E shtune, 20.04.2024, 06:39 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Shën Vasili

E enjte, 24.09.2009, 06:06 PM


Shën Vasili

Nga Edison Ypi

Kur pllangat e kuqe të gjakut mbi dyshemenë ku vranë si qen e bushtër rrugësh diktatorin dhe kuçedrën rumune kishin një muaj që u a zbardhnin netët bishave shqiptare, në Tiranë ndodhi diçka e mahnitëshme. E papërfytyrueshme nga
askush. E pa krahasueshme me asgjë. Me asnjë përvojë, as të kaluar, as të ardhme, as shqiptare, as planetare.  E vetme në historinë e planetit. Diçka “e zbritur”.  Pajtim i përkohshëm i Qiellit me Tokën për një punë të përbashkët. Që mund të niste vetëm me një Urdhër të Lartë. Që mund të realizohej vetëm nga një Vullnet i Epërm. Në një mënyrë të tillë që askush nuk e mësoi atëhere, dhe kurrkush nuk e di sot. Pa asnjë ideator, pa asnjë koordinator, pa asnjë kryetar. Vetëm me dëshirën e ethëshme dhe aprovimin e heshtur të të gjithëve. Në një ditë të caktuar nga Zoti, në një orë të urdhëruar nga Perëndia, gjatë mbasdites së vonë të 28 janarit 1990, edhe të qetë edhe të egërsuar, edhe të dëshpëruar edhe plot shpresë, pothuaj të gjithë qytetarët e Tiranës, u mblodhën në Sheshin Skënderbej në një protestë të heshtur për t’u thënë fundërrinave kriminale të shqiptarëve - shporruni!
Por fundërrinat e kishin nuhatur!
Një grusht polici mbështjellë me dorezë hekuri i theu katër dhëmbë!
J’u dërrmua nofulla, j’u çanë buzët, j’u përgjak fytyra. Dhëmbët e thyer, bashkë me një vrundull gjaku, i pështyu në dysheme. Ata dhëmbë nuk ishin si këta të sotmit. Të bardhë e të bukur prej porcelani të ndritshëm. Ndrequr a korrektuar në madhësi dhe formë, apo të mbjellë me metoda moderne në klinika të shtrenjta. Ishin si gjithë dhëmbët e kohës së diktaturës. Të cilët dhëmbë, ata që i kishin, meqënëse pak hanin dhe pak kafshonin, pak i përdornin, prandaj, nuk ishin dhëmbë fort të këqinj. Problemi pra, s’ishte tek dhëmbët si dhëmbë, prezentë apo të munguar, të larë a të pa larë, të ndrequr a të kalbur. Por tek shkatërrimi i tyre i dhunshëm, i cili shkatërrim dhëmb, dhe jo pak. Për masën e kësaj dhimbjeje, shkaktuar nga goditja, thyerja, dhe rrënjët e mbetura, më mirë mos pyet, merre me mënt. Jo se s’kishte ilaçe për paksimin e dhimbjeve. Ilaçe kishte. Ishin disa kokrra të frikëshme me ngjyra të ndryshme që polici j’a dha t’i gëlltiste. Por ai, nga frika se me kokrra me ngjyra deshën ta vdisnin, i hodhi kokrrat brënda pagures së urinës. Se pagure ishin dy; e urinës, dhe e ujit. Që ngatërroheshin me njëra - tjetrën. Sepse njëlloj qelbeshin të dyja.
Këmbë e duar lidhur në një birucë të errët në burgun e Tiranës!
Në atë birucë, e vetmja mbulesë, një batanije e pisët nga zhuli e sertë si katrama’. Këmbët lidhur me zinxhir. Edhe duart e lidhura me pranga të posaçme të quajtura “gjermanka”. Në kokë skafandër çiklisti plot zhul vënë në kokën e kushedi sa qindra a mijëra të rrahurve të tjerë. Në këtë gjëndje rrahur pafund dit’ e nat’ e nat’ e dit’, plot 11 dit’ e 11 net’. Rrahësit tek e rrihnin hanin çokollata. Tek hanin çokollata e pyesnin; Hë mo, do dhe ti ndonjë ëmbëlsirë? Dhe bjer e bjer si kafshë duke ngrënë si të babëzitur çokollatën me gjithë letër. Ndërkohë nga një qeli tjetër vjen zëri i një korçari që këndon; “O kitarra ime pse vajton...”. E sheh mor qen se si me qëndresën tënde je duke i dhënë zemër edhe të tjerëve? Dhe bjer e bjer, përsëri e përsëri, shqiptarët bastardë shqiptarit të ndershëm.
Mbas rrahjeve, dy dit’ e dy net’, pa shikim, pa dëgjim, pa ndjenja. Vdekje klinike!
Por jeta duhet të vazhdonte! Për këtë, dy shiringa të mëdhaja 250 gramëshe injektuar nga goja direkt në stomak. Zoti e di çfarë ishte ai lëngu që kishin brënda shiringat.
Dy herë në javë, duart e lidhura nga pas varur në një ganxhë çeliku ngulur në mur në lartësinë 80 centimetra. Disa orë rresht në këtë varje të llahtarëshme të pa parë as në dhomat e torturave të Gestapos.
Njëzetenëntë ditë në psikiatrinë e burgut. Gjilpëra dhe ilaçe pafund. Gjatë disa ditëve i afrohet një “bashkëvuajtës” për t’i bërë shoqëri, domethënë një spiun për t’i nxjerrë “Cili ishte kryetari i demonstratës së heshtur ?” Dhe natyrisht elektroshok. Për kënaqësinë t’ime që t’ua tregoj atyre që s’dinë çështë ay tmerr të cilin me këtë rast e mësova, ja elektroshoku i famshëm i psikiatrisë së burgjeve ku shqiptarët torturonin shqiptarët; Ulur në karrike. Përpara një zagar që pyet dhe godet vazhdimisht me grusht e me shkelm. Pas shpinë një tjetër zagar që merret me korentin, butonat, dhe këmben shenja me zagarin përballë. Nëpër këmbët e karrikes kalojnë kabllot e korentit. Zagari i pasëm i afron drejt kokës një si kufje. Kufja e pisët që mbulon veshët dhe gjysmën e kokës, përdorur edhe ajo me qindra a mijëra herë nga ata apo të tjerë zagarë, është e lidhur me korentin. Pas lëshimit të korentit, viktima bije në tokë pa ndjenja. Pas ardhjes në vete, prap’ pyetje dhe prap’ goditje korenti ! Sa herë u përsërit ky elektroshok? Dy herë? Tre herë? Jo! Plot gjashtë herë! Dhe, pas torturave dhe elektroshokëve, pesë herë gjilpëra, të cilat e vunë në gjumë po aq herë nga 24 orë.
Dhe rrahje të përditëshme të pafundme nga njerëz të ndryshëm të panjohur të Ministrisë së Brëndëshme që hyj’ e dilnin në qeli’, që zgjatën plot 1 vit.
Kush i vuajti këto tortura? Kujt i ndodhën këto llaftarira?
Shumica e shqiptarëve të sotëm, ata që sot hanë e pinë mirë, jetojnë në shtëpi të mëdha, kanë makina dhe udhëtojnë, po i harrojnë disa gjëra. Kanë të drejtë. Përderisa hetuesat dhe rrahësat e djeshëm çfaqen nëpër televizora si “djem të urtë” dhe “çuna të mirë”, kanë punëra të mira, janë juristë dhe avoketër, deri edhe pedagogë nëpër universitete ku japin leksione për Drejtësinë. Përderisa nëpër televizora çfaqen parreshtur filma ku syrit vigjilent të Sigurimit i thuren lavde pafund për heroizma të panumurta në të mirë të ruajtjes së Atdheut nga rreziku i armiqve të brëndshëm dhe të jashtëm. Prandaj s’është çudi që kujtesa e mangët dhe fantazia e ngathët e harraqëve të sotëm të ngeshëm dhe të dhjamur që po shtohen dita - ditës, t’i bëjë ata të mendojnë se, thyerjen e dhëmbëve pati fatkeqësinë ta vuaj njëri, elektroshokun tjetri, vdekjen klinike një tjetër, e kështu me rradhë.
Jo ! S’është ashtu !
Sigurisht që shumë të tjerë vuajtën të tjera tortura.
Por këto i vuajti vetëm njëri !
Vetëm njëri që vuajti më tepër se Krishti !
E arrestuan disa ditë para demonstratës së heshtur. E mbajtën pesë muaj në Hetuesi duke e bërë të vuajë ato adhapet e mësipërme, dhe disa muaj të tjerë në burg deri 12 janar 1991.
Duket e ekzagjeruar ?
Po pra ! Jo pak, por shumë e ekzagjeruar. Por jo nga ai që i vuajti. Nga ndyrësirat që i kryen ato tortura. Se të hash e të pish mirë duke u dhjamur e duke harruar, të kesh shtëpi të madhe dhe makinë, t’a shetisësh Shqipërinë cep më cep mbi rrugë të asfaltuara, të gjesh në dyqan njëzet lloje reçelrash dhe tridhjetë lloje sallamrash, të ikësh pa ndonjë zor të madh në Itali, Angli, Amerikë, të shetisësh në Internet në forumet dhe blogjet e zaptuar nga pinjollët apogjetë të zagarve të dikurshëm spiunues, rrahës, torturues, quhet Liri ! Se Liria ka çmim të lartë. Se Lirisë që të vijë i duhet të kalojë përmes dhëmbësh të thyer, rrahjesh dhe elektroshokësh. Të cilët dhëmbë dhe të cilat rrahje dhe të cilët elektroshokë, dhe të cilat vdekje klinike, shumë shqiptarë të moshuar po i harrojnë. Dhe shumë të rinj nuk e dinë se kanë ekzistuar. Se dhjetori i ’90-ës nuk ishte i vetmi dhjetor. Që doli nga dheu, që mbiu vetiu. Se dhjetori i ’90-ës ishte mbjellë shumë më herët. Gjatë dhjetra dhjetorëve të tjerë, janarë, marsa, prilla, shtatora e tetora. Të gjithë plot gjak, vuajtje, tortura, internime, burgje, dhëmbë të thyer, psikiatrira. Jo nëpër sheshe të kollajta ku dolën të gjithë bashkë. Nëpër biruca dhe burgje veç e veç.
I pashë disa letra që kishin lidhje me tmerret e tija. Por s’po kuptoja asgjë lidhur me dënimin që bastardët i kishin dhënë pas torturave dhe demek gjyqit. Se të gjitha përfundonin; “Dënohet me H.L”. Dhashë e mora për të kuptuar ç’është ky shkurtim i çuditshëm që duket si markë kompjuteri ?! Ç’do të thotë të dënohesh me H.L. ?! Dhe më së fundi e gjeta, e kuptova. Burokratëve hileqarë manipulatorë, rrahësat, torturuesat, nga nënrraca më e fëlliqur e shqiptarisë, ngaqë ishin lodhur dhe mërzitur duke shkruar me mijëra herë “Dënohet me burg”, për të mos u lodhur e mërzitur më tepër, e kishin shkurtuar, e kishin bërë H.L. pra me “Heqje Lirie” ! Ç’tmerr ky Njuspik që do t’i ngjethte mishin vet’ Oruellit !
Unë muslimani nuk i di mrekullitë që bëri Shën Vasili kristian për t’ja shtuar Lirinë njerëzimit. Unë di vuajtjet që hoqi për t’ua shtuar Lirinë shqiptarëve ai për të cilin sot të gjitha titujt medaljet dhe dekoratat janë pak, Shën Vasili nga Përmeti, Vasil Dhimitri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora