E shtune, 27.04.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Emil Lafe: Fjalor Enciklopedik Shqiptar

E premte, 25.09.2009, 07:04 PM


FJALOR ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR (botim i ri)
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008

Nga prof. Emil Lafe
encikloped@yahoo.com


Dalja nga shtypi dhe vënia në qarkullim e vëllimit të parë e të dytë të Fjalorit enciklopedik shqiptar është me të vërtetë një ngjarje e shënuar në jetën shkencore të vendit tonë, por edhe të shkencës e të kulturës shqiptare në tërësi. Botimi i kësaj vepre enciklopedike, fryt i një pune të gjatë kolektive, përbën një arritje të rëndësishme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një dëshmi domethënëse të rolit të saj drejtues e organizues në veprimtarinë kërkimore-shkencore të vendit, të përgjegjësisë së saj shkencore kombëtare, të pavarësisë së kërkimit shkencor në kohën tonë dhe njëkohësisht një dëshmi të aftësisë së kapaciteteve intelektuale që janë formuar në strukturat e saj.

Botim i ri i Fjalorit enciklopedik shqiptar është përgatitur pas një pune komplekse disavjeçare të Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, të redaksive të 21 fushave tematike të Fjalorit, të Këshillit botues e të Redaksisë së përgjithshme dhe të disa qindra autorëve të zërave. Vepra e pranishme vijon rrugën e çelur nga Fjalori enciklopedik shqiptar i botuar në vitin 1985, i cili, si vepra e parë enciklopedike në gjuhën shqipe, do të mbetet në historinë e shkencës e të kulturës shqiptare si çdo fillim pozitiv, që hap një rrugë të re.

Ky botim i Fjalorit enciklopedik u përgatit në rrethana të reja historike-politike të brendshme e të jashtme dhe në pajtim me to ndryshon shumë nga fjalori i mëparshëm, si nga ana sasiore, ashtu edhe nga përmbajtja e zërave e nga mënyra e trajtimit të tyre. Në mënyrë të figurshme mund të thuhet se botimi i ri i Fjalorit enciklopedik ndryshon nga botimi i parë i tij ashtu siç ndryshojnë Bota dhe Jeta Shqiptare e kohës së sotme nga ato të një brezi më parë.

Fjalori enciklopedik shqiptar përfaqëson një vepër shkencore sintetike e përgjithësuese. Ai pasqyron historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike që nga lashtësia deri në ditët tona. Në këtë mes vend të gjerë zë pasqyrimi i gjithanshëm i jetës së shtetit shqiptar që me themelimin e tij më 28 Nëntor 1912. Po ashtu në FESH kanë gjetur pasqyrim historia e Kosovës, historia dhe jeta e popullsisë shqiptare në Maqedoni e në Malin e Zi, ana gjeografike-natyrore e trojeve të saj të banimit, zhvillimet dhe arritjet e reja politike, ekonomike, arsimore e kulturore-shhkencore. Arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe në përgjithësi Diaspora Shqiptare, e vjetra dhe e reja, veprimtaria e institucioneve dhe e figurave të njohura të saj, janë vështruar si pjesë përbërëse e pandashme e Botës Shqiptare dhe kanë gjetur pasqyrimin e duhur në FESH. Kështu, në emërtimin Fjalor enciklopedik shqiptar përcaktimi shqiptar pasqyron në radhë të parë përmbajtjen e kësaj vepre: ajo ka të bëjë me kombin shqiptar dhe me trojet e tij etnike, pra nuk është një vepër enciklopedike e tipit universal.

Lënda e FESH është përgatitur nga redaksitë e 21 fushave tematike në pajtim me Platformën e punës të miratuar nga Redaksia e përgjithshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare. Këto redaksi janë:

I. Redaksia e Arkeologjisë dhe e Historisë së Lashtë, e drejtuar nga akad. Muzafer Korkuti;

II. Redaksia e historisë së Mesjetës e Hershme dhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga akad. Kristaq Prifti;

III. Redaksia e Historisë Bashkëkohore, e drejtuar nga prof. Ana Lalaj;

IV. Redaksia e Mbrojtjes, e Rendit dhe e Historisë ushtarake, e drejtuar nga prof. Ruzhdi Ramadani, gjeneral;

V. Redaksia e Kulturës popullore, e drejtuar nga akad. Alfred Uçi;

VI. Redaksia e Letërsisë, e drejtuar nga akad. Jorgo Bulo;

VII. Redaksia e Gjuhësisë, e drejtuar nga prof. Seit Mansaku;

VIII. Redaksia e Artit dhe e Kulturës, e drejtuar nga prof. Ferit Hudhri dhe prof. Josif Papagjoni;

IX. Redaksia e Gjeografisë, e drejtuar nga prof. Arqile Bërxholi dhe prof. Farudin Krutaj;

X. Redaksia e Arsimit, e drejtuar nga i ndjeri akad. Bedri Dedja;

XI. Redaksia e Shtypit, e drejtuar nga prof.as. Bashkim Gjergji;

XII. Redaksia e Sporteve, e drejtuar nga prof. Lumturi Markola;

XIII. Redaksia e Drejtësisë, e drejtuar nga akad. Luan Omari;

XIV. Redaksia e Sociologjisë dhe e Filozofisë, e drejtuar nga akad. Zija Xholi;

XV. Redaksia e Ekonomisë, e drejtuar nga i ndjeri akad. Hekuran Mara;

XVI. Redaksia e Industrisë, Gjeologjisë dhe Minierave, e drejtuar nga akad. Teki Biçoku dhe prof. Besnik Ostrosi;

XVII. Redaksia e Ndërtimit, e Komunikacionit dhe e Ekonomisë komunale, e drejtuar nga i ndjeri akad. Besim Daja;

XVIII. Redaksia e Bujqësisë, Blegtorisë dhe Pylltarisë, e drejtuar nga akad. Mentor Përmeti;

XIX. Redaksia e Mjekësisë dhe e Farmaceutikës, e drejtuar nga i ndjeri akad. Josif Adhami;

XX. Redaksia e Biologjisë, e drejtuar nga i ndjeri akad. Teki Tartari;

XI. Redaksia e Kimisë, Fizikës, Matematikës dhe Informatikës, e drejtuar nga akad. Dhimitër Haxhimihali.

Redaksitë, ku kanë luajtur një rol veçanërisht të rëndësishëm sekretarët shkencorë të tyre, kanë mbajtur lidhje të vijueshme me Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare që në fazën e përgatitjes dhe diskutimit të fjalësit të çdo fushe, deri në dorëzimin e zërave. Të gjithë zërat e fjalorit të mëparshëm janë rivështruar, ripunuar e plotësuar, shpeshherë rrënjësisht, nga autorët e tyre të parë, nga bashkautorë të rinj, nga redaksitë përkatëse, nga redaktorët e Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare dhe nga Këshilli botues i veprës, i përbërë nga akad. Ylli Popa (kryetar), prof. Arqile Bërxholi, akad. Jorgo Bulo, prof. Emil Lafe, akad. Luan Omari, akad. Kristaq Prifti, akad. Eduard Sulstarova, i cili e ka shqyrtuar me durim e me përgjegjësi gjithë lëndën, fushë pas fushe. Në këtë proces një numër zërash u gjykuan si të panevojshëm dhe u lanë jashtë; një numër zërash të tjerë janë thjeshtuar ose bashkuar në zëra përmbledhës. Janë mënjanuar vlerësimet ideologjike e politike të së kaluarës, që kishin sjellë shtrembërime të së vërtetës historike për një numër ngjarjesh e personalitetesh. Botimi i ri i veprës “Historia e popullit shqiptar” në 4 vëllime, botimi i shumë materialeve dokumentare, i monografive e studimeve nga fushat e shkencave albanologjike, teknike e natyrore, nga fushat e artit, të sportit, të shkencës ushtarake etj., e kanë pasuruar FESH me fakte e vlerësime të reja.

Zërat e FESH janë përpunuar sipas kritereve shkencore, redaktoriale e teknike nga Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, e cila, në bashkëpunim edhe me autorët e me redaksitë, ka kryer vijimisht edhe plotësime, përditësime e saktësime të nevojshme. Këshilli botues i veprës ka shqyrtuar të gjithë lëndën sipas fushave dhe ka vendosur përfundimisht për përmbajtjen e saj në marrëveshje me redaksitë e fushave dhe me Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare.

Fjalori i ri enciklopedik përmban mbi 7200 zëra, ndër të cilët rreth 2350 zëra persona, në krahasim me rreth 5000 zëra të FESH të botuar më 1985, ndër të cilët rreth 700 zëra persona. Shtesa prej rreth 2300 zërash në krahasim me FESH të botuar më 1985 nuk ka të bëjë vetëm me përfshirjen e ngjarjeve e të dukurive të reja në Shqipëri, që i përkasin periudhës nga viti 1985 deri në ditët tona. Duke marrë parasysh realitetin e ri të krijuar në ditët tona për popullin shqiptar në Ballkan, veçanërisht pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999 dhe shpalljes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran më 17 shkurt 2008, Qendra e Enciklopedisë Shqiptare dhe redaksitë e fushave, me përkrahjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bënë shumë përpjekje që në këtë botim të ri të FESH të pasqyrohen gjerësisht gjithë trevat shqiptare, duke shtuar në mënyrë të ndjeshme zërat për qytetet, fshatrat, komunat dhe për njësitë e gjeografisë fizike (male, fusha, lugina, qafa, gryka, lumenj etj.). Kështu në FESH janë pasqyruar 30 komunat dhe qendrat komunale të Kosovës, si dhe komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni, në Malin e Zi e në luginën e Preshevës; janë përfshirë monumente të natyrës e të kulturës të këtyre trevave, shumë ngjarje historike, të vjetra e të reja, ndër to edhe lufta e UÇK-së dhe fushata e NATO-s për çlirimin e Kosovës, së cilës i kushtohet edhe një zë i madh i përgjithshëm si shtet i pavarur e sovran. Përveç kësaj, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme edhe zërat për institucionet arsimore, kulturore-artistike, shkencore, si dhe për personalitete e figura historike ose të fushave të ndryshme të kulturës, artit, shkencës, sportit etj. nga gjithë hapësira shqiptare. Në këtë mënyrë ky Fjalor enciklopedik ka arritur të jetë vepra e parë enciklopedike me shtrirje mbarëkombëtare, e hartuar me forca të përbashkëta të gjithë shqiptarëve.

Në këtë botim të FESH janë përfshirë në mënyrë më të gjerë edhe ngjarje të jetës ndërkombëtare, si edhe një varg personalitetesh të huaja politike, shkencore, nga bota e artit e nga fusha të tjera, që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me vendin tonë ose kanë ndikuar në zhvillime të ndryshme të jetës shqiptare, veçanërisht ata që kanë përkrahur aspiratat dhe përpjekjet e popullit tonë për një Shqipëri të lirë, të përparuar e demokratike.

Në pasqyrën më poshtë paraqitet

 

SASIA E ZËRAVE TË HARTUAR

PËR FJALORIN ENCIKLOPEDIK SIPAS FUSHAVE

 

 

Fusha

Nr. i zërave

1

Arkeologjia dhe Historia e lashtë

300

 2

Historia e Mesjetës dhe e Rilindjes

585

3

Historia bashkëkohore

665

 4

Mbrojtja, Rendi, Historia ushtarake

386

 5

Kultura popullore

370

 6

Letërsia

240

 7

Gjuhësia

170

 8

Artet, Kultura

490

 9

Gjeografia

1562

 10

Arsimi

180

11

Shtypi

300

12

Sportet, Fizkultura

125

13

Drejtësia

235

14

Sociologjia, Filozofia

26

15

Ekonomia

234

16

Gjeologjia, Minierat, Industria

307

17

Ndërtimi, Komunikacioni, Ekonomi komunale

234

18

Bujqësia, Blegtoria, Pylltaria

389

19

Shëndetësia, Farmaceutika

362

20

Biologjia

171

21

Kimia, Fizika, Matematika, Informatika

135

 

Për realizimin e FESH kanë bashkëpunuar dhe kanë dhënë ndihmesë të veçantë punonjës shkencorë të instituteve dhe qendrave kërkimore-shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pedagogë të departamenteve të Universitetit të Tiranës, të Universitetit Politeknik të Tiranës, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të universiteteve të tjera të vendit, të Akademisë së Arteve, të Akademisë Ushtarake, të Akademisë së Rendit, si dhe specialistë të cilësuar nga një numër institucionesh të tjera kërkimore-shkencore. Bashkëpunëtorët nga Universiteti i Prishtinës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga institucione të tjera të Kosovës, po ashtu nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, nga Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë dhe nga institucione të tjera në Maqedoni, në Malin e Zi, nga Arbëreshët e Italisë, si edhe disa albanologë të huaj, kanë dhënë të gjithë së bashku ndihmesë të pazëvendësueshme, duke hartuar zëra nga fushat e tyre të punës dhe duke dërguar materiale e të dhëna të nevojshme për plotësimin e një numri zërash të tjerë. Shumica e tyre, përveç tekstit të zërit, na kanë dërguar edhe materiale të ndryshme ilustruese. U jemi mirënjohës të gjithëve dhe i falënderojmë botërisht.

Për saktësimin dhe përditësimin e të dhënave që përmban vepra, u jemi drejtuar organeve të administratës shtetërore e sidomos INSTAT-it, prefekturave në qarqe dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, që na vuri në dispozicion të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 për popullsinë e qarqeve, të komunave e të qyteteve dhe të Republikës së Shqipërisë në tërësi. Kemi vënë re me kënaqësi se të gjitha këto institucione i kanë trajtuar me vëmendjen e duhur kërkesat tona dhe janë përpjekur të bëjnë më të mirën për plotësimin e tyre. Rritje të ndjeshme në këtë botim kanë edhe ilustrimet: vëll. I e II përmbajnë rreth 700 fotografi personash dhe mbi 1000 ilustrime të tjetra.

Është përmendur herë-herë se përfundimi i kësaj vepre nuk duhej të ishte zgjatur kaq. Nuk është rasti për të paraqitur justifikime për këtë vonesë, por megjithatë e quaj të nevojshme të jap një shpjegim. Kur kryesia e ASHSH mori vendim për të përgatitur një botim të ri të Fjalorit enciklopedik shqiptar, u mendua se lënda e fjalorit të parë në pjesën më të madhe do të qëndronte me disa redaktime të pjesshme; një numër zërash do të përditësoheshin e do të plotësoheshin, disa zëra të tjerë do të zhvisheshin nga politizimi dhe nga ideologjia e Partisë së Punës; krahas kësaj do të shtoheshin një numër zërash të rinj dhe do të hiqeshin disa zëra të panevojshëm. Edhe unë, kur e pranova detyrën e drejtorit të QESH që m’u propozua në fund të vitit 1999, mendova se me botimin e ri të FESH-it do të bëhej afërsisht po ajo punë që po bëhej me përgatitjen e botimit të ri të Fjalorit të shqipes së sotme (2002), d.m.th. mënjanimi i ngarkesave ideopolitike, përmirësimi i disa përkufizimeve, shtimi i një numri të kufizuar fjalësh të reja. Rrjedhim i këtij përfytyrimi të cekët për punën që na priste, ishte caktimi i një ekipi të vogël për redaktimin shkencor: 4 veta. E thënë në mënyrë të figurshme, u ngrit një ndërmarrje riparimesh e shërbimesh, e cila përballoi detyrat e një ndërmarrjeje të vërtetë ndërtimi. Zgjidhja e vetme ka qenë që të punonim të shtatë ditët e javës, pa orar, me mirëkuptim, me dëshirën për të bërë më të mirën e mundshme. Planifikimi në vepra kolektive me përmasa aq të gjera mbetet gjithnjë i vështirë. Unë jam ngushëlluar në njëfarë mënyre, kur kam mësuar se edhe projekte madhore si tuneli nën La Mansh ose aeroplani “Konkord” kanë marrë dyfishin e kohës e të mjeteve të planifikuara nga ekipe specialistësh të sprovuar. Por ndonjëherë, në ditët e ngarkesave e të shqetësimeve më të mëdha, kam sjellë nëpër mend atë monologun e famshëm shekspirian, të përshtatur për këtë rast në formën: Ah, sikur fati të mos na kishte caktuar ta çonim deri në fund këtë punë që kemi nisur, kush e duron ...

Punonjësve të QESH u është dashur të përballonin një ngarkesë të madhe të dyfishtë: organizative dhe shkencore. Ana organizative kishte të bënte me marrëdhëniet me 21 redaksitë për të ndihmuar në funksionimin e mirë të tyre dhe në marrjen e materialit. Puna për hartimin dhe redaktimin e zërave të FESH, meqë u konceptua kryesisht si ripunim, nuk u përfshi në planet shkencore të atyre që do ta kryenin. Dorëzimi i lëndës jo rrallë ka tejkaluar disa herë afatet e caktuara dhe si rrjedhim gjithë mekanizmi i punës ngadalësohej.

Ana shkencore e punës sonë kishte të bënte me përpunimin e materialit për t’i dhënë formën e nevojshme të një zëri enciklopedik dhe për të plotësuar mungesat e mangësitë, për të rrafshuar pabarazitë e trajtimit të zërave të një karakteri. Puna më e vështirë ka qenë ajo që quhet “organizimi logjik i përmbajtjes” dhe kjo nuk mund të kryhet mirë pa njohuri të përgjithshme e pa një intuitë profesionale për fushën përkatëse. Herë-herë zërat për çështje të ndryshme kanë pasur formën e një kumtese; zërat për disa persona ndonjëherë ruanin tonin dhe formën e një fjalimi jubilar a të një nekrologjie; meqë një pjesë e madhe e hartuesve të zërave janë pedagogë, lënda që na vinte prej tyre ruante shprehjen e një leksioni. Kujdes të veçantë kërkonte përmirësimi i shprehjes dhe i formulimeve te zërat e autorëve nga Kosova e Maqedonia. Redaktorëve të QESH dhe mua si redaktor i përgjithshëm e drejtues i projektit na është dashur të përballojnë një punë mjaft të vëllimshme për ta bërë lëndën në fillim të përshtatshme për diskutim në Këshillin botues të veprës, dhe më pas për të realizuar plotësimin e vërejtjeve e të kërkesave të tij dhe redaktimin përfundimtar e përgatitjen për shtyp. Në këtë veprimtari prof. Hysen Kordha ka përballuar detyra organizative e shkencore në shtatë fusha të shkencave shoqërore e ushtarake, ku janë shfaqur edhe çështjet më të mprehta e më të diskutueshme; dr. Vilma Proko ka përballuar 7 redaksi, kryesisht nga degët e ndryshme të ekonomisë, nga fushat e shkencave natyrore e teknike si dhe detyrën e sekretares shkencore të Qendrës dhe të administrimit të projektit; magister Haziz Gjergji ka përballuar katër fusha, prof. Mevlan Kabo fushën e gjeografisë, më e madhja për nga numri i zërave, veçanërisht gjeografinë fizike; Luljeta Minarolli dhe unë kemi ndjekur dy fushat filologjike dhe kemi kryer redaktimin letrar të Fjalorit; Enkelejda Misha ka punuar me cilësi për radhitjen, redaktimin teknik, ruajtjen e materialeve të fjalorit, mbledhjen e ilustrimeve, dhe specialisti i grafikës Ndue Gjika i doli zot formulimit grafik të veprës me shije artistike dhe me ambicien për një standard të ri në këtë lloj botimi.

Me gjithë përpjekjet tona, nuk kemi arritur t’i bëjmë redaksitë që të punonin të gjitha në nivelin e duhur. Jo rrallë ne kemi qenë të lumtur që më në fund kemi arritur t’i marrim zërat e kërkuar, sido që të ishin, dhe pastaj e dimë ne se ç’na është dashur të bëjmë me ta. Në të gjitha rrethanat QESH ka punuar me durim, me gjakftohtësi, ka marrë përsipër vetë edhe detyra të të tjerëve për hir të përfundimit të veprës, nuk ka bërë gjyq “kjo më takon mua e kjo s’më takon mua”, po ka bërë përpjekjet më të mëdha që vepra të arrijë standardet akademike më të larta si në përmbajtje, ashtu dhe në paraqitje e në kulturën e redaktimit. Jemi të vetëdijshëm se kjo vepër e realizuar në një kohë të cilësuar si periudhë tranzicioni, pasqyron aty-këtu dritëhijet e kësaj periudhe. Por ato do të përmirësohen në një botim tjetër jo aq të largët. Unë e përshëndes idenë e shprehur nga kryetari i ASHSH, akad. Gudar Beqiraj, se veprimtaria enciklopedike do të jetë një fushë pune e përhershme e Akademisë së Shkencave. Ngjarja e sotme mund të cilësohet si arritja në port e një anijeje pas një lundrimi të gjatë. Por edhe kur qëndrojnë në port, anijet nuk i shuajnë fare motorët, se është shumë vështirë pastaj t’i ndezësh e t’i bësh gati për një lundrim të ri.

Zonja dhe zotërinj!

Bibliotekat e institucioneve dhe të familjeve shqiptare po pasurohen me një vepër që na bën ta njohim më mirë dhe ta duam më shumë atdheun tonë, historinë dhe kulturën tonë, veten tonë. Akademia e Shkencave dhe hartuesit e kësaj vepre i kanë dhënë popullit shqiptar, veçanërisht brezave të rinj, një dëshmi të qartë të pasurisë së vlerave tona historike e kulturore, një dëshmi të lashtësisë dhe të njësisë së fisit shqiptar, një dëshmi të mundësive për të ecur më shpejt përpara, një dëshmi dinjiteti njerëzor e kombëtar. Prandaj ne sot kemi një ditë gëzimi të përbashkët, ditën e kurorëzimit të një pune të bashkuar për një qëllim të lartë. Le ta mbajmë mend këtë ditë! Ju falënderoj që jeni këtu me ne!

Tiranë, 26.06.2009



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora