E enjte, 18.04.2024, 09:48 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Rruga e Markut

E premte, 25.09.2009, 06:01 PM


Rruga e Markut

Nga Edison Ypi

Përvojat mediokre as vijnë as ikin, ato thjesht ndodhin. Krejt ndryshe janë përvojat e forta, tronditëse, të cilat nuk ndodhin, por shpërthejnë. Sepse ato vijnë e ikin, ikin e vijnë, u afrohesh e të largohen, u largohesh e të afrohen, në një katrahurë emocionesh gjatë asaj ngjizjes së hatashme të Adrenalinës me Endorfinën sipas një inginierigu të shpejtë dhe të mistershëm gjatë të cilit nuk ke kohë të mendohesh. Fryt i bashkëpunimit të rrethanave nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, iniciativave të atij që “kruhet”, apo, si i thonë ndryshe, atij të prirurit për të jetuar rrezikshëm, ato përvoja nuk harrohen kurrë.
Ishte pikërisht e tillë ajo që më ndodhi në një nga këto ditë behari kur në Gjinar të Elbasanit vajta vetëm për t’i hedhur një sy rrugës. Mirëpo, meqenëse Shqipëria është e tëra një kaleidoskop bukurish të cilat një herë t’i shohësh një mijë herë mahnitesh; U sa i bukur ky katund këtu, uau sa i freskët ai pyll atje, sa të këndshme ato gërxhe, ç’mrekulli që kjo rrugë pas pak asfaltohet, në formën e një mrekullie që ia beh, apo një të mirë që të vjen nga s’e pandeh, vajta u zhyta ku s’ma kishte rrokur mëndja.
Banorë lokalë me emër kristian dhe mbiemër mysliman, dhe e kundërta, mes një oqeani çallmash dhe minaresh që quhet Elbasan, janë më se normalë në ato anë. Pa llogaritur Kishën e Onufrit, së cilës këtë herë s’ia pata ngenë, i pari “anormalitet” i këndshëm drejt të çuditshmit Gjinar është një Lis mbi rrugë. Lisi gjigand qindravjeçar mbi fshatin Lleshan, ka një legjendë sa të thjeshtë dhe të mistershme; Një djalë i vogël gëlltiti gabimisht një lende lisi. Dhe vdiq. Aty ku u varros mbiu ky lis. Ec e gjeja kuptimin ! Duke mos pasur asnjë shpresë as për ta prekur kuptimin apo për ta bërë zbërthimin e kësaj legjende “të thjeshtë”, e vetmja gjë që natyrshëm mund të bësh është të hedhësh sytë rrotull. Por hedhja e syve rrotull nuk të ndihmon për tu shkëputur nga legjenda. Sepse vetvetiu lindin pyetjet; Ky lis i stërmadh anës rrugës, me hije, me ujë për të pirë e për t’u freskuar, që ndodhet në vendin më dominues të krejt zonës, afërmendsh do duhej të ishte vend çlodhjeje për udhëtarët, pra vend i përkohshëm pushimi. Por jo ! Lisi është pikërisht vend ku udhëtarit aspak s’ia ka ënda të rrijë të pushojë përkohësisht, sepse është vend pushimi i përjetshëm - vorrezë !
Fare pranë Gjinarit, atje ku nisin pishat dhe ndjehet aroma e tyre dehëse, një tufë kabllosh të zeza të holla sa gishti i madh i dorës, dalin nga dheu dhe zbresin teposhtë drejt një fshati. Ç’ne këto kabllo që zbresin nga mali?! Do pyes për këtë çudi’ më nge’ pas pak kur të kthehem nga Gjinari.
Gjinari, vetëm 22 kilometra nga Elbasani, është një qendër e vogël rrethuar me pisha me nja dhjetë lokale ku të ardhurit hanë dhe fshatarët blejnë çikërrima.
Por Gjinari është sigurisht një nga vendet më të bukura dhe më të freskëta të krejt Shqipërisë. Aq sa, pas pak kur të asfaltohet, në lokalet moderne që do ngrihen me shpejtësi, me siguri këtu do ia behin rrufeshëm elbasanllinjtë që do zbrazin e do lënë batall të gjitha kafenetë, restorantet, hotelet e Elbasanit.
Aty, tek të hedhësh një sy në Jug mbi horizontin e pafund malor ku duket i tëri edhe Tomorri, kupton se ke rënë në grancë dhe e ke krejt të pamundur të kthehesh, dhe veten kot e gënjen me një “Edhe pak”.
Edhe pak - edhe pak, dhe pishat lart, e mardhura nëpër trup, një liqen i vogël alpin anës rrugës, katundet poshtë, gërxhet në horizont, dhe gjithçka bëhet marramendëse, të bëjnë ta harrosh fare kthimin. Madje, jo të kthehesh, por as të ndalesh s’mundesh, se jo njeri, por edhe shkëmb po të jesh, e pamundur të mos vazhdosh.
Këtej gjithçka që të sheh syri dëshmon Histori, energji rrënjësh të vjetra.  Nuk ka shtëpi të reja. Dhe nuk ka ethe për të emigruar, aq prezente kjo ethe në vise të tjera. Katundet i kanë shtëpitë e forta me çati me pllaka guri mes gjelbërimeve.
Aty - këtu, pa pasur nevojë të kthehem, zbuloj enigmën e tufave të kabllove që zbresin nga mali. Nuk janë kabllo, janë tuba të hollë plastike që sjellin ujë nëpër shtëpira. Është shprehje e një individualizmi apo konservatorizmi aq të ekzagjeruar, sa ta prish qefin, të lodh, të bën të ndjehesh keq ! Rastet ishin me dhjetëra. Secila shtëpi zbret nga maja e malit ku është burimi apo përroi, deri teposhtë në largësi nga 2 në 4 kilometra, një tub të hollë uji. Të gjitha tubat e të gjitha shtëpive mbledhur tufë. I them njërit; Ore po pse s’bëheni bashkë të vini një tub të gjerë, se iu kushton shumë më lirë. Jo, thotë banori i fshatit me dymbëdhjetë emra kristianë dhe njëzetepesë mbiemra myslimanë, jo, është më mirë kështu, secili tubin e vet. Pse thua më mirë secili budallallëkun e vet a mavri’, i them, dhe iki i zemëruar.
Njëri me një bllok në dorë, që doli se është “faturisti” i fshatit, bën hesap konsumin e energjisë.
Një bashkëfshatar i tij aty pranë thotë për veten e vet’; Unë shkoj pas televizorit. Ç’domethënë kjo, i them ? Kjo domethënë, thotë Prendi, se Prend e quajnë, se elbasanlli është, por emrin e ka si mirditor, që unë, për ku fryn era e politikës, e ekonomisë etj. të tëra këto i marr vesh, i kuptoj, dhe reagoj, duke interpretuar në mënyrën time ato që shoh e dëgjoj nga i vetmi televizion që na arrin ne këtu, që është televizioni shtetëror, TVSH-ja.
Një tjetër flet për politikë. Por më shkoqur, dhe goxha këndshëm. Për të demonstruar “mesin politik” të cilit pretendon se i përket, thotë se nuk është as me Partinë Demokratike as me Partinë Socialiste. Pa hë pa hë, e cys. Unë, thotë Marku, se edhe ky elbasanlli emër mirditori ka, jam i Partisë Socialdemokrate. Ou, e ndërpres, si ka mundësi ?! Në mijëra dhe mijëra kilometra përmes fshatrave nuk kam takuar kurrë një si ty. Pastaj më ndërpret Marku mua; Ore unë nuk kam asnjë haber ku bie ajo parti. Por unë, si politikisht i mesëm që jam, e kam zgjedhur thjesht si kombinim apo shkrirje të emrave, socialiste dhe demokrate, nuk di a më kupton ?! Po mor po të kuptoj që ç’ke me të. Të lumtë o oportunist shekullor i besimeve dhe politikave.
Ujëra që rrjedhin nga mali gjithandej. Këta ujëra ta shtojnë tej mase zemërimin mbi individualizmin e tubave. Sepse, nëse tubat do zbrisnin nga mali veç e veç secili, përsosmëria e individualizmit mund ta justifikonte në një farë mase budallallëkun, por tubat që nga mali zbresin me tufa të lënë shijen e keqe të individualizmit gjysmak frikacak.
Dhi’ që kacavirren mbi shkurre dhe shkëmbinj në pozicione strechingu nga më të pabesueshmet. Bariu i dhive është një hollak nja 36 vjeç. Joooooo, thotë, nuk jam 36, jam 67 vjeç. Dhe shton, barinjtë e deleve shëndoshen vënë bark, ne të dhive nuk shëndoshemi. Sepse lëvizim shumë dhe sidomos sepse nuk hamë gjalpë deleje që të shëndosh, por vetëm gjalpë dhije, edhe atë me karar.
Një i ngeshëm me zë të zvargur thotë se përpara është Zavalina.
Zavalina mund të jetë larg sa të dojë. Sa më larg aq më mirë. Këtu nuk mërzitesh të rrish. Dielli ndrit gjithçka. Me përjashtim të skutave. Por s’është fare problem. Për t’i parë si duhet skutat ditën, mund të rrëmbesh Diellin ta përdorësh si elektrik dore. Për t’i parë natën mund të përdorësh hënën si fener.
Në një vend, dheu dhe shkëmbinjtë ndryshojnë befas ngjyrë në një kombinim të kafes me bezhën dhe blunë e errët. Mbi një shkëmb të tillë anës rrugës, dy shpella të thella të errëta. Duken që nuk janë natyrore. Njëri që vjen me Benz përballë, tek e pyes për shpellat, pasi jep e merr me sy e me vetull, me supe e me shpatull, thotë se shpellat i ka hapur partia për të na mbrojtur. Ik o ik, i them, pak zgëqe ka këtu, këtu e gjeti partia të gërmojë shpella difensive ?! Pak shpella natyrore ka këndej ?!
Është sigurisht një truk i zakonshëm që partia e vampirit dhe gjeologjia e partisë së krimit e kanë bërë në vende ku kërkonin demek minerale që s’u gjetën kurrë, dhe banorët lokalë i mbushin me gënjeshtra.
Një autostopist ! E marr. Quhet Mark. Marku vete në Zavalinë. Sa Mark-a ka Zavalina e pyes ?! Sa të duash thotë. Po ndonjë “Mark Zavalina” a ka i them ? Sigurisht, ma kthen, ka disa, i njoh të gjithë.
Zavalina, pothuaj po aq larg nga Gjinari sa edhe Gjinari nga Elbasani, e ndoshta pak më tepër për shkak të rrugës së vështirë dhe kthesave të shumta, është fshat i vogël. Qendra e fshatit ka Shkollë të mesme të madhe, qendrën e komunës, nja dy a tre shtëpi, dhe ca si lokale. Në lokalet ka pije freskuese, kafe, birrë, raki. Por jo ujë. Sepse pas shkëmbinjve, malli i dytë xhaba këtu është uji. Hyj në njërin nga lokalet. I sulmoj të rinjtë që pinë raki, si e kam zakon, me pyetje, njëkohësisht, edhe të bërtitura, edhe të buta të pazararshme. E bëj këtë në mënyrë që për aq kohë sa më intereson mma iniciativa e muhabetit të jetë e gjitha imja. Se po ua le iniciativën atyre, ata s’të lëshojnë prej andej as për një javë. Për më tepër që jam larguar ca si tepër, kanë nisur ca pika shiu dhe s’dihet si vete moti.
Porosis diçka për të ngrënë dhe dal te sheshi ku mbi një shtizë të lartë valëviten dy flamuj’ gjigantë, i Shqipërisë dhe i Partisë Demokratike.
Një zavalinar, zavalinas, zavalins, apo zavalinali’ rreth të dyzetave, pasi ka dalë nga lokali përballë, drejtohet drejt meje. Eh, po ta përshkruaja atë skenë që zgjati jo më pak se një orë, do t’i kaloja dukshëm kufijtë e modestisë. Prandaj s’po e bëj. Por fare shkurt; Zavalinari ishte një adhuruesi im i pa përmbajtur. Kishte lexuar dhe mbante mend çdo fjalë të shkruar timen. Kishte parë dhe mbante mënd të gjitha reportazhet e mia televizive. Se ku kishte gjetur dhe ruante me fanatizëm të madh librin t’im Qajtore. Dhe, e pa besueshme por e vërtetë, më tregoi celularin e tij ku ishte numri im. Kaq, dhe me të më s’po e zgjas se ai njeri pas produksionit tim gazetaresk ishte krejt i shkalluar.
