posaçëm e gjithashtu edhe kuptimplotë.  Baba Rexhebi thosh edhe përsëriste sa her’i vinte rasti :  E keqja m’e madhe e njerëzimit, prej së cilës do t’i vij’edhe fundi, është E G O I Z M I !  
E lexova me një vëmëndje të posaçme shkrimin gjithë shqetësim si edhe mllef të zotit Lekë Tasi me titull “Një atentat që i bëhet trashëgimisë”.   Për autorin e shkrimit, me të cilin njihem që në rininë time të herëshme, ruaj një konsideratë të veçantë.  E theksoj këtë fakt se nuk është kjo arësyeja e cila më shtyn t’a vlerësoj lart shkrimin e tij, por shqetësimi qytetar si edhe trishtimi që ai ndjen lidhur me përçapjet që po bëhen për t’a bërë gjoja me ndërtime bashkëkohore pikërisht  qendrën e qytetit të Korçës ku “Lulishtja Themistokli Gërmenji” si edhe “Biblioteka Turtulli”, janë simbole të së kaluarës tonë historike sa atdhedashëse deri në vetmohim e po aq edhe  bamirëse !   Nuk ka as pllakata përkujtimore e as tituj nderi administrativë të cilët t’i vlerësojnë më lart emrat e  atdhetarit luftëtar Themistokli Gërmenji, (q’e pushkatuan forcat franceze mbështetëse të andartëve grekë), si edhe të atdhetarit bamirës Thoma Turtulli.  Nderimi ndaj tyre u tregua dhe u ruajt lart për dhjetravjeçarë nga vetë populli korçar !  E sot kur ai egoizëm, që aq sakt’e përcaktonte i ndjeri Baba Rexheb, u a ka lidhur sytë njerëzve edhe e shkëmbejnë interesin e tyre duke shkelur mbi norma të cilat populli korçar i kish të trashëguara që nga mesi i shekullit të XIX-të kur qyteti numëronte mbi dhjetëmijë banorë, mua më lind e drejta të pyes :  Pse kjo limontí e opinionit publik korçar?  Pse kjo  moskokëçarje kur u përdhunohet qyteti? 
Me mëndjen time e shikoj qendrën e Korçës ku thuajse janë duke u përgatitur të hidhen themelet e pilotave të betontë ku dy të parët do t’ia nxjerrin sytë qytetit e pastaj me radhë e përfytyroj se çdo të bëjnë të tjerët.  
Përgjatë kësaj hullíje ç’pata për të vënë paraprakisht në dukje, i thashë.  Tani e ftoj lexuesin të më ndjekë krejtë fluturimthi në një udhëtim timin të tre viteve të shkuara.  Së bashku me t’ime shoqe zbritëm në aeroportin Schöenefelde të Berlinit ku na prisnin miqtë tanë çifti Luçi edhe Ylli Rusi.  Ata banojnë familjarisht në Berlin e më saktë në njerën prej lagjeve e cila i takonte pjesës perëndimore të Berlinit, kur ky qe i ndarë nga muri famëkeq.  Për të vajtur në shtëpi, djali i tyre e zgjati rrugëtimin me automobil që ne të shijonim sa t’ish e mundur sa më shumë pamje nga qyteti.  Përshtypjet tona si mysafirë qenë befasuese për ne  dhe pothuaj njëkohësisht e fomuluam pyetjen thuajse të njajtë “ ... nuk e prisnim që Berlini të ishte ky që po shohim ... nuk paska ndërtesa të larta këtu ?  Nuk paska rrugë të asfaltuara ?  Ky është vërtet Berlini ?  Ç’ne rrugët e shtruara si dikur Rruga e Dibrës në Tiranë ?  Si ka mundësi që ... Po kjo si bën vakí ... E duke u drejtuar këto pyetje mua jo që më kujtoheshin lajmet e fillim vitit 1945 ku jepeshin komunikata se si përgjatë 24 orëve, pa i a ndarë bombardoheshin qytetet kryesore të Gjermanisë ku nuk mbeti gur mbi gur, e bile duke i përshkuar ato rrugë më dukej se nuk kish se si përputheshin faktet që kujtesa e ime i sillte në sipërfaqe krahasuar me çfarë shikonin sytë tanë !  I vetmi shpjegim pak a shumë logjik qé ... ose të pranoja se mbamëndja ime po më bënte një shaká të pakëndëshme, ose ... po përjetonim, së bashku me t’ime shoqe, një mospërputhje periudhash kohe e pra jashtë realitetit objektiv !  