Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kërraba
E enjte, 30.10.2025, 06:55 PM
Kërraba
Nga
Edison Ypi
Do
vete te disa katunde. Por jo si Ai në dasëm. Duhen plotësuar disa kushte.
Lypset pritje, përgatitje, ankth, frymëzim. Nuk nisesh dot pa u derdhur kupa e
durimit, pa buçitur oqeani i përfytyrimit. Prit derisa gjithçka që të rrethon,
rrugët, rrugicat, malet, fushat, lumenjtë, përrenjtë, toka, qielli të ulurasin
në kor: Ik-ik. Pastaj nisu.
Një
sofër e madhe në jug-lindje shtruar plot po më pret. Të mirat shtruar mbi
sofrën kilometrike ku do vete, ullishtat, vreshtat, kopështet, arat e mbjella,
e të tjera e të të tjera, veç t'i shohësh, të ikën mendja. Po të këqiat, ku
janë ? S'ka të këqia mbi atë sofër. Hithrat, gjëmbat, ferrat, ikën. Janë
penduar. Por është vonë. Kush më pret në këtë sofër, thua ti. Më pret një
"Robinson" i mërzitur nga ngushticat e qytetit që vjen e shtrohet me
sofër, merr frymë lirisht në fshat. Ku ka një arë, një kopësht, një shtëpi, që
i ka ujdisur të tëra me dyart e veta. Pas pak ditësh, kur durimi të më ketë
shterrur, gota të më jetë derdhur, përfytyrimi të më jetë ndezur, këtë parajsë
të vogël ndërtuar me lodhje, durim, djersë, do vete ta shoh me sytë e mi.
Mirpo,
ndërkohë që pres i ndezur të vete te "Robinsoni" i jug-perëndimit, më
fton për vizitë "Tarzani" i
jug-lindjes. Një i dashuruar marrëzisht pas katundit të vet. Një i fandaksur
pas historisë, gjeografisë, ekonomisë së katundit, zonës, Shqipërisë. Në një
masë të pabesueshme. Në një mënyrë manikale. Ditë e natë i ndezur. Si zjarri i
shpellave që e ruanin mos u fikej nga frika se perënditë nuk do lejonin ta
ndiznin përsëri.
Dy
ëndërra, dy përfytyrime, dy zjarre, mijëra tundime.
Nga
t'ja mbaj ?
Ku
të vete ?
Ku
të zhytem ?
Ku
të mbytem ?
Ku
të digjem ?
Kujt
t'ja prish e kujt t'ja ndreq ?
Të
nisem te Tarzani, vjen e më ther me thikë prej druri Robinsoni.
Të
nisem te Robinsoni, duke u hedhur degë më degë me ulurima xhungle, vjen më hedh
thonjtë në fyt nga inati Tarzani.
Ta
kafshoj bakllavanë e jug-lindjes, më ngac në fyt revania jug-perëndimit.
T'ja
mbaj nga molla, më kalbet dardha.
T'i
bëj një vizitë Lasgushit, më bën qepaze Kadarea.
Të
vete te Kadarea, më mrrylet Lasgushi.
Të
nisem të rrëfehem te Prifti, Kisha, më mallkojnë shtatë breza Hoxha, Xhamia.
Të
falem te Hoxha, Xhamia, më shpallin heretik, Prifti-Kisha.
Ta
komplimeroj Gina Lollobrixhidën, vjen e më kafshon si ujk në zverk nga xhelozia
Brixhit Bardoja.
Ta
marr me të mirë Brixhit Bardonë, ma ngul thikën në gjoks Gina Lollobrixhida,
Më
ka kap një ankth që s'e rrëfej dot.
I
kërkova këshillë një të moçmi, më tha: Kështu është kur të merr erë koka.
Elbasanlliu,
kavajsi, kolonjari, shkodrani, mu përgjigjën: Na le rehat. Kemi hallet tona.
Pyeta
një mik nga Puka. Pukjani më tha: Bëj si të thotë zemra. Nuk ka receta.
Pasi
askush nuk më dha drejtim, mora në dorë situatën, vura kokën ndër grushta:
Thash'
me vete:
Nga
Tirana në Rrogozhinë është bishti.
Nga
Rrogozhina te Robinsoni, njëra degë.
Nga
Rrogozhina te Tarzani, tjetra degë.
Bishti,
plus njërën degë, plus tjetrën degë, bëhet kërraba.
Nuk
do merrem më me Tarzana, Robinsona, bakllavara, revanira, molla, dardha,
Lasgush, Kadare, Gina Lollobrixhida, Brixhit Bardora, priftërinj, hoxhallarë,
kisha, xhamia.
Në
majë të çdo dege të çdo kërrabe, degëzohet një kërrabë tjetër, e me rradhë, për
çdo degë e çdo kërrabë, shumzohen me miliona kërraba fraktale mahnitëse.
Do
ndjek kërrabat fraktale. Do endem në pafundësinë e tyre. Derisa ta gjej ku
ndodhet Astapovo ime.









