E diele, 01.03.2026, 11:25 PM (GMT)

Kulturë

Anton Marku: Poezia shqipe ‘‘pushton’’ Vjenën

E diele, 01.03.2026, 06:57 PM


Poezia shqipe ‘‘pushton’’ Vjenën

Vjenë, 27 shkurt 2026: Në shënim të 18-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe 15-të vjetorit të themelimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, Ambasada e Kosovës në Vjenë në bashkëpunim me LSHKSHA ‘‘Aleksandër Moisiu’’ organizoi një aktivitet kulturor në të cilin morën pjesë poetja dhe eseistja Blerina Rogova Gaxha dhe poeti dhe dramaturgu Emin Z. Emini. Kjo ngjarje artistike u përcoll edhe me tinguj të muzikës qytetare shqiptare.

Nga Anton Marku

Në një sallë festive në qendër të Vjenës dashamirët e letërsisë u njohën me zhvillimet aktuale të artit të shkruar në hapësirat ku jetojnë shqiptarët gjithandej Ballkanit dhe në mërgatë. Të pranishmit fillimisht i përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili ndër të tjera, theksoi rëndësinë e organizimit të orëve të tilla letrare në të cilat po trajtohen tema të ndryshme me karakter artistik.  Më pas, në fjalën e tij, Ambasadori në Detyrë i Kosovës në Vjenë Albinot Bimbashi rikonfirmoi gatishmërinë e institucionit që përfaqëson që të mbështesë aktivitete të tilla, nënvizoi rëndësinë e aktiviteteve letrare në mërgatë si dhe përgëzoi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ për 15 vite angazhim në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar. Në fund të adresimit të tij ai uroi Festën e Pavarësisë.

Mbrëmja ishte e ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë u zhvillua një bashkëbisedim me mysafirët nga Kosova, krijuesit Blerina Rogova Gaxha dhe Emin Z. Emini. Që të dy janë emra tashmë të njohur në skenën poetike në Kosovë dhe më gjerë. Ata kanë botuar disa përmbledhje me poezi, janë fitues të çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe veprat e tyre janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Aspektet të cilat u shtjelluan gjatë kësaj bisede kishin të bëjnë me përkufizimin e letërsisë, dramën si koncept të lidhur ngushtë me tekstin, të qenurit shkrimtar në shoqërinë shqiptare si dhe rritja e bashkëpunimit mes autorëve dhe shtëpive botuese në relacionin Prishtinë-Tiranë.

Në pjesën e dytë mysafirët lexuan disa poezi te përzgjedhura të cilat u mirëpriten nga publiku. Në pjesën e tretë, pyetjeve të pranishmëve, të cilat kishin të bënin me stilet e shkrimit, përdorimin e dialektit gegë në letërsi, mundësitë e kombinimit të fjalës me veprat muzikore, investimet në kultivimin e memories historike përmes kinematografisë, etj., iu përgjigjën mysafirët e ftuar. Në këtë manifestim morën pjesë edhe diplomatë nga ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të shoqatave të ndryshme, intelektualë dhe aktivistë të komunitetit tonë në Austri.

Kësaj mbrëmje artistike i dhanë një intonacion të veçantë pjesët muzikore të interpretuara me mjeshtri nga Vlora Melchard në piano dhe Ersela Nekaj në violinë.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u imponuar me një qasje serioze dhe cilësi në organizimin e më shumë se 80 orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shumë domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Si e sfidoi Vatikanin, Mozarti, në moshën 14-vjeçare, duke i "vjedhur" pjesën e famshme korale Albert Habazaj: Ahmet Demaj i Fjalës me Peshë Përparim Hysi: Lirika të shkruara në shkurt Sevdail Hyseni: Nastradini dhe qorrat Rrahman Rrahmani: 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës Dardane u shënua me një mbrëmje madhështore festive në Engelholm të Suedisë Don Fran Sopi: Përkujtimi dhe studimi — sot bashkohen në një pikë të vetme: në kërkimin e së vërtetës Fran Gjoka: Mesazh urimi mësuesit dhe drejtuesit, poetit dhe shkrimtarit Mevlud Buci në 75-vjetorin e lindjes Albert Vataj: Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit Sevdail Hyseni: S’ka punë..! Hazir Mehmeti: Filarmonia e Kosovës, koncert festiv në Vjenë Nexhmije Mehmetaj: Shënimi i Pavarësisë së Kosovës në Gjenevë Lekë Mrijaj: Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në veprën e Prend Buzhalës Telegram ngushëllimi i Shoqatës "Trojet e Arbrit" me rastin e kalimit në amshim të Prof. Dr. Ramiz Abdylit Engjëllushe Sheme Koltraka: Po i bashkoj historitë e Kombit Asllan Dibrani – Luani: Kosova në udhëkryqe për president: Koha për një emër që bashkon kombin dhe tejkalon partitë Ndue Dedaj: Fundjavë në Kosovë mes miqsh Edison Ypi: Humba në Vlosh Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli Hysen Ibrahimi: Nejra Cej - 'Nejra e zgjuar' Kadri Tarelli: Shoqata “Durrësi Autokton”, pasuri e qytetarisë durrsake

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx