Mendime
Adnan Abrashi: Kur mbrohet një e keqe, ajo bëhet edhe më e keqe
E merkure, 03.03.2010, 10:57 PM
Nga Adnan Abrashi
Meqë te ne gjithmonë e “ha pazari” që nga politikanët tanë të dëgjosh edhe publikisht aso deklaratash absurde që nuk i kanë hije as nivelit dhe mentalitetit të një adoleshenti, në kontekst të kësaj, aspak nuk ishte befasues as ai prononcimi i paradokohshëm i kryeministrit Hashim Thaçi, në një emision televiziv kosovar: se ai shqiptarëve të Kosovës iu ka dhuruar pavarësinë, kurse serbëve u dhuron traktorë. Ndoshta kjo deklaratë e kryeministrit mund të merret edhe si shaka e “pa kripë” e tij , por, fatkeqësisht, ka edhe shumë sosh në popull që sinqerisht i besojnë këtyre vetëlavdërimeve narcisoide dhe megalomane të Thaçit.
Sidoqoftë, para 3 javësh, ne kosovarët me pompozitet dhe në mënyrë dinjitoze e kremtuam dyvjetorin e kësaj “dhurate të madhe të tij”. Në të vërtetë, atë ditë nuk u festua vetëm nga ata që besojnë se Thaçi na e ka prurë këtë pavarësi, por, disi, spontanisht, atë e bënë edhe shumë të tjerët që fare nuk u morën me problemin se kush në të vërtetë na e “dhuroi” atë. Sido që të jetë, ne jemi popull, siç thuhet, të lindur për kremte dinjitoze, prandaj, në këto raste, as që dyshohej se atë ditë mund të ketë ndonjë ekses me përmase të mëdha.
Vërtet hareshëm e kremtuan të gjithë këtë datë historike të “DEKLARATËS SË PAVARËSISË” me të cilën, para dy vitesh, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran.
Por, a thua, atë ditë, është përkujdesur dikush që këtë akt si deklaratë të shkruar dhe të nënshkruar nga të gjithë deputetët tanë të dheut, jashtë TITULLIT të fuqishëm dhe më poshtë nënshkrimeve të tyre, ta përkujtojë edhe nga mesi, aspekti përmbajtësor i saj. Ta zëmë, së paku, vetëm ta lexojë dhe ta komentojë pasuesin e fundit në të cilin thuhet: “...Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përfshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)...”
“Sejdiu dhe Thaçi pajtohen me “UNMIK/Kosovo”?!
“Sejdiu dhe Thaçi pajtohen me “UNMIK/Kosovo”?! - ishte një titull bombastik si lajm në media që këto ditë me arsye befasoi dhe shqetësoi opinionin e gjerë kosovar. Sipas së përditshmes “Danas”, e cila thirret në burimet e saj në Bruksel, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi “tashmë janë pajtuar” të marrin pjesë në këtë konferencë, përkundër faktit se në dokumentet e konferencës Kosova pritet të përfaqësohet me siglën “UNMIK/Kosovo”, ndërkaq para të pranishmeve në tryezë do të qëndrojë vetëm emri i tyre, dhe jo edhe shteti prej nga vijnë. Ashtu sikur ka qenë e pritshme, këtë lajm menjëherë bashkërisht e kanë demantuar Presidenca dhe Kryeministria e Kosovës. Por, pasi që tanimë qytetarët tanë janë mësuar me këso prononcimesh zyrtare të institucioneve tona të larta shtetërore që më tepër i ngjasojnë deklaratave për nevoja politike të konsumit të brendshëm, se sa vërtet refuzim konsekuent dhe principiel, ata , me të drejtë edhe e bëjnë këtë dyshim. Sepse, edhe sikur të ndodhte një absurd i tillë, këtë evoluim të mëvonshëm të tyre nuk duhet marrë me arsyetimin vetëm si të një lëshimi të pashmangshëm para presioneve diplomatike të ndërkombëtarëve, por edhe si një veprim i ligjshëm, i cili ka mbështetje të plotë në pasuesin përfundimtar të po asaj deklarate të shpallur të pavarësisë, (ta përkujtojmë edhe një herë) ku, në mes tjerash, thuhet: “...Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999)...”
Unë vërtetë nuk e di se traktorët që kryeministri ynë ua dhuron serbëve të Kosovës, a e kanë ndonjë mangësi eventuale kontraktuese mbi pronësinë apo posedim të tyre, por, kjo pavarësi, që (sipas tij) ai na e ka dhuruar neve, ka një mangësi të madhe dhe kjo mangësi figuron mu në tapinë e saj – DEKLARATËN E PAVARËSISË.
Fatkeqësisht është ashtu sikur është. Prandaj, edhe nëse në këtë konferencë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet me 20 mars në Bërdo të Sllovenisë, Sejdiu dhe Thaçi ynë do të pajtohen të marrin pjesë me siglën “UNMIK/Kosovo”nuk duhet të çuditemi edhe aq. Kësaj pune “popullorçe” i thonë: “ne hangsh be dajë, mos e hangsh, kurgjo kurrkujt”.
E, si po duket, për shumëçka si karrem, ne e kemi “hangër” kaherë...!
Komentoni
Artikuj te tjere
Halit Bogaj: Karaxhiq gjatë dëshmisë së tij të parë në Hagë
Agim Vuniqi: Njeriu gënjen edhe kur hesht të vërtetën
Halit Bogaj: Koshtunica inatçor
Gani Qarri: Ujku qimen e ndërron,po Zanatin…?!
Abdullah Prapashtica: Legjenda e Rozafës dhe bashkimi për bashkimin e atdheut
Neki Lulaj: Segmentet e ngrira të policisë, gjyqësisë dhe prokurorisë të kushtueshme për qytetarët e Kosovës
Esheref Haxhiu: Shqiptarët e Kosovës, optimista me çdo kusht
Nysret Ismajli: Kur Qeveria (s)e mban fjalën e dhënë
Edmond Tupja: Legjenda e prasit
Albert Zholi: Flet dekani i Fakultetit të Histori-Filologji, z, Shezai Rrokaj
Gani Qarri: Idiotët e lkj-s
Baki Ymeri: Pavarësia e Kosovës në dritën e lidhjeve farefisnore rumuno-shqiptare
Tërnoci Press: Luginë e Rizës dhe fijet e krizës
Bahtije Qemajl Biçku: Kur i lexoj fjalët e shkruara, më duket se po flas më nënën
Faik Krasniqi: C'eshte intelektuali per shqiptarin
Selim Hasanaj: Vendlindjes sime
Abdullah Prapashtica: Riemërimi i prokurorit Reshat Millaku në Gjykatën Speciale të Kosovës është krim
Fadil Sulejmani: U ndalova të hyj në UT
Hilmi Saraçi: Vendim i ngutshëm dhe i paarsyeshëm
Xun Çetta: E fituam luftën vet apo na çliruan të tjerët ?