E diele, 28.04.2024, 11:52 AM (GMT+1)

Mendime

Esheref Haxhiu: Shqiptarët e Kosovës, optimista me çdo kusht

E hene, 01.03.2010, 10:55 PM


SHQIPTARËT E KOSOVËS, OPTIMISTA ME ÇDO KUSHT
Shkruan: Esheref Haxhiu

Edhe pse në një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë së skajshme, shqiptarët e Kosovës janë më optimistët. Edhe pse Kosova dhe Shqipëria u përjashtuan nga liberalizimi i vizave, shumica e respondentëve mendojnë se janë të parët në rajon që kanë përkrahje nga BE-ja dhe NATO-ja.
Këto dhe paradokse të tjera u paraqitën nga rezultatet e hulumtimit të “Gallup Ballkan Monitor”, të cilat paraqesin shqiptarët e Kosovës sërish si popullin më optimist në rajon.
 Duke patur parasysh realitetin, kjo do të duhej t’i nxisë kritikët që të nxjerrin shpjegime të reja për optimizmin!  

Në qoftë se optimizmi bazohet në realitet dhe shoqërohet me sjellje praktike për realizimin e aspiratave të caktuara, atëherë ai optimizëm konsiderohet të jetë i shëndoshë dhe mjaft i rëndësishëm, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Mirëpo, në qoftë se  nuk bazohet në realitet dhe nuk shoqërohet me veprimtari konkrete, atëherë nuk do të mund të quhej optimizëm; termi më i përshtatshëm do të ishte iluzion. Iluzion ky i cili vjen si rezultat i futjes në funksion të një sërë mekanizmave mbrojtës psikologjik. Mekanizma këta që kanë për qëllim shtrembërimin e realitetit, për shkak se realiteti kërcënon rehatinë psikologjike të atij personi. 
Deri në një masë, mekanizmat mbrojtës kanë funksion pozitiv. Mirëpo, kur frekuenca dhe intenziteti i përdorimit tyre rritet, ato largojnë njeriun aq shumë nga realiteti sa që rrezikohet seriozisht mirëqenia psikologjike e tij. 
Duke u nisur nga ky kuptim, fakti se 90% e respondetëve të këtij hulumtimi dalin të jenë optimista, nuk do të duhej të merrët si gëzim, por si shqetësim. Shqetësim, sepse ndër tjerash, 60% e të njëjëtve kanë vështirësi të paguajn faturat e shërbimeve publike. Shqetësim sepse pritshmëria tejet e lartë dhe mospërputhja e saj me realitetitn mund të sjell pasoja të padëshirushme. Një pritshmëri e tillë, në kushte të tilla, mund t’i ketë dy zgjidhje: 1. Vazhdimin e ekzistencës saj duke mashtruar vetën, ose 2. Kthimin në realitet. Kjo e dyta do të sillte pasoja të paparashikushme, sepse: nga një shkallë e lartë pritshmërie, kthimi në një realitet të hidhur siç është rasti ynë, në kushtet që realisht jemi, do të rezultonte në një zhgënjim të thellë të popullatës. Ky zhgënjim do të prodhonte një energji të fortë tek njerëzit, kanalizimi i së cilës do të jetë i paparashikueshëm. Thënë më qartë, veprimet e këtyre motiveve do të jenë konstruktive ose destruktive varsisht nga kushtet apo rrethanat që do t’ju ofrohen njerëzve në atë kohë. 
Në këtë pikë, konsideroj se duhet të jemi të kujdesshëm në atë se çfarë kushte jemi duke ju ofruar njerëzve tanë.

Çfarë i shtyen njerëzit tanë të jenë me çdo kusht optimista?
Rezultatet e po të njëjëtit institut, në vitin 2008, nxorrën shqipëtarët e Kosovës si më optimistët. Në qoftë se kthehemi në retrospektivë, do të vërejmë se ishte procesi i shpalljes së pavarsisë ajo që i bënte qytetarët të jenë shumë optimist, duke menduar se të gjitha problemet do të zgjidhen pas këtij momenti. 
Shkalla e lartë e optimizmit është e pranishme edhe sot, mirëpo jo i lidhur me ndonjë proces të tillë siç ishte pavarsia. Sot, ajo më shumë është rezultat i mekanizmave mbrojtës të lartëcekur.

Në rezultatet e këtij hulumtimi, interesante është edhe koncepti i qytetarëve tanë për vendet e BE-së.
Koncepti i shqiptarëve për përendimin ka qenë mbivlersues si në të kaluarën, ashtu edhe sot. Madje madje, sot duket se po shkon duke u rritur edhe më shumë mbivlersimi i tyre. Kjo të bënë të mendosh se tek qytetarët e Kosovës është krijuar dukshëm Miti i BE-së.
Një gjë e tillë po ndodh për disa arsye:
Kapacitetet e larta shumëdimensionale të shtetëve të perëndimit, u japin atyre realisht një karakrter autoriteti. Ndërsa, për shkak të përvojës sonë në të kaluarën, ne jemi  të prirur të mbivlersojmë fuqitë më të mëdha, duke i dhënë një karakter më inferior vetvetës, por duke u kënaqur me atë se të fortit qëndrojnë pran neshë. “Miu krenohej kur dridhej ura, gjatë kohës kur mbi urë kalonte ai dhe elefanti”.
Gjithashtu, imazh të lartë vlersimi, përendimit i kanë dhënë edhe bashkatdhetarët tanë mërgimtarë në këto shtete. Në dekadat e fundit, njerëzit e shoqërisë sone, në një pjesë të madhe, ekzistencen e saj e kanë varur drejtpërdrejtë nga të ardhurat e këtyre mërgimtarëve. Një gjë e tillë, ka sjell dhe vazhdon të sjell të mira të pakompenzushme. Mirëpo, perveç këtyre të mirave, ky fakt, fatkeqësisht ka instaluar në një masë edhe vetinë parazite tek njerëzit tanë, për shkak se këta të fundit janë mësuar që ekzistencën dhe mirëqenien e tyre të jetës ta mbështesin në punën e të tjerëve. 
Rrjedhojë e kësaj, njerëzit e shoqërisë sonë janë të prirur të cilësojnë përendimin si shkop magjik i zgjidhjes së problemeve të tyre. Kjo dëshmohet edhe në statistikat e këtij hulumtimi, ku shumica e qytetarëve shohin mundësi jashtë vendit dhe duan të emigrojnë - kryesisht në vende të tilla si Gjermania dhe Zvicërra. Pra, pikërisht në vendët ku gjendën një pjesë dërmuese e bashkatdhetarëve tanë.
Përveç kësaj, kohëve të fundit, kontribut në krijimin e Mitit të përendimit kanë dhënë edhe politika dhe mediat tona; duke e fokusuar tërë përqendrimin në mardhëniet tona me këto shtete. Njohëjet, integrimi, bashkësia ndërkombëtare etj., janë tema shumë aktuale dhe nuk kalojnë pa u përmendur në çdo fjalim apo komentë të njerëzve tanë. Duke u munduar në këtë mënyrë t‘i bëjnë të padukshme problemet bazë të shoqërisë, dhe t’i mbulojnë këto me maskën e politikës së jashtëme. Në hiearkinë e motiveve personale, nëvoja për afirmim nuk mund të jetë në asnjë mënyrë përpara plotësimit të nëvojave bazë ekzistenciale siç janë ushqimi, strehimi, siguria etj. 
Në këtë mënyrë, konsideroj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në prioritetet tona. Shkalla e lartë e optimizmit tek qytetarët tanë nuk duhet të jetë shqetësim në vetëvete, por shqetësim në përpjekjen për harmonizimin e këtij optimizmi me kushtet reale. Në të kundërtën, epiteti i optimizmit në kuptimin e mirëfillt të fjalës nuk do të jetë i qëndrushëm. 

*Autori është bachelor i psikologjisë



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora