Kulturë
Memli Sh. Krasniqi: Reflektim i thellë mbi kohën dhe rrethanat
E enjte, 05.03.2026, 06:54 PM
REFLEKTIM I THELLË MBI KOHËN DHE RRETHANAT
(Prof.
dr. Sabile Keçmezi - Basha & Prof. dr. Tefik Basha “GJURMË UDHËTIMESH: NGA,
KUR, KU...”, Prishtinë: Shtëpia Botuese “Artini”Prishtinë, 2026)
Nga
Prof. Dr. Memli Sh. Krasniqi
Libri
i autorëve Sabile Keçmezi - Basha dhe Tefik Basha “Gjurmë udhëtimesh: Nga, kur,
Ku...”, përbën një nga botimet e para të udhëpërshkrimeve me elemente të
theksuara të historisë personale. Në këtë vepër, udhëtimi nuk paraqitet vetëm
si lëvizje në hapësirë, por edhe si një reflektim i thellë mbi kohën dhe
rrethanat, ku ndërthuren përvoja personale me kujtesën kolektive të shqiptarëve
në ish-Jugosllavi.
Në
rrëfimet e këtij libri, e kaluara jo fort e largët përshkruhet me vëmendje të
veçantë, duke treguar se si procesi i emancipimit kombëtar dhe atij personal
shfaqej jo vetëm në formimin e një shtrese të re intelektuale, por edhe në
krijimin e kushteve financiare, që mundësonin një jetë më dinamike sociale,
përfshirë edhe udhëtimet e pushimet në zona të ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe
jashtë saj.
Bashkëshortët
Basha i përkasin brezit të parë të intelektualëve shqiptarë që përjetuan dhe
kontribuuan në periudhën e Rilindjes kulturore, politike dhe shoqërore të
shqiptarëve në ish-RSF të Jugosllavisë - një periudhë që kulmoi me Kushtetutën
e vitit 1974, e cila e afirmoi Kosovën si njësi përbërëse të federatës dhe me
atribute të veçanta kushtetuese, duke zbutur në mënyrë të ndjeshme varësinë
institucionale nga RS e Serbisë.
Autorët
Basha, duke shfrytëzuar atmosferën emancipuese për shqiptarët në fund të viteve
’60 dhe gjatë viteve ’70 të shekullit XX, do të ndjekin studimet në
Universitetin e Beogradit - në kryeqendrën e Republikës Shtypëse dhe të vetë
Federatës Jugosllave. Autorja, Sabile Keçmezi, duke ndjekur njëkohësisht
ëndrrën e saj dhe amanetin e babait të ndjerë, do të përcaktohej për studimet
në fushën e shkencave politike, duke u bërë kështu gruaja e parë shqiptare në
këtë disiplinë në ish-RSF të Jugosllavisë.
Ndërkohë,
bashkëshorti i saj i ardhshëm, Tefik Basha, do të vijonte në të njëjtin
universitet studimet pasuniversitare, duke ndjekur programin e magjistraturës
në fushën e Gjeografisë dhe Demografisë.
Një
tjetër element dallues i kësaj periudhe ishte “hyjnizimi” i shkollimit në
mjediset shqiptare. Nën sundimin e pushtetit serb, malazez dhe maqedonas, shqiptarët
përballeshin me mungesë të theksuar të kuadrove në të gjitha fushat, ndërsa
gjuha shqipe kishte përdorim të kufizuar dhe përfaqësimi në pozita
vendimmarrëse u takonte kryesisht serbëve, malazezve dhe maqedonasve.
Në
këtë kontekst, vetëdija kolektive dhe ideali për arsimim u shndërruan në një
aspiratë të përbashkët, që përshkonte të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.
Familjet shqiptare ishin të gatshme të sakrifikonin edhe ato pak të mira
materiale që kishin për të siguruar shkollimin e fëmijëve dhe të të afërmve të
tyre. Një shembull domethënës i këtij përkushtimi është rasti i autores Sabile
Keçmezi, e cila, në hapat e parë të studimeve në Beograd, qëndroi te xhaxhai i
saj, duke ndjekur kështu ëndrrën për arsimim në kushte jo të lehta.
Një
tjetër pengesë e rëndësishme për shqiptarët e asaj periudhe ishte mosnjohja e
gjuhës serbokroate, e cila, në dekadat para Plenumit të Brioneve (1966),
përdorej nga pushteti serb si mjet për të penguar shkollimin e mëtejshëm të
nxënësve shqiptarë. Gjuha, në këtë kontekst, shërbente si instrument i
diskriminimit institucional dhe i përjashtimit nga mundësitë arsimore dhe
profesionale.
Megjithatë,
me njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Kosovë dhe me themelimin e
Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, pozita e privilegjuar e gjuhëve të
tjera dhe roli i tyre si mjete përjashtuese ndaj shqiptarëve filluan të
dobësoheshin ndjeshëm. Ky zhvillim solli një kthesë thelbësore në procesin e
emancipimit kulturor dhe arsimor të shqiptarëve në Kosovë.
Prandaj,
ndryshe nga periudhat e mëhershme, mosnjohja e gjuhës serbokroate nuk përbënte
më pengesën e parë përjashtuese për të vazhduar studimet. Përkundrazi, siç
dëshmon vetë autorja, ndonëse nuk e zotëronte gjuhën serbokroate, ajo kishte
përgatitur provimet në atë gjuhë përmendësh - në mënyrë të përkushtuar dhe të
disiplinuar. Ndryshe nga shumë prej kolegëve të saj, të cilët shpesh vinin në
provim të papërgatitur, ajo spikaste me seriozitetin dhe përpjekjen e saj të
palodhur. Ky përkushtim nuk kalon pa u vërejtur: edhe profesori e vlerëson si
shembull të jashtëzakonshëm të punës dhe disiplinës, duke kritikuar hapur
studentët serbë për mungesën e seriozitetit të tyre.
Njëkohësisht,
çifti Keçmezi-Basha, përveç angazhimeve studimore, kohën e lirë e shfrytëzuan
edhe për të vizituar muzetë e qytetit të Beogradit. Ndër më mbresëlënësit për
ta ishte Muzeu i Nikolla Tesllës, veprat dhe zbulimet e të cilit dëshmonin për
një teknologji që kishte fuqinë të ndryshonte të ardhmen e njerëzimit.
Në
të njëjtën kohë, periudha e viteve ’70 të shekullit XX krijonte mundësi të reja
për shtresën e re intelektuale shqiptare, duke u ofruar hapësira për të
vazhduar studimet dhe specializimet edhe jashtë kufijve të ish-RSF të
Jugosllavisë.
Kështu,
në vitin 1976, Tefik Basha do të udhëtonte për specializim në Moskë,
kryeqendrën e ish-BRSS-së, të cilën më pas do ta vizitonte edhe Sabile Keçmezi.
Natyrisht, ndër përshtypjet më të fuqishme që do t’u linte ky qytet ishte
metroja madhështore e Moskës, ku çdo stacion ngjante me një galeri arti. Po
ashtu, ndër vendet që i tërhoqën vëmendjen ishin Mauzoleu i Leninit dhe Muzeu i
Kozmosit - dëshmi të një epoke të fuqisë shkencore, ideologjike dhe kulturore
të Bashkimit Sovjetik.
Po
atë vit, më 1976, çifti do të vizitonte edhe Greqinë, ndërsa në vitin 1985,
gjatë një udhëtimi në Selanik, do të kishin rastin të shihnin shtëpinë e Hasan
Prishtinës, e cila tashmë ishte shndërruar në shkollë për të verbrit - një
përjetim me domethënie të thellë historike dhe emocionale.
Ndërsa
në Bullgari, ku për një periudhë të gjatë i kalonin pushimet verore, çifti
Basha do të njihte edhe vendbanime historike shqiptare, si Arbanasi dhe
Mandrica, ndër të tjera.
Nga
vizita në Itali në vitin 1977, autorja Sabile Keçmezi përshkruan kontrastin e
madh midis bollëkut të të mirave materiale në vendet kapitaliste dhe mungesës
së theksuar të tyre në shtetet socialiste. Ajo vëren se farmerkat, në atë kohë,
kishin fituar statusin e një simboli të rinisë dhe të modernitetit në shoqëritë
e mbyllura të Lindjes.
Rruga
e hapur për punësim dhe avancim profesional të kësaj elite të re shqiptare u bë
një mundësi reale për përfshirjen e tyre të menjëhershme në jetën akademike dhe
institucionale. Si rezultat, Tefik Basha filloi punën në Institutin
Albanologjik, ndërsa Sabile Keçmezi u angazhua në Institutin e Historisë, duke
u bërë pjesë aktive e zhvillimit shkencor dhe kulturor të Kosovës.
Ndonëse
autorët do të riktheheshin në Beograd, ku në vitin 1983 Tefik Basha do të
përfundonte studimet e doktoratës, atmosfera në këtë qytet kozmopolit tashmë
kishte ndryshuar ndjeshëm pas demonstratave të vitit 1981. Ky ndryshim ndihej
jo vetëm në jetën publike, por edhe në qasjen institucionale ndaj shqiptarëve.
Këtë e dëshmon edhe autorja, e cila gjatë hulumtimeve në arkivat e Beogradit,
personalisht përjetoi refuzimin për të pasur qasje në dokumentet që, sipas
skedarëve arkivorë, kishin të bënin me shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi nga
viti 1945 e tutje.
Një
element karakteristik që autorët e theksojnë është fakti se, pas demonstratave
të vitit 1981, për shqiptarët në përgjithësi - e veçanërisht për ata në Kosovë,
“Piemontin” shqiptar në ish-RSF të Jugosllavisë - mirëqenia materiale filloi të
shihej si çështje dytësore. Ajo u vendos në plan të dytë përballë dëshirës
gjithnjë në rritje që, me veprime konkrete dhe me përkushtim, të punohej për
realizimin e statusit të Kosovës si republikë. Kjo shihej si mënyra më e
mundshme dhe më e drejtë për shkëputjen e plotë nga varësia politike e RS të
Serbisë.
Kjo
frymë e përgjithshme atdhetare, që kishte përfshirë të gjithë shqiptarët, u
manifestua jo vetëm përmes kundërshtimit të gjerë ndaj ndryshimeve kushtetuese
të vitit 1989, por edhe përmes organizimit të menjëhershëm të sistemit të
mëvetësishëm arsimor. Në këtë kuadër, edhe shtëpia e çiftit Basha u kthye në një
hapësirë mësimore, duke u vënë në shërbim të Katedrës së Gjeografisë dhe të
përpjekjeve për ruajtjen e arsimit shqip në rrethana të jashtëzakonshme.
Pas
çlirimit të Kosovës në vitin 1999, autorja, në vitin 2001, u zgjodh deputete në
përbërjen e parë të Parlamentit të Kosovës pas luftës. Gjatë mandatit të saj,
ajo pati mundësinë të vizitonte një sërë institucionesh ligjvënëse në vende të
ndryshme të botës, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Itali,
Kroaci, Bosnjë, Shqipëri dhe të tjera.
Ndër
vizitat që i lanë përshtypje të veçantë ishte ajo në SHBA, ku ajo ishte
dëshmitare e një momenti domethënës: gjatë një seance, pas fjalimit të Rada
Trajkoviqit, e cila ankohej për shpërnguljet e serbëve nga Kosova, kongresisti
Eliot Engel reagoi duke theksuar se në vendet e lira, njerëzit kanë të drejtë
të lëvizin lirshëm dhe të zgjedhin vetë nëse duan të qëndrojnë apo të largohen.
Ky reagim, që afirmonte vlerat demokratike dhe të drejtën për lëvizje të lirë,
la mbresa të thella tek autorja.
Autorja,
gjatë vizitës në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, kishte vërejtur mungesën e
theksuar të librave shkencorë me temë Kosovën - një boshllëk i ndjeshëm që, për
fat të keq, nuk është mbushur as pas më shumë se njëzet vjetësh nga ajo vizitë.
Në
përfundim të vlerësimit të këtij libri të çiftit bashkëshortor Basha, do të
veçoja dy elemente që, sipas mendimit tim, e karakterizojnë identitetin dhe
qëndrueshmërinë e shqiptarëve të Kosovës në dekadat e fundit të historisë së
tyre.
Elementi
i parë lidhet me shqiptarët e shpërngulur në Turqi, të cilët, pavarësisht nga
ndarja prej vendlindjes, kanë arritur të ruajnë lidhjen shpirtërore me Kosovën.
Shumë prej tyre janë bërë ndërmarrës të suksesshëm në Turqi dhe, me krenari,
kompanive të tyre u kanë dhënë emra që lidhen me vendbanimet e paraardhësve të
tyre. Një shembull domethënës është “Laqiq Grupi” në Bursë, që mban emrin e
fshatit Laçiq të Dardanës (ish-Kamenicës), si një shenjë e kujtesës dhe
identitetit të rrënjosur thellë.
Elementi
i dytë ka të bëjë me kultivimin e një nacionalizmi qytetar te brezat e rinj -
një ndjenjë përkatësie që shkon përtej emocioneve dhe rrënjoset në
përgjegjësinë ndaj vendit. Shembull i gjallë i kësaj qasjeje është vajza e
tyre, Arta, e cila, ndonëse kishte marrë një ofertë prestigjioze nga Instituti
i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) për të vazhduar karrierën akademike në një
nga qendrat më të njohura ndërkombëtare të shkencës, zgjodhi të kthehej dhe të
kontribuonte në vendin e saj. Ajo u rrit me bindjen se njohuritë dhe përvoja
janë më të vlefshme kur vihen në shërbim të atdheut - ndaj edhe motoja e saj
shpirtërore mbetet: Made in Kosova, për Kosovën.
Prishtinë, më 7 korrik
2025









