Kulturë
Kadri Tarelli: Shoqata “Durrësi Autokton”, pasuri e qytetarisë durrsake
E marte, 24.02.2026, 06:55 PM

Kadri Tarelli shkruan:
Sa jemi shqipëtarë,
jemi gjithë një farë,
kemi gjithë një besë,
s’kemi kurrë të ndarë. Abdyl Frashëri
SHOQATA “DURRËSI AUTOKTON”,
Pasuri e qytetarisë durrsake
Pak dit të muajit shkurt, më 10. 02. 2026, në
sallën veprimtarive të QKF. Durrës, u kremtua 35-vjetori i Shoqatës “Durrësi
Autokton”, një ndër shoqatat më të vjetra në Shqipëri, e rikrijuar në periudhën
e hyrjes së vendit në demokraci. Megjithëse rrënjët i ka rreth 90 vite më parë,
më 1935, në kohën e “Monarkisë”. Shoqata ka dhe feston dy ditëlindje. Koha dhe
trashëgimia është vlerë që duhet kujtuar dhe nderuar.
E gjithë veprimtaria ishte menduar bukur. Në
hyrje nisi me një fotoekspozitë ku pasqyronte aktivitetin e shoqatës në këto 35
vite veprimtari.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i shoqatës
z. Abdulla Deliallisi përmendi nismëtarët e krijimit, rrugëtimin ndër vite,
bashkëpunimet me shoqata simotra dhe organizata të ndryshme, si dhe shprehu
mirënjohje për të gjithë anëtarët dhe bizneset durrsake, që kanë mbështetur
aktivitetet e shoqatës ndër vite.
Mbrëmja vijoi me himnin e qytetit “Të falem, i
bukuri Durrës”, interpretuar nga këngëtari durrsak Dhimitër Stefa, si dhe me
një paraqitje virtuoze nga violinisti Enver Qerimi, i cili si durrsak i hershëm
nuk mungon në festat dhe veprimtaritë, sa herë që organizon shoqata.
Pjesë e programit ishte edhe shfaqja e
dokumentarit, “Diplomati Antitabu”, kushtuar ambasadorit Shaban Murati, (Nderi
i qytetit të Durrësit). Dokumentar i realizuar nga Fondacioni “Hasan Tahsini.
Çamëria”, me regji dhe operator nga Ylli Pepo dhe Xhemal Reçi.
Këtu po shtoj vetëm pak fjalë: - Nëse
dokumentari do të kishte përfshirë edhe Durrësin, me siguri do të vendosej edhe takimi
me diplomatin e shquar Shaban Murati, organizuar para një viti në mjediset e Pallatit
të kulturës “A. Moisiu”, ku u përurua libri i tij “Antitabu”. Megjithatë pak
rëndësi ka, sepse janë disa shkrime që i bënë jehonë kësaj ngjarje, duke u
futur në fondin e tij të përjetësisë. Shaban Murati ka vlera të veçanta, si
diplomat dhe mendimtar i urtë i mendimit politik, tërësisht atdhetar shqiptar.
Dikush duhet të mendojë më gjatë për figurat që nderojnë qytetin dhe qytetarinë
durrsake.
Kaq pak fjalë mjaftojnë vetëm si njoftim i
shkurtër. Por nuk përmbushin pritshmërinë, sepse janë shumë ngjarje, të cijat
janë përballuar nga drejtuesit dhe anëtarët e kësaj shoqate me emër, që po i
mbijeton kohës, aq më tepër kur bëhet fjalë për një përvjetor të tillë:
90-vjetor dhe 35-vjetor.
Unë jam anëtar i hershëm i kësaj shoqate, kështu
kam ndjekur dhe përjetuar të gjithë jetën dhe veprimtaritë e saj. Ndaj dhe herë
pas here, kam bërë disa shkrime që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive.
Kështu, në morinë e ngjarjeve pikante, po ndalem të kujtoj vetëm disa prej
tyre:
Së pari: Ka sjellë në jetën e qytetit dy festa,
“Festa e detit” e cila organizohet në fillim të muajit qershor, ashtu edhe
“Festa e Ullirit”, që festohet në muaji nëntor të çdo viti. Nuk është gjë e
pakët të organizosh veprimtari të tilla, që shoqërohen edhe me shëtitje në det,
apo me mbjelljen e një ulliri, po ashtu edhe me koncert festiv, me këngëtarë
dhe instrumentistë të ndryshëm, shpesh të ardhur nga qytete të ndryshëm të
vendit, si Tirana, Shkodra, Vlora, etj. Sikur vetëm për këto ngjarje, do të
mjaftonte mirënjohja jonë si qytetarë të Durrësit.
Ndërkohë festave i shtohet edhe një vlerë
tjetër: Nderohen dy-tre apo katër personalitete të qytetarisë durrsake. Të
gjithë të përzgjedhur si më të suksesshëm në drejtim të institucioneve të
ndryshëm, arsim, shkencë, art, kulturë, sport dhe së fundi edhe në biznes. Nuk
kam statistikë, por besoj se numri i tyre është goxha i ndjeshëm, aq sa mund të
përmblidhet në një enciklopedi, që po e quaj “Enciklopedi e qytetarisë
durrsake”, (Autorët mund t’i vendosin titull tjetër), duke ua lënë brezave për
ta plotësuar ndër vite.
Dikush mund të thotë pa e vrarë mendjen, se të
tilla veprimtari kanë për detyrë dhe i organizojnë të gjitha shoqatat si motra
në mbarë vendin, pavarësish cilësisë. Po shoqata “Durrësi”, ka meritën se është
përballur edhe me ngjarje të mëdha që kanë tronditur kombin, siç ishte pritja e
vëllezërve tanë shqiptarë të Dardanisë, në vitet e nxehta të luftës, 1998-1999.
Mijëra shqiptarë të shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre shekullore, të
detyruar nga ushtria pushtuese serbe, u
pritën vëllazërisht nga popullii Durrësit, pavarësisht varfërisë dhe
vështirësive të kohës.
Kështu, me që jemi në prag të, 17 Shkurtit, 2008,
festa e “Mëvetësisë së Dardanisë”, me pak fjalë po përmend vetëm një veprimtari
atdhetare, që nuk duhet harruar, pavarësisht viteve që po ikin kaq shpejt:
- Në përpjekje disa ditore, është i
paimagjinueshëm bashkëpunimi mes disa shoqatave që vepronin në Durrës, që
“Pajtuan” dhe bënë bashkë politikën dhe politikanët e pushtetit lokal të
Durrësit. Besoj se është e para herë që partitë politike ulën kokat para
shoqatave. Zëri i kombit që lëngon, i zgjoi të mbledhin mendjen, duke hequr
dorë nga sherri i pavend dhe pa kuvend.
U organizuan disa takime: Fondacioni “Sulejman
Vokshi”, drejtuar nga Qazim Kreka, (ardhur herët në Shqipëri, me origjinë nga
Dardania), shoqata “Durrësi” me kryetar Halil Myderizi, shoqata atdhetare “Çamëria”,
me kryetar Avdyl Suljejmani dhe shoqata atdhetare-politike “Kosova”, me kryetar
Myftar Gjonbalaj, vendosën dhe organizuan në qendër të Durrësit dy mitingje, me
thirrjen, “Një komb një qëndrim”. Nuk vonoi edhe mbështetja nga drejtuesit e
pushtetit lokal, nga Prefekti Matin Cukalla dhe nga kryetari i Bashkisë Arqile
Gorea.
Mitingu i par u realizua para Bashkisë, në fund të
majit 1998, dhe i dyti, në shesh para Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, në shtator
1998. Mitingje ku ushtoi zëri atdhetar, që dënonte agresionin serb, dhe shprehte
mbështetje pa kufi të luftës së UÇK dhe ndihmës së forcave të NATO-s dhe SHBA.
Dardania u çlirua në qershor 1999. Gardhi që ndante
shqiptarët, i vendosur për afro një shekull më parë, më në fund u prish.
Shqiptarët u lidhën mes njëri-tjetrit. Dhe, pas pak vitesh, 17, shkurt, 2008, Dardania
shpalli “Mëvetësinë”. Ndërkohë, sot shoqata “Durrësi” mban krenarinë.
Tingëllojnë bukur, ndaj mbeten në kujtesë
fjalët e thëna në fund të fjalimit, nga kryetari Avdulla Delillisi: “Nderim për të
shkuarën, besim në të tashmen, shpresë për të ardhmen.....!”
Urime për 35-vite veprimtari të shoqatës
“Durrësi Autokton”, në shërbim dhe pasurim të jetës qytetare të Durrësit tonë, 3000-vjeçar!
Kadri Tarelli
Mes shkurti, 2026.










