Kulturë
Petrit Bezhani: Gjergj Fishta në diskursin kritik bashkëkohor
E hene, 09.03.2026, 06:56 PM
Gjergj Fishta në diskursin kritik bashkëkohor:
mbi studimin e Gjon Markut "Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije
të lartë kombëtare
Nga Petrit
Bezhani
Në studimet bashkëkohore të historisë së
letërsisë shqiptare, rikthimi kritik te figurat kanonike përbën një nga mënyrat
më të rëndësishme për të rishqyrtuar traditën letrare dhe për të kuptuar
funksionin e saj në formimin e vetëdijes kulturore kombëtare. Në këtë kuadër,
studimet monografike dhe interpretimet e reja mbi autorë themelorë të letërsisë
shqipe, si Gjergj Fishta, mbeten një fushë e hapur debati dhe reflektimi
kritik. Libri i Gjon Markut "Gjergj Fishta – shkrimtari me vetëdije të
lartë kombëtare" (Tiranë, 2024) mund të shihet pikërisht në këtë
perspektivë: si një përpjekje për të rilexuar veprën dhe figurën e autorit të
"Lahutës së Malcis" përmes një qasjeje sintetizuese, që ndërthur
analizën e tekstit me kontekstin historik dhe kulturor të kohës së tij.
Në vitin
2024, studiuesi dhe autori Gjon Marku botoi dy studime kushtuar dy figurave të
rëndësishme të traditës françeskane shqiptare, personalitete që kanë lënë
gjurmë të qëndrueshme jo vetëm në historinë e kulturës dhe të letërsisë
shqiptare, por edhe në një kontekst më të gjerë europian. Veprat e tyre
përfaqësojnë një trashëgimi të rëndësishme intelektuale dhe artistike, e cila
shtrihet në dy periudha të dallueshme historike: para dhe pas Luftës së Dytë
Botërore. Në këtë kuadër, studimi "Gjergj
Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare" paraqitet si
një përpjekje serioze për të rishqyrtuar dhe interpretuar dimensionet themelore
të krijimtarisë së njërit prej personaliteteve më përfaqësuese të letërsisë
shqiptare.
Edhe pse
autori nuk e pozicionon veten në mënyrë eksplicite brenda traditës së
mirëfilltë të fishtologjisë, studimi dëshmon për një interes të qëndrueshëm dhe
për një qasje interpretuese ndaj veprës së autorit të "Lahutës
së Malcis", duke u përpjekur të analizojë mënyrën se si manifestohen
dimensionet estetike dhe ideore të krijimtarisë së tij në tri rrafshet kryesore
të shprehjes letrare: epikë, lirikë dhe dramatikë. Në këtë kuptim, studimi i Markut
mund të konsiderohet si një përpjekje për të artikuluar një lexim interpretativ
që synon të vendosë në dialog traditën e kritikës letrare shqiptare me një
perspektivë të re të leximit individual.
Një nga
aspektet që bie në sy në këtë studim është përpjekja e autorit për ta trajtuar
veprën fishtjane jo vetëm si një fenomen estetik, por edhe si një shprehje të
vetëdijes historike dhe kulturore të kombit shqiptar. Kjo qasje e vendos
analizën në një plan ku ndërthuren dimensioni letrar, historik dhe kulturor,
duke theksuar funksionin e letërsisë në artikulimin e identitetit kombëtar.
Nga
pikëpamja strukturore, libri i Gjon Markut i afrohet përmasave të një
monografie studimore. Shtrirja e gjerë tematike dhe përdorimi i një
bibliografie relativisht të pasur dëshmojnë për përpjekjen e autorit për ta
mbështetur analizën në një bazë të gjerë referenciale. Kjo tregon një njohje të
mirë të traditës së studimeve mbi Gjergj Fishtën dhe të vendit që zë
krijimtaria e tij në historinë e letërsisë shqiptare dhe në zhvillimin e gjuhës
shqipe.
Studimi
është i organizuar në gjashtë kapituj, të cilët trajtojnë aspekte të ndryshme
të veprës dhe të veprimtarisë së Fishtës. Kapitulli i parë, "Tradita humaniste shqiptare në Rilindjen
Europiane", përbën një përpjekje për të vendosur një kornizë
historiko-kulturore brenda së cilës autori përpiqet të interpretojë zhvillimet
e mëvonshme të letërsisë shqiptare. Megjithatë, nga një këndvështrim kritik,
mund të thuhet se lidhja midis këtij kapitulli dhe objektit kryesor të studimit
mbetet mjaft e dukëshme. Edhe pse distanca historike dhe e ndryshimeve të
kontekstit kulturor, është e vështirë të argumentohet nëpërmejt një vijimësi e
drejtpërdrejtë midis humanizmit të Rilindjes europiane dhe krijimtarisë së
Fishtës. Por në këtë aspekt, një këndvështrim i qartë e bënte këtë pjesë
funksionale brenda strukturës së përgjithshme të studimit.
Kapitulli
i dytë, "Gjergj Fishta – ky erudit
i papërsëritshëm", ofron një panoramë më të gjerë të veprimtarisë
intelektuale dhe kulturore të poetit. Autori ndalet në disa nga momentet kyçe
të angazhimit të Fishtës në jetën kulturore dhe politike të kohës, si
pjesëmarrja e tij në Kongresin e Manastirit dhe në Komisinë Letrare të
Shkodrës si dhe roli i tij në drejtimin e revistës "Hylli I Dritës", së bashku me
albanologun Maximilian Lambertz në vitet 1913–1940. Në këtë kapitull vërehet
një përpjekje për të integruar vlerësimet e studiuesve të ndryshëm mbi figurën
dhe veprën e Fishtës, duke përfshirë emra të njohur të historiografisë dhe të
kritikës letrare shqiptare, si Injac Zamputi, Ali Xhiku, Eqrem Çabej dhe të
tjerë.
Një
pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet analizës së poemës monumentale "Lahuta e Malcis", e cila
trajtohet si një nga kulmet e epikës shqiptare dhe si një epope e mirëfilltë
kombëtare. Autori ndalet në dimensionin epik të kësaj vepre, duke analizuar
marrëdhënien e saj me traditën e epikës folklorike dhe me përvojën historike të
qëndresës shqiptare. Në këtë kontekst, përfshirja e referencave nga studiues
dhe personalitete të ndryshme të kulturës shqiptare, si Ernest Koliqi, Rrok
Zojzi, Sabri Hamiti apo Ismet Elezi, synon ta vendosë interpretimin e autorit
në një dialog më të gjerë me traditën e studimeve mbi Fishtën.
Një nga
pjesët më të rëndësishme të studimit është kapitulli kushtuar satirës fishtjane, ku autori trajton një
dimension të veçantë të krijimtarisë së poetit. Është e njohur se Gjergj Fishta
nuk përfaqëson vetëm një kulm të epikës shqiptare, por edhe një nga zërat më të
fuqishëm të satirës në letërsinë shqipe. Përmes ironisë, humorit dhe kritikës
sociale, Fishta ka trajtuar një sërë dukurish të jetës shoqërore shqiptare të
fillimit të shekullit XX.
Në këtë
kuadër, përmbledhja "Anzat e
Parnasit" paraqitet si një nga manifestimet më të qarta të kësaj
prirjeje satirike. Autori ndalet në temat që trajtohen në këtë vepër, të cilat
lidhen me jetën qytetare, me arsimin, me kulturën e botimit të librave, me
çështjet e atdhetarizmit dhe me marrëdhëniet e shqiptarëve me botën e jashtme.
Një element interesant që theksohet në studimin e Gjon Markut është fakti se
shumë prej vargjeve satirike të Fishtës kanë hyrë në përdorimin e përditshëm të
njerëzve dhe janë transmetuar gojarisht si sentenca apo shprehje të urta, duke
dëshmuar për ndikimin e thellë që poeti ka ushtruar në kulturën popullore.
Një
kapitull tjetër i rëndësishëm i studimit trajton dimensionin ideor të
krijimtarisë së Fishtës, duke e interpretuar atë si një shkrimtar me vetëdije të lartë kombëtare,
koncept që përbën edhe boshtin interpretues të gjithë librit. Në këtë kontekst,
Autori Gjon Marku analizon edhe dramën "Juda
Makabe", ku përmes një tematike biblike artikulohet një reflektim i
thellë mbi fatin historik të kombit dhe mbi raportin midis tradhtisë dhe
qëndresës.
Studimi
mbështetet në një bibliografi të gjerë, e cila përfshin rreth 127 referenca
studimore. Kjo dëshmon për një përpjekje serioze për ta vendosur analizën në
një dialog të drejtpërdrejtë me traditën e studimeve mbi Fishtën, ku përfshihen
edhe emra të rëndësishëm të kritikës dhe të albanologjisë, si Koliqi, Geci, Poradeci, Dema,
Çapaliku (S), Dukagjini (Pal), Lacaj (H) Arshi Pipa, Zef Pllumi, Desnickaja dhe
studiues të tjerë.
Parë në
tërsi vepra, mund të thuhet se një nga vlerat kryesore të këtij studimi qëndron
në përpjekjen për t'i ofruar lexuesit një lexim të ri të veprës fishtjane nga
një perspektivë që vjen jashtë rrethit tradicional të kritikës letrare. Autori
Gjon Marku arrin të ndërtojë një dialog serioz me veprën e Gjergj
Fishtës, duke ofruar reflektime dhe interpretime që në tërësi rezultojnë të frytshme,
sidomos në trajtimin e dimensionit satirik të krijimtarisë së poetit.
Në këtë
kuptim, studimi i Gjon Markut mund të konsiderohet si një kontribut i vlefshëm
në vazhdimësinë e diskursit kritik mbi veprën e Gjergj Fishtës, duke dëshmuar
edhe një herë se krijimtaria e autorit të "Lahutës
së Malcis" mbetet një nga burimet më të pasura të interpretimit
në letërsinë shqiptare.
Në
përfundim, studimi i Gjon Markut "Gjergj
Fishta – shkrimtari me vetëdije të lartë kombëtare" mund të vlerësohet si një përpjekje serioze
për t'i dhënë një lexim të ri një figure themelore të letërsisë shqiptare. Në
këtë libër Autori Gjon Marku arrin të ndërtojë një panoramë të gjerë të
veprës fishtjane dhe të vendit që ajo zë në traditën kulturore shqiptare. Vlera
e këtij studimi qëndron jo vetëm në përpjekjen për të sistemuar një numër të
madh referencash dhe vlerësimesh kritike mbi Fishtën, por edhe në guximin
intelektual për t'iu afruar një autori kaq kompleks nga një perspektivë që nuk
vjen drejtpërdrejt nga fusha e kritikës letrare profesionale. Në këtë kuptim,
libri i Gjon Markut dëshmon se vepra e Gjergj Fishtës vazhdon të mbetet
një terren i hapur interpretimesh dhe reflektimesh të reja, duke konfirmuar
edhe një herë aktualitetin e saj në diskursin bashkëkohor të studimeve letrare
shqiptare.
Siç
vëren edhe vetë autori, "Fishta këndohej, sepse në këngët e tij ishte
shqiptari: në doke, në kanun, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë,
në luftë e në ngadhënjime", një konstatim që përmbledh rëndësinë e
vazhdueshme të veprës fishtjane në historinë letrare shqiptare.









