E hene, 29.04.2024, 07:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Këze (Kozeta) Zylo: Ta ruajmë si një gur të çmuar gazetën “Dielli” thesarin e Kombit

E enjte, 24.09.2009, 07:13 PM


Ta ruajmë si një gur të çmuar gazetën “Dielli” thesarin e Kombit*

Nga Këze (Kozeta) Zylo

   Gazeta “Dielli” është ylli vetmitar ndriçues, që i jep shkëlqim gjithë gazetarisë, mediave shqiptare dhe Mëmëdheut tonë të shumëvuajtur.

Ashtu siç shkruan Artur Miller se: “Një gazetë e mirë është kombi që pasqyron veten e tij”, ashtu dhe gazeta “Dielli” e Nolit dhe Konicës, e ka kryer më së miri këtë detyrë të shenjtë, ndaj le ta ruajmë si një gur të çmuar në thesarin e Kombit shqiptar.

Unë sot dua t’i shpreh Vatres, mirënjohjen time të pakufishme dhe të familjes sime, që pas një Odiseje të gjatë kërkimesh, gjeta gjyshin tim vetëm nëpërmjet kësaj gazete së saj te ndritur.

Gjyshi im Hamit Veis Mexh(zh)gorani, kishte ardhur në Amerikë në vitin 1913 te, shekullin e kaluar, por ishte e pamundur ta gjenim, ngase nuk dispononim asnjë dokument te shkruar.

Atë ditë që unë gjeta emrin e tij, e kishja një nga ditet më të gëzueshme të jetës sime, të mbushur me emocion, me lot dhe dashuri.  E para sepse gjeta rrënjët e trungut tim, gjeta gjyshin tim aq të dashur dhe fisnik, gjeta gjurmët e tij këtu në Amerikë.

Ai u kthye në Shqipëri me libra të Fan Nolit, ku disa prej tyre ja sekuestruan në doganë, në Shqipëri.

Edhe pse babai im shpesh më tregonte që kanë qenë shumë të lidhur me Vatrën, me Fan Nolin, unë pata shumë vështirësi për t'i zbuluar këto rrënjë.

Këto rrënjë i gjeta pikërisht në gazetën “Dielli”, duke kërkuar në një prej diteve të shumta, pikërisht, më 27 Janar, 2008 në NY.

Që ditën që kam shkelur në Amerikë, gjyshi im më dilte më shumë se kushdo tjetër përpara sysh, në ëndërr e kudo!  Unë që javën e parë, pra në vitin e mbrapshtë të 97-s që u larguam nga Atdheu, dhe pse ishja akoma e pa ambientuar me Amerikën, doja të shkoja tek statuja e Lirise për të gjetur në mur emrin e gjyshit tim.

Shumë përpjekje, shumë kërkime, edhe me vajzat e mia dhe babain tim shkuam disa herë së bashku, por mundimi ishte i kotë.

Një ndjenjë ngazëllimi më përshkoi të tërën, kur para syve në gazetën “Dielli” publikuar në webin e Vatrës, lexova një grup të madh nga Mezhgorani i Tepelenës, që kishin paguar për Vatrën.

Emocionet e mia ishin të papërshkrueshme, më rrëmbyen të tërën dhe gjyshi im tashmë më shfaqet një ëngjëll i vërtetë, një ëngjëll që do ta kem pranë gjatë gjithë jetës sime.

Kur unë telefonova ne Shqiperi babain tim së pari, për t'i dhënë këtë lajm nga më të gëzueshmit, ai nuk mund të fliste dot, sepse u mbyt nga lotët, por unë ja fshija në pëshpërimat e fjalëve të mia duke kafshuar dhe unë buzën: E GJETA GJYSHIN, E GJETA, sepse largësia Amerikë-Shqipëri dhe ndarja me prinderit ka bërë të vetën...!

Gjej rastin të falënderoj prof.Peter R Priftin, At Arthur Liolinin dhe z.Naum Priftin të cilëve iu shkruajta për gjetjen e gjyshit dhe për të gjithë emigrantët Mezhgoranas që mbështeten kauzën e Nolit.

Ja c’me shkruajti prof.Peter R.Prifti, në përgjigjen e letrës së tij, një personalitet i shquar i Kombit:

…“Sikunder popujt kanë nevojë të dinë për historinë e kombit të tyre, ashtu dhe njerëzit kanë nevojë të dinë për pjesëtarët e familjeve të tyre që kanë "humbur", qofshin ata prindër,  gjyshër, vëllezër, motra, etj.

Kanë nevojë të zbulojnë rrënjët e tyre familjare. Ti je një nga këta fatmirë, që ia arrijnë qëllimit”.

Para syve m'u shfaqen figurat madhështore të Kombit, si Fan Noli, Faik Konica, e shumë të tjerë, që me aq zjarr e dashuri luftuan për çështjen Kombëtare, luftuan që të njihej Mëmëdheu ynë, ndryshe të mos ishte merita e tyre, vendi ynë do të ishte i copëtuar nga fuqitë e mëdha, ashtu siç jane disa pjesë të Shqipërisë jashtë trungut të saj, edhe sot e kësaj dite.

Nuk mund të mos përmenden midis kësaj pune titanike të udhëheqësve të Vatrës, dhe emigrantët vatranë të asaj kohe, të cilët te bashkuar bënë fuqinë, se vetëm të gjithë së bashku si atëhere dhe në këto kohëra, Shqipëria do të jetë Zonjë, Zonjë siç e ëndërronin Rilindasit dhe Vatranët e Fan Nolit.

Ju faleminderit dhe le të jetë gazeta “Dielli”, përgjithmonë diell ndriçues për shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trevat e saj.

*Mbajtur ne 100-vjetorin e gazetës “Dielli”



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora