E enjte, 19.02.2026, 11:05 PM (GMT)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj: Shqiptarët e Gjenevës në përvjetorin e Festës Kombëtare të Pavarësisë – 17 Shkurt 2008

E enjte, 19.02.2026, 06:59 PM


Shqiptarët e Gjenevës në përvjetorin e Festës Kombëtare të Pavarësisë – 17 Shkurt 2008

Nga Nexhmije Mehmetaj

Ditën e mërkurë, më 18 shkurt 2026, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, u organizua një veprimtari festive me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Ky përvjetor i rëndësishëm i shtetësisë sonë mblodhi së bashku nxënësit e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Gjenevë, mësuesit e tyre të përkushtuar, prindër, familjarë dhe bashkatdhetarë.

Atmosfera festive ishte e ngrohtë dhe plot emocion. Fëmijët, të veshur me ngjyrat e flamurit dhe me simbolet e atdheut, mbushën sallën me buzëqeshje dhe energji fëmijërore. Të gjithë ishin mbledhur për të festuar së bashku këtë datë historike, që për shqiptarët përfaqëson kurorëzimin e një rrugëtimi të gjatë sakrificash dhe përpjekjesh për liri.

Nxënësit u pritën me përzemërsi nga Konsullja znj. Floreta Kabashi, Udhëheqëse e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë. Në fjalën e saj përshëndetëse, ajo përgëzoi fëmijët për ndjekjen e shkollës shqipe dhe për përkushtimin në mësimin e gjuhës amtare – gjuhës së të parëve, gjuhës së identitetit dhe të shpirtit kombëtar. Ajo theksoi rëndësinë që brezat e rinj, edhe pse larg atdheut, ta ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare si pasuri të çmuar.

Në këtë përvjetor u rikujtua se sa shumë luftë, sakrificë dhe qëndresë i është dashur popullit tonë për të fituar lirinë dhe pavarësinë. U shtrua natyrshëm pyetja: A duhet që fëmijët tanë ta njohin historinë e Kosovës? Përgjigjja ishte e qartë. Mësimi i drejtë dhe i vërtetë i historisë sonë i ndihmon ata të kuptojnë rrënjët e tyre, të respektojnë sakrificën e brezave paraardhës dhe të ndërtojnë me dinjitet jetën në shoqërinë ku jetojnë. Fëmijët tanë duhet të dinë se populli shqiptar ka luftuar me heroizëm e vetëmohim, ashtu si çdo popull tjetër që ka synuar lirinë dhe dinjitetin e vet.

Pjesa artistike e programit i dha festës një gjallëri të veçantë. Nxënësit recituan poezi kushtuar atdheut, kënduan këngë dhe mbajtën një garë diturie. Mësueset shprehën emocionin e tyre duke theksuar se kjo ishte një pasdite e organizuar me shumë dashuri, ku fëmijët patën mundësinë të shpalosin talentin dhe përgatitjen e tyre.

Mësimi i gjuhës shqipe në Gjenevë, ashtu si në mbarë Zvicrën, zhvillohet nën organizimin e shoqatës Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë "Naim Frashëri" shkurt LAPSH. Kjo organizatë ka dhënë një kontribut të çmuar ndër vite për të qenë sa më pranë vogëlushëve shqiptarë që jetojnë larg atdheut, duke u krijuar mundësinë të mësojnë gjuhën, historinë dhe kulturën kombëtare.

Gjeneva zë një vend të veçantë në historinë e arsimit shqip në diasporë. Pikërisht në këtë qytet ka filluar për herë të parë mësimi plotësues i gjuhës shqipe më 26 shkurt 1988, me mësuesen Hidajete Dërmaku dhe mësuesin Sejdi Sopa. Ky muaj shkurt, përkon me 38-vjetorin e këtij misioni fisnik, që ka ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar ndër breza.

Në këtë ditë feste e krenarie, të pranishmit jo vetëm që përkujtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por edhe festuan vazhdimësinë e një pune të palodhur arsimore e atdhetare në mërgatë. Urojmë që shkolla shqipe në Zvicër dhe në Gjenevë të vazhdojë me suksese rrugëtimin e saj, duke mbetur një vatër e gjallë e gjuhës, kulturës dhe dashurisë për atdheun në zemrat e fëmijëve tanë.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 19. 02. 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx