Kulturë
Ilir Seci: Ligjërimi funksional poetik
E diele, 27.09.2009, 06:12 PM

Përkitazi me krijimtarinë e Sadri Ahmetit, vështrim mbi poezinë dhe prozën e tij.
Nga Ilir Seci
Ndryshimet që përfshinë Shqipërinë pas viteve '90 sollën para shqipëtareve një botë të tërë kulturore, e cila ishte mbuluar nën akullin e diktaturës dhe ishte fare e panjohur për kulturën shqipe. Në këtë kulturë përfshihen qindra artiste e krijues të të gjithë fushave, të cilët u tretën burgjeve e internimeve duke mbajtur të gjallë artin në atë formë siç e thekson me të drejtë studiuesi I. Fohti: "Arti është i vetmi azil i shpirtit, ku subjekti njerëzor e ruan identitetin e tij historik!"
Kjo pjesë e vyer e kulturës sonë është tashmë trashigimi kombëtare pse është shembull shpresëdhënës se humanizmi mbahet gjallë edhe në kohët më të errëta të burgosjes së fjalës, pavarësisht prej çmimit që duhet paguar. Prandaj edhe studimi dhe vënia në vendin që i takon kësaj pjese të trashgimisë sonë kulturore është një nga detyrimet që shoqëria e sotme duhet të përmbushe. Njohja dhe studimi i kësaj trashgimie është njëherit edhe shpërblim ndaj sakrificës së gjithë atyre njerëzve, që vuajtën vite me radhë pse nga shpresa e tyre u mbajt gjallë edhe shpresa e shqiptarëve si komb. Nga kjo letërsi një prej
poetëve që meriton studim e njohje është edhe Sadri Ahmeti, i cili pas viteve '90, botoi disa libra të cilët tregojnë se ndalimi i këtij poeti ishte dëm ndaj poezisë shqipe më shumë se dëm ndaj poetit! Poezia shqipe ka merituar kaherë ta njohë këtë poet, përmasën e vargut, thellësinë e ndjenjës, shpirtin e madh e humorin e rrallë. Sadri Ahmeti lindi në Vuthaj të Plavës - Mali i Zi me 1939, një fshat nga i cili kanë dalë shumë krijues e artistë me emër në kulturën shqiptare.
Pas shkollimit të mesëm emigron në Shqipëri në vitin 1957 ku edhe nis kalvari i tij jetësor. Ishte e vështirë për një artist si Sadri Ahmeti të mbetej i lirë, mik u ngushtë i Bilal Xhaferrit, Sadriu njihej nëpër rrethet kulturore të Tiranës per guximin e tij në fjalë. Nuk vonon e arrestohet kur ishte student në Akademinë e Arteve, dënohet me burg e pastaj me internim që nga minierat e Spacit në kantieret e Elbasanit. Pas viteve '90 përfundon studimet e lëna përgjysmë ne Akademinë e Arteve, që ia pat ndërprerë burgu, një ëndërr e mbetur përgjysmë, pasi ky poet është edhe një piktor i njohur e një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë. Pas viteve '90 boton këto libra: "Një e qeshur harbon nëpër errësirë", "Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok", "Masakra e Tivarit", "Aisbergu i preludit të katastrofës","Vallja e katrahurave"."Kalëroj rreth botës mbi re'."Tek lahem në dritën e Hënës","Loz era me gjethet e vjeshtës sime", "A do mund të takohemi nesër?" si dhe librin me prozë, "33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës".
![]() |
Sadri Ahmeti, poet e piktor |
Prandaj, më shkoqur dhe më veçantë, imponohet mendimi se gjërat dhe ne ekzistojmë përderisa flitet për to, për ne. Po ashtu do të bindemi se të folurit, rrëfimi poetik nuk mjafton kurrë. Duhet të na flasë dikush, sepse ne nxjerrim njohje të reja nga të folurit dhe, mu përmes këtij akti depërtojmë në qenësinë, në thelbin e gjërave dhe të dukurive të ndryshme. Përderisa të folurit poetik është një akt, të themi, i posaçëm i krijuesit të poezisë, poetit, rrëfimi poetik është ajo tërësi e organizuar tekstore ku hyn të folurit dhe merr formën e vet të përhershme e të vazhdueshme, e që në vete mban mesazhin drejtuar njeriut dhe botës.
Shikuar në pikëpamje të ndërtimit, rrëfimi është lakor, me rënie e me ngritje të herë pas hershme dhe drejtvizor, i njëtrajtshëm, brenda të cilit të folurit shfaqet vetëm përmes një mënyre, ku më shumë kemi të bëjmë me këmbënguljen e tij kur flitet për gjëra të caktuara, me qëllim që t'i theksojë ato më shumë, të na heq mendjen pandërprerë. Po ashtu rrëfimi poetik, fuqinë e vet bindëse e merr edhe nga ritmi, nga masa e lëvizjes së taktit të të folurit. Rrëfimi i kësaj poezie është një strukturë e thellë, që del nga një botë e krijuar, përafërsisht, imagjinare. Poeti zgjodhi një prosede të tillë brenda fantastikës, ireales, me qëllim që mesazhi i tij të dalë sa më i plotë dhe më i lirë dhe të marrë një kuptim të përgjithshëm e më të qëndrueshëm. Ndërsa mesazhin e poezisë në fjalë nuk e kemi të dhënë më parë, po e nxjerrim nga tërësia e saj që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.
Strukturën e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në këtë poezi e që ne i marrim në formën e quajtur mesazh. Njëherësh ky mesazh shfaqet si rezultat i asaj që flitet mbi botën dhe mbi elementin kryesor të saj, njeriun: "Netëve të thëllimta të dimrave/kur shteti iu sul fjalës së thjeshtë/si lubi e streshtë/Ai, ngjitej tek gjiri shkëmbor/aty ku derrat putheshin/dhe ua zbrazte dallgëve të krisura dufin..." . Mu për këtë arsye, fare qartë mund të vërejmë se teksti i kësaj poezie është plotësisht i përshkuar nga njëfarë shqetësimi që na jep rrëfimin e shqetësuar. Ky rrëfim i tillë nuk na flet në mënyrë ndjenjore, të dhimbsur, përkundër shtron çështjen e ekzistimit të njeriut në kohën bashkëkohëse dhe realizimin e tij si njeri. Kështu mesazhi nuk na del i mbivënë nga koncepte të caktuara të mendimit mbi njeriun, po nga përvoja e ekzistimit të tij në kohë e në hapësirën e caktuar vendore. Këtu shohim përpjekjen, insistimin e rrëfimit (poetit), që njeriu të mos mbetet vetëm si koncept, si emër kuptimi që shpesh e gjejmë, gjatë gjithë historisë, vetëm në botën e fjalës së pavlerë që nuk thotë asgjë, sepse nuk është adekuate me qenien njerëzore.
Njeriu real ka humbur dhe më kot. Kështu mesazhi i rrëfimit të Sadri Ahmetit zhvillohet në kërkimin e pajtimësisë midis idealitetit dhe realitetit sa i përket çështjes së njeriut. Dhe siç dihet, sa herë që kërkohet idealiteti, e nuk gjendet, lind tragjikja. Përkundrazi në këtë poezi tragjikja del nga realiteti i ekzistimit të njeriut. Siç e theksuam edhe më parë, këto në mënyrë artistike i vendos në hapësirën imagjinare, pra gjen një fushë më të qëlluar të realizimit të botëkuptimeve dhe të pikëpamjeve reale. Prej këndej, vështrimi i mvrejtur mbi ato që i sheh e i kupton: i thotë. Poeti gjithësesi do të ketë njeriun dhe po, e krijon në imagjinatën, në mendjen e vet dhe na flet për të. Në këtë shtegtim mbas njeriut, rrëfimi dëfton se poeti niset nga uni i vet që e njeh më mirë për të arritur tek temat e përgjithshme që e përfaqësojnë njeriun në përgjithësi. Po ashtu, në atmosferën e plotë të rrëfimit të Sadri Ahmetit ndeshemi me të këqiat e botës moderne, bashkëkohëse: me vetminë, me humbjen, me harrimin e qenësisë njerëzore, të cilat në mesazhin e tij shtrojnë kërkesën: te bëhemi të qëndrueshëm ndaj tyre dhe me vetëdijen tonë të krijojmë kuptime dhe qënie të reja.

Të shpjegojmë: po të fliste poeti kështu sikur folëm këtu, atëherë nuk do të kishim poezi, efekti i së cilës na godet për të na zgjuar, për të na bindur. Me anë të këtij akti poetik, poeti godet me revoltën, me ironinë që e gjen në epokën ekzistuese dhe në histori. Rrëfimi i Sadri Ahmetit na sjell edhe te një qenësi e kotë, që njeriu, duke kërkuar veten jashtë vetes, thënia më e fortë e mesazhit të tij poetik: njeriu t'i kthehet vetes, sepse ai ekziston në të brendshmen e vet; të krijojë lidhje njerëzore me rezultatet e veta dhe të ndërtojë veten në botën njerëzore.
Interes paraqet edhe libri me prozë "33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës" - një libër me kujtime nga jeta e artistit nëpër burgje e kampe internimesh, të cilat shquhen me gjuhën e pasur e humorin e hollë. Në këtë vepër, Sadri Ahmeti nuk rrin të qahet apo të sjellë tmerrin e burgjeve si një përshkrim dantesk, aspak, Sadri Ahmeti ka zgjedhur humorin si mjet shprehës, nëpërmjet paraqitjes së ngjarjeve në ketë mënyre ai sikur krijon një eufemizëm me tmerrin e asaj kohe. Dëshmitë në këtë mënyre bëhen edhe më interesante sepse e qeshura sikur e zbut përmasën tragjike të asaj kohe, të atij realiteti, i cili në kete vepër shfaqet tragji-komik, duke dhënë mjeshtërisht absurditetin e totalitarizmit.
Duke i dhënë fund leximit nëpër krijimtarinë e Sadri Ahmetit, rrëfimi i tij nuk mbyllet thjesht si një tekst i rëndomtë, ai është i pakufishëm, por ne i mbajmë për vete kuptimet dhe domethënien e mesazhit të tij, njëherësh edhe ritmin e atij rrëfimi, që na bën të vëmë në lëvizje mendjen dhe qënien tonë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Evi Kokoshi: Në një botë që lind e nuk lind dot
Luan Xhuli: Cikël poetik
Emil Lafe: Fjalor Enciklopedik Shqiptar
Edlira Dedja: Saimir Pirgu në evenimentin artistik të vitit në Bernë të Zvicrës?
Blerim Rrecaj: Vjeshtë, mirë se erdhe!
Sabit Rrustemi: Mëngjesi me sy gruaje (Tregim)
Edison Ypi: Rruga e Markut
Albina Idrizi: Dhembje e ëmbël
Përparim Hysi: Jari...
Naser Aliu: Sindroma Stokholmit
Edhe një Çmim për Yllka Sheqirin
Demir Krasniqi: Resurset natyrore dhe pasuritë nëntokësore të Kosovës futen nën juridiksion të minoritetit serbë
Viron Kona: Drithërimat e Yjeve (I)
Këze (Kozeta) Zylo: Ta ruajmë si një gur të çmuar gazetën “Dielli” thesarin e Kombit
Bashkim Saliasi: “Një udhëtim i çuditshëm” i shkrimtarit Viron Kona
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Tregim nga Sabit Idrizi: Mëditja
Halit Bogaj: Imer Popoci
Yrjet Berisha: Proza e Camajt
Kalosh Çeliku: Njerka dhe kopilat e shitur për një torbë taxhi