Kulturë
Nexhmije Mehmetaj: Arbëreshët e Kalabrisë sjellin shpirtin e Arbërisë në Gjenevë
E marte, 10.03.2026, 07:00 PM

Arbëreshët e Kalabrisë sjellin shpirtin e Arbërisë në Gjenevë
Në
Universitetin Popullor Shqiptar, arbëreshët e Kalabrisë sollën këngët,
historinë dhe shpirtin e një tradite që ka mbijetuar për më shumë se pesë
shekuj.
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Mbrëmja e 7 marsit 2026 në Gjenevë kishte një atmosferë
të veçantë. Në sallën e Universitetit Popullor Shqiptar (UPA) u mblodhën
shqiptarë nga treva të ndryshme për të përjetuar një takim të rrallë kulturor
me arbëreshët e Kalabrisë – pasardhësit e shqiptarëve që u vendosën në Italinë
jugore pesë shekuj më parë, duke marrë me vete gjuhën, këngët dhe kujtesën e
Arbërisë.
Programi u hap me Himnin e
Flamurit Kombëtar, i interpretuar me ndjenjë
të veçantë nga sopranoja Fjolla Hiseni. Tingujt e himnit krijuan një moment solemn, duke bashkuar publikun në një
ndjenjë të përbashkët përkatësie dhe krenarie.
Mbrëmjen e hapi dhe e moderoi Albana
Krasniqi Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor
Shqiptar. Në fjalën e saj ajo theksoi se kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një
koncert, por një takim me historinë dhe identitetin.
Arbëreshët përbëjnë një nga diasporat më të hershme
shqiptare. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shumë shqiptarë u
vendosën në jug të Italisë, ku krijuan komunitete që edhe sot ruajnë gjuhën dhe
traditat e të parëve. Për më shumë se pesë shekuj ata kanë ruajtur një
trashëgimi të gjallë kulturore, duke qenë njëkohësisht pjesë e shoqërisë
italiane.
Pjesa e parë e aktivitetit u përqendrua në një debat mbi
rëndësinë e gjuhës amtare dhe rolin e saj në ruajtjen e identitetit në diasporë.
Në këtë mbrëmje mori pjesë edhe Ambasadori
i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ermal Dredha, i
cili në fjalën e tij theksoi se historia e arbëreshëve është një shembull i
rrallë i qëndresës kulturore dhe shpirtërore.
Ndërsa Zëvendëskonsullja e Kosovës
në Gjenevë, Fjolla Haziri, ndau përvojën e saj
personale si një shqiptare e lindur dhe e rritur në Zvicër, duke theksuar se
gjuha shqipe mbetet ura më e fortë që lidh brezat me rrënjët e tyre.
Në diskutim kontribuoi edhe Leonard
Ferati, mësues i arsimit special dhe anëtar i zgjedhur në
Këshillin e Lartë të qytetit të Gjenevës. Ai foli për përvojën e tij me
nxënësit shqiptarë në shkollat publike dhe theksoi se njohja e mirë e gjuhës
amtare ndihmon drejtpërdrejt në suksesin e fëmijëve edhe në gjuhët e tjera.
Në këtë frymë u shpreh edhe Ilir
Kurti, mësues dhe deputet në Këshillin e Qytetit të Gjenevës,
i cili theksoi se gjuha e trashëguar është një pjesë e pandashme e identitetit
kulturor të një populli.
Por kulmi i mbrëmjes erdhi në pjesën e dytë – programin
artistik arbëresh.
Profesori Michele Greco, një njohës i përkushtuar i kulturës arbëreshe, e udhëhoqi publikun në një
rrëfim të ndjerë mbi historinë e emigrimit të arbëreshëve dhe mbi mënyrën se si
gjuha shqipe arriti të mbijetojë ndër breza, edhe pa shkolla dhe pa mbështetje
institucionale.
Në Kalabri, theksoi ai, edhe sot ekzistojnë rreth 35
fshatra ku flitet arbërishtja, gjuha e të parëve
që ruan në vetvete tingujt e vjetër të shqipes.
Mesazhi i tij për shqiptarët në diasporë ishte i thjeshtë
dhe i fuqishëm: nëse arbëreshët kanë arritur ta ruajnë gjuhën për pesë shekuj,
atëherë edhe shqiptarët e sotëm mund ta bëjnë këtë duke filluar nga familja.
Në skenë u ngjitën disa grupe artistike që sollën këngë
dhe valle tradicionale arbëreshe:
-Grupi “Ocarina” nga Gjeneva
-Grupi “Gjaku i Arbërit” nga Frasnita
-Grupi “Këngëtarët e Motit” nga Ungra dhe Fërma (Itali)
Interpretimet e tyre sollën një atmosferë të gjallë dhe
emocionuese. Çdo këngë ishte një rrëfim për historinë, jetën dhe kujtesën e një
komuniteti që ka ruajtur me dashuri gjuhën e nënës.
Në fund të koncertit, kur u kënduan këngët shqiptare,
publiku u bashkua spontanisht me artistët. Salla u kthye në një skenë të
përbashkët ku kënga dhe emocionet bashkuan të gjithë të pranishmit.
Mbrëmja përfundoi mes përqafimeve, buzëqeshjeve dhe një
ndjenje të fortë bashkimi. Ishte një mbrëmje që tregoi se, edhe larg atdheut,
gjuha dhe kultura shqiptare vazhdojnë të jetojnë përmes njerëzve që i mbajnë
gjallë me dashuri dhe përkushtim.
Në këtë mënyrë, për një mbrëmje të vetme në Gjenevë,
Arbëria e vjetër dukej sikur kishte ardhur sërish mes nesh – në këngë, në fjalë
dhe në kujtesën e përbashkët.
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 09.03 2026









