Kulturë
Kalosh Çeliku: Oda e miqve
E marte, 22.09.2009, 04:12 PM

ODA E MIQVE
Fëmijë kam qenë atëherë, në ato vite të Hutit me veshë. Dimëra me dëborë. Kohë, menjëherë pas lufte. Ende lëmës sonë i vinte era barot. Kopshtit. Livadhit. Kasollave, në lojë e sipër, ku gjenim bomba të kuqe italiani. Fishekë. Plumba dum-dum. Eh, sa herë si fëmijë kemi kërcyer bythekrye mbi ato bomba në kasollën me kashtë! I kemi marrë nëpër duar si lodra. I kemi futur në xhepa si dardha turke. Kokë më kokë i kemi strukur në çantë bashkë me librat, fletoret. Gjithë ditën e gjatë luanim nëpër livadhe me to sikur të ishin topa të larmë llastiku. Zoti Madh, siç duket atëherë na ka pasur në dorë. Na ka ruajtur nga të ligat, nga ato lodra të rrezikshme që i hasnim në çdo hap, i shqelmonim me këmbë nëpër livadhe. Përmëkeq, ndonjëherë na prisnin edhe në oborrin e shkollës. Ose, nën shkallë te pragu i derës.
Dhe, nuk di çka m’u kujtua sot, Oda e miqve. Im Atë nën hijen e Lisit midis livadhit me mustaqet vesh më vesh. Ballin plot me rrudha si të çarrit. Nagantin me nëntë fishekë, një në gojë dhe dy bomba italjani në brez. Mauzerrin verë e dimër varë në një gozhdë pas dere. Kollaret me fishekë. Eh, sa dëshirë kam pasur atëherë t’i marr pak nëpër duar ato armë misterioze, të luaj pak me to në lëmë. Po kot, ne fëmijët i kemi pasur të ndaluara rreptësisht nga Babai. Nuk janë lodra fëmijësh për ne hutaçët. I kemi librat, thoshte: Lapsat. Fletoret dhe gomat, që mund të luajmë gjithë ditën e natën në shkollë. Lëmë. E livadhe si qengja me një zile në qafë varë.
Sot, pas kaq viteve kur e kujtoj Odën e miqve, vërtetë para meje shfaqet një film i tërë i atyre ditëve. Burra mejdani me mustaqet vesh më vesh. Tirqi me gajtana e xhamadanë me sumbulla. Struken hedhur krahëve. Kësulën e brdhë në kokë. Nagantin me gjithë fishekë dhe bombat në brez. Mauzerrin përqafe. Natën vinin te ne si miq. I varnin armët pas dere. E kalonin natën. Dhe, iknin para agimit ditën. Nuk mund ta merrni me mend sa kurreshtarë kemi qenë ne hutaçët të dimë se çka bisedonin ata burra pushke. Po, jo. E kemi pasur të ndaluar rreptësisht nga im Atë t’i dëgjojmë bisedat e tyre të rrezikshme për atë kohë pas dere.
Ditë kanë kaluar që atëherë, asaj kohe. Netë. Vite. Shi ka rënë me shtamba mbi çati të shtëpisë, në Livadhin tonë të fëmijërisë. Breshër. Dëborë e madhe. Vetëmse, kurrë nuk kanë mundur t’i fshinë kujtimet e odës së miqve. Gjurmët e atyre burrave nëpër lëmë me mauzerrët krahëve. Fatkeqësisht, që pas kaq viteve, unë i biri i tij edhe pse kam dy shtëpia në Shkup, ende edhe sot e kësaj dite nuk kam Odë të miqve.
Eh, lexuesi im i nderuar ta dini ju, sa më mungon ajo odë e miqve! Bisedat e tyre kokë më kokë pas darke. Burrat e asaj kohe...
Komentoni
Artikuj te tjere
Poezi nga Gjokë Sokoli
Blerim Rrecaj: Përgëzime për festën, pije dhe ëmbëlsira…
Cikle me poezi nga Përparim Hysi
10 shkrimtarë të mëdhenj që s’kanë marrë Nobel
Harilla Koçi: Skënderbeu, një portret i panjohur në arkivin e Sienës
Gjon Neçaj: Kur mësohej fshehurazi gjuha e huaj...
Kujtim Mateli: “Ikja e muzave” dhe viti i mbrapshtë ’97
Kujtim Agalliu: Mahmoud Darvish, poet i humanizmit
Qamil Foniqi: Evropë Jo!... (Cikël poetik)
Arbër Arapi: Rosalie Prudent
Muharrem Sfarqa: Një libër i ri për Kosovën në gjuhën Gjermane
Alma Papamihali: Intervistë me aktorin shqiptar Herion Mustafaraj
Dibrani - Transport: Gëzuar Bajramin
Mustafë O. Hoxha: Motiv deti- arbëreshë
Isuf Zela: "Majekrahu", një perlë e rapsodisë shqiptare
Sejdi Berisha: Pushimi në dhomën time, ose leximi i lumturisë që nuk ekziston...! (Ese)
Kalosh Çeliku: Beqaresha partiake
Veprat e Anton Nikë Berishës të botuara deri në qershor të vitit 2009
Intervistë e autorit Petraq Risto dhënë gazetarit Albert Zholi
Albina Idrizi: Poezia ime