Po shtohen pikat e shiut !
Në Zavalinë thonë, ama vetëm thonë, se nga Zavalina mund të dilet në Gramsh. Por, për një si unë, një “thonë”, për më tepër në një vend ku gjeta një adhurues të atillë, mjafton e tepron. Po rruga ku është ?! Ah, rrugë s’ka. Prit or prit se rrugë edhe ka. Por me një ndryshim të vogël. Se nuk është tamam rrugë, është zall lumi. Epo mir’ zall zall. Vetëm të vete në Gramsh. Se dihet, që unë pas nuk kthehem kurrë.
Dhe bëj tutje.
Nga dilet për në Gramsh ?!
Gjatë disa kilometrave kuturu, tre gra që venë diku, një i vetmuar pa çadër që laget nën shi, një tjetër me cfurk që po ngre një mullar, njëri që më pyet nëse jam i paisur me Metal Detector për gjetje floriri, një ushtar, dy fëmijë, dhe një djalosh, të gjithë me një pasiguri të sinqertë, ngrenë supet dhe ja bëjnë me dorë kuturu nga Perëndimi.
Vazhdoj ! Tafti - bafti !
Një farë rruge drejt Perëndimit, megjithëse vende-vende me baltë të rrëshqitshme të rrezikshme, këtu ekziston. Madje diku disa punëtorë po merren me mirëmbajtjen e saj.
Dy vajza 12-13 vjeçare të veshura bukur me dhëmbë skorbutikë zbresin teposhtë.
- Ejani se u lagët !
Hyjnë në makinë.
- Nga jeni ?
- Nga fshati Kabash.
- Sa shtëpi ka Kabashi ?
- Pesë ose gjashtë.
- Sa ka pasur më parë
- Rreth 100
- Jeni në shkollë ?
- Po, jemi në klasën e nëntë. Ne të dyja jemi kushërira.
- Sa larg e keni shkollën ?
- Dy orë vajtje dy orë ardhje më këmbë.
- Keni qenë ndonjëherë në Tiranë ?
- Jo. Deri në Durrës kemi qenë. Në Tiranë nuk njohim njeri.
- Ku po shkoni?
- I sollëm për të ngrënë vëllait që punon në mirëmbajtjen e rrugës.
- Pse nuk e merr drekën me vete vëllai, por duhet t’ia sillni ju duke udhëtuar me orë nëpër shi’?
- (ngrenë supet të dyja)
- A të nxjerr kjo rrugë në Gramsh ?
- Po, me autobus, nëpër zall.
Zbresin vajzat.
Rruga merr një të tatëpjetë si gjarpër plot me kthesa dhe baltra. Shiu po shtohet. Zalli s’duket.
S’duket zalli, por në një kthesë duket një Range Rover ! Mirë Range-i, po ëngjëlli shpëtimtar që e nget, ai ku është ?! Ja dhe Ëngjëlli ! Nja pesëdhjetëvjeç. Në të vërtetë, ëngjëlli apo shenjtori që thotë se quhet Mark nuk u duk shpëtimtar që në fillim. Ngaqë, kur më pa tek zbrisja tatëpjetën e skëterrshme plot balt’ e zhavorr me frena e pa frena, pati një moment hutimi, diç’ mendoi. Por erdhi shpejt në vete, dhe u ngrit në Qiell me një buzëqeshje.
- S’ke nga ja mban o mbrojtës i udhëtarëve në nevojë, o San Marco buçko me syze.
- Ku po vete, pyet shenjtori ?
- Në Gramsh.
- Eja pas meje, tha, dhe nisi Range-in.
Shënjtori përpara unë pas.
Ikja pas Shën Markut nëpër shi’ ishte e tëra një kombinim, diku më tepër Adrenalinë, diku tjetër më pak Endorfinë, ku në Qiell të dyja, e ku zero secila, nga ato që rrallë ndodhin në jetë. U duk kjo, që në kilometrat e para. Kur më të majtë u shfaq një e thepisur shkëmbore vertikale që prekte qiellin.
- Është e famshmja dhe e frikshmja Grykë e Holtës, përroit që buron në pyjet e ahut afër Stravanjit dhe bashkohet më Devollin afër Gramshit, tha...
E kush tjetër mund ta thoshte këtë veç atij që s’desha ta përmend fare këtu, nipit t’im erudit, i cili, edhe këtë herë më llahtarisi me gjithato toponomira dhe historira, zakone dhe vakira ?!
Shiu rretheqark, Shenjtori me Range përpara, më të majtë Gryka e Holtës, kjo ngushticë madhështore që përpin gjithçka në Lindje për ta flakur në Perëndim, frika nga rrëshqitjet nëpër kthesat e ngushta, u mbështollën e u bënë të tëra, s’e di se çfarë, as unë as nipi.
Pas kalimit tërthor të disa përrenjve dhe zajeve respektive, më së fundi i pafundmi Zalli i Holtës.
Hë se po mbaron këtu hë se po merr fund atje, Zalli i Holtës ishte i tëri një ankth i bukur. Gjatë atyre kalimeve të frikshme, shpesh në vende të ndryshme brenda ujit të së njëjtës rrjedhë, bëra ç’do herë të njëjtin marifet; Ndala makinën, lashë ta kapërcente i pari Shenjtori rrjedhën, pastaj u futa e kalova. A ishte kjo një hile njerëzore tokësore ndaj Shpëtimtarit të Qiellit ?!
Bubullima dhe shkreptima, gjëmime dhe vetëtima, nga pas Gryka e Holtës që nxirrte hungërima si nga gurmazi i një luani me dhëmbë shkëmborë që kafshojnë Qiellin, dhe, më e tmerrshmja, aty - këtu mbi lumë nisën të duken drunj të shkulur dhe kërcunj të zinj.
Një udhëtar i sprovuar i këtyre anëve që ka futur të gjithë familjen në një Jeep, gjarpëron me shumë shkathtësi përmes Zallit drejt Terra Ferma. Dhe na kalon të dyve, edhe mua edhe Shpëtimtarin t’im.
Shoferat e dy kamionëve të mëdhenj zhavorri, që ikin anës lumit në fryrje të pandalshme, bëjnë me duar shenja frike për të më dhënë të kuptoj se duhet të shpejtohem.
Në këto e sipër, momentet më të frikshme, ishin ato kur për shkak të vështirësisë të kalimit nëpër ujë më duhej ta ulja marrshin në mes të rrjedhës. Dhe ku ?! Në mes të atij Zalli, jo më të ngushtë se nja një kilometër, jo më të shkurtër se 12 a 15 kilometra !
Por më së fundi mbaroi !
Shën Marku, zbret dhe më drejtohet,
- A jeni ju Edison Ypi?
- Po ai jam. Të falënderoj o Shenjtor. A ishte ky një kalim i jashtëzakonshëm ?
- Po, i tillë ishte. E bëra për ty. Njëzet minuta më vonë do të kishte qenë tepër vonë. Do të duhej të prisje dhjetë ditë që të mund të hidheshe matanë.
- Po t’i isha futur vetëm kësaj skëterre me zaje ?!
- Atë s’e di. Pyet nipin. Mirmbetshi të dy.
Iku Shenjtori. Ndoshta për të shkruar një paragraf Ungjilli.
Pasdite e vonë. Në Gostimë një pazar i shkrehur. Diku pas Gostimës dikush ma bën me shenjë për një problem me makinën. Ndal dhe dal. Kalimi nëpër Zall ka shkalafitur mbulesën e poshtme të motorit. Në një gropë lavazhi e hoqa fare mbulesën.
Drejt Tiranës nëpër muzg; Hotele, minimarkete, truaj që shiten, kioska të mbyllura, lavazhe të heshtur, restorante bosh, shtëpi që shiten, gjethe që i ka marrë era.
Kështu mbaroi ky udhëtim; Nëpër ca vende të ashpra ku shqiptarët kanë nga dy emra. Ku të gjithë janë shpëtimtarë. Ku të gjithë quhen Mark. Ku të gjithë janë nga Zavalina. Ku edhe pse urtësia s’është fort në modë, për çudi të budallenjve, të gjithë jetojnë çdo ditë më mirë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora