Kulturë
Harilla Koçi: Skënderbeu, një portret i panjohur në arkivin e Sienës
E hene, 21.09.2009, 03:18 PM

Nga Harilla Koçi
Një fotografi, në të cilën paraqitet portreti i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, e punuar në shek. XVI, është zbuluar së fundi në arkivat e shtetit fqinj të Italisë. Fotografia paraqet një kupë porcelani, mbi të cilën është vizatuar portreti i Heroit tonë Kombëtar. Ky portret është i ndryshëm nga perceptimet e deritanishme për Skënderbeun dhe nuk ngjason aspak me pamjen që jemi mësuar të shohim në libra të historisë. Heroi Kombëtar shfaqet si një luftëtar me përkrenare dhe veshje lufte të ndryshme nga ajo që përdoreshin prej shqiptarëve. Zbulimi i këtij portreti është rrjedhojë e punës shumëvjeçare të studiuesit dhe historianit vlonjat, Fahri Shaska. Ai thotë se, "portreti i panjohur i Skënderbeut, i punuar në një kupë porcelani, është zbuluar në arkivin e shtetit në Siena (Itali) dhe ka një histori krejt të veçantë". Sipas zotit Shaska, portreti i përket vitit 1535 dhe është realizuar në zonën e Fuencas në jug të Italisë. Në këtë zonë, me traditë në punimin e porcelanit, ekzistonte edhe një tendencë për t‘i pasuruar dhe zbukuruar prodhimet artistike me portrete të personazheve të shquara të historisë. "Në atë kohë, në punimin e sendeve prej porcelani në këtë zonë, ekzistonte një stil punimi, i emërtuar "Bello", që konkretizohej në zbukurimin e prodhimeve me portrete të njerëzve të shquar", thotë Shaska. Pjesë e kësaj tradite, sipas tij, është edhe një kupë me lartësi 28.5 cm, në faqen e së cilës është pikturuar portreti i Heroit Kombëtar. Shaska shprehet se, autori i këtij portreti është i panjohur. "Nuk ka asnjë të dhënë nëse autori i ka qëndruar besnik pamjes së Skënderbeut, apo e ka ravijëzuar atë nga një perceptim individual, nisur nga fama e heroit të shqiptarëve", thotë historiani vlonjat, duke shtuar se "ndoshta autori, në punimin e tij është nisur nga emri dhe fama e Skënderbeut, duke mos u ngacmuar nga ndonjë element real i pamjes së tij fizike". Në fakt zona ku është realizuar ky punim artistik ndodhet pranë Napolit, ku Skënderbeu udhëhoqi ekspeditën e famshme, për t‘i ardhur në ndihmë Alfonsit, mikut dhe aleatit të tij. Shaska thotë se ndoshta edhe ky moment, krahas motiveve të tjera, mund të ketë shërbyer si arsye që portreti i Skënderbeut të fiksohej në mënyrë të tillë, në një punim artistik të traditës në rajonin e Fuencas. "Heroi Kombëtar paraqitet në të si një luftëtar me përkrenare dhe veshje lufte që nuk ngjasojnë aspak me ato që kanë mbërritur prej tij dhe që ruhen në Muzeun Kombëtar të Vjenës", thotë Shaska, duke shtuar se kjo përkrenare dhe kjo veshje nuk përputhen aspak me ato që përdoreshin në Shqipëri. Megjithatë, sipas tij, ky portret i panjohur reflekton peshën, famën dhe emrin e Skënderbeut përtej Adriatikut dhe më gjerë, si një luftëtar i madh që doli fitimtar ndaj perandorisë më të fuqishme të kohës dhe që frenoi invazionin turk në Perëndim. "Ky portret, krahas dokumenteve të tjerë origjinalë, që lidhen me Skënderbeun, ekziston në arkivin e shtetit në Siena (Itali)", tregon Shaska. Në të paraqitet edhe rruga që ka ndjekur në histori kupa e porcelanit, fati i së cilës aktualisht nuk dihet. Shaska thotë se deri në vitin 1939, kupa e porcelanit, me portretin e Skënderbeut, ka qenë e ekspozuar në Muzeun e Napolit. Në këtë vit, sipas dokumenteve, ajo u ble nga një pasanik francez prej Monakos, i cili e vendosi atë në një koleksion privat në Paris. Prej këtij momenti, nuk dihet se çfarë ndodhi më tej me këtë kupë, ndërkohë që pamja e saj ishte fiksuar në celuloid dhe bashkë me historikun ishte bërë pjesë e arkivit të shtetit në qytetin e Sienas. Dokumenti origjinal shoqërohet me shënimin tregues të këtij portreti. Deri pak kohë më parë, ajo ishte pjesë e arkivit të pasur të patriotit nacionalist, Sulejman Meço, që jetonte në SHBA.
Komentoni
Artikuj te tjere
Gjon Neçaj: Kur mësohej fshehurazi gjuha e huaj...
Kujtim Mateli: “Ikja e muzave” dhe viti i mbrapshtë ’97
Kujtim Agalliu: Mahmoud Darvish, poet i humanizmit
Qamil Foniqi: Evropë Jo!... (Cikël poetik)
Arbër Arapi: Rosalie Prudent
Muharrem Sfarqa: Një libër i ri për Kosovën në gjuhën Gjermane
Alma Papamihali: Intervistë me aktorin shqiptar Herion Mustafaraj
Dibrani - Transport: Gëzuar Bajramin
Mustafë O. Hoxha: Motiv deti- arbëreshë
Isuf Zela: "Majekrahu", një perlë e rapsodisë shqiptare
Sejdi Berisha: Pushimi në dhomën time, ose leximi i lumturisë që nuk ekziston...! (Ese)
Kalosh Çeliku: Beqaresha partiake
Veprat e Anton Nikë Berishës të botuara deri në qershor të vitit 2009
Intervistë e autorit Petraq Risto dhënë gazetarit Albert Zholi
Albina Idrizi: Poezia ime
Agim Bacelli: Mrekullitë e Botës
Kujtim Agalliu: Varri i shitur (Tregim)
Dy letra të panjohura për Mustafa Krujën nga Dhimitër Beratti dhe Karl Gurakuqi
Llemadeo: Ajo natë…
Xhafer Syla: Biblioteka dje dhe sot