Faleminderit
Eduard M. Dilo: Mihal dhe Petro Harito – Atë e bir në shërbim të kombit
E hene, 09.03.2026, 06:59 PM

Mihal dhe Petro Harito – Atë e bir në shërbim të kombit
Nga
Eduard M. Dilo
Nga
Zagoria e mençurisë, diturisë dhe trimërisë, nga Nivani i traditës atdhetare,
familja Harito ndër shekuj ka nxjerrë burra me vlerë. Ndër ta dolën dy
personalitete që i dhanë nder historisë kombëtare shqiptare: Mihal Harito
sëbashku me të birin Petro Harito.
Ata
përfaqësojnë vazhdimësinë e idealit kombëtar — një brez që ngre themelet dhe
një brez që i forcon ato.
Mihal Harito dhe koha e
Lidhjes së Prizrenit
Fundi
i shekullit XIX ishte një nga periudhat më dramatike për kombin shqiptar. Pas
Luftës Ruso-Turke dhe vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (13
qershor 1878), trojet shqiptare rrezikoheshin të copëtoheshin midis shteteve
fqinje.
Pikërisht
në këtë moment kritik lindi dhe u organizua Lidhja Shqiptare e Prizrenit,
lëvizja më e madhe politike dhe ushtarake e shqiptarëve në shekullin XIX dhe
një nga pikat më të ndritshme të historisë së Shqipërisë.
Mihal
Harito ishte shok i ngushtë dhe mik familjar i Abdyl Frashërit. Në krah të
figurave madhore si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe veprimtarë të tjerë të
shquar, qëndronte Mihal Harito — burrë
me kulturë, horizont politik dhe guxim qytetar.
Ai
ishte nga natyra i zgjuar dhe shumë imponues; për këtë arsye u vlerësua dhe u
dërgua si diplomat në Evropë për bisedime jetike për atdheun.
Mihal
Harito ishte ndër zërat më të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave shqiptare,
duke kërkuar autonomi administrative dhe mbrojtjen e territoreve etnike.
Më
23 korrik 1880, në kuvendin e Gjirokastrës, nga ai ballkon historik, Mihal
Harito u transmetoi Fuqive të Mëdha dëshirën mbarëkombëtare për moscopëtimin e
Shqipërisë. Ishte koha e traktatit famëkeq të Shën Stefanit dhe e vendimeve të
Kongresit të Berlinit. Mihal Harito kishte një vizion të qartë për të ardhmen e
kombit.
Kur
do të mbahej Kuvendi historik në Gjirokastër, Abdyl Bej Frashëri, Hasan Bej
Kostreci dhe Rushan Bej Frashëri u nisën nga Përmeti, por ndaluan dhe fjetën në
sarajet e Mihal Haritos në Nivan, përpara se të vazhdonin drejt Gjirokastrës.
Poshtë këtyre sarajeve – sot të djegura nga nazistët – gurgullon ende gurra
shekullore me ujë të ftohtë e të pastër si kristal.
Në
ato vite, Mihal Harito ushtronte edhe detyrën e Presidentit të Gjykatës së
Tregtisë për Prevezën dhe Gjirokastrën.
Ai
ishte gjithashtu një bamirës i madh për komunitetin e krishterë në krahinën e
tij. Në vitin 1861, së bashku me vëllain e tij, ndërtoi një kishë, ndërsa në
vitin 1881 themeloi një shkollë në Manastirin e Nivanit — një shkollë private
gjysmë të mesme në gjuhën greke. Për këtë shkollë pati ndihmë edhe nga Zhapa.
Mësues aty shërbeu Petro Kondi, i diplomuar në Vjenë.
Mihal
Harito ishte gjithashtu në favor të krijimit të një Kishe Ortodokse Shqiptare.
Si
deputet në Parlamentin e Parë Osman në Stamboll (1877), Mihal Harito përfaqësoi
me dinjitet interesat e shqiptarëve. Në një kohë kur shumë çështje vendoseshin
larg trojeve shqiptare, prania dhe ndikimi i tij në qendër të Perandorisë ishte
një faktor i rëndësishëm.
Populli
e përjetësoi figurën e tij me vargje që dëshmojnë respektin e madh:
"Kur dilje në portë
e rrije,
ç'bëhej në Stamboll e
dije..."
Këto
fjalë nuk janë thjesht poezi popullore, por dëshmi e besimit që bashkëkohësit
kishin tek mençuria dhe largpamësia e tij.
Sipas
historiografisë shqiptare, Mihal Harito, i cili kishte ardhur në Stamboll si
deputet i Janinës, ishte një nga anëtarët e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e
të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, shoqatë e themeluar në vitin 1877 nga një
grup intelektualësh shqiptarë në Stamboll.
Ai
vdiq në Stamboll në vitin 1897, në moshën 61-vjeçare (1836–1897), ndërsa ishte
ende deputet, dhe u varros në Patrikanë me nderime të mëdha.
Në
Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe në Muzeun Historik të Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit në Prizren gjendet fotografia dhe citime për vlerat e këtij burri
të shquar zagorit.
Petro Harito – vijues i
denjë i një ideali
Fryma
atdhetare nuk u shua me një brez. Petro Harito, i biri i Mihal Haritos, i
rritur në një familje ku ideali kombëtar ishte pjesë e përditshmërisë, ndoqi
rrugën e të atit me përkushtim të njëjtë.
I
lindur në vitin 1870, që në vogëli u ushqye me ndjenjën kombëtare në familjen
patriotike të Haritenjve. Mori një edukatë dhe kulturë të lartë, duke
përfunduar studimet për drejtësi në Stamboll dhe duke u bërë një avokat i
shquar në shërbim të çështjes kombëtare.
Në
kohët e vështira të atyre viteve, Petro Harito u shfaq si mbrojtës i patrembur
i atdheut. Në vitin 1914, në Kongresin e Delvinës, kur diskutohej fati i Jugut
të vendit, ai u ngrit me vendosmëri kundër kundërshtarëve dhe mbrojti me guxim
interesat kombëtare.
Në
vitet e konsolidimit të shtetit shqiptar, Petro Harito ishte disa herë anëtar i
parlamentit shqiptar gjatë periudhës midis dy luftërave botërore. Ai ishte
gjithashtu një nga këshilltarët e Ahmet Zogut dhe senator i përhershëm pas
vitit 1926.
Petro
Harito u dallua për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë së Jugut, veçanërisht
për qëndrimin e tij në mbrojtje të banorëve të Hormovës, duke kundërshtuar me
forcë dhunën dhe padrejtësitë e ushtruara ndaj tyre. Në një kohë trazirash
politike dhe tensionesh rajonale, zëri i tij ishte zëri i arsyes, ligjit dhe
dinjitetit kombëtar.
Ai
ishte gjithashtu ndër themeluesit e shoqërisë patriotike "Kandili" në
Gjirokastër, së bashku me Ilia Dilo Sheperin dhe Çerçiz Topullin, duke
kontribuar në organizimin kulturor dhe kombëtar të krahinës së Jugut. Këto
shoqëri luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e arsimit shqip, në
ndërgjegjësimin kombëtar dhe në forcimin e identitetit shqiptar.
Petro
Harito ishte një nga liderët e Partisë Popullore, e krijuar në vitin 1920 me
një program demokratik. Në zgjedhjet e vitit 1921 kjo parti fitoi 11 deputetë,
ndër të cilët Petro Harito dhe Sulejman Delvina.
Më
7 mars 1922, në emër të fshatrave të Zagorisë, ai i kërkoi Ministrisë së
Arsimit hapjen e një gjimnazi në Gjirokastër, ku si gjuhë të huaja të
mësoheshin edhe frëngjishtja dhe anglishtja.
Në
vitin 1923 drejtonte gazetën "Zëri i Gjirokastrës", që botohej në atë
qytet.
Fjalimi
i mbajtur nga Ilia Dilo Sheperi në varrimin e tij më 30 shtator 1931 mbetet një
dëshmi e gjallë e respektit për figurën e tij — një përmendore morale që e
vendos atë në radhën e burrave të shtetit me integritet dhe vizion.
Historia
jonë kombëtare u është borxhli figurave të tilla.
Trashëgimia
Figura
e këtyre personaliteteve (Babë e
Bir)-Mihal Harito, Petro Harito
përfaqëson një model të rrallë vazhdimësie: nga epoka e Lidhjes së Prizrenit,
kur luftohej për mbijetesën territoriale, deri në periudhën e shtetformimit,
kur ndërtoheshin institucionet e Shqipërisë moderne.
Ata
nuk ishin thjesht pjesëmarrës të historisë — ata ishin formues të saj.
Veprimtaria e tyre dëshmon se patriotizmi nuk është vetëm akt i një momenti,
por një mision që trashëgohet, ruhet dhe forcohet brez pas brezi.
Sot,
kur kujtojmë kontributin e tyre, nderojmë jo vetëm dy individë, dy personalitete,
por një traditë të tërë shërbimi ndaj kombit, që lindi në Zagori dhe u shtri në
skenën kombëtare shqiptare.
Veprimtaria
e tyre mbetet një gur themeli në historinë e patriotizmit shqiptar dhe një
shembull frymëzimi për brezat që vijnë.
Bibliografi
• Bülent Bilmez / Nathalie Clayer – Një
studim prosopografik mbi disa deputetë shqiptarë në Parlamentin e Parë Osman
• Gazeta "Miku i Popullit",
1933
• Pirro Loli – Itaka Brenda Meje, faqe
107-108
• Apostol Pango – Enciklopedia e
Zagorisë, faqe107-108
• Evjen Peri – Gurë në Themelet e Arsimit
Kombëtar, faqe 71-72