Nga kjo përhumbje më nxorri zëri i djalit të mikut tonë, Wili i cili si ciceron po mundohej të na i shuante jo vetëm kureshtjet tona, por edhe të na e qartësonte realitetin që po përjetonim.  Kësisoji informacioni që morëm na sqaroi se Berlini Perëndimor ishte rindërtuar, me aq sa kishte qen’e mundur, si kopje e saktë e Berlinit të para Luftës II-të Botërore !  Për këtë qenë shfrytëzuar arkiva të ndryshëme, fototeka profesionale e deri albumet me koleksjone fotografike qytetarësh të veçantë. Ndërkaq arritëm edhe te shtëpia e miqve që na kishin ftuar.   Edhe ajo shtëpi nuk bënte hiç përjashtim nga ato të para më parë.  Nga rruga, duke kaluar nëpër një harkatë ndërtese tjetër, zinte fill një kopësht i bukur me pemë ku cicërinin me dhjetra a mos qindra zogj.  E përshkoje kopështin e pastaj gjëndeshe përpara banesës miqve tanë.  Lexoje për anë derës hyrjes përbashkët se shtëpia ishte e ndërtuar në vitin 1926.  E vërtetë kjo, por me një ndryshim të vogël.  Kjo shtëpi ishte rindërtuar mbas viteve 1949-50 sipas origjinalit të shembur nga themelet gjatë luftës !  
Kjo përvoj’e jonë berlineze nuk e mendoja kurrë se do t’i vinte radha jo vetëm të hidhej në letër, por aq më pak edhe të shërbente si një përvojë tejet pozitive e krahasuar me ç’duan të bëjnë me Korçën tonë !  Berlinin e rrafshuar e ringritën gjermanët ... ashtu siç kishte qenë.  Hoqën gërmadhat, i pastruan sheshet e ndërtimit dhe e ringritën Berlinin e tyre !  
Kurse në Korçë synohet të futen buldozierët, pjesë pjesë t’a rrafshojnë, duke filluar me Lulishten Themistokli Gërmenji dhe me Bibliotekën Turtulli.  E cilin shëmbull po marrin ?  Tiranën e mbas viteve 90-të ?  Dikur, para vendosjes diktaturës, gjallëronin paralelisht Tirana si edhe Tirana e Re.  Kjo e dyta shtrihej në drejtimin jugor të së parës.  Por planimetria e saj ishte e përbërë nga ngjizja harmonike e dy studimeve, atij urbanistik si edhe atij arkitektonik.  Cilat shënjat dalluese të dy sistemeve pasues të njeritjetrit ?  Diktatura e shembi Pazarin e Vjetër atë perlë mesjetare aq karakteristike sa edhe artistike në gjinin’e saj, edhe ndërtoi ca ndërtesa stili azerbaixhanas përgjatë Bulevardit drejtë maternitetit si edhe ca pallate, prap stili rus, gjatë Lanës e tek tuk edhe gjetiu.  Por Tirana e Re nuk u shkatërrua.  Kurse me shkërmoqjen e diktaturës, ajo ndjenj’e mbrapsht’e quajtur egoizëm i pakontrolluar as nga shtet e as nga ligje, u shtri edhe e mbërtheu Tiranën si një oktapodh gjigand ku papritmas e  pa u ngrysur, u  gdhinë sipërmarrje ndërtimi të cilat të lidhura si me pranga me ata në dorën e të cilëve u lanë lejet e ndërtimit dhe si çifte vëllezërish siamezë të lidhur sup me sup e transformuan Tiranën në një grumbull ndërtimesh pa kriter ku nuk ka postier të dij’e t’i shpërndajë dërgesat !   
Ky realiteti tiranas, një shëmtí  e pashoqe.  Po në vazhdim ?  Disa nga këta vëllezër siamezë të përçudnuar dhe egoistë në kulm, shëmbullin kryeqytetas duan t’a sjellin edhe në Korçë, dhe Korça hesht.  Pse kjo amullí?  Mos kjo qënka e shkaktuar nga fakti se si duket, fatkeqësisht ... në Korçë nuk banuakan më korçarë të mirëfilltë ?  Kurse unë nuk dua të më braktisë shpresa që edhe të ardhurit në Korçë, gjersa e zgjedhin këtë të fundit si qytetin e tyre, duhet t’a pranojnë ndërgjegjen historike të qytetit  e bashkë me të edhe fytyrën e tij.  Përçudnimet nuk mund të emërtohen ndryshe veçse krime!


(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora