Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Tre shkaba, dy banorë
E enjte, 06.11.2025, 06:58 PM

Tre shkaba, dy banorë
Nga
Edison Ypi
Në
një qoshe të Gorës, ndodhet Zboqëria.
Në
qoshen e qoshes ku struket Zboqëria, zhurmon Maliqi.
Ujqit,
dhelprat, lepujt, zogjtë, gjarpërinjtë, duke ecur, zvarritur a fluturuar, hyjnë
e dalin në Zboqëri nga u do qefi.
Njerëzit
hyjnë e dalin në Zboqëri me makinë ose më këmbë nga Maliqi ose nga Sovjani.
Të
hyjnë e dalin nga të duan ujqit dhe zvarranikët. Unë dhe Kallauzi im jemi nisur
ta eksplorojmë Zboqërinë me makinë nga Maliqi i ëmbël dhe maliqarët e kripur.
Pak
mbi të 30-at, serioz, i sjellshëm, i kujdesshëm, kallauzi im nëpër Zboqëri,
Stilian Belishta, marrëzisht i dashuruar pas vendit të vet, të mahnit me
dijenitë e thella për Zboqërinë dhe Shqipërinë, historinë, gjeografinë, gjuhën,
botanikën, zoologjinë, traditën, folklorin e tyre.
Pak
minuta pasi kemi lënë pas Maliqin, mirseardhjen në Zboqëri nuk na e uron ndonjë
skile apo ndonjë zvarranik, por hiç më pak se një shkabë.
Shkabë
në Zboqëri ?! Shkaba ka në veri, jo në Zboqëri.
Shkaba
që po na pret dhe përshëndet mbi degën e një druri të thatë anës udhës, me të
na parë, rreh krahët e fluturon e lehtë dhe e lirë nëpër qiejt e Zboqërisë mes
reve të vjeshtës si çarçafë të zhubrosur pas dashurisë.
Rrugë
e ngushtë e paasfaltuar, por me taban të fortë. Asnjë metër asfalt, as normal
as elektoral, s'kanë parë kurrë me sy rrugët e Zboqërisë. Duken vetëm gjurmët e
një ish-kalldrëmi ku gurët e vjedhur duken si dhëmbë të shkulur.
Duke
vajtur për Beras s'të zë syri frymë njeriu.
Pak
kilometra përtej malit, në Sovjan, Pirg, Zvirinë, Veliternë, ka me qindra vila
dhe mijëra shtëpi të reja.
Në
tërë Zboqërinë ndodhet vetëm 1 vilë e vetme mbi një bregore pa asnjë shenjë
jete brenda.
Berasi
një grusht shtëpi të braktisura.
Majtas-djathas
tutje-tëhu ca parcela të pluguara që presin të mbillen me grurë.
Larg,
një tufë dele mbi një pllajë.
Për
me vajt në Zboq, që është Kryeqyteti i Zboqërisë, për shkak se rrugët që kanë
lidhur fshtrat janë bërë të pakalueshme nga mospërdorimi, duhet të kthehemi ca
kilometra mbrapsht.
Zboqëria
është një tas i thellë natyror me diametër nja tre a katër kilometra.
Fshatrat
e mëdhenj dhe të rëndësishëm të këtyre anëve, populluar kryesisht nga vllehë,
Llënga, Lenia, Strelca, Grabova, Voskopoja, edhe ata tasa janë.
Katundet
e Zboqërisë, Beras, Zboq, Këmbëthekër, Memël, Manastirec, Bubuq, janë
katandisur nga një grusht shtëpish pranë e pranë me njëratjetrën si breshka ose
dele që janë mbledhur e mërzejnë kokë më kokë nga një vapë inekzistente.
Fshatrat
e vegjël strukur në faqet e tasit duken si kafshata të mbetura të një përsheshi
ciklopik me kos ngrënë me ngut.
Përmes
tasit kalon një përrua i thatë, edhe në nëntor.
Kallauzi
im erudit tregon pafund për evente historike, iniciativa patriotike, kapedanë
trima, komitë, çeta, luftra, Teqera, Vakëfe, vakira.
Zboqi
duket më i mbajtur se katundet e tjerë. Ka ende ca gardhe pa shkulur, ca mure
pa shembur, ca vreshta pa sharruar.
Halli
se, për momentin, në Zboq ndodhet 1 njeri i vetëm. Një Zonjë që merret me punët
e shtëpisë, bagëtinë, administrimin e oborrit. Zonja gorare gatuan shumçka.
Edhe byrek. Por pa saç. Burri ka vajtur me bagëti. Brenda tasit, por diku larg
ku prej këtu nuk duket me sy.
Sillemi
nëpër Zboq.
Kallauzi
vazhdon rrëfen për një gur të shenjtë që rri varur prej shekujsh në një majë
mali diku më tutje, në Manastirec, ku makina nuk arrin. Për shenjtërinë e
vakëfeve, ku, po të shpëtoi ndonjë fjalë e tepërt, të mpihen përgjithmonë
gjymtyrët, ose ta le shëndenë mendja.
Tek
kthehemi nga Zboqi na dalin përballë një zotni dhe dy gomerë. Ne përposhtë.
Zotniu përpjetë. Zotniu më këmbë. Njëri gomar ngarkuar. Tjetri gomar pa samar.
Sizifi
i paepur që po ngjitet për në Zboq është një mesoburrë shpirt njeriu me pamje
prej fisniku. Llafoset ngadalë. Me zë disi të lodhur. Me fjalë të zgjedhura të
shqiptuara qartë. Fjali të lidhura mirë. Thotë se ishte në Korçë ku bleu disa
gjëra. "Gjërat" që Zboqaraku fisnik ka blerë në Korçë dhe i ka
ngarkuar mbi gomar, janë kuintesenca e mbijetesës rurale shqiptareske. Oriz,
sheqer, kripë, sapun, patate, ilaçe, mushama, pesticide.
Zotniu
i Zboqit është thelbësisht i brengosur. Nis e rrëfen një mesele të vjetër kur u
muar vesh se një i oxhakut të tij i kishte rënë më qafë pa të drejtë dikujt të
një oxhaku tjetër. Teqeja e mallkoi 7 herë fajtorin e zënkës historike. Bashkë me
fajtorin, edhe krejt fisin.
Serioziteti,
qartësia, gjakftohtësia, dialekti mahnitës, zëri me kumbim pothuajse divin me
të cilën zboqoti me gomar rrëfeu mallkimin e shtatfishtë mbi krejt fisin për
sebep të njërit, ishin frikshëm magjepsës, diçka që s'mund të rrëfehen.
Gomari
tjetër, një gomaricë e shkathët pa samar, vjen rrotull e rrotull vendit ku kemi
ndalur.
Thagmat
e zboqarakut s'kanë fund. Thotë se gomarica çapkëne pa samar që s'i zë vendi
vend, ende nuk e ka moshën për samar. E merr me vete në Maliq e gjetkë ngaqë
për qamet nuk duron e lidhur në stallë ose në oborr. Dhe çudia e çudirave:
Pulishti femër zevzeke pa samar nuk është kërriç dosido. Është gomaricë rrace.
Ka dalë nga ndërzimi i një gomarice shqiptare me një gomar italian.
Duke
zbritur, kallauzi me pamje dhe qëndrim krenar si Salvador Dalì, rrëfen për
evente historike lidhur me Zboqërinë:
Ndertimi
i Teqesë se Memëlit ne shekullin e XIV.
Pjesëmarrja
në Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku morën pjesë Kajo Bajieni dhe Fehim Zboqi.
Krijimi
në Zboq i Nënkomitetit të Fshehtë Krahinor për çlirimin e Shqiperisë më 28 mars
1906.
Pjesëmarrja
ne mitingun per Mbrojtjen e Shkronjave në Korçe më 1910.
Luftimet
pranë Korçës për Pavarësi më 1912.
Hapja
e shkollës së pare shqipe në fshatin Këmbëthekër më 1913.
E
të tjera e të tjera meselera, vende, vakira, emra, data.
Stiliani
është dy herë bektashi nga mami dhe nga babi. Emrin Stilian ja vuri mami për
mbarësi. Që kur të rritej t'i ngjante Fan Stilian Nolit.
Pak
më tutje, tjetër shkabë e arratisur mbi tasin bosh.
Kallauzi
im, një Tarzan i gjithdijshëm dhe i pagabueshëm i këtyre anëve, di përmendësh
krejt mikro-toponimet e zonës: Çuka e Asimit, Kroi i Ariut, Lëmi i Toles, Hija
e Korbit etj.
Këmbëthekra
një grusht shtëpi të braktisura mbledhur kruspull.
Zboqëria
e sotme kryesisht me dushqe dhe bokërrima, nuk ka pyje, drurë të lartë, ahe,
pisha, bredha. Asnjë hije çlodhëse. Asnjë burim freskues. Asnjë lehje qeni.
Asnjë tym oxhaku.
Aq
i shkretë është ky vend, sa duket sikur këtu koha nuk ka ndalur, por kurrë nuk
ka filluar.
E
treta shkabë mbi kokat tona. Shyqyr që s'jemi dele e cjepër të na ngrerë me
sqep e të na shqyej mbi ndonjë shkëmb.
Duke
u llafosur për shkaba, që u bënë tre, dhe banorë që mbetën dy, një shkabë e
katërt kalon tërthor rrugën. Por Stiliani që faunën qiellore e njeh në majë të
gishtave, thotë se nuk është shkabë, është sorrë.
Tre
shkaba, dy banorë.
Nëse
dikujt i intereson, mund ta bëjë këtë ferr bosh muzeum ta popullojë me
fantazmat e lodhjeve shekullore për për liri dhe prosperitet.
Bilanci
rrënqethës i kësaj vizite në këtë vend të dashur, nuk na mposht.
Zbresim
në një tatëpjetë.
Duken
që larg shtëpitë dhe vilat e Sovjanit.
Vite
më parë, kur ishte fëmijë, nëpër këto shtigje është ngjitur Robert Karipllari
në mal për të bërë dru në pyll.
Nagaçe
në brez, pagure uji në një qese lecke lidhur me gjalmë hedhur mbi sup, brenda
qeses së leckës një copë bukë misri e thatë, pak gjizë, një bisht qepë e njomë
- ky ishte asokohe ushqimi që Karipllarin e mbante gjallë.
S'pamë
asnjë pyll andejpari. Në cilin pyll priste dru zjarri Karipllari ?! Këtë le ta
qartësojë vetë në një konferencë shtypi nga ato plot me rrena.
Në
kthim, në Petrushë mora një të çmendur dhe të sakatuar. I çmenduri që i dukej
vetja poet, sapo hipi në makinë nisi të recitojë vjersha aq për të vjellë sa as
Dhisar Shiti nuk i thur dot.
Ku
kthen për Shën Marenë një banor lokal më tha me plot gojën se nuk është
shqiptar por safi sërb.
Pa
vajtur te Ura e Golikut ndala te një mikro-market në natyrë ku mora një qese
trahana Mokre dhe një kavanoz salcë që të mos vdes nga uria.
Po
s'janë të rëndësishme trahanatë dhe salcat që unë marr rrugëve. Unë jetoj edhe
pa ngrënë.
E
rëndësishme është se vërtet Zboqërinë e kanë zbrazur disa qindra, e kanë lënë
qyqe. Por ka mbetur tharmi, Ka mbetur Stilian Belishta, më i vlefshëm se të
gjithë bashkë ata që kanë ikur. Ka mbetur eruditi që e ka të ngulur
përgjithmonë në kokë se Atdheun nuk duhet me e dash' vetëm kur ta blen votën,
të vjedh dhe të lë të vjedhësh, ta bën jetën tavë dheje, aheng, tallava, por më
së shumti kur të vret.









