Kulturë
Bedri Tahiri: Monument pavdekësie për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës
E hene, 09.03.2026, 06:58 PM

MONUMENT PAVDEKËSIE PËR USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVË
Kujtesa
është bekim, harresa është mallkim.
(Gjon Buzuku “Meshari”)
Recension nga Bedri TAHIRI
Të
mëtosh të flasësh për krijuesin erudit, mendjendriturin Xhemail Ali Peci, dhe
krijimtarinë e tij brilante: letrare, publicistike e eseistike, është një
kënaqësi dhe nder i veçantë. Ai tashmë ka krijuar profilin e vet
krijues, me stil specifik individual, që
përligj mendimin e teorikut frëng, Byfon, kur thoshte: Stili është
vetë njeriu!
Një zë i fuqishëm kundër të pavërtetave për Çlirimtarët
Pena
e tij e stërholluar, hesht kur duhet heshtur e shpërthen kur duhet shpërthyer.
Libri që po shqyrtojmë, është një studim i
stërholluar, ku është shkrirë një erudicion i paparë i një hulumtimi e studimi
të gjatë nëpër margaritarët e përbotshëm për të dhënë një tekst unikat, shumë
të nevojshëm për kohën e momentin, që me fakte përmbys trillimet dhe të pavërtetat
për një të vërtetë të madhe e të pamohueshme.
Konkretisht, është fjala për librin, që lindi
si domosdoshmëri e kohës, për një dëshmi të llojit të veçantë, i cili flet më
shumë se të gjitha kancelaritë e diplomacive botërore e të rrëfimeve të zbehta
nihiliste, për një dokument që nuk lë vend për
mëdyshje, për librin me titullin specifik e shumë domethënës “APOLOGJI PËR
ALBANOKAUSTIN, USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE KOMBIN SHQIPTAR”, i cili ka edhe një nëntitull praktik e konkretizues: Kundërpërgjigje për shpifjet dhe insinuatat
e Karla Del Pontes, Dik Martit, Oliver Schmitit-it & Kompanisë së tyre.
Dhe, sapo mbarova leximin e parë, gati sa nuk thirra
më zë: Të lumtë Xhemail Ali Peci!
Sakaq, mu kujtuan vargjet e Leonardo De Martinit:
Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë,
Ti e bëre me pendë, o i madhi De Radë!
Paskëtaj, më erdhën ndërmend Apologjitë e shkruara
nga njerëz të ditur përgjatë historisë, të cilat autori Xhemail Ali Peci, i ka
të shkokëluara dhe i mban vath në vesh. Prej tyre, mjafton të kujtohet ajo e
shpirtndriturit Frang Bardhi (1606-1643),
Apologjinë për Skënderbeun, të cilën e shkroi për pesëmbëdhjetë ditë dhe,
me fakte të dokumentuara, hodhi
poshtë mëtimin e ipeshkvit boshnjak Toma Marinaviqi, i cili u mundua që Heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj
Kastriotin-Skënderbeun ta nxirrte me origjinë boshnjake.
Libri
hapet me mendime e citate nga mendjet më të ndritura që i dhanë dritë
njerëzimit. Mjafton të përkujtojmë mendimin e poetit Xhorxh Gordon Bajron: “Zotërinj, subjekti i parashtruar përpara
jush, për herë të parë, edhe pse i ri për Parlamnetin, në asnjë mënyrë nuk
është i ri për vendin…Dhe shkruajeni vendimin e drejtësisë suaj, jo me bojën e
penës, por si gjykatësit e Athinës së lashtë kur i shkruanin vendimet e tyre me
gjakun e vet”.
Shkrimet
e librit që i përkasin një diskursi eseistik, me një stil të përsosur, ashtu
sikurse edhe vetë titulli, janë strukturuar në një Trini të shenjtë:
Përse heshtin shekujt?!,
Ushtria Çlirimtare e
Kosovës dhe
Letër e Hapur
Diplomacisë Ndërkombëtare.
* * *
Përse heshtin shekujt?!-
një
pyetje e përsëritur shekuj e shekuj, që kurrë nuk mori përgjigjen e merituar.
Ata
heshtin e heshtin, prandaj autori e sfidon një heshtje të tillë, duke theksuar
se shekujt heshtin tinëzisht për krimet dhe mizoritë mbi qenien tonë kombëtare,
për plisin e bardhë si bora, për lashtësinë ilire me gjurmë gjaku, për xhufkat
me ngjyra ylberi, për xhamadanët e kuq e për fustanellat nëpër beteja, për
xhybet e zeza me kindat e tyre si flatrat e shqiponjës, për festën e bardhë dhe
për përkrenaren e shpatën, për tufat e kuqe të opingave, për kufomat e
shqiptarëve lënë matanë kufijve, për pushkatimet pa gjyq e për masakrat pa varr:
500 në Manastir… e 5000 në Tivar…, për besën e të vëllait dhënë të motrës, për
krahët e prerë të shqiponjës, për lumenjtë e gjakut Golgotës sonë të pafund,
për shtëpitë me tapi kthyer në strehë kafshësh: në Janinë, në Filat e në
Follorinë…në Çamëri?!
* * *
Palcën kurrizore të
librit e përbën kapitulli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ku është shkrirë dije
e mund prej eruditi, në shpërfaqjen e një realiteti, që, qëllimshëm po përpiqen
ta zvetënojnë dashakëqijtë e armiqtë e përbetuar të farës sonë të vjetër sa
vetë bota.
Secili që i ka dy kokrra mëndë në kokë,
duhet ta ketë të qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qe e drejtë,
çlirimtare, e pastër, e shenjtë. Atë e bën djemtë dhe vashat tona që vdekjen e
shikonin drejt në sy dhe i thoshin: Plaç!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është
formacioni më i suksesshëm në gjithë historinë tonë. Për herë të parë folëm me
një zë dhe bëmë luftë mbarëkombëtare, duke fituar përkrahjen e botës së
civilizuar, andaj edhe fituan atë që na mungonte-Lirinë!
Përpjekja për zhvlerësimin e luftës sonë
më të lavdishme historike, luftës së UÇK-së, le të rëndojë si ndëshkim nopran
mbi të gjithë ata që kanë hak e hile! Tekefundit, ajo është brilante dhe
njollat nuk e përlyejnë dot. Kemi të bëjmë me vlerat kombëtare, me mundin, me
sakrificën, me gjakun e me gjymtyrët e humbura të atyre që na sollën Ditën e
Bardhë- LIRINË, dhe kjo merr përmasat e një mallkimi të pamëshirshëm historik.
Nuk dënohen ÇLIRIMTARËT! Ata janë vetë
LIRIA! Pastërtia e UÇK-së nuk përlyhet dot!
Pikërisht, këto shqetësime, trajton në
mënyrën më të denjë, me një gjuhë të qartë e të zjarrtë, autori Xhemail Ali
Peci, duke demantuar intrigat, shpifjet dhe insinuatat e Karla
Del Pontes, Dik Martit, Oliver Schmitit-it & Kompanisë së tyre.
Edhe njëherë:
Të lumtë Xhemail Ali Peci!
Zonja
dhe zotërinj,
Anëtarë
të nderuar të Parlamentit të Konfederatës së Zvicrës dhe europarlamentarë të nderuar, përfaqësues të nderuar
të ideve liridashëse të parimeve demokratike e të principeve parlamentare,
zbatuese të vullnetit politik të përparuar të Evropës moderne e të Evropës së
bashkuar, Shkëlqesi të tempullit të lirisë e të demokracisë evropiane;
diplomatë të vendeve perëndimore dhe Ju gjykatës e prokurorë që përballë keni
drejtësinë, të vërtetën dhe lirinë e një kombi të shumëvuajtur...
Kështu
e nis kërkesën e tij, për të vazhduar pastaj me numërimin e fakteve, që
dëshmojnë qartë gjithë historinë e Albanokaustit, që
ua kalon gjithë sivëllezërve botërorë: Si do të ndihej Evropa e Bashkuar, sikur të akuzoheshin
Çlirimtarët e Ushtrisë së Uinston Çurçillit e të Sharl de Golit, në vend se ata
që shkaktuan Holokaustin?!- pyet autori!
Dhe,
paskëtaj, jep disa përkufizime për UÇK-në tonë heroike:
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është nderi dhe krenaria e
kombit shqiptar.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është rrufepritësi i lirisë dhe
i pavarësisë së Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është gjaku i derdhur lumë i
bijve dhe bijave më të mirë e më të shquar të këtij kombi.
Ushtria Çlirimtare e
Kosovës as nuk ka qenë dhe as nuk është ushtri grupesh e klanesh.
Ushtria Çlirimtare e
Kosovës është ushtri e dalë nga gjiri i popullit dhe me rrënjët e thella në
popull.
Ushtria Çlirimtare e
Kosovës është vetë ajo që e ka shkruar Elena Gjika se liria, thonë fatosat e
Sulit në përsëritjen e një kënge që e kanë fort për zemër, ka qenë kurdoherë e
bija e ngadhënjimit...
Kjo
Apologji...në të vërtetë është edhe një Aktakuzë
(që të kujton atë të Emil Zolës “Akuzoj”) për padrejtësitë e
panumërta e sistematike, siç vë në pah autori:
për
të masakruarit në Masakrën e Tivarit e Lugut të Baranit, të Becit, të Reçakut,
të Preakzit, të Qyshkut, të Rahovecit, të Studimes, të Husajt, të Korenicës e
të Mejes (377-të të vrarë vetëm për një ditë), të Krushës së Vogël (106 të
pushkatuar, gra, fëmijë dhe pleq), të Burgut të Dubravës (160 burra e djem)…,
për Masakrën e Peshkopisë, për për shpirtrat e bardhë të shqiptarëve të
pafajshëm e të hedhur nëpër puse dhe shpella, për shqiptarët/europianët e
djegur nëpër furrënalta e Serbisë e të ngrirë në frigoriferët e kamionëve
serbë, për shqiptarët e pagjetur, të zhdukur e të tretur nga lubia vrasëse e
fashizmit millosheviqian, për të torturuarit në Goli-Otokun famëkeq, në
Qelikullat e Nishit, në CZ-n famëkeqe të Beogradit e në Kullën e Sheremetit,
për faktet e fshehura e për artefaktet e vjedhura nga toka jonë, për arat e
mbjellura me mina, për plisat e përgjakur dhe për të zhvendosurit nga vatrat
stërgjyshore e nga trojet shekullore, për Urën e Ibrit të këputur në dysh, për
nënat me lot në sy, për nuset, për motrat, për
vajzat që nuk dinë se ku i kanë djemtë, vëllezërit e burrat, për fëmijët që nuk
dinë se ku i kanë prindërit, për shqiptarët e degdisur në katër anët e
rruzullit, për zhdukjen misterioze të atdhetarit e intelektualit Ukshin Hoti...
Ky kapitull, që si një kambanare alarmi duhet të
ndërgjegjësoj botën e civilizuar, veçan ata që ndajnë drejtësi, përmbyllet
kështu: Gjithsesi, zonja dhe zotërinj,
shkëlqesi, hirësi, prokurorë, ju të nderuar gjyqtarë të drejtësisë dhe
dëshmitarë të historisë, avokatë dhe të pandehur, duke parafrazuar një psalm të
lashtë irlandez, krejtësisht në fund për këtë Apologji: Perëndia
i mbajt popujt përparimtarë, liridashës dhe demokratik, si dhe kombet e Europës
së Bashkuar e të lirë, në pëllëmbët e duarve të tij të shenjta!
* * *
Letër e Hapur
Diplomacisë Ndërkombëtare
Ky kapitull hapet me disa mendime të mençura, nga të cilat po
shkëpusim atë të poetit arbëresh, Jeronim De Rada: “Edhe sikur të na falni gjithë botën, ne kurrë nuk do t’i tradhtojmë
idealet e kombit, bij të të cilit jemi!”.
Nuk
është thënë kot se krijuesit i paraprijnë historisë! Po ashtu thuhet se poetët
dhe krijuesit janë mbrojtësit më të mirë të së vërtetës!
Shembull
konkret të kësaj fryme hyjnore kemi krijuesin dhe autorin e librit “APOLOGJI PËR
ALBANOKAUSTIN, USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE KOMBIN SHQIPTAR”, atdhetarin zemërzjarrtë, Xhemail Ali Pecin, i cili, nga gjithë këto shqetësime, jep një porosi me përmasa
profetike: “Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë Europë të Bashkuar, duke
e privuar nga e drejta kombëtare, liridashëse, arsimore, kulturore e legjitime,
njërin prej kombeve më të lashta të Gadishullit të Ballkanit, Gadishull ky që
më pare është quajtur sipas atyre që banonin në të dhe që e zotëronin atë: Gadishulli Ilirik”.
***
I lindur me dhuntinë
krijuese, në majat e
Kreshbardhës ilire, i formësuar në vatrën e mençurisë dhe të trimërisë, në
gjirin familjar, ku në ballë të oxhakut gjithmonë qëndronte këmbëkryq
Atdhedashuria, mendjendrituri Xhemail Ali Peci, i brumosur edhe me guximin
intelektual, qysh herët u zotua për të
qëndruar përherë vertikalisht!
Ky mal faktesh,
përfshirë në librin “APOLOGJI PËR
ALBANOKAUSTIN, USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE KOMBIN SHQIPTAR”, është argumentuar me gjuhën e së vërtetës e
të arsyes, me një kronologji e rrjedhë logjike, mbushur me ngjarje, data,
heronj, personalitete, duke kaluar majat e ajsbergut të historisë sonë nëpër
shekuj, dhe kësisoj paraqet një mozaik të shkëlqyer me të gjitha ngjyrat e
ylberit, prandaj edhe do të duhej të tundte bjeshkë e kodra, fusha e male, e
lëre më gënjeshtrat e mendjekëqijve tendenciozë, me të cilat po ushqehet një
gjykatë, që në vete ngërthen gjithçka, përveç Drejtësisë!
Kjo punë kolosale
individuale, duhej t’i skuqte të gjitha institucionet tona përkatëse dhe
heshtjen e tyre memece, duke përfshirë historianët, shkencëtarët, gjuhëtarët,
letrarët, akademikët...
Një qasjeje të
tillë, me plot përkushtim e dije enciklopedike, për çështjen tonë jetike:
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj të drejtë dhe për Çlirimtarët
tanë që padrejtësisht po mbahen në Hagë, që vetvetiu është një Argument i fortë
për të përmbysur dhe turpëruar Akuzën dhe shpifësit e saj kundër një të Vërtete
të pamohueshme, do t’ia kenë zili edhe penat më të arrira në fushën e kulturës
e të këtij diskursi shkrimor!
Në të përfunduar,
lirisht dhe me plot gojën mund të themi se libri “APOLOGJI PËR
ALBANOKAUSTIN, USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS DHE KOMBIN SHQIPTAR”, i autorit erudit, z. Xhemail Ali Peci, është një MONUMENT PAVDEKËSIE për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për
Liribërësit dhe për Kauzën Shqiptare!
Suksese e mbarësi, i nderuari Xhemail Ali Peci!












