Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Jam gati të paguaj që të mos paguhem
E marte, 16.12.2025, 06:56 PM
Nuk paguhem
Nga Edison Ypi
Ka dhe të tjerë që
nuk paguhen. Por ata i paguan fshehtaz propaganda, partia, OJQ-ja, korrupsioni,
mafia.
I vetmi në Shqipëri
që shkruan, lexohet, pëlqehet, dhe nuk paguhet asnjë dyshkë, asnjë kacidhe,
asnjë groshë, asnjë qindarkë, kurrë dhe nga askush, jam unë kolonjari i krisur
që shkruaj për qefim tim dhe kënaqësinë e atyre që lexojnë xhevahiret e mia.
Nuk paguhem, jo sepse
s'më paguajnë. Më lusin të më paguajnë. Por jam unë që refuzoj të paguhem.
Po të paguhem,
shëndeti im keqësohet. Më merren mentë. Më dridhen gjunjët, më vjen për të
vjellë. Shkrimet nuk buçasin, nuk magjepsin, nuk ekzaltojnë, nuk lumturojnë.
Po të mos paguhem, si
në fakt po ndodh prej kaheri, ndjehem i freskët, i fuqishëm, i shëndetshëm.
Gjaku më buçet. Gjymtyrët lëvizin, Shkrimet sokëllijnë.
Jo se shkrimet e mia
u duken të këqia, dhe paret që duhet të më japin u duket sikur nuk i meritoj.
Përkundrazi. S'lënë rast pa ma thënë se u pëlqejnë, i lexojnë nga dy e më tepër
herë.
Që nuk paguhem, nuk
është pra çështje sasiore, kaq apo aq, as problem cilësor, mirë apo keq.
Që është më mirë të
mos paguhem se të paguhem, është zgjidhje që ma ka mësuar përvoja me gjithë
nazet e saja.
Ka ndodhur që më ka
rrejt menia. Kam pritur të paguhem. Ndërkohë jam ngathtësuar, më ka rënë
rendimenti dhe cilësia.
Kam plot arsye dhe
raste pse po të paguhem më gjen belaja, po të mos paguhem më shkon fjollë jeta.
Nuk dua të paguhem
sepse nuk dua të dorzohem. Dua të vazhdoj të luftoj, të kacafytem, të
përgjakem. Me thikë në fyt, vaj në vesh, sqepar në kurriz, me ç'të mundem.
Pranoj me kënaqësi të
mos paguhem, si e vetmja mënyrë të mbetemi të kënaqur të dy, edhe unë edhe ai.
Dhe të shihemi në sy. Ai me çiltërsi. Unë me dinakëri.
Nuk preferoj të
paguhem, që të mos më afrohen asnjë qime, të më rrinë larg për arësye
higjenike.
Kam gjithato vjet që
shpenzoj naftën time, makinën time, kohën time, duke u endur nëpër zgëqet e
Shqipërisë, ku qëmtoj, dhe gjej, dhe shkruaj, për karaktere të çuditshme dhe
vende të magjishme, dhe nuk paguhem për të mos e braktisur statusin e Nositit
që ushqen zogjtë me mishin e vet.
Nuk paguhen, për të
ndejtur sa më larg banalitetit, përuljes, lëpirjes, pagesës, ndotjes,
përdhosjes, dhe sa më afër ajkës, elitës, dritës, si mbi trotuar para një
vetrine me pula të pjekura ku bukën thatë e shoqëroj me erën e mishit që vjen
nga brenda restorantit.
Nuk paguhem ngaqë nuk
dëshiroj që idetë e mia të konsiderohen aq të vlefëshme sa tu korespondojë një
çmim, sado i lartë.
Nuk paguhem, për të
dëshmuar atë që dihet prej shekujsh, se mediokrit paguajnë njëritjetrin, të
epërmit i shpërblen Zoti.
Nuk paguhem, për ta
bindur kallaballëkut se Fjala e zgjedhur, e bukur, e rëndë, është e vetmja që
nuk pranon shpërblim.
Nuk paguhem, sepse po
të paguhesha, do rreshtnin së më quajturi materialist.
Nuk paguhem, për të
mos e ndotur Artin me peqe-lepen.
Nuk paguhem, për të
mos i kërkuar asnjë hoxhe dhe asnjë prifti të më falë mëkatin e të qënët lakè,
hyzmeqar, skllav.
Nuk paguhem, për inat
të atyre që asgjënë e thonë me zë të lartë.
Nuk paguhem, që askush
të mos mendojë se shkruaj ngaqë kam stomak që duhet mbushur, rroba që duhen
veshur, këpucë që duhen mbathur.
Nuk paguhem, për të
dëshmuar se Destini i çdokujt që shkruan bukur është vuajtja e pandalur.
Nuk paguhem, si i
vetmi shteg që kam gjetur për të mos u bërë vidhë, burgjì, mrrokull, e asnjë
makinerie.
Jam gati të paguaj që
të mos paguhem.









