E diele, 28.04.2024, 05:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: “Ikja e muzave” dhe viti i mbrapshtë ’97

E hene, 21.09.2009, 03:10 PM


“Ikja e muzave” dhe viti i mbrapshtë ’97


Nga Kujtim Mateli

 

Lexuesi ka në dorë romanin më të ri të shkrimtarit Ylli Xhaferri “Ikja e Muzave” Një libër i shkruar me mjeshtëri të lartë ku e sotmja shkrihet me të shkuarën duke na kujtuar se historia përsëritet dhe se personazhet mitologjikë të së shkuarës kanë qenë dikur personazhe realë ashtu si disa personazhe realë të ’97, që ishin një kopje e shëmtuar e personazheve mitologjikë. Personazhet kryesorë të romanit janë Bukradheu (e bukura e dheut) dhe Qerosi. Këto personazhe janë të njohur për lexuesin shqiptar. Qerosi është simbol i mençurisë së popullit. Ai është i skalitur në mijëra krijime që thuhen për të. Ishin ngjarjet e trazuara të ’97 që e thirrën këtë personazh të shfaqej përsëri ashtu sikundër ishte shfaqur edhe më pare, kur e kishin kërkuar rrethana të ngjashme. Por ai nuk mund të luftonte i vetëm përballë figurave më negative që iu shfaqën përpara dhe që përbënin një kërcënim serioz jo vetëm për të, por edhe për ekzistencën vetë njeriut.
Sigurisht një tjetër figurë e skalitur do t`i vihej në krah në këto situata të vështira. Kjo do të ishte Bukradheu. Me brishtësinë e saj si femër dhe simbol i bukurisë femërore, ajo përfaqësonte ato mijëra gra dhe vajza që në ato vite të mbrapështa të ’97-ës, ndiheshin të kërcënuara. Me këto dy personazhe që përfaqësojnë njëri  mençurinë e popullit tonë dhe tjetra bukurinë e gruas, e fillon betejën shkrimtari për të përballuar lukuninë e personazheve negativë që një ditë, në aleancë me njëri-tjetrin, u bënë kërcënim për vetë ekzistencën e kombit tonë.
Qerosi dhe Bukradheu,në tërë historinë tonë mijëravjeçare, kishin qenë personazhe që vepronin të pavarur nga njëri-tjetri. Por ja që erdhi një kohë që duhej të vepronin të dy bashkë, përballë mënxyrës që iu kanos vendit tonë. Kjo pikëtakimi do të ishte në Syrin e Kaltër, në vendin simbol të bukurisë shqiptare.
Po ai  ishte pushtuar nga të këqinjtë.
Divi, ky personazh i mitologjisë, kishte zaptuar basenin e kaltër dhe po ndërtonte një fshat piktoresk, por një fshat të frikshëm për njerëzit. Ai ishte një fshat ku do të frekuentohej nga: “Katallanët, Vurkollakët, Djajtë, Mokthet, Grabofçat dhe Qipullët, të gjithë monstra.   Këto personazhe të mitologjisë na u shfaqen edhe një herë në vitin ’97. Ishin njerëz që kishin jetuar mes nesh, por në një çast u shpërfytyruan. U kthyen në përbindësha. Ja si e përshkruan autori ndonjërin prej tyre të mishëruar në figurën e Divit. “Divi fërkonte barkun e madh dhe lëpinte buzët e pështira nga nepsi. Shihte vajzat që blegërinin si delet në derë të thertores, bënte llogarinë e parave që fitonte. Kishte futur Flockën t`i gruponte në lloje e kategori. Pasditeve vinin gomone, fuoristada dhe pajtone, mbusheshin me vajza. Niseshin udhëve të tokës dhe detit, andej dhe këndej kufirit të lindjes dhe perëndimit.fq.46-47”
Ja kështu, ky personazh i mitologjisë sonë, që ne besonim se kishte vdekur përgjithmonë dhe që besonim se nuk do të kishte qenë personazh real, por frut  i fantazisë së popullit tonë, na u shfaq një ditë para syve si për të na thënë se e keqja nuk kishte vdekur ende dhe se përbënte një kërcënim real. Me vajzat e trafikuara mbushte llogaritë bankare brenda dhe jashtë vendit, ndërtonte
vila dhe pallate, duke kërcënuar të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Në kthetrat e Divit, i ndihmuar nga sivëllezërit e tij, kishte rënë edhe  Bukradheu. Ishte bërë robinjë e të këqinjve. Jemi në vitet kur ndihej e kërcënuar e gjithë shoqëria femërore.

Qerosi dhe Bukradheu, ashtu si në mitologji do të shëtisë gjithë hapësirën e vendit tonë. Nga Syri i Kaltër e deri në Bogë të  Shkrelit, nga Gjerbësi i Skraparit  deri tek rrapi i Libohovës, nga Guri i Pishkashit deri në Lenë të Martaneshit, nga Postenani i Leskovikut deri në cirqet akullnajore të Tomorrit.  Gjithë Shqipërinë e shkeli këmba e Qerosit dhe e Bukradheut. Në libër gjen disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë. E tillë ishte rrëzimi i rregjimit totalitar komunist. Populli përfaqësohej nga Dragoi që do të ndeshej me kuçedrën komuniste. Kishte trokitur çasti final,-na thotë autori.Ora e madhe. Koha e njeriut.

*
Qerosit dhe Bukradheut i shfaqet para sysh Labëria. Jemi në pranverë të vitit ’97. Ja një copëz bisede midis personazheve që ndihen si në ethe: “Ishin hapur fjalë se avionë gjuajtës dhe helikopterë ishin ngritur nga aerodromi ushtarak i Kuçovës për të bombarduar zonat rebele.”

Në këtë mjedis Qerosi me Bukradheun premtonin se do ta shkulnin urrejtjen që kishte pllakosur vendin duke e zhdukur njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut.

Por Syqenëza nuk i lejonte. Kishte krijuar Komitetin e Shpëtimit Kombëtar. Pjesëtarë të këtij Komiteti ishin Qipulli dhe Divi, Kuçedra dhe Vorkullaku, Karkanxholli dhe Mokthi, Floçka dhe Grabofça,Hija dhe Kukudhi. Të gjitha këto qënie, pjellë e një nate të keqe, kishin vendosur të luftonin me çdo gjë që kërkonte t`u shkurtonte atyre jetën. Ndaj për t`u bërë të pagjetshëm apo të padukshëm, e zhvendosnin shtabin sa nga njëri vend në tjetrin, sa nga një krahinë në tjetrën. Në një moment u duk se gjetën vendin e tyre të përshtatshëm. Diku, aty në Grykën e Bënçës, në ca murana të hershme, ishte vendi më i përshtatshëm për të ndërtuar Ferrin tokësor. Që nga ajo botë e Ferrit do të projektonin luftën që do t`u shpallnin gjithë qënieve të tjera që kërkonin të ngrinin në piedestal njeriun. Do t`i shpallnin luftë Dragoit dhe Zanave të Mira, Dhevështruesit me Dhamstuën që nuk i ndahej mëzi i vogël Pullali. Në shënjestër të tyre ishte Qerosi me Bukradheun që përpiqeshin për të bërë vetëm mirë, për të mbrojtur fatkeqët, për t`u dhënë ndihmë nevojtarëve. Për këtë mirësi që ata bënin për njerëzit, ishin vënë në shënjestrën e Syqenëzës. Ajo i përgjonte kudo. Do t`i kapte edhe ata një ditë. Bukradheu do të bëhej robinjë e saj. I kishte përgatitur edhe asaj një vend në flotën e gomoneve dhe të skafeve për ta hedhur si robinjë përtej deteve. Prej saj, më shumë prej cilësdo tjetër, do të nxirrte përfitime të mëdha.
Por personazhet që luftojnë për të mirën e njerëzve dhe për vendin e vet gjithmonë e kanë një zgjidhje në të mirë të tyre. Bukradheut dhe Qerosit i shfaqen Të Mirat dhe Orat. Janë personazhe të mitologjisë sonë që i kanë ndihmuar njerëzit sapo para tyre është shfaqur një fatkeqësi. Dhe për këto personazhe ka patur gjithmonë mirënjohje. U tregojnë udhën për të dalë në malin e perëndive. Duhet të shkonin domosdo pranë Tomorrit për të shpëtuar nga Syqenëza dhe Qoftlargu. Që andej Baba Tomorri do të godiste me shigjeta rrufeje dhe sfera të zjarrta cilindo që do të guxonte. Pak kohë aty në Tomorr dhe në rrethinat e tij u ndien mirë. U ndien të mbrojtura. Baba Tomorri nuk lejonte prapësi. Po duhej të lëviznin.

*
Edhe në rrethinat e Tiranës nuk iu hoqën nga sytë pamja e keqe e luftës. Stihia kishte marrë formën e një gjarpëri të zi. Herë merrte formën e një Kuçedre që villte flakë dhe zjarr ku shkrihej në rrëkeza, ari i vjedhur. Po edhe aty ishin të pranishëm Qipuj, Divë dhe Shtojzovalle, Kuçedra dhe Vorkullakë, Karkanxhollë dhe Moktha, Floçka dhe Grabofça, Hije dhe Kukudhë, Lamje dhe Katallanë. E kishin shkatërruar peizazhin duke ngritur në çdo anë kurthe për njerëzit e mirë. Sapo çeleshin për njerëzit ura miqësie, shpirtrat e së keqes ngriheshin në formë xhindesh dhe shkatërronin gjithçka. Dhe mbetën proverbiale fjalët e Minisstrit të Mbrojtjes se po ta hapësh ’97, do të gjesh një gropë të zezë që fëlliq e qelb botën mbarë. Dhe kishte të drejtë. Divi, Syqenëza, Stihia, të shoqëruara nga dhjetra qenie të tmerrshme që rrënjët i kishin thellë në mitologji, mundoheshin të shkatërronin gjithçka. Kishin arritur të shkatërronin atë që nuk ishte arritur në të gjitha kohërat. Stihia kishte arritur të shkatërronte dyert dhe muret e Thesarit të Shtetit dhe në këtë vend të mbrojtur ngriti strofullën e vet. Për të patur hapësirë të mjaftueshme për strofullën e saj, largoi ç`gjeti përeth. Vrukollakët dhe Karanxhollët transportonin në errësirrën e thellë lingotat e arit, gjelat e floririt dhe çdo monedhë të ruajtur në Thesarin e Shtetit.

 

*
Duke lexuar këtë roman bindesh se edhe qëniet mitologjike në zanafillë të tyre kanë qenë qënie reale. Ato kanë qenë mishërim i së mirës ose i së keqes. A nuk pati viti `97 qënie që mishëronin Divin, Syqenëzën, Stihinë, Kuçedrën  apo qënie të tjera po kaq të këqia? A nuk qenë njerëz realë ata të `97 që na kalonin para syve duke mbajtur jetë njerëzish në qefinin e vdekjes? Erdhi një moment që mitologjia dhe jeta njerëzore u shkrinë me njëra-tjetrën dhe ti nuk e kuptoje se ku mbaronte jeta reale dhe ku fillonte ajo mitologjike. Personazhët mitologjikë na kujtojnë njerëz realë dhe njerëzit realë na kujtojnë personazhët mitologjikë. Mitologjia dhe jeta reale, jeta njerëzore e pak viteve më parë janë bërë një histori e vetme që na bën apel se duhet të vigjëlojmë për të mos u kthyer monstrat e vitit `97.

 

*

Po jeta njerëzore nuk karakterizohet nga qëniet e këqia. Nëse do të ishte kështu njeriu nuk do të kishte arritur të ndërtonte shoqëri njerëzore. Mirësia ka qenë tipar i shoqërisë. Që të ruhet kjo miqësi njerëzore vigjëlon Dhevështruesi dhe gjithë qëniet e mira mitologjike. Janë këto qënie mitologjike që i bëhen krahë Dragoit për ta mundur përherë Kuçedrën. Ishin këto qënie të mira që e shpëtuan Qerosin dhe Bukradheun nga flakët e këqia, nga Xhindet dhe Mokthet. Dhe duke lexuar romanin në kontekstin e vitit të mbrapshtë e sheh qartë se ato personashe mitologjike të Mirësisë ishin njerëz realë që iu kundërvunë së keqes dhe e mundën.

 

*
Qerosi dhe Bukradheu  për të shpëtuar nga e keqja që kishte pllakosur vendin e kërkojnë shpëtimin, ashtu si njerëzit e thjeshtë, tek froni i perëndive, atje në Tomorr.

Edhe Qerosi i lutet Baba Tomorrit ashtu siç bëjnë njerëzit e zakonshëm
 “Të lutem, Baba Tomor, Ndihmomë. Shpëtoje Bukradheun! Vrite me rrufe të kuqe Lugatin.” Kështu është lutur pothuaj çdo familje shqiptare në atë vit të mbrapsht që nuk dihet se ku ishin grumbulluar ato xhinde dhe e bënë rrëmujë Shqipërinë.
Personazhët mitologjikë e shoqërojnë ngado Qerosin dhe Bukradheun. Në momente të vështira kërkonin në qiell e në tokë se ku ishte Dhevështruesi nga i cili prisnin që të ndihmoheshin. Kërkonin të dëgjonin hingëllimën e Mëzit Pullali, hingëllima e të cilit ishte kushtrim për Dragojtë. Ajo hingëllimë u vinte në ndihmë njerëzve në nevojë. Ndaj shpeshherë personazhët e romanit tonë prisnin me padurim gjersa të shihnin pelën e bardhë Dhamsutë tek kulloste livadheve të qiellit për të marrë fuqi të reja, të ndihmonte njerëz dhe tokë, shpesë e kafshë, gurë e drurë. T`u vinte në ndihmë njerëzve fatkeqë.
Ky roman është një apel që u drejtohet njerëzve: E keqja është një dukuri që e ndjek njeriun dhe njerëzimin në të gjitha kohërat. Të jemi të kujdesshëm për të mos u kthyer më kurrë, Qipuj dhe Divë, Kuçedra dhe Vorkullakë, Karkanxhollë dhe Moktha, Floçka dhe Grabofça, Hije dhe Kukudhë, Lamje dhe Katallanë.

 



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora