Haki Zllami: Bujani i Krasniqes
| E Premte, 16.08.2013, 08:41 PM |

Reportazh, ekskluziv per ZSh-në

BUJANI I KRASNIQES…,

…Për të cilin kurrë s’mund ti thuash të gjitha!

“Zo’ kah vjen fisi Krasniqe /, -Prej Kosove, prej Drenice”.

- Mbresa nga vendlindja ime –

Nga Prof Haki Zllami

Bujani, sa i shtrenjtë, sa i bukur, sa i përmendur,  sa i madh!

Kudo që shkova,viseve të Ballkanit e të Europës, gjeta një vlerësim për Bujanin tim.E si të mos ndjej  një kënaqësi të veçantë, një mburrje të ligjshme, për Bujanin e Malësisë së Gjakovës, për  Bujanin e Krasniqes, për Bujanin e historisë!

Lexova Pashko Vason,  “E verteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, Edit Durham,  “Brenga e Ballkanit”, Kadarenë  “Gjakftohësia”, “Mic Sokoli “i  Sulejman Krasniqit, “Vranoci”i  Sherif Daut Krasniqit e shumë të tjerë. Hulumtova, takova shumë  historianë e kolegë dhe kudo gjeta  Bujanin e zemrës  sime , në çdo dritare informative ai m’u shfaq  si diçka që veç rritet e zmadhohet në vlerat e tij atdhetare, patriotike dhe kulturore.

Gjeta rrugë, objekte socialkulturore, punishte, restaurante, hotele me siglën “Bujani”. Si një pyetje retorike,  shpesh dëgjova: -Nga je ti ?

-Jam i Bujanit, jam nga Bujani i  Epërm, nga Markajt… dhe vazhdoja bisedat e kendeshme  për trevën time, per vendlindjen e dashur. Mendja dhe ëndrrat e mia më fluturonin andej nga Qyteza e Rosujës,  Dezdari,  Fangi, Molla e Kuqe,  Kryqi i Deli Mulës,  Blinat e Rrugës,Trokuzi, Gjarpëri i Mulosmanaje.

E di ,  mbase kam të drejtë, është thënë,  është shkruar shumë.  Megjithatë,  ka mbetur  vend edhe për mua, për t’i  thënë ca fjalë zemre,  sepse është një hapësirë e gjerë,  e pafund,  ku rregullisht mbillet e korret çdo vit…e çdo shekull.

Në hullitë  jetësore të Bujanit ecën koha e cila nuk jeton dot pa historinë e saj,  por dua të eci edhe unë , biri i Bujanit,  në këto përthyerje të jetës.  Dhe për këtë, sikur duan të flasin të gjithë, edhe kullat, edhe kalatë. Këto më ngacmojnë, më bëjnë të meditoj. Po, cili është fshati  Bujan sot?

Punë e mirë është bërë  e po bëhet  për  ndertimin e rrugëve, të  veçantë këtu dallojmë rrugën drejt Qytezës së Rosujës, e asfaltuar dhe shumë e bukur që ka shkuar gjer ne Doshlan . Duke kaluar me makinë, gjatë  kësaj rruge nacionale , dallon shtëpitë e kullat e fshatit që i japin hijeshi të rrallë atij.

E veçanta është se aty dallon shtëpi  të ndërtuar me projekte  të reja të stilit europian. Karakteristikë  e këtij fshati është se shtëpitë janë rrethuar nga pemët e llojeve të ndryshme. Janë për të përmendur shtëpitë e Bashajve, të Halucaje, Kolmakaje, ato të Margjekajve në Rosujë,  të Hasanpapajve, të Vidricës si dhe shtëpitë e kullat e Mulosmanaje, të Logajve, Shpatajve dhe ato të Dunishës, në breg të Valbonës.

Gjatë kësaj rruge  syri të sheh dhe disa objekte si  hotele, karburante etj, që i kanë zëvëndësuar qarrat e gjatë shekullor (lisat),  disa në ndërtim e sipër. Bujani ka shkolla, kopshte e qendra të shërbimit shëndetësor, xhami,tyrbe, teqe. Të gjitha këto e të tjera , tregojnë se fshati Bujan është një fshat më përmasa kombëtare, ballkanike dhe pse jo edhe  europiane.

Sapo kalojmë kthesën që gjarpëron bregut të Shydenicës,  dallojmë varrezat e dëshmorëve të Tropojës, ndërtuar atje në një sukë të veshur me pisha e bredha si një monument me vlera të jashtëzakonshme historike  kombëtare e më gjërë. E madhërishme është permendorja e luftëtarit të lirisë, e derdhur në bronx, disa metra e lartë, vendosur mbi disa disa gurë shkëmbi  të mëdhenj,  si simbol i bjeshkëve e maleve tona të  thepisura.

Ky monument i mitizuar. simbolizon luftëtarin e Malësisë së Mirë,  me  pushkë në dorë që me zë të lartë jep  kushtrimin:

“ O ku jeni more !, Bini , me shpejtësinë e rrufesë, në shtatë e shtatëdhjetë të bëhemi një në luftën për liri…! “ .

Ky trim luftëtar,është i rrethur nga martirët e këtyre maleve, shumë prej të cilëve edhe heronj te popullit …

Sinqerisht i them vetes dhe lexuesve të nderuar të ZemraShqiptare: -Faleminderit shumë fshati im për këtë nderim që ju bëre bijëve tanë të pavdekshëm !

Aty ku shënja e rrugës automobilistike  tregon  drejtimin  për në Kosovë,   për Bajram Curri dhe tjetra  për Fierzë, Avdi Rexha me të bijtë ka ndërtuar një klub- restorant të veshur me gurë të rrumbullakët të  Valbonës. Sipër rrugës kanë ndërtuar  shtëpitë e reja,  poshtë asaj të të jatit.Shumë të bukura,  gjithçka  përsëmbari. Edhe shtëpia e vjetër,  dikur ndër më të bukurat, atje në një kodër. Avdiu, sado që i ka kaluar të tetëdhjetë e pestat, është i fortë, mban mend dhe fshatin e tij e njeh mirë. Është shumë i angazhuar në problemet e komunitetit, sidomos  dallohet si pajtimtar i pajtimit të gjaqeve,  një plagë e rëndë kjo e të së kaluarës.

Ai është i kudogjendur, sa në një krahinë në tjetrën. Për Bujanin, fshatin tonë ai foli gjatë:

“ Bujani është i privilegjuar nga vetë nëna natyrë. I ngjan një katrori të zgjatur, duke filluar nga brigjet e lumit Valbona, vijon gjatë përroit të Grazhdenicës, që e ndan me fshatin Gri,  vazhdon drejt Llozhnës, në Bogishë, Depsyden,  rreth Morajës, kalon në Cukal, sillet andej nga Liqeni i Ponarëve e në vijim drejt Qafës së Lugut të Thive,  Lugut të Kaut, dirgjet nga kodra e Gojfilave në Bishevë,  ku fillojnë kufijtë më Margegajt…”.

Edhe mësuesi veteran, Zenel Vidrica na foli  për këtë fshat me pasion  për figurat e njohura  që bënë histori:  Binak Alia, Mic Sokoli,  Zeqir Halili, Sadik Rama, Sali Mani si dhe për bëmat historike të Bujanit, por në mënyrë të  qartë për kullat e Mulosmanajeve,  për Mic Sokolin,  për betejën  tek  Kryqi  i Deli Mulës, për luftën në Dezdar, për Krasniqen, na citoi përmendësh vargjet epike:

“Moj Krasniqe,zemër e Tropojës/ Ulë kamkryq në krahtë e Shqipnisë/ Ndaç e pushkës , ndaç e gojës ”.

Më poshtë: “ Kur në Kuvend u mlodh Malësia / Prin kuvendin Binak Alia…”

Në vazhdim: “Djemtë e rrugës po bien bashkë/  Ku asht lufta ma e trashë/ Në rrugë të Bujane asqeri s’mrrinë/ Për pa mbet vendi pa gjindë.”

Vargje këto që ruajnë si muze betejën kundër Maxharr Pashës të viteve 1862.

Nëse bëjmë një prapavështrim historik:

“ Për nga dimesionet e ngjarjeve historike, Bujani zë vënd  nderi në ngjarjet më madhore të Shqipërisë,  Kosovës e të viseve tjera shqiptare. Vështrimin do ta nisim nga  lashtësia më Qytezën e Rosujës:

“ Fillimet e jetës i takojnë periudhës së hershme të hekurit. (faza  II-III).  Në shek.e 4 p. e r. zhvillohet si qendër qytetare  e Luginës së Valbonës në kufirin  e labeatëve dhe dardanëve . Një sipërfaqe 0,6 ha e rrethuar  me mure gurësh të punuar. Kjo qytezë luante rol me rëndësi në rrugën natyrore tregtare  midis Ilirisë bregdetare dhe Dardanisë .Shumë interesante janë gjetjet  e prodhimeve  qeramike të Dyrrahut e të Shkodrës. U zbulua një depo me pitosa të shekullit II p.e r . me vulën e  pronarit Marko. Në shek.IV-VI e. r. pas një ndërprerje  prej katër shekujsh , u rifortifikua me mure me llaç…”, kështu shkruan , prof. Neritan Ceka në FESH( Fjalori Enciklopedik Shqiptar)

Sot kjo qytezë rri pranë, në të majtë të Rosujës.Është e mbuluar me gështënja të plakura, disi e harruar, sikur do të ankohet për trajtimin e paktë që i bëhet civilizimit të lashtë.

Bisedova me të rinj nga Rosuja , flasin me kurreshtje për këtë qytezë  të lashtësisë.  Më erdhi mirë për infomacionin që më dhanë: Jo vetëm prindërit tanë të moshuar,  por edhe  pleqtë më të zgjuar si Shaban Zmajli, Halil Mehmet Dunisha etj, na kane folur për Qytezën. Bile, ata kujtojne dhe fjalët e më të  përmendurit e fshatit :  si , Brahim Hoxhës,  Ram Mehmetit,  Bajram Avdylit etj,  të cilët kujtonin shumë gjëra për këtë histori të mbulua  me dhe’.

Flisnin për qytezën e madhe dhe atë të voglën (Bogishën). Ata ndoshta ruanin edhe ndonje relike të veçantë, për Rosujës e ditëve të sotme: një fshat me njëzetë e pesë shtëpi dhe ajo që të bie në sy është se Rosuja ka  një pmje të re.

Mbi të gjitha duhet theksuar arsimi i brezit të ri të fshatit,  çka tregon edhe për një gen zgjuarsie. Përmendim këtu,  Korab Margjekën, mbaruar në Krakovë të Polonisë, i dalluar edhe si poliglot. Po nga Rosuja:  Qazim Doshlani, Skënder Doshlanin ,  një ndër muzikanët  e i dalluar në rreth,  Astrit Marargjekaj, aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Bajram Currit etj.

“ Do të jemi të lumtur e të nderuar nëse stërgjyshëritë i kemi në zemër”. Urtësia buron në bashkëbisedimin me të rinjtë dhe kjo natyrisht se deshmon vazhdimësi të traditës dhe kulturës në këtë vend.

Të flasësh ose të shkruash për Bujanin,  është e pamundur të mos e lidhësh atë me fisin e Krasniqes. Kështu që edhe unë në këtë ese do të jap mendimin tim për prejardhjen e vendbanimin e këtyre.  Varianti më i pranuar dhe bindës është se Krasniqja,  pra edhe Bujani,  kanë zbritur nga Kosova, nga Drenica. Le t’i referohemi si dëshmi dy vargjeve të epikës sonë:

“Zo’ ka vjen fisi Krasniqe /, Prej Kosove, prej Drenice”.

Sado që prof. Çabej kur shkruante në vitin 1939 për fisin si kategori shoqërore, shprehej se fisi u përngjan njomëzave të një druri vigan që gjithmonë rritet, por rrënjët e tij lidhen me emrin e një të pari të përbashkët, që është shndërruar në gojëdhënë.

Sa herë flasim për Bujanin apo Krasniqen, është e dosdoshme që ta lidhim me historinë e Dardanisë, ku jetonte më i madhi fis ilir. Një gjë është e vertetë si hëna që bën dritë, por nuk nxen, se këto fise qenë  një popull  vital e i mrekullueshëm. “ Popull fatosash “, kështu apostrofonte me krenari albanalogu francez, Frasua Pukëvill.

Besohet se  banorët e Bujanit kanë jetuar këtu që nga viti 1331-1335, qysh në kohën e perendorit Dushan,të  zbritur nga Drenica si shënjë e shtypjes  së perendorisë sllave. Edhe etimologjia e fjalëve Krasniqe e Bujan , si më e vërtetuara dhe bindësja : Krasniqja, nga bashkimi i dy emrave,Krast + Nikë, emra të babës dhe të birit.

Krast+Nikë nga doli emri i përngjitur- Krasniqe ,mbasi  është shumë i njohur fenomeni i palatalizimit  “k” në “q” për analogji, si tek shumësi i emrit: mik – miq. Ndërsa si datim i dokumentuar,  fjala është për Bujanin, është vërtetuar viti 1478, në defteret  kadastrale të Sanxhakut të Shkodrës.Ndaj mendimin edhe për etimologjinë e emrit Bujan. Pa u zgjatur pohoj se versioni që më duket ,  më i sakti është: Bujan – nga emri bujtinë , ku siç dihet folja është para emrit bujtë.Interesant është se në të gjitha bisedat në odat e burrave në Malësi e Kosovë,  të parat fjalë fliten për burrat e Bujane,për Binak Alinë , për zgjuarësinë  e tij si një prijës popullor i kryengritjeve antiosmane të malësorëve të Gjakovës e të Rrafshit të Dukagjinit në vitet 1840-80. Përmendet shumë së bashku me Sokol Ramën.

 

Binak Alia që u shqua,  sidomos në kryengritjet lokale të viteve 1860. Mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Veçanërisht, la emër si pleqnar i mënçur e sidomos  për pajtimin e gjaqeve. Ai e mati kohën dhe fjalët.

Për të si tipar ishte  zgjuarsia tropojane, fliste pak, me fjalë të zgjedhura, shkurt e saktë.

“Mos blej çfarë nuk të duhet, sepse ndryshe shet atë që ke “ e këshillonte një mik të tij , pra bukuria e tij ishin: fjalët, këshillat e pleqnitë, si më i dituri e më fisniku. Gjykimet e tij, shpesh herë shembën një mur dhimbje.Thjeshtësia dhe zemra e tij krijuan miq e admirues në Kosovë, Malësi, Mirditë, Shkodër…

Një tjetër figurë e ndritur është edhe Mic Sokoli,  që është bërë legjëndë, si luftëtar  i shquar, Hero i Popullit, i lindur në Fang të Bujane. Udhëhoqi njësi të mëdha  luftarake në shumë beteja . U dallua në betejën e Nokshiqit kundër malazëezëve, luftoi në Plavë e Guci,në Hot e Grudë, Tuzë,  Prizren,  Gjakovë,  Ferizaj , Gjilan…Në betejën e Slivovës (prill 1881) kundër forcave osmane të Dervish Pashës, kreu një akt trimërie të rrallë duke i vënë gjoksin topit të armikut. A ka guxim më sublim, a ka krenari më të veçantë ?

“Shkkrinë çeliku e lulzon molla ,gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”

Me këto vargje lapidare, populli e perjetësoi aktin e tij të paharrueshëm.

Historikisht Bujani ka qenë dhe është vendi jo vetëm i punës,  pushkës, por dhe i arsimit dhe i kulturës. Këtë e verteton fakti se Bujani diti ta vlerësojë arsimin si bukën e shpirtit, duke pasur filozofinë se kush mbjell e investon për arsimin e kulturën, do të korri veç falenderime e urata, sepse jo vetëm për Bujanin , por për çdo komb, arsimi është mendja e tij.  Ilustrojmë këtë ide me disa fakte domethënëse:

Shumë vite më parë , bijët e këtij fshati mësuan shkrim e këndim , ndoshta edhe vjedhurazi, nga dritarja e mejtepit ose e shkollës. Disa rrugëtuan  larg për të mësuar. Përmendim këtu, Rexhep Shpend Vidricën ,sot ” Mësues i Popullit “ së bashku me të motrën,dy mësues të tjerë nga Rosuja me titull “Mësues i Popullit “dhe “Mësues i Merituar”  vëllezërit, Zenun e Mehmet Margjeka.

Padyshim Idriz Logu mbetet një figure komplekse dhe mbresëlënëse nga Bujani që la gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në arsimin e Tropojës, si drejtuesi i parë i gjimnazit “ Asim Vokshi” si drejtues për shumë vite i Seksionit të Arsimit të Rrethit, inicues dhe drejtues i Kabinetit Pedagogjik si berthama krijuese shkencore, nga e cila u kualifikuan me dhjetra e qindar mësues të Tropojës.Mësues të tjerë  të cilët  kontribuan shmë për arsimin e kulturën në Tropojë nga ky fshat veçojmë:  Kadri Basha,  Mal Buçpapaj, Muharrem Ndoçi, Zenel Vidrica, Sherif Mulosmani, Kadë Mulosmani,Idriz Margjeka, Avdyl Buçpapaj, Hamit Novaku, Uk Logu, e shumë të tjerë. Bujani ka shkollën  9-vjeçare “ Jaho Salihi ” Sot kjo shkollë ka një mjedis shumë të mirë,  ku japin mësim 13 mësues; shkolla drejtohet nga  z. Vera Hasanpapaj,  të gjithë mësusesit janë me arsim  përkatës. Shkolla sivjet përkujton 90-vjetorin e çeljes së saj . Bujani  ka  disa intektual të fushave të ndryshme që duhet përmendur për kontributin e dhënë për zhvillimin e fshatit si: Ali Berbati,  Zenel Ndoçin,  Ahmet Malaj,  Avni Breçani,  Avni  Malaj, etj.Mjekë: Rexhep Ndoçin,  Sokol Mulosmani,  Shaban Malaj, Fatmir Zenelin,Skender Hasandoçi etj… Bujani përmendet dhe për krijuesit e tij në fushëm e letërsisë dhe të artit të cilët, janë të përmendur  dhe në letërsinë kombëtare. Të tillë përmendim: Lulzim Logun,është djali i mësuesit të nderua ,Idriz Logut, njëri nga kudrot  më në zë    trevën e Malësisë së Gjakovës.

Lulzimi , është shkrimtar dhe  poet i talentuar , kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tropojës, mësues dhe  kontributi  i tij  si krijues dinjitoz dhe promovues i kulturës tradicionale tropojane dhe i emrave të rinj të letersisë nga kjo zonë është i njohur brenda dhe jashtë vendit. Ka  botuar disa vepraletrare, libra mësimorë, shkrime e studime të ndryshme. Shumë i apasionuar pas bjeshkëve, nuk ka lënë bjeshkë apo majë të Bjeshkëve të Namuna, pa i shkelur…Ky pasion dhe një thekës i veçantë për vendlindjen,  pasqyrohet edhe në poezitë e tij:

“ Në çdo bjeshkë, në çdo lartësi / bëhem më i ri  dhe    i lehtë  / kur mbetesh gjithmonë poshtë / vetëm zvogëlohesh / kurrë nuk i kupton  retë…” , shprehet ai në librin e tij  “ Hiri “.

Ndërsa në librin që u botua  këto ditë me titull “ Pika mbi I’, duke shprehur dashurinë  e  respektin e përhershëm për Bujanin, shprehet: “ Krejt ditën / Kosita në Bujan / Bar’ kujtimesh…”   Janë të shumtë  poetët e shkrimtarët nga Bujani, pa u ndalur në veprat e shumta të tyre veçojmë Brunilda Zllamin, autoren e 17 romaneve, disa prej të cilëve tashmë bestseller, poetin Jaho  Margjeka, Ukzenel Buçpapaj,poet  dhe përkthyes, Alfons Zeneli , Petrit Zenelin si studiues i gjuhës shqipe etj….Edhe për kulturën mund të shkruajmë shumë, në  mënyrë të veçantë veçojmë  bilbilin e këngës tropojane, Fatmira Breçani , zeri I së cilës degjohet dhe kerkohet në të gjitha viset shqiptare.

Ecja përpara e fshatit të Bujan në rrugën e zhvillimit të tij,  vijoi gjatë gjithë  harkut të historisë. Në prehistori patëm lulëzimin e Qytezës së Rosujës…Në shek.XVIII – XX , pati një shfaqje të  niveleve të jashtëzakonshme, të patriotizmit e atdhedashurisë te pakufishme…

Në periudën e Mbretërisë së Zogut, u hap kanali i Krasniqes e ndonjë shkollë.Më pas Bujani pati disa hapa zhvillimi si  elektrifikimin , zhvillimin e arsimit e të kulturës,hapjen e shkollave,disa arritje në bujqësi,kultivimin e frutave karakteristikë si kumbulla e njohur tropojane, hardhia, mollët, mbledhja dhe perpunimi i gështenjës, rritja dhe kultivimi i bletarisë, mbështetur në siperfaqen e konsiderueshme me gështenja, por edhe në bimesinë e livadheve alpine.

Sot vëmendja është kthyer kah turizmi malor, sidomos pas permirësimit të infrastrukturës rrugore . Bujani ka masivin e geshtenjave, një oaz i freskisë dhe bukurisë së ujrave malore, ka rrjedhën e lumit Valbona në krejt gjeografinë e tij, ka namin e vlerave të padiskutueshme dhe endemike të troftës së Valbonës, ka livadhet përplot bimë medicionale, Lkenin e Ponarëve me arealin e vet të mrekullueshëm alpin, ka pyjet halorë dhe kafshët e egra si dhia e egër, ujku, macja e egër, ariu i murmë…

Bujani ka visaret e Këngëve të Kreshnikëve , ka pasuri të njohura të polimetaleve, ka kullat malësore, ka shtëpinë ku u mbajt Konferenca e Bujanit, e njohur në histori për vendimet e saj kombëtare, ka ritet, doket dhe zakonet e dasmave , kanagjeçeve dhe lojrave popullore, ka Tumat e Bujanit dhe Gështenjën e Bajram Currit si monumente natyrore dhe historike, ka institucione tradicionale dhe muze me eksponate të historisë së lavdishme shqiptare.

Ky është fshati Bujan i Krasniqes. Një trevë e njohur për të cilën mund të shkruash shumëçka, por kurrë nuk arrin ti thuash të gjitha…

-Per ZSh-në,  nga Bajram Curri, verë 2013 –

Shenim:

Në emer të Revistes ZemraShqiptare, redaktori i Pergjithshëm Zeqir Lushaj, i kerkon ndjesë autorit të nderuar prof Haki Zllames per vonesen në botimin e ketij reportazhi duke sqaruar se arsyeja e vetme është se redaktori ne fjalë, të cilit edhe ju ka nisur ky material, ka qene me pushime në at’Dhe.

 -Nga NJ, USA, ..Gusht 2013-



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: