E premte, 01.11.2024, 12:36 AM (GMT)

Mendime

Xhejms Petifer: Turqia dhe Shqipëria – hark apo urë?

E merkure, 20.01.2010, 09:54 PM


Turqia dhe Shqipëria – hark apo urë?

Prof. Xhejms Petifer

Në vitet `90, në gazetat dhe mediat e Greqisë ishte e zakonshme të ndeshje frazën "harku i Islamit". Kjo bëhej për të parandjerë rrezikun që fundi i komunizmit në Ballkan kishte hapur rrugën ndaj një "harku" islamik që po ndërtohej mbi Greqi, i tendosur përmes shtetit të Shqipërisë me shumicë myslimane, bashkësive të pakicave myslimane të Maqedonisë dhe Bullgarisë, deri në vetë Turqinë. Si shumë fraza mediatike, ajo tingëlloi jashtë kohe dhe u justifikua me lidhjet e çështjeve të dashurisë greke me Serbinë gjatë luftërave ish-jugosllave. Sidoqoftë, ajo filloi të shfaqej sërish kohë pas kohe. Pse?
Ndryshimet në Ballkanin Jugor në pesë vitet e fundit në përgjithësi kanë qenë tejet të papëlqyera në Athinë, duke përjashtuar këtu vetëm anëtarësimin rumun dhe bullgar në BE. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 u kundërshtua gjerësisht nga opinioni publik grek, ndërsa qeveria nuk arriti të kryente detyrimin e saj ligjor ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët1. Konflikti i mëpasëm në Maqedoni në vitin 2001 tregoi dobësinë themelore të shtetit të ri maqedonas dhe shtoi të drejtat e shqiptarëve me Marrëveshjen e Ohrit të gushtit 2001. Një organizim i ri politik mbarëshqiptar është duke u shfaqur me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO në tetëmbëdhjetë muajt e fundit, duke iu larguar politikës greke të pas vitit 1989 ,që përpiqej të dominonte rajonin ekonomikisht me anë të një vargu shtetesh kufitare të dobët dhe të varur. Zgjerimi i madh i Bashkimit Europian përgjithësisht e ka zbehur zërin grek në Bruksel. Ka pasur pak progres real në drejtim të anëtarësimit turk në BE, një objektiv kyç i seksionit më ekspansionist të kapitalit financiar grek, si grupi Eurobank.
Në të njëjtën kohë, qeveria e Erdoganit ka bërë një politikë ballkanike shumë më efektive se sa paraardhëset e saj. Është harruar shpeshherë se sa shumë figura të shquara të qeverisë së Ankarasë kanë sfond ballkanik në familjet e tyre, apo pjesë të familjeve të tyre, përfshi edhe atë të vetë Kryeministrit. Politika e vjetër e mbështetjes haptas dhe pa kushte të konceptit jugosllav, një relike e kapardisjes së periudhës së Luftës së Ftohtë, plus ideologjinë konservatore realiste në politikën e jashtme, u braktisën pasi ajo çonte në një rrugë qorre në mbështetje të Millosheviçit dhe Beogradit. Pavarësisht shfaqjeve retorike, Ankaraja nuk qe fare në gjendje për të bërë ndonjë gjë konkrete për të mbrojtur myslimanët e Bosnjës gjatë konfliktit të viteve 1992-1995.
Ky ndryshim ka fuqizuar pakicat e shumta me origjinë ballkanike në Turqi, veçanërisht shqiptarët me lidhjet e tyre të shumta dhe të vjetra me botën otomane. Shqiptarët e Kosovës me bashkësitë e tyre të mëdha dhe të organizuara mirë në Stamboll, si në afërsi të terminalit të transportit Bajram Pasha, ishin në gjendje të bënin një fushatë të pabujshme, por shumë efektive për pavarësinë e Kosovës pas vitit 1999. Ata mposhtën trashëgiminë e hidhur të bashkëpunimit Beograd-Ankara për dëbimet masive nga Jugosllavia titiste në vitet 1950.
Dalja e Shqipërisë si një shtet "normal" në rajon ka krijuar shumë shanse diplomatike dhe tregtare për Turqinë, veçanërisht së fundmi, kur kurset e larta të shkëmbimit të euros i ka bërë shumë eksporte ushqimore greke dhe italiane mjaft më të shtrenjta për konsumatorin shqiptar. Monedhat turke dhe shqiptare kanë mbajtur pothuajse të njëjtin nivel në tregun e jashtëm të këmbimit gjatë katër viteve të fundit. Turizmi është një sektor tjetër në lulëzim, sidomos për shqiptarët kosovarë përreth Antalias. Nga këndvështrimi i Ankarasë, ky është një koncept "urë" bashkëpunimi- më fort se "harku" rrethues dhe kërcënues –ku lidhjet e vjetra kulturore janë rivendosur dhe miqësia ndërkombëtare forcohet nën flamurin e tregtisë.
Kjo do të jetë një situatë e mbarë, nëse nuk kemi parasysh faktin që, siç ka vërejtur Hugh Poulton shumë vite më parë, konturet me të meta të besimit fetar nuk lëvizin nën petkun e jetës ballkanike dhe shpesh ngrihen mbi sipërfaqe me pasoja herë-herë alarmuese dhe të paparashikueshme. Pavarësia e mendimit dhe dinamizmit të qeverisë së Erdoganit është parë me një shqetësim në rritje në Greqi, ndërkohë që vështirësitë me pozitën e Patriarkanës Ortodokse Greke në Stamboll kanë një peshë të madhe mbi marrëdhëniet. Braktisja e "marrëdhënieve speciale" izraelite nga Ankaraja shkakton shqetësim në të Djathtën nacionaliste greke, ku lidhjet më Izraelin janë më të ngushta se sa mund ta marrë me mend në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare. Sa për krahasim, rritja e numrit të turistëve grekë në drejtim të Turqisë dhe shtimi i tregtisë midis dy vendeve nuk ka ndonjë rëndësi kushedi se çfarë. Shqipëria është parë në opinionin publik grek si një surrogato turke dhe një vend tejet "mysliman", pavarësisht nga fakti se që nga rënia e shtetit njëpartiak në vitin 1991, kisha greke ka lulëzuar dhe shumë vëzhgues e ndiejnë atë se është një nga forcat më të fuqishme sociale në vend. Megjithëse mungojnë të dhënat e sakta, nuk ka dyshim se një ndërthurje e evangjelizmit ortodoks dhe katolik romak ka zvogëluar numrin e myslimanëve aktivë në një prirje të përgjithshme.
Politika e jashtme shqiptare është në një nivel të dukshëm e drejtuar nga anëtarësimi në BE, por në të vërtetë kjo është një perspektivë kaq e largët, sa që ka pak ndikim në marrëdhëniet bazë ndërkombëtare. Udhëheqësit shqiptarë më së shumti i kanë shmangur komentet ose të mbajturit anë mbi çështjet më të diskutueshme midis Greqisë dhe Turqisë, sikurse është Qiproja. Për çështje pune dhe tregtie me Turqinë, shqiptarët kanë shumë përparësi. Shqiptarët mund të mos jenë tërësisht të mirëpritur në disa kontekste në Turqi, por të gjitha të dhënat anekdotike nga gazetarët dhe akademikët tregojnë se historia e përbashkët është gjerësisht e njohur dhe kontributi shqiptar në botën otomane është po aq i mirënjohur. Për krahasim, në Greqi ka një mjedis legal kaotik për emigrantët shqiptarë dhe shumë racizëm dhe paragjykim në nivel lokal, nuk lejohen shkollat në gjuhën shqipe dhe ka pak ose aspak njohje zyrtare për elementët historikë shqiptarë në trashëgiminë dhe prejardhjen greke. Një përjashtim ndoshta bëhet në botën e futbollit, ku një këngë abuzive e rëndomtë kundër mbështetësve të skuadrës Panathinaikos të Athinës thotë që ata janë "albanski" (si kundërpeshë ndaj "bulgareci-t" , domethënë protagonistëve të skuadrës PAOK të Selanikut!), një jehonë e largët e kohës kur lagjet e Athinës si Plaka kishin shqipen si gjuhë dominuese dhe një ishull si Salamis në guidën Baedeker të vitit 1906 është shkruar se kishte mbi 80 për qind banorë shqiptarë.
Mbetet për t'u parë se çdo të sjellë e ardhmja. Vizita e Presidentit turk, Abdullah Gul, në dhjetor 2009 në Tiranë, është parë si një sukses i madh nga të dy palët, sipas deklarimit të Gulit që Shqipëria është "një partner i fuqishëm" në objektivat e politikës së jashtme turke3. Kjo do të jetë haptazi një përparësi për grupet pro-BE në elitën turke të kenë një kandidaturë shqiptare të përparuar dukshëm, si një shenjë që një vend sekular, por me shumicë myslimane, të mund të bëhet anëtar i BE-së. Megjithatë, është e mundur që kjo të jetë më së shumti një perspektivë retorike. Lidhjet ekonomike dhe shtimi i madh i tregtisë midis Shqipërisë dhe Turqisë janë duke ndodhur saktësisht sepse asnjëri nga vendet nuk bën pjesë në një ekonomi të euros ose të kushtëzuar nga euroja, ndërsa në të vërtetë shpresa që anëtarët e rinj të BE të jenë myslimanë nuk është e lartë, sikurse tregojnë edhe kufizimet për liberalizimin e vizave të BE-së. Sikurse dhe në çështje të tjera që nga viti 1989, retorika në Bruksel ka qenë shpesh thuajse pa lidhje mbi çfarë ndodh në realitetin ku tregtia dhe feja, si dhe rrjetet informale që ato mbartin, kanë një ndikim shumë më të fuqishëm se objektivat e politikës së bashkësisë ndërkombëtare.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora