E shtune, 26.07.2025, 04:02 AM (GMT+1)

Mendime

Edmond Tupja: Legjenda e prasit

E hene, 01.03.2010, 09:29 PM


Legjenda e prasit

Nga Edmond Tupja 

Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, mund të hidhet e të më thotë, me njëfarë të drejte, sigurisht, që titulli i mësipërm të kujton, dashur pa dashur, “Legjendën e misrit”, pra, atë prozë të shkurtër të Migjenit, e cila të trondit thellë me përshkrimin e dhimbjes së të varfërve në fillim të shekullit XX. Sepse të varfër ka edhe sot në atdheun tonë të dashur kapitalist të shekullit XXI, që, pa dyshim nuk vdesin urie, por jetojnë me lista ose me borxhe, pra, me privime të dhimbshme.
Legjenda e prasit ka disa javë që më ra ndër mend tek po bëja pazaret në tregun e vogël të Bërrakës sime modeste, mu në zemër të kryeqytetit shqiptar. Më bëri përshtypje çmimi i jashtëzakonshëm i tij: 170 lekë (të rinj, natyrisht) kilogrami; në fakt, duhet pranuar se po t’ia hiqje bishtat dhe të paktën një shtresë lëkure çdo prasi, kilogrami duhej t’i binte aty te 200 lekë (po aq të rinj, natyrisht). D.m.th. sa për tri bukë 60-lekëshe dhe dy minisimite 10-lekëshe (përsëri po aq të rinj, natyrisht). Pra, prasi, zarzavat krejt i rëndomtë, po kthehej, të paktën sipas mendimit tim gati vegjetarian, në diçka të shtrenjtë, pothuajse të shenjtë, pra, në njëfarë mënyrë, në shenjtor: Shën PRASI... O Zot, sa madhështore po më tingëllon kjo fjalë sot.
Befas, sesi m’u kujtua një shprehje frazeologjike, gati-gati proverbiale, me fjalën “pras”. Nxitova të hap e të rrëmoj në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, ku fjala “pras” më shpuri tek ajo “presh”. Përveç përkufizimit gjuhësor përshkrues si “perime e ngjashme me qepën..., që mbillet në kopshte e ara dhe përdoret për ushqim”, gjeta edhe një numër shprehjesh frazeologjike, si, për shembull “kap me presh në duar”, por mungonte, mjerisht, shprehja që kërkoja, “fluturoj me presh...”, në kuptimin “ushqehem me iluzione dhe marr superxhiro”. Çka më kujtoi që, dikur, në rrënojat e një ndërtese të vjetër jo larg shtëpisë sime, pata gjetur një dorëshkrim të kohës së diktaturës hoxhiste, me titullin “Farmak Fjalor” në të cilin prasi ose preshi përkufizohej edhe si mjet fluturimi që përdoret në raste shumë të veçanta.
Jam, pra, i detyruar të hulumtoj në këtë drejtim duke shtruar një sërë pyetjesh aktuale për politikanët tanë: Kush po fluturon me presh? Pse po fluturon me këtë lloj mjeti transporti ajror? Për ku po fluturon? Në ç’mënyrë po fluturon? Le të orvatemi t’u përgjigjemi me radhë, objektivitet e edukatë politiko-erotike këtyre katër pyetjeve jo pak intriguese:
1. Partia Socialiste e Shqipërisë, humbësja fatkeqe e zgjedhjeve të 28 qershorit të kaluar, duke bojkotuar punimet e Kuvendit, po bën çmos ta pengojë qeverinë Berisha 2 në përpjekjet e saj të mundimshme për ta çuar fluturimthi vendin drejt Bashkimit Evropian; për këtë qëllim, ajo ka rrëmbyer në stilin më të pastër leninist mjetin e fluturimit, pra, prasin apo preshin, dhe po rreket ta përdorë vetë këtë mjet për ta bërë realitet ëndrrën e saj politike. 
2. Me gjasë, qëllimi afatshkurtër i kësaj Partie është imponimi i zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet praktikimit këmbëngulës deri në absurditet të bojkotit të punimeve të Kuvendit dhe të mobilizimit të “popullit opozitar” që ta mposhtë “popullin pozitar” (dasi kjo që të kujton deri diku luftën civile që pasoi Revolucionin e Madh Socialist të Tetorit në Rusi).
3. Pikëmbërritja përfundimtare e kësaj strategjie kriptoguerrilase është marrja e pushtetit me çdo kusht, çmim dhe sakrificë. Kjo strategji mbështetet gjithashtu te parimi makiavelik sipas të cilit “Qëllim justifikon mjetin”, pra, marrja e pushtetit justifikon përdorimin revolucionar të prasit apo preshit.
4. Së fundi, por jo më së paku, mënyra e fluturimit të Partisë Socialiste drejt pushtetit është mjaft origjinale: bëhet fjalë për atë që të fluturojë me pras ose presh në by...rek, meqenëse byreku me pras ose presh ka qenë historikisht një nga gatimet më të parapëlqyera, pavarësisht se nga e hanin, të disa diktatorëve në Ballkan, përfshirë edhe tonin, më të egrin mes tyre.
Në përfundim të kësaj përsiatjeje, mund të thuhet se ngritja e çmimit të prasit kohët e fundit jo vetëm në tregun e vogël të Bërrakës sime modeste në zemër të kryeqytetit shqiptar, por edhe në tërë Shqipërinë e Ballkanin, me pasoja të paparashikueshme në luhatjet e treguesve Dow Jones e Nas Daq në Bursat më të mëdha të rruzullit tokësor, tregon qartë arsyen përse kompanitë ndërkombëtare të fluturimeve ajrore po përballen pikërisht këto kohët e fundit me grevat e personeleve të tyre, të cilët druajnë se mos zëvendësimi i avionëve me pras ose presh do t’i hedhë ata në rrugë të madhe për të shtuar radhët e të papunëve.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx