E premte, 04.10.2024, 09:14 AM (GMT+1)

Editorial

Ahmet Selmani: Prapavija e Enciklopedisë

E enjte, 24.09.2009, 08:57 PM


Në shënjestër

PRAPAVIJA E ENCIKLOPEDISË

Shkruan Ahmet Selmani

Provokimi që erdhi këto ditë nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, me botimin e papritur të të ashtuquajturës Enciklopedi maqedonase, pothuajse e trazoi mbarë hapësirën shqiptare. Sado që edhe shumë herë të tjera janë provokuar e fyer shqiptarët me të gjitha mënyrat e mundshme, prapëseprapë reagimet kanë qenë më të zbehta, për të mos thënë edhe më joserioze. Ndërkaq, kësaj radhe reagimi ka qenë jashtëzakonisht i menjëhershëm dhe mbarëkombëtar. Pikërisht kjo e bëri edhe efektin e vet, duke i zënë ngushtë të gjithë arkitektët e këtij provokimi tepër skandaloz, si dhe të gjitha ata që qëndrojnë prapa tyre, kuptohet përfaqësuesit e lartë të kreut shtetëror.
Siç u pa, më në fund, njeriu i parë i AMSHA-së, Georgi Stardelov i dha shenjat e para të zmbrapsjes ose të zbutjes së qëndrimit, duke paralajmëruar se do të bëhen korrigjime në disa pjesë të kontestuara. Por, për fat të keq, pasojat që u shkaktuan nga kjo prurje pseudoshkencore, kanë mbetur në skenë. Dhe, si të tilla, nuk do të mund të mënjanohen një kohë shumë të gjatë. Kjo do të thotë se, qarkullimi i kopjeve të këtij libri te lexuesit maqedonas, do të mbjellë edhe më tej helm kundër shqiptarëve. Edhe përkundër premtimit se do të ndryshohen disa pjesë të saj, pa u përcaktuar se cilat, prapëseprapë çdo gjë mbetet e hapur, për të ndërhyrë më vonë eventualisht me ndonjë ribotim, ose për t’u harruar fare, siç ka ndodhur zakonisht.
Sido që të ndodhë më vonë, veprimin që e bëri kjo akademi, mbase nuk e arsyeton asgjë. Populli thotë: I shkul gozhdat, por mbeten vrimat. Që do të thotë se vrimat ose plagët që i ka shkaktuar AMSHA-ja, nuk do të shërohen aq lehtë, e lëre më të harrohen ndonjëherë.
Këndej shtrohet pyetja: Ç’iu desh ta bënte këtë gjë ky institucion i lartë shkencor? Sigurisht që nuk është një punë e rastësishme, e aq më pak mund të jetë punë vetëm e të ashtuquajturit akademik Blazhe Ristevski, i njohur e i stërnjohur për veprime të shëmtuara ndaj shqiptarëve. Kështu siç ndodhi, vetëm mendjet naive mund të besojnë se është një punë aq e thjeshtë dhe e paparamenduar.
Duhet thënë troç: prapavija e kësaj loje të rrezikshme është tepër e lexueshme. Mbase prapa këtij projekti djallëzor qëndron Qeveria aktuale e kryesuar nga Nikolla Gruevski, e cila qysh në fillim e pat nisur keq, duke mos i zgjedhur mjetet në aspektin e margjinalizimit dhe injorimit të skajshëm të shqiptarëve.
Po ashtu, këndej shtrohet edhe pyetja tjetër: Vallë pse e bën këtë ky kryeministër kaq i pagdhendur? Pse e instrumentalizon edhe AMSHA-në? Gjithsesi, strategjia është e vjetër dhe e re njëkohësisht. Ideja e hedhur qysh në vitin 2001 për “ndarjen e Maqedonisë”, si dhe për “shkëmbimin e territoreve midis maqedonasve dhe shqiptarëve”, të cilën më vonë e konfirmoi publikisht edhe ish kryeministri Lupçe Georgievski, me sa duket ende është në lojë, për t’u zbatuar nga garnitura e tanishme e partisë në pushtet, e cila njihet si parti me orientim probullgar. Duke krijuar fobinë se në Maqedoni pas disa vitesh do të ndryshojë struktura demografike në favor të shqiptarëve, të cilën e pat thënë edhe ish kryetari i Akademisë Maqedonse të Shkencave dhe Arteve, akademiku Georgi Efremov, kjo ide po radikalizohet gjithnjë e më tepër, po merr përmasa shqetësuese te popullata maqedonase, ngaqë beson gati
 verbërisht se kjo do të ndodh përnjëmend.
Pra, synimi i Qeverisë së N. Gruevskit është që ta bëjë atë që nuk arriti ta bënte paraardhësi i tij, L. Georgievski, mundësisht ta ndajë sa më shpejt Maqedoninë, kuptohet duke e gllabëruar pjesën më të madhe, dhe ashtu duke ia bashkangjitur atë Bullgarisë, ndërsa pjesa tjetër t’u mbetet shqiptarëve, të cilët pastaj vetë do të vendosin se me cilin do të bashkohen, me Shqipërinë, ose me Kosovën, siç e pat thënë L. Georgievski.
Konteksti i krejt kësaj loje na shpie edhe te provokimi me anë të botimit të Enciklopedisë maqedonse. Realisht N. Gruevski e di mirë se kush mund ta destabilizojë Maqedoninë. Pasqyra më e qartë për këtë është viti 2001. Ndonëse shqiptarët mund ta zhbënin atë, prapëseprapë nuk e zgjodhën epilogun ekstrem, por u ulën në tavolinën e bisedimeve dhe nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit duke i dhënë fund konfliktit. Kështu ky shtet i brishtë mori garancë se ka ardhmëri, por se duhet ta ndryshojë kursin e vjetër të veprimit. Dhe kjo periudhë, ndonëse me hapa të ngadalshëm, nisi të vërehet disa vjet me radhë.
Me të ardhur në pushtet VMRO DPMNE-ja, kryeministri aktual, e shpalli a priori si të vdekur marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Që atëherë u përpoq me të gjitha mënyrat e mundshme që edhe njëherë shqiptarët t’i fuste në zjarr, kuptohet me anë të provokimeve të ndryshme, sigurisht që të përfitojë vetë, duke ia vënë thikën shtetit të tij, për të cilin rreh gjoks aq shumë, dhe pastaj për ta bashkuar me Bullgarinë. Megjithëse esencialisht synon drejt Bullgarisë, ai përpiqet me çdo kusht t’i fshehë gjurmët, ndaj i përdor metodat e Akamedisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Kjo do të thotë se ai bën politikë bullgare me metoda serbe.
Për ta arritur këtë gjë, ai nuk i provokon vetëm shqiptarët si “ardhacakë” e “destabilizues” të përhershëm, por edhe SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, për të cilat në Enciklopedi thuhet se oficerë amerikanë dhe britanikë na i paskan stërvitur pjesëtarët e UÇK-së gjatë konfliktit luftarak të vitit 2001. Pra, ai bën acarim të dyfishtë, në njërën anë kërkon konflikt të brendshëm, kurse në anën tjetër kërkon izolim nga jashtë, me qëllim që më lehtë të vijë deri te shembja e këtij shteti.
Prandaj, edhe për sa i përket Enciklopedisë  së botuar, duhet thënë se të gjithë maqedonasit e dinë se kush është autokton në këto hapësira, sidomos përpiluesit e saj, por qëllimi është që të prekin në çështjet më të ndijshme për shqiptarët, pra të prekin në tel, siç thuhet, që eventualisht pastaj reagimi të jetë i pakontrolluar dhe më lehtë të realizohet skenari i paramenduar. Me një fjalë, kryeministri N. Gruevski përpiqet që zellin luftarak të shqiptarëve ta shfrytëzojë për qëllimet e tij. Sa do ta arrijë këtë, kjo varet nga shqiptarët.
Pas të gjitha këtyre vlen të theksohet se reagimi i shqiptarëve në rrafshin mbarëkombëtar ishte tepër qytetar, intelektual, shkencor, politik, diplomatik, kulturor etj. Me këtë dëshmuan qartë se gjërat mund të ndryshohen edhe me mendje, jo vetëm me forcë, siç dëshirojnë disa qarqe antishqiptare. Në qoftë se gjatë vitit 2001 u desh patjetër të ndryshohen gjërat me armë, tani është kohë tjetër dhe rrjedhat ndodhin krejt ndryshe. Gjithsesi kjo është një pjekuri e shqiptarëve, të cilët nuk lejojnë që të bien pre e intrigave dhe djallëzive të Nikolla Gruevskit.
Pavarësisht nga synimet dhe ëndrrat e kryeministrit të papërgjegjsgëm maqedonas, një gjë është shumë e qartë dhe e pandalshme: tashmë shqiptarët e kanë projektin e tyre historik: Marrëveshjen e Ohrit. Atë duhet ta jetësojnë plotësisht dhe të integrohen në strukturat e këtij shteti. Në këtë mënyrë do të dëshmojnë se janë qytetarë të barabartë. Çdo largim nga ky projekt, do të ishte tepër fatal.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora