E premte, 02.05.2025, 04:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Koha për teatrin e fëmijëve

E merkure, 23.09.2009, 07:21 PM


Shënim

Vangjush SARO

Koha për teatrin e fëmijëve

Përtej vlerësimeve për dramën “Kaçubeti” të shkrimtarit Flamur Buçpapaj

Ky shkrim, në pamje të parë mund të duket pak çapraz, i çuditshëm. Por le të themi, më e pakta, këtu lexuesi do të gjejë disa fraza të sinqerta. Në këtë fillimviti shkollor, natyrshëm mund t’i kthehesh edhe njëherë idesë se ne pothuaj i kemi “braktisur” fëmijët. Lufta politike dhe ambicjet për sa më shumë ndërtime, para, na kanë bërë të pandjeshëm përballë nevoja të mëdha të shoqërisë për të vendosur raporte të reja me të vegjëlit. Epo, ka ardhur koha për këtë. Fjala është për të bërë diçka më të mirë dhe të veçantë për edukimin e tyre.

Letërsi, spektakle. Shumë pak.

Përparimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare, doemos reflekton edhe në rritjen e kërkesave për jetën nga ana e fëmijëve. Kam parasysh lëvizjen e lirë, internetin, botimet e shumëllojta, lirinë në përgjithësi. Megjithatë, jam shprehur edhe më parë, ka njëlloj amullie. Mendoj se iu kemi shumë “borxhe” fëmijëve të sotëm. I kemi lënë pa sheshe lojërash, pa teatër, pa qendra edukimi, thjesht pa fëmijëri. Mandej, i kemi tubuar deri edhe për mitingje politike, por i kemi privuar nga kujdesi edukativ minimal. Dhe sa për përkujdesjen artistike...
Ani. Mendoj se na duhet të “riformatojmë” qëndrimin tonë ndaj tyre: me financime, me presion ndaj administratës, me koordinim të punës midis arsimit dhe OJF-ve, etj. Edhe letërsia dhe arti në tërësi, mund të jenë më të vëmendshëm në këtë temë. Kolegët shkrimtarë dhe Shoqata e Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj janë duke prodhuar vlera që jo gjithnjë mirëkuptohen. Jeta kulturore për të vegjëlit paraqet një tablo rastësish dhe aq. “Kripëmjaltëzat” është një nga ngjarjet e rralla e të pakta, që synon të promovojë talentet dhe të bëjë spektakël. Disa vlera i sjell edhe “Gjeniu i vogël”, për të cilin kam edhe rezerva, sidomos kur fillojnë e këndojnë fëmijët këngë që në fakt janë lektisje dashurie. Po e lë me kaq. Gjithsesi, midis të tjerave, na duhet një bibliotekë e fëmijëve, mandej na duhet edhe një teatër për të vegjëlit. Them “një” se e di që kështu fillohet. Po përpiqem ta argumentoj këtë.

“Kaçubeti” në kërkim të skenës

Këto ditë, kam lexuar dramën për fëmijë “Kaçubeti” të shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Është një përrallë e ritreguar me thjeshtësi, që përcjell një mesazh me vlera; dhe e bën këtë përmes kërkimesh artistike që do t’i çmoja, duke patur parasysh sidomos varfërinë e skajshme të dramës shqiptare në tërësi, por edhe të asaj për fëmijë në veçanti.
Drama rrëfen një subjekt të thjeshtë në temën e përjetshme të luftës midis së mirës dhe të keqes. Te “Kaçubeti” ka madje një qasje të natyrshme drejt botës jo-njerëzore, ku kafshët dhe shpendët ofrohen më të ndjeshme, më të dashura se vetë njerëzit. Personazhi qendror i dramës, Plaka apo më mirë nëna e të gjithëve, në fund edhe e pyllit, gjen prehje pikërisht në një mjedis të tillë, larg të keqes dhe pangopësisë e pandjeshmërisë, që ngjizen këtu te figura e Plakut. Drama e rrëfen ngjarjen e thjeshtë përmes një dialogu të ndjerë, të qartë, që ndërtohet me fjali të shkurtra, copëza shfrimesh që venë e vijnë nëpër ajrin e pasigurt. E keqja rri varur në kasollen e varfër. Natyra do të ofrojë më shumë ngrohtësi dhe siguri.
Në dramë, ka skena të veçanta të vizatuara mjaft bukur dhe me ngrohtësi, si skena II (Akti I) kur plaka flet me natyrën te burimi: “Pse gjithë kjo borë ka ra dhe ti ujin e ke shterue?” Ose skena III (akti II) kur Trinca kujdeset për Plakën dhe e fton te Shpella e Bardhë, etj. Autori përdor një figuracion të pasur, në përputhje me vlerën e elementeve të njohura të përrallës. Pikaloshja e Korbi flasin si të ishin njerëz, madje Pikaloshja është kompozuar në raporte prindër-bijë me pleqtë. Kroi dhe pishat bëhen me frymë dhe dialogojnë me plakën… Në disa momente, drama përcjell edhe njëlloj fryme didaktike dhe detaje të një jete mjaft interesante e të panjohur për fëmijët. Korbi e këshillon plakën: “Merr dru prej arre e verri, o njeri, dhe përpiqu të bësh zjarr me to.” Por Trinca, zogu i mirë, i thotë se duhet të zgjedhë fushje e frashër, pra ato e bëjnë zjarrin.  
Frazeologjia popullore që përdor Buçpapaj, është në funksion të rrëfimit, duke veshur me realizëm krejt ngjarjen dhe duke i bërë personazhet shumë konkretë. (Të hangërt kaçubeti! Thefsh qafën! Prit sa të bjerë një gju bore… Hajt i rafshin pendelat menjëherë!) Prirja për pasurime leksikore flet për ndjeshmërinë e autorit ndaj problemit të përzgjedhjes së gjuhës. (Plaku tash është rokatë, është rrjedhë nga pleqnia, etj.)
Drama mund të ngjitej në skenë me sukses nga një dorë e kujdeshme dhe mirëdashëse.

Po pse teatër për fëmijët?

Jo vetëm “Kaçubeti” është gati dhe kërkon një skenë. Ka romane e novela të një sërë autorëve shqiptarë dhe të huaj, që shumë mirë mund të shikonin dritën e dramatizimit. Kam parasysh krijimet më të mira të kolegëve Gaqo Bushaka, Sazan Goliku, Skënder Hasko, Petraq Zoto, Mira Meksi, Astrit Bishqemi, Bardhyl Xhama, Viktor Canosinaj, Vasil Premçi, Xhahid Bushati, Hamdi Meçe, Sokol Jakova, Viron Kona, etj. Dhe kështu, teatri i të vegjëlve do të ishte një nga investimet më të mira për të ardhmen e disa brezave. Hë për hë, në mungesë të terreneve sportive dhe teatrove, fëmijët lozin zhurmshëm përpara pallateve, që vazhdojnë të ngjiten e të puqen me njëri-tjetrin si të jetonim në një geto. Teatri i të vegjëlve do të mund të hiqte një pjesë të mirë të fëmijëve edhe nga rruga e nga vesi; më e pakta, nga mediokriteti i përditshëm.
Më në fund, teatri do të kërkonte vetiu një standard të ri për letërsinë, për spektaklet, për jetën përtej lojrave kompjuterike dhe zdërhalljes pa kuptim. Unë jua propozoj këtë Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit, OJF-ve që shpesh i çojnë paratë kot, por edhe sipërmarrjes shqiptare. Vini dorën në zemër dhe, natyrisht në “kuletë”, për fëmijët tanë, për fëmijët tuaj. Së paku, mendojeni njëherë… 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx