E diele, 28.04.2024, 12:30 AM (GMT+1)

Mendime

Adem Gashi: Zemërplasja deri në blasfemi

E enjte, 04.03.2010, 10:56 PM


ZEMËRPLASJA DERI NË BLASFEMI

Nga Adem Gashi

Në tri a katër linja postare, përfshirë edhe e-mail-in e facebook-un, pikërisht më 3 mars, më erdhi fjalimi i Don Anton Kçirës, mbajtur në Detroit, në një tubim të ftuar nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë në Amerikë, rreth tri vjet më parë. Tubimi i dedikohej lajmit për kapjen e një grupi prej gjashtë vetave (tre prej tyre shqiptarë etnikë, vëllezër nga Dibra e Maqedonisë) që kishin planifikuar sulm terrorist kundër ushtarëve amerikanë në bazën ushtarake Fort Dix në New Jersey. (Lajmi është kumtuar nga Zëri i Amerikës, më 9 maj 2007).

Trazim dhe përrallisje

Unë e kuptoj trazimin deri në humbje ekuilibri që i bënte mendjet e mëdha si Konica e Fishta, të shfrynin mllef e sarkazëm më të hyrë të shekullit XX (kur Shqipëria ishte e pabërë), po nuk e shpjegoj dot shfryrjen e Don Anton Kçirës e të Shefqet Krasniqit (kur edhe Kosova tashmë është bërë). Nuk i kuptoj as komentuesit (shumë prej tyre miq të mi) për përrallisjet që bëjnë lidhur me emocionet, mllefin e çastit apo pasionin e priftit. A nuk e ditkan ata se titullarit klerikal në asnjë rrethanë nuk i lejohet moskontrolli për fyerje, sharje e blasfemi, aq më pak në tribuna publike? Këtu nuk është fjala për shkëputje fjalish nga konteksti. Teksti dhe shifrat janë kokëforta: “Na s’e kena meritu lirinë prej Beogradit. Asht dashtë qi Millosheviqi, sikurse i ka repë në Srebrenicë 260 mijë qej, m’i pas repë edhe n’Kosovë 1 milion e 900 mijë qej, besoni kurrgjë s’kish ba ma zi”.
Kleriku ynë i panderuar, kini kujdes unë nuk po u vë mbiemra shifrave, flet për miliona rrjepje njerëzish, shpirtrash. Lëmë me një anë besimet, fetë. A nuk e ditka Kçira se sot në botë dhe në Amerikë, gjithsesi, ka qindra e mijëra fondacione e shoqata për mbrojtje speciesh animale nga zhdukja, madje edhe nga ato grabitqare e helmuese? A nuk e ditka Kçira se terroristi e krimineli nuk është ekzemplar përfaqësues as i kombit, as i fesë? A nuk e ditka Kçira se Patriarku i kishës serbe, Pavle, i bekonte ditën për diell, faqe botës, kriminelët kur niseshin për Srebrenicë e Drenicë? Nuk e ditka Kçira se bijtë e popullit shqiptar nuk i kërkuan bekim as priftit, as hoxhës kur u nisën drejt vdekjes për liri si më 1911 si më 1990 e këtej (pa përmendur datat e tjera të shumta)? A nuk e ditka Kçira se të rënët për liri janë të shenjtë, shahitë, dëshmorë, kudo e kurdo që bien hapësirave të këtij globi. Thashë, TË RËNËT PËR LIRI. 

Dërdëllitjet për përçarje

Dërdëllitjet për përçarje kombëtare e konfesionale (se gjoja i nxitka publikimi dhe riaktualizimi i kësaj fjale, - unë e dëgjoj dhe e shoh për herë të parë këtë video) janë përrallisjet e dyta të disa komentuesve. A nuk e ditkan ata, tok me Kçirën, se ky popull në planin e harmonisë dhe të tolerancës fetare ka maturuar (pa hyrë thellë në histori) edhe para një mbreti mysliman (Zogut), edhe para një peshkopi ortodoks (Nolit), sikundër edhe para një diktatori komunist (Hoxhës); para Evropës Plakë dhe Evropës së Re; para Amerikës, më në fund, para realitetit jetësor, si dje si sot?

Përrallisja e tretë

Përrallisja e tretë ka të bëjë me ndjesën dhe pendesën. Po përse u dashka që shqiptarët myslimanë dhe boshnjakët myslimanë të bëjnë kujdestarinë e fajësisë për çdo kokëkrisës që mund të shfaqet në çdo anë të kontinentit dhe në çdo kohë, mjaft që të ketë emrin Adem, bie fjala? Përse, pra, në mos qoftë tendenca për pozë snobizmi e vardisjeje deri në mazohizëm, po aq pështirosëse dhe e neveritshme, po kaq e padinjitetshme, kundruall vlerave të civilizimit botëror! 
Kushdo tashmë e ka të njohur faktin e gjyqësisë amerikane dhe parimin e provës së fajit që ia bën ekuivalent ndëshkimin. A nuk u shqiptua tashmë botnisht edhe gjykimi dhe distancimi i familjarëve Dukaj nga Dibra? Mos, vallë, shqiptarët kudo që janë, sipas irit të Kçirës u dushka t’u bien trumbetave për harakirin kolektiv, se kështu u treguakan solidarë ndaj mundit të kasapëve-rrjepës që akoma nuk paskan mbaruar punë!? (“Asht dashtë qi Millosheviqi... m’i pas repë edhe n’Kosovë 1 milion e 900 mijë qej!”). Dhe, ç’do të mbetej pastaj në Kosovë, pos asaj që e dëshironte pikërisht krimineli?

Ligjëratë e drejtpërdrejtë

Mua dhe (dua të besoj deri në shkallë bindjeje) shumicën absolute të qytetarëve normalë e të rëndomtë, nuk mund të na bëjë të urrejmë njeri as “Bekimi” i Pavles, as “Blasfemia” e Kçirës, as “Fatvaja” e Homeinit. Pa dashur të bëj moral (po doemos që reflekton ironi) më vjen të shqiptoj porosinë lapidare të Jezuit: “Fali zot...”.

Vlerësim

Duke qenë relativisht njohës i mirë (pa asnjë pozë, s’kam nevojë për modesti) i teorisë së komunikimit, i teorisë së receptimit, konceptualizmit e semiotikës deri te variantet e postmodernizmit, më rezulton se Kçira vuan nga DEFEKTI I MAKINËS LOGJIKE. Një gjë e mendon një tjetër e thotë. Një gjë e ndjen një tjetër e shqipton. Bariut të popullit kjo as i përligjet as i lejohet. 
Nuk kam as më të voglin dyshim se mendimi i shqiptuar prej tij, konotacioni i fjalisë së tij, nuk është rezultat i konceptit, i ndërgjegjes dhe i vetëdijes së tij (ruana zot, i kredos së tij)! Në asnjë mënyrë. Po, gjëma ka ndodhur tashmë, mandata ka marrë dhenë, ekuilibrat janë prishur. Në horizontin e pritjes, më e pakta që do të duhej të shfaqej, do të ishte Zhveshja e Veladonit: Kçira pa Don (Kishot).

 (Autori është shkrimtar nga Prishtina)


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora