Kulturë
Vangjush Ziko: Studio e poetit
E diele, 10.01.2010, 08:02 PM
Vangjush Ziko
STUDIO E POETIT
FRYMËZIMI
Diellin e di nga lind edhe kur lind,
Hëna kur hahet dhe kur mbushet.
Drit' e frymëzimit nuk e di
Në ç' çast të ditënatës më ze ushe.
Nga vjen drita e tij e nga buron
Dhe mua më bën foshnjë a plak të çartur,
Dhe mjalt' e vrer nga pena më pikon
Në rrokjet edhe tingujt tim të vargut.
Nuk dua as ta tremb e as ta ze,
Fytyr' e tij në vargjet time shfaqet.
Në zemër a në plagë bën fole?!...
Këtë e di ai.
Dhe mjafton kaqe!
PAGJUMËSIA
Kutiz' e mbushur plot valiume
Memece rri, e zemëruar.
S' di kush ma solli atë tek unë,
Në tavolinë ma la mua..
I gjori s' di! Pagjumësia
S' është sëmundje as lëngatë.
S' e di, i mjeri, që Poezia
Nuk di të flerë as dit' as natë.
Poetit sillini mbi skrivani
Lulet e bukura të dheut,
Nga Esenini një ajmali,
Pak çmenduri nga të Orfeut.
VARGU I BRAKTISUR
Më dhimbset edhe vargu i braktisur.
Si invalidit këmba e këputur.
Në letër vet' e mbolla dhe selita,
S' ka faj ai në s' doli aq i bukur.
As pena dhe as Muza s'do qortuar
(As nëna nuk e di ç' foshnjë do lindë).
O vargu i braktisur, i shëmtuar,
Ç'i bukur ishte çasti kur të linda!
SIRENAT
Kur lexoj shpesh tjetër poet,
Vetes i them, më nuk do shkruaj!
Letra më bëhet dallg' e det
Dhe vargu varkë e coptuar.
Më duket vetja Robinson
Flakur nga tok' e Poezisë.
Por Muza ime më qorton,
Ma platit zjarrin e zilisë.
Ma qep me flokët e saj varkën
Dhe me rrëshirë të re ma lyen,
Ma mbush me lëngun e ri vargun,
Kalemn' e thyer ma bën fyell.
Rinis lundrimin përsëri,
Tendosen velat e poemave.
Nuk i zë veshët me dyll' të zi,
Le t' i zenë veshët sirenat!