E hene, 09.03.2026, 10:43 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Flasin Elsa Xhai, Shqipe Zani, Myfarete Laze, Paro Ziflaj - 8 Marsi – Dita kur bota përkulet para gruas

E hene, 09.03.2026, 06:53 PM


Myfarete Laze

Flasin Elsa Xhai, Shqipe Zani, Myfarete Laze, Paro Ziflaj:

8 Marsi – Dita kur bota përkulet para gruas

- Gëzuar 8 Marsin, nëna e motra, edhe pse ditë reflektimi e proteste!

- Nëna është fjala më magjike, më e bukur, më shpresëdhënëse.

-Ajo është gjysma e botës, por dhe drita e botës!

Nga Albert Z. ZHOLI

8 Marsi nuk është thjesht një festë me lule dhe urime. Ajo është një ditë kujtese dhe mirënjohjeje për gjysmën e botës, që ka mbajtur mbi supe jetën, familjen dhe shoqërinë. Gruaja është drita e shtëpisë, zëri i butë që shëron plagët dhe forca e heshtur që mban gjallë shpresën. Historia e gruas është histori sakrifice dhe qëndrese. Për shekuj me radhë ajo ka luftuar për të drejtën e fjalës, për të drejtën e votës, për të drejtën e punës dhe për dinjitetin njerëzor. Shpesh ajo ka ecur në rrugë të vështira, duke u përballur me paragjykime dhe padrejtësi, por nuk është dorëzuar. Me durim dhe këmbëngulje ajo ka hapur dyert e shkollës, të punës dhe të jetës publike. Gruaja është nëna që rrit breza, është mësuesja, që ndez dritën e dijes, është punëtorja, që ndërton jetën me mund dhe sakrificë. Ajo është edhe artiste, shkencëtare, politikane, por mbi të gjitha është zemra, që rreh për familjen dhe për shoqërinë. Edhe gruaja shqiptare ka një histori të pasur sakrifice dhe dinjiteti. Ajo ka përballuar varfëri, luftëra dhe vështirësi, por gjithmonë ka ditur të mbajë të ndezur zjarrin e shpresës. Në fshat dhe në qytet, në familje dhe në shoqëri, ajo ka qenë një shtyllë e fortë mbi të cilën është mbështetur jeta. 8 Marsi është një moment reflektimi: sa kemi bërë për të respektuar dhe mbështetur gruan? Sa e kemi vlerësuar mundin dhe përkushtimin e saj? Një shoqëri që nderon gruan është një shoqëri, që nderon vetveten. Prandaj kjo ditë nuk është vetëm një festë, por një premtim për më shumë respekt, barazi dhe mirënjohje. Sepse kur buzëqesh gruaja, buzëqesh familja, dhe kur është e lumtur gruaja, bëhet më e bukur edhe bota.

Elsa Xhai, gazetare

Nënat shqiptare, qofshin të lumtura në sfidat e tyre të mëdha, të vështira. Por si gjithmonë ato, nënat tona, dhe ne si nëna, mbetemi të sakrificës, zemërgjera e të paepura për jetën, për familjen, pse jo, edhe për imazhin dhe integrimin e Shqipërisë sonë, që aq shumë e dëshirojmë, sado larg saj të jemi! Vitet ndryshojnë dhe kohërat po ashtu, por 8 Marsi mbetet po ajo ditë. 8 Marsi në Shqipëri gjatë viteve të komunizmit u kremtua si festa e Nënës, teksa në mbarë botën mijëra gra bashkoheshin për të kërkuar të drejtat e tyre. Me hapjen e vendit pas rrëzimit të sistemit diktatorial, 8 Marsi filloi të merrte kuptimin e vërtetë në teori, sepse në praktikë ende sundohet nga lule, dhurata dhe dreka mes grave, duke u shndërruar në një ditë feste dhe jo në ditë apeli për të drejtat e tyre. Sot 8 Marsi është një ditë për të nderuar kontributin e grave në familje, në shoqëri, në shkencë, kulturë dhe politikë. Por njëkohësisht është edhe një kujtesë se barazia e plotë ende kërkon përpjekje. Gratë janë gjysma e botës dhe shpesh edhe forca që mban gjallë shoqërinë. Siç thuhet shpesh: Kur përparon gruaja, përparon e gjithë shoqëria. Gëzuar 8 Marsin, nëna e motra, edhe pse ditë reflektimi e proteste!.

Paro Ziflaj "Mjeshtre e Madhe"

"Bashkë me mimozat vjen dhe festa e gruas, e nënës. Akoma në shekullin ku jetojmë, ekzistojnë mbetje të mendimeve mesjetare, që ushtrojnë dhunë ndaj një qenieje, e cila të ka sjellë në jetë, të ka mëkuar me gjuhën shqipe, me ninulla. Ndihem e trishtuar kur lajmet mbushen me dhunë, çka do të thotë se nxisin dhunë ndaj grave, nënave. Parlamenti transmeton dhunë, emisionet apo rubrikat televizive transmetojnë dhe nxisin dhunë. Mes tyre janë gratë, janë nënat. Dashuria për to duhet promovuar! Njeriu ka virtyte, të cilat kurrë nuk do t'i kuptoni ju, të cilët e shihni dhunën si mjet rrugëdalje, nga dështimet e njëpasnjëshme që merrni nga shoqëria! Nëna është fjala më magjike, më e bukur, më shpresëdhënëse. Ajo është gjysma e botës, por dhe drita e botës! Është një ditë që simbolizon luftën, sakrificat dhe fitoret e grave për barazi dhe dinjitet në shoqëri. Kjo festë nuk lindi thjesht si një ditë urimi, por si rezultat i protestave dhe përpjekjeve të gjata për të drejta sociale, ekonomike dhe politike.

Shqipe Zani

Në vendin tonë, ende pozicioni i gruas nuk është aty ku duhet. Kemi jetuar në një shoqëri, ku femra nuk ka qenë, por dhe ende nuk është e barabartë me mashkullin, në të gjitha poret e jetës. Kishim një shoqëri ku femrës i imponohej mënyra e të jetuarit, mënyra e veshjes, daljes, qëndrimit dhe shprehjes së mendimit të lirë. Dikur femra nuk ka gëzuar të drejtën e shkollimit, apo nuk i mundësohej ajo. Kemi pasur një shoqëri, ku femra nuk ishte e përfaqësuar në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore. Sot janë marrë hapa konkret në drejtim të barazisë gjinore në Shqipëri, por ende rruga është e gjatë. Këto ditë nëpër rrjete sociale kam parë që kanë filluar të urohen nënat, por në fakt duhet të urohen gratë. Është dita e gruas dhe jo e nënës. Në 8 Mars, duhen uruar nënat, motrat, gjyshet, e dashura, tezja dhe të gjitha gratë. Është dita e tyre! Meqenëse te ne kjo ditë shënohet në mënyrë solemne si në shtëpi, ashtu dhe në shoqëri, duhet një dhuratë, jo domosdoshmërisht e shtrenjtë, duke përcjellë urimin e të gjithë neve për më të dashurat tona. Dhuratat, e kam mësuar nga familja ime, nuk duhet të jenë të shtrenjta, në kuptimin financiar; dhurata duhet të jetë nga zemra, e menduar mirë dhe me përkushtim, sepse kjo është e vlefshme. Gëzuar festën gratë vetëmohuese të Shqipërisë dhe gjithë botës".

Myfarete Laze, "Mjeshtre e Madhe"

8 Marsi, një ditë e bukur, një ditë që ne si nëna e presim me mall. Kjo ditë më shumë sesa një festë, është një ditë reflektimi, por është edhe një ditë ku ne duhet të ndjehemi të lira, të kërcejmë vals, të gëzojmë, të këndojmë. Të këndojmë këngët për nënat, për sakrificat e tyre, për dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Nënat duhen respektuar çdo ditë. Ato meritojnë shumë, pasi bëjnë punë heroike në heshtje. Në çdo moshë, ne kujtojmë ditët e fëmijërisë si ditët më të lumtura, ndofta, sepse ato janë ushqyer me vështrimet e ngrohta të nënave tona të mrekullueshme. Nënat janë fisnike në ndjenja, shikoje këtë brenda vetes tënde dhe do të shikosh vetëm emrin "Nënë!". Nënat mësojnë se si fëmijët e tyre të bëhen të mirë dhe të ndershëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të turpërohen kurrë. Vlerësoni dhe uroni zemrat fisnike të nënave, me këtë forcë do të largoni nga vetja çdo pengesë e ligësi. Forca më e madhe qëndron në një zemër të pafajshme dhe kjo është zemra e ngrohtë, e dashur, e palodhur e nënës!

Çfarë është arritur dhe problemet

Gratë sot janë shumë më të arsimuara se më parë dhe përbëjnë një pjesë të madhe të studentëve në universitete. Në politikë ka më shumë përfaqësim të grave falë kuotave ligjore. Shumë gra janë drejtuese institucionesh, biznesesh dhe organizatash. Ligjet kundër dhunës në familje janë forcuar dhe shteti ka struktura mbrojtëse. Problemet që vazhdojnë'...Pabarazi në paga dhe në mundësi punësimi. Shpesh gratë paguhen më pak ose kanë më pak pozicione drejtuese. Dhuna në familje mbetet një problem i rëndë shoqëror. Mentaliteti patriarkal, sidomos në disa zona, vazhdon të kufizojë rolin e gruas.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx