Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Shqipja e Lehur
E hene, 16.02.2026, 06:55 PM
Shqipja
e Lehur
Nga
Edison Ypi
Shqipja
e Folur, Shqipja e Shkruar, Shqipja e Kënduar, Shqipja e Pikturuar, Shqipja e
Gdhendur, dhe ca Shqipe të tjera të larta, të shëndetshme, të fuqishme, janë
braktisur, janë harruar, kanë dalë nga moda.
Në
modë, dhe në kujtesë, ka mbetur vetëm 1 Shqipe, Shqipja e Lehur.
Gjon
Buzuku, Pjetër Bogdani, Ndre Mjeda, Zef Serembja, Fan Noli, Faik Konica,
Lasgush Poradeci, Ismail Kadarea, janë lodhur kot, djersa e tyre vajti dëm.
Askush
s'do të flasi, askush s'do të shkruaj, të këndojë, të gdhendi, të pikturojë. Të gjithë duan të kuisin me
turi nga Hëna. Të gjithë duan të lehin.
Të
gjitha garat, të gjitha luftat, të gjitha betejat, të gjitha konkurset, të
gjitha çmimet, i fiton Shqipja e kudondodhur, Shqipja e Preferuar, Shqipja e
Lehur.
Shqipja
e kalbur, për shembull, që lufton dhëmbë për dhëmbë me Shqipen e Bukur,
gjithmonë mbaron, gjithmonë degjeneron, në Shqipe të Lehur.
Ose
Soc Shqipja që lufton për jetë a vdekje me Shqipen Normale, Standarde,
Njerëzore, çdo herë finalizohet me fitoren e Shqipes së Lehur.
Po
ashtu edhe ndeshja e Shqipes së Çorroditur me Shqipen e Rregullt, Shqipes së
Gjirizave me Shqipen e Qiellit, Shqipes së Ajkës me Shqipen e Llumit,
përfundojnë me Shqipen e Lehur.
E
njëjta gjë edhe me Shqipen e Vdekur që kacafytet me Shqipen e Gjallë. Ajo që
del në krye të këtij dueli është gjithmonë Shqipja e Vdekur, motra kufomë e
Shqipes së Lehur.
Në
arenën e ndeshjes së Gjuhëve Shqipe ndodh shpesh që Shqipja e Çmendur ndeshet
për vdekje me Shqipen e Ndotur, Shqipja Bastarde me Shqipen e Llangosur, Shqipja
Anakronike me Shqipen Kakofonike, Shqipja Zgjebarake me Shqipen Kanceroze.
Nuk
u duhet zënë Besë. Janë luftra brenda llojit. Janë Shqipe të Sëmura që
përfundojnë të gjitha te Shqipja e Lehur.
Çdo
bastard shqiptar e konsideron detyrë, madje mision, të bëjë çmos për pasurimin
e koleksionit të Shqipeve të Përdhosura, Shqipeve të Nakatosura, Shqipeve të
Plevitosura, që përfundojnë në Shqipe të Lehura.
Protagonistat
e Shqipeve të degjeneruara, duke u dridhur nga qefi që ju dha rasti të japin
një kontribut sado modest në kalbjen e Shqipes, haberin e triumfit të Shqipes
së Lehur ndaj Shqipeve të tjera, e lehin rregullisht në banaqet më në zë me
Shqipe të Zgjedhur, Shqipe të Zgjebosur, Shqipe të Lehur.
Të
tjerët, për shembull, bartësit e Shqipes Kafshërore, Shqipes Shtazarake,
Shqipes Prozaike, Shqipes Prostatike, Shqipes Diabetike, Shqipes Skizofrenike,
bashkë me pasurimin me të dhëna të vlefshme nga Shqipja e Folur me Veten,
Shqipja e Ëndërrave, Shqipja e Kllapive, përsiatjet e tyre i shpallin
rregullisht në portalin gjuhatuthaftë.al ose pikaqëstëra.net
Adhuruesit
e soc-Shqipes me frymëzim staliniano-orwellian, plus idhujtarët që venerojnë
sloganin "Shqipëria shkëmb graniti në breg të Adriatikut" i ke të
gjithë në rrjetat sociale duke i bërë lajka njëritjetrit.
Miqtë
e klubit "Na bashkoi inteligjenca artificiale" mblidhen në
gjysëm-errësirë te kafeneja lakrimogjene e lagjes ku dehen me lëngje të
skaduara frutash greke.
Kacafytjen
e Shqipes Kafshërore me Shqipen Shtazarake, si më spektakolarja, do e bëjë film
Hollivudi me skenar nga i famshmi Ha Miu, ose i pagabueshmi Pi Lejleku.
Shqipes
së Vjetër që rrezikon të katandiset në Shqipe të Lehur, do i ngrihet shtatore
në Kashar, te kthesa e Rinasit, ku të mos mbetet asnjë turist pa e parë.
Shiritin e kësaj Shqipeje do e presi SPAK-u.
Shqipja
e Lehur dhe nënproduktet e saj, si Shqipja e Plagosur, Shqipja e përgjakur,
Shqipja e Varrosur, Shqipja e Katranosur, dhe të tjera Shqipe, vazhdojnë të
bëjnë kërrdinë.
Në
këtë pazar qensh, këtë panair kockash, sa të ha syri deri në horizont, veç
lehje, veç lëpirje, veç analfabetë funksionalë që bërtasin e ulurasin në Shqipe
të Lehur.